Politikë
“Kjo është lojë shahu ndërkombëtare”/ Mesazhi i fortë: Pse takimi Kosovë-Serbi në SHBA duhet të zhvillohet

Anëtari i bordit drejtues të Bindjes Demokratike, Leonard Olli ka reaguar në lidhje me situatën politike në Kosovë, pas akuzave të ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Në një postim në rrjetet sociale, Olli thekson se ndërhyrja e ShBA-ve, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një domosdoshmëri për të arritur sa më shpejt në destinacionin e kërkuar nga gjithë shqiptarët.
Më tej, ai thekson se “Nuk besoj se është thjesht një xhelozi, por një lojë shahu ndërkombëtare, por që në një mënyrë apo në një tjetër çdo vonesë pengon interesat e shqiptarëve. Nga ana tjetër akuzat për krime të luftëtarëve të UÇK nuk do të mundin të përbaltin kurrë luftën e shqiptarëve të Kosovës për t’ i shpëtuar asgjësimit nga nacional-shovinistët serbë e për të fituar lirinë e pavarësinë të mohuar gati 100 vjet, që kur e ndanë nga trojet amë.”.
Gjithashtu, Olli shprehet qartë se pavarësisht akuzave ndaj individëve të caktuar, qoftë ky edhe presidenti i vendit, takimi në SHBA duhet të bëhet.
“Kosova ka provuar një shkallë të lartë përgjegjshmërie në raport me marrëveshjet ndërkombëtare, sikundër është edhe rasti i Gjykatës Speciale dhe askush nga trimat e UÇK- nuk ka ikur në arrati apo është mbrojtur nga shtetit i Kosovës. E kundërta ka ndodhur më të akuzuarit serbë jo me dyshime, por me pamje e prova të qarta edhe për më filoserbët. Në këtë kuadër unë përunjësisht sugjeroj se takimi në Ëashington duhet të zhvillohet, madje sa më parë të jetë e mundur, pavarësisht problemeve që mund të kenë individët, sikundër rasti i Thaçit edhe pse është Presidenti i vendit.”-shkruan ndër të tjera Leonard Olli.
Postimi i plotë:
Takimi mes përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Washington, sigurisht që provokoi shumë gjeopolitikën globale. Reagimet mosaprovuese ishin të shumta, madje dhe nga organizmat drejtues të BE-së, e cila si përgjegjëse për dialogun Kosovë-Serbi, e ka stërzgjatur këtë proces për gati 10 vite, pa ndonjë progres të rëndësishëm në këtë kohëzgjatje dhe, ndoshta, gjithmonë me një qasje më favorizues për Serbinë.
Është fakt i pakundërshtueshëm që mungesa e një politike të jashtme të unifikuar e vendeve të BE-së ka reflektuar edhe në procesin e dialogut, duke krijuar këtë vonesë që pengon zhvillimin dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës. Në politikë e për më tepër në gjeopolitikë nuk ka rastësi. Kjo nuk është një bindja ime, por një konkluzion edhe i shumë eksprtëve. Ndërhyrja e ShBA-ve ishte një domosdoshmëri për të arritur sa më shpejt në destinacionin e kërkuar nga gjithë shqiptarët. Nuk besoj se është thjesht një xhelozi, por një lojë shahu ndërkombëtare, por që në një mënyrë apo në një tjetër çdo vonesë pengon interesat e shqiptarëve.
Nga ana tjetër akuzat për krime të luftëtarëve të UÇK nuk do të mundin të përbaltin kurrë luftën e shqiptarëve të Kosovës për t’ i shpëtuar asgjësimit nga nacional-shovinistët serbë e për të fituar lirinë e pavarësinë të mohuar gati 100 vjet, që kur e ndanë nga trojet amë. Për më tepër kjo gjueti shtrigash nuk do të mundë kurrë të zbusë sadopak krimin në nivel shtetëror të Serbisë dhe politikat e genocidit të hartuara nga ultranacionalistët serbë gati 200 vite më parë. Kosova ka provuar një shkallë të lartë përgjegjshmërie në raport me marrëveshjet ndërkombëtare, sikundër është edhe rasti i Gjykatës Speciale dhe askush nga trimat e UÇK- nuk ka ikur në arrati apo është mbrojtur nga shtetit i Kosovës.
E kundërta ka ndodhur më të akuzuarit serbë jo me dyshime, por me pamje e prova të qarta edhe për më filoserbët. Në këtë kuadër unë përunjësisht sugjeroj se takimi në Washington duhet të zhvillohet, madje sa më parë të jetë e mundur, pavarësisht problemeve që mund të kenë individët, sikundër rasti i Thaçit edhe pse është Presidenti i vendit. Jam i bindur në pafajësinë e tij në raport me akuzat që janë ngritur ndaj tij, ashtu sikundër u provua edhe në rastin e Ramush Haradinajt. Respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare vetëm ka lartësuar reputacionin e Kosovës. Por, nga ana tjetër rrugëtimit të gjatë për njohjen përfundimtare të Republikës së Kosovës edhe formalisht i është afruar fundit. Do të ishte e udhës që të gjithë faktorët dhe aktorët e jetës politike dhe publike të Kosovës në këtë moment të jenë sa më të bashkuar pasi interesat e vendit të tyre janë shumë më madhore se betejat e brendshme. Në bindjen time të thellë: The meeting must go on! BE nuk pse të ndjehet e mënjanuar, por mund të bëhet pjesë e tij dhe lider i tij sikundër ka qenë deri tani. Por, që ta bëjnë këtë duhet të ketë një qëndrim të unifikuar dhe të palëkundur, sikundër e ka patur gjithmonë Washington-i!/ CNA.al