LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pazari me fatkeqësinë e saj/ Gruaja: Nuk dua lekë qyl, dua atë që më takon

24 Qershor 2020, 19:51, Politikë CNA
Pazari me fatkeqësinë e saj/ Gruaja: Nuk dua lekë qyl, dua

Florida Fejza tregon se në 5 shkurt 2018, e ëma e saj, Shpresa Fejza, rreth orës 9.40 është aksidentuar në rrethrrotullimin e Bradasheshit, në Elbasan, nga një makinë tip Benz në pronësi dhe drejtim të Ilir Hoxha.

Gjykata e dënoi Ilir Hoxhën me 5 vite burg, ndërsa për familjen Fejza nisi saga e interesimit për dëmshpërblim. Shpresa është dëmtuar tek e gjithë pjesa e majtë. Legenin e krahun nuk lëviz dot, e po kështu gishtat.

Syri i majtë i ka humbur shikimin e nuk ka fuqi për punë. Më parë Shpresa trajtohej me kemp për artrit, por tani edhe për melanomë nga mpiksja e gjakut prej aksidentit. Sipas Komisionit Mjeko-ligjor, dëmi është 90% dhe i takojnë 45 milionë lekë, por mjeku i kompanisë së sigurimit e cilëson dëmtimin vetëm 15 %.

Florida Fejza: Mami Shpresa Fejza bashkë me shoqen V. S., kanë qenë duke ecur në këtë rrugë. Madje ka qenë edhe një kalimtar i rastit. Makina i ka përplasur dhe i ka fluturuar të tre në ajër, drejtuesi i mjetit quhet Ilir Hoxha. Në momentin që ka ndodhur aksidenti, shoqja e mamit ka vdekur në vend ndërsa mami ka qenë në gjendje kritike për jetën. Qëlloi një ambulancë e rastit, vjen policia në vendngjarje, bëhet ekspertiza e vendngjarjes, Ilir Hoxha u shpall fajtor dhe çështja shkon në gjykatë, personi dënohet me 5 vite burg. Të ndodhur në këto kushte, ne iu drejtuam një avokati për çështjen e dëmshpërblimit të siguracionit. Gjëja e parë që bënë dërguan komisionin mjekoligjor me 4 mjekë dhe e vlerësuan mamin 90 për qind të dëmtuar.

Gazetarja: Cilët kanë qenë dëmtimet që ke ndjerë në momentin që ka ndodhur aksidenti?

Shpresa Fejza: Dhimbje koke, gjithë pjesën e majtë nuk e lëviz dot dhe këmbën, më dhëmbin komplet këtu edhe tek legeni, nuk rri dot në këmbë shumë.

Gazetarja: Sot kanë kaluar dy vite, çfarë shqetësimesh ndjen sot.

Shpresa Fejza: Kam shumë probleme, hoqa syrin se më dhembte, natën kam shumë dhembje, këmbët dhe koka më dhembin më shumë, koka, krahët, legeni. Vetë nuk bëj dot asgjë, shyqyr goca që më jep bukë, gjellë, ilaçe e të gjitha.

Florida tregon se është ndjerë e fyer dhe e irrituar tej mase kur kompania e sigurimit ka kontrolluar edhe Facebookun e prindërve të saj, për të provuar se Shpresa është aktive dhe për të ulur vlerën e dëmshpërblimit.

Florida Fejza: Vjet në Gusht martuam motrën dhe normale që vajzë dhe do dalë pak, do bëjë foto e gjëra, këta e kanë parë dhe kanë thënë nuk ka gjë, është mirë. Këta e donin mamin tim të vdiste ose të ishte e paralizuar siç ishte para dy vitesh e gjysmë. Duhet menduar që pas dy vitesh e gjysmë, mbas shumë sakrificash, në spitale, me fizioterapistë, me një mal me shpenzime, arritëm që ta ngremë në këmbë. Historia nuk mbaron me kaq, se me fatkeqësinë e mamit tim po bëhen pazare. Avokati Ardian Jeshili me kompaninë e siguracioneve. Në fillim avokati na ka ofruar një shumë prej 4.5 milionë lekësh të vjetra, të cilat i kishte ofruar siguracioni. Më pas, pas dy javësh na tha se siguracioni ofron 9 milionë lekë të vjetra. Një ditë të bukur, më pas na vijnë dy punëtorë të siguracionit, na ofrojnë 25 milionë lekë të vjetra dhe na thonë lëreni avokatin se ju japim ne 25, donin edhe ata 3 milionë lekë për një kafe për këtë gjest që do të na bënin. Ne nuk pranuam dhe shkuam tek siguracioni duke u thënë se e kishim lënë avokatin, ata e rritën nga 15 në 20 % më pas thanë po jua bëjmë dëmtimin 25 %, nga e cila përfitonim 25 milionë lekë të vjetra. Ky është një Pazar me fatkeqësinë e tjetrit.?

Shpresa Fejza: Tani nuk është içik turp që shëndeti im matet me shifra dhe me përqindje. Unë dua shpërblimin tim, sa jam dëmtu, aq dua të marr. Të lutem kompania të më bëjë një vlerësim të drejtë. Nuk dua lekë qyl, dua atë që më takon mua. /tvklan.al

Lajmet e fundit nga