Connect with Us

Domethënia e Mekës, qytetit më të shenjtë në fenë Islame

Blog

Domethënia e Mekës, qytetit më të shenjtë në fenë Islame

Publikuar

-

Meka vlerësohet si qyteti më i shenjtë i fesë Islame. Përveç faktit që Meka ishte vendlindja e Profetit Muhamed, ai është edhe qyteti ku ndodhet vendi i shenjtë i adhurimit në Islam, Xhamia e Madhe (e njohur si Al-Masjid Al-Haram).

Përveç kësaj, një nga Pesë Shtyllat e Islamit, Haxhi, përfshin një pelegrinazh disaditor në këtë qytet. Meka ndodhet në pjesën perëndimore të Gadishullit Arabik, në rajonin që sot quhet Makah. Qyteti ishte një qendër e rëndësishme fetare dhe tregtare edhe para lindjes së Islamit.

Kjo për faktin se ai ishte një oaz në mesin e rrugëve tregtare që lidhnin Mesdheun me Arabinë Jugore, Afrikën Lindore dhe nën-kontinentin Indian.

Për shkak të vendndodhjes gjeografike strategjike të Mekës, qyteti u zhvillua shumë gjatë periudhës romake dhe bizantine. Ka të ngjarë që Meka të ishte e njohur edhe për popujt e periudhës helenistike. Në veprën “Gjeografia” të Ptolemeut, përmendet një qytet në brendësi të Gadishullit Arabik të quajtur Makoraba.

Ai është identifikuar tradicionalisht me Mekën, edhe pse disa studiues modernë kanë hedhur dyshime mbi këtë pretendim. Gjithsesi, fakt është që shkrimet antike që i referohen Mekës, duket se janë të pakta. Ndaj, burimi kryesor i informacionit për këtë pjesë të historisë së qytetit vjen nga burime të mëvonshme islamike dhe arabe.

Për shembull, tradita islame e gjurmon historinë e Mekës që në fillimin e botës. Besohet se kur Adami dhe Eva u dëbuan nga Parajsa, ata u ndanë. Adami zbarkoi në ishullin e Sri Lankës, ndërsa Eva shkoi në një zonë që sot njihet si Xhedah.

Pasi brodhën rreth e rrotull për një farë kohe, Adami dhe Eva u ribashkuan nga Zoti në malin Arafat, në lindje të Mekës. Burime arabe deklarojnë gjithashtu se Adami (Ademi në gjuhën arabe) u varros në Mekë. Nga ana tjetër Eva u varros pranë Xhedah.

Shfaqja tjetër e Mekës në traditën islame, është në historinë e Përmbytjes së Madhe. Thuhet se gjatë përmbytjes, Arka e Noes erdhi në Mekë dhe kaloi 7 herë rreth trupit të shpërbërë të Adamit. Sipas Kuranit, Abrahami dhe Ismaeli (djali i Ibrahimit nga Hagarit) ishin përgjegjës për ndërtimin (ose rindërtimin) e Qabes në Mekë.

Meka lidhet ndërkohë me Abrahamin (Ibrahimi në fenë Islame) me besimin se aty Hagari e ushqeu Ismaelin duke e shëruar me ujërat e Pusit të Zamzam-it. Myslimanët i referohen periudhës në Gadishullin Arabik para ardhjes së Islamit si Jahiliyya, që përkthehet si “Epoka e padijes”.

Termi ‘Jahiliyya’, përdoret normalisht në terma përçmues. Ajo kohë është e rëndësishme për myslimanët, pasi shërben për të nënvizuar ndryshimin e sjellë nga Islami në mënyrën arabe të të jetuarit. Disa tipare të periudhës ‘Jahiliyya’ përfshijnë: adhurimin e idhujve, tribalizimin dhe praktikën e vrasjes së foshnjave femra.

Me pak fjalë, periudha e ‘Jahiliyya’, mendohet se ka qenë një epokë e errët. Nga ana tjetër, është interesant fakti që termi ‘Jahiliyya’, konsiderohet të jetë pozitiv në lidhje me letërsinë arabe, pasi poezia arabe para-islamike vlerësohet nga myslimanët.

Lindja e fesë Islame, portretizohet normalisht si një shkëputje radikale nga periudha e ‘Jahiliyya’. Historia e Islamit nisi në Mekë në vitin 570 Pas Krishtit. Sipas traditës, ky ishte edhe viti kur lindi Profeti Muhamed. Në 40 vitet e para të jetës, ai jetoi si një njeri i zakonshëm.

