LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Lul Basha po negocion për LSI-në, jo për PD-në!

3 Qershor 2020, 13:54, Politikë CNA
Lul Basha po negocion për LSI-në, jo për PD-në!

Bisedimet për Reformën Zgjedhore duket sikur po vazhdojnë.

Të spostuara në divanin e rezidencës së ambasadores USA, përfaqësuesit e 3 partive vijojnë të merren me detajet e neneve të caktuara të draftit.

Ne nuk e dimë se çfarë po kupton ambasadorja rishtare nga ato biseda, por njohim negociatorët e vërtetë. Dhe ata janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Të tjerët janë zëdhënësa, sekretarë, bashkshorte ose mëkëmbësa. Por kushtet dhe miratimin reciprok e dirigjojnë këta të dy.

Nuk ka asnjë dyshim për shembull që nga ato negociata, do dalin përkufizime ligjore për një shumicë pa kompetenca numëruesish dhe kompozime organesh kolegjiale ku PS dhe PD do kenë përfaqësues të barabartë dhe shtesa do i lihet LSI-së.

Në këtë negociatë Lulzim Basha nuk është për vete. Është aty me emrin e tij dhe me të caktuarin prej tij në atë negociatë, pasi është rrethuar ai vetë nga Ilir Meta dhe Monika, dhe i caktuari prej tij i rrethuar nga Petrit Vasili.

Ne nuk e dimë nëse ambasadorët kanë mësuar ndonjë gjë nga kurthet e këtyre personazheve që stisin zënka negociatash për t?i lënë mundësinë në fund ambasadorëve që të gëzohen kur këta të kenë kryer qëllimin e vet, e të bëjnë sikur më në fund po bien dakord.

Në fund të fundit duhet bërë diçka që edhe amnasadorët të gëzohen.

Negociatat për opozitën qartazi po i udhëheq Ilir Meta.

A nuk u tall ai me Lulin e PD-së kur nxorri Çim Pekën që të thonte që Luli ishte trimëruar dhe i kishte kërcitur dhëmbët ambasadores?

S’e kuptojmë pse reagoi e fyer ambasadorja pasi Meta nuk u tall me të. U tall me Lulin. Shqiptarët e kuptuan. Ndaj dhe ambasadorja mundet të kishte pyetur shqiptarin e parë që do takonte e që mund të kishte dalë sot për xhiro nga liqeni. Dhe ai mund t’ja kishte sqaruar deklaratën e Pekës nëse ajo i duket asaj e pakuptimtë.

Zonja ambasadore! Ajo që u vu në gojën e Pekës, nuk ka dalë nga goja e Lulit. I është përcjellë atij nga Ilir Meta. Ndaj mos u shpërqendro nga teatri që po të luhet në divanin e shtëpisë.

Aty po të ndahen thelat e pushtetit mbi procesin zgjedhor. Kije mendjen tek ato që po të rreshtohen si formula kompromisi. Aty do gjesh sistematikisht pjeseën e Ilir Metës.

Atë pjesë nuk është mirë që ta certifikosh ti si formulë kompromisi.

Bëje për Shqipërinë, jo për Lulin e demokratëve. Nga kjo histori, Luli e di që nuk fiton asgjë. Loja po luhet për Ilir Metën. Nga kjo lojë fiton Rama dhe siguron pjesën Ilir Meta. Mos u shqetëso nëse beson se Luli paska gënjyer Çim Pekën. Nuk gënjehet kush nga Luli./ CNA.al

Lajmet e fundit nga