Connect with Us

Kaos në SHBA/ Protestat shndërrohen në plaçkitje dhe dhunë në shumë qytete

Bota

Kaos në SHBA/ Protestat shndërrohen në plaçkitje dhe dhunë në shumë qytete

Publikuar

-

Protesta paqësore u shndërruan në plaçkitje, vënie zjarri dhe dhunë në të gjithë Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së George Floyd-it ndërsa ishte në paraburgim policor në Minneapolis të Minesotës. Siç njofton Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës, megjithë vendosjen e ndalim-qarkullimeve dhe një rritje të pranisë së forcave të rendit në rrugët e shumicës së qyteteve më të mëdha amerikane, tensionet racore kanë arritur një pikë të nxehtë.

Në trazira të përhapura që nuk janë parë në dekada … qytetet amerikane nga Siatëlli në Uashington D.C u dogjën ndërsa më shumë protesta paqësore gjatë ditës u kthyen në trazira dhe shkatërrime gjatë natën.

Guvernatorët në 12 shtete amerikane kanë aktivizuar trupat e Gardës Kombëtare për të shuar dhunën dhe për të rivendosur rendin.

Ishte masa më e fundit pas një javë tensionesh të përshkallëzuara pasi George Floyd vdiq në arrest policor. Derek Chauvin, oficeri i Mineapolisit i cili e mbërtheu Floydin në tokë duke përdorur gjurin e tij, tani përballet me akuzën e vrasjes së shkallës së tretë në lidhje me vdekjen e Floydit. Por protestuesit kërkojnë më shumë, përfshirë akuzat kundër oficerëve të tjerë të përfshirë.

“Dua të sjell ndryshim për njerëzit e mi sepse kjo ka ndodhur për shumë gjatë dhe gjërat duhet të ndryshojnë kudo sepse asgjë nuk do të ndryshojë nëse vazhdojmë të flasim, ose të vazhdojmë të postojmë diçka në mediat sociale. Kjo është e gjitha”, thotë një protestues në Mineapolis.

Që nga e enjtja, Associated Press raporton se policia ka arrestuar rreth 1.700 njerëz në 22 qytete në të gjithë vendin në lidhje me dhunën që ka lënë të djegura dhjetra biznese, oficerë të plagosur dhe disa demonstrues të vrarë.

Ajo që filloi si përgjigje ndaj vdekjes së Floydit në Mineapolis ka kapërcyer kufijtë e SHBA, duke tërhequr qindra njerëz në rrugët e Londrës në shenjë solidariteti me ata që kërkojnë barazi racore.

“Kemi parë për qindra vjet afrikano-amerikanët dhe njerëzit me ngjyra të abuzohen dhe të vriten në rrugë dhe kjo thjesht po përkeqësohet. Mjaft më, nëse ata nuk do të dëgjojnë ne” thjesht do të thërrasim me zë edhe më të lartë. Nuk do të ndalemi derisa të bëhet diçka. Mjaft Më!. Këta janë njerëz që nuk mbajnë më. Është koha për të bërë disa ndryshime”, thotë një protestues në Londër.

LEXO EDHE:  Shembja e Teatrit Kombëtar/ Arben Malaj bashkohet me artistët

Ligjvënësja e Minesotës në Kongres, Ilhan Omar përfaqëson pjesë të qytetit të Mineapolis në qendrën e demonstratave dhe thotë se duhet të ketë “reforma mbarëkombëtare”.

“Trazirat që po shohim në vendin tone nuk janë vetëm për shkak të jetës që u mor, por gjithashtu sepse shumë njerëz e kanë provuar këtë përvojë. Shumë njerëz kanë përjetuar padrejtësi brenda sistemit tonë”.

Në fjalimin e përgatitur pas nisjes së suksesshme të astronautëve të parë amerikanë në një anije hapësinore komerciale, Presidenti Donald Trump tha se ndërsa ai mbështet protestat paqësore, nuk do të tolerojë shkeljet ligjore dhe shkatërrimin.

“Kujtimi i Xhorxh Floidit po përdhoset nga rebelët, plaçkitësit dhe anarkistët. Dhuna dhe vandalizmi po drejtohet nga Antifa dhe grupe të tjera radikale të krahut të majtë, të cilët po terrorizojnë të pafajshmit, po shkatërrojnë vendet e punës, po dëmtojnë bizneset dhe po djegin ndërtesat “.

Ishte një mesazh që Këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brien mbrojti pas një nate tjetër trazirash.

“Presidenti është i indinjuar nga kjo dhe të gjithë jemi. Kjo duhet të ndalet, dhe ne po i bëjmë thirrje FBI-së të hetojë Antifan dhe të arrijë në konkluzion për këta rebelues të dhunshëm. Nuk dua që ata të ngatërrohen me protestuesit paqësorë që kanë çdo të drejtë për të dalë në rrugë dhe kjo është ajo që e bën Amerikën ndryshe nga shumë vende të tjera të botës”.

Me turmat e mëdha që mblidhen për të demonstruar vjen rreziku i përhapjes së mëtejshme të COVID-19. Ndërsa vazhdojnë trazirat në Amerikë, numri i infeksioneve në Sh.B.A nga koronavirusi po rritet gjithashtu së bashku me numrin e vdekjeve, i cili tani e kalon 100,000./ VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosova & Rajoni

Shtatë persona humbin jetën nga Covid-19 brenda ditës në RMV, 89 të infektuar

Publikuar

-

Nga

Rritet ndjeshëm numri i rasteve të reja të infektuara me koornavirus në Maqedoninë e Veriut.

Që ditën e parë të qershorit, Maqedonia e Veriut ka shënuar 7 viktima dhe 89 raste të reja nga COVID-19. Teksa Maqedonia e Veriut është drejt rihapjes madje kërkon të mbajë edhe zgjedhje të parakohshme, shënohen këto shifra të larta.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe është alarmuar duke paralajmëuar konferencë urgjente në orë 15:00./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Bota

Protestat e dhunshme në SHBA/ 12 shtete mobilizojnë Gardën Kombëtare

Publikuar

-

Nga

Guvernatorët e Minesotës dhe 11 shtete të tjera kanë mobilizuar trupat e Gardës Kombëtare, ndërsa qytetet e tyre u përballën me një tjetër natë protestash të dhunshme të shkaktuara nga vdekja e një afrikano-amerikan ndërsa ishte ndaluar nga policia.

Në Mineapolis, atje ku nisen protestat, policia dhe Garda Kombëtare u futën në qytet menjëherë pas orës 8 të pasdites. Ndalim-qarkullimi hyri në fuqi me qëllimin per te ndalur protestat. Punonjësit e zbatimit të ligjit përdorën gaz lotsjellës e plumba gome për të pastruar rrugët e qytetit.

Për katër ditë me radhë protestat që fillimisht nisën si paqësore degjeneruan në plaçkitje, zjarrvënie dhe forma të tjera dhune në qytetin e Mineapolisit, atë fqinj të Saint Paulit e në qytete të tjera në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

“Ndodhemi nën sulm”, tha zoti guvernatori demokrat Tim Walz, i cili garantoi se do të rendi “do të vendoset me gjithë fuqinë”. Guvernatori Walz tha se vendosja e gardës ishte e domosdoshme pasi sipas tij protestat po përdoresish nga persona që po kërkonin të krijonin kaos.

Në një koment më vete Prokurori i Përgjithshëm William Barr gjithashtu drejtoi gishtin ndaj atyre që i cilësoi si nxitës ekstremistë të protestave. Ai dhe zoti Walz bënë fajtor për situatën krahët e kundër ektremistë të politikës, por pa ofruar prova për të mbështetur pohimet e tyre.

Guvernatorët në të paktën 11 shtete të tjera, Xhorxhia, Kentaki, Ohajo, Uiskonsi, Kolorado, Jutah, Uashington, Kaliforni, Tenesi, Mizuri dhe Teksas, aktivizuan gjithashtu trupat e Gardës Kombëtare për të ndihmuar në shuarjen e protestave që në shumë zona janë kthyer në të dhunshme.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për Los Angelesin ku pati protesta të shtunën vonë dhe demonstruesit u vunë zjarrin disa objekteve.

Në Indianapolis pati të shtëna të shumta në qendër të qytetit të shtunën që shënoi dhe natën e dytë të protestave. Një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Shefi i policisë Randal Taylor u bëri thirrje banorëve që nuk jetojnë në zonë të largohen pasi sic tha ai “qendra e qytetit nuk është e sigurt në këtë kohë”.

Gati 1.400 vetë u janë arrestuar në të gjithë vendin, sipas një njoftimi të “Associated Press” të shtunën. Ky numër ndoshta mund të jetë më i lartë pasi protestat vazhduan gjatë natës. Kryetarët e bashkive në disa qytete të SHBA kanë nxjerrë urdhra për ndalim qarkullimi gjatë natës pas akteve të dhunës që përfshinë qytetet e tyre, përfshirë Los Anxhelosin, Siatëllin, Atlantën, Denverin, Piladelfian, Portlandin, Oregonin dhe Kolumbian.
Ndërsa disa protesta kanë çuar në dhunë përfshirë zjarrvënie dhe plaçkitje në Mineapolis dhe Portland, të tjera kanë mbetur paqësore, si në Uilmington, Delauer dhe Grinvill.

LEXO EDHE:  Tahiri: Çadra është bunker që mbron ish-pushtetarët

LEXO EDHE:  Zbulohet skenari i protestës/ Trazira si në 21 Janar dhe sulm mbi Kryeministrinë

Në New York, protestuesit dolën në rrugë, mbrëmjen e tretë me radhë duke qëndruar deri pak pas mesnate. Kryebashkiaku Bill de Blasio mbajti një konferencë shtypi në Bruklin, jo shumë larg nga vendi ku ishin mbledhur demonstruesit. Ai tha se numri i protestuesve që vazhdonin të ishin ende në rrugët e qytetit në atë orë numërohej në vetëm disa “qindra” dhe u bëri thirrje atyre të shkonin në shtëpi.

Nju Jorku nuk e ka aktivizuar Gardën Kombëtare dhe kryetari i bashkisë tha se departamenti i policisë së qytetit është “struktura e duhur” për të adresuar situatën sepse sic tha ai, ata e kuptojnë Nju Jorkun.

Garda Kombëtare e Minesotës njoftoi se do të rrisë praninë e trupave përtej 700 ushtarëve të vendosur tashmë. Gjeneral majori Jon Jensen tha që do të ketë më shumë se 1.700 trupa në zonë të dielën. Garda Kombëtare është një forcë ushtarake rezervë me njësi në secilin prej 50 shteteve, shumica e anëtarëve të së cilës shërbejnë me kohë të pjesshme. Njësitë mund të aktivizohen në raste emergjence nga qeveritarët e shteteve për të ndihmuar në trajtimin e fatkeqësive natyrore apo trazirave civile.

Ndërkohë Derek Chauvin, oficeri i cili dyshohet se shkaktoi vdekjen e George Floydit u shkarkua të martën nga Departamenti i Policisë në Mineapolis. Ai u arrestua dhe ndaj tij u ngrit akuza për vrasje të shkallës së tretë.

Familja e George Floyd në një koment rreth ngritjes zyrtarisht të akuzave tha se pret një qasje më të ashpër rreth ngjarjes.

“Ne duam një akuzë për vrasje të shkallës së parë si dhe duam të shohim oficerët e tjerë të arrestuar. U bëjmë thirrje autoriteteve të rishikojnë akuzat për të pasqyruar përgjegjësinë e vërtetë të këtij polici’”, tha një zëdhënës i familjes.

Derrick Johnson, president dhe drejtues ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare për Përparimit e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP) një grupim për të drejtat civile i tha “Zërit të Amerikës” se vrasja e George Floyd tregon se “në këtë vend nuk e kemi trajtuar çështjet racizmit si dhe vlerën që ka jeta e afrikano-amerikane në Mineapolis”.

Ai tha se protestat paqësore janë “një mënyrë për qytetarët e këtij vendi për të ngritur shqetësimin e tyre mbi padrejtësitë” dhe shtoi se NAACP “kundërshton në mënyrë absolute rebelimin, që kurrë nuk zgjidh asgjë”, sikurse tha ai./ VOA

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Qeveria e Kosovës forcon reciprocitetin ndaj Serbisë/ Reagime në Bruksel, Beograd e Prishtinë

Publikuar

-

Nga

Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi që nga sot të mos lejohet hyrja e mallrave nga Serbia, dokumentet e të cilave nuk i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues. Vendimi nxiti reagimin e Beogradit, të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, por edhe kundërshtimin e presidentit të Kosovës dhe të mandatarit të tij për formimin e qeverisë së re.

Sipas vendimit të qeverisë, asnjë maune me mallra serbe nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk shkruan Republika e Kosovës dhe të gjitha duhet të jenë të pajisura me leje hyrëse të lëshuara nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

Vendimi i qeverisë do të mbetet në fuqi në afat të pacaktuar dhe është vazhdimësi e masave të reciprocitetit të vendosura më 31 mars. Që atëherë ishte lejuar që mallrat serbe të hynin me mbishkrimin Kosovë, por meqë në eksportet nga Kosova autoritetet serbë kërkuan që të vendoset mbishkrimi Republika e Serbisë, qeveria në Prishtinë vendosi të përgjigjej në mënyrë të ndërsjellë.

Vendimi i qeverisë nxiti zemërim në Beograd. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha se masat e reja janë të papranueshme dhe nuk do të ketë bisedime derisa nuk hiqen ato.

Ndërsa, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, u shpreh i zhgënjyer me masat e reja të të qeverisë së Kosovës. Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, zoti Lajçak tha se “këto veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e bisedimeve duhet të hiqen menjëherë”. Ai ritheksoi se palët duhet të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e arritura në të kaluarën.

Vendimi i qeverisë në detyrë u kundërshtua nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili shkroi në rrjetet sociale se “në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, shkroi ai.

LEXO EDHE:  EKSKLUZIVE-DETAJE/Marinsi amerikan Brandon dhe roli i tij në PD

LEXO EDHE:  Tahiri: Çadra është bunker që mbron ish-pushtetarët

Ndërsa Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili është mandatar nga presidenti Thaçi për formimin e qeverisë së re, shkroi se “veprimet e fundit nga qeveria në detyrë nuk e ndihmojnë vendin, por e kurthojnë atë. Është e ditur se reciprociteti është pjesë organike e strukturës tonë ligjore. Por, ne sot kemi nevoje ta mbështesim dialogun me ndihmën e miqve tanë. Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, shkroi zoti Hoti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi ndërkaq se “t’i mohosh Republikës së Kosovës parimin e reciprocitetit do të thotë t’i mohosh asaj ushtrimin e të drejtave të saj sovrane. Kosova dëshiron marrëdhënie të drejta me fqinjët. Bisedimet zhvillohen ndërmjet të barabartëve dhe Serbia duhet ta shoh Kosovën si të barabartë në çdo tryezë”, shkroi zoti Kurti.

Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian u pezulluan që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe.

Më 31 mars qeveria e kryeministrit tashmë në detyrë Albin Kurti, hoqi tarifat ndaj mallrave nga Serbia duke i zëvendësuar ato me vendosjen shkallë shkallë të masave reciproke ndaj Serbisë. Vendimi qe mirëpritur nga Bashkimi Evropian por u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkojnë heqjen e yë gjitha pengesave për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Mospajtimet rreth kërkesave amerikane çuan edhe në përçarjen e koalicionit qeverisës ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila më 25 mars hodhi një mocion mosbesimit me të cilin u rrëzua qeveria e zotit Kurti.

Të enjten Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të një dekreti të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re, pa lëvizjen Vetëvendosje./ VOA

LEXO TE PLOTE