LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Këshilltari amerikan i revoltuar me policët/ "Të kishin shpëtuar jetën e afrikano-amerikanit"

1 Qershor 2020, 16:39, Kosova & Bota CNA
Këshilltari amerikan i revoltuar me policët/ "Të kishin

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien, tha të dielën se ndjehej “absolutisht i revoltuar” që tre policë në Minneapolis, Minesota, qëndronin pranë dhe vështronin pa ndërhyrë javën e kaluar, ndërsa një polic tjetër mbante të mbërthyer në tokë me gjurin në qafë një afrikano-amerikan, ndërsa ai përgjërohej se nuk mund të merrte frymë.
George Floyd, një 46-vjeçar afrikano-amerikan, të cilin e prangosën dhe e shtrinë në rrugë pasi u dyshua se përdori një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe, vdiq gjatë incidentit të hënën e kaluar. Derek Chauvin, polici i bardhë që e mbajti atë në tokë për disa minuta, u akuzua të premten për vrasje të shkallës së tretë.
Videoja e incidentit u transmetua gjerësisht në mediat sociale dhe edicionet e lajmeve, duke shkaktuar pesë ditë protesta në dhjetëra qytete në Shtetet e Bashkuara. Demonstratat shpesh kanë shpërthyer në kaos, me protestuesit që u vunë zjarrin makinave të policisë dhe ndërtesave ndërsa përplaseshin me forcat e policisë. Grabitësit kanë shkatërruar dyqanet dhe kanë marrë produktet e shtrenjta të konsumit.
Oficeri Chauvin dhe tre kolegët e tij të policisë në vendngjarje u shkarkuan të gjithë nga forca e policisë së qytetit. Tre policët që vështronin gjatë incidentin, janë vendosur nën hetim, por ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë.
“Çfarë po mendonin?”, pyeti Këshilltari i Sigurisë Kombëtare gjatë emisionit “This week” të kanalit ABC News. O’Brien tha se ai nuk i paragjykon tre ish-policët, por tha se, “Nuk mund ta imagjinoj që ata të mos akuzohen”.
Zoti O?Brien tha se qeveria amerikane mban zi për vdekjen e Floyd-it dhe lutet për familjen Floyd.
“Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë në Amerikë,” tha ai.
Në një intervistë për kanalin CNN, O’Brien pyeti pse Chauvin, të cilin e quajti një “polic të përlyer”, ishte ende pjesë e forcës së policisë në Minneapolis në momentin e këtij incidenti, ndërkohë që ishin ngritur ankesa të shumta kundër tij vitet e fundit.
“Ne e duam zbatimin e ligjit në Shtetet e Bashkuara”, tha O’Brien. Ai hodhi poshtë sugjerimin se ekziston racizëm në sistemin e forcave të policisë amerikane, ndërsa pranoi se “ka disa policë të këqij që duhet të hiqen. Kemi disa mollë të prishura që i japin zbatimit të ligjit një emër të keq. Unë mendoj se ata janë pakica?.
Disa nga zyrtarët kanë fajësuar provokatorë nga ekstremi i majtë dhe i djathtë për dhunën në disa qytete, e paparë në vend që mbase nga ditët e protestave të zgjatura kundër përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Vietnamit në vitet 1960.
Zoti O’Brien i tha kanalit ABC se “Do t’i mbajmë sytë hapur ndaj kujtdo”, por fajësoi për dhunën grupin e majtë radikal Antifa.
“Është Antifa. Janë duke vepruar në disa shtete” për të nxitur dhunën ndaj policisë dhe shkatërrimin e pronës, tha ai.
“Kjo duhet të ndalet”, tha ai. “Kjo dhunë e Antifas duhet të ndalet”.
Një ndër udhëheqësit kryesorë demokratë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, tha se e kanë informuar që 80% e të arrestuarve në protestat në Minneapolis nuk ishin banorë vendas, por të ardhur nga vende të tjera jashtë shtetit Minnesota, i ndodhur në mes-perëndimin amerikan.
Në qytetin pranë, të quajtur Saint Paul, kryebashkiaku Melvin Carter i tha kanalit CNN se u bë e qartë se disa njerëz që shkaktonin trazira dhe plaçkitje në qytetin e tij “nuk udhëhiqeshin nga dashuria për komunitetin tonë”.
Zoti O?Brien i tha kanalit CNN se, “Kush e di se nga vijnë”, por u zotua se, “Do t’i shkojmë deri në fund”.
Kryetarja e bashkisë së Atlantës, Keisha Lance Bottoms, tha për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS News se disa nga protestuesit në qytetin e saj jugor gjithashtu ishin të panjohur për të.
“E dini, nuk mund të them se kush janë ata,” tha Bottoms. ?Dukej ndryshe përbërja racore në qytetin tonë krahasuar me protestat tona normale. Dhe ishte – ishte thjesht një grup tjetër. Pra, nuk e dimë se kush ishin ata, por shumë prej tyre nuk ishin vendas. Këtë mund ta them”.
Zoti O’Brien përmendi katër vende – Kinën, Rusinë, Zimbabven dhe Iranin – që kanë paraqitur nën dritë negative Shtetet e Bashkuara për shkak të vdekjes së Floyd-it dhe demonstratave të dhunshme që pasuan – të gjitha këto në mesin e pandemisë së koronavirusit dhe krizës ekonomike që ka krijuar. Më shumë se 40 milionë punonjës, rreth një e katërta e forcës së punës amerikane, janë pushuar nga puna.
Por O?Brien tha se Shtetet e Bashkuara, ku protestat paqësore mbeten baza e parimeve demokratike të vendit, nuk janë si vendet autoritare ku policia shpesh arreston edhe demonstrues jo të dhunshëm kundër-qeverisë.
“Kjo është ajo që e dallon Amerikën nga vendet e tjera,” tha ai.
O’Brien tha se vendet e tjera që sulmojnë reputacionin e Shteteve të Bashkuara “nuk do të përfitojnë dot duke shfrytëzuar këtë situatë”./ VOA

Lajmet e fundit nga