Connect with Us

Shqetësim për përhapjen e pandemisë gjatë festimeve të 4 Korrikut në Uashington

Bota

Shqetësim për përhapjen e pandemisë gjatë festimeve të 4 Korrikut në Uashington

Publikuar

-

Shqetësim për përhapjen e pandemisë gjatë festimeve të 4 Korrikut në Uashington

Administrata Trump po planifikon një shfaqje të madhe fishekzjarresh për të shtunën në Uashington, megjithë shqetësimet e qytetit për koronavirusin. Zyrtarët thanë se planet për festimet e 4 korrikut përfshijnë hedhjen e 10,000 fishekzjarreve, që ata thanë se do të jetë shfaqja më e madhe e këtij lloji që mbahet mend në këto vitet e fundit.

Sekretari i Departamentit të Parqeve dhe Pasurive Natyrore, David Berndhardt tha përmes një deklarate se Pentagoni do të organizojë një fluturim të veçantë me avionë luftarakë mbi qiellin e kryeqytetit.

Zyrtarët e Departamentit të Parqeve njoftuan se do të kenë gati 300,000 maska për t’u përdorur nga njerëzit që do të vijnë në parkun qendror të kryeqytetit për festimet. Ata nxisin vizitorët që mund të mblidhen të shtunën në mbrëmje në qendër të Uashingtonit të vënë maska dhe të respektojnë distancimin fizik. Por nuk duket se maskat do të jenë të detyrueshme.

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser i ka kritikuar planet, duke thënë se ato bien në kundërshtim me udhëzimet shëndetësore. Ajo u ka kërkuar banorëve të qytetit të shmangin turmat e mëdha dhe ta festojnë Katër Korrikun pranë shtëpive të tyre.

LEXO EDHE:  Pasojat e pandemisë/ Banka e Shqipërisë: Ja për sa kohë do të ndodhë rikuperimi

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump kanë ftuar figura politike e miq për aktivitete festive në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.

Shumë qytete amerikane kanë anuluar ose kufizuar aktivitetet publike me rastin e Ditës së Pavarësisë, si rezultat i shqetësimit për përhapjen e pandemisë.

Organizatorët e shfaqjes tradicionale me fishekzjarre në Nju Jork e anuluan aktivitetin qendror dhe po zhvillojnë që nga data 29 qershor shfaqje më të vogla me fishekzjarre në lagje të ndryshme të Nju Jorkut. Të shtunën në mbrëmje do të transmetohet në televizion një montazh me momente nga këto aktivitete.

Amerikanët nuk do të lejohen të festojnë në disa nga plazhet më të famshme të vendit, përfshirë bregun jugor të Floridës, Kaliforninë e jugut dhe bregun jugor të Teksasit.

Në pjesën verilindore të vendit, ku epidemia është vënë nën kontroll javët e fundit, plazhet janë të hapura, por autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të mos mblidhen në turma.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, janë shitur sasi të mëdha fishekzjarresh që tregon se amerikanët kanë bërë plane për të festuar individualisht në oborret e tyre./VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Zgjedhjet në SHBA/ Sondazhet nxjerrin fitues Joe Biden përballë Trumpit

Publikuar

-

Nga

Kandidati demokrat Joe Biden është në avantazh me 4 pikë përqindje përballë, Presidentin Trump, sipas një sondazhi të realizuar nga Hill-HarrisX.

Sipas shifrave të dala nga ky sondazh, 43 për qind e votuesve të regjistruar, thanë se do të mbështesin Biden për president nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, ndërsa 39 për qind e votuesve në sondazhin 3-4 korrik thanë se do të votojnë për Trump.

LEXO EDHE:  Tradhëti dhe dashuri në kohë pandemie/ Historia e pabesueshme e dy të rinjve që futën në karantinë dy qytete

LEXO EDHE:  Bota në luftë me Covid/ Ngjarjet kryesore që ka shkaktuar sot pandemia e koronavirusit

Pesë përqind e votuesve thanë se preferojnë dikë tjetër, ndërsa një përqindje shtesë prej afro 5 për qind e votuesve thanë që nuk planifikojnë të votojnë në zgjedhje.

Anketa  zbulon se epërsia e Biden është ngushtuar me 10 pikë nga përplasja e muajit të kaluar, ku Trump po sumonte ish-Zëvendës Presidentin demokrat. /CNA.al

Sondazhet e ditëve të para të korrikut

 

 

 

LEXO TE PLOTE

Bota

Njeriu i Merkel/ Parlamenti të miratojë marrëveshjen e 5 qershorit pa asnjë ndryshim

Publikuar

-

Nga

Njeriu i Merkel/ Parlamenti të miratojë marrëveshjen e 5 qershorit pa asnjë ndryshim

Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU në Budestagun gjerman, Johann Wadephul ka shprehur keqardhjen se marrëveshja e 5 qershorit nuk është kodifikuar ende.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Wadephul shton se aprovimi i reformës zgjedhore dhe zbatimi i saj është kyç për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.

Shpreh keqardhjen që marrëveshja e 5 qershorit nuk është kodifikuar akoma. Aprovimi me konsensusin e partive politike i reformës zgjedhore, pa asnjë ndryshim, si dhe zbatimi i saj është kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE. Nxis të gjitha palët, e në veçanti deputetët, ta finalizojnë këtë kriter të rëndësishëm. Forca Shqipëri!/CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Bota

Gjykata e Lartë në SHBA vendos për taksat e presidentit

Publikuar

-

Nga

Gjykata e Lartë në SHBA vendos për taksat e presidentit

Gjykata e Lartë amerikane do të bëjë të njohura sot opinionet përfundimtare të mandatit të saj të tanishëm.

Vëmendja është përqendruar në tre çështje të cilat lidhen me kërkesat e disa komisioneve të Kongresit dhe të një prokurori të Nju Jorkut që presidenti Donald Trump të publikojë taksat dhe dokumente të tjera financiare.

Presidenti Trump, i cili nuk ka ndjekur praktikën e kandidatëve të tjerë presidencialë, duke refuzuar të bëjë publike dokumentet tatimore gjatë fushatës së vitit 2016, është përpjekur të bllokojë publikimin e dokumenteve të tij financiare.

Disa komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar të dhëna për këto dokumente nga dy banka, Capital One dhe Deutsche Bank, si dhe nga firma e kontabilitetit Mazars USA.

Çështja kryesore që po shqyrtojnë gjyqtarët ka të bëjë me ndarjen e pushteteve midis degëve të qeverisë federale dhe kompetencave të kongresit për të hetuar një president.

Avokati i zotit Trump, Patrick Strawbrige, tha gjatë argumentimit të çështjes në muajin maj se kërkesat për dokumentet financiare nuk i shërbenin ndonjë qëllimi me rëndësi dhe se ligjvënësit nuk duhet të kenë autoritet të pakufizuar për të hetuar një president.

Ndërkaq, disa gjykata të nivelit më të ulët Nju Jork dhe Uashington dhanë vendime kundër Presidentit Trump në çështjen e kërkesës për dokumentet financiare.

Gjyqtari Jon O. Newman i Gjykatës së Apelit për Qarkun e Dytë të Nju Jorkut shkruante:

“Interesat e komisionevetë Kongresit për të ushtruar funksionet e tyre kushtetuese dhe legjislative janë një interes publik shumë më i rëndësishëm se çfarëdo interesi tjetër …”.

Jay Sekulow, një tjetër avokat i zotit Trump, argumentoi para Gjykatës së Lartë në muajin maj se presidenti gëzon “imunitet të përkohshëm kushtetues” nga ndjekja penale gjatë kohës që shërben në detyrë dhe se prokurori i qarkut të Nju Jorkut nuk ka asnjë autoritet për të hetuar zotin Trump.

LEXO EDHE:  Armët bërthamore/ Kim Jong Un ka një paralajmërim për vitin e ri

LEXO EDHE:  Basha për protestat/ "Nuk do ta shfrytëzojmë zemërimin e qytetarëve për pushtet"

Carey Dunne, këshilltar i përgjithshëm për prokurorin e qarkut të Manhatanit, tha se presidentët, ndërsa gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, ata nuk përjashtohen nga kërkesat që të dorëzojnë dokumente. Për më tepër tha zoti Dunne, të dhënat që kërkon zyra e tij i takojnë periudhës përpara mandatit të Presidentit Trump dhe nuk mbrohen nga privilegji ekzekutiv.

“Ekziston një rrezik që presidentët amerikanë dhe palë të treta pa dashje të dalin mbi ligjin”, tha ai.

Gjykata e Larta e ka trajtuar edhe në të kaluarën çështjen nëse një president në detyrë duhet të përmbushë një kërkesë ligjore për dokumente.

Në vitin 1973, gjykata vëndosi njëzëri kundër Presidentit Richard Nixon në çështjen që lidhej me dorëzimin e regjistrimeve audio të Shtëpisë së Badhë tek një prokuror special. Gjykatësit po ashtu morën një vendim të njëzëshëm kundër Presidentit Bill Clinton në vitin 1997, duke lejuar një proces gjyqësor në ngarkim të presidentit për ngacmim seksual.

Gjatë argumenteve me gojë në muajin maj, të nëntë gjyqtarët lanë shumë pak të kuptohet se çfarë ane do të mbajnë për çështjet e ngritura para tyre.

Përveç vendimit në favor të njërës ose tjetrës palë, gjyqtarët mund të vëndosin dërgimin mbrapsht të çështjeve për rishqyrtim nga një gjykatë më e ulët.

Ndërsa vendimet e gjykatës së ulët kundër zotit Trump erdhën mes procesit për shkarkimin e tij nga Dhoma e Përfaqësuesve nën akuzat për pengim të drejtësisë dhe abuzim pushteti, akuza për të cilat Senati e nxori të pafajshëm, vendimi i Gjykatës së Lartë vjen ndërsa vendi është vetëm pak muaj para se të vendosë nëse do të rizgjedhë zotin Trump për një mandat të dytë presidencial, apo rivalin e tij, ish Zëvendës Presidentin Joe Biden./VOA

LEXO TE PLOTE