LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E majta radikale do shkatërrimin e SHBA-së, por ne s’do ta lejojmë

7 Korrik 2020, 06:34, Blog CNA

Nga Donald Trump

* Nuk mund të ketë vend më të mirë për të festuar pavarësinë e Amerikës, sesa nën këtë mal të mrekullueshëm, të pabesueshëm, madhështor, dhe që njëherazi është një monument për amerikanët më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë.

Sot, ne nderojmë jetën dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme të Xhorxh Uashingtonit, Tomas Xhefersonit, Abraham Linkolnit dhe Tedi Ruzveltit. Unë jam këtu si presidenti juaj, për t?i thënë amerikanëve dhe gjithë botës:Ky monument nuk do të shkatërrohet, këta heronj nuk do të përdhosen, dhe trashëgimia e tyre kurrë nuk do të zhduket.

Mali Rashmor, do të qëndrojë përgjithmonë këtu si një nderim i përjetshëm për të parët tanë dhe për lirinë tonë. Themeluesit e kombi tonë, ndërmorën jo vetëm një revolucion në qeveri, por edhe një revolucion në garantimin e drejtësisë, barazisë, lirisë dhe prosperitetit.

Asnjë komb nuk ka bërë më shumë sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të përmirësuar jetën e njerëzve. Viti 1776, përfaqëson kulminacionin e mijëra viteve të civilizimit perëndimor, dhe triumfin jo vetëm të shpirtit, por të mençurisë, filozofisë dhe arsyes njerëzore.

E megjithatë, sot ka një rrezik në rritje, që kërcënon çdo arritje të të parëve tanë. Kombi ynë po përjeton një fushatë të pamëshirshme për të fshirë historinë tonë, për të shpifur kundër heronjve tanë, për të fshirë vlerat tona, dhe për të indoktrinuar fëmijët tanë.?Sindroma e tërheqjes?/ Pse Amerika nuk mund të braktisë angazhimet e saj nëpër botë

Turmat e zemëruara po përpiqen të rrëzojnë përmendoret e etërve të kombit, dhe po ndërmarrin një valë krimesh të dhunshme në qytetet tona. Shumë nga këta njerëz, nuk e kanë idenë pse po e bëjnë diçka të tillë, por disa e dinë saktësisht se çfarë janë duke bërë.

Ata mendojnë se populli amerikan është i dobët, i butë, dhe i nënshtruar. E kanë gabim, populli amerikan është i fortë dhe krenar, dhe nuk do të lejojë që vendi ynë, dhe të gjithë vlerat, historia dhe kultura e tij, të nëpërkëmben prej tyre.

Një nga armët e tyre politike është largimi i njerëzve nga puna, poshtërimi i kundërshtarëve dhe tentativa për të nënshtruar plotësisht zërat kundër. Ky është vetë përkufizimi i totalitarizmit, një dukuri tërësisht e huaj për kulturën dhe vlerat tona, dhe që nuk ka asnjë vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky sulm ndaj lirisë sonë madhështore, duhet të ndalet, dhe do të ndalet shumë shpejt. Ne do ta demaskojmë këtë lëvizje të rrezikshme, do të mbrojmë fëmijët tanë, do t’i japim fund këtij sulmi radikal, dhe do të ruajmë mënyrën tonë të dashur amerikane të të jetuarit.

Në shkolla??, media, madje edhe në sipërmarrjet tona private, po gjallon një fashizëm i ri i së majtës, që kërkon besnikëri absolute. Nëse nuk e flisni gjuhën e tij, nëse kur kryeni ritualet e tij, nëse nuk recitoni sloganet apo ndiqni urdhrat e tij, atëherë do të censuroheni, dëboheni, futeni në listën e zezë, persekutoheni dhe ndëshkoheni.

Por kjo nuk do të ndodhë më. Mos kini asnjë dyshim:ky revolucion kulturor i krahut të majtë, ka për qëllim të rrëzojë Revolucionin Amerikan. Në këtë mënyrë, ata do të shkatërronin vetë qytetërimin që ka shpëtuar miliarda njerëz nga varfëria, sëmundjet, dhuna dhe uria, dhe që e ngriti njerëzimin drejt lartësive të reja të arritjeve, zbulimit dhe përparimit.

Për ta bërë këtë, ata janë të vendosur të rrëzojnë çdo statujë, simbol dhe kujtesë të trashëgimisë sonë kombëtare. Kjo është arsyeja pse unë po ju them që kam vendosur të zbatoj ligjin federal për të mbrojtur monumentet tona, arrestuar rebelët dhe ndjekur penalisht shkelësit e ligjit. Jam i kënaqur të raportoj se dje, agjentët federalë arrestuan drejtuesin e dyshuar të sulmit mbi statujën e ish-presidentit Endrju Xhekson në Uashington, dhe përveç tij janë arrestuar qindra dhunues të tjerë.

Sipas urdhrit ekzekutiv që firmosa javën e kaluar, njerëzit që dëmtojnë përmendoret apo monumentet federale, do të dënohen minimumi 10 vjet burg. Dhe këtu përfshihet edhe mali ynë i bukur Rashmor. Populli ynë ka një kujtesë të shkëlqyer. Dhe ai nuk do të harrojë kurrë shkatërrimin e monumenteve të Uashingtonit, Linkolnit, Grantit etj.

Aktet e dhunshme që kemi parë në rrugët e qyteteve tona, dhe që drejtohen nga demokratët liberalë, janë rezultati i parashikueshëm i viteve të indoktrinimit ekstrem në arsim, gazetari dhe institucione të tjera kulturore. Kundër çdo ligji të shoqërisë dhe natyrës, fëmijët tanë mësohen në shkolla që ta urrejnë vendin e tyre, dhe të besojnë se burrat dhe gratë që e ndërtuan atë nuk ishin heronj, por batakçinj.

Ideologjia radikale që po e sulmon vendin tonë, përparon nën flamurin e drejtësisë sociale. Por në fakt, ajo synon të shkatërrojë drejtësinë dhe shoqërinë. Ajo kërkon ta shndërrojë drejtësinë në një instrument ndarjeje dhe hakmarrjeje, dhe shoqërinë tonë të lirë dhe gjithëpërfshirëse në një vend të shtypjes, sundimit dhe përjashtimit.

Ata duan që ne të mbyllim gojën, por ne nuk do të heshtim. Ne do ta themi plotësisht të vërtetën, pa kërkuar ndjesë:Ne deklarojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kombi më i drejtë dhe më i jashtëzakonshëm që ka ekzistuar ndonjëherë. Ne jemi krenarë që vendi ynë u themelua mbi parimet judeo-kristiane, dhe këto vlera e kanë çuar më tej kauzën e paqes dhe drejtësisë në të gjithë botën.

Ne e dimë se familja është baza e jetës sociale në SHBA. Ne e njohim të drejtën dhe detyrën morale solemne të çdo kombi për të siguruar kufijtë e tij. Dhe për këtë po ndërtojmë murin në kufirin me Meksikën. Qeveritë ekzistojnë për të mbrojtur sigurinë dhe lumturinë e qytetarëve të tyre.

Një komb duhet të kujdeset më së pari për qytetarët e vet. Dhe ne duhet të kujdesemi për Amerikën. Koha është tani. Ne besojmë tek mundësitë e barabarta, drejtësinë e barabartë dhe trajtimin e barabartë për qytetarët e çdo race, prejardhje, feje dhe besimi.

Çdo fëmijë, nga çdo lloj ngjyre – i lindur apo i pa lindur ende – është bërë sipas shëmbëlltyrës së shenjtë të Perëndisë. Ne përqafojmë tolerancën, dhe jo paragjykimet. Mbështesim burrat dhe gratë kurajoze që merren me zbatimit e ligjit.

Ne nuk do ta dobësojmë kurrë pozitën e policisë amerikane, dhe as do të shfuqizojmë Amandamentin e Dytë, që na jep të drejtën të mbajmë armë. Ne besojmë se fëmijët tanë duhet të mësohen ta duan vendin e tyre, të nderojnë historinë tonë, dhe të respektojnë flamurin tonë madhështor.

Ne qëndrojmë krenarë në këmbë, dhe i gjunjëzohemi vetëm Zotit të Plotfuqishëm. E them këtu sonte, para stërgjyshërve tanë, se amerikanët e shpallin sërish ashtu siç bënë 244 vjet më parë:nuk do të tiranizohemi, nuk do të tërhiqemi dhe as nuk do të frikësohemi nga njerëzit e këqij. Kjo gjë nuk do të ndodhë.

Përballë gënjeshtrave që synojnë të na përçajnë, demoralizojnë dhe të na dobësojnë, ne do të tregojmë se historia e Amerikës na bashkon, na frymëzon, na përfshin të gjithëve dhe na bën të gjithëve të lirë. Bashkatdhetarët e mi:Fati i Amerikës është në duart tona. E ardhmja e Amerikës është në duart tona. Dhe zonja dhe zotërinj:më e mira është ende duke ardhur.

Shënim: Fjalimi i përmbledhur i presidenti amerikan Donald Trump me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA, para monumentit në Malin Rashmor në Dakotën e Jugut./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga