LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Erion Dasho/ Pak aritmetikë kovidiane

21 Qershor 2020, 16:03, Lifestyle CNA
Nga Erion Dasho/ Pak aritmetikë kovidiane

Epidemiologjia është një shkencë jo fort e lehtë për t’u shpjeguar në facebook. Për më tepër, epidemiologjia e COVID, e cila ka, akoma, më shumë të panjohura se të njohura. Epidemiologët më të aftë detyrohen shpesh të mohojnë atë që kanë deklaruar më parë rreth COVID.

Fatmirësisht, që në fillim të epidemisë u mësuan disa raporte të thjeshta të aritmetikës elementare që ende qëndrojnë.

1. Në se në një moment të caktuar diagnostikohen me COVID 100 persona simptomatikë, rreth 10 deri 20 prej tyre mund të kenë nevojë për t’u shtruar në spital. Ky numër është më pranë 20-ës në se ata që preken janë të moshuar ose të sëmurë kronikë, dhe më pranë 10-ës kur ata që preken janë kryesisht të rinj.

MËSIMI NR. 1: NË SE SHTROHEN NË SPITAL 20 PACIENTË, POR JANË DIAGNOSTIKUAR 50 PERSONA, ME SIGURI JANË EDHE MINIMUMI 50-60 PERSONA TË TJERË QË GJURMIMI I KA HUMBUR. KËTA KANË SHENJA TË SËMUNDJES DHE JANË DUKE PËRHAPUR COVID NË POPULLATË.

SQARIM: PERSONAT E PREKUR NGA COVID, NUK JANË AS “KRIMINELË” AS “KAMIKAZË”! NË SE PËRHAPJA NË POPULLATË ËSHTË E KONTROLLUAR, RREZIKU ËSHTË MINIMAL.

2. Nga personat e shtruar, 1 në 5, apo 1 në 6 do të ketë nevojë për shtrim në reanimacion. Siç u mësua në Itali dhe në Kinë, problemi nuk janë pacientët që shtrohen në spital, por pacientët që kërkojnë shtrim në reanimacion dhe intubim. Në se sot shtrohen 20 pacientë, pas pak ditësh, 3 ose 4 prej tyre mund të kenë nevojë për t’u shtruar në reanimacion dhe 1 për intubim (ventilator).

NË SE RAPORTI MIDIS TË SHTRUARVE NË PAVION DHE REANIMACION ËSHTË MË I MADH SE 6, NDOSHTA SHUMË SHTRIME NË SPITAL JANË TË PANEVOJSHME.

Me ritmet e deritanishme të shtrimeve në spital, pas një jave MUND të nevojitet çdo ditë një ventilator i ri. Flitet ende me MUND, sepse shpresohet që virusi të ketë humbur disi virulencën apo mjekët të përdorin përafrime më të mira mjekimi që shmangin nevojën për intubim. P.sh. suksesi i Gjermanisë në mbajtjen e vdekjeve në nivele minimale, besohet se lidhet me përqindjen e ulët të pacientëve që intubohen.

Në se arrihet në pikën ku çdo ditë nevojitet të hyjë në funksionim një ventilator i ri (i cili mund të qëndrojë i zënë për rreth 10 deri 15 ditë), kjo krijon vështirësi të mëdha për sistemin tonë shëndetësor.

MËSIMI NR. 2: PIKA E DOBËT DO TË VAZHDOJË TË MBETET KUJDESI INTENSIV. TË GJITHË NUMRAT E TJERË JANË PAK OSE ASPAK TË RËNDËSISHËM.

Ata që zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes janë kryesisht të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Mbrojtja e tyre është përafrimi më inteligjent që funksionon. Komunikimi me ta, edukimi, mbrojtja e diferencuar, etj. në Shqipëri ende nuk ka nisur. Mësimi nr. 2 mund të kthehet në pësim të hidhur në se të moshuarit dhe të sëmurët neglizhohen dhe lihen në mëshirën e virusit.

3. Lidhur me COVID informacioni ka qarkulluar relativisht mirë. Mund të ketë njerëz që i anashkalojnë masat mbrojtëse nga padija, por shumica janë të vetëdijshëm për rrezikun. Fqinji im i moshuar më tha një ditë kur e pyeta pse kishte nisur të dilte pa maskë “Si ta kemi të shkruar, doktor”.

Ajo që dinim, nuk ka ndryshuar. Pas moshës 70 apo 80 vjeçare, në rast prekje nga COVID, rreziku për jetën mbetet i lartë. Persona të prekur nga sëmundje të zemrës, diabeti dhe sëmundje të tjera, pavarësisht moshës, rrezikun e kanë si të jenë 70 apo 80 vjeçarë.

MËSIMI NR. 3: HERËT A VONË TË GJITHË SHOQËRITË LODHEN DHE PRIREN DREJT “SUEDIZIMIT”. SHOQËRIA DUHET TË VENDOSË NJË BALANCË TË ARSYESHME MIDIS KUFIZIMEVE DHE SHKALLËS SË RREZIKUT. MBI TË GJITHA, PERSONAVE TË MOSHUAR DHE TË SËMURË DUHET T’U KRIJOHEN KUSHTET PËR TË KUPTUAR SHKALLËN E RISKUT PERSONAL DHE MBROJTUR VETEN.

Aritmetikat KOVIDIANE janë të thjeshta. Qeveria duhet të shohë me kujdes numrat sot dhe të përgatitet për atë që do të ndodhë pas 10 ditësh lidhur me nevojën për shërbime shëndetësore të specializuara.

Qytetari tashmë e njeh riskun. Marrja e masave mbrojtëse personale dhe në familje është një vendim personal. Shteti ka përgjegjësi të marrë masa në mjedise të mbyllura publike – transport, supermarket, etj.

Mbi të gjitha, shteti ka për detyrë të bëjë vende sa më të sigurta spitalet (tek të cilat duhet tolerancë zero për rrezikun), shërbimet e tjera publike (shkolla, çerdhe, kopshte, etj.) administratën, bizneset, etj.

Vera ka ardhur. Mundësi më të mirë për të rifituar shëndetin e humbur gjatë karantinës nuk ka. Transmetimi i COVID në plazhe dhe mjedise të tjera të hapura duket të jetë shumë i rrallë. Teoritë boshe të paprovuara në praktikë nuk kanë vlerë sot. Deri sa të provohet e kundërta, le t’i pranojmë këto mjedise si të sigurta dhe të inkurajojmë shtrytëzimin e tyre.

ARITMETIKA E THJESHTË DHE INTUITA JANË SHUMË TË DOBISHME NË KËTO KOHË KOVIDIANE.

ME NJË RIORGANIZIM MINIMALIST, DUKE NDJEKUR DISA PARIME TË THJESHTA DHE DUKE ZBATUAR DISA KUFIZIME TË ARSYESHME MUND TA KTHEJMË SHOQËRINË NË NJË VEND TË SIGURT.

Lajmet e fundit nga