LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Sonila Meço/ Me këmbë në tokë

26 Qershor 2020, 19:23, Opinione CNA
Nga Sonila Meço/ Me këmbë në tokë

Që nga viti 2013 kur Rilindja erdhi në pushtet u vendos një rregull formal: mbledhjet e përbashkëta mes qeverive të Shqipërisë e Kosovës.

Nisi ky ritual në vitin 2014, në Prizren dhe asokohe marrëveshjet e hershme produkt i takimit më të parë u nënshkruan nga kryeministrat Rama e Thaçi. Në ceremoni të menduara hollësisht e ndërtuar me regji qendrore e skenike nënshkruheshin me radhë marrëveshje, që ashtu me bojën e pa tharë në firmat e udhëheqësve kundërmonin patriotizëm. Por sa thahej boja, mbi patriotizmin e orientuar nga regji skenike luheshin skemat e real politikës mbi pragmatizëm politik.

Mes Shqipërisë e Kosovës është nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet tyre në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Marrëveshjet, në një tallje serioze me publikun, janë nënshkruar në shumicën e tyre më shumë se dy herë e për t?u përsëritur edhe për të tretën. Në një tallje edhe më serioze eksportet kanë qënë më të lehta me vende europiane se mes vedi. Investimet e huaja nuk u thithën dot nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, barrierat tregtare nuk u shkrinë, investimet reciproke nuk u stimuluan bollshëm, nxitja e biznesit aq më pak, tarifat ngushtuan ?Rrugën e Kombit?…për të mos folur për infrastrukturën, transportin, arsimin, kulturën etj, etj, etj…

Kryeministri Rama mbeti konstantja e këtyre takimeve ndërsa në anën tjetër zëvendësoheshin thuajse çdo vit homologët, Thaçi, Mustafa, Haradinaj. Derisa arritën në 77 marrëveshje. E në 2020-ën në vend të një analize të detajuar mbi çfarë mund të krenohej shqiptaria prej dhjetra marrëveshjeve, pesë mbledhjeve të përbashkëta, dhjetra takimeve në nivele ministrash e drejtorish, në mendje do të mbetej ish kryeministri Kurti (që nuk pati rastin të drejtojë një mbledhje të përbashkët) në takimin e parë zyrtar në Tiranë të thosh se tema qendrore e takimit me Edi Ramën qe makroshengeni shqiptar, ndërsa kryeministri shqiptar do t?i kundërpërgjigjej me vendosmëri se nuk mund të ketë makroshengen shqiptar pa minishengen ballkanik (me shtrëngim duarsh Vuçiç-Rama).

Se ku mund të ndihte Shqipëria zyrtare çështjen shqiptare në rajon e masin aktet, veprat, produktet reale. Sot kryeministër në Kosovë është Hoti, me siguri do të ketë një mbledhje radhe në Shkodër a në një tjetër qytet shqiptar për të përsëritur marrëveshje të ndenjura e nënshkruara nga dy-tre herë, për t?i krijuar dekorin fjalimeve patetike, deklaratave patriotike dhe kërcënimit të fuqive të mëdha nga liderët e vendeve më të varfra në Europë.

Ndërkohë Serbia bën sehir thirrjen e ish luftëtarëve të UÇK-së për t?u mbrojtur nga akuzat e një lufte mbyllur 21 vjet më parë, finalizuar me pavarësi. Ish luftëtarë shndërruar në pushtetarë, që shkëlqenin në luftë, por u zbehën në paqe.
Serbia bën sehir me tetë takimet e liderit të saj autokrat me kryeministrin shqiptar, që nuk mundi të shenjonte dot një arritje në çështjen shqiptare në rajon.
Serbia bën sehir duke hyrë në negociata ndërkombëtare me plane B, C dhe duke mos ndjerë asnjë humbje nga përplasja SHBA-BE, sepse ka gjihmonë Rusinë nën mëngë.
Serbia bën sehir duke përmirësuar treguesit ekonomikë me ritme të frikshme, duke u shndërruar në hub investimesh në teknologji, ndërsa sheh sesi kryeministrat shqiptarë ngrenë padi ndaj sho-shoqit dhe vendet e tyre mbeten të fundit në rajon për nga konkurueshmëria, financat, borxhi dhe mirëqënia.

Nuk dimë çfarë është luajtur në kulisa dhe nuk ia dalim dot konspiracioneve të mëdha, por mjafton ajo çfarë dëshmohet nën dritën e diellit për të gjykuar kusuret e pushtetit të madh të liderve të vegjël.

Lajmet e fundit nga