Connect with Us

Covid-19 do të shkaktojë varfëri dhe uri për miliona njerëz

Blog

Covid-19 do të shkaktojë varfëri dhe uri për miliona njerëz

Publikuar

-

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se në Afrikë miliona njerëz mund të futen në varfëri ekstreme për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe bëri thirrje për “solidaritet global” me kontinentin Afrikan.

“Pandemia kërcënon përparimin e Afrikës. Do të përkeqësojë pabarazinë dhe do të rrisë urinë, kequshqyerjen dhe prekshmërinë ndaj sëmundjeve, “tha Guterres në një deklaratë që shoqëron një studim të Kombeve të Bashkuara me rekomandime për kontinentin afrikan. Ndërsa ai e uroi Afrikën që u përgjigj me shpejtësi ndaj pandemisë, e cila ka marrë më shumë se 2.500 jetë në të gjithë kontinentin, Guterres vuri në dukje se “deri tani, rastet e raportuara janë më të ulëta se sa frikësohej”. “Vendet afrikane gjithashtu duhet të kenë një qasje të shpejtë, të barabartë dhe të përballueshme për çdo vaksinë dhe trajtim eventual, që duhet të konsiderohen si mallra publike globale,” tha ai në deklaratën e tij. Meqenëse pandemia është ende në “ditët e para” të saj në Afrikë, Guterres theksoi se “përçarja mund të përshkallëzohet shpejt”. “Solidariteti global me Afrikën është një domosdoshmëri,” tha ai.

Bëri thirrje për më shumë se 200 miliard dollarë ndihma

Ndër rekomandimet e tij, Guterres nxiti “veprim ndërkombëtar për të forcuar sistemet shëndetësore të Afrikës, mirëmbajtjen e furnizimeve ushqimore, dhe për të shmangur një krizë financiare”. Gjithashtu është e nevojshme, shtoi ai, për të “mbështetur arsimin, për të mbrojtur vendet e punës, për të mbajtur familjet dhe bizneset, dhe kontinenti duhet mbështetur për të rikuperuar të ardhurat e humbura nga eksporti i munguar”. Guterres bëri thirrje për “më shumë se 200 miliardë dollarë si mbështetje shtesë nga bashkësia ndërkombëtare” për të ndihmuar Afrikën që të shërohet nga pandemia. France 24 / bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Kim Filbi: Si u bë një anglez i ri i privilegjuar, tradhëtar i kombit të tij?

Publikuar

-

Nga

Nga William Boyd

* Anglezët mund të krenohen në mënyrë të arsyeshme për arritjet reale dhe të qëndrueshme në 3 fusha të veçanta të përpjekjes njerëzore: fjalorët e anglishtes, rrobaqepësi, dhe në tradhëti kombëtare. Tradhtia është një dukuri po aq e vjetër sa edhe historia.

Por tradhtitë seriale të së ashtuquajturës “Peshëshja e Kembrixhit” para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore janë unike, dhe padyshim poshtëruese për krenarinë kombëtare të britanikëve. Pesë të rinj, anëtarë të privilegjuar dhe të arsimuar të elitës britanike, vendosën për një arsye

ose tjetrën të bëhen spiunë ose agjentë të dyfishtë për llogari të Rusisë Sovjetike: Gai Barxhes, Donald Maklin, Xhon Keirkros, Entoni Blënt dhe natyrisht, tradhtari më i madh i të gjithë atyre, Kim Filbi.

Rasti i Blënt është shumë intrigues në vetvete. Ai ishte jo vetëm një agjent i dyfishtë sovjetik, por u ngjit në majën e establishmentit britanik:u bë kreu i Institutit Kërtold, dhe mori titullin Kalorës. Në një farë mënyre, Blënt është një shembulli i përsosur i hipokrizisë angleze.

Siç shprehet Hamleti “dikush mund të të buqeshë pafundësisht, dhe prapë të jetë i lig”. Nga ana tjetër, Harold Adrian Rasëll Filbi (Shkolla Uestminster and Kolegji Triniti, Kembrixh), i njohur më së shumti me pseudonimin e tij “Kim”, ishte pa dyshim se një nga agjentët më të suksesshëm të dyfishtë që ka parë ndonjëherë historia.

Detajet mbi dëmet që ai shkaktoi në 3 dekadat e tradhtisë së tij nga vitet 1930 deri në vitet 1960, kanë hyrë tashmë në analet e historisë së spiunazhit. Por njeriu dhe miti Filbi, duket se bëhet gjithnjë e më i madh në kujtesën popullore të inteligjencës britanike.

Ka diçka në lidhje me natyrën e tij, dhe mënyrën se si arriti t’ua hidhte të gjithëve, që është tërësisht bindëse, dhe që shkon përtej një spiunazhi të thjeshtë. Rasti i Kim Filbit, duket se na tregon diçka të thellë mbi veten dhe vendin tonë, dhe nga e cila siç duket nuk kemi ende të ngopur.

Investigimi i ri i Ben Mekintajër mbi rastin e super-spiunit, përbën një kontribut jashtëzakonisht tërheqës mbi rastin “Filbi”. Mekinjatër zgjedh ta analizojë Filbin dhe aktivitetet e tij përmes thjerrëzave të një miqësie; miqësisë së ngushtë me bashkëpunëtorin e tij operativ në MI6, Nikolas Eliott (1916-1994).

Eliott dhe Filbi, e nisën bashkë jetën e tyre si spiunë, dhe e kryen atë profesion për dekada. Eliot ka pretenduar gjithnjë pafajësi për atë çka bëri miku i tij. Por, si për ironi, ai ishte i pranishëm në momentin e dezertimit të Filbit në Moskë, dhe në fakt mund ta ketë organizuar atë. Më pak fjalë, historia e spiunazhit të Filbit ndjek këtë trajektore.

Ai u rekrutua zyrtarisht si agjent rus nga Arnold Dojç në vitin 1934. Filbi ishte në atë kohë vetëm 22-vjeç. Motivi i të riut Filbi aso kohe ishte dukshëm ideologjik. Ai besonte absolutisht në kauzën e komunizmit, si e vetmja mënyrë përmes së cilës mund të luftohej fashizmi.

Si gazetar, ai punoi fshehurazi për shërbimin sovjetik të sigurisë NKVD gjatë Luftës Civile Spanjolle (çuditërisht, u dekorua edhe nga Francisko Franko). Problemi me këtë pozicion intelektual, ishte se për çdo qenie njerëzore të ndjeshme, ai qe moralisht i paqëndrueshëm me shpalljen e paktit nazisto-sovjetik të vitit 1939, që e ndau Poloninë.

Njëkohësisht, peshorja dukej se po zhbalancohej në sytë e simpatizantëve komunistë britanikë:Rusia e Stalinit, nuk ishte shteti utopik i punëtorëve që ëndërrohej. Kjo do thotë se edhe nxitja ideologjike për të tradhtuar vendin tënd, nuk është aq vendimtare.

Kur shohim veprimtaritë e spiunëve të Kembrixhit pas vitit 1939, besojmë se duhej të ekzistonin motive të tjera. Dhe këtu besoj se qëndron edhe “çelësi” i interesit të qëndrueshëm të Filbit mbi Bashkimin Sovjetik. Atëherë pse tradhëtoi ai? Si mundi të duronte presionet e mëdha e të paimagjinueshme të një jete të dyfishtë gjatë viteve 1933-1963, kur më në fund dezertoi në Bashkimin Sovjetik? Ky është misteri që gjendet në zemër të dosjes ‘Kim Filbi’. Ai pati një aktivitet të zbehtë klandestin pas Paktit Molotov-Ribentrop.

Por sapo u rekrutua në Shërbimin e Inteligjencës Sekrete Britanike (SIS) në vitin 1940, Filbi u kontaktua sërish nga rezidenti i shërbimit sekret sovjetik në Londër, duke e rifilluar jetën e tij si një agjent i dyfishtë. Kim dha informacione të dobishëm gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Por periudha e tij më me vlerë për rusët, filloi kur ai u dërgua në Uashington në vitin 1949 për të shërbyer si sekretar i parë i ambasadës britanike atje. Në kryeqytetin e SHBA-së, ai ishte në gjendje të furnizonte sovjetikët me materiale të çmuara në lidhje me aftësitë bërthamore të Amerikës, si dhe mbi aktivitetet e CIA-s.

LEXO EDHE:  Ulen ndjeshëm rastet me Covid-19/ Ja sa arrin në total numri i të prekurve

LEXO EDHE:  OBSH apel të fortë shteteve/ Mos i hiqni masat ndaj pandemisë!

E megjithatë ajo ishte periudha kur rrezikoi më shumë. Miqësia e Filbit me tradhtarët e tjerë Gai Barxhes dhe Donald Maklin (rekrutimin e të cilëve ishte ai qe e kishte nisur), e vendosi atë në një qendër të vëmendjes, kur dy këta të fundit dezertuan në Rusi në vitin 1951.

Gjithsesi, edhe pse u ngritën dyshime dhe Filbi u mor disa herë në pyetje, konsensusi në SIS ishte se Kim nuk mund të punonte për palën tjetër. Por, presioni ishte i tillë sa që ai u detyrua të jepte dorëheqjen. Ndoshta suksesi i tij si një agjent i dyfishtë, erdhi në tetor 1955 kur Ministri i Jashtëm britanik Harold Makmilan, e shfajësoi atë, duke deklaruar në Dhomën e Komunëve: “Unë nuk kam asnjë arsye të besoj se zoti Filbi ka tradhtuar në çdo kohë interesat e vendit të tij”. Vetë Kim mbajti një konferencë shtypi, duke pretenduar se ai “nuk kishte qenë kurrë komunist”.

Filbi iu kthye zanatit të vjetër të gazetarit, duke përfunduar në Beirut të Libanit si korrespodent për “The Observer” dhe “The Economist”.

Përvoja dhe mbulimi i tij si gazetar, u cilësuan shumë joshëse nga SIS, dhe ai u ri-rekrutua në shërbimin sekret. Një ndihmë të madhe, i dha një nga miqtë e tij më të vjetër në shërbim, Nikolas Ellot. Filbi rifilloi punë. Por deri atëherë, një seri dezertimsh në Bashkimin Sovjetik, po tregonin gjithnjë e më shumë se Filbi ishte “njeriu i tretë”, kryetradhtari në gjirin e shërbimit sekret britanik.

Alkoolizmi i Filbit, nisi të tërhiqte akoma më shumë vëmendjen mbi të. Nikolas Eliot u dërgua për ta marrë në pyetje Filbin, dhe për t’i nxjerrë një rrëfim. Eliot i ofroi imunitet, në këmbim të të gjitha detajeve të aktiviteteve të tij spiunazhi për rusët. Por Filbi heshti, dhe teksa Eliot priste që të kishte edhe një takim tjetër më të, ai u arratis duke u fshehur në bordin e avioni rus mallrash që shkonte në Odesa të Ukrainës.

Ishte viti 1963. Jeta e tij e dyfishtë mbaroi. Libri është gjithnjë e më intrigues, pasi mbart një dëshmi nga Xhon Lë Kare. Në fund të viteve 1980, ai pati një seri takimesh konfidenciale me Eliot, gjatë të cilave mori shënime të bollshme, të cilat i vuri në dispozicion të Mekintajër për këtë libër.

Ai arriti në përfundimin se arratia e Filbit, nuk ishte aspak një dështim i SIS. Në fakt, vetë shërbimi sekret britanik dëshironte që Filbi të dezertonte. Për të gjithë palët e interesuara, ishte më mirë që Filbi të ikte në Moskë sesa të gjykohej në Londër, pasi gjyqi mbi tradhëtinë e tij që nga viti 1941, do të ishte një poshtërim shumë i madh kombëtar.

Nga ana tjetër nga Moska, dëshmitë e Filbit mund të hidheshin poshtë si propagandë ruse. Thënë shkurt, Filbi ia hodhi paq pas tradhtisë së tij për kaq shumë vite, sepse kolegët e tij, burra të rangut social dhe arsimimit të tij, nuk mund ta besonin se një anglez i llojit të tij – stereotipisht “simpatik” dhe popullor – do të ëndërronte ndonjëherë të ishte një agjent i dyfishtë për rusët e pacivilizuar.

Gjithsesi mbetet ende kumbuese pyetja ”Përse e bëri?”. Mekintajër jep shpjegime të ndryshme nga ata që e njihnin Filbin:megalomaninë e tij të theksuar, maninë për t’ua hedhur gjithmonë të tjerëve, ose faktin e përzishëm se kur bëhesh pjesë e një loje të rrezikshme, nuk del më dot prej saj.

Supozimi im në rastin e Filbit – që natyrisht s’mund të provohet – është se ai ishte një shembull i dukurie të vjetër, kur ndonjëherë mund të jetë po aq e lehtë ta urresh, po aq sa edhe ta duash vendin tënd. Nëse do të ishit një idealist i privilegjuar i krahut të majtë në vitet 1930, Britania me arrogancën e saj perandorake të shoqëruar me shumë vetë-kënaqësi, mund t’i dukej shumëkujt një vend tepër i çuditshëm.

Filbi e lë të kuptohet këtë gjë në një intervistë për një gazette, pasi dezertoi në vitin 1963. Ai theksoi se “e donte Anglinë”, duke pretenduar se e ndjente veten “tërësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme anglez, dhe se Anglia ishte ndoshta copëza më pjellore e Tokës në gjithë historinë e ideve njerëzore”.

I pyetur se përse e kishte tradhtuar në mënyrë sistematike këtë komb, ai tha se kishte ndier një “përbuzje njerëzore për disa fenomene bashkëkohore, që e penguan Anglinë të ishte vetvetja”.

Përdorimi prej tij i termave “anglez” dhe “Angli” – dhe jo “Britani” – është shumë domëthënës, dhe një gjuhë e sinqertë e shtresës së tij. Filbi e quan atë “përbuzje humane”. Por unë mendoj se “përbuzja” në vetvete, shpjegon thuajse gjithçka.

“New Statesman” – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Nga koha tek jeta e përtejme, 10 mitet enigmatike universale që vazhdojnë të na magjepsin

Publikuar

-

Nga

Të gjithë ne kemi një dëshirë të brendshme, që kërkon përgjigje për pyetjet më themelore që shtron sot njeriu. Nga kemi ardhur? Pse jemi ketu? Ku po shkojmë, dhe cili është qëllimi ynë? Në shumicën e rasteve, mitet janë dukshëm metaforike, dhe herë-herë të pakonceptueshme. Të tjera mite mund të gjenden në shoqëri të ndryshme, që janë larg njëra-tjetrës, ku ngjashmëritë në narrativa janë aq të dukshme, sa që sugjerojnë një bazë të përbashkët historike.

Koha

Në shekullin XVII-të, Arqipeshkvi Asher pretendoi se bota ka nisur të ekzistojë në vitin 4004 Para Krishtit, dhe se ajo do të ekzistonte edhe për 6.000 vjet deri në betejën përfundimtare me Antikrishtin, duke çuar në një sundimin 1000-vjeçar të shenjtorëve, dhe pastaj me fundin e botës.

Nostradamusi e përdori këtë kronologji, duke pretenduar se viti 1999 do të ishte fillimi i fundit të botës. Majat mendonin se koha kishte një ritëm sezonal ose ciklik, ndërsa Keltët besonin se ajo ecte me ritme të ndryshme në ambjente të ndryshme. Ky lloj kuptimi, mbështetet edhe nga kozmologjia moderne.

Gjithsesi, astronomi anglez Fred Hojl, pretendonte se ideja e kohës si një rrjedhë gjithmonë në lëvizje, është “një iluzion grotesk dhe absurd”, duke deklaruar se gjithçka ka qenë dhe do të jetë gjithmonë. Sipas tij, sensi mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, është thjesht një iluzion.

Astrologjia

Qielli i natës, është një portret i “pikturuar” nga mitet. Ne të gjithë njohim “shenjat tona” yjore, që përbëhen nga 12 yje të zodiakut. Por pakkush e di se 12 simbolet, janë vetëm një pjesë e 88 konstelacioneve të identifikuara. Të dhënat më të vjetra të astronomisë/astrologjisë (në ato kohë ishte e njëjta gjë), që kanë mbijetuar janë ato të Kaldeasve, të cilët vëzhgonin natën qiellin, duke kërkuar për shenjat dhe të dhëna për fatin e tyre, më shumë se 2.000 vjet para romakëve. Moderniteti nuk i kanë dhënë fund identifikimit mitik me trupat qiellorë, dhe kjo gjë ndoshta nuk do të ndodhë kurrë.

Mallkimet

Ajo që dimë nga mitet dhe legjendat, është se mallkimet hidhen mbi njerëzimin nga Zotat ose priftërinjtë dhe magjistarët, apo nga një person i lig mbi një tjetër. Në çdo rast synohet dëmtimi ose vdekja. Mallkimi më i famshëm gjendet në Bibël, ku gjarpri mallkohet nga Zoti për tundimin e Evës, i ndjekur nga mallkimi mbi Adamin dhe Evën, dhe çuar në doktrinën e rënies së njeriut. Por në shumicën e besimeve në Lindje, mallkimi përfaqëson paaftësinë tonë për të parë përmes iluzionit. Sot thuhet se një mallkim funksionon, vetëm nëse viktima beson në të.

Qenie të mbinatyrshme

Besimi tek qeniet e mbinatyrshme është i lashtë. Kur demonët duan që të na lëndojnë, janë engjëjt ata që na ofrojnë mbrojtje, udhëheqje dhe depërtim fetar. Emrat e kryeengjëjve kryesorë janë të njohur si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët. Njerëzit kanë parë kudo qënie qeniet njerëzore me krahë që shkëlqejnë.

Në Fatima të Portugalisë në vitin 1917, disa barinj të vegjël takuan një grua të re të bukur, që pretendonte se vinte nga Parajsa. Vizionet e mëvonshme, çuan aty një turmë prej rreth 70.000, që dëshmoi zbritjen e Diellit në tokë Sot ajo ngjarje njihet zakonisht si “Mrekullia e Diellit”.

Pas asaj ngjarje pati shërime të shumta. Shkencëtarët ia kanë atribuar këtë ngjarje histerisë kolektive. Por një teori tjetër më e diskutueshme, pretendon se këto ngjarje (si dhe ato në kohërat e lashta) kanë qenë në fakt kontakte të ngushta me alienët.

Zotat e vdekshëm

Shembuj të Zotave që vdesin dhe pastaj rikthehen në jetë, gjenden më shpesh nga fetë e Lindjes së Mesme, dhe praktikat e frymëzuara prej tyre përfshijnë mitet biblike dhe greko-romake, dhe më pas edhe Krishterimin. Zotat që vdesin në Lindjen e Mesme, zakonisht ringjallen ose restaurohen nga gratë ose motrat e tyre. Është hipotezuar se feja mbush një boshllëk, dhe që ne njerëzit e krijuam atë për të na ndihmuar të ndjehemi më të sigurt në një botë, e cila në dukje na ofron më shumë pyetje sesa përgjigje.

LEXO EDHE:  Ngjela ngre dyshime të forta/ “Pse u vonuan masat për parandalimin e koronavirusit!”

Mitet e Përmbytjes

Tregimet në lidhje me mitin e një përmbytjeje globale, gjenden në të gjithë botën. Ato pajtohen në një pikë: që e gjithë bota dikur është përmbytur, dhe se ata pak njerëz që mbijetuan ndërtuan mjete lundruese, pasi ishin paralajmëruar nga Zoti (ose Zotat). Tregimi më i njohur është tregimi biblik i Noeut. Nga Deukalioni dhe Pirrha në mitologjinë Greke, tek Pralaja në Hinduizëm dhe Belgermir në Mitologjinë Veriore, sot besohet gjerësisht se Përmbytja Globale nuk ishte një mit, por një ngjarje e vërtetë historike.

Mitet megalitike

Zakonisht ekzistojnë dy lloje mitesh të tilla: mitet e fuqive misterioze dhe të mbinatyrshme të ndërtuesve, dhe së dyti mitet mbi vetitë mistike ose magjike të gurëve. Britania e Madhe dhe Egjipti, janë vendet kryesore ku ndodhen site të tilla. Por ato mund të gjenden në të gjithë botën.

Duke qenë të lidhura me shërimin, pjellorinë, gjigantët dhe Djallin, mbi to pati një interes të përtërirë me futjen e shkencës.

U zbulua se këta gurë kishin funksionuar dikur si kalendarë gjigandë, me secilin nga gurët që shënonte stinët ose lëvizjen e Diellit dhe Hënës. Spekulimi më interesant rreth tyre, është bërë nga Pol Devero, sipas të cilit UFO-t janë emanacione tokësore të lidhura me gabimet në sistemin megalitik, dhe se këto sisteme kanë qasje direkte në trurin tone, pasi janë elektromagnetike.

Ogurët

Besimet në ogurët, ngjarjet ose objektet që na paralajmërojnë mbi të mirën ose të keqen, kanë ekzistuar që nga kohërat e lashta. Druidët shihnin shenja paralajmëruese tek fluturimi i zogjve. Në Irlandë çdo tingull, pozicion apo lëvizje e korbave, ka një domethënie të ndryshme.

Në kultura të ndryshme, ogurët shihen tek drejtimi i flakës, kuisja e qenve, format e rrënjëve të pemëve, apo edhe tek mënyra se si bien sandalet kur hidhen tej. Në zemër të këtyre miteve, është pikëpamja që gjithçka ndërlidhet.

Mitet e krijimit të botës

Ka 3 pyetje themelore mbi mënyrën se si u krijuan Toka, kozmosi dhe e gjithë jeta. Si erdhi diçka nga asgjëja? Si u krijua, dhe si u ndërtua rendi natyror i të gjitha mineraleve, bimëve, kafshëve dhe mbretërive njerëzore? Teoritë variojnë nga “Big Bang” i kohëve moderne, deri tek qasjet më të vjetra dhe madje të lashta.

Në shumicën e miteve, favorizohen elementët, duke pretenduar se ajri, era, zjarri dhe nganjëherë edhe dridhjet, shkaktuan ekzistencën e të gjitha gjërave që shohim sot. Një temë tjetër shumë e zakonshme, është legjenda e krijimit të “Pemës Botërore”, që mund të gjendet nga Afrika në Tonga. Mitet e tjera nënkuptojnë se nuk ka një fillim dhe asnjë fund, dhe se gjithçka është në ekuilibër, ashtu siç duhet të jetë.

Jeta e përtejme

Në çdo cep të botës, bësohet se shpirti se i mbijeton vdekjes. Ky besim shkon që në fillim të viteve 80.000 Para Krishtit, kur varret e zbuluara të Neandertalëve, sugjeronin që edhe ata përgatiteshin për jetën e përtejme. Nga besimet e krishtera të Parajsës dhe Ferrit, tek Libri Tibetan i të Vdekurve, që këshillon të vdekurit se si të shmangin rilindjen, ky besim mbetet pavarësisht mungesës së provave.

Përveç pikëpamjeve fetare, ekzistojnë edhe shumë teori interesante se çfarë ndodh me shpirtin kur vdes një person. Edmund d’Albe, ishte një nga studiuesit e parë që prezantoi një hipotezë të jetës pas vdekjes, duke pretenduar se shpirti i një personi largohet nga trupi pas vdekjes, dhe jeton pranë rrezeve ultravjollcë të Diellit, në një sferë tjetër të atmosferës së Tokës. Të tjerë thonë se shpirti do të gjendet në një botë ëndërrash, ose thjesht që do të jetojë vetëm mendja, duke u bërë pjesë e vetëdijës kolektive. / bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Të gjithë gënjejmë nga pak, por ja kur kalohet caku

Publikuar

-

Nga

Nga Christian L. Hart

Në një moment të caktuar, a nuk kemi thënë të gjithë nga një gënjeshtër të vogël për të mos lënduar njeriun e zemrës, për të ekzagjeruar ndjenjat tona mbi diçka, për të minimizuar disa të vërteta të shëmtuara mbi veten tonë, për të shpëtuar nga ndëshkimi, apo për të pasur një lloj avantazhi mbi të tjerët?

Në sondazhet e ndryshme që janë zhvilluar mbi gënjeshtrën, gati të gjithë raportojnë se kanë gënjyer në një moment të caktuar të jetës së tyre. Por nëse të gjithë mashtrojnë në një moment, atëherë pse të mos i quajmë gënjeshtarë të gjithë njerëzit?

Sa gënjeshtra duhet të thotë dikush në ditë, që të etiketohet një gënjeshtar i madh? Unë dyshoj se kjo ndodh me shumicën prej nesh, dhe nga ne pritet të themi një numër të vogël gënjeshtrash. Ne e shohim si tipike ose normale, që njerëzit të gënjejnë si pjesë e një strategjie negociatash.

Ne presim që njerëzit të thonë një ‘gënjeshtër të bardhë’, për të shmangur një ftesë sociale të padëshiruar, sesa të thonë të vërtetën, që aktiviteti ku u kërkohet të marrin pjesë, u duket në të vërtetë i mërzitshëm.

Por sa gënjeshtra janë tepër për një njeri? Studiuesit kanë konstatuar se gati të gjithëve na pëlqen ta shohim veten si të ndershëm, dhe ne në mënyrë aktive e minimizojmë pandershmërinë tonë.

Ne kemi ndoshta të gjithë një vlerësues të brendshëm të ndershmërisë, si për vërtetësinë tonë, ashtu edhe atë të të tjerëve.

Dhe kur shohim që të tjerët tregohen pak të ndershëm këtu, apo përfshihen në një sjellje jo shumë korrekte atje, kjo nuk ka duket dhe aq e çuditshme. Por në disa raste, njerëzit e kalojnë cakun. Ne shohim që gënjeshtrat e tyre shkojnë shumë përtej sferës së normalitetit.

Në raste të tilla, ne nisim t’u atashojmë atyre etiketimin “gënjeshtar”. Nëse gënjeshtrat e tyre janë tronditëse ose të dëmshme, ne madje mund t’i quajmë ata si gënjeshtarë të mëdhenj, gënjeshtarë të zakonshëm, gënjeshtarë nga halli ose gënjeshtarë patologjikë.

Gjatë 25 viteve të fundit, një numër studimesh kanë zbuluar se njerëzit tregojnë mesatarisht një numër shumë të vogël gënjeshtrash në ditë. Por kur këto të dhëna analizohen më nga afër, ne zbulojmë se shumë njerëz nuk gënjejnë aspak, ndërsa disa thonë çdo ditë gënjeshtra tronditëse. Pra del se shumica prej nesh, janë njerëz mjaft të ndershëm. Por ekziston një grusht i vogël njerëzish, që prodhon shumicën e gënjeshtrave që qarkullojnë në botën tonë.

Unë jam shumë kurioz për këta “gënjeshtarë të mëdhenj”. Ata përfitojnë nga pjesëtarët kryesisht të sinqertë të shoqërisë, duke e përdorur gënjeshtrën dhe mashtrimin për përfitime personale. Gënjeshtarët e mëdhenj në politikë, e gënjejnë popullatën që të mbështetesë politika të diskutueshme.

LEXO EDHE:  Manastirliu: Asnjë rast me koronavirus, sot shpërndahen 1.2 milion maska shtesë

LEXO EDHE:  Zgjidhja e krizës/ Basha ka vetëm një kërkesë

Gënjeshtarët e mëdhenj në fushën e biznesit, mashtrojnë investitorët naivë ose klientët e zakonshëm, duke u marrë paratë e tyre të fituara me aq mund. Gënjeshtarët e mëdhenj në vendin e punës, e përdorin gënjeshtrën për të pasur avantazhe ndaj të tjerëve, teksa fshehin të metat e tyre.

Ndërsa gënjeshtarët e mëdhenj në një marrëdhënie intime, e përdorin pandershmërinë e tyre për të përfituar nga dhembshuria, devotshmëria dhe burimet financiare të partnerëve. Gënjeshtarët e mëdhenj, janë operatorë toksikë, që me tradhtinë e tyre e njollosin botën tonë kryesisht të ndershme.

Sapo të biem dakord se sa gënjeshtra janë shumë, ne mund të nisim të studiojmë dhe t’i kuptojmë këta gënjeshtarë të mëdhenj. Në studimin tim të fundit, unë kam investiguar tiparet psikologjike të njerëzve që priren të gënjejnë shumë. Një tipar i zakonshëm, është se gënjeshtarët e mëdhenj priren ta shohin gënjeshtrën si diçka të pranueshme.

Ata e shohin mashtrimin si një gjë jo shumë imorale. Gjithashtu, ata nuk mendojnë se gënjeshtra është shumë e dëmshme për të tjerët. Gënjeshtarët e mëdhenj, kanë prirjen të jenë më pak të përgjegjshëm dhe të besueshëm. Është interesant fakti, se një nga tiparet që parashikojnë më së shumti se kush është një gënjeshtar i madh është vetëvlerësimi.

Njerëzit që gënjejnë shumë, priren të kenë një vetëvlerësim shumë më të ulët se sa njerëzit e ndershëm. Është e paqartë nëse gënjeshtrat që thonë, nxiten nga vetëvlerësimi i tyre i ulët, apo ato janë rezultat i kësaj të fundit. Por prirja e njerëzve për të thënë shumë gënjeshtra, nxitet ndërkohë edhe nga mjedisi dhe rrethanat personale.

Fëmijët që i shohin prindërit e tyre të gënjejnë shumë, priren të bëjnë të njëjtën gjë. Po ashtu, kur njerëzit vendosen në situata në të cilat sundojnë figurat autoritare dhe ndëshkuese, kanë shumë më tepër të ngjarë që të gënjejnë, pikërisht për të shmangur ndëshkimin e ashpër.

Një numër i madh gënjeshtrash,mund të shoqërohet edhe me disa çrregullime psikiatrike, por në pjesën më të madhe të rasteve, gënjeshtarët e mëdhenj janë njerëz që nuk janë diagnostikuar zyrtarisht me ndonjë sëmundje të veçantë mendore. Duket sikur këta janë njerëz shumë normalë, por që thjesht kanë një strategji të ndryshme nga të tjerët për të ecur në jetë.

Shënim: Christian L.Hart, është profesor i psikologjisë, dhe drejtor i programit të shkencave psikologjike në Universitetin e Teksasit, SHBA. / “Psychology Today” – Bota.al

LEXO TE PLOTE