LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A i mbështeti Vladimir Putin terroristët anti-perëndimorë kur ishte oficer i KGB-së?

25 Qershor 2020, 06:33, Blog CNA
A i mbështeti Vladimir Putin terroristët anti-perëndimorë

Nga Catherine Belton ?Politico.eu?

* Kur Vladimir Putin mbërriti për herë të parë në Drezden si një oficer i nivelit të mesëm i KGB në vitin 1985, Gjermania Lindore ishte buzë greminës. Në prag të falimentimit, vendi po mbijetonte vetëm me ndihmën e një kredie disa miliardë doçjmarka nga Gjermania Perëndimore, ndërsa mosmarrëveshjet e brendshme ishin në rritje.

Përreth bllokut lindor, shpirti i protestës po shtohej në mesin e mjerimit dhe mungesave të mëdha në treg që ofronte ekonomia e planifikuar, si dhe brutalitetit të agjencive shtetërore të zbatimit të ligjit. Shumica e asaj që bëri Putini gjatë viteve të kaluara në Drezden, mbetet e mbuluar me mister.

Pjesërisht pasi KGB-ja ishte shumë efektive në shkatërrimin dhe transferimin e dokumenteve sekrete që para rënies së Gjermanisë Lindore. ?Me rusët kemi probleme?-thotë Sven Sharl, studiues në arkivat e STASI-it, policisë së dikurshme sekrete të Gjermanisë Lindore në Drezden, që ka punuar me KGB në operacionet e inteligjencës. ?Ata shkatërruan thuajse gjithçka para se të largoheshin?- shton ai.

Vetëm disa fragmente kanë mbetur në dosjet mbi aktivitetet e Putinit në Gjermaninë Lindore. E vetmja gjurmë e aktivitetit operativ që ka lidhje me Putinin, është një letër e tij drejtuar Horst Bohm, shefit të STASI-t në Drezden, ku kërkon ndihmën e tij për rivendosjen e lidhjes telefonike për një informator të policisë gjermane që ?na mbështet?.

Shumë vite më vonë, kur Putini u bë president i Rusisë, shefi legjendar i inteligjencës së huaj të STASI-t Markus Volf dhe ish-kolegët e KGB-së të Putinit u kujdesën të theksonin se ai kishte qenë askushi gjatë kohës që shërbeu në Drezden.

Putin ishte ?shumë i mënjanuar? u shpreh Volf vite më parë për një revistë gjermane, dhe se edhe ?pastrueset? kishin marrë Medaljen e Bronzit që iu dha atij. Kolegu i Putinit në KGB-së, që ndau me presidentin aktual të Rusisë një zyrë në Drezden, Vladimir Usoltsev, u lejua të shkruante një libër në ato kohë.

Por ai u kujdes ta vinte theksin tek ?dinjiteti? i punës së tyre, ndërsa nuk zbuloi asnjë detaj rreth operacioneve të tyre. Më vonë, televizioni shtetëror rus deklaroi se Putin nuk ishte kurrë i përfshirë në asgjë të paligjshme. Por kolegët e STASI-it dhe KGB-në në atë kohë, nuk i besojnë pretendimeve se Putin pati vetëm një rol periferik.

Ato sugjerojnë vitet e Putinit në Drezden mund të ishin trajnime të çmuara, për të mbjellë sot kaos në politikën perëndimore. Dhe një rrëfim i dorës së parë sugjeron se Putini u vendos pikërisht në Drezden, larg syve të spiunazhit në Berlinin Lindor, ku francezët, amerikanët dhe gjermanët perëndimorë kishin vëmendjen kryesore.

Sipas një ish-anëtari të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe, një grupim i majtë terrorist në Gjermaninë Perëndimore, që pretendon se e ka takuar dikur në Drezden, Putin kishte punuar në mbështetje të anëtarëve të grupit, të cilët po mbillnin terror në të gjithë Gjermaninë Perëndimore në vitet 1970-1980.

Duke e kuptuar se ishte shumë larg në aspektin teknologjik fitimit të luftës ushtarake, Bashkimi Sovjetik kishte nisur që në vitet 1960 të merrej me fushatat e dezinformimit, të mbjelljes së thashethemeve të rreme në media për të diskredituar liderët perëndimorë, në vrasjen e kundërshtarëve politikë, dhe në mbështetjen e organizatave që nxisnin luftëra në rajone në zhvillim si Lindja e Mesme dhe Afrika, dhe në nxitjen e mosmarrëveshjeve në Perëndim.

Në mesin e këtyre masave ishte edhe mbështetja për organizatat terroriste. Në Lindjen e Mesme, KGB-ja kishte krijuar lidhje me grupime të shumta terroriste të përkushtuara ndaj marksizmit, më së shumti me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, që kreu disa rrëmbime avionësh dhe sulme me bomba në vitet 1960-1970.

Një ish-gjeneral i KGB-së që dezertoi në Shtetet e Bashkuara, Oleg Kallugin, i quajti më vonë këto aktivitete ?zemra dhe shpirti i shërbimit sekret sovjetik?. Gjermania Perëndimore kishte qenë bazë e grupit militant të Ushtrisë së Kuqe – i njohur edhe si Grupi Baader-Meinhof, sipas udhëheqësve të saj Andreas Bader dhe Ulrike Meinhof.

Në emër të rrëzimit të ?imperializmit dhe kapitalizmit në vend? ata do të vrisnin industrialistë dhe bankierë të njohur të Gjermanisë Perëndimore, ndëra sulmuan me bomba bazat ushtarake amerikane, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra ushtarakë. Në fund të viteve 1970, kur policia nisi një valë arrestimesh, STASI krijoi një bazë të sigurt në Gjermaninë Lindore për anëtarët e grupit.

Ajo u siguroi terroristëve identitete të rreme, dhe drejtoi kampet stërvitore. Në kohën kur Putin shërbeu në Gjermaninë Lindore, Drezdeni u bë një vend takimesh për Fraksionin e Ushtrisë së Kuqe. Për Fraksionin e Ushtrisë së Kuqe, blerja e armëve në Gjermaninë Perëndimore ishte e vështirë, ndaj ata kërkuan ndihmën e Putinit dhe kolegëve të tij.

Shumë vite më vonë, Klaus Zukold, një nga rekrutët e Putinit në STASI, dha disa detaje të pjesshme të përfshirjes së Putinit në operacione të tilla. Zukold, tha se Putin kishte kërkuar të konsultohej mbi një studim mbi helmet vdekjeprurëse që lënë pak gjurmë, dhe planifikoi ta dëmtonte autorin e këtij studimi, duke trilluar materiale pornografike mbi të.

Zukold pohoi gjithashtu se aktivitetet e Putinit përfshinin edhe rolin e rekrutuesit si bashkëpunëtor të neo-nazistit famëkeq, Rainer Sonntag, që u internua në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1987, dhe që u rikthye në Drezden pas rënies së Murit të Berlinit, ku nxiti ngritjen e së djathtës ekstreme.

Shënim: Pjesë nga libri ?Njerëzit e Putinit: Si KGB-ja vuri nën kontroll Rusinë, dhe pastaj u mor me Perëndimin? e Catherine Belton./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga