LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sa nga ne ka të ngjarë të jenë prekur nga koronavirusi deri tani?

21 Qershor 2020, 07:08, Blog CNA
Sa nga ne ka të ngjarë të jenë prekur nga koronavirusi deri

Sa njerëz janë infektuar realisht nga koronavirusi i ri deri më tani? Statistikat janë konfuze në shumë qytete dhe vendet të botës, ndërsa shifrat ndryshojnë shumë. Disa rajone raportojnë se më pak se 1 për qind e njerëzve janë infektuar me Covid-19, të tjerat thonë se virusi ka prekur mbi gjysmën e popullsisë.

Po si llogariten këto shifra, dhe cilave mund t?i besojmë? Përcaktimi i përhapjes së vërtetë të infeksionit të koronavirusit të ri, është i rëndësishëm për të kuptuar mënyrën se si përhapet virusi, dhe për të kufizuar dëmin e tij. Raportimi i rasteve me koronavirus, ndryshon në mënyrë drastike në të gjithë botën.

Tim Rasëll dhe kolegët e tij në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, kanë vlerësuar se deri në 15 qershor, më shumë se 95 për qind e rasteve simptomatike janë raportuar në disa vende, përfshirë Ganën, Kazakistanin, Marokun dhe Omanin.

Gjithsesi, ekipi vlerëson se vetëm 35 për qind e rasteve simptomatike janë raportuar në SHBA, ndërsa shifra është edhe më e ulët për disa vende të tjera. Britania vlerësohet të ketë raportuar vetëm 14 për qind asimptomatikë, Suedia rreth 19 për qind, ndërsa Jemeni vetëm 3 për qind.

Ajo që nuk pasqyrojnë këto statistika është numri i rasteve pa simptoma, për të cilat disa prova sugjerojnë se mund të përbëjnë midis 25-50 për qind të të gjitha rasteve me koronavirus. Kur bëhet fjalë për vlerësimin e prevalencës, ka pasur dy qasje kryesore. Studiuesit ose kanë testuar një mostër njerëzish në një popullatë, dhe kanë raportuar vetëm ato shifra, ose kanë parashikuar sesi virusi e ka prekur një popullatë përmes përdorimit të modeleve matematikore.

Shumë ekspertë kanë përdorur shembullin e kroçerës ?Diamond Princess?, që përjetoi një nga shpërthimet e para të mëdha të koronavirusit. Shumica e 3711 personave në bord u testuan – 712 u zbuluan se ishin të infektuar, dhe të paktën 13 prej tyre kanë vdekur.

Rasëll dhe kolegët e tij e kanë përdorur këtë rast dhe burime të tjera të dhënash, si ato nga Qendra Evropiane për Parandalimin e Sëmundjeve dhe Kontrollin e të Dhënave, për të parashikuar se sa njerëz janë infektuar me koronavirus në vende të ndryshme.

Për shkak se cilësia dhe sasia e testimit dhe raportimit është kontradiktore në të gjithë botën, ekipi thotë se është e vështirë të kesh një panoramë të saktë të numrit të vërtetë të të infektuarve. Një nga mënyrat për të gjetur shifrën më të përafërt, është analizimi i numrit të përgjithshëm të vdekjeve nga të gjitha shkaqet.

Henrik Salje i Universitetit të Kembrixhit dhe kolegët e tij, kanë bërë një modelim të ngjashëm për Francën. Teknika e tyre përfshin përfshirjen e të dhënave nga burime si ?Diamond Princess?, për të vlerësuar se sa njerëz mund të kenë pasur infeksione me Covid-19 që nuk janë aq të rënda sa të kërkonin shtrimin në spital, gjë që është më e zakonshme tek djemtë dhe vajzat e reja.

Sipas vlerësimit të tyre, deri më 11 maj ishte infektuar me koronavirusin e ri rreth 4.4 për qind e popullsisë së Francës. Shifra ndryshon sipas rajonit, dhe zona më e goditur e rajonit Ile-de-France në Paris, mendohet të ketë pasur shifrën më të lartë prej 9.9 për qind.

Deri tani, testet e antitrupave në Spanjë, Itali dhe Angli, e vendosin midis 2-5 për qind numrin e personave të infektuar me Covid-19 megjithëse përhapja është më e lartë në qytetet me popullsi të dendur si Londra dhe Madridi.

Ndërsa disa studiues kanë analizuar nivelin e antitrupave në popullatën e përgjithshme, shumë të tjerë janë fokusuar tek grupe që janë më të lehta për t?u studiuar, si punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe dhuruesit e gjakut.

Një nga studimet më të gjera është kryer në Spanjë, ku autoritetet testuan më shumë se 60.000 anëtarë të popullatës në përgjithësi. Deri tani, rezultatet e testimit sugjerojnë se rreth 5 për qind e popullsisë në të gjithë Spanjën është infektuar me Covid-19, edhe pse kjo shifër është 10 për qind në Madrid.

Pavarësisht nga problemet me këto studime, është e qartë se madje edhe vendet me prevalencë të lartë, nuk janë afër nivelit të nevojshëm për të lejuar krijimin e imunitetit të tufës, e cila mund të ndalojë infeksionet e përhapura nëpër popullatë.

Për shumicën e viruseve të njohura, duhet që të paktën 70 për qind e popullsisë të ketë imunitet, për të arritur imunitetin e tufës. Ky nivel infektimi, nuk është vërejtur në asnjë studim, madje as në Suedi. Vendi skandinav, është cilësuar model i lëvizjes kundër masave bllokuese, për shkak të mungesës krahasuese të kufizimeve në jetën e përditshme për të kontrolluar transmetimin e virusit.

Suedia ka raportuar më shumë vdekje për frymë sesa vendet fqinje. Por modelimi nga autoriteti shëndetësor i vendit, ka arritur në përfundimin se vetëm rreth 26 për qind e popullsisë së Qarkut Stokholm ishte infektuar nga koronavirusi deri në fillim të muajit maj.

Salje mendon se kjo shifër është e fryrë. Virusi ka të ngjarë të shkaktojë një përqindje të ngjashme vdekjesh në të gjithë vendet, thotë ai. Nëse më shumë se një e katërta e popullsisë suedeze do të ishte infektuar, do kishte shumë më tepër të vdekur, thotë ai.

Të kuptuarit se sa njerëz janë prekur nga virusi, mund të ndihmojë në hartimin e politikave të shëndetit publik, duke treguar se çfarë funksionon dhe çfarë jo kur bëhet fjalë për kufizimin e përhapjes.

Por edhe nëse një test i antitrupave do të ishte i përsosur, dhe nuk do të jepte asnjë rezultat të rremë pozitiv apo negativ, ne ende nuk do ta dimë nëse personat e infektuar më herët do të kenë imunitet kundër koronavirusit, apo për sa kohë mund të zgjasë një imunitet i tillë./Përshtati në shqip CNA.al

Lajmet e fundit nga