LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Covid-19/ Imuniteti i tufës ndryshon nga vendi në vend, si llogaritet dhe faktorët që ndikojnë

3 Korrik 2020, 06:58, Lifestyle CNA
Covid-19/ Imuniteti i tufës ndryshon nga vendi në vend, si llogaritet

Ndërsa shumë gjëra në lidhje me pandeminë e Covid-19 mbeten të pasigurta, ne e dimë se si do të përfundojë ajo:kur përhapja e virusit të nisë të ngadalësohet (dhe në fund të zhduket), për shkak se mjaftueshëm njerëz do të kenë zhvilluar imunitet ndaj tij.

Në atë pikë, pavarësisht nëse do vijë nga një vaksinë apo nga njerëzit e prekur nga kjo sëmundje, popullata do të ketë zhvilluar atë që tashmë njihet nga të gjithë si ?imuniteti i tufës?. ?Kur niveli i imunitetit të kalojë një prag të caktuar, atëherë epidemia do të fillojë të zhduket pasi nuk ka njerëz të rinj që mund të infektohen?-thotë Natali Din nga Universiteti i Floridës.

Por në llogaritjen e këtij imuniteti përfshihen shumë faktorë. Në fillim, procesi duket i thjeshtë. Gjëja e vetme që duhet ditur, është se sa njerëz infektohen mesatarisht nga secili person i infektuar. Ky parametër quhet R0. Dhe mund të përdoret në një formulë të thjeshtë për llogaritjen e pragut të imunitetit të tufës:1 – 1/R0.

Për shembull, le të themi që R0 për Covid-19 është 2.5, çka do të thotë se çdo person i infektuar infekton mesatarisht 2.5 njerëz të tjerë (një vlerësim ky i zakonshëm). Në këtë rast, pragu i imunitetit të tufës për Covid-19 është 0.6 ose 60 për qind.
Kjo do të thotë që virusi do të përhapet me një shpejtësi të madhe, derisa në vende të ndryshme 60 për qind e popullsisë të bëhet imune ndaj tij. Edhe në atë pikë, virusi do të përhapet akoma, por me një shpejtësi shumë më të ulët, derisa të zhduket plotësisht.
Ashtu si një makinë që nuk ndalet menjëherë në momentin kur heq këmbën nga gazi, edhe koronavirusi nuk do të zhduket në momentin kur arrihet imuniteti i tufës. Por gjërat sërish komplikohen.

Pragu i imunitetit të tufës, varet nga numri i njerëzve që infekton çdo person i sëmurë, dhe ky është një numër që mund të ndryshojë në varësi të vendndodhjes së tij. Për shembull, një person i infektuar që banon në një apartament në qytet, mund të infektojë shumë më tepër njerëz sesa një tjetër që banon në fshat. Pra, ndërsa një R0 prej 2.5 për Covid-19 mund të jetë një numër i arsyeshëm për të gjithë botën, ky parametër me siguri që do të ndryshojë shumë në një nivel më lokal. Kjo do të thotë që pragu i imunitetit të tufës do të jetë më i lartë se 60 për qind në disa vende, dhe më i ulët tek të tjerat.

?Unë mendoj se rrezja e R0 është më e madhe sesa thuhet?- thtë Mark Lipstish nga Universiteti i Harvardit, që këshillon autoritetet shëndetësorë në shtetin e Masaçusets në SHBA po jo vetëm. Ai përmendi të dhëna që tregojnë se R0 mund të jetë më shumë se 2 herë më i lartë në disa ambiente urbane, sesa mesatarja e përgjithshme e SHBA-së.
Ndërkohë dallimet në sjelljet shoqërore, bëjnë që disa njerëz të kenë më shumë ekspozim ndaj sëmundjejes se të tjerët. Edhe dallimet biologjike, luajnë një rol në mënyrën se si infektohen njerëzit. Gabriela Gomez nga Universiteti i Stratklajd në Skoci, mendon se disa pjesë të botës tashmë mund të jenë pranë arritjes së imunitetit të tufës.
Epidemiologët i referohen edhe variablave si ?heterogjeniteti i ndjeshmërisë? ndaj virusit, pra ndryshimet që disa njerëz të kenë pak ose shumë të ngjarë të infektohen. Dhe në një pandemi të vazhdueshme, pa asnjë garanci se do të kemi së shpejti një vaksinë në dispozicion, heterogjeniteti i ndjeshmërisë ka ndikime reale mbi pragun e imunitetit të tufës.

Në disa raste, ajo do ta bëjë pragun më të lartë. Kjo mund të jetë e vërtetë në vende si azilet e pleqve, ku një person mesatar mund të jetë më i ndjeshëm ndaj Covid-19, sesa personi mesatar i popullatës në përgjithësi.
Por në një shkallë më të madhe, heterogjeniteti e ul zakonisht pragun e imunitetit të tufës. Në fillim, virusi infekton njerëzit që janë më të ndjeshëm dhe përhapet shpejt. Por që të vazhdojë përhapjen, virusi duhet të kalojë te njerëzit që janë më pak të ndjeshëm. Kjo e bën më të vështirë përhapjen e virusit.
Prandaj epidemia zgjerohet më ngadalë nga sa mund të ishte parashikuar, bazuar në shkallën fillestare të rritjes së saj. Sipas modeleve standarde, rreth 60 për qind e popullsisë amerikane do të duhet të vaksinohen kundër Covid-19 apo të shërohet prej tij, për të ngadalësuar dhe përfundimisht ndalur përhapjen e sëmundjes.

Por shumë ekspertë dyshojnë se pragu i imunitetit të tufës është më i ulët se aq, 40 ose 50 për qind. Dhe disa studime e kanë vërtetuar këtë gjë. Në qershor, revista ?Science? bëri publike një studim që përfshinte një shkallë modeste heterogjeniteti, dhe e vlerësoi pragun e imunitetit të tufës për Covid-19 në 43 për qind të gjithë popullsisë.
Por një studim tjetër, ka një qasje ndryshe, dhe e vendos pragun më poshtë. Dhjetë autorët e studimit, përfshirë Gomez, vlerësojnë se pragu për imunitetin e tufës, mund të jetë shumë më i ulët, 20 për qind e popullsisë. Nëse kjo është e vërtetë, vendet më të goditura në botë mund të jenë afër tij.

?Ne po arrijmë në përfundimin, se rajonet më të prekura si Madridi në Spanjë, mund të jenë pranë arritjes së imunitetit të tufës?- tha Gomez. Një version i hershëm i këtij studimi u publikua në maj, ndërsa autorët janë duke punuar aktualisht për një version të azhurnuar, që do të përfshijë vlerësimet e imunitetit të tufës për Spanjën, Portugalinë, Belgjikën dhe Anglinë.

Por shumë ekspertë i konsiderojnë jo të besueshme këto studime të reja. Din thotë se ka ende shumë pasiguri rreth aspekteve themelore të sëmundjes – nga vlerat e ndryshme të R0 në ambiente të ndryshme, deri tek efektet e distancimit social pas rihapjes – për të pasur shumë besim tek pragjet e sakta të imunitetit të tufës.
Epidemiologë të tjerë, janë skeptikë edhe për shifrat e ulëta. Xhefri Shaman nga Universiteti i Kolumbias, thotë se imuniteti i tufës prej 20 për qind të popullatës, nuk është tipik për viruset e tjera që prekin rrugët e frymëmarrjes. ?Unë mendoj se pragu i imunitetit të tufës është më pak se 60 për qind, por për momentin nuk shoh asnjë provë të qartë se jemi afër tij në ndonjë nga vendet?- thotë ai.

Tek e fundit, e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga pandemia e COVID-19 është arritja e imunitetit të tufës në shkallë të gjerë kudo, dhe jo vetëm në një numër të vogël vendesh, ku numri i infektimeve ka qenë më i lartë. Dhe kjo gjë ka të ngjarë të ndodhë vetëm pasi të kemi në dispozicion një vaksinë, dhe ajo të përdoret gjerësisht./Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga