Connect with Us

Kush ishte Xhejms Bondi i vërtetë, që frymëzoi personazhin e “Agjentit 007”

Blog

Kush ishte Xhejms Bondi i vërtetë, që frymëzoi personazhin e “Agjentit 007”

Publikuar

-

Në vitin 2014, lehtësimi i klauzolave të Ligjit britanik të Sekreteve, e lejoi një familje që kishte qenë gjithmonë kureshtare mbi angazhimin e gjyshit gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërorë, që të zbulonte se ai ishte në fakt një agjent sekret në jetën reale.

Një profesion mjaft intrigues, aq më tepër për një njeri të quajtur pikërisht Xhejms Bond. Stefën Filips, nipi i Xhejms Çarls Bond, pati mundësinë që shihte me sytë e tij dokumente dikur të klasifikuara si tepër sekrete, në të cilat ai zbuloi për habinë e tij të madhe, se gjyshi i tij ishte një oficer i shërbimit inteligjent britanik, dhe një anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale (SOE) gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Që në moshë të re, Filips thotë se mban mend që e gjithë familja ishte paralajmëruar nga autoritetet, të mos e pyeste gjyshin e tij mbi shërbimin e kryer në kohën e luftës. Gjithsesi Filips thekson se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend që gjyshi i tij, Xhejms Bond, të kishte shërbyer në një grupim kaq elitar të shërbimeve britanike të sigurisë.

Xhejms Bond, nga Suonsi i Uellsit Jugor, ishte para luftës një punëtor në një uzinë të përpunimit të metaleve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe 6 vjet pas saj, ai punoi për llogari të shërbimit sekret SOE. Filips gjeti në dosjen e deklasifikuar, kopjen e një njoftimi të nënshkruar nga gjyshi

i tij më 3 qershor 1944, vetëm 3 ditë para zbarkimeve të D-Day në plazhet franceze të Normandisë.

Filips supozon se në atë kohë gjyshi i tij, ishte duke punuar pas linjave të armikut. Edhe më befasues është fakti, që Xhejms Bondi i vërtetë punoi nën udhrat e Jan Fleming, shumë kohë para se ky i fundit të bëhej shkrimtar, dhe të fitonte famë me persionazhin e tij të mirënjohur tashmë, që mban të njëjtin emër.

Në kohën e luftës, Fleming ishte kreu i Inteligjencës Detare Britanike, dhe kishte për detyrë të ruante të gjitha sekretet. Ai ishte trajnuar si një operativ i SOE, dhe do të ndërmerrte misione të ngjashme me ato të kryera nga Xhejms Bondi i vërtetë.

Një tjetër dokument i deklasifikuar, tregon se në vitin 1942, Jan Fleming mblodhi një ekip operativësh të SOE dhe se midis tyre ndodhej edhe Xhejms Çarls Bond. Fatkeqësisht, detajet e atij operacioni janë ende të klasifikuara.

LEXO EDHE:  Kthimi i refugjatëve në vendet e tyre, po e bën botën më të rrezikshme

Jan Fleming pretendonte gjithnjë se personazhi i tij, Xhejms Bond, ishte emëruar sipas një ornitologu amerikan, dhe se ai e kishte zgjedhur atë emër për shkak të thjeshtësisë në shqiptim. Por Filips është i intriguar me të drejtë nga lidhja midis gjyshit të tij dhe Jan Flemingut, shërbimit që ata kryen bashkë gjatë luftës, dhe jetën e super-spiunit në librat e këtij të fundit.

Ai beson se historia me ornitologun amerikan, ishte një taktikë devijuese e përdorur enkas nga Flemingu për të mbrojtur Xhejms Bondin e vërtetë, duke respektuar kësisoj edhe klauzolat tepër të rrepta të Ligjit të Sekreteve Zyrtare.

Ekziston një legjendë familjare, sipas të cilës Xhejms Bond i tha dikur mbesës së tij, Xhenit, se ai ishte në fakt Xhejms Bondi i vërtetë, që shfaqej në libër dhe në filma. Por për këtë gjë nuk është thënë asgjë më shumë, dhe askush nuk dyshoi se në atë rrëfim mund të kishte diçka të vërtetë.

Pasi i shërbeu vendit të tij për 11 vjet, Xhejms Çarls Bond u largua nga ushtria, dhe rinisi sërish punën në uzinën e metaleve. Pasi u tërhoq nga kjo industri, ai u angazhua për disa kohë në disiplinimin e trafikut të automjeteve para shkollave në Laugor, një qytet afër Suonsit.

Filips po kërkon nga cilido që ka shërbyer me gjyshin e tij, që të kontaktojë me të. Ai do të donte të zbulonte më shumë se çfarë ka bërë gjyshi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka që di ai deri më tani janë dokumentet e deklasifikuara, dhe një fotografi e vitit 1937 e një burri shumë të pashëm, me flokë të errët, i veshur me një kostum.

Ajo foto është e gjyshit të tij, por mund të jetë një foto publicitare e Xhejms Bondit tjetër. Xhejms Çarls Bond vdiq në vitin 1995 në moshën 89-vjeçare, pa ia zbuluar kurrë të shkuarën e tij interesante anëtarëve të familjes së tij. Ky zotëri, u betua seriozisht para eprorëve për respektimin e Ligjit të Sekreteve Zyrtare, dhe nuk u rrëfeu asnjëherë të afërmve se në çfarë misionesh kishte marrë pjesë gjatë ose pas luftës. / War History Online – Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Si mund ta “ribëjë” botën Covid-19

Publikuar

-

Nga

Teksa shumë vende po lehtësojnë masat kufizuese, banorët po rikthehen në hapësirat e vjetra, që tani duket si të panjohura për ta. Vetë vendet nuk ndryshuan, por vënia e maskave për të shmangur turmat, dhe mënyra se si na lejohet të qëndrojmë në to, do të jetë rrënjësisht e ndryshme.

Dhe shumë nga këto ndryshime mund të ekzistojnë edhe për ca kohë. Edhe pasi të frenohet përhapja e koronavirusit, rreziku i një valë të re do të mbetet, për sa kohë që nuk do të jetë zbuluar ende një vaksinë efektive kundër Covid-19, proces që mund të zgjasë nga 9 muaj deri në 2 vjet.

Për më tepër, thonë shkencëtarët, sëmundje të reja po aq shkatërruese, mund të paralizojnë në të ardhmen njerëzimin, ashtu siç bëri koronavirusi këtë vit. Për ata që merren me planifikimin e qyteteve tona të së ardhmes dhe hapësirave publike, pandemia përbën një kërcënim marramendës që kërkon masa emergjente, por përfaqëson edhe një mundësi për ta rimenduar mënyrën se si jetojmë, lëvizim dhe grupohemi.

Njerëzit nuk përballen dhe aq mirë me izolimin. Shumë studime që kanë analizuar pasojat e karantinës gjatë epidemive të kaluara, kanë zbuluar se izolimi ndikon fort mbi shëndetin mendor të njerëzve, ndonjëherë duke shkaktuar edhe çrregullime të stresit post-traumatik.

Ekspertët thonë se rivënia e hapësirave sociale në dispozicion të njerëzve në një mënyrë të sigurë sa më shpejt që të jetë e mundur, është më shumë sesa një prioritet ekonopmik. Ajo është një mënyrë për t’u kujdesur për mirëqenien e njerëzve, dhe për t’i ndihmuar ata ta rimarrin veten pas një krize shëndetësore globale.

Si vendi i parë evropian që hyri në karantinë, dhe një nga të parët që doli prej saj, Italia po analizohet me kujdes si rast, në mënyrë që ekspertët të mund të vlerësojnë se çfarë funksionon në një periudhë afatshkurtër, dhe çfarë është e qëndrueshme në planin afatgjatë.

Simone d’Antonio, ekspert i politikave me qendër në Romë në Shoqatën Italiane të Qyteteve dhe Komunave (ANCI), shkruajti së fundi për ‘cheFare’, se Italia duhet të rivendosë frymën e komunitetit kundër kulturës së dyshimit dhe frikës. Ai argumenton se frika nga “tjetri”, ishte një problem shumë serioz edhe përpara pandemisë, dhe u përkeqësua akoma më tepër nga rreziku konkret i prekjes nga Covid-19.

“Rimëkëmbja nga kjo krizë, është një mundësi për t’ja filluar sërish, duke trajtuar rreziqe të reja të shëndetit publik, si dhe duke e rindërtuar ndjenjën e humbur të komunitetit”- thotë d’Antonio për “BBC Future”. Dhe kjo do të thotë një ristrukturim i hapësirave publike.

“Praktikat tona bindëse duhet të ndryshojnë, por kjo krizë mund të shndërrohet edhe në një mundësi. Për shembull, njerëzit më në fund mund të nisin t’i përdorin hapësira publike e lëna pas dore, siç kanë qenë lulishtet e gjelbërta të degraduara në Romë, si dhe shumë qytete të tjera italiane”- thekson ai.

Ai përmend kopshtet tradicionale të birrës në Mynih, ku njerëzit pinë dhe hanë në tavolina të gjata në natyrë. Në qytetet e tjera, kjo praktikë mund të sigurojë mundësinë ideale për të praktikuar distancimin shoqëror në grupe të mëdha njerëzish

Daniele Terzariol, nënkryetar i bashkisë së qytezës San Donà di Piave, pranë Venecias, thotë se ndërsa qyteti po rihapet, administrata dëshiron të shfrytëzojë rastin për t’i bërë hapësirat publike më funksionale dhe më të bukura, sesa ishin para karantinës.

Në Indi, vend që apo ka filluar të rihapë gradualisht dyqanet dhe transportin e brendshëm, pronarja e restorantit Shefali Gandhi në Goa, beson gjithashtu se hapësirat në natyrë do të jenë thelbësore. “Në qytete si Mumbai, njerëzit kanë qëndrur mbyllur për 2 muaj me radhë në apartamentet e tyre si kuti shkrepseje”- thotë ajo.

Ajo beson se kujtesa e karantinës do të mbetet e gjallë për një kohë të gjatë, dhe njerëzit do t’i lidhin kënaqësitë e jetës sociale me hapësirat në natyrë. Pavarësisht nëse restorantet dhe baret kanë qasje në natyrë apo jo, njerëzit do të duhet të ruajnë distancimin e sigurtë. Por kur hapësirat janë shumë të vogla për të siguruar distancimin e duhur, kjo bëhet më e vështirë.

LEXO EDHE:  Putin do që të mbetet përjetë në pushtet, kjo gjë premton telashe për botën

LEXO EDHE:  Psikologji/ Mërzia është thjesht mungesë vëmendjeje

Për shembull, në Itali disa e kanë kritikuar vendosjen e mjeteve mbrojtëse, sikurse është përdorimi i ndarjeve plastike, që ndajnë më dysh tavolinat e restoranteve, duke e bërë të pamundur që klientët të afrohen shumë pranë njëri-tjetrit. Disa thonë se ndarje të tilla janë jopraktike, ta heqin kënaqësinë e ngrënies së një vakti të përbashkët ushqimor. Madje një përvojë e tillë, ngjan me një vizitë në një burg komentoi dikush në Facebook.

Rëndësia e besimit

Studimet e fundit, e kanë identifikuar besimin si shtyllën kurrizore të rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike. Që t’i rikthehen “jetës normale” dhe të përdorin hapësirat publike ose të përbashkëta, njerëzit duhet të ndjehen të sigurt fizikisht, dhe të kenë besim se të tjerët po kujdesen për sigurinë e tyre.

“Besimi është thelbësor për rindërtimin e besimit midis njerëzve kur mblidhen në hapësira publike ose private”- thotë Aditi Ratho nga Fondacioni i Kërkimeve Vëzhguese në Indi, që nuk ishte i përfshirë në hulumtim. “Kur është fjala për restorantet, palestrat dhe teatrot, njerëzit janë të shqetësuar për standardet dhe protokollet e higjienës. Ata duan që të ndjehen të sigurtë”-thekson ajo.

Pas traumës kolektive dhe nevojës për t’i mbijetuar një pandemie, ajo thotë se autoritetet duhet të marrin parasysh psikologjinë e njerëzve që atë po bëjnë për rikthimin e normalitetit. Një nga sfidat tradicionale të dizajnit urban në Indi, shpjegon ajo, është se qytetet janë me popullsi shumë të dendur, dhe kjo përbën një seri rreziqesh përtej infeksionit të koronavirusit.

Projektuesit e qytetit, po mendojnë tashmë si të përballen me hapësira zakonisht të mbushura me njerëz si stacionet e metrosë, apo teatrot. “Unë mendoj se koncepti i teatrove do të ndryshojë plotësisht, pasi njerëzit do të përdorin gjithnjë e më shumë platforma online transmetimi; ata do të qëndrojnë më shumë në shtëpi”-thotë ajo.

Ndërkohë në restorante, rikthimi i besimit tek klientët do të thotë kuzhina të hapura, për t’u treguar atyre se ushqimi i tyre gatuhet sipas standardet më të larta të higjienës. Edhe masat e tjera të sigurisë ka të ngjarë që të jenë dixhitale. Xhiuliano Vita, bashkëthemelues i kompanisë “Dishcovery”, po ndihmon disa sipërmarrës, që po përpiqen të rinovojnë shërbimet e tyre në epokën post Covid-19.

Ai parashikon një bum në menutë dixhitale, të cilat nuk do të përdoret vetëm për të bërë porosinë nga shtëpia, por edhe kur hahet në restorant. “Pronari do të shtypë një kod QR në tryezë, dhe klientët mund ta vizualizojnë menunë thjesht duke e skanuar atë me telefonat e tyre, duke shmangur kësisoj kontaktin fizik me menutë tradicionale”-thotë ai.

Ndërkaq në palestra, thotë Neha Motvani, themeluese e platformës në internet të palestrave “Fitternity”, pronarët mund të eleminojnë dushet dhe ambientet e dollapëve për të mundësuar distancimin social. Gjatë pandemisë, shumë njerëz morën orë mësimi në internet mbi ushtrimet fizike.

Ndërsa palestra përmes internetit, mund të mbetet tërheqës për shumë njerëz, thotë Motvani, ajo nuk do të zëvendësojë hapësirën tradicionale ku mblidhen njerëzit. “Ne kemi anketuar klientët tanë, dhe e kemi kuptuar se mbi 95 për qind e tyre mezi presin që të rikthehen të ushtrohen si zakonisht. Ata duan që të shtërngojnë dorën me trajnerin e tyre. E duan ndjenjën e bashkësisë”- thekson ai.

Ndërsa pandemia na detyroi të riorganizonim hapësirat tona të përbashkëta, karantina na ka dhënë kohën të rimendojmë se si duam që të duket jeta jonë shoqërore. Dhe megjithëse mund të na duket se i kemi dhënë lamtumirën bareve, teatrove dhe palestrave të tejmbushura me njerëz, që i kemi dashur aq shumë, të paktën për ca kohë, ne kemi gjithashtu mundësinë unike që të rizbulojmë se çfarë do të thotë bashkësi në hapësira të reja, dhe t’i riimagjinojmë nga e para ato hapësira. / “BBC Future” – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Të ndryshojmë qytetet

Publikuar

-

Nga

Prej disa javësh jeta në qytete është vënë në gjendje pauze. Rrugë të heshtura, qiej bosh, parqe të shkreta, kinema, bare dhe muzeume të mbyllura. Frenezia e punës dhe e blerjeve, kaq familjare deri pak muaj më parë, është ndërprerë. Izolimi ka krijuar qytete fantazmë. Tani bllokimi ka përfunduar dhe jeta ka rimarrë ritmin e zakonshëm, por pandemia nuk i ka fshirë problemet afatgjata: varësinë nga lëndët djegëse me bazë fosile, rritjen e emisioneve të CO2, ajrin e ndotur, një treg imobiliar disfunksional, humbjen e biodiversitetit, hendekun midis të pasurve e të varfërve, punën e keqpaguar. Shpejt do të duhet të kthehemi e të merremi me to. Kriza e Covid-19 na ka ofruar një perspektivë të re lidhur me këto probleme dhe mbi limitet e jetës urbane e dekadave të fundit. Qytetet janë nyje kryesore të shoqërisë tonë globale të ndërlidhur. Lehtësojnë qarkullimin e njerëzve, produkteve dhe parave, fitimet e kompanive dhe privatizimin e trojeve, të resurseve dhe të shërbimeve bazë. Kjo situatë u ka sjellë përfitime disa njerëzve, falë mundësisë për t’u spostuar lehtësisht, bollëkut të mallrave të konsumit, aftësisë për të thithur investime dhe një rritjeje të qëndrueshme ekonomike.

Por bota urbane e globalizuar ka edhe një anë të errët: një shoqëri jashtëzakonisht e ndërlidhur mund ta transformojë me shpejtësi një epidemi lokale në pandemi. Veç kësaj, sektorë të gjerë të ekonomisë menaxhohen nga kompani të mëdha, që jo gjithmonë shikojnë interesat e popullsisë, resurset dhe trojet mund të mbesin të papërdorshëm për vite të tëra dhe punonjësit e keqpaguar e ekonomisë informale ose të gig economy janë të ekspozuar ndaj rreziqesh të mëdha dhe kanë pak mbrojtje. Ky model paraqet kushtet ideale për përhapjen e sëmundjeve si Covid-19 dhe është absolutisht i papërshtatshëm t’i përballojë. Sistemi i vjetër, që parashikonte konkurrencën midis qyteteve për ta përmirësuar pozicionin e tyre në rendin global, nuk ka qenë kurrë jashtëzakonisht i përshtatshëm për të plotësuar nevojat e të gjithëve. Por sot kemi nevojë të përmirësojmë bashkëpunimin dhe këmbëngulja vendore duket deri e rrezikshme.

Pyetja themelore

Pas pandemisë do të na duhet të ndeshemi me një pikepyetje ekzistenciale: çfarë shërben vërtet një qytet? Për të favorizuar rritjen, tërhequr investime dhe konkurruar me rivalët në skenën botërore? Apo për të përmirësuar cilësinë e jetesës e të gjithëve, favorizuar mbështetshmërinë dhe aftësinë e përballimit të vështirësive? Një qasje nuk e përjashton gjithmonë tjetrën, por problemi është të gjendet një ekuilibër. Përtej pozicioneve politike e ideologjike, pjesa më e madhe e njerëve thjesht do të ketë shëndet të mirë dhe të ndjehet e sigurtë, sidomos përballë kërcënimeve të së ardhmes, qofshin ato të lidhura me klimën, fenomenet atomosferike apo me virusët.

Pandemia na ka futur të gjithëve në një eksperiment kolosal në kohë reale, plot me shembuj sesi mund të jetë një ardhme më e mbështetshme. Sot kemi në rast unik për të studiuar e vlerësuar se cilat nga këto përvoja mund të përdorim për të ndërtuar qytete më të mbështetshme e më të sigurta. Në shumë qytete i është dhënë drita jeshile ndryshimeve të shpejta për të kontrolluar më mirë ekonominë, shëndetësinë, transportin dhe furnizimin ushqimor. Jemi të rrethuar nga masa të politikës urbane progresiste: bllokim i nxjerrjeve nga shtëpia, shtetëzim i shërbimeve, asistencë shëndetësore dhe transporte publike falas, leje për sëmundje dhe rroga të garantuara. Veç kësaj, po shtohen rrjetet e asistencës të krijuara nga qytetarët e thjeshtë që ofrohen vullnetarë për të ndihmuar më të dobëtit në jetën e përditshme. Idetë radikale e djeshme janë bërë zgjedhjet pragmatike e sotme. Risitë e prodhuara nga kriza mund të na mësojnë shumë, duke na ndihmuar që të krijojmë një politikë urbane që, përtej urgjencës, mund ta bëjnë jetën më të pëlqyeshme e më të sigurtë për të gjithë.

Reduktimi i automobilave

Gjatë lockdown miliona njerëz në të gjithë botën janë ndodhur në kontekste urbane shumë më të heshtur respektivisht së kaluarës. Mbi bazën e kësaj përvoje mund të imagjinohet dhe të realizohet një lloj i ri mobiliteti urban. Disa administrata vendore tashmë po e bëjnë. Për shembull, Komuna e Milanos ka njoftuar se pas krizës do t’i transformojë 35 kilometra rrugë për automjete në zona biçikletash dhe pedonale. Zvogëlimi i trafikut automobilistik u ka treguar qytetarëve sesi dë të ishte jeta në lagje më të jetueshme e të pedonalizuara. Pas mbarimit të masave kufizuese do të na duhet të kthehemi e të përballemi me nevojën e emetimit të gazrave të shkaktuara nga transporti dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. Është një problem kryesor: ulja e qarkullimit të makinave, sipas disave deri me 60% brenda 2030, mund të jetë e domosdoshme për të shmangur një ngrohje globale me efekte shkatërrimtare. Kjo ulje do të zgjidhte një seri problemesh të vështira urbane: zhdukjen e hapësirave publike, rritjen e borxhit, shtimin e qendrave tregtare në periferi, zvogëlimin e zonave tregtare në qendrat e qyteteve, vdekjet e shkaktuara nga incidentet rrugore, cilësia e ulët e ajrit dhe rritja e emisionit të gazrave. Një transport publik i aksesueshëm, ekonomik dhe pa emisione gazrash është esencial për krijimin e një të ardhmjeje më pak të varur nga makinat.

Kriza aktuale ka evidentuar një hendek të konsiderueshëm për sa i përket mundësisë së spostimit në qytet. Në shumë qytete liberalizimi dhe privatizimi i kanë mundësuar disa kompanive të menaxhojnë pjesë të transporteve në interes të aksionerëve dhe jo të përdoruesve. Miliona njerëz nuk mund t’ia lejojnë vetes të blejnë as makinë, as abonim për mjetet e transportit publik. Kjo situatë ka pasur pasoja të mëdha gjatë pandemisë. Për shumë njerëz të pamundur, mundësia e përdorimit të mjeteve publike për të arritur spitalet, vendet e furnizimit me ushqime dhe shërbime të tjera esenciale mund të bëjë diferencën midis jetës dhe vdekjes. Covid-19 ka demonstruar se deri në çfarë pike disa kategori punëtorësh janë të domosdoshëm në jetën tonë. Është esenciale t’u garantohet këtyre njerëzve mjete transporti ekonomike dhe me cilësi të mirë. Qysh përpara pandemisë problemi ishte paraqitur: më 2018 një qytet francez ka ndërtuar transport falas, ndërsa qeveria e Luksemburgut ka eliminuar biletat në të gjitha mjetet publike. Kriza shëndetësore e ka përshpejtuar procesin, duke i shtyrë disa administrata lokale në të gjithë botën që t’i bëjnë falas transportet, sidomos për punonjësit esencialë dhe për njerëzit më të dobët.

Një tjetër masë themelore është ajo e inkurajimit të spostimeve që detyrojnë të bëhet aktivitet fizik. Në shumë vende biçikletat konsiderohen tashmë prej kohësh si opsioni më i mirë për të lëvizur. Zonat pedonale dhe pistat çikliste mund të kenë një rol vendimtar në spostimet urbane, përveçse të kenë një një efekt pozitiv ndaj shëndetit të qytetarëve. Nevoja e distancimit fizik midis njerëzve ka bërë që të shfaqen mangësi të mëdha hapësirash pedonale. Për të përmirësuar aftësinë përshtatëse dhe reagimin e zonave urbane do të jetë themelore të rritet sipërfaqja e trotuarëve dhe kufizimi i hapësirave për mjetet motorike. Çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar 6000 këmbësorë vdesin ose mbesin të plagosur rëndë për shkak të incidenteve rrugore. Një ulje e limitit të shpejtësisë mund të kontribuojë në uljen e ngarkesës ndaj spitaleve, duke lehtësuar kështu menaxhimin e epidemive të reja. Lockdown ka prodhuar edhe një reduktim të ndjeshëm të ndotjes atmosferike. Sipas një studimi të fundit, kufizimet e vendosura në Kinë kanë shpëtuar jetët e 77000 njerëzve thjesht duke u përmirësuar cilësinë e ajrit. Një faktor aq më shumë i rëndësishëm në qoftëse kihet parasysh se ndotja mund ta rrisë rrezikun e vdekjes të njerëzit e sëmurë me Covid-19.

Duke parë kostot e larta shëndetësore e sociale të shkaktuara nga nj cilësi e keqe e ajrit, konfirmimi i tendencës aktuale do të mundësonte lehtësimin e barrës mbi sistemin shëndetësor. Sektori i aviacionit është goditur rëndë nga pandemia. Nga fillimi i krizës, numri i përgjithshëm i fluturimeve është më shumë se përgjysmuar: një ulje drastike që në të ardhmen do të na mundësojë të kuptojmë se cilat dhe sa fluturime ajrore janë për t’u konsideruar të kotë. Administratat qytetare do të duhet të kërkojnë sa më shpejt ta bëjnë të përhershëm reduktimin e trafikut rrugor e ajror, duke përmirësuar aksesueshmërinë dhe cilësinë e transporteve publike dhe duke stimuluar spostime në këmbë ose me biçikletë. Javëve të fundit jemi spostuar më pak dhe kemi transferuar shumë prej aktiviteteve tona online. Është një mundësi e madhe për të rimenduar qasjen tonë ndaj punës, blerjeve dhe kohës së lirë, si edhe për të realizuar investime më të mëdha në sisteme transporti të aksesueshëm dhe të mbështetshëm për të gjithë.

LEXO EDHE:  Psikologji/ Mërzia është thjesht mungesë vëmendjeje

LEXO EDHE:  A është divorci zgjidhja e duhur për një martesë të palumtur?

Masa të pamendueshme

Tashmë jemi mësuar me mangësitë e ekonomisë urbane moderne: punë e përkohshme dhe e keqpaguar, biznese të vogla të pavarura të gjymtuara nga shumëkombëshet, privatizim i trojeve dhe i resurseve, rritje e hendekut midis lagjeve të pasura e të varfëra. Covid-19 i ka nxjerrë në pah gjithë këto probleme. Punëtorët më pak të shpërblyer, sidomos gratë, nuk kanë pasur zgjedhje tjetër përveç asaj që të vazhdojnë të punojnë, duke ju ekspozuar infektimit. Spitalet kanë regjistruar mangësi materialesh esenciale. Njerëzit që jetojnë në lagjet e varfëra nuk kanë pasur më hapësira të mjaftueshme për aktivitete sportive. Në këtë kuptim, një prej aspekteve surprizues të përgjigjes ndaj krizës ka qenë futja e menjëhershme e masave që deri pak kohë më parë dukeshin të pamendueshme: pezullimi i pagesës së kredive dhe i qirave, leja për sëmundje (në vendet ku nuk është e parashikuar), tendenca për të shtetëzuar shërbimet (sidomos në shëndetësi e në transport), rroga e garantuar, bllokimi i nxjerrjeve nga shtëpia dhe anullimi i borxheve. Kriza ka flakur tej disa pika të forta të tregut të lirë.

Emergjenca na ka shtyrë që t’u japim më vlerë gjërave që kanë peshë. Punëtorët esencialë, sidomos nl sektorët e shëndetësisë e të zinxhirit ushqimor, nuk konsiderohen më ingranazhë të mënjëanueshëm në margjinat e sistemit ekonomik, por marrin vlerësimin e duhur për kontributim e tyre jetik në mirëqenien e të gjithëve. Dyqanet e vogla të lagjeve janë rizbuluar falë aftësisë së tyre për të krijuar lidhje personale dhe më përkushtimin e tyre ndaj komunitetit. Është një rast për të rimenduar zonat tregtare e qendërs së qyteteve, duke krijuar një ofertë lokale të diversifikuar që mund të plotësojë nevojat e komunitetit dhe t’ia forcojë në funksion të krizave të tjera.

Emergjenca shëndetësore ka evidentuar brishtësinë ekonomike e shumë punëtorëve. Përtej subvencionimeve shtetërore dhe masave mbështetëse ndaj të ardhurave të punëtorit të pavarur, po shfaqen propozime më radikale për ta ndryshuar raportin midis njerëzve dhe punës. Për shembull, kriza ka forcuar idenë e një të ardhure universale bazë, domethënë të një shume parashë të derdhur pa kushte dhe automatikisht tek të gjithë qytetarët, pavarësisht nga aktiviteti punues i zhvilluar. Qeveria spanjolle ka vebdosur që ta eksperimentojë këtë masë dhe vende të tjera po vlerësojnë mundësinë e ndjekjes së të njëjtës rrugë, për të krijua një rrjet sigurie që mund t’u garantojë të gjithëve një jetë të denjë e të mbështetshme.

Ekonomia sociale mund të sigurojë spunto të mëtejshme për t’i rimenduar qytetet pas pandemisë. Mëpërmjet aktivitetit të kooperativave, bizneseve të vogla vendore dhe organizatave të vullnetarizmit, ekonomia sociale krijon mallra, shërbime dhe bashkëpunim me baza lokale në aspekte të ndryshme, nga energjitë e rinovueshme tek ndërtimtaria e mbështetshme, nga ushqimi tek mikrofinanca. Këto aktivitete sjellin shumë përfitime: rritje të punësimit, furnizim lokal, rroga më të barabarta, kushte pune më të mira, përdorim të mbështetshëm të resurseve, pjesëmarrje demokratike dhe impenjim më madh për drejtësinë sociale. Ndërtesat dhe trojet e braktisura e bizneseve të mëdha të ndërtimeve mund t’u cakothen organizatave të lagjeve për të favorizuar qëndrueshmërinë e komuniteteve lokale nëpërmjet krijimit të kompanive bujqësore, aktiviteteve për shfrytëzimin e energjive të rinovueshme, hapësirave për kohën e lirë dhe biodiversitetit dhe magazinimit të qymyrit.

Një komunitet urban i gjelbër

Në këtë moment po zbulojmë se ekonomia mund të ndryshojë për mirë. Për shembull, shumë kompani janë rikonvertuar përkohësisht në aktivitete socialisht të dobishme si prodhimi i dizinfektuesve, respiratorëve dhe pajisjeve mjekësore. Këto përvoja duhet të jenë një burim frymëzimi për të ardhmen e planifikimit ekonomik të qyteteve. Fabrikat mund të modifikohen për të prodhuar turbina eolike, biçikleta elektrike, panelë izolues dhe pompa nxehtësie. Hapësirat në tepri të destinuara për zyrat private dhe apartamentet luksoze mund të ripërdoren për të krijuar banesa për punonjësit esencialë, biblioteka, kopshte, shkolla formimi dhe hapësira për coworking. Gjatë lockdown shumë njerëz kanë vërejtur sesa janë reduktuar hapësirat e gjelbëra të disponueshme në qytete dhe shumë familje kanë qëndruar të mbllura në hapësira të pakta pa akses në hapësira të jashtme. Zonat e gjelbëra publike duhet të zgjerohen për t’u mundësuar njerëzve që të mblidhen e të rimarrin veten pas traumës së Covid-19. Disponueshmëria e këtyre hapësirave është në themelin e mirëqenies tonë emotive dhe psikologjike, përveçse ka efekte pozitive ndaj uljes së dioksidit të karbonit, cilësisë së ajrit dhe mbrojtjes së faunës së egër.

Alternimi i hapësirave të banimit në zona të gjera të gjelbëra të përshtatshme për spostimet më këmbë dhe me biçikletë mund ta reduktojë varësinë tonë nga automobilat, të rrisë biodiversitetin dhe të krijojë vende të destinuara për kohën e lirë pak hapa larg nga shtëpia. Në këto hapësira mund të ketë zona për prodhimin lokal të ushqimeve dhe strukturave për ta mbrojtur nga përmbytjet, si sistemet e mbështetshme të drenazhimit dhe kopshtet ujore, duke përmirsëuar aftësinë e territorit në pritje të emergjencave të reja. Pastaj, ka motive të shkëlqyera për t’u përqëndruar mbi modernizimin e strukturave të banimit. Në perspektivën e masave të reja të izolimit gjatë muajve të dimrit, mundësia e pasjes së shtëpive të ngrohta dhe me konsume energjitike të ulëta mund të zgjidhë probleme të tejra të lidhura me koston e lëndëve djegëse me bazë fosile dhe me rritjen e vdekshmërisë në dimër.

Veç të tjerash, situata aktuale na ofron mundësinë që të krijohet një raport më i mirë me natyrën dhe me kafshët. Deri pak kohë më parë në rënie konstante, fauna e egër ka gjetur hapësira të reja falë pezullimit të aktiviteteve njerëzore, por tani rrezikon të jetë më e kërcënuar se më parë. Për të krijuar një ekuilibër më të mirë me speciet e tjera të kafshëve do të duhet, për shembull, të zgjerohet habitati i faunës së egër, të rivendosen yonat natzrale e dëmtuara dhe të reduktohet varësia jonë nga rritja intensive dhe nga dietat me bazë mishi.

Roli i shtetit

Kërkuesit hipotezojnë se zoonozat (sëmundjet e transmetuara nga kafshët tek njeroi, si Covid-19) janë një prej pasojave të zhvillimit njerëzor në shkallë të gjerë. Një raport i botuar kohët e fundit nga UNDP-ja analizon mënyrën me të cilën rritja e shpejtë e popullsisë urbane në të gjithë botën dhe reduktimi i ekosistemeve të pakontaminuara po favorizojnë transmetimin e agjentëve patogjenë nga kafshët tek njeriu. Rigjenerimi dhe mbrojtja e hapsirave natyrale mund të jetë e domosdoshme për përmirësimin e aftësive tona në përballimin e pandemive të reja. E ardhmja e qyteteve nuk është e vendosur. Përvojat pozitive që kemi përjetuar gjatë kësa krize mund të forcohen e të zgjerohen për të krijuar një kontekst urban më të barabartë, më të gjelbër e më të sigurtë. Nëqoftëse vendosim në qendër të prioriteteve tona komunitetin, miqësitë dhe jetën familjare, do të zbulojmë se kemi shumë resurse për ta përmirësuar jetën tonë. Përgjigja e qyteteve ndaj kësaj krize dhe ndaj asaj që do të vijë prapa do të jetë vendimtare. Me siguri që shteti do të ketë një rol më të madh dhe, në disa raste, do të marrë një formë autoritare, siç e kanë demonstruar pushtetet speciale e dhëna qeverive për të kontrolluar kufijtë, survejimin dhe karantinën. Por ka një mënyrë për t’i kundërshtuar këto tendenca: të luftohet për një shtet demokratik dhe pjesëmarrës ku zgjidhjet të jenë të dakordësuara me qytetarët në vend që të imponohen nga lart./Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Çfarë mund të mësojmë nga teoritë e komplotit

Publikuar

-

Nga

Nga rebelimet politike tek ankthet mbi seksin, teknologjinë dhe gratë, duket se teoritë e komplotit mund të na rrëfejnë shumë mbi atë që ndodh në shoqëritë tona, por edhe mbi mënyrën se si t’i ndreqim problemet që kemi.

Nga Zaria Gorvett

Në vitin 331 Para Krishtit, në Romë po ndodhte diçka e pazakontë. Në të gjithë qytetin, burrat më të shquar po sëmureshin rëndë, dhe thuajse që të gjithë po vdisnin. Humbjet ishin sa shqetësuese aq edhe alarmante. Një ditë, një skllave iu afrua një gjykatësi që po ecte në rrugë, dhe i tha me ze të ulët se ajo e dinte arsyen e atyre vdekjeve.

Vajza çoi një ekip hetuesish në shtëpi të ndryshme, ku ajo pretendoi se ata do të gjenin disa gra të shtresës së lartë, që përgatitnin helme fshehurazi. Ekipi veproi. Të akuzuarat u çuan në sheshin qendror të Romës, ku iu kërkua të provojnë pafajësinë e tyre. Meqënëse ato pretendonin se barnat e tyre ishin për qëllime kurimi, a do të ishin të gatshme që t’i pinin edhe vetë?

Dy nga të dyshuarat u detyruan t’i pinin, duke rënë menjëherë përtokë të vdekura. Pasuan arrestime të shumta, dhe u zbulua se në këtë veprimtari ishin të përfshira edhe 170 gra të tjera. Incidenti u cilësua si një skandal i madh. Pas asaj ngjarje, populli i Romës zgjodhi një zyrtar që  do t’i përkushtohej ritualeve të dëbimit të së keqes, një taktikë që më herët ishte përdorur vetëm si zgjidhja e fundit për trazirat e mëdha civile.

Ose të paktën, ishte ky versioni i ngjarjeve që u regjistrua nga historiani i respektuar Tit Livi, që lindi qindra vjet më vonë. Por ai nuk ishte i bindur se ato gra ishin në fakt përgjegjëse për vdekjet, dhe për këtë nuk janë të bindur as ekspertët e ditëve tona. Përkundrazi, Livi dha një shpjegim shumë më racional për vdekjet misterioze:një epidemi.

Në atë kohë, qyteti ishte përfshirë nga një epidemi e panjohur, një shkak i zakonshëm i vdekjeve në botën e lashtë. Nga ana tjetër helmimet masive, ishin të padëgjuara. Në fakt, ishte e vërtetë që grate në fjalë po përgatitnin ilaçe, por pjesa tjetër e historisë u sajua. Helmimet famëkeqe të vitit 331 Para Krishtit, mendohet se janë një teori komploti, për të shpjeguar vdekjet që kishin një shkak të padukshëm.

Dhe në mesin e pandemisë aktuale, ky skenar është shumë i njohur. Që nga fillimi i muajin prill, të paktën 77 antena telefonike dhe 40 inxhinierë janë sulmuar fizikisht në Britaninë e Madhe, pasi disa njerëz e besojnë idenë e gabuar se Covid-19 po përhapet nga forcat e fuqishme në industrinë globale të telekomunikacionit.

Tani thashethemet të tilla janë përhapur edhe në SHBA, ku autoritetet kanë frikë se kjo mund të çojë në akte dhunë të mëtejshme. Po pse përhapen këto lloj historish alternative? Çfarë e bën një teori komploti tërheqëse për masat? Dhe a mund të mësojmë ne ndonjë gjë nga problemet me të cilat përballemi?

Fajtorë bindës

Së pari, teoritë e sukseshme të komplotit kanë gjetur gjithmonë “fajtorin” e duhur. Viktoria Pagan, historiane në Universitetin e Çikagos, SHBA, mendon se suksesi i konspiracionit të helmimeve në Romë, u bazua në faktim se ai shënjestroi gra dhe skllevër të familjeve të shtresave të larta, të cilat elitat e fuqishme mashkullore i konsidentonte si kërcënuese për pozitat e veta.

Meqë civilizimi mbështetej shumë në shfrytëzimin e të dyja këtyre grupimeve, burrat ishin vazhdimisht të shqetësuar se vartëset e tyre do të rebeloheshin. Gratë me status të lartë shiheshin me dyshim, dhe portretizoheshin si plot sekrete dhe të rrezikshme. Nga ana tjetër, dihej se skllevërit kishin vrarë shpesh padronët e tyre.

Ankthe kolektive

Në botën moderne, nuk është rastësi që teoritë me popullore të komplotit, priren të merren me tema të tilla si alienët, pakicat fetare, elitat e plotfuqishme, kombet rivale, teknologjitë misterioze dhe shkatërrimi i mjedisit. Dhe çdo shoqëri ka ankthet dhe obsesionet e veta, ku depërtojnë teoritë e komplotit.

Në Rumani, shumë gra nuk pranojnë që vajzat e tyre të vaksinohen kundër HPV, virusi që është përgjegjës për 99 për qind të rasteve me kancerin e qafës së mitrës. Ekzistojnë disa arsye për këtë refuzim. Por një studim ka treguar se kryesorja është bollëku i teorive të komplotit, përfshirë idenë se vaksinat janë një përpjekje për të kontrolluar popullatën e botës, duke i bërë gratë jopjellore, dhe se ajo është një eksperiment mjekësor nga industria farmaceutike, megjithëse nuk ka asnjë provë për asnjërën.

LEXO EDHE:  Plani Marshall/ Si e rimëkëmbi Amerika Evropën, pas Luftës së Dytë Botërore

LEXO EDHE:  U vetëflijua pas pushtimit sovjetik/ Kush ishte i riu çek Jan Palah, që frymëzoi rininë kundër komunizmit

Tribalizmi

Ky faktor, përshtatet me një element tjetër të zakonshëm në teoritë më popullore të komplotit. Ato na bëjnë të ndjehemi mirë në lidhje me grupimin tonë shoqëror, shpesh duke shpërfillur ata që i shohim si rivalë. Duke theksuar dallimet midis “atyre brenda grupit tonë” dhe “jashtë grupit tonë”, teoritë e komplotit mund të çojnë në lidhje më të forta shoqërore, dhe të krijojnë një ndjenjë mbrojtjeje ndaj atyre njerëzve që perceptohen si kërcënues.

Pasiguritë

Disa studime sugjerojnë që njerëzit u kthehen teorive konspirative, kur përballen me situata krize. Ideja që teknologjia 5G dhe rrjetet e tjera të mëparshme të telefonave celularë, janë disi të dëmshëm për shëndetin tone, ka qarkulluar prej të paktën 30 vjetësh.

Por shfaqja e një koronavirusi të ri misterioz në dhjetor 2019, e rriktheu më me forcë në qendër të vëmendjes. Në kohëra krizash, ka shumë të ngjarë që t’i drejtohemi teorive të komplotit, pasi i shohim ato si siguruese. Disa psikologë, i kanë krahasuar këto lloj teorish me besimet fetare, që na ndihmojnë të ndjehemi më shumë nën kontrollin e situatës, duke i analizuar shumë ngjarje të paparashikueshme ose të rastësishme, e duke i bërë ato të duken disi të paracaktuara ose të diktuara nga dora e njeriut.

Boshllëqe në dije

Teoritë kryesore të komplotit, tentojnë që t’i japin përgjigje ngjarjeve të paqarta ose misterioze, nga rrëzimi i pashpjegueshëm i një avioni, tek në vdekjet e papritura të personave të famshëm. Dhe aty ku autoritetet nuk munden, ose nuk dinë të japin më shumë informacion, këto boshllëqe informative kombinohen me një mosbesim të përgjithshëm, duke e orientuar publikun drejt njerëzve që pretendojnë se e kanë një përgjigje.

Kur shkencëtari Endrju Ueikfilld pohoi në vitet 1990, se vaksina MMR mund të shkaktonte autizëm tek fëmijët, u deshën dekada kërkimesh shkencore për të përcaktuar përtej dyshimit të arsyeshëm, se ky pretendim nuk ka asnjë bazë shkencore. Por ndërkohë, teoria e komplotit kishte shkaktuar dëme serioze në shëndetin e shumë të rinjve.

Motive të tjera

Ndërsa shoqëritë tona po ndryshojnë, po kështu po ndodh edhe me teoritë e komploteve. Rasëll Mairhed, politolog në Kolegjin Dartmauth në SHBA, është i shqetësuar për drejtimin që po marrin këto teori. Sipas tij ato përhapen nga njerëz që janë në periferi të shoqërisë, dhe ato janë

një armë e të pafuqishmit për t’i kërkuar llogari të plotfuqishmit.

Por sot teori të tilla po mbështeten pikqërisht nga të plotfuqishmit. Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, shumë liderë kanë mbështetur publikisht teoritë e komplotit, që përputhen mjaft mirë me axhendat e tyre. Për shembull, presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar vazhdimisht se ka parë prova se koronavirusi e ka origjinën në një laborator kinez, ndërsa agjencitë e tij të inteligjencës, pretendojnë nuk ka prova për këtë.

Në librin “Shumë njerëz po thonë”, në të cilin Mairhed është bashkëautor, flitet për një prirje të dytë të re në botën e komplotit:komplotet pa teori, sikurse ishte teoria e nje rrjeti pedofilësh në SHBA, me bazë bodrumin e një picerie në Uashington, ku në fakt aty nuk kishte as bodrum.

Si të sillemi përballë teorive të tilla?

Mairhed thotë se një pjesë e problemit, është se njerëzit e kanë humbur gradualisht besimin tek ekspertët, qeveritë dhe institucionet e fuqishme. Për të rregulluar sistemin, ai sugjeron se duhet të ri-legjitimojmë demokracinë, të reformojmë qeveritë tona, dhe t’i trajnojmë institucionet tona si të përballen me këtë dukuri.

Marrë me shkurtime nga “BBC Future” – Bota.al

LEXO TE PLOTE