LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A do ta shpëtojë Evropën Angela Merkel?

8 Korrik 2020, 06:41, Blog CNA
A do ta shpëtojë Evropën Angela Merkel?

Nga Wolfgang Munchau ?The Financial Times?

* A duhet të shtyjmë vazhdimisht diskutimin mbi qeverisjen e eurozonës? A ka rëndësi që Angela Merkel po sot merr një pozicion tjetër në eurozonë, nga ai që ka pasur gjatë krizës së borxhit sovran? Përgjigja ime për këto 2 pyetje është jo.

Jo, ne nuk duhet ta harrojmë rolin e Merkel në krizën e kaluar. Po, diferenca ka rëndësi.

Zonja Merkel ka pjesën e saj të përgjegjësisë për një situatë që e çoi eurozonën në prag të shpërbërjes. Ishte vendim i qeverisë së saj në vitin 2008, menjëherë pas falimentimit të bankës amerikane ?Lehman Brothers?, për të refuzuar shpëtimin e bankave evropiane.

Një vit më pas, ajo miratoi një ndryshim kushtetues për një balancim të buxhetit, i njohur gjithashtu si ?frena e borxhit publik?. Ky akt u pasua nga vite të shtrëngimeve financiare në Gjermani dhe në eurozonë.

Gjatë asaj periudhe, eurozona krijoi ç?ekuilibrime të paqëndrueshme, brenda dhe në pjesës tjetër të botës. Në takimin e liderëve të BE në qershorin e vitit 2012, Merkel hodhi poshtë idetë për një integrim më të thellë politik dhe ekonomik të BE-së.

Ai dështim e nxiti më vonë Mario Dragin, ish-presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, të merrte më shumë kompetenca mbi të ardhmen e euros. Një vendim ky i domosdoshëm, por që shkaktoi problemet e veta, jo më pak për shkak të sfidave të njëpasnjëshme ligjore që vinin nga Gjermania.

Xhorxh Soros deklaroi dikur se zonja Merkel, bën ndonjëherë për eurozonën aq sa është e nevojshme për mbijetesën e saj. Unë mendoj se jemi ende në atë pozicion. Plani franko-gjerman i rimëkëmbjes nga situata e krijuar prej koronavirusit, u përpilua pikërisht me atë objektiv.

Ligjërisht, ai bazohet në ligjet e emergjencës të përcaktuara në Traktatet e BE-së. Pra, kujdes kur i referoheni precedentit:plani i rimëkëmbjes është i mundur, vetëm sepse është për një rast. Propozimi franko-gjerman, dhe versioni disi më bujar nga Komisioni Evropian, janë domethënës në kuptimin që ata përpiqen të parandalojnë një recesion të rëndë ekonomik.

Por motivimet pas këtij fondi, janë të njëjtat me motivimin që qëndronte pas Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, mekanizmin  e shpëtimit krijuar në vitin 2012. Ne po zvarritemi nga kriza në krizë, përveçse nëse marrim gjithnjë e më shumë ?ilaçe?.

Fondi i rimëkëmbjes është sigurisht një ?ilaç? i mirë për t?u marrë, për të luftuar efektet e pandemisë së Covid-19. Dhe BE do të gabonte nëse do të zvogëlonte ?dozën? e tij. Por nga ana tjetër, do të ishte një gabim historik të ekzagjerohej rëndësia e tij.

Pika e parë e agjendës së presidencës së zonjës Merkel, do të jetë arritja e dakordësisë për fondin e rimëkëmbjes – së bashku me buxhetin e BE-së për vitet 2021-2027, në të cilin ai është përfshirë. Kjo mund të ndodhë gjatë samitit të ardhshëm të BE-së më 17 korrik. Marrëveshja do të përfshijë disa kompromise komplekse. Holanda, Danimarka, Suedia dhe Austria, mbeten kundër pagesave në formën e granteve.

Diplomacia e prapaskenës e zonjës Merkel është e efektshme, dhe unë jam një optimist i kujdesshëm se në fund mund të arrihet një marrëveshje – qoftë këtë muaj apo pas pushimeve të verës. Nëse do të ketë një marrëveshje, ajo me të drejtë do të meritonte të lëvdohej.

Por do të ishte e pakujdesshme dhe një lloj vetëkënaqësie, ta reduktojnë gjykimin mbi zonjën Merkel dhe presidencën gjermane vetëm tek miratimi i Planit të Rimëkëmbjes, që do të duhet të pasohet nga një proces strategjik i reformimit të qeverisjes së eurozonës.

Në fakt, pa bllokimin nga pandemia, BE-ja do të kishte filluar më herët një konferencë për të ardhmen e Evropës, një hap i parë drejt ndryshimit të traktateve të BE-së, për të siguruar që eurozona të ketë instrumentet që i nevojiten, në mënyrë që të vetëqeveriset në mënyrë efektive.

Nëse Franca dhe Gjermania do të binin dakord për një pozicion të përbashkët mbi të ardhmen e euros, kjo do të ishte vërtet një marrëveshje e madhe. Ndjesia që kam mbi debatin në Holandë, është se nuk ka në horizont një shumicë për një ndryshim të tillë.

As kryeministri holandez Mark Rute, nuk po shfaq shenja të një investimi të nevojshëm politik për ta ndryshuar atë. Situata në Gjermani është më e nuancuar, por tek e fundit nuk është më e ndryshme. Gjermanët janë në favor të një akti solidariteti, në veçanti ndaj Italisë. Imazhet dramatike nga Bergamo në fazën e hershme e pandemisë, patën ndikimin e tyre.

Por, sapo të fillojnë të rrjedhin fondet e rimëkëmbjes, unë dyshoj nëse çdo parti politike, me përjashtim të të gjelbërve, do të garojë në zgjedhjet parlamentare gjermane të vitit 2021 me një premtim për më shumë Evropë.

Zonja Merkel është një operatore politike efektive. Por ajo nuk ka treguar shumë momente të udhëheqjes së vërtetë në Evropë. Kur e bëri këtë, për shembull duke hapur kufijtë për refugjatët sirianë, ajo e mori këtë vendim në mënyrë të njëanshme.

Ndërkohë, ndryshimi në qeverisjen e eurozonës kërkon përpjekje të vazhdueshme, dhe marrëveshje të gjera. Zonja Merkel e ka ripohuar vazhdimisht, se ajo do të largohet nga politika pas zgjedhjeve të vitit 2021. Dhe nxitja për të çuar BE-në dhe eurozonën në nivelin tjetër, do të duhet të vijë nga dikush tjetër./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga