Connect with Us

Çfarë mund të mësojmë nga teoritë e komplotit

Blog

Çfarë mund të mësojmë nga teoritë e komplotit

Publikuar

-

Nga rebelimet politike tek ankthet mbi seksin, teknologjinë dhe gratë, duket se teoritë e komplotit mund të na rrëfejnë shumë mbi atë që ndodh në shoqëritë tona, por edhe mbi mënyrën se si t’i ndreqim problemet që kemi.

Nga Zaria Gorvett

Në vitin 331 Para Krishtit, në Romë po ndodhte diçka e pazakontë. Në të gjithë qytetin, burrat më të shquar po sëmureshin rëndë, dhe thuajse që të gjithë po vdisnin. Humbjet ishin sa shqetësuese aq edhe alarmante. Një ditë, një skllave iu afrua një gjykatësi që po ecte në rrugë, dhe i tha me ze të ulët se ajo e dinte arsyen e atyre vdekjeve.

Vajza çoi një ekip hetuesish në shtëpi të ndryshme, ku ajo pretendoi se ata do të gjenin disa gra të shtresës së lartë, që përgatitnin helme fshehurazi. Ekipi veproi. Të akuzuarat u çuan në sheshin qendror të Romës, ku iu kërkua të provojnë pafajësinë e tyre. Meqënëse ato pretendonin se barnat e tyre ishin për qëllime kurimi, a do të ishin të gatshme që t’i pinin edhe vetë?

Dy nga të dyshuarat u detyruan t’i pinin, duke rënë menjëherë përtokë të vdekura. Pasuan arrestime të shumta, dhe u zbulua se në këtë veprimtari ishin të përfshira edhe 170 gra të tjera. Incidenti u cilësua si një skandal i madh. Pas asaj ngjarje, populli i Romës zgjodhi një zyrtar që  do t’i përkushtohej ritualeve të dëbimit të së keqes, një taktikë që më herët ishte përdorur vetëm si zgjidhja e fundit për trazirat e mëdha civile.

Ose të paktën, ishte ky versioni i ngjarjeve që u regjistrua nga historiani i respektuar Tit Livi, që lindi qindra vjet më vonë. Por ai nuk ishte i bindur se ato gra ishin në fakt përgjegjëse për vdekjet, dhe për këtë nuk janë të bindur as ekspertët e ditëve tona. Përkundrazi, Livi dha një shpjegim shumë më racional për vdekjet misterioze:një epidemi.

Në atë kohë, qyteti ishte përfshirë nga një epidemi e panjohur, një shkak i zakonshëm i vdekjeve në botën e lashtë. Nga ana tjetër helmimet masive, ishin të padëgjuara. Në fakt, ishte e vërtetë që grate në fjalë po përgatitnin ilaçe, por pjesa tjetër e historisë u sajua. Helmimet famëkeqe të vitit 331 Para Krishtit, mendohet se janë një teori komploti, për të shpjeguar vdekjet që kishin një shkak të padukshëm.

Dhe në mesin e pandemisë aktuale, ky skenar është shumë i njohur. Që nga fillimi i muajin prill, të paktën 77 antena telefonike dhe 40 inxhinierë janë sulmuar fizikisht në Britaninë e Madhe, pasi disa njerëz e besojnë idenë e gabuar se Covid-19 po përhapet nga forcat e fuqishme në industrinë globale të telekomunikacionit.

Tani thashethemet të tilla janë përhapur edhe në SHBA, ku autoritetet kanë frikë se kjo mund të çojë në akte dhunë të mëtejshme. Po pse përhapen këto lloj historish alternative? Çfarë e bën një teori komploti tërheqëse për masat? Dhe a mund të mësojmë ne ndonjë gjë nga problemet me të cilat përballemi?

Fajtorë bindës

Së pari, teoritë e sukseshme të komplotit kanë gjetur gjithmonë “fajtorin” e duhur. Viktoria Pagan, historiane në Universitetin e Çikagos, SHBA, mendon se suksesi i konspiracionit të helmimeve në Romë, u bazua në faktim se ai shënjestroi gra dhe skllevër të familjeve të shtresave të larta, të cilat elitat e fuqishme mashkullore i konsidentonte si kërcënuese për pozitat e veta.

Meqë civilizimi mbështetej shumë në shfrytëzimin e të dyja këtyre grupimeve, burrat ishin vazhdimisht të shqetësuar se vartëset e tyre do të rebeloheshin. Gratë me status të lartë shiheshin me dyshim, dhe portretizoheshin si plot sekrete dhe të rrezikshme. Nga ana tjetër, dihej se skllevërit kishin vrarë shpesh padronët e tyre.

Ankthe kolektive

Në botën moderne, nuk është rastësi që teoritë me popullore të komplotit, priren të merren me tema të tilla si alienët, pakicat fetare, elitat e plotfuqishme, kombet rivale, teknologjitë misterioze dhe shkatërrimi i mjedisit. Dhe çdo shoqëri ka ankthet dhe obsesionet e veta, ku depërtojnë teoritë e komplotit.

Në Rumani, shumë gra nuk pranojnë që vajzat e tyre të vaksinohen kundër HPV, virusi që është përgjegjës për 99 për qind të rasteve me kancerin e qafës së mitrës. Ekzistojnë disa arsye për këtë refuzim. Por një studim ka treguar se kryesorja është bollëku i teorive të komplotit, përfshirë idenë se vaksinat janë një përpjekje për të kontrolluar popullatën e botës, duke i bërë gratë jopjellore, dhe se ajo është një eksperiment mjekësor nga industria farmaceutike, megjithëse nuk ka asnjë provë për asnjërën.

Tribalizmi

Ky faktor, përshtatet me një element tjetër të zakonshëm në teoritë më popullore të komplotit. Ato na bëjnë të ndjehemi mirë në lidhje me grupimin tonë shoqëror, shpesh duke shpërfillur ata që i shohim si rivalë. Duke theksuar dallimet midis “atyre brenda grupit tonë” dhe “jashtë grupit tonë”, teoritë e komplotit mund të çojnë në lidhje më të forta shoqërore, dhe të krijojnë një ndjenjë mbrojtjeje ndaj atyre njerëzve që perceptohen si kërcënues.

Pasiguritë

Disa studime sugjerojnë që njerëzit u kthehen teorive konspirative, kur përballen me situata krize. Ideja që teknologjia 5G dhe rrjetet e tjera të mëparshme të telefonave celularë, janë disi të dëmshëm për shëndetin tone, ka qarkulluar prej të paktën 30 vjetësh.

Por shfaqja e një koronavirusi të ri misterioz në dhjetor 2019, e rriktheu më me forcë në qendër të vëmendjes. Në kohëra krizash, ka shumë të ngjarë që t’i drejtohemi teorive të komplotit, pasi i shohim ato si siguruese. Disa psikologë, i kanë krahasuar këto lloj teorish me besimet fetare, që na ndihmojnë të ndjehemi më shumë nën kontrollin e situatës, duke i analizuar shumë ngjarje të paparashikueshme ose të rastësishme, e duke i bërë ato të duken disi të paracaktuara ose të diktuara nga dora e njeriut.

Boshllëqe në dije

Teoritë kryesore të komplotit, tentojnë që t’i japin përgjigje ngjarjeve të paqarta ose misterioze, nga rrëzimi i pashpjegueshëm i një avioni, tek në vdekjet e papritura të personave të famshëm. Dhe aty ku autoritetet nuk munden, ose nuk dinë të japin më shumë informacion, këto boshllëqe informative kombinohen me një mosbesim të përgjithshëm, duke e orientuar publikun drejt njerëzve që pretendojnë se e kanë një përgjigje.

Kur shkencëtari Endrju Ueikfilld pohoi në vitet 1990, se vaksina MMR mund të shkaktonte autizëm tek fëmijët, u deshën dekada kërkimesh shkencore për të përcaktuar përtej dyshimit të arsyeshëm, se ky pretendim nuk ka asnjë bazë shkencore. Por ndërkohë, teoria e komplotit kishte shkaktuar dëme serioze në shëndetin e shumë të rinjve.

Motive të tjera

Ndërsa shoqëritë tona po ndryshojnë, po kështu po ndodh edhe me teoritë e komploteve. Rasëll Mairhed, politolog në Kolegjin Dartmauth në SHBA, është i shqetësuar për drejtimin që po marrin këto teori. Sipas tij ato përhapen nga njerëz që janë në periferi të shoqërisë, dhe ato janë

një armë e të pafuqishmit për t’i kërkuar llogari të plotfuqishmit.

Por sot teori të tilla po mbështeten pikqërisht nga të plotfuqishmit. Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, shumë liderë kanë mbështetur publikisht teoritë e komplotit, që përputhen mjaft mirë me axhendat e tyre. Për shembull, presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar vazhdimisht se ka parë prova se koronavirusi e ka origjinën në një laborator kinez, ndërsa agjencitë e tij të inteligjencës, pretendojnë nuk ka prova për këtë.

Në librin “Shumë njerëz po thonë”, në të cilin Mairhed është bashkëautor, flitet për një prirje të dytë të re në botën e komplotit:komplotet pa teori, sikurse ishte teoria e nje rrjeti pedofilësh në SHBA, me bazë bodrumin e një picerie në Uashington, ku në fakt aty nuk kishte as bodrum.

Si të sillemi përballë teorive të tilla?

Mairhed thotë se një pjesë e problemit, është se njerëzit e kanë humbur gradualisht besimin tek ekspertët, qeveritë dhe institucionet e fuqishme. Për të rregulluar sistemin, ai sugjeron se duhet të ri-legjitimojmë demokracinë, të reformojmë qeveritë tona, dhe t’i trajnojmë institucionet tona si të përballen me këtë dukuri.

Marrë me shkurtime nga “BBC Future” – Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Ja si mund të nisin luftërat botërore të shekullit XXI

Publikuar

-

Nga

Ja si mund të nisin luftërat botërore të shekullit XXI

Nga Charlie Ang Hwa Leong “Al Jazeera”

Pandemia e Covid-19, është si një aksident hekurudhor me xhirim të ngadaltë. Ai mund të jetë shkëndija që do t’i vërë “flakën” të gjithë shoqërisë globale, ashtu si në luftërat botërore të shekullit XX-të. Shumë pak njerëz mund të jenë të vetëdijshëm, por luftërat botërore të shekullit XXI tashmë kanë filluar, dhe ndryshe nga ato të shekullit të kaluar, konfliktet e reja janë midis njerëzimit dhe natyrës.

Pandemia e Covid -19, është sulmi i parë i natyrës në shkallë globale mbi botën njerëzore moderne. Ndërsa u nxit, ashtu si Lufta e Parë Botërore, nga një kthesë mizore e fatit, ajo ishte një rast i brishtësisë sistematike që vetëm sa priti të ekspozohej.

Mbipopullimi, hiper-globalizimi, varfëria e shumë-përhapur, qeverisja e dobët, zbehja e bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i shfrenuar i mjedisit nga njeriu, janë sëmundjet e statuskuosë tonë të dështuar. Pas Luftës së Parë Botërore, njerëzimi dështoi ta reformojë sa duhet vetveten.

Lidhja e Kombeve, ishte një përpjekje e bërë me gjysmë zemre, dhe që tek e fundit nuk vlejti aspak për të parandaluar një konflikt tjetër botëror. Do të duhej shkatërrimi i plotë i Evropës dhe Azisë Lindore, dhe më shumë se 70 milionë të vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore, para se të hidheshin themelet e forta të paqes dhe prosperitetit në ato rajone.

Sot, jemi sërish në luftë. Pandemia e Covid-19, është raundi i parë i luftës së civilizimit njerëzor kundër “Nënës Natyrë”, një provë në shkallë të gjerë dhe një këmbanë alarmi shumë e madhe se më herët. Një kolaps klimatik, që me siguri do të jetë shumë më shkatërrues dhe i zgjatur në kohë.

OKB paralajmëron se numri i refugjatëve s pasojë e ndryshimeve klimatike, mund të arrijë në 1 miliardë njerëz deri në vitin 2050. A do të mësojmë nga kjo fatkeqësi, dhe t’i shmangemi luftës tjetër botërore të shekullit  XXI?

Stuhi pas stuhie

Pandemia e Covid-19, po shkakton seri reagimesh të pakontrollueshme, të cilat kanë një efekt zinxhir. Emergjenca globale e shëndetit dhe kriza ekonomike, dy anët të së njëjtës monedhë, kanë nxitur tashmë rënien joracionale të çmimit të naftës, dhe ka një konflikt në përshkallëzim e sipër midis Kinës dhe SHBA-së, por edhe kombeve të tjera.

Zgjatja në kohë e pandemisë, do të rrisë pa ndryshim rreziqet e krizave financiare, trazirave politike dhe atyre sociale, duke destabilizuar një botë tashmë plot me probleme të pazgjidhura. Nëse koronavirusi godet fuqishëm vendet në zhvillim, situata mund të dalë lehtësisht jashtë kontrollit. Pa aftësi të mjaftueshme ekonomike, pandemia mund të shndërrohet shpejt në një çështje për jetë a vdekje për miliarda njerëz.

Përshpejtimi i shumë zhvillimeve

Vitet 2020 pritet të shohin 3 zhvillime të përshpejtuara. Revolucioni i katërt industrial, ç’rregullimi ndërkombëtar, dhe kapitalizmi i përgjegjshëm dhe konsumatorizmi. Covid -19 sapo e ka shtuar më shumë presionin. Luftërat botërore të shekullit XX-të, e përshpejtuan epokën industriale, përmes zhvillimit të shpejtë teknologjik për qëllime ushtarake, komunikimi dhe mjekësore.

Luftërat e shekullit XXI-të, do të nxisin përparimin në epokën e inteligjencës artificiale,  dhe shpejtojnë Revolucionin e Katërt industrial. Covid-19, krijoi menjëherë “ekonominë e izolimit”, ku një shumëllojshmëri e plotë shërbimesh mund t’i dorëzohen konsumatorit kudo ai ndodhet, bashkë me përhapjen e kulturës “puno, studio dhe luaj aty ku jeton”.

Prisni që revolucioni digjital i industrive dhe adoptimi i teknologjive 4.0 (për shembull, robotika inteligjente, media gjithëpërfshirëse, inteligjenca artificiale) të intensifikohen pasi bizneset dhe konsumatorët të kërkojnë kosto gjithnjë e më të ulëta, për të qëndruar në një hap me kohën.

Fragmentimi i vazhdueshëm gjeopolitik, dhe rënia e rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja, mund të ndodhë më herët me pandeminë COVID-19. Ajo po e rëndon rivalitetin SHBA-Kinë, po e zhvendos pushtetin nga Perëndimi në Lindje, po thellon krizën e demokracive liberale, përçarjen brenda Bashkimit Evropian, dhe erozionin e rendit të “sëmurë” botëror.

Shumë shtete-kombe mund të përçahen, apo madje të shpërbëhen përballë kërcënimit ekzistencial që paraqet pandemia aktuale. Rendi global, mund të degradojë në një entropi ndërkombëtare. Në fillim ngadalë, dhe pastaj befas si një shtëpi prej letre.

Vitet e fundit, kapitalizmi i përgjegjshëm dhe konsumatorizmi kanë hedhur rrënjë të forta, si refleks i shoqërisë ndaj krizës kronike të klimës. Pandemia e Covid-19, na ofron një kujtesë të vrazhdë të shkatërrimit të natyrës, kur ajo del jashtë ekuilibrit.

Nivele më të mëdha të borxhit

Të nxitura nga vitet e normave të ulëta të interesit, nivelet e borxhit global arritën rekordin më të lartë prej 255 trilionë dollarësh në vitin 2019. Kjo ishte 322 për qind e PBB-së globale, dhe 40 për qind më e lartë se sa në fillimin e krizës financiare të vitit 2008.

Borxhi global i qeverive, kap vlerën e 70 trilionë dollarëve. Deri më tani, rreth 8 trilionë dollarë janë angazhuar në shpenzimet e stimulit fiskal, kryesisht nga ekonomitë e përparuara, ndërsa 103 vende kanë kërkuar fonde emergjente nga FMN, për të lehtësuar pasojat negative të Covid-19.

Korporatat dhe konsumatorët, po përballen me të njëjtën situatë të pasigurt financiare. Në kushtet kur vendet, kompanitë dhe qytetarët po zhyten në një borxh më të madh, a do të mbetet në këmbë ndonjë fuqi për të luftuar ndryshimin e klimës?

8 trilionë dollarët, do të kërkonin jo pak kohë për të na garantuar një të ardhme miqësore me klimën. Pas kësaj “stuhie” të dhunshme, ajo që mbetet do të jetë një rend ndërkombëtar më i frikshëm, një kapacitet financiar më i vogël, një shoqëri globale më e dëshpëruar, dhe një mjedis teknologjik i mbingarkuar.

A do t’i transformojë njerëzimi strukturat, sistemet dhe sjelljet e veta në kohë për të shmangur luftën tjetër botërore të shekullit  XXI? Ndërsa kjo mbetet për t’u parë, unë mendoj se ne do të bëhemi më të gatshëm, por më pak të aftë për të vepruar kështu pas pandemisë së Covid-19./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Sa kohë mund të mbijetojnë njerëzit pa ushqim ose ujë?

Publikuar

-

Nga

Sa kohë mund të mbijetojnë njerëzit pa ushqim ose ujë?

Përkundër asaj që mund të pretendojnë disa guru (njerëz që praktikojnë meditimin e thellë), njerëzit nuk janë qenie që mund të mbijetojnë vetëm me ajër dhe diell. Si të gjitha krijesat, edhe ne kemi nevojë për ushqime dhe ujë që të mbijetojmë.

Zakonisht, njeriu mund të rezistojë pa ushqim për rreth 3 javë para se efektet e urisë t’i marrin atij jetën. Nga ana tjetër, duke qenë se trupi i një të rrituri përbëhet nga 60 për qind ujë, zakonisht një njeri do të rezistonte vetëm 3-4 ditë pa pirë ujë.

Megjithatë, këto janë normat mesatare. Ka njerëz që kanë arritur të mbijetojnë për më gjatë pa ngrënë apo pa pirë. Sesa kohë mund të rezistojë një person pa qasje në kalori dhe lëngje, kjo varet nga shumë faktorë, siç janë kushtet mjedisore dhe gjendja shëndetësore e një personi.

Për shembull, mungesa e ujit në shkretëtirë dhe qëndrimi nën diellin përvëlues do ta vrasë një njeri shumë më shpejt, sesa po të gjendej në mesin e një pylli ku është shumë më freskët. Për t’i lehtësuar gjërat, përdorni “rregullin e treshit” për të krijuar një ide se sa gjatë mund të rezistojë trupi i njeriut pa 3 elementë bazikë:3 minuta pa oksigjen, 3 ditë pa ujë dhe 3 javë pa ushqim.

Sa kohë mund të rezistojë dikush pa ujë? Konsumi i ujit ka efektin më të menjëhershëm në mbijetesën e njeriut. Ndërsa trupi ka yndyrna dhe muskuj që mund të konsumohen për të marrë energji në rast se ushqimi nuk mund të gjendet askund, rezervat e ujit janë shumë më të pakta.

Trupat tanë kryesisht përbëhen nga uji, por ne e humbasim shumë ujë çdo ditë kur djersitemi, urinojmë apo edhe kur nxjerrim frymën. Kjo është arsyeja pse uji duhet të zëvendësohet vazhdimisht. Se për sa ujë ka nevojë një njeri çdo ditë, kjo gjë varet nga aktiviteti fizik, mosha, temperatura e trupit (nëse ke ethe të pihet më shumë ujë), ambienti dhe lagështia e ajrit.

Humbja e ujit përmes frymëmarrjes dhe djersitjes mund të jetë midis 0.3-1 litër në 24 orë në kushte normale. Por në kushte ekstreme, si për shembull vrapimi nëpër shkretëtirë, një i rritur mund të humbasë më shumë se 1.5 litra djersë në orë. Një i rritur do të humbasë rreth 1.5 litra ujë përmes urinës.

Pra rreth 2.5 litra ujë të humbura në ditë. Prandaj çdo i rritur duhet të përpiqet të marrë të paktën atë sasi uji të humbur nga uji nga ushqimet, në mënyrë që të ruajë ekuilibrin e lëngjeve. Kërkesat për ujë të secilit person ndryshojnë, dhe trupi na sinjalizon vetë për nevojat e tij.

Në varësi të sasisë së ujit që humb për shkak të aktivitetit fizik, temperaturës dhe lagështisë, një person mund të mbijetojë kudo midis 3-7 ditë pa ujë. Një 18-vjeçar austriak Andreas Mihavecz besohet se ka mbijetuar më gjatë pa ujë, kur policia e kishte harruar në një qeli për 18 ditë me radhë në vitin 1979. Ai dyshohet se kishte pirë lagështinë e murit, por kjo nuk e bën më pak mbresëlënës këtë rekord.

Por mos harroni se çdo dehidratim që shkakton humbje të më shumë se 10 për qind të peshës trupore, klasifikohet si urgjencë mjekësore. Kjo mund të shkaktojë rënien e vëllimit të gjakut dhe presioni i tij mund të bjerë në nivele që mund të sjellin vdekjen.

Po për sa kohë mund të rezistojnë njerëzit pa ushqim? Këtu ka një gamë më të gjerë se sa ata që vuajnë nga privimi i ujit. Mahatma Gandhi, që është i famshëm për agjërimet e tij jashtëzakonisht të gjata, qëndroi dikur edhe 21 ditë pa ushqim. Por personi që ka mbijetuar më gjatë pa ngrënë është 74 ditë.

Rekordi u vendos nga Terens Meksuin, një i burgosur politik irlandez, që nisi një grevë urie në formë proteste ndaj britanikëve,  që çoi në vdekjen e tij të parakohshme në vitin 1920. Në përgjithësi, njerëzit që kanë hyrë në greva të ngjashme kanë vdekur pas 45-61 ditësh, sipas një studimi të vitit 1997 të botuar në BMJ.

Ajo që dimë me siguri, është se njerëzit mund të mbijetojnë pa ushqim më gjatë se sa pa ujë. Trupi mbështetet tek kaloritë dhe lëndët ushqyese, për t’u siguruar qelizave energjinë e nevojshme për të vijuar proceset biologjike thelbësore.

Kur trupi privohet nga ushqimi, ai u kthehet rezervave. Në fillim konsumon glikogjenin në mëlçi dhe muskuj, duke e shndërruar atë në sheqer dhe aminoacide.  Kur mbaron glikogjeni, trupi fillon të djegë depozitat e yndyrës për të siguruar energji.

Kjo është një nga arsyet pse agjërimi është i shkëlqyer për rënien në peshë. Edhe pse nuk është komode, kur trupi i kthehet konsumit të proteinave. Kjo gjë shkakton humbje të madhe të masës muskulore, përfshirë indet e muskujve të zemrës.

Gjatë urisë, pulsi dobësohet dhe presioni i gjakut bie, pasi zemra nuk ka energji të mjaftueshme për të pompuar gjakun rreth trupit siç ndodh normalisht. Nëse ushqimi vazhdon të mungojë, pushimi i zemrës mund të bëhet i pashmangshëm.

Uria padyshim ndërhyn në sistemin gastrointestinal, duke shkaktuar dhimbje në stomak, të vjella, të përzier, dhe madje edhe infeksione bakteriale. E privuar nga energjia, ndikohet shumë edhe truri, pasi ai konsumon një të pestën e energjisë së një personi. Njerëzit e uritur kanë probleme me përqendrimin apo edhe me fjetjen./ Zmescience.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Dilema e turistëve këtë verë/ Në shtëpi apo në plazhet e “vdekjes”?

Publikuar

-

Nga

Dilema e turistëve këtë verë/ Në shtëpi apo në plazhet e “vdekjes”?

Nga Saim Saeed “Politico.eu”

* Mirësevini në dilemën e Shrëdingerit, ku pushuesve u thuhet këtë vit edhe të udhëtojnë, edhe të dekurajohen të bëjnë këtë gjë për shkak të rrezikut të prekjes nga koronavirusi. Merrni Belgjikën. Ditën kur u miratua një listë e aprovuar nga BE-ja me 14 vende jo të BE-së, banorët e të cilëve mund të hyjnë në zonën Shengen – me synim rihapjen e kontinentit për turistët dhe udhëtarët nga vendet e sigurta – ministria e brendshme belge dërgoi një e-mail, të konsultuar nga POLITICO , përmes të cilës njoftonte industrinë  e turizmit se do të vendoste kufizime të udhëtimit për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Belgjikë nga jashtë Evropës.

Kufizimet, të cilat përfshijnë një ndalim për udhëtimet jo të domosdoshme dhe për një karantinë 14-ditore për të gjithë ata që kanë të drejtën të hyjnë në Belgjikë, u vendosën në një kohë kur Belgjika – dhe Evropa – po përpiqet të shpëtojë sezonin turistik, duke inkurajuar në mënyrë aktive udhëtimin e njerëzve.

Diku tjetër ka mesazhe të përziera. Zyra e Jashtme dhe Komonuelthi i Mbretërisë së Bashkuar, u rekomandon shtetasve britanikë “të shmangin të gjitha udhëtimet ndërkombëtare, përveç atyre që janë të domosdoshme”, por nga ana tjetër ka bërë përjashtime për dhjetëra vende.

Departamenti i Transportit, bëri publike ​​një listë ku shtetasit britanikë mund të shkojnë me pushime, dhe ku nuk do t’i nënshtrohen një karantine 14-ditore pas kthimit të tyre. Njerëzit që i përmbahen planeve të tyre të pushimeve, i nënshtrohen mbajtjes së detyrueshme të maskës, karantinës së mundshme, plotësimit të të dhënave që zbulojnë kontaktet, testet e rastit në aeroport, dhe masa të tjera.

Ndërkohë vendet mesdhetare po pranojnë turistë. “Ka kaq shumë pasiguri në këtë kohë, ndaj ne duhet të jemi fleksibël. Është një lajm i tmerrshëm për një industri që ka nevojë për parashikueshmëri më shumë se për gjithçka tjetër”- thotë Endrju Çarlton, menaxher i sektorit të aviacionit civil.

Kryeministri portugez, Antonio Kosta, u shpreh i hidhëruar që vendi i tij ishte përjashtuar nga lista e sigurtë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe është në ankth derisa të bindë britanikët se ai është një vend i sigurtë për t’u vizituar. Ai publikoi një tabelë duke krahasuar shkallën e rasteve me Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar me atë të qarkut portugez Algarve, një nga destinacionet turistik më popullore.

“Ju jeni të mirëpritur të kaloni pushime të sigurta në Algarve!”-tha ai. Kjo nga ana tjetër çoi në kritika, se hapja ndaj Britanisë dhe turistëve të saj mund të sjellë më shumë raste me koronavirus në Portugali. Edhe Greqia që gjithashtu mbështetet shumë tek të ardhurat nga turizmi nisi një fushatë të re për turistët e huaj me moton “Destinacioni Greqi, por shëndeti i pari!”.

Një spot i shkurtër 30-sekondësh thoshte:”Pas çdo përvoje tuaj ideale, ka një protokoll të plotë për sigurinë tuaj shëndetësore!”. Por pas një rritje të madhe të rasteve kohët e fundit të gjurmuar tek pushuesit serbë, Greqia u ndaloi hyrjen në vend shtetasve serbë.

Evropa është destinacioni kryesor turistik në botë, dhe gati çdo vend premtoi të marrë edhe këtë vit pjesën e vet të turistëve. Por kjo do të thotë të rrezikosh një rikthim të koronavirusit, që disa muaj më parë u përhap pikërisht përmes aeroporteve dhe stacioneve të trenit.

“Janë udhëtimet ato që e përhapën virusin në të gjithë botën, dhe që sollën atë në brigjet tona”- thotë një raport i publikuar nga SAGE, një grup i pavarur shkencëtarësh në Britaninë e Madhe. “Nëse Britania dhe Irlanda do të ishin të gatshme të përfitonin nga fakti që janë ishuj, kjo do të ndihmonte shumë në mposhtjen e virusit, dhe rikthimin e jetës dhe ekonomisë sonë në një lloj normaliteti”- thuhet në raport.

Në Belgjikë, një grup epidemiologësh i bëri apel publikut:”Mos udhëtoni, ose të paktën jo shumë larg”. Një rritje e rasteve në Katalonjë- që është gjithashtu një destinacion turistik kryesor – bëri që kreu rajonal Elio Di Rupo të merrte në konsideratë vendosjen e karantinës dhe kufizimeve të mundshme – dhe kjo në një kohë kur ishte angazhuar në një fushatë “të gjerë” që e promovon rajonin si një destinacion turistik ./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE