Blog
Kur në Anglinë e shekujve XVIII-XIX, gratë shiteshin në treg si bagëtitë…

Midis fundit të shekullit XVIII dhe mesit të shekullit XIX, në Angli ekzistonte një zakon të çuditshëm por njëherazi tërheqës i shitjes së bashkëshorteve. Gjatë kësaj periudhe nuk kalonte ndonjë vit pa një shkrim në gazeta, mbi një çështje gjyqësore që përfshinte shitjen e një gruaje.
Vlerësohet se midis viteve 1780-1850, u shitën rreth 300 gra. Divorci i parë zyrtar në Angli ndodhi në vitin 1857, dhe para asaj kohe prishja e një martese ishte një procedurë shumë e vështirë por edhe e kushtueshme.
Për të realizuar një divorc të ligjshëm, kërkohej miratimi i një Akti Privat në Parlament, që do të kushtonte të paktën 3.000 paund (15 mijë paund me vlerën e sotme) dhe në fund bekimi i Kishës Anglikane. Një burrë i zakonshëm, nuk mund kishte luksin të kërkonte divorcin nga gruaja e tij, dhe alternativa e vetme ishte ndarja përmes procesit të një shitje në një treg publik.
Në zonat më të varfra, gruaja konsiderohej një mall që mund të blihej dhe shitej si çdo mall tjetër. Burri do ta nxirrte gruan e tij në ankand, dhe do ta shiste në këmbim të parave, ashtu siç vepronte me bagëtitë. Ai i vendoste gruas së tij një litar rreth qafës, belit apo duarve, dhe pastaj niste t’i binte çekiçit për të nisur pranimin e ofertave.
Ishte një praktikë e paligjshme, por edhe alternativa e vetme për një njeri të zakonshëm, ndaj autoritetet bënin shpesh një sy qorr edhe vesh shurdh. Kur arrihej marrëveshja, shitësi dhe blerësi shkonin në një lokal aty pranë për të pirë dhe festuar transaksionin e suksesshëm.
Në shumicën e rasteve, gratë ishin dakord me këtë praktikë, dhe madje vinin veton se ku dhe me kë do ta kalonin pjesën tjetër të jetës së tyre. Në shumë raste, shitja njoftohej paraprakisht në një gazetë lokale dhe blerësi ishte “i garantuar”.
Një nga shitjet e para të bashkëshorteve ndodhi në vitin 1733 në Birmingem, ku Samuel Uajthauz e shiti gruan e tij Meri Uajthauz në tregun e hapur “Thomas Griffiths” për shumën 1 paund. Ndërkohë kishte raste kur ajo që këmbëngulte për shitjen ishte vetë gruaja.
Dhe kjo ishte e kuptueshme, pasi për shumë gra, ishte mënyra e vetme për të dalë nga një martesë e dëshpëruar. Kjo praktikë arriti kulmin në vitet 1820-1830. Por nga ana tjetër, burrat që dëshironin të shisnin gratë e tyre, u kritikuan ashpër nga opinioni publik, dhe ky “zakon” u zbeh edhe pse nuk u bë kurrë shumë masiv, për shkak të Kishës Anglikane dhe presionit të madh të shoqërisë.
Por kjo nuk do të thotë se nuk pati më raste të tjera të shitjes së bashkëshorteve. Në fakt, rasti më i fundit u raportua në vitin 1913, kur një grua pretendoi se bashkëshorti i saj e shiti tek një kolegu i tij për vetëm 1 paund./ Thevintagenew-Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Studimi/ Rreziku nga forma e rëndë e Covid-19, mund të përcaktohet që në fillim të sëmundjes
Arsyeja se pse shumica e njerëzve që preken nga një formë e lehtë e Covid-19 ose nuk kanë asnjë simptomë, ndërsa disa sëmuren rëndë, mbetet...

Bazil Zaharof, “tregtari” i vdekjes që u bë njeriu më i pasur i Evropës
Për shumicën nga ne, emri Bazileios Zakarias, ose Bazil Zaharof, nuk do të thotë asgjë. Megjithatë, ky person la gjurmë në histori me veprimet e...