LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sfidat ekonomike/ Kreu i BERZH tregon piketat që duhet t'i ndjekë Shqipëria

22 Qershor 2020, 18:48, Politikë CNA
Sfidat ekonomike/ Kreu i BERZH tregon piketat që duhet t'i

BERZH parashikoi një rënie prej 9% të ekonomisë shqiptare si pasojë e krizës shkaktuar nga coronavirusi. Në një intervistë për Euronews Now, drejtori i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli shpjegon arsyet përse BERZH arriti në këtë konkluzion, ndërsa i rekomandon qeverisë shqiptare adoptimin e një strategjie në tërheqjen e investimeve duke promovuar Shqipërinë tek prodhuesit kryesorë europianë.

Intervista e plotë e kreut të BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli:

Pyetje: BERZH ka bërë një parashikim të fortë për Shqipërinë sipas të cilit ekonomia shqiptare do të bjerë me 9 % këtë vit si pasojë e krizës ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi. Cili është specifikisht shkaku për këtë rënie ekonomike?

Kreu i BERZH Matteo Colangeli: Parashikimet ekonomike janë veçanërisht të paqëndrueshme në situatën aktuale dhe varen kryesisht nga mënyra sesi do të evoluojë situata e shkaktuar nga pandemia COVID-19, pra do të thoja se janë më shumë parashikime mjekësore sesa ekonomike. Përshkallëzimi i ndikimit të krizës në ekonomi individuale varet nga shumë faktorë përfshirë rëndësinë relative të disa sektorëve në PBB, integrimin e tyre në zinxhirët globalë të furnizimit, partnerët kryesorë tregtarë të vendit si dhe kushtet specifike që ekzistonin në vend në momentin e fillimit të krizës. Pra ne mendojmë se Shqipëria rrezikon të preket pikërisht si pasojë e një kombinimi të pavolitshëm të disa prej këtyre faktorëve

Si fillim, rëndësia e konsiderueshme e turizmit në ekonominë e vendit. Duke pasur parasysh që kjo përqendrohet në një sezon relativisht të shkurtër veror, i cili tashmë ka filluar, mund të presim që kufizimet në udhëtime të materializohen në rënie të numrit të vizitorëve të huaj dhe të ardhurave nga turizmi në 2020. Së dyti, lidhjet e ngushta tregtare me Italinë, një nga vendet më të prekura të Bashkimit Europian, kanë ndikuar në zvogëlimin e aktivitetit ekonomik në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, siç është industria fason.

Së treti, konsumi final i familjeve mund të ulet më shumë se në vendet e tjera si rezultat i disa karakteristikave specifike të ekonomisë shqiptare sic është punësimi informal, i cili është shumë i rrezikuar gjatë krizave dhe varësia nga remitancat, të cilat me gjasa do të bien.

Së fundmi, kjo krizë e gjeti vendin duke u përballur me pasojat e dëmeve nga tërmeti Nëntorit të shkuar dhe me një ekonomi që kishte filluar ngadalësohej.

Duke parë përtej 2020, parashikimet tona janë për një rimëkëmbje të shpejtë në 2021, me një rritje prej 12 % në PBB, në thelb më e lartë se humbjet e këtij viti. Pra parashikimi ynë ekonomik për Shqipërinë është që vendi vërtetë do të preket shumë si pasojë e krizës këtë vit, por kjo do të ndiqet nga një rritje e theksuar e ekonomisë në 2021 gjithnjë mbështetur në supozimin se udhëtimet dhe flukset tregtare do të kthehen në normalitet.

Pyetje: Sa të përshtatshme kanë qenë masat e marra nga qeveria në ndihmë të bizneseve apo qytetarëve sipas jush? A po përdor qeveria instrumentet e duhura?

Kreu i BERZH Matteo Colangeli: Së pari, mendoj se autoritetet kanë bërë një punë shumë të mirë në menaxhimin e emergjencës mjekësore dhe duhen përgëzuar për këtë.

Përsa i përket masave ekonomike, Shqipëria ka ndërmarrë masa të ngjashme me vende të tjera në rajon dhe Europë. Çfarë bën diferencën në këto kushte janë përmasat e këtyre ndërhyrjeve, në fjalë të thjeshta sasia e parave që mund të injektohen në ekonomi gjatë krizës dhe eficenca në zbatimin e masave të njoftuara. E para lidhet sigurisht me pozitën fiskale të secilit vend dhe këtu niveli i lartë i borxhit publik dhe mungesa e likuiditetit edhe si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit nuk ndihmuan. E dyta lidhet me eficencën e administratës publike përfshirë këtu edhe aftësia e saj për të angazhuar aktorë të tjerë të rëndësishëm në implementimin e masave siç është sistemi bankar. Megjithatë është shumë herët për të dalë në konkluzione veçanërisht për efektivitetin e programit të kredive me garanci sovrane që po ofrohen përmes bankave të nivelit të dytë në vend.

Kriza ka prekur veçanërisht sipërmarrësit e vegjël dhe të punësuarit në ekonominë informale. Ndërsa vendi kalon nga gjendja e emergjencës në një fazë të planifikimit strategjik të rimëkëmbjes ekonomike, mendoj se është me rëndësi të krijohen kushtet për zhvillimin e një modeli më gjithëpërfshirës të zhvillimit ekonomik, ku sektorë të ndryshëm të industrisë, rajone apo grupe sociale të mund të kontribuojnë dhe përfitojnë nga rritja gjatë periudhës së rimëkëmbjes.

Për këtë mendoj se është e rëndësishme të përdoret në mënyrë të mirë koordinuar dhe eficente asistenca e ofruar nga partnerët ndërkombëtare përfshirë këtu maksimizimin e granteve të përftueshme dhe kredive të buta si dhe përshpejtimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore për rimëkëmbjen e ekonomisë pas krizës.

Pyetje: Në këtë situatë që ju përshkruat, çfarë do të rekomandonit duke qenë se vendi përjetoi një krizë të dytë pas asaj që shkaktoi tërmeti I vitit të shkuar? Si do të arrihet rimëkëmbja ekonomike?

Kreu i BERZH Matteo Colangeli: Së pari do të thoja përqendrimi në sektorët e ekonomisë ku vendi ka avantazhe konkurruese, siç janë sektorët e punësimit intensiv.

Mendoj se sektori i turizmit do të preket më shumë, sidomos segmenti i kësaj industrie që mbështetet në paketat ekonomike të pushimeve verore sepse kërkesa për këtë produkt mund të mos kthehet menjëherë në nivelet e para krizës. Por kjo është edhe një mundësi për Shqipërinë që të rivlerësojë modelin e zhvillimit të turizmit duke e kthyer vëmendjen tek cilësia. Unë mendoj se për këtë janë të gjitha mundësitë përfshirë bukuritë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit, mikpritjen e mrekullueshme të njerëzve dhe eksperiencat unike që Shqipëria mund të ofrojë se dhe në gastronomi.

Por, për të tërhequr një segment turistësh me të ardhura më të larta duhet të bëhen përpjekje të mëtejshme në disa drejtime sipas mendimit tim: (i) në investime në infrastrukturë dhe shërbime veçanërisht në transport në mënyrë që vizitorët të mund të lëvizin në mënyrë të pavarur dhe me lehtësi në të gjithë vendin; (ii) në ofrimin e aktiviteteve dhe eksperiencave turistike, duke krijuar kështu punësim dhe duke rritur të ardhurat mesatare të përftuara për turist, rritja e të ardhurave nga turizmi është më e rëndësishme sesa numri i turistëve që vijnë në Shqipëri; (iii) duke mbrojtur bukuritë natyrore dhe pasuritë e trashëgimisë kulturore nga mbi-ndërtimi (veçanërisht në bregdet) dhe menaxhimi efektiv i mbetjeve.

BERZH ka zhvilluar një program mbi 100 milionë euro në bashkëpunim me BE për ta bërë turizmin më konkurrues dhe të qëndrueshëm dhe shpresojmë që partneri ynë vendas, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ta përshpejtojë sa më shumë ritmin e implementimit të programit që ai të ndihmojë në rimëkëmbjen e sektorit të turizmit në Shqipëri.

I njëjti fokus tek cilësia duhet të ndiqet në këndvështrimin tim edhe në sektorin e agrobiznesit (dhe sërish këtu turizmi është një mundësi e shkëlqyer për promovimin e produkteve shqiptare). Shqipëria është shumë konkurruese në produkte specifike, siç janë prodhimet bujqësore organike për të cilat ka një kërkesë në rritje në tregjet ndërkombëtare.

Edhe në këtë sektor ne kemi një program të rëndësishëm të mbështetur nga Fondi i Garancisë Kombëtare që ofron rritje të mundësive për financime dhe njohuri për fermerët dhe sipërmarrësit. Më shumë se 6000 kredi me vlerë totale mbi 50 milionë euro janë disbursuar deri tani nën këtë program. Unë besoj se bashkë me grantet IPARD që ofron, BE ky program mund të luajë një rol kyç në stimulimin e investimeve dhe rritjes në këtë sektor të rëndësishëm.

Së dyti, zinxhirët globalë të prodhimit po shkurtohen ndërsa kompanitë europiane po shqyrtojnë mundësitë e kthimit të prodhimit më pranë tyre. Kjo mund të sjellë mundësi për Shqipërinë që të hyjë në zinxhirët europianë të prodhimit ku nuk ka mundur të jetë pjesë më parë.

Përmirësimi i klimës së biznesit dhe vijimi me reformat e lidhura me integrimin në BE janë gjithashtu parakushte për të përfituar nga këto mundësi. Në veçanti, mendoj se lufta ndaj korrupsionit, një administratë publike miqësore me biznesin dhe konsolidimi i sistemit gjyqësor duhet të jenë prioritete.

Por, gjithashtu besoj se kjo është koha edhe për të adoptuar një strategji të fokusuar në tërheqjen e investimeve duke promovuar Shqipërinë tek prodhuesit kryesorë europianë si një mënyrë për të tërhequr këtë prodhim në Shqipëri.

Së fundmi, do doja të përmendja sektorin e energjisë. Ne jemi shumë krenarë që e kemi mbështetur Shqipërinë në përgatitjen dhe finalizimin e tenderit për projektin e parkut diellor të Karavastasë, i cili do të projekti i parë për ndërtimin e një impianti të energjisë diellore në vend. Kjo tregoi se energjia diellore mund të zhvillohet në vend me çmime shumë konkurruese, përmes këtij tenderi u arrit edhe çmimi më i ulët në Ballkan dhe se investitorët e huaj të rëndësishëm mund të vijnë në Shqipëri kur ndiqen praktika transparente dhe konkurruese në tenderim.

Rruga pra është e hapur për të bërë më shumë në këtë sektor në të ardhmen. Ne i kemi ofruar gjithashtu suport qeverisë në zhvillimin e sektorit të energjisë së erës, një tjetër sektor me potencial për Shqipërinë me po të njëjtën qasje konkurruese./ Euronews

Lajmet e fundit nga