Thuhet se babai i Muhamedit kishte vdekur para se ai të lindte, ndërsa e ëma kur ishte vetëm 6-vjeç. Profeti i ardhshëm u rrit nga gjyshi nga ana e babait, deri në vdekjen e këtij të fundit, 2 vjet më vonë. Më pas për të u kujdes xhaxhai i tij, Abu Talib, që ishte bërë kryetari i ri i fisit Hashim.

Sipas një rrëfimi, ndërsa shoqëronte xhaxhanë e tij në një udhëtim tregtar në Siri, Muhamedi u njoh si një profet i ardhshëm nga një murg i krishterë. Në moshën 25-vjeçare, ai u martua me një grua të pasur të quajtur Hatixhe, e cila ishte 40-vjeçe.

Ajo e kishte punësuar Muhamedin për të mbikëqyrur transportimin e mallrave të saj në Siri, dhe u impresionua kaq shumë nga ai, saqë u martua me të. Disa kohë më vonë, Muhamedi nisi të veçohej nga të tjerët duke qëndruar në një shpellë në një nga malet pranë Mekës.

Një natë kur sapo kishte mbushur 40-vjeç, ndërsa Muhamedi ishte duke medituar në shpellë, iu shfaq engjëlli Xhibril (Gabriel), që i dha shpalljen e tij të parë. Engjëlli i mësoi atij ajetet hyrëse të sures 96 të Kuranit:”Lexo në emër të Zotit tënd që krijon, që krijoi njeriun nga një mpiksje gjaku! Recito për Zotin tënd, që është më bujari…”.

Takimi me engjëllin e shqetësoi në fillim Muhamedin, por ai u qetësua nga Hatixhja dhe kushëriri i saj, Uaraqah ibn Naufal (një i krishterë që konfirmoi profetësinë e Muhamedit). Muhamedi vazhdoi të merrte zbulesa nga Xhibrili, por gjatë 3 viteve të ardhshme, u kufizua të flasë për to vetëm në rrethe të ngushta miqsh.

Më pas Muhamedi u urdhërua nga Zoti që të predikonte publikisht. Fillimisht, banorët e Mekës nuk e kundërshtuan Muhamedin. Por kur profeti nisi të shpallte se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, ai nisi të haste në kundërshtimet e forta nga Kurejshët e Mekës.

Kjo për faktin se monoteizmi i predikuar nga Muhamedi, u interpretua si një sulm ndaj besimeve dhe praktikave fetare të Kurejshëve. Për më tepër, këta të fundit kishin frikë se ekonomia e qytetit do të rrënohej nëse ata pranonin mesazhin e Muhamedit dhe bëheshin monoteistë, pasi pelegrinët paganë nuk do të vinin më në qytet.

Megjithëse Muhamedi u përball me kundërshtimin e shumicës së banorëve të Mekës, ai u mbrojt nga fisi i tij, dhe për këtë arsye mundi të qëndronte në qytet. Por në vitin 619 Pas Krishtit, xhaxhai i tij Abu Talib vdiq, dhe udhëheqja e fisit kaloi tek xhaxhai tjetër i profetit, Abu Lahab.

LEXO EDHE:  Amerika nuk u zbulua nga Kristofor Kolombi/ Ja si qëndron e vërteta

Ky iu kundërvu Muhamedit, duke i hequr atij mbrojtjen e fisit. Kjo do të thoshte se Muhamedi nuk ishte më i sigurt në Mekë. Në vitin 622, Muhamedi dhe pasuesit e tij u larguan nga Meka për në Medinë, një udhëtim që përkujtohet sot si Hixhra (shpërngulja).

Viti 622 është koha kur fillon kalendari islam. Ndërkohë në vitin 630, myslimanët ishin mjaftueshëm të fortë sa të marshonin me një ushtri të tyren në Mekë.

Banorët e qytetit u nënshtruan, ndërsa profeti shpalli një amnisti për të gjithë. Pavarësisht se ishte qyteti më i shenjtë në Islam, Meka nuk u bë kurrë kryeqyteti i ndonjë shteti islamik.

Për shembull, pasardhësit më të afërt të Muhamedit, kalifët e Rashidun, sunduan nga Medina (me përjashtim të kalifit të katërt, Aliut, që e transferoi kryeqytetin në Kufa).

Dinastia pasuese e Umajade sundoi nga Damasku, ndërsa pasardhësit e tyre, Abasidët, e zhvendosën kryeqytetin në Bagdad. Kur ai u pushtua nga mongolët, kryeqyteti u zhvendos përkohësisht në Kajro. Dhe në fund, kalifët osmanë sunduan nga Kostandinopoja, Stambolli i sotëm.

Gjithsesi, sundimtarët islamikë vazhduan që të kontribuojnë në mirëmbajtjen e qytetit të shenjtë, dhe shërbyen si mbrojtës të tij. Për shembull titulli “Mbrojtësi i dy qyteteve të shenjta” (Mekës dhe Medinës), është mbajtur nga sundimtarë të ndryshëm myslimanë në histori.

Si një qytet i shenjtë, Meka e ruajti domethënien e saj në besimin islam. Shenja më e qartë, është fakti se kur myslimanët kryejnë lutjet e tyre të përditshme, ata e bëjnë këtë në drejtim të Mekës. Një tjetër shenjë e qartë e rëndësisë fetare të Mekës, është roli që luan qyteti gjatë Haxhit.

Ai është i fundit i Pesë Shtyllave të Islamit, që cili thotë se çdo mysliman që është fizikisht dhe financiarisht i aftë ta bëjë këtë, duhet të shkojë për pelegrinazh në Mekë të paktën një herë në jetën e tij. Një nga ritualet më të rëndësishme të Haxhit është ‘teuhati’, ose ecja rrotull Qabes për 7 herë në drejtimin kundër-orar.

Qabja është një faltore e vogël e vendosur pranë xhamisës së Al-Mesxhid Al-Haram, dhe konsiderohet nga myslimanët si vendi më i shenjtë në tokë. Sipas besimit islam, Abrahami (Ibrahimi) u udhëzua nga Zoti që të çonte Hagarin dhe djalin e tyre, Ismaelin, në Arabia nga Palestinë, për t’i mbrojtur ata nga xhelozia e Sarës, gruas së parë të Abrahamit.

Ai i çoi që të dy në vendin kur ndodhet sot Meka dhe i la atje, siç e udhëzoi Zoti. Edhe pse u la disa ushqime dhe ujë para se të ikte, shumë shpejt Hagari dhe Ismaeli nisën të vuanin nga uria dhe etja. E dëshpëruar, gruaja vrapoi në majën e dy kodrave, Safa dhe Marua, për të parë nëse mund t’i kërkonte dikujt ndihmë.

Në fund, Hagari u ul pranë të birit e rraskapitur, dhe iu lut Zotit për ndihmë. Në atë moment, Ismaeli përplasi këmbët në tokë, prej andej doli ujë, dhe kështu që të dy shpëtuan nga vdekja. Kjo thuhet se është origjina e Pusit të Zamzam-it.

Burimi i Zamzam-it, besohet të jetë një degë e Ujërave të Parajsës. Mrekullia jo vetëm që shpëtoi Hagarin dhe Ismaelin, por i dha mundësi atyre të siguronin jetesën. Pak kohë më vonë, Abrahami u rikthye të shihte si ishin Hagari dhe Ismaeli, dhe u urdhërua nga Zoti të ndërtojë Qaben.

Sipas një interpretimi të një ajeti Kuranor, Abrahamit iu tha të rindërtonte faltoren. Kjo mund të nënkuptojë që ekzistonte një faltore më e vjetër, që thuhet se ishte ngritur dikur nga Adami. Por me kalimin e kohës, banorët e Mekës u bënë politeistë, dhe në Qabe u vendosën skulpturat e Zotave të ndryshëm.

Kur ata iu dorëzuan qytetin Muhamedit në vitin 630, Qabja u spastrua nga idhujt paganë. Në cepin lindor të saj ndodhet Guri i Zi. Si pjesë e teuhatit, pelegrinët e prekin dhe puthin këtë objekt të shenjtë. Guri i Zi, besohet se daton që në kohën e Adamit dhe Evës.

Sipas besimit islam, ky gur iu dha Ademit kur u dëbua nga Parajsa, në mënyrë që të mund të merrte falje për mëkatet e tij. Guri i Zi thuhet se ishte fshehur gjatë Përmbytjes së Madhe, por iu rikthye Abrahamit kur ai ishte duke ndërtuar apo rindërtuar Qaben.

Legjenda thotë se guri kishte fillimisht ngjyrë të bardhë, por u bë i zi si pasojë e thithjes së mëkateve të pelegrinëve të panumërt që e kanë prekur dhe puthur atë. Statusi i Mekës si qyteti më i shenjtë në besimin Islam, është ruajtur që nga fillimi i besimit e deri më sot.

Në gati 1400 vjet që nga themelimi i këtij besimi, Meka ka përjetuar ulje-ngritjet e veta. Për shembull, pronësia e qytetit të shenjtë, ka ndryshuar shumë herë gjatë historisë së tij të gjatë. Në vitin 1269, Meka u vendos nën kontrollin e Mamlukëve, ndërsa në vitin 1517, qyteti ra në duart e osmanëve.

Në vitin 1925, Meka u pushtua nga sauditët, dhe që ajo kohë ka mbetur pjesë e mbretërisë së tyre. Megjithatë për besimtarët, ndryshime të tilla politike kanë një rëndësi dytësore, pasi haxhi (pelegrinazhi) është kryer ndër shekuj aty, pavarësisht se kush ka qenë në krye të qytetit. / Ancient Origins – Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Al Kapone ngrysi aty ditët e tij të fundit/ Pse Alkatrazi mbetet burgu më i famshëm në botë

Publikuar

-

Nga

Al Kapone ngrysi aty ditët e tij të fundit/ Pse Alkatrazi mbetet burgu më i famshëm në botë

Në orën 9:40 të mëngjesit të 11 gushtit 1934, në burgun famëkeq të Alkatrazit në SHBA, mbërriti grupi i parë i të burgosurve. 137 gjithsej, mes tyre bosi mitik i mafias italo-amerikane, Al Kapone. Për dekada të tëra, Alkatraz pati reputacionin e njërit prej burgjet
me kushtet më të ashpra në SHBA.

“Thyej rregullat, dhe shkon në burg. Thyej rregullat e burgut, dhe shkon në Alkatraz”, ishte një nga thëniet e famshme mbi këtë burg. Por ishulli i Alkatrazit në Gjirin e San Franciskos në shtetin e Kalifornisë, ka një histori interesante që shkon përtej të qenit vetëm një vend i vuajtjes së dënimit.

Në vitet 1850 ishte një bazë ushtarake

I eksploruar në fillim nga spanjolli Huan Manuel de Ajala në 1775, Alkatraz është emri i amerikanizuar i ‘Isla de los Alcatraces’ (Ishulli i Pelikanëve). Pas përfundimit të Luftës Meksikë SHBA në vitin 1848, Kalifornia u bë pjesë e Shteteve të Bashkuara. Dhe në vitet 1850, në ishull u ndërtua një bazë ushtarake amerikane. E pajisur me më shumë se 100 topa, ajo monitoronte aktivitetin detar në Gjirin e San Franciskos, duke penguar hyrjen e të huajve që zbarkonin shpesh atje për të kërkuar ar.

Burgu u ndërtua nga vetë të burgosurit

Kur nevoja për mbikëqyrjen e armatosur të Gjirit mbaroi, ushtria amerikane e shkatërroi fortesën që kishte ndërtuar, duke lënë të paprekur vetëm themelet e bodrumit. Gjatë viteve 1909-1911, të burgosurit nga radhët e ushtrisë u detyruan të punojnë për të ndërtuar një strukturë të re që do të strehonte të dënuarit e Bregun Perëndimor.
Ushtria ia transferoi pronësinë e ishullit Departamentit të Drejtësisë në vitin 1933. Dhe pikërisht nga ai moment, Alkatraz u bë sinonim i burgut më të keq në botë, duke strehuar gangsterë famëkeq si Al Kapone apo Xhorxh Keli.

Jeta në Alkatraz nuk ishte gjithmonë e tmerrshme

Alkatraz pati që në fillimin reputacionin e ndarjes së kriminelëve më të regjur të Amerikës, nga pjesa tjetër e popullsisë. Ndonjëherë, të burgosurit nuk kishin mundësi as të flisnin me njëri-tjetrin. Por kushtet brenda burgut, nuk ishin dhe aq të këqija sa janë portretizuar shpesh nëpër filma.
Të burgosurit kishin shpesh qelinë e tyre personale. Madje disa të burgosur kërkuan vetë të transferoheshin aty, pasi mundësia e përplasje të dhunshme ishte më e vogël. Arsyeja pse disa nga kriminelët më famëkeq të kohës si Al Kapone u dërguan atje ishte zakonisht për shkak të rutinës së rreptë. Të burgosurit kishin pak privilegje përveç 4 elementëve bazikë:ushqim, strehim, veshmbathje dhe kujdes mjekësor.

LEXO EDHE:  Koronavirusi mund t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë botërore

LEXO EDHE:  Investigimi/ Ja si Vladimir Putin tentoi të vërë nën kontroll politikën italiane

Shanset për t’u arratisur ishin minimale



Shumë njerëz e njohin historinë e Frenk Morris, Xhon Englin dhe Klarens Englin, që tentuan të arratisen nga burgu në vitin 1962, duke përdorur një trap të bërë me copa plastmasi. Askush nuk e di nëse 3 burrat ia dolën, por shanset që të kenë shpëtuar gjallë janë të pakta. Nga 36 burrat që tentuan arratinë në 29 vitet e funksionimit të atij burgu (1934-1963), 23 u kapën, 6 u vranë nga rojet, dhe 2 u mbytën. Pesë të tjerë, përfshirë Morris dhe vëllezërit Eglin, rezultojnë ende sot të zhdukur.

Gardianët e burgut jetuan në Alkatraz bashkë me familjet e tyre

Fëmijët e tyre peshkonin dhe e kalonin kohën në ambientet sociale, që kishin pishina. Familjarët bënin shpesh udhëtime me varkë fundjavave në bregun përballë për të bërë pazar. Ndërsa e kishin të ndaluar të mbanin kontakte me të burgosurit, disa prej tyre shihnin gjithë kërshëri kur mbërrinin të burgosurit e rinj me pranga në duar.

U mbyll në vitin 1963 për shkak të kostos së madhe të mirëmbajtjes

Uji shumë i kripur i detit, gërryente vazhdimisht muret e burgut, duke e rritur shumë koston e mirëmbajtjes. Në vitet 1950, mbajtja e një të burgosuri në Alkatraz i kushtonte shtetit amerikan 10.1 dollarë në ditë, ose 3 herë më shumë sesa në shumicën e burgjeve të tjera federale. Ndërkohë, burgu kishte nevojë për një furnizim të vazhdueshëm me ujë të pijshëm, që çohej çdo javë me anije.

Në vitin 1969, u “pushtua” në shenjë proteste nga një grup studentësh

Shkaku:të tërhiqnin vëmendjen e qeverisë amerikane ndaj trajtimit të indianëve vendas. Protesta u drejtua nga Riçard Ejks, student në Universitetin Shtetëror të San Franciskos, dhe zgjati gjithsej 19 muaj. Autoritetet e morën situatën nën kontroll në vitin 1971, kur grupi i protestuesve ra nga 400 në vetëm 15. Gjithsesi protesta e arriti synimin e saj:presidenti Riçard Nikson ndryshoi qasje në vitin 1970, duke i dhënë fund konfiskimit të tokave të indianëve të Amerikës.

Mbetet ende sot një nga atraksionet turistike më të njohura

Ishulli i Alkatrazit u shndërrua në një park, dhe në vitin 1972 u bë pjesë e sistemit të parqeve kombëtare të SHBA-së. Nëse doni ta vizitoni, mund të bëni rezervimin paraprak, bashkë me rezervimin e vendit në traget. Kur të zbrisni, një ciceron do t’ju orientojë nëpër të gjitha pjesët e burgut, përfshirë qelinë ku qëndroi dikur Al Kapone. Ishulli vizitohet çdo vit nga më shumë se 1.5 milionë njerëz./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse zhvillojmë imunitet gjatë gjithë jetës ndaj disa sëmundjeve, por jo ndaj të tjerave?

Publikuar

-

Nga

Disa sëmundje, si fruthi, na infektojnë vetëm një herë në jetë, dhe zakonisht na japin një imunitet të përjetshëm. Për sëmundjet e tjera si gripi, ne duhet të vaksinohemi vit pas viti. Atëherë, pse zhvillojmë imunitet gjatë gjithë jetës ndaj disa sëmundjeve, por jo ndaj të tjerave?
Dhe ku klasifikohet koronavirusi mes tyre? Nëse ne zhvillojmë apo jo imunitet ndaj një sëmundjeje, kjo varet shpesh nga antitrupat tanë, të cilat janë proteina që i prodhon trupi ynë si përgjigje ndaj infeksionit. Antitrupat janë një nga mbrojtjet më të njohura të trupit:Ato i rrethojnë qelizat “pushtuese” dhe në rastin më të mirë, i pengojnë ato të marrin nën kontroll qelizat tona, dhe të shumohen.

Pasi ne shërohemi nga një infeksion, nivelet e antitrupave shpesh zvogëlohen, por të paktën disa janë aty të gatshme për të rritur sërish prodhimin, nëse e njëjta sëmundje sulmon prapë. Kjo është arsyeja pse një test mbi antitrupat, mund t’ju tregojë nëse keni qenë të infektuar në të kaluarën. Ndërkohë, është kjo ajo që zakonisht na pengon të sëmuremi për herë të dytë. “Trupi ynë nuk harron”- thotë Mark Xhenkins, imunolog në Universitetin e Minesotës. “Kur ri-prekemi nga një sëmundje, kjo nuk ndodh sepse trupi ynë e ka humbur imunitetin. Ne ri-sëmuremi ose sepse patogjeni ka pësuar mutacion dhe sistemi ynë imunitar nuk e njeh më atë, ose sepse trupat tanë kanë tendencë të kenë një përgjigje imunitare shumë më të dobët”- thotë ai.

Për shembull, merrni gripin. Ky është një virus që mund të ndryshojë lehtësisht gjenet e tij, thotë Xhenkins. Teksa sistemet tona imunitare e shkatërrojnë një version të virusit, lind një variant tjetër, të cilin sistemet tona imunitare nuk e njohin.
Por jo të gjitha viruset ndryshojnë kaq lehtë. Për shembull, virusi i poliomielitit nuk mund ta ndryshojë me lehtësi gjenomin e tij, thotë Xhenkins. Kjo është arsyeja, pse kemi qenë kaq të suksesshëm në thuajse zhdukjen e tij.

E ftohura e zakonshme, por edhe viruset e tjera që zakonisht nuk kalojnë përtej pjesës së sipërme të sistemit të frymëmarrjes, nuk na ri-infektojnë sepse ndryshojnë shumë shpejt, por sepse trupi ynë nuk prodhon zakonisht shumë antitrupa kundër këtyre patogjenëve të tillë, shprehet Mark Slifka, imunolog në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Primate në Oregon, SHBA.
“Trupat tanë nuk shqetësohen dhe aq për traktin e sipërm të frymëmarrjes”- thekson ai. Dhe kjo është ajo që ne po shohim me simptomat e buta të Covid-19 tek shumica e njerëzve. Virusi ngjitet vetëm pas traktit të sipërm të frymëmarrjes, dhe aty trupi nuk e trajton si një kërcënim.



Në një studim të këtij viti, 10 nga 175 pacientë që kishin pasur simptoma të buta të Covid -19, zhvilluan pak ose aspak antitrupa. Për sëmundjet që nuk bëjnë pjesë në asnjërën prej këtyre kategorive, imuniteti ka tendencë të zgjasë shumë më gjatë.
Kështu, një studim i vitit 2007 i publikuar në “New England Journal of Medicine”, zbuloi se do të duheshin më shumë se 200 vjet që të zhdukej gjysma e antitrupave që keni, pasi kaloni fruthin ose shytat. I njëjti studim gjeti rezultate të ngjashme për virusin Epstein-Barr, i cili shkakton sëmundjen e mononukleozës.

LEXO EDHE:  Ç’më mësoi Ebola për koronavirusin/ Paniku nuk na çon askund

LEXO EDHE:  Pse dashurojmë?/ Origjina dhe evolucioni i ndjenjës kryesore në këtë botë

Por përgjigjet e antitrupave nuk zgjasin gjithmonë. I njëjti studim zbuloi se duhen rreth 50 vjet për të humbur gjysmën e antitrupave nga sëmundja e lisë së dhenve, dhe 11 vjet për të humbur gjysmën e antitrupave nga sëmundja e tetanozit.
Kjo do të thotë që pa u vaksinuar, teorikisht ju mund të infektoheni sërish nga një prej këtyre sëmundjeve në moshë madhore. Shkencëtarët nuk janë ende të sigurt se pse ruajmë më gjatë përgjigjet tona të antitrupave për disa sëmundje, në krahasim me të tjerat.
Ka të ngjarë që disa nga sëmundjet më të zakonshme, si lija e dhenve dhe mononukleoza,
na ri-sëmurin më shpesh sesa e kuptojmë, por që antitrupat që ne kemi e shtypin infeksionin, para se ta vërejmë simptomat fizike në trupin tonë, thotë Xhenkins. Dhe në ato raste, sistemi imunitar është sërish në kapacitet të plotë për shkak të ri-infektimeve.

