Connect with Us

Nga Gjovalin Macaj/ Indinjimi i persekutorit

Opinione

Nga Gjovalin Macaj/ Indinjimi i persekutorit

Publikuar

-

Nga Gjovalin Macaj/ Indinjimi i persekutorit

Shkrimi i botuar nga Peizazhet e Fjalës me 5 korrik 2020 i cili përpiqet të çmitizojë dy figura si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj nuk duhet të përbëjë lajm për nga vlera e tij si studim. Megjithatë, mund të shërbejë për të vu në pah atë çfarë ky shkrim dhe debati rreth tij anashkalon ose mohon me dije ose me padije. Mjafton të ndalemi në tre aspekte për të kuptuar se pse.

Asgja nuk duhet të mbrohet nga hulumtimi i lirë

Pikë së pari, a duhen çmitizu këto dy figura? Po. Pa asnjë kufizim. Asgja nuk duhet të mbrohet përtej kritikës. Gjithçka duhet vu’ në pyetje deri sa pyetjet nuk ecin ma’. Ky asht një parim që duhet me u mbrojt kurdoherë, sidomos kur krijon pakënaqësi dhe kundërshti. Kjo frymë vlen të mbrohet akoma më tepër sepse përbën një themel të domosdoshëm për të çmitizu çdo mit të ri që ngrihet, duke qenë se pa mite asnjë shoqëri nuk mbijeton dot.

Pra në parim, nuk ka asgja të keqe në përpjekjen e autorit për “demaskimin” e këtyne figurave për të tregue se nuk janë të kullueme e të denja për t’u vënë në piedestal. Po ashtu, autori duhet të ndahet nga vepra. Vepra qëndron mbi dhe përtej autorit – ajo hap shtegun e saj dhe mund të vlerësohet në mënyrë të pamvarun nga autori. Veset e autorit nuk kanë pse të cenojnë vlerën dhe vlerësimin e veprës në vetvete. Hulumtime të mirëfillta rreth autorëve në fjalë na ndihmojnë të njohim më mirë kushtet në të cilat janë prodhuar këto vepra, krahas njohjes së shumanshmërisë së historisë sonë në përgjithësi.

Jo çdo shkrim mund të cilësohet si hulumtim

Aspekti i dytë që duhet sqaruar mirë është se kjo frymë nuk do të thotë se çdo shkrim mund të cilësohet si hulumtim – sepse ndryshe hulumtimi do të zhvlerësohej plotësisht ngaqë nuk do të dallohej dot nga një opinion i çastit. Prandaj lind pyetja që nuk mund të anashkalohet: çfarë përban shkrimi n’fjalë? A përban ai një studim, siç paraqitet në editorialin që e përcjell në Peizazhe të Fjalës? Jo. Aspak.

Kjo sepse, si minimum, çdo studim i mirëfilltë përcakton qartë objektin e hulumtimit dhe rëndësinë shkencore e shoqërore që ka; tregon çfarë dihet rreth çështjes, çfarë nuk dihet akoma dhe ia vlen të dihet, dhe çfarë shton studimi në fjalë; përcakton përzgjedhjen e shembujve nga larmia e rasteve të tjera që mund të merreshin nën shqyrtim; përcakton llojin e burimeve ose dokumenteve të cilat shërbejnë si bazë për analizimin e këtyne rasteve, pasi të ketë motivuar përzgjedhjen e tyne në lidhje me burimet e tjera që mund të merreshin parasysh; përcakton mënyrën se si këto burime interpretohen për të nxjerrë njohuri të besueshme. Gërshetimi i këtyne elementeve bazë në mënyrë logjike duhet të nxjerrë një përfundim të qartë e bindës, që hulumtues të tjerë të munden ta kuptojnë, përvetësojnë, dhe kritikojnë ose hedhin poshtë, për t’i lënë vendin një studimi tjetër më të fortë. Dhe kështu fitojmë dije rreth së kaluarës e së tashmes.

Shkrimi në fjalë nuk ka asgja të përbashkët me një studim. Ne fakt jep një shembull se çfarë nuk përban një studim. Nuk ka as fillim, as mes, as fund, as fill që i lidh këto tre pjesë që të mund të formojnë një studim. Mënyra se si autori përzgjedh, servir dhe kupton ‘faktet’ e marra nga burime “arkivore” dëftojnë as ma shumë e as ma pak se vetë zellin e autorit për çmitizimin e këtyne dy figurave, pa qenë i zoti të prodhojë analizë historike. Këto arnime dokumentesh jetime mund të bajn kuptim vetëm sipas ndonjë “metode sampiste”, e panjohun deri më sot, por jo sipas metodës shkencore.

Pra kemi të bëjmë me një qasje absolutisht absurde. Autori sheh Disneyland dhe kujton se ka zbulu Amerikën. Hidhet nga një breg hamendsimesh tek tjetri pa u lag fare nga njohuria e analizës historike. Sikur të kishim të gjithë imunitetin që tregon autori ndaj logjikës së kërkimit, ne do të mund t’i bënim ballë pa frikë virusit Covid-19. Por, për një studim të mirëfilltë, ky lloj imuniteti asht fatal.

Por prapë them se jemi me fat që autori ka zgjedh të merret me gjana të padamshme ose me dame të riparueshme. Imagjinoni për një moment, sikur autori t’kishte qenë prokuror, nuk e di se kush do t’i kishte shpëtu burgut të sigurt prej tij – duke pa se me sa zell e merak iu fryn dyshimeve e hamendësimeve me qellim goditjen n’asht të armikut të klasës.

Pra kemi të bëjmë me një potpuri pohimesh që shpuzitin vetëm dyshime pa hedhur asnjë rreze drite mbi fenomenin në fjalë. Si për mrekulli, kjo përpjekje nuk hedh asnjë dyshim mbi atë çfarë asht themelore: se ky shkrim përban studim. Ky shkrim mund të quhet një studim aq sa cicërimat e Donald Trump-it mund të lexohen si poezi.

Prandaj u habita dhe më erdh keq që Peizazhet e Fjalës e kanë botu këtë shkrim si ‘studim’, dhe jo në një formë tjetër pa krijuar inflacion pritshmërish tek lexuesi. Akoma më keq, hyrja editoriale krijon pritshmëri se kemi të bëjmë me një studim të rëndësishëm që duhet lexuar me kujdes. Por pasi lexova ‘studimin’ në fjale, kuptova se editoriali ishte një lyerje e lehtë me buzëkuq e një krimbi mëndafshi, për ta quajtur flutur. Por kjo “flutur” mund të fluturojë vetëm në shpellën e territ të plotë – pra atje ku askush nuk dallon dot nëse fluturon apo jo!

Një keqkuptim i madh do të ishte shmangur sikur ky shkrim të botohej në një rubrikë të krijuar apostafat: ‘Hulumtime Tallava’. Ndryshe, duke parë vlerën e Peizazhe të Fjalës, asht njëlloj sikur kuratorët e një muzeu të merrnin një shishe Coca-Cola dhe ta vendosnin në një ekspozitë e që vizitorët ta merrnin për vepër arti. Më tmerron e trishton fakti që diçka e tillë kalon si “studim” në një nga revistat më me vlerë në vend, sepse dëshmon se jemi në një gjendje për t’u vajtu, ku sapuni shitet për djathë, e tallashi për miell.

E gjitha kjo kur ne kemi nevojë, si për dritën e diellit, për të pasur e ndjekur shembuj të vyer, për hulumtime të mirfillta që t’na shërbejnë si qirinj për të gjetur rrugdaljen nga shpella e hijeve ku kemi qenë e jemi, edhe pse vetiu nuk na nxjerrin dot prej saj.

Konteksti mohues

Prap se prap, një të mirë e ka ky shkrim dhe debati rreth tij. Përveç se na jep shembullin që nuk duhet ndjekur, na bën të shohim e vlerësojmë një aspekt të tretë, rëndësia e të cilit nuk mund të mbivlerësohet: kontekstin. Rëndësia e kontekstit njihet, sidomos kur bahet fjalë për leximin e duhun të veprës dhe veprimtarinë e këtyre dy figurave në kontekstin e duhun historik për të kuptuar si duhet domethënien e tyre.

Por ka një kontekst tjetër, akoma ma themelor, që nuk ceket fare, me dije ose me padije. Ky asht konteksti i kësaj “përpjekje” për me çmitizu këto dy figura.

Këto dy figura nuk vijnë nga një botë paralele apo e përfytyrume, por janë të ngulituna në një kulturë, gjuhë, krahinë, dhe fe të mirëpërcaktume – çfarë ishin arsyet për të cilat janë shtypë me egërsi e zell të rrallë e për të njëjtat arsye që gjurmohen edhe sot e kësaj dite. Pra flasim për filiza të pjesës ma të shtypun në vend, në një kohë kur përmasat dhe pasojat e kësaj shtypje të shumanshme nuk janë zbardh hala.

Në këtë kontekst, pra mbi kurrizin e pjesës ma të përndjekun e të përvujtun në shoqërinë tonë, sulmohet nga i njëjti pozicion e në të njëjtin drejtim. E kjo nga njerëz që ose kanë qenë pjesë e shtypësve vetë, ose kanë qenë të lirë të shijojnë privilegjin e jetës rreth majës së piramidës shtypëse.

Shtresa e persekutume nën sundimin komunist nuk përban tjetër veçse material interesant për të vu në pah të metat dhe mëkatet e bijve të kësaj shtrese, dhe jo për të zbardh kalvarin e vuejtjeve dhe rrënimit të gjithanshëm nën sundimin komunist, çfarë do të përbënte një mënyrë për me vendos drejtësinë e munguar. Veprojmë në një kontekst ku krimet e komunizmit jo vetëm që nuk hetohen dhe nuk njihen, por kur ato shpërfillen dhe nënvlerësohen, kjo jo nga padija por nga pandjesia.

Kjo nuk do te thotë aspak se, në mënyrë parimore, nuk mund të hulumtohen veset e mëkatet e viktimës, pamvarsisht se sa “gjurmuesit” ndjekin apo mbrojnë këtë parim për vete në raste të tjera. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se në çfarë konteksti flasim. Asht sikur përpara se të hetohej e dënohej Holokausti si krim i pashoq, të hetoheshin e dënoheshin hebrenjtë që kishin bashkëpunu me nazistët.

Asht qelibar e qartë se çfarë duhet hulumtu ma se pari, por në Shqipni ndodh krejt e kundërta. Pjesa ma e përvujtun i nënshtrohet persekutimit të përsëritur, gjoja pse figura të caktuara të tyne nuk janë të shenjta. Ma tragjike asht se kjo pastërti e kullume nuk kërkohet prej një shenjtori, por një djalli.

Do të ishte sikur përpjekja e një xhelati me rivra viktimën e tij, për ta ridënuar atë edhe një herë në emër të virtyteve që ai nuk i gëzon, për me vendos një drejtësi që ai asht i padenjë ta përfaqësojë, vetëm e vetëm që t’i shpëtojë ndërgjegjes së tij prej xhelati. Thanë ma butë, zelli për të “demaskuar mëkatet” e këtyne dy figurave apo të tjerëve i ngjan ma tepër indinjimit të persekutorit. Përveç etikës së mangët të këtyne përpjekjeve, në kritikat e tyne ato bajnë qimen tra, dhe traun qime. Por faji fle me akuzën, jo me të akuzuarit.

Ky fakt nuk ka të bëjë me autorin e shkrimit në fjale dhe as me Peizazhet e Fjalës. Nuk ka të bëjë fare as edhe me synimin e tyne apo të kujtdo tjetër që merr nisma të tilla. Në fakt, “motivet e fshehura” mund të jenë të qarta, por janë krejtësisht pa rëndësi.

Ajo çfarë duhet vrojtuar asht fenomeni në fjalë, fryma që përftohet nga bashkëveprimi i asaj çfarë thuhet, çfarë shkruhet e mënyrat se si përdoren përtej synimit të tyre fillestar, nëse do të kishte një të tillë. Ndërthurja e këtyre veprimeve përfton një kontekst mohimi që nuk synon drejtësi, por godet viktimën për të dytën herë.

