Connect with Us

Shumë mjekë janë të sigurtë/ Koronavirusi është bërë më pak agresiv, por debati vazhdon

Blog

Shumë mjekë janë të sigurtë/ Koronavirusi është bërë më pak agresiv, por debati vazhdon

Publikuar

-

Mjekët italianë pretendojnë tashmë se koronavirusi është dobësuar jashtëzakonisht shumë, në krahasim me kohën kur u përhap në fillim me shpjtësi në gjithë botën në fillim të këtij viti. Shefi i Spitalit San Rafaele të Milanos, dr Alberto Zangrilo, thotë se sëmundja tani është shumë më pak vdekjeprurëse, dhe se në Itali “ajo nuk ekziston më në aspektin klinik”.

Mjeku personal i ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, theksoi se pacientët e infektuar rishtas tregojnë simptoma më të buta, dhe se numri i viruseve në sistemin e tyre, është ulur ndjeshëm midis muajve mars dhe maj. Teoria shkencore, sugjeron që viruset mund të bëhen më të dobëta, ndërsa pamundësia për të kaluar në më shumë njerëz, do ta kufizojë shumë aftësinë e tyre për t’u përhapur.

Por jo të gjithë ekspertët u besojnë pretendimeve të fundit. Presidenti i organit këshillimor shkencor të qeverisë italiane, Franko Lokateli se ai ishte “i hutuar” nga fjalët e dr.Zangrilos, ndërsa një epidemiolog në Universitetin e Stenfordit, e quajti raportin një budallallëk.

Viruse si HIV dhe e ftohura e zakonshme stinore, kanë ndryshuar në të njëjtën mënyrë pretendojnë hulumtuesit. Por kritikët thonë se këto sëmundje e kanë bërë këtë gjatë shumë viteve, në një kohë që koronavirusi është shfaqur tek njerëzit vetëm në dhjetorin e vitit të kaluar.

Shkencëtarë të tjerë, kanë thënë se nuk ka prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se Covid-19 ka pësuar mutacione. Studimi i San Rafaeles, u bazua në mostrat e 200 pacientëve të marra gjatë 10 ditëve të fundit, krahasuar me ato të kryera një muaj më parë.

Drejtori i Laboratorit të Mikrobiologjisë dhe Virologjisë në Spitalin San Rafaele, Masimo Klementi tha se ngarkesat virale të pranishme në këto mostra, treguan se virusi ishte “dobësuar shumë”. Edhe shefi i klinikës së sëmundjeve infektive në spitalin San Martino të Xhenovës, Mateo Baseti, i mbështet këto pretendime.

Ai tha:”Forca që kishte virusi 2 muaj më parë, nuk është e njëjta më atë që ka sot”. Dr. Zangrilo e bëri deklaratën e diskutueshme në televizionin shtetëror RAI. Duke u kërkuar politikanëve që të heqin sa më shpejt masat emergjente kufizuese, ai tha:

”Në realitet, virusi në aspektin klinik nuk ekziston më në Itali. Ne duhet të rikthehemi të jemi një vend normal. Dikush duhet të marrë përgjegjësi për terrorizimin e vendit. Unë e them këtë gjë i vetëdijshëm për tragjedinë e atyre pacientëve që tashmë kanë vdekur. Por ne nuk mund të vazhdojmë t’u kushtojmë gjithë vëmendjen më shumë profesorëve të vetëshpallur sesa virologëve dhe punonjësve të spitalit. Në një kuptim klinik, virusi nuk ekziston më. Unë jam i përgatitur ta vendos emrin tim në këtë deklaratë. Ne duhet të kthehemi të jemi një vend normal, pasi statistikat tregojnë se kemi çdo aftësi për ta bërë këtë gjë”.

Italia ka pasur numrin e tretë më të lartë zyrtar të vdekjeve në botë, me 33.475 viktima. Deri tani janë 233.197 raste të konfirmuara me Covid-19, në spital ndodhen 6.387 pacientë, prej të cilëve 435 në terapi intensive, ndërsa 32.253 të tjerë janë vetë-izoluar në shtëpi me simptoma të lehta.

Dr.Zangrilo theksoi se epidemitë e mëparshme, përfshirë SARS-in dhe MERS-in u larguan vetë. Ai shtoi:”Ne duhet të jemi të kujdesshëm, por jo ta vrasim veten në mënyrë të panevojshme. Pavionet tona spitalore po zbrazen nga të sëmurët”. Ndërkohë presidenti i Këshillit Kombëtar të Shëndetit, që këshillon qeverinë italiane, Franko Lokateli tha se mund të shprehej vetëm i befasuar nga ky studim. Ai theksoi:”Mjafton të shihni vetëm numrin e rasteve të reja pozitive të konfirmuara çdo ditë, për të parë qarkullimin e vazhdueshëm të virusit në Itali”.

LEXO EDHE:  "Me përpjekje të përbashkëta do ta kapërcejmë"/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mesazh për koronavirusin

Edhe dr.Anxhela Rasmusen e Universitetit të Kolumbias në SHBA, tha se nuk ka “prova që virusi po e humbet kudo fuqinë e tij”. Ajo tha se më pak raste, shtrime në spital dhe vdekje, nuk do të thotë që virusi në vetvete është më i dobët se më parë. Epidemiologia e Universitetit të Stenford, dr Sema Xhazmin bëri thirrje që raporti të mos merret shumë parasysh, duke e quajtur atë spekulativ.

Edhe profesor Fransua Ballo nga Universiteti i Londrës tha:”S’ka asnjë provë që SARS-CoV-2, po bëhet më pak virulent dhe i transmetueshëm”. “Përhapja e tij në Itali, është zvogëluar gjatë javëve të fundit, pavarësisht lehtësimit të masave të distancimit social. Kjo në përputhje me atë që është vërejtur në shumicën e vendeve evropiane.

Nëse shkalla në të cilën është aktualisht, i detyrohet vetëm masave të largimit social të mbetura në fuqi, sezonalitetit apo disa faktorëve të tjerë, kjo mbetet për t’u diskutuar. Thënë këtë, ne

nuk duhet të përjashtojmë patjetër një valë të dytë epidemike më vonë këtë vit”- tha ai.

Ekspertët thonë se masat e forta kufizuese, ishin të nevojshme që spitalet të mos mbingarkoheshin. Masat e distancimit social, po lehtësohen në mënyrë progresive në vendet ku epidemia është vënë nën kontroll. Ndërkohë dr.Oskar Maklin thotë se pretendimet për ndryshim të forcës së virusit nuk mbështeten mbi literaturën shkencore, dhe se janë shumë të diskutueshme në aspektin gjenetik.

“Pjesa dërrmuese e mutacioneve SARS-CoV-2 janë jashtëzakonisht të rralla, prandaj përderisa disa infeksione mund të dobësohen nga mutacione të caktuara, nuk ka shumë të ngjarë që ato të jenë të zakonshme sa duhet për të ndryshuar natyrën e virusit në nivel kombëtar ose global”- thekson ai.

Sipas Maklin, ndjeshmëria ndaj virusit ndryshon ndjeshëm në grupmosha dhe grupet e ndryshme të rrezikuara, ndaj rezultatet e infeksionit ndryshojnë në mënyrë drastike në mesin e individëve

të ndryshëm. “Ndërsa në mbarë botën janë shtuar testimet, rastet asimptomatike, dhe ato me simptoma të buta që më parë nuk do të ishin zbuluar, tani janë shumë më të prirura të identifikohen. Por është rëndësishme të mos e ngatërroni këtë me ndonjë dobësim të koronavirusit.

Pretendime të tilla, bazuar vetëm në vëzhgime rastësore, janë të rrezikshme. Ndërsa dobësimi i virusit nëpërmjet mutacioneve që pëson është teorikisht i mundur, kjo nuk është diçka që duhet të presim domosdoshmërisht, dhe çdo pretendim i kësaj natyre do të duhet të verifikohet në një mënyrë më sistematike. Pa prova dukshëm më të forta, askush nuk duhet të minimizojë në mënyrë të panevojshme rrezikun që paraqet virusi shumë virulent, dhe të rrezikojë mbarë shoqërinë”- përfundoi ai./ Metro.co.ukPërshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Trazirat në mbarë SHBA-në, si kosto e liberalizmit të demokratëve

Publikuar

-

Nga

Nga Miranda Devine “The New York Post”

* Tragjedia e trazirave të mëdha të shkaktuara në mbarë SHBA-në nga vdekja e Xhorxh Floidit, u evokua më së miri nga një grua afro-amerikane e moshuar, e intervistuar nga bashkëpunëtori lokal i televizionit ABC Neës në lagjen e saj të rrënuar në Mineapolis.

“Këta njerëz vepruan kështu pa asnjë arsye”- tha duke qarë Stefani Vilford, që jeton në një apartament pranë vendit ku u grabitën dhe u dogjën dyqanet të premten e shkuar. “Ata shkuan dhe plaçkitën çdo dyqan ku unë shkoj psonis zakonisht. Unë s’kam ku të shkoj tani, dhe nuk kam asnjë mënyrë për të shkuar diku tjetër, pasi shërbimi i transportit urban nuk po funksion. Dhuna nuk do ta ringjallë Xhorxhin. Ai ndodhet tashmë në një vend më të mirë se sa ne. Që të jem e sinqertë, uroj të isha aty ku ndodhet sot Xhorxhi”- theksoi ajo.

Por ndërkohë agjitatorët liberalë, as që duan t’ja dinë për Stefaninë dhe komunitetet e varfra urbane, që janë dëmtuar shumë nga histeria disaditore e dhunës. Ata janë shumë të zënë duke ëndërruar fajtorët imagjinarë. Në rrjet qarkullojnë shumë video të njerëzve të veshur me të zeza, që shkatërrojnë sistematikisht dritaret e dyqaneve, plaçkisin, çajnë gardhet mbrojtëse jashtë stacioneve policore.

Këta janë terroristët vendas, që kanë përvetësuar protestat paqësore në të gjithë vendin. Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr i përshkroi ata në konferencën e tij për shtyp të së shtunës së shkuar si “radikalë dhe agjentë të jashtëm, që po e shfrytëzojnë situatën për të ndjekur axhendën e tyre të veçantë dhe të dhunshme”.

“Në shumë vende, duket se dhuna është e planifikuar, e organizuar dhe e drejtuar nga ekstremistët anarkistë dhe ekstremistët e majtë, duke përdorur taktikat e lëvizjes radikale ANTIFA”- tha ai. Është kjo arsyeja pse Prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keit Elison pretendon se nxitësit e jashtëm në trazirat e Minneapolis ishin “supremacistët e bardhë” që votojnë Trumpin, pasi ish-nënkryetari i Konventës Kombëtare të Deokratëve, është një nga ata në partinë e tij, që e ka normalizuar Antifa-n si një pjesë të dobishme të procesit politik në SHBA.

Shihni se çfarë thoshte në postimin e tij në Tuiter në janarin e vitit 2018, kur posti një selfi në një librari para librit “Antifa:Manuali anti-fashist”, duke shkruar:”Unë sapo gjeta librin, që ndez frikërat më të mëdha në zemrën e Donald Trumpit”.

Nuk është ndonjë çudi që ai dhe pjesa tjetër e udhëheqjes demokrate në Minesota, po përpiqen që të distancohen nga dështimet e tyre të vazhdueshme në administrimin e rendit publik. Pa ndryshim, janë qytetet e drejtuara nga demokratët me një qasje të butë ndaj krimit, ato ku forcat e policisë po i tradhtojnë njerëzit që supozohet se duhet të mbrojnë.

Forca e policisë në Mineapolis, është krijesa e një qyteti që ka pasur drejtues demokratë për gati 50 vjet. Sikurse u shpreh ish-kryebashkiaku republikan i Nju Jorkut Rudi Xhuliani për “Fox Neës” gjatë fundjavës:Nëse doni që të jeni të sigurtë, mos votoni më për demokratët progresistë!”.

Ishte kryebashkiaku i Mineapolis, Xhejkob Frej, ai që vendosi largimin e policisë nga godina e  saj, duke lejuar që ajo të sulmohej dhe digjej nga rebelët. Për 4 netë, kriminelët sulmuan qytetin e tij dhe terrorizuan banorët, ndërsa policia nuk shihej askund.

LEXO EDHE:  Covid-19/ Qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore

LEXO EDHE:  Rëndohet bilanci në Itali/ 651 të vdekur në 24 orët e fundit, 59138 të infektuar

Në vend se frenonte aktet e dhunës, Frej vendosi një precedent të tmerrshëm, duke lejuar që ky model të përhapet në të gjithë vendin. “Tullat dhe llaçi, nuk janë aq të rëndësishme sa jeta e një njeriu”-deklaroi ai në një konferencë për shtyp të enjten e shkuar, ndërsa qyteti po digjej.

Është thjesht një pronë, thonë liberalët. Por prona që ata e injorojnë kaq lehtë, mund të jetë puna e një jete, siç ishte rasti i barit të djegur në Mineapolis, ku Korboi Balla, një zjarrfikës zezak, kishte investuar kursimet e gjithë jetës së tij. Lokali u shkatërrua disa ditë para se të hapej në fillim të kësaj jave.

Dyqanet dhe bizneset, janë “limfa” e një komuniteti, dhe shumë prej tyre nuk do të kthehen më pas, duke shkaktuar më shumë mjerim për më të prekurit nga këto trazira. Në çdo rast, mungesa e policisë shkaktoi një dhunë të tmerrshme. Në të gjithë mediat sociale, ka video të turmave që  ndjekin njerëzit e pambrojtur, duke i goditur ata me shkelma edhe kur ishin të shtrirë përtokë. Grabitësit rrahën pronaren e një dyqani me copa dërrasash para bashkëshortit të saj. Një burrë që thuhet se po përpiqej të mbronte dyqanin e tij u rrah gjithshtu rëndë. Njerëzit e këqij ekzistojnë kudo. Kjo është arsyeja pse të prekurit kanë nevojë për forcat e policisë, të cilat për ndonjë arsye perverse, progresistët vazhdojnë të përpiqen të mos i fuqizojnë.

Kur kanë mbetur vetëm 5 muaj nga zgjedhjet presidenciale, demokratët janë duke u përpjekur që të fitojnë kapital politik nga këto trazira, duke tëntuar që ta bëjnë të duket keq presidentin Trump në sytë e opinionit publik. Por ai është një president i prirur drejt rendit dhe ligjit, dhe që të shtunën që shkoi u zotua: “Administrata ime do të ndalojë dhunën e turmave!”.

Ashtu si trazirat e vitit 1968, që i çuan votuesit e shqetësuar nga kaosi të zgjedhnin president republikanin Riçard Nikson, edhe ato të vitit 2020 ka të ngjarë të jenë në favor të Trumpit. Katër policë të departamentit të policisë së Nju Jorkut (NYPD), u dogjën thuajse të gjallë kur një koktej molotov u hodh në makinën e tyre gjatë fundjavës.

Një oficer tjetër u godit në fytyrë me një tullë. Vetëm mbrëmjen e së shtunës, 33 policë u plagosën në përplasje me protestuesit. Shefi i Departamentit të NYPD Terenc Monahan e përshkroi atë si “një përpjekje të organizuar për të sulmuar policinë” me shishe, tulla, kokteje molotovi dhe shufra shekuri.

Në dallim nga Mineapolis, reagimi i fuqishëm i NYPD ndaloi shkatërrimin e qytetit, dhe ndoshta shpëtoi jetë njerëzish. Por në vend se t’i falënderonte ata, guvernatori demokrat Endrju Kuomo e cilësoi sjelljen e tyre si “shqetësuese”, dhe dëshiron të hapë një hetim mbi ta. Turp!/ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Masakra e Tiananmenit/ Si Pekini iu kundërvu vullnetit të popullit për demokraci

Publikuar

-

Nga

Nga Ben Westcott “CNN”

* Kur agoi 4 qershori 1989, populli kinez u zgjua në një vend që kishte ndryshuar rrënjësisht brenda natës. Për 7 javë me radhë, u duk sikur Kina ishte në prag të një ndryshimi të madh shoqëror. Por vetëm brenda një nate, ëndrrat e qindra mijëra studentëve dhe punëtorëve protestues u shtypën brutalisht nga ushtria.

Për rreth një dekadë, ekonomia e Kinës komuniste kishte hedhur hapa të vazhdueshme drejt hapjes, dhe kishte lejuar një numër të kufizuar sipërmarrjesh të lira në vendin komunist, pas viteve të një kontrolli të rreptë shtetëror nën kryetarin legjendar Mao Ce Dun.

Me ndryshimin e udhëheqjes, lideri i ri, Tenj Hsio Pin, donte ta shihte Kinën të përparonte duke përqafuar një liberalizim të tregut. Por kur protestat në shkallë të gjerë në Pekin kërkuan liri më të mëdha sociale, siç është ajo e fjalës dhe madje edhe demokraci, Ten do të tregohej shumë më pak entuziast.

Protestat nisën në prillin e vitit 1989, të nxitura nga vdekja e ish-drejtuesit të Partisë Komuniste Kineze Hu Jaobang në moshën 73-vjeçare. I konsideruar nga publiku si një kampion i masave liberale, Hu ishte rrëzuar nga pushteti dy vjet më parë, dhe vdekja e tij më 15 prill u shoqërua me një zi në mbarë vendin.

Tri ditë më vonë, mijëra studentë të pikëlluar marshuan nëpër Pekin, duke kërkuar një qeveri më demokratike për nder të Hu. Protestuesit pushtuan Sheshin Tiananmen, hapësirën më të madhe publike në qendër të Pekinit, e cila gjendet përballë Qytetit të Ndaluar, ish-shtëpisë së perandorëve kinezë dhe Sallës së Madhe të Popullit.

Përgjatë një muaj e gjysmë në vijim, numri i studentëve dhe punëtorëve protestues u rrit vazhdimisht. Një miting më datën 19 maj 1989, mblodhi në shesh rreth 1.2 milion njerëz, duke e detyruar kreun e atëhershëm të Partisë Komuniste, Zhao Zijang të takohet me një përfaqësi të protestuesve, duke iu lutur t’i japin fund protestave.

Ai e filloi fjalimin e tij duke thënë:”Studentë, ne erdhën shumë vonë. Na vjen keq!”. Një lider i lëvizjes studentore, lexoi një listë kërkesash të studentëve që po zhvillonin një protestë paqësore duke u ulur në shesh përpara Sallës së Madhe të Popullit në Pekin.

LEXO EDHE:  Berluskoni: Tashmë jam jashtë politikës

LEXO EDHE:  Nuk vendosin virologët në krizën e Covid-19

Por kërkesat u injoruan nga qeveria, dhe kryeministri Li Peng vendosi po atë ditë ligjin ushtarak në qytet. Kamionët plot më ushtarë nisën të mbërrijnë në Pekin pak orë më vonë, por protestat nuk u ndalën. Më 30 maj, në qendër të sheshit Tienanmen, protestuesit ndërtuan një statujë 10 metra të lartë të quajtur Perendesha e Demokracisë, për të forcuar moralin në radhët e turmës së madhe të protestuesve.

Në fund, qeveria komuniste reagoi me shpejtësi. Pas një dy javë të tensionuara, natën e 3 qershorit, kolona trupash të armatosura hynë në Pekin me qëllim spastrimin e sheshit Tienanmen me çfarëdolloj mënyre të nevojshme. Të bllokuar nga civilët në rrugë, të cilët po përpiqeshin të mbronin studentët, trupat hapën zjarr.

Studentët, punëtorët dhe qytetarët e tjerë të zakonshëm kundërsulmuan, duke i vënë flakën disa automjeteve ushtarake. Dëshmitarët treguan histori të tmerrshme të tankeve që shkelnin mbi trupat e protestuesve të paarmatosur, dhe ushtarëve që qëllonin me armë mbi turmën pa bërë asnjë dallim.

Qeveria kineze nuk bëri asnjëherë publike ndonjë numër zyrtar të viktimave, por grupet e të drejtave të njeriut vlerësojnë se bëhet fjalë për qindra në mos mijëra të vdekur. Shumë nga drejtuesit e protestës u burgosën, disa prej të cilëve nuk do të liroheshin për më shumë se një dekadë.

Që atëhere qeveria komuniste ka punuar shumë për të ndaluar çdo lloj kujtese të masakrës nga historia dhe mediat kineze, duke e parë atë si një kërcënim të madh për legjitimitetin e regjimit të saj diktatorial. Dhe kjo praktikë deri më tani duket se ka funksionuar. Edhe sot në 31 vjetorin e asaj ngjarje, në Kinë nuk pritet të ketë asnjë përkujtim publik të asaj masakre./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Koronavirusi/ Si mund të jetë një valë e dytë

Publikuar

-

Nga

Nga Adam Kleczkowski “The Conversation”

* Kur koronavirusi i ri nisi të përhapet me shpejtësi në muajt shkurt dhe mars të këtij vitit, shumë qeveri vunë në zbatim masa të rrepta të karantinës për qytetarët e tyre. Përmes edhe një përpjekje të madhe nga ana e publikut, këto vende kanë qenë të suksesshme në ngadalësimin e përhapjes së pandemisë .

Duke kombinuar qasje të ndryshme të shëndetit publik, vende si Sllovenia dhe Zelanda e Re, e kanë zhdukur tashmë virusin brenda kufijve të tyre. Vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, shënuan një përparim domethënës në ndaljen e përhapjes së sëmundjes.

Megjithatë, bllokimi i jetës normale ekonomike dhe sociale, ka shkaktuar humbje të mëdha ekonomike por edhe dëme sociale në vendet ku janë aplikuar masat më të rrepta të distancimit sociale. Qeveritë, ashtu si dhe publiku, janë tanimë të prirura të nisin heqjen e kufizimeve, dhe rikthimin  në jetën normale.

Por me zbutjen e rregullave kufizuese, po dëgjohen paralajmërimet për një ringjallje të mundshme të rasteve të reja me Covid-19, në atë që është quajtur vala e dytë e pandemisë. Vala e dytë e pandemisë së Gripit Spanjoll në vitet 1918-1920 ishte veçanërisht shkatërruese, ashtu sikurse ishte edhe vala e dytë e epidemisë së virusit të gripit H1N1 në vitet 2009-2010.

Pra, çfarë mund të bëhet për të shmangur një valë të dytë të Covid-19? Që virusi të përhapet, ka nevojë për një furnizim me të infektuar të rinj, dhe një transmetim të suksesshëm nga një njëri tek tjetri. Këta faktorë llogariten nga numri i riprodhimit, R, që është numri mesatar i rasteve të reja të shkaktuara nga një individ i infektuar.

Një vlerë e R mbi 1 do të thotë se numri i rasteve të reja është në rritje, ndërsa nën 1 janë në rënie. Para masave të bllokimit, vlera e R për koronavirusin vlerësohej të ishte midis 2-4. Vende si Kina, Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Britania e Madhe dhe shumica e vendeve evropiane, tani e kanë ulur këtë vlerë nën 1.

Në vende të tjera si Suedia ose Rusia, vlera e R-së mbetet afër mbi 1, duke reflektuar rritjen e numrit të rasteve. Marrëdhënia midis sjelljeve të popullsisë dhe vlerës së R është e ndërlikuar, por mund të përdornim ende këtë koncept për të ilustruar se si mund të jetë vala e dytë e mundshme e Covid-19.

Për sa kohë që ka njerëz të prekur dhe të infektuar në popullatë, virusi mund të vazhdojë të përhapet. Ka prova gjithnjë e në rritje se vala e parë e epidemisë, ka sjellë një imunitet të kufizuar, pak nën nivelin e imunitetit të tufës. Ekzistojnë gjithashtu “xhepa” të një popullate në të cilën virusi jo vetëm që mbijeton, por vazhdon të përhapet.

LEXO EDHE:  Koronavirusi/ A do jetë mes nesh për një kohë të gjatë?

LEXO EDHE:  Nuk vendosin virologët në krizën e Covid-19

Transmetimi në shtëpitë e përkujdesjes për të moshuarit, përbën aktualisht përqindjen më të madhe të rasteve në shumë vende. Ndërsa masat e bllokimit janë lehtësuar, njerëzit kanë filluar të bashkëveprojnë më shumë me njeri-tjetrin. Dhe kjo mund të sjellë vlera të rritura të R-së.

Por është e rëndësishme që vlera e R-së të mbahet nën ose e barabartë me 1.

Por edhe një ndryshim relativisht modest i R në 1.2, do të sillte një valë të re infktimesh, duke shkaktuar valën e dytë të pandemisë, dhe duke treguar se sa e rëndësishme është marrja e masave të duhura të kontrollit. Reagimi ndaj valës së dytë të mundshme të koronavirusit, kërkon përsëritjen e masave të bllokimit.

Por ndërsa shoqëria deri më tani i është bindur kufizimeve në mënyrë të jashtëzakonshme, lodhja nga karantina mund ta bëjë më të vështirë rivendosjen e masave të tilla të rrepta.

Epidemia mund të vazhdojë në vjeshtë dhe dimër kur gripi sezonal të jetë më i përhapur . Ndërsa duket se virusi SARS-CoV-2 nuk ndikohet dhe aq shumë nga kushtet atmosferike, sistemi i kujdesit shëndetësor mund të mbingarkohet në shumë vende nëse COVID-19 dhe gripi sezonal godasin në të njëjtën kohë.

Nga ana tjetër, masat parandaluese që synojnë kryesisht virusin SARS-CoV-2 (si maskat e fytyrës ​​dhe larja e duarve), mund ta zvogëlojnë përhapjen e virusit të gripit. Së fundmi, virusi mund të pësojë mutacione, duke rezultuar në një shtamë edhe më infektues se i pari.

Një mutacion i tillë, mund të ketë ndikuar që vala e dytë e Gripit Spanjoll, të ishte më e rëndë së e para. Nëse diçka e ngjashme do të ndodhë me virusin SARS-CoV-2, epidemia që do të shkaktojë do të bëjë të duket më modeste vala aktuale, edhe nëse vlera e re e R-së do të ishte vetëm 4, krahasuar me 10-12 për shytat ose 12-18 për fruthin.

Shytat dhe fruthi nuk frenohen vetëm nga vaksinimi. Në të ardhmen e afërt, qeverive do t’u duhet të balancojnë në mënyrë delikate nevojat e ekonomisë dhe jetës sociale, me ndalimin e përhapjes së virusit. Testi, gjurmimi i kontakteve, dhe përgjigjet lokale janë elementet kryesore të strategjisë anti-Covid 19. Modelet dhe konceptet epidemiologjike sikurse është numri R mund të ndihmojnë në përcaktimin se ku, si, kur dhe për sa kohë, qeveritë duhet të ndërhyjnë për të parandaluar valën e dytë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE