Connect with Us

Korrik 1977/ Kur ikja e dritave për 25 orë e zhyti Nju Jorkun në kaos

Blog

Korrik 1977/ Kur ikja e dritave për 25 orë e zhyti Nju Jorkun në kaos

Publikuar

-

Korrik 1977/ Kur ikja e dritave për 25 orë e zhyti Nju Jorkun në kaos

Tre goditje të forta rrufeje. Që të tria në orën 8:28 të mbrëmjes së 13 korrikut 1977, mbi një linjë të tensionit të lartë në pjesën veriore të kontesë së Uestçesterit. Absolutisht një ngjarje me një probabilitet 1 në 1 milionë, thanë më vonë inxhinierët.

Tre goditje rrufeje, që e zhytën në errësirë të plotë metropolin e famshëm natën midis 13-14 korrikut të 43 viteve më parë. Errësira “çahej” vetëm nga drita e flakëve të zjarreve që ndizeshin nëpër dyqane, si dhe ato të ndezura në kazanët e plehrave nëpër rrugë.

Rrufeja këputi 3 linja energjetike, dy që lidhin impiantet bërthamore në Uestçester me impiantet në kontetë Roklend dhe Oranzh, dhe një të tretë që lidhte nënstacionin Kon Ed në Plesënt Vallej.

Ai u mbingarkua shumë shpejt. Dhe brenda disa minutash, linjat e tjera u mbyllën nga sistemet e sigurisë të dizajnuara për të parandaluar djegien e tyre. Nju Jorku, që atë natë freskohej nga mijëra kondicionerë të ndezur, humbi befas 1.200 megavat energji elektrike. Inxhinierët e reduktuan ngarkesën në fillim me 5 për qind, pastaj me 8 për qind. Ata fikën dritat në Maunt Vernon, pastaj në Elmsford. Por ishte tepër vonë.

Qyteti furnizohej në atë moment nga Long Ajland dhe Nju Jersey. Në orën 21:21, Long Ajland e ndërpreu lidhjen nga frika e një djegieje të kabllove. Pak minuta më vonë Nju Xhersi bëri të njëjtën gjë. Në orën 21:30, gjeneratori i madh “Big Allis” në Kuins u mbyll automatikisht për të parandaluar dëmtimin.

Dritat nisën të fiken. Televizorët, dhe kondicionerët gjithashtu. Shumë njerëz nisën të improvizonin: Ata ndezën qirinj nëpër ballkonë, apo prozhektorët, dhe ndërhynë nëpër kryqëzime rrugësh për të ndihmuar në drejtimin e trafikut.

Duke e ditur se birrat që kishin në frigorifer shumë shpejt do të ngroheshin, bënë disa porosi të tjera nëpër bare. “Do të jetë një natë e bukur!”- tha dikush në një pab në Bruklin. “Fantastike, është i gjithë qyteti në errësirë! E gjithë bota është në terr!”- bërtiti dikush tjetër në rrugë.

LEXO EDHE:  Papa Joani, e vetmja Papë grua, gjinia e së cilës u zbulua kur lindi në mesin e një procesioni kishtar

Shumë banorë kujtuan defektin e madh të ngjashëm të vitit 1965. Atë natë të errët, u arrestuan vetëm 59 persona, më pak se mesatarja ditore. Por tashmë ishte viti 1977. Dhe ishte një korrik i nxehtë, dhe jo një nëntor i freskët. Kaluan disa orë dhe entuziazmi ra. Dhe të gjithë nisën të mendojnë se po ndodhte diçka e tmerrshme.

Gjatë 12 viteve të fundit, shumë lagje ishin varfëruar. Dhe tanimë në errësirë, pronarët e dyqaneve po ndiqnin nga pas klientët që t’u merrnin lekët e produkteve që po merrnin pa paguar. Ata ishin të parët që u goditën. Nisën grabitjet e ushqimeve në supermarkete, u plaçkitën deri edhe dyqanet e veglave muzikore.

Atë që grabitësit nuk mundën ta merrnin me vete, e shkatërronin aty për aty. Zjarrfikësit nuk dinin ku të shkonin më parë. Garda Kombëtare u vu në gatishmëri, por kryebashkiaku Abe Bim refuzoi ta përdorë, duke u mbështetur vetëm tek 25.000 policët e qytetit.

Kur më në fund zbardhi dita e 14 korrikut 1977, u zbulua një qytet i dëmtuar rëndë. Policia arrestoi 3.400 persona. Ato orë u plagosën 558 policë. Pati gjithsej 851 zjarre, dhe u shkaktuan mbi  1 miliardë dollarë dëme.

Energjia u rikthye plotësisht vetëm rreth orës 22:30. Deri atëherë shumica e njujorkezëve pyesnin me tmerr nëse do të rifillonin sërish plaçkitjet. Por në lagjet e shkatërruara, shumica ishin të sigurt se tmerri nuk do të përsëritej. Thjeshte, sepse nuk kishin mbetur shumë gjëra për t’u grabitur…/ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Gjurmët e para të jetës mbi Tokë

Publikuar

-

Nga

Jeta e hershme në Tokë mund të ketë evoluar në burimet e ngrohta të ujit në ishujt që popullonin një oqean të stërmadh. Jeta më e vjetër e konfirmuar në Tokë është 3.5 miliardë vjeçare, vetëm 1 miliard vjet pas formimit të planetit.

Gjurmët e jetës së mundshme, janë gjetur gjithashtu në shkëmbinjtë që datojnë 3.7 deri në 3.95 miliardë vjet. Këto mostra janë të diskutueshme. Por ato mund të lënë të kuptohet se jeta evoluoi shumë shpejt pasi u zhvillua atmosfera e planetit dhe oqeanet.

Edhe origjina e jetës në fjalë është gjithashtu e diskutueshme. Gjithsesi, jeta në Tokë kërkon molekulat themelore të bllokut ndërtues (aminoacidet dhe nukleotidet), që të reagojnë kimikisht, duke formuar molekula komplekse si proteinat, ARN dhe ADN .

Ky kalim nga blloqet e ndërtimit tek zinxhirët e gjatë molekularë quhet polimerizim, dhe që të ndodhë kërkon temperatura dhe kushte specifike. Sipas një studimi të botuar në 2008-ën në revistën “Nature Review Microbiology”, disa shkencëtarë besojnë se jeta e parë mikrobiale u shfaq në burimet hidrotermale nënujore, që bartin disa kushte kimike që mund të inkurajojnë polimerizimin.

Shkencëtarë të tjerë argumentojnë që këto lloj burimesh termale, emetojmë shumë nxehtësi për të pasur një polimerizim efektiv, dhe se një mjedis nënujor do t`a bënte të vështirë këtë proces. Në këtë kamp, ​​studiuesit argumentojnë se jeta u shfaq në skajet e pellgjeve të cekëta, falë energjisë gjeotermike.

Por që të funksionojë hipoteza e pellgut me ujë të ngrohtë, duhet që Toka e hershme të kishte një terren të fortë. Dhe këtu hyn në lojë studimi i ri, botuar më 4 janar në revistën ”Nature Geoscience”. Gjeoshkencëtarët Xhun Korenaga nga Universiteti i Jeilit dhe Huan Rosas, tani në Qendrën Ensenada për Kërkime Shkencore dhe Arsimin e Lartë në Meksikë, janë të interesuar të kuptojnë cila ka qenë topografia e Tokës gjatë epokës Arkeane, 4 miliardë deri në 2.5 miliardë vjet më parë.

Kimisti Xhefri Bada, një mbështetës i hipotezës së pellgut të ngrohtë në Institutin e Oqeanografisë në San Diego, iu afrua qasjes së Korenaga, dhe pyeti nëse ka pasur ndonjë mundësi për ekzistencën e Tokës së thatë gjatë Arkeanit.

Korenaga dhe Rosas përdorën një model kompjuterik për të rikrijuar kushtet e Tokës Arkeane. Korenage thotë se zbuloi forma të reja të dyshemesë së oqeanit në kreshtat mes oqeanit, ku shkëmbinjtë nga thellësia e shtresës së mesme të Tokës, manteli, ngrihen dhe shkrihen, duke krijuar një kore të re oqeanike.

LEXO EDHE:  Killerat e Putinit/ Ja si agjentët rusë i eleminojnë armiqtë e Kremlinit

LEXO EDHE:  Pesë mitet mbi grushtet e shtetit/ Jo vetëm në vendet e varfra, dhe s’janë gjithmonë të dhunshme

Ndërsa kjo kore rrëshqet nga origjina e saj në kreshtën mes oqeanit, ajo ftohet dhe tkurret, duke u bërë më e dendur dhe duke u reduktuar në lartësi. Megjithatë, Toka ka ndërkohë edhe burimin e saj të nxehtësisë së brendshme:ngrohjen radiogjenike, e nxitur nga prishja e elementeve radioaktive në pjesën e thellë të mantelit.

Kjo nxehtësi tenton të kalojë lart, duke e rritur lartësinë në sipërfaqe. Gjatë periudhës Arkeane, kjo ngrohje radiogjenike ishte më e fortë. Kjo do të thotë që edhe kur korja e re oqeanike u ftoh dhe u tkurr, ajo u ngrit lart.

Kjo mund të kishte çuar në krijimin e deteve nënujore – të cilat priren të jenë rrethore, ndryshe nga kreshtat midis oqeanit – që shtyhen lart mbi nivelin e detit, duke formuar ishuj.

“Nëse kthehemi pas në kohë, shohim që kemi të njëjtën sasi të efektit ftohës, por shumë më tepër efekt ngrohës nga manteli më i thellë”– tha Korenaga.

Gjetjet sugjerojnë se mund të ketë pasur tokë të thatë në planetin tonë shumë kohë përpara formimit të kontinenteve të mëdha.“Hipoteza e pellgjeve me ujë të ngrohtë ka një themel shumë të fortë gjeologjik”-shton Korenaga.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se hipoteza është e saktë, por se studimi i ri zbulon se pellgjet me ujë të ngrohtë nuk mund të përjashtohen vetëm duke u bazuar tek gjeologjia. “Gjeo-kimistët po punojnë për të zbuluar kufizimet e kimisë mbi këtë aspekt”- përfundoi Korenaga. / LiveScience – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A ndihmon vërtet vitamina D në luftimin e Covid-19?

Publikuar

-

Nga

Nëse ka një gjë të sigurt në këtë pandemi, është kjo:të paktën 1 herë në muaj do të ketë një artikull të ri në media, që argumenton se vitamina D ndihmon në parandalimin e Covid-19. Arsyetimi është i thjeshtë:ne e dimë që vitamina D -“vitamina e Diellit”- është e përfshirë në funksionin e sistemit tonë imunitar, prandaj a mund të na ndihmojë ajo që të luftojmë koronavirusin e ri?

Disa janë të sigurt se po. Për shembull, deputetja laburiste në Britani Rupa Huk, shkroi së fundmi një artikull në “Evening Standard”, kue përshkroi vitaminën D si një“mrekulli”, që “na jep të gjithëve shpresë për të zhdukur këtë sëmundje të tmerrshme”.
Ajo shkroi se përfitimet e saj “zbehen” ndoshta,pasi pilulat e lira të kësaj vitamine nuk prodhohen aq masivisht nga Big Pharma, dhe janë më pak magjepsëse sesa një vaksinë. Huk dhe deputeti konservaror Dejvid Dejvis, janë bërë bashkë në një fushatë për të zvogëluar atë që ata e shohin si mungesë e vitaminës D në Mbretërinë e Bashkuar.

Ata janë të irrituar që organe të tilla si Insituti i Shëndetit Publik në Angli, që thotë se nuk ka prova të mjaftueshme për të promovuar vitaminën, për të cilën Dejvis thotë se “mund të shpëtojë potencialisht dhjetëra mijëra jetë” gjatë pandemisë.

Por pse ekspertët nuk bien dakord me Huk dhe Dejvis? Dhe çfarë thonë në fakt provat për ndikimin e vitaminës D tek Covid-19? Në pamje të parë, mund të mendohet se pas gati 1 vit studimesh, ne do të kishim një përgjigje të saktë. Në fakt jo.
Pjesa më e madhe e studimeve mbi lidhjen e Covid-19 me vitaminën D, është në formën e studimeve vëzhguese, ku studiuesit shohin lidhjen që ka niveli i vitaminës D në gjak me rrezikun e prekjes nga Covid-19, apo me ashpërsinë e sëmundjes.

Deri më tani, ka pasur disa studime të tilla, dhe studiuesit kanë bërë meta-analiza për të bashkuar të gjitha të dhënat,duke u përpjekur të nxjerrin përfundime të gjëra. Një meta-analizë zbuloi se ndonëse vitamina D nuk ishte e lidhur me rrezikun e prekjes nga Covid-19, rastet më të rënda kishin më shumë të ngjarë të përfshinin mungesën kësaj vitamine. Një studim tjetër zbuloi se një nivel më i lartë i vitaminës D, shoqërohej ndonjëherë me një rrezik më të ulët të infektimit me koronavirus dhe shtrimin në spital.

Një studim i tretë, gjeti nivele më të ulëta të vitaminës D tek pacientët me Covid-19, krahasuar me ata pa këtë sëmundje. Emocionuese, apo jo? Në fakt jo. Pjesa më e madhe e këtyre studimeve është e një cilësi të dobët, me pak mostra të marra në studim, dhe me analiza të diskutueshme.

Për shembull, nëse njerëzit e moshuar, ose ata me lëkurë më të errët, janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D, dhe ata janë më të rrezikuar nga një formë më e rëndë e Covid-19, ky lloj studimi mund të lidhë gabimisht mungesën me sëmundjen, edhe pse njëra nuk e shkakton tjetrën.

LEXO EDHE:  Pesë mitet mbi grushtet e shtetit/ Jo vetëm në vendet e varfra, dhe s’janë gjithmonë të dhunshme

LEXO EDHE:  Xi Jinping, po e humb kontrollin e “kontrollokracisë” që ka ngritur në Kinë

Ato që na duhen janë provat e rastësishme, ku studiuesit u japin pacientëve me Covid-19 ose vitaminë D ose një placebo, dhe testojnë nëse vitamina shkakton një rezultat më të mirë. Çuditërisht, vetëm 2studime të tilla janë kryer deri më sot. I pari ishte një studim spanjoll, që zbuloi se pacientëve me Covid-19, që u jepet një lloj shtojce e vitaminës D, prireshin t`a përballonin më mirë sëmundjen. Ky studim “gati provoi në mënyrë të pakundërshtueshme, se nivelet e ulëta të vitaminës D kanë një rol kryesor në shkaktimin e rritjes së niveleve të vdekjes”.

Por ky përfundim është larg realitetit. Studimi në fjalë ishte një studim pilot me vetëm 76 pjesëmarrës, dhe pati shumë të meta në zhvillimin e tij. Së dyti, një studim disi më i gjerë në Brazili, nuk gjeti në mënyrë bindëse përfitime nga suplementet e vitaminës D për pacientët që kanë vuajtur nga një formë e rëndë e Covid-19. Atëherë,nëse vitamina D nuk ndihmon në luftën kundër Covid-19, me siguri që është një ide e mirë që gjithsesi t`a marrim atë si suplement? Por ky është një argument i dobët, pasi shkenca nuk ka arritur ende të na qartësojë:ne thjesht nuk e dimë nëse ka ndonjë efekt.

Për më tepër, përdorimi i saj edhe aspektet negative. Sot ekziston një variant i ri, më i transmetueshëm i Covid-19, dhe duhet që njerëzit të bëjnë kujdes maksimal për të mos u prekur prej tij. Por promovimi i idesë se ekziston një zgjidhje e thjeshtë, që e forcon sistemin tonë imunitar dhe parandalon sëmundjen e rëndë, mund t’i joshë njerëzit të krijojnë një ndjenjë të rreme të sigurisë:“Unë i kam marrë kapsulat e mia të vitaminës D, ndaj sot mund të dal edhe pa maskë!”. Shumë më tepër prova të lidhjes mes vitaminës D dhe Covid-19 janë në studim e sipër, ndaj së shpejti do të kemi një përgjigje më përfundimtare./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.newstatesman.com/science-tech/internet/2021/01/jimmy-wales-wikipedia-different-era

LEXO TE PLOTE

Blog

Ja pse Britania kryeson garën e vaksinimit kundër koronavirusit në Evropë

Publikuar

-

Nga

Nga Cristina Gallardo “Politico.eu”

Britania pas Brexit po e udhëheq garën e vaksinimit anti-Covid në kontinentin Evropian,
dhe ka disa leksione për t’i ofruar të tjerëve. Ky vend ka vaksinuar deri tani mbi 3 milion njerëz që kur filloi vaksinimin në fillim të dhjetorit 2020, teksa 415.000 njerëz në Angli që kanë marrë tashmë edhe dozën e dytë të nevojshme për të pasur mbrojtje maksimale nga virusi. Ja cilat janë disa nga arsyet që fshihen pas këtij suksesi.

Miratimi i hershëm nga enti rregullator

Rregullatori i barnave në vend, Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA), ishte e para në Evropë që miratoi vaksinën e Pfizer/BioNTech, më2 dhjetor 2020, pra disa javë përpara Agjencisë Evropiane të Barnave. Kjo krijoi mundësinë e mbërritjes menjëherë të1 milionë dozave të para të prodhuara në Belgjikë, dhe që u dërguan në Britani që në javën e dytë të dhjetorit.

Marrëveshjet e hershme me kompanitë, dhe kapaciteti prodhues

Që nga mesi i gushtit 2020, Britania kishte nënshkruar tashmë marrëveshje në parim për të siguruar 4 lloje të vaksinave të koronavirusit me prodhuesit si AstraZeneca, Pfizer/BioNtech, Valneva, GSK/Sanofi, Novavax dhe Johnson & Johnson’s. Pastaj një faktor është kapaciteti prodhues.
Zyrtarët e AstraZeneca, thanë të mërkurën se po shtojnë me shpejtësi prodhimin e vaksinës, dhe janë në rrugën e duhur për të prodhuar 2 milion doza në javë deri në fund të marsit. Kjo vaksinë po prodhohet në Britani, dhe prodhimi ndihmohet nga një marrëveshje 18-mujore midis qeverisë dhe kompanisë farmaceutike “Wockhardt” e nënshkruar në gusht, për të prodhuar deri në100 milion doza për Britaninë.

Objektiva të qarta

Në planin e shpërndarjes së vaksinave, bërë publik të hënën, qeveria britanike i ka vënë si objektiv vetes të vaksinojnë 14 milion njerëz deri në mesin e muajit shkurt. Në fazën e parë vëmendja është fokusuar tek azilet e të moshuarve, mjekët dhe infermierët,njerëzit e moshës 70 vjeç e sipër, si dhe tek ata më sëmundje kronike.

Prioritet doza e parë

Qeveria mori një vendim në fund të dhjetorit për t’i dhënë përparësi dhënies së dozës së parë të vaksinës sa më shumë njerëzve në grupe. Gjithsesi, që të gjithë do t`a marrin dozën e dytë, dhe kjo duhet të bëhet brenda 12 javësh pas marrjes së dozës së parë.

LEXO EDHE:  Edhe pas shumë shekujsh, Murtaja mbetet një problem global

LEXO EDHE:  Bolshevikët donin ta vrisnin, por një lojë shahu i shpëtoi jetën: Historia e pazakontë e Osip Bernshtajnit

Një sistem i thjeshtë dhe efikas i axhendës së vaksinimit

Rezervimi i një takimi me Shërbimin Kombëtar Shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar (NHS) për të marrë vaksinën, është një proces i lehtë që mund të bëhet në internet ose përmes telefonit, pa pasur nevojë për një konsultë me mjekun e përgjithshëm. Sa për krahasim, njerëzit në Francë duhet të shkojnë tek mjeku i familjes 5 ditë para se të marrin vaksinën,dhe të japin pëlqimin e tyre me shkrim pasi të jenë informuar për efektet e mundshme anësore.

Një rrjet i gjerë vaksinimi

Qeveria britanike është zotuar të sigurojë një qendër vaksinimi që çdo person t`a ketë15 km larg nga shtëpia e tij. Rrjeti në Angli përfshin 7 qendra vaksinimi të mëdha, ndërsa dhjetëra të tjera pritet që të hapen në javët e ardhshme. Së shpejti, njerëzit në Angli do të jenë në gjendje të vaksinohen në një nga rreth 1200 qendrat e vaksinimit.

Mbështetje ushtarake dhe vullnetare

Ushtria britanike po bashkëvepron me NHS. Për shembull, forcat e armatosura po kontribuojnë në fushatën e vaksinimit duke shpërndarë dozat në pikat tashmë të ngritura, duke identifikuar zonat që nuk mbulohen nga rrjeti i vaksinimit. Ekzistojnë gjithashtu 21 njësi të reagimit të shpejtë në gatishmëri, që mund të vendosen në spitale, shërbimet lokale të vaksinimit dhe qendrat e vaksinimit, nëse NHS do të ketë nevojë për burime njerëzore shtesë.

Lufta kundër skeptikëve të vaksinës

Britania ishte ndër vendet e para që ndërmori një fushatë komunikimi kundër keq-informimit, dhe dyshimeve të gabuara të disa njerëzve ndaj vaksinës. Qeveria kishte një plan konkret që nga mesi i nëntorit. Figurat e njohura publike, përfshirë Mbretëreshën Elizabet kanë bërë publik vaksinimin e tyre për të kontribuar në këtë fushatë sensibilizuese mbi nevojën e vaksinimit.

Pse strategjia e BE mund të fitojë?

Britania e Madhe është aktualisht shumë përpara ish-partnerëve të saj të BE-së. Por situata mund të ndryshojë me shpejtësi, sidomos kur të miratohet përdorimi në union i vaksinës Oxford/AstraZeneca. Një qasje më e kujdesshme e Brukselit ndaj shkencës, dhe interesi më i madh i mbrojtjes së taksapaguesit nga çështjet e përgjegjësisë, mund të japin përfitime edhe në planin afatgjatë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.politico.eu/article/8-reasons-why-uk-leads-europe-coronavirus-vaccination-race/

LEXO TE PLOTE