Ky kontekst me doemos krijon një klimë dyshimi, për të mos thënë paranojë, tek kjo shtresë e përndjekun, sidomos kur ndjen të sulmohet në të njëjtin drejtim e nga e njëjta shtresë e për të njëjtat arsye si më parë. Nuk dallojnë dot kontekstin i cili përfton këtë gjendje dhe iu vërsulen studimeve, edhe të mirfillta qofshin ato, si sulme të koordinuara nga qendra nga ku vinin sulmet e mëparshme. Ju drejtojnë gishtin ‘bijve të etërve’, sikur bijtë çojnë përpara veprimtarinë e etërve të tyre pa ndërprerje.

Parimisht, ky lloj “akuze” asht i gabuem – për të njëjtat arsye pse biografia e keqe iu priste krahët të deklasuarve nën sundimin komunist, të njëjtëve të deklasuar që sot përdorin të njëjtat akuza si shtypësit e tyre të djeshëm. Parë nga ky prizëm, këto “akuza” nuk nxjerrin asgja në dritë, veç ndjelljen e territ. Vepra duhet të vlerësohet për meritat e saj, pamvarësisht autorit.

Gjithsesi, kjo nuk do me than që përqeshja e këtyre “akuzave” asht e drejtë. Në fakt, ndihmon përpjekjet për mbytjen dhe mosnjohjen e kontekstit të mohimit, me dije ose me padije. Asht e panevojshme e madje e gabueme që kuptimi i këtyne “akuzave” të merret në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në rastin ma të mirë, humbasim një mundësi për të lexuar plagët e dhimbjes dhe rënkimet për drejtësi të munguar të një shtrese historikisht të anatemuar e të përvujtun. “Akuza” të tilla nuk janë veç reagime instinktive të papërpunuara që rrjedhin nga sindroma e përndjekjes; ato janë “akuza” pa adresë por ndaj një regjimi që ka ndryshuar ashtu si ujku, qimen por jo zakonin, e që vazhdon t’i mbajë nën trysni këtë shtresë.

Kjo sindromë e përndjekjes asht e damshme para së gjithash për vetë shtresën e përndjekur, që i detyron t’i “fryjnë kosit pse ju ka djeg tamli”. Kjo shtresë duhet të dalë e para në mbështetje të plotë të hulumtimit të lirë dhe të çdo përpjekjeje tjetër për të hedhur dritë mbi çfarëdo figure apo fenomeni. Në vend të qëndresës instinktive, ajo duhet të kërkojë me ngulm që të hidhet drite gjithkund, par edhe mbi shtypjen e shtypësit e tyre historikë, akoma pa emër e pa fytyrë, akoma të panjohur, a thua të ishin djaj nga ndonjë përrallë, e jo kriminelë prej mishi e gjaku, kriminelë që akoma janë në mohim të krimeve.

Gjithashtu, nuk kërkon veçse pak empati e mirkuptim për të dallu rranjët e këtyne “akuzave”, pa qenë nevoja të denigrohen si shprehje të mendësive prapanike. Një frymë e tillë tregon ose padije e mosndjesi të thellë, ose mungesë vullneti për të lexuar fenomenin në fjalë në kontekstin e duhun—në kontekstin mohues. Marrë nga Peizazhe.com

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Ruhuni nga “marrëdhëniet e shkëlqyera” me Greqinë!

Publikuar

-

Nga

Nga Shaban Murati 

Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Jugosllavinë, kur ishte satelite e saj. Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Bashkimin Sovjetik, kur ishte satelit i tij. Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Kinën, kur ishte satelite e saj.

Në mbrëmjevonën e 15 shtatorit kryeministri shqiptar, pas një darke intime në Athinë me kryeministrin grek, nuk dihet pse shpërtheu në një patetizëm enokulturor dhe deklaroi në emfazë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë të shkëlqyera.



Se si mund të shkëlqejnë marrëdhëniet me shtetin, që rivendikon detin tënd dhe territorin tënd, që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë 75 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, që nuk njeh çeshtjen çame, që kërkon autonominë e “Protokollit të Korfuzit” për minoritetin grek, që të ka grabitur ujrat e Vjosës, që në tetor 2019 abstenoi në samitin e BE kur votohej për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE, etj.

Këtë paradoks vetëm udhëheqës raja dhe shtete raja mund ta besojnë.

Shqipërisë i duhen marrëdhënie normale me shtetet fqinjë, për “të shkëlqyerat” nga tremb historia jonë kombëtare.
Të dashur shqiptarë, ruhuni nga “marrëdhëniet e shkëlqyera” me Greqinë!

LEXO TE PLOTE

Opinione

Pasuria marramendëse e Monika Kryemadhit/ Pse duhet të ketë frikë nga SPAK

Publikuar

-

Nga

Pasuria marramendëse e Monika Kryemadhit/ Pse duhet të ketë frikë nga SPAK

Nga Adriatik Doci

Çdo njeri normal do ta kishte frikë SPAK-un dhe do merrte qetësues për të fjetur natën po të ishte në vendin e Monika Kryemadhit. Skema e pasurimit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është sa e pabesueshme për shqiptarët aq edhe sfiduese për SPAK.

Kanë ngritur një pasuri me vlerë miliona euro pa futut një herë dorën në xhep. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse ata si të ardhura të ligjshme kanë vetëm dy paga shteti, të cilat nuk mbulojnë koston e jetesës, pa llogaritur shkollimin e fëmijëve në Agli, banjo për macen, ndërhyrjet estetike, shpenzimin e një page vjetore për një ditëlindje etj.

Në 2003 blejnë një vilë në Golem me vlerë 60 mijë USD me kredi. Vilën e shesin pas 3 vitesh për 300 mijë euro. Shlyejnë kredinë 60 mijë USD. Blejnë një apartament në Tiranë 400 mijë euro, 200 mijë euro nga shitja e vilës dhe 200 mijë euro kredi.

Vëllai i fal Monikës në Laprakë 700 m2 tokë. Merr edhe një kredi 5 milionë lekë dhe blen edhe 500 m2 tokë. Lidh një kontratë për ndërtimin e një pallati mbi këtë tokë, ku përfiton 33 % të sipërfaqes ndërtimore. Disa dyqane të pallatit i shkëmben me vilën në Gjirin e Lalëzit, e cila dyshohet se ka një vlerë sa dy pallate.



Duke shitur apartamentet në këtë pallat, fiton 1 milionë euro, ndërsa shlyen dy kreditë 200 mijë euro dhe 5 milionë lekë. E gjithë kjo pa futur dorën në xhep. Nuk është përrallë.

Ndaj Monika Kryemadhi nuk pranon që gazetarët ta pyesin rreth burimit të pasurisë, por vetëm për programin qesharak të LSI, i cili ngjan me ato menutë e qoftoreve.

Megjithatë, Monika Kryemadhi, ka një shpjegim zyrtar për pasurinë e saj: Pasurinë e kontrolluar dhe certifikuar Adriatik Llalla, fillimisht kur drejtonte ILDKPKI dhe më pas si kryeprokuror, para se të merrej i pandehur nga SPAK për largim të parave jashtë vendit dhe të futej nga amerikanët në listën e zezë.

 

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Kreshnik Spahiu/ As “Skënderbeu” s’mund të qeverisë 3 mandate me Mamica!

Publikuar

-

Nga

As “Skënderbeu” s’mund të qeverisë 3 mandate me Mamica!

“Rilindja” u kopjua si slogan nē 2013 si një mënyrē për të rivalizuar, patriotizmin Kuqezi i cili kishte fituar shumë terren në vigjilje të 100 vjetorit të pavarsisë. Nga Sondazhet rezultonte që kuqezi kuotoheshin 18% në Sondazhe 8 muaj para zgjedhjeve dhe socialstve u duhej një fasadë patriotike rivalizuese sepse Kuqezi po gërryente elektoratin majtas.

Pas bllokimit mediatik të kuqezinjve, “Rilindja” mori flamurin dhe protagonizmin.

Në 8 vite kryeministri Rama, investoi maksimalisht figurën mediatike për të krijuar profilin nga “Skënderbeu” dhe deri te mjekra e Ismail Qemalit.

Elementët kryesor në imazhin patriotik ishin:

– Takimet e 2 qeverive Shqipëri-Kosovë

– Flamujt kuqezi në mitingje

– Vjedhja e sloganeve kuqezi

– Simboli shqiponjës kudo

– Mjekra e Ismail Qemalit dhe thinjat

– Viti i Skënderbeut

– Ideja për tu bërë President i Shqipërisë së Bashkuar

– Emërimi 2 ministrave nga Kosova, Genti Cakaj dhe Besa Shahini

– Vrasja e një minirtari të armatosur në Himarë

– Arrestimi dhe dēbimi i disa ekstremisrve grek

– Logot dhe hartat e Ilirisë, Arbëriaë dhe Shqipërisë etnike nëpër muret e kryeministrisë etj etj

Deri këtu s’ka asgjë të keqe dhe s’duhet shprehim as xhelozi dhe as cinizēm.

Kjo është fasada dhe imazhi mediatik.

Por a zgjodhi “Skënderbeu” i ri një ushtri me “Rilindas” për ta bërë Shqipërinë një shtet të fort dhe komb superior në Ballkan?



Jo absolutisht jo, madje bëri të kundërtën.

Gjysma e grave që emroi ministre e kishin parë Kosovën vetëm në TV, sepse për trevat e tjera nga Presheva në Prevesë nuk kishin dëgjuar kurrë. Anonimiteti i tyre dhe cekësia në mendimin dhe përfaqsimin politik ishte skandaloze.

Rama dështoi në patriotizimin esencual të institucioneve.

Le të marrim një shembull: Emërimi i dy ministrave nga Kosova ishte brilante si ide në hapin për unifikim të diplomacisë dhe arsmit shqiptar në Ballkan, por a mundet Besa dhe Genti të përfaqsonin Kosovën?

Jo absolutisht jo.

Madje, përzgjedhja e Gentit dhe Besës ishin konsumim dhe djegie e kauzës sepse Shqipëria u zhgënjye nga dy “Isa Buletinët” e rinj.

Edi Rama mund të zgjidhte Rexhep Qosen ministër arsimi dhe Veton Surroin Ministër Arsimi në vend të Besës dhe Gentit.

Por jooooo, ai nuk dëshiron as Qosen dhe as Surroin seps ata nuk bëhen ushtar të “Skënderbeut”.

Ai ende nuk heq dorë nga përzgjedhja e njerzve anonim. Pas 8 vitesh, gjysma e ministreve nuk i njeh me fytyrë askush.

Besa dhe Genti ankohen që populli po i paragjykon për dialektin e tyre gegrisht.

Unë nuk mendoj ashtu.

Ndonse stërnipat e Skënderbeut arbëresh që janë larguar 600 vjet nga Shqipëria, e flasin shqipen më pastër se Besa që drejtonte arsimin shqiptar, sērish unë gjykoj që problemi është tjetër kund.

Kosova nuk mund përfaqsohet në Shqipëri me Besën dhe Gentin sepse ka me mijëra intelektualē më elitar Prishtina.

Ashtu si Shqipëria nuk mund të pērfaqsohet me këto vajza anonime që i bëjnë fresk kryeministrit.

Edi Rama i lindur dhe rritur në Tiranë, nuk mundi të përzgjedh një elitë qytetare dhe pinjoll të familjeve fisnike patriotike.

Meritokracia nuk u ndërtua dot në sistem.

Ai ka hymbur një betejë të madhe, jo me një perabdori 500 vjeçare por me një qytetari të zhgënjyer dhe lodhur nga qeveria e Mamicave.

As Skënderbeu nuk do qeveriste dot Shqipërinë 3 madate me Mamicat e tij.

LEXO TE PLOTE