“Ato e mbajnë vigjilent imunitetin tonë. Ndryshe ndodh me tetanozin, kur ne ndoshta ekspozohemi më rrallë ndaj tij, pasi nuk ndodh shpesh të shkelim në gozhdë të ndryshkura”- thotë ai. Shkencëtarët e tjerë, mendojnë se sistemi imunitar i njeriut është i trajnuar për të shënjestruar patogjenët që “shfaqen” në një formë të caktuar, thotë Slifka.
Një teori sugjeron që ne krijojmë një përgjigje imune më të madhe, dhe më të zgjatur në kohë ndaj patogjenëve që na sulmojnë më shpesh. Për shembull, antitrupat që prodhojmë ndaj lisë, janë të përjetshme. Por tetanozi nuk është aspak përsëritës. Është toksina e prodhuar nga bakteret e tetanozit, dhe jo vetë bakteri ai që na sëmur.

Bazuar në këtë teori, është e mundur që trupat tanë të mos jenë aq të stërvitur për ta shënjestruar këtë proteinë të vetme, thekson më tej Slifka. Pra, a do të jetë imuniteti ndaj koronavirusit të ri – nga sëmurja prej tij, apo vaksina – aq i zgjatur në kohë sa imuniteti ynë
ndaj lisë, apo do të na duhet çdo vit një vaksinë e re? Xhenksins shpreson që po. Të gjitha të dhënat, si nga infeksionet natyrore ashtu edhe nga vaksinat, sugjerojnë se shumica e njerëzve po prodhojnë antitrupa neutralizues, dhe me një shumëllojshmëri që parandalon depërtimin e viruseve në qelizat tona, thotë Xhenkins. Dhe ndryshe nga gripi, SARS-CoV-2, virusi që shkakton Covid-19, nuk po ndryshon shumë shpejt. “Ky virus, ka tiparet e viruseve mbi të cilat ne kemi qenë shumë të suksesshëm me vaksinimet”- përfundon ai./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Bolshevikët donin ta vrisnin, por një lojë shahu i shpëtoi jetën: Historia e pazakontë e Osip Bernshtajnit

Publikuar

-

Nga

Bolshevikët donin ta vrisnin, por një lojë shahu i shpëtoi jetën: Historia e pazakontë e Osip Bernshtajnit

Shahu është një lojë e strategjive, dhe strategjia më e mirë është ajo që të jep fitoren. Kampionët e shahut, fitojnë çmime me vlera të mëdha monetare në fund të turneve ndërkombëtare. Por në këtë rast, çmimi ishte edhe më i lartë.

Në lojën e shahut që Osip Bernshtajni luajti në vitin 1918, në rrezik ishte vetë jeta e tij. Osip Bernshtajn ishte një shahist i famshëm ruso-francez, dhe një avokat i suksesshëm në fushën e financave. Me shumë fitore në karrierën e tij të gjatë në shah, ai u bë i njohur në të gjithë Perandorinë Ruse, dhe mori titullin Mjeshtër i Madh i shahut në vitin 1950.

Përveçse i solli shumë çmime, loja e shahut i shpëtoi jetën Bernshtajnit kur gjërat morën tatëpjetën pas Revolucionit të Tetorit. Po kush ishte Osip Bernshtajni? Lindi më 20 shtator 1882 në qytetin Zhitomir, në Perandorinë Ruse. Në vitin 1906, Bernshtajn u diplomua për drejtësi në Universitetin Haidelberg, dhe nisi karrierën e tij si avokat në fushën e financave. Revolucioni i Tetorit 1917, solli ndryshime të mëdha në të gjithë Perandorinë Ruse.

Disa nga ndryshimet përfshinin sekuestrimin e pronës private, shtetëzimin e të gjitha bankave ruse, konfiskimin e llogarive bankare private, dhe vrasjen e të gjitha atyre që kishin bashkëpunuar me bankierët dhe familjen mbretërore. Dhe një nga ata ishte pikërisht Osip Bernshtajni. Në vitin 1918, pas Revolucionit të Tetorit dhe gjatë Luftës për Pavarësinë e Ukrainës, Bernshtajni po punonte në Odesa si një këshilltar ligjor i një bankieri. Për shkak të bashkëpunimit të tij me bankat dhe mbështetjes ndaj kapitalizmit, u arrestua nga CHEKA- policia sekrete bolshevike, që u krijua enkas për të shfarosur të gjithë armiqtë politikë të shtetit komunist.
Pas arrestimit, u urdhërua të ekzekutohej nga një togë pushkatimi. Ditën e ekzekutimit, ndërsa toga po përgatitej të qëllonte mbi të, eprori i tyre kërkoi të shihte listën me emrat e të burgosurve, që ishin përzgjedhur të ekzekutoheshin atë ditë.



Duke qenë i pasionuar pas shahut, oficeri e njohu menjëherë emrin e Osip Bernshtajnit. Ai e pyeti nëse ai ishte vërtet mjeshtri i famshëm i shahut, dhe Bernshtajn e konfirmoi këtë. Por përgjigja nuk mjaftoi që oficeri të bindej, ndaj ai kërkoi të luante një lojë shahu me të. Kushtet e lojës ishin shumë të thjeshta:nëse Bernshtajn do të fitonte, dhe vërtetonte se ishte realisht një mjeshtër në shah, nuk do të vritej, përkundrazi do të lirohej. Nëse humbte apo refuzonte të luante, do të pushkatohej me të tjerët.

LEXO EDHE:  Si mund ta udhëheqin NATO-n Gjermania dhe SHBA-ja

LEXO EDHE:  Që nga zërat për fantazma tek pishina poshtë sallës së konferencave/ 13 fakte që nuk dinit mbi Shtëpinë e Bardhë

Bernshtajn arriti ta fitojë pa asnjë vështirësi lojën, dhe u lirua menjëherë. Duke u ndjerë i pasigurt në Bashkimin Sovjetik, Bernshtajn dhe familja e tij shkuan në Paris. Atje ai e vazhdoi karrierën e tij si avokat financiar, teksa vazhdoi të luante shah si përfaqësues i Francës.
Bernshtajn qëndroi në Francë deri në vitin 1940, kur edhe Franca kapitulloi dhe u pushtua nga nazistët. Për shkak të origjinës së tij hebreje, u procedua penalisht nga autoritetet e reja. Gjatë verës së atij viti, ai u arratis drejt Spanjës, kur një patrullë kufitare spanjolle e arrestoi bashkë me familjen e tij.

Për fatin e tij të mirë, disa nga miqtë e tij me ndikim në Spanjë, arritën të negociojnë lirimin e tij, dhe bënë të mundur qëndrimin e tij atje derisa të mbaronte lufta. Bernshtajn u rikthye në Paris në vitin 1945. Një nga lojërat më interesante të shahut prej tij ndodhi në vitin 1954 kur ai ishte 72-vjeç. Në turneun e mbajtur në Montevideo të Uruguajit, Bernshtajni ai arriti në gjysmëfinale, ku duhej të luante kundër Migel Najdorf. Najdorf u ofendua që i duhej të luante kundër një kundërshtari aq të moshuar, dhe ishte aq i sigurt se do ta mundte, saqë arriti të bindë organizatorët të dyfishonin shumën e parave për vendin e parë, në kurriz të uljes sa shumës së parave për vendet e tjera.
Por Bernshtajn e mposhti me vetëm 37 lëvizje, dhe e bëri atë të pendohej për vendimin që mori mbi çmimin e parë. Gjatë jetës së tij, Osip Bernshtajn e fitoi dhe humbi 3 herë pasurinë. Herën e parë gjatë Revolucionit Bolshevik, të dytën gjatë Depresionit të Madh, dhe kur fitoi një pjesë të parave, ai i humbi sërish ato kur Gjermania naziste pushtoi Francën. Por më e rëndësishmja:ai arriti të ruajë thesarin e tij më të çmuar, jetën e tij. Bernshtajn vdiq më 30 nëntor 1962 në një sanatorium në Francë, në moshën 80-vjeçare./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE