Connect with Us

Nga Blendi Fevziu/ Dy fjalë për godinën e Teatrit Kombëtar

Opinione

Nga Blendi Fevziu/ Dy fjalë për godinën e Teatrit Kombëtar

Publikuar

-

Nga Blendi Fevziu

Teatri Kombëtar u shemb! Ky ishte lajmi që gjeta sot në mëngjes, në ekranin e celularit tim, nisur me njoftimin e dedikuar, nga gjithë portalet. Nuk ka nevojë të them se si çdo njeri që e ka jetën të lidhur prej dekadash me këtë qytet, ndjeva jo pak keqardhje. Keqardhjen për një pjesë të historisë sonë, të shndrruar në një grumbull rrënojash. Keqardhjen për një pjesë të kujtesës personale, të zhdukur tashmë, si shumë pjesë të tjera të këtij qyteti. Ndaj vendosa të postoj në Instagram dhe Facebook një pamje të Teatrit te shembur me dedikimin që kishte lidhje vetëm me mua: “Iku edhe një pjesë e historisë së këtij qyteti”. Qytet të cilin unë besoj se e dua shumë dhe këtë dashuri nuk kam nevojë as ta ndaj me njeri dhe as të ma konfirmoje kërkush.

Nuk e prisja që inbox-i të më mbushej me qindra komente, ku një pjesë shfrynin se përse nuk ngrihemi ta rrezojme këtë diktature, përse nuk bëjmë thirrje për të burgosur Edi Ramen dhe të tjera shfrynin me po kaq mllef se po bëj lojën e opozitës dhe po mbroj një godinë tallashi që do bëhet më e bukur ca vjet më pas.

Meqenese humba jo pak orë për të kthyer pergjigje të dedikuara dhe s’ja dola dot, po mundohem të jap shikimin tim ketu.

E para, çështja e Teatrit ndahet në dy pjesë: në atë që lidhet me godinën dhe trashegiminë dhe në atë që lidhet me anën ligjore të transferimit dhe shembjes së saj. Po e nis nga e para.

Sot në mëngjes nuk është prishur Teatri Kombëtar. Teatri Kombëtar mund të mbledhe plaçkat e tij e të shkojë në një godinë tjetër. Mund të vijojë me vite të tjera të japë shfaqje e të ndërrojë breza aktorësh. Sot është prishur një godinë, ku që prej vitit 1945, në mos gaboj, operonte Teatri Kombëtar.

Godina, ose me mirë kompleksi, ka nisur të ndertohet në vitin 1938 me projekt të arkitektit italian Xhulio Berte dhe përfundoi në vitin 1940. Ai u quajt në atë kohë “Rrethi Skenderbeg” dhe shërbeu si zona e elitës kulturore dhe të emancipuar shqiptare. Në të u vendos jo vetem kinemaja dhe teatri, por edhe Instituti i Studimeve Shqiptare dhe u ngritën bari dhe restoranti më “in” i qytetit. Nuk po zgjatem me rolin historik të kompleksit, qe ishte qendra e jetës intelektuale të qytetit. Më 1944 ajo u quajt “Kinema Kosova”, ndërsa më 1945, Teatri Popullor. Më 1945 aty u zhvillua Gjyqi Special që çoi ne ekzekutim disa nga emrat e njohur të politikës dhe firmëtare të Aktit të Pavarësisë. Ende sot, disa i quajne patriotë e disa kolaboracionistë. Si çdo gjë në Shqipëri që nuk gjen konsensus.

Qe prej vitit 1945 Teatri ka pasur aty selinë e tij, e për një kohë edhe “Klubi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Që prej vitit 2000 u hodh ideja që godina nuk ishte më funksionale për një teatër, ndaj ai duhej të zhvendosej diku tjetër, ose të rindërtohej aty. Idenë e mbronte kryesisht Ministri i Kulturës Edi Rama. Për fat të keq, që atëherë, e deri dje, debati u fut në rrugë të shtrembër dhe krejt të gabuar. Me shumë se sa një debat për Trashegiminë Kulturore, ai u spostua si një debat mbi Teatrin Kombëtar.

Pra në vend që të ishte një debat për vlerat historike të godinës dhe lidhjen e saj me kompleksin arkitektonik të qendrës së kryeqytetit, u shndrua në një debat se si aktorët të kishin një sallë më të mire dhe u ftuan ata të flisnin për të.

E para, Teatri dhe godina janë dy gjëra krejt të ndara. Godina mund të mos vlente për teatër më dhe unë e besoj këtë. Por ajo mund të restaurohej dhe të shndrohej në muzeum të qytetit, të arkitekturës racionaliste apo të çdo gjëje tjetër. Të mbetej dëshmi e një kohe dhe një arkitekture që për mua, mbetet më interesantja në Tiranë. Me këtë llogjikë, se projektet e reja mund të jenë më magjike ne mund të shembim edhe xhaminë, edhe sahatin edhe kalanë dhe të ndërtojme godina moderne, por që nuk kane asnjë lidhje me trashëgiminë. Pra thënë ndryshe, përfshirja e aktorëve në këtë histori qe një absurditet. Aktoret mund të vendosin si duan sallën e Teatrit, por jo shembjen dhe zëvendësimin e trashëgimisë kulturore që ju takon gjithë shqiptarëve. Kjo do të ishte njësoj, sikur për shembjen e Teatrit të Kukullave, ish- parlamentit të parë, godinës më historike të Tiranës, të pyeteshin aktorët e tij. Pra, godina mund të mos ishte teatër dhe duhej transferuar që aty, por godina nuk kishte përse te prishej. Ajo ishte pjesë e këtij qyteti.

LEXO EDHE:  Nga Ilir Levonja/ Shteti ynë i fortë

E dyta, shembja e godinës, duhet të na bëjë të reflektojme menjëherë dhe të shohim sërish listën e monumenteve të rëndësishme në vend. Është e patolerueshme që IMK nuk e ka përfshirë Teatrin në zonën monumentale në vitin 2007. Nga pakujdesia apo nga mendësia e viteve të komunizmit që arkitekturën racionaliste e shihte si fashiste. Nëse ne nuk bëjmë sa më parë një listë të mbrojtur dhe të votuar, nuk do jetë çudi që godina e Teatrit do pasohet nga të tjera. Zona e rrugës së Kavajës, ajo e Kalasë, Zona e Kodrës së Kuqe apo e Bllokut janë të mbushura me godina historike të kërcënuara. Ato mund mund të mbrohen rast, pas rasti, por me një ligj që mos ta ndryshojë më askush. Vlerën historike se përcaktojme dot as me opinion, as me kriter estetik personal, por me ligj. Unë nuk jam kundër zhvillimit modern të qytetit; as besoj se qyteti është shkatërruar nga 4 – 5 kulla ikonike të ndërtuara keto 30 vjet. E pëlqen apo jo arkitekturën e tyre. Unë mendoj se qyteti është rënduar nga mungesa e ligjit, nga mbi 60 mijë ndërtime pa leje që kanë mbirë si mostra në oborret mes pallateve, në kodrat rrethuese rrotull qytetit, në parqet e fushat e dikurshme, madje edhe në mes të rrugëve, duke e shndruar atë në një hibrid të cuditshëm. Dikush mund të dojë trashëgimine, dikush as pyet për këtë. Garancitë duhet t’i japë ligji. Jo pëlqimet personale!

Ana ligjore e problemit është një tjetër aspekt. Përderisa presidenti i qe drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe përderisa BE dhe struktura të tjera kishin kërkuar dialog, vendimi mund të merrej më vonë. Edhe Mbledhja e Këshillit Bashkiak mund të bëhej e hapur e me debat, që gjithsecili të njihte qëndrimin e anëtarëve të tij.

Ndërkohë, ideja e ngritjes së një teatri të ri, modern e funksional, është çështje që e vendos bashkia. Ajo ka tagrin ta marrë këtë vendim dhe mendimi im as vlen dhe as ndryshon asgjë. Por personalisht jam 1000 herë kunder ngritjes së një Teatri të ri, me kosto të larta ndërtimi dhe operimi, që nuk përputhet fare me nivelin e zhvillimit teatror ne vend. Jam kundër qe fondet publike të hidhen në një godinë të tillë, qoftë e projektuar edhe nga një prej arkitekteve më të rëndësishëm në Europë. Personalisht ky projekt s’më thotë asgjë, edhe pse ka të tjerë që e pëlqejnë atë.

Përgjigje e gjatë për gjithë ata që më kanë shkruajtur sot, por më e shkurtër se sa ajo që do doja të trajtoja në një rrethanë tjetër.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Shembja e Teatrit Kombëtar/ Krim që kërkon ndëshkim, është koha që shqiptarët të shohim rezultatet e para të institucioneve të reja të drejtësisë!

Publikuar

-

Nga

Nga Kastriot FRASHËRI, Studiues, aktivist i shoqërisë civile dhe Avokat
Mbrëmë në mes të natës, rreth orës 04:30, forca të shumta të Policisë së Shtetit përmes një akti të paprecedent kanë sulmuar godinën e Teatrit Kombëtar duke nxjerë jashtë me dhunë aktorët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, të cilët kanë mbi dy vjet që kanë sakrifikuar çdo ditë të tyre së bashku me praninë e miqve dhe dashamirësve të artit e të kulturës për të mbrojtur pasurinë e teatrit të tyre nga babëzia e pushtetit që i kishte vënë syrin prej kohësh, ashtu siç kanë bërë edhe me objekte të tjera të artit dhe të kulturës, me hapësirat publike duke i kthyer ato në sheshe ndërtimi në dhunim flagrant me planet rregulluese dhe kondicionet urbanistike për të kënaqur klientelën e tyre, që njihet sot si Mafia e Ndërtimit.
Ndaj ne sot kemi mbetur pa fjalë përpara këtij akti të qartë banditesk ndaj një pasurie publike dhe një komuniteti artistësh që ishin në shtëpinë e tyre të punës edhe të jetës për ta mbrojtur atë pikërisht nga ata që afërmendsh në një shtet ligjor nuk mund të imagjinohen si grabitqarë të pasurisë kombëtare që paguhen nga taksat publike për ta mbrojtur atë, si dhe për promovimin e artit dhe të kulturës në Shqipëri. Nisur nga situata e rëndë faktike në vend dhe në botë rrjedhojë e pandemisë globale të COVID-19, duke ju referuar edhe angazhimit të qeverive europiane dhe botërore në agenda të përbashkëta se si të përballojnë këtë krizë të rëndë ekonomike që po gjunjëzon mbarë tregjet globale me të drejtë lind pyetja: Teatri Kombëtar paska qenë problem i Shqipërisë së zhytur në mjerim prej muajit mars në një karantinë totale sociale që shteti nuk ka paguar as avokatët dhe as shumë profesione të lira që nuk mund të ushtronin veprimtarinë e tyre rrjedhoje e akteveve normative të qeverise që i duhej vërsulur në mes të natës me gjithë egërsinë e shtetit për ta shqyer dhe asgjësuar një qendër të artit?
Duket qartë domethënia e këtij banditizmi të pa anë shtetëror ndaj një pasurie publike me sipërfaqe trualli rreth 12.000 m2 që ka për dhuratë qeverinë italiane të kohës, e cila e ka blerë në vitin 1938 këtë tokë në zemër të kryeqytetit me qëllim për t’i dhënë shqiptarëve, me kushtin e patjetërsueshëm, ndërtimin e një teatri që i mungonte kryeqytetit shqiptar aso kohe, që ti grabitet sot me urgjencë e nën masat e gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore TK pas 80 vjetësh e t’u shpërndahet klientelës së re të çiftit kleptokrat Rama-Veliaj që qeveris.
Nuk është hera e parë e kësaj sjelllje brutale të një shteti policor që dhunon në mes të natës apo të ditës artistët, gazetarët dhe shtetasit e tij që me këto veprime turpëron rëndë jo vetëm rendin demokratik dhe shtetin ligjor në Shqipëri, por edhe pritshmëritë e Reformës në Drejtësi. Kujtojmë që përmes këtyre procedurave tipike mafioze u grabit pasuria e ish-Kinostudios, godina dhe pasuria e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në zemër të Tiranës, hapësira publike, lulishte dhe parqe të shumta mbi të cilët arkitektët projektuan ndërtimin e një kryeqyteti modern, por që këto 30 vjet ata që kanë qeverisur e kanë përçunduar keqazi nga papërgjegjshmëria dhe pangopësia e tyre feudale. Aktet e tyre mbeten, Lejët zhvillimore janë po aty, së bashku me autorët e nënëshkrimit të tyre, duhet vetëm pak vullnet nga organet hetimore për të hapur menjëherë fletët e ndërtimeve në qendër të Tiranës me qëllim që shoqëria shqiptare të njihet me përvetësimet maramendëse të Mafies së Betonit dhe sekuestrimin e tyre.
Shoqëria shqiptare sot është tejet e tronditur, teksa ndeshet çdo ditë me këto sjellje fashistoide të pushtetit që ka votuar. Egërsia dhe qasja ndaj pasurisë publike për ta tjetërsuar me çdo çmim atë, a thua se është pronë e babait të tyre, nuk mund të mos justifikojë mjetin e përdorur sot ndaj ngrehinës së Teatrit Kombëtar në emër të një teatri të ri! Pa u futur fare tek vlerat dhe trashëgimia e saj historike jo vetëm si një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore të cilësuar më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e sundimit të ligjit në Shqipëri. Por ajo që tejkalon çdo imagjinatë në këto serial grabitjesh spektakolare shtetërore dhe shpërdorime të hapura të financave publike është treguesi i dështimit të reformës në drejtësi, e cila me gjithë investimin e madh deri më sot të mbi 130 milion Euro të SHBA dhe të BE, po dëshmon se feudalëve shqiptarë në pushtet ende nuk po u hyn asnjë gjemb në këmbë në sipërmarrjen tyre kriminale dhe korruptive dhe për më tepër në grabitjen e pasurive publike dhe kontratat tejet të dyshimta konçensionare që nënëshkruajnë çdo javë. Të habit fakti, tashmë që jemi në vitin e saj të katërt të institucionalizimit të kësaj reforme të miratuar me votat unanime të 140 deputetëve, ku janë ngritur e po funksionojnë organet e saj si SPAK dhe BKH, nuk mund të ketë më pikëpyetje për legjitimitetin e tyre për të vënë që sot apo që nesër nën prangat e drejtësisë qoftë kryebashkiakun Veliaj, qoftë kryeministrin Rama.
Nisur nga fakti, që Erjon Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë, ka shkelur rëndë ligjin, duke kryer një krim të rëndë kushtetues pasi President i Republikës në ushtrim të kompetencave të tij kushtetuese ka depozituar në mënyrë demonstrative vetëm tre ditë përpara aktit vandalist më dt. 14 maj në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për Shfuqizimin e Vendimit nr.377, datë 8.5.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën. Dhe është pikërisht Gjykata Kushtetuese si i vetmi institucion që ka për detyrë të shprehet mbi pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare (sipas nenit 131 të Kushtetutës).
Në këto rrethana shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata Kushtetuese mbi antikushtetutshmërinë e ligjit nr. 37/2018, edhe pse palët e interesuara në këtë gjykim mund të pretendojnë në çdo kohë pushimin e efekteve juridike të tij, sërish duhet të vijojë bashkarisht me shqyrtimin e kësaj kërkese për antikushtetutshmërinë e Vendimit nr. 377, datë 8.5.2020 të Këshillit të Ministrave, kjo e bën tejet detyruese gjykimin e kësaj mosmarrëveshjeje sidomos në kushtet kur pala kërkuese ka kërkuar nga kjo Gjykatë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të Vendimit nr. 377, datë 8.5.2020 i Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, pasi siç po evidentohet në mënyrë të qartë dhe publikisht nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe rreziqet që Bashkia Tiranë, duke zbatuar këtë akt antikushtetues dhe qëllimin e shprehur të tij, që bie në kundërshtim me interesin publik, të realizojnë prishjen, apo dëmtimin e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar, duke sjellë kështu pasoja të rënda, të pariparueshme për interesin publik shtetëror dhe për trashëgiminë kulturore kombëtare.
Po ashtu, në kushtet kur vendimmarrja e Bashkisë Tiranë dhe ekzekutimi i menjëhershëm duke prishur godinën e teatrit pra vendosjen e masave administrative ndërkohë që kishte një kërkesë duke u shqyrtuar në Gjykatën kompetente, dëshmon haptazi se veprimet e kreut të bashkisë vijnë edhe në kundershtim me detyrimet e nenit 36 te K.Pr.Civile ku asnjë organ nuk mund te marrë në shqyrtim një çështje që është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Rasti i sotëm me teatrin më sjell ndërmend një tregim të shkruar bukur e të lexuar vite më parë nga autorë të zgjedhur francezë, ku përshkruhet saktësisht veprimtaria e spikatur në dukje mirëbërëse e një kryebashkiaku të një qyteti francez, ashtu siç mund të përkthehet ndryshe për ata që nuk shohin përtej optikës së partisë së tyre veprimtarinë e kryetarit tonë të Bashkisë, i cili teksa kthehej gjithë gaz e hare nga një konferencë ndërkombëtare, u prangos në aeroport me akuzë për korrupsion nga policia, teksa po vetëlavdërohej përpara gazetarëve që ishin mbledhur për të dëgjuar bëmat e tij të radhës.
Vetëm kështu mund të garantohet funksionimi i shtetit i së drejtës dhe tregues i qartë i sundimit të ligjit. Shëmbja e themeleve të Teatrit Kombëtar është shëmbje e themeleve të Shtetit të së Drejtës dhe e sundimit të ligjit në Shqipëri. Është krim që kërkon ndëshkim. Le të jetë kjo koha që shqiptarët të shohim rezultatet e para të institucioneve të reja të drejtësisë!
LEXO TE PLOTE

Opinione

Nuremberg për krimet e diktaturës dhe neodiktaturës

Publikuar

-

Nga

Nga Azgan Haklaj
* Shembja e Teatrit epilog i demokracisë -prolog i totalitarizmit
Ideologjia neootomane e Edi Ramës rrezikon zhbërjen, jo vetëm kulturore, por edhe etnike, territoriale.
Havzi Nela dhe Blendi Shahu sfiduan regjimet e atit dhe të birit.
Armatat e artistëve tmerri i diktaturave.
Sovrani duhet të marrë në dorë fatet e veta.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhëri të Skenderbeut” ju ban thirrje shqiptarëve.
Të gjithë në shesh kundër totalitarizmit ramian.
Rrulat e kmerëve të kuq shembën pronën publike të grabitur, simbolin kombëtar, monumentin e kulturës shqiptare, shtëpinë e artistëve, zhdukën kujtesën historike, duke konsumuar kështu mirëfilltasi një krim kushtetues.
Qindra qytetarë protestuan për këtë krim të pashembullt.
Opozita e bashkuar, unike mbështeti fort protestën.
Talebanët e rruspave ushtruan një dhunë barbare ndaj protestuesve në krye të të cilëve ishte një student i Akademisë Arteve nga Kukesi, Blendi Shahu.
Ky malsor trim, guxoj dhe sfidoj regjimin gjakatar të Nojanit të mongolëve Edi Ramës, ashtu siç pati guxuar Saharovi Shqiptar Havzi Nela të sfidonte regjimin diktatorial të babait shpirtëror të Ramës, Enver Hoxhës dhe atit biologjik të tij Kristaq Ramës dhe dajës Spiro Koleka.
Në gërhamat e fundit regjimi diktatorial denoi me vdekje dhe vari Havzi Nelën.
Historia nuk vonoj por u persërit shumë shpejt.
Populli shqiptar me atë litar të Havzi Nelës rrëzoj shtatoren e bronztë të diktatorit.
Pas më shumë se tre dekadash Edi Rama i ka shpallë luftë demokracisë, shtetit të së drejtës, opozitarizmit, fjalës së lirë, simboleve kombëtare për të instaluar regjimin e tij, e për t’u shpallur kështu sundimtar suprem.
Shembja e shtëpisë kombëtare të artit është akti i finalizimit të platformës së Padishahut.
Skenat e dhunës të ushtruara nga makineria shtetërore, në gërmadhat e krimit taleban, në oborrin e Ministrisë së rendit ndaj protestuesve, ndaj studentëve të sjellin në vëmendje dhunën e ushtruar nga Çengis Khani i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi mbi popullin e Kosovës, ndaj studentëve në veçanti, tre dekada me parë, ku në demostratat e organizuara në sheshet e Prishtinës kërkonin të shpallej Kosova Republikë.
Kështu veproj  regjimi gjakatar i etërve të tij në Tiranë ndaj studentëve dhe qytetarëve të kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë që kërkonin rrezimin e diktaturës dhe vendosjen e demokracisë.
Të njëjtën gjë po bën dhe ai vetë, Edi Rama.
Opozita e bashkuar ka thirrur popullin në protestë me slloganin sos, përballë kumbarës së Erdoganit, Edi Ramës.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ju ban thirrje të gjithë shqiptarëve:
Të gjithë në shesh, në mejdanin e lirisë.
Protestat solidarizuese në rrugët e Prishtinës deshmojnë se kjo lëvizje është gjithë kombëtare.
Në këtë betejë antagoniste me diktaturën do të ngadhënjejë sovrani.
Gjithmonë në histori lëvizjet kulturore  janë kthyer në lëvizje kombëtare.
Shkrimtarët dhe artistët kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm historikisht në shembien e diktaturave, vendosjen e demokracisë, konsolidimin e saj, në zgjimin e vetëdijës kombëtare, krijimin e platformave kombëtare për organizimin e kryengritjeve për çlirim kombëtar.
Sa herë degjoj fjalën rilindje të Edi Ramës mendja me fektinë tek Rilindja Kombëtare, tek Pashko Vasë Shkodrani, tek vepra e tij” E verteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët që u bë platformë e Lidhjes, tek Lidhja e Pejës e Haxhi Zekës” Me Besa-Besë” që frymëzoi Rilindasin e madh Sami Frashërin për të shkruar veprën e tij”Shqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhet”.
Rilindasit e mëdhenj hartuan platformën kombëtare për çlirimin nga sulltanët otomanë stërgjyshërit e idhullit të Edi Ramës, Erdoganit.
Sa herë dëgjoj emrin e Turqisë dhe Erdoganit në kujtesë me vijnë gjyshërit e tij, sulltanët otomanë që sunduan me zjarr e me hekur për pesë shekuj shqiptarët, me vijnë  në mendje burrat e shquar të kombit që organizuan kuvende të mëdha, kryengritje të fuqishme për çlirim kombëtar, sakrifica për liri, gjaku i derdhur për të, jetët e dhena në emër të saj, gjoksi shkëmb i Mic Sokolit, litari turk në qafën e Sef’ Koshares, Adullah Hoxhës dhe Shaban Binakut.
Krejt natyrshëm gjatë këtij meditimi pena ime u ndal tek qëndrestarët e mëdhenj, tek ata burra sypatrembur për të cilët Atdheu- Flamuri Kombëtar, liria ishte gjëja më e shtrenjtë.
Por sa herë kujtoj litarin turk në qafë të patriotëve të mëdhenj, të burrave që demonstruan heroizëm të rrallë,  me vjen vetëvetiu në mendje litari në qafën e Havzi Nelës.
Ai është nga ata burra heroik, i cili është shembulli më i mirë sot për tu ngritur kundër të birit të atij që e denoj me vdekje me pushkatim, për liri dhe demokraci.
Ai ishte disidenti, heretiku antikonformist, martiri rebel, kauza e të cilit ishte Liria- barazia- drejtësia, që na mungon edhe sot.
Diktatura komuniste e ekzekutoi barbarisht me 10-të gusht të vitit 1988-të.
Havzi Nela ishte poeti i fundit i ekzekutuar nga Perandoria Komuniste e etërve të despotit tonë, Edi Rama.
U ekzekutua pasi kaloi nje kalvar të gjatë në burgjet komuniste, Elbasan, Vlorë, Spaç, Rrëshen, Burrel, Ballsh, Qafë Bari, i denuar dy herë 15-të vjet në vitin 1967-të pasi kishte kundërshtuar kolektivizimin dhe ndalimin e besimit fetar dhe ishte larguar nga Shqiperia dhe 8-të vjet ridenohet si elemet i rrezikshëm në vitin 1975.
Pas lirimit nga burgu në vitin 1986-të, internohet në fshatin Arren në vitin 1987-të.
Me dt 10-të gusht ora 03 Havzi Nela thotë fjalën e fundit.
Varet në qendër të Kukësit dhe lihet ashtu i varur deri në orën 11-të për të terrorizuar qytetarët, tek ish agjensia e udhëtarëve.
Me 11-të gusht ora 01 futet në njě gropë në vend të një shtylle vertikalisht.
Para tij Neroni shqiptar kishte pushkatuar poetët, Villsom Blloshmi e Genc Leka si armiq të popullit.
Sabotatorë e agjentë të imperializmit.
Ekspertja e aktakuzës së tyre Diana Çuli gëzoi privilegjet e diktaturës si gardiane e saj.
 U zgjodh deputete në vitet e demokracisë, madje guxuan ta propozojnë edhe për çmimin  “Nobel” në letërsi.
Ekzekutimi i Havzi Nelës është rast i pashembullt në histori, për nga egërsia e simbolika e krimit.
Ai u var në litar pikërisht në vendin ku nuk guxuan të dislokoheshin as armatat e tmerrshme të Hitlerit.
Urrejtja patollogjike e Ramiz Alisë, Kristaq Rames, Nexhmie Hoxhës, Femih Abdiut dhe talebanëve të diktaturës ndaj Havzi Nelës nuk njihte kufi, duke thyer të gjitha kodet zakonore e morale të shqiptarëve, duke sfiduar dhe ligjet e diktaturës.
Ata guxuan që me kufomën e viktimës së tyre të terrorizonin një qytet të tërë.
Terrori me të vdekurin apo nekroterrori është karakteristikë e hordhive barbare pushtuese e otomanëve, mongolëve e serbëve.
A nuk vepruan njësoj otomanët me luftëtarët e patriotët e shquar Sefë Kosharja, Avdullah Hoxha, Shaban Binaku.
3000 vjet më parë Akili i ktheu kufomën e Hektorit mbretit Priam dhe madje e përcolli me nderime nga kampi i tij.
2000 vjet më parë Ponc Pilati i lejoi dishepujt e Krishtit ta zbrisnin nga kryqi dhe ta varrosnin.
Kur Kristaq Rama hodhi firmën pa ju dridhur dora për ekzekutimin e Havzi Nelës, nuk mund ta imagjinonte se pak kohë më pas do të përballej në gjygj i akuzuar për një krim ordiner nga i biri sot kryeminister i Shqipërisë Edi Sulltan Rama.
Havzi Nelën guxuan ta vrasin për fjalën e lirë ata që ligji u njihte të drejtën e faljes dhe të amnistisë.
Klika e frikshme staliniste nuk guxoi ta denonte apo ta ekzekutonte publikisht Eseninin i cili kishte akuzuar regjimin bolshevik dhe e kishte quajtur revolicionin e tetorit 1917-të që vetë e kishte mbështetur;
“Tetor i egër e mashtrues”.
Sigurisht e zhduku në fshehtësi KGB-ja eksperte e punëve të pista dhe e propagandoi si vetëvrasje.
Sovjeti Suprem i Moskës e denoi duke e derguar në gulag disidentin e madh Aleksandr Solzhenitsyn,  por nuk guxoi ta vriste.
Kur falangat fanatike frankiste vranë Garsia Lorkën e madh, gjenerali fashist Franko i gjykoj me ashpërsi.
Para pak vitesh u nda nga jeta  Adem Demaçi i identifikuar si armiku me i madh ideologjik i Jugosllavisë Titiste.
Kaloi 28 vjet në burgjet serbe, por as UDB-ja e as Rankoviçi nuk guxuan ta ekzekutojnë.
Havzi Nela u vra nga egërsia bizantine e kupolës komuniste, e cila poetët shkrimtarët e intelektualët i donte skllevër e sherbëtorë të ideologjisë së saj, ashtu siç kërkon ti bëjë Edi Rama, t’i kthejë një kope mamaqësh, lideri i të cilëve është daja, piktori deshtak.
Të njëjtën strategji ndjek sot qeveria bandite e kalifatit të Sulltan Ramës e kodifikuar me emrin Rilindje, por rruspat e talebanëve deshmuan se sekti i tij quhet rrulindje.
Dhuna barbare ndaj artistëve, arrestimi i tyre është deshmia më autentike e vazhdimit të filozofisë së etërve.
Nëse babai daja dhe etërit komunistë të Ramës e vranë Havzi Nelën në emër të ideologjisë staliniste, Xhonturku Rama po i rivret disidentët dhe po shkatërron institucionet e shtetit e ato të kulturës në emër të një ideologjie neootomane që rrezikon zhbërjen jo vetëm kulturore por dhe etnike dhe territoriale.
Për interesat e tij utilitare Rama shiti Kauzën Çame, shiti detin, ua dha Aeroportin e Vlorës së Ismail Qemalit shpurës së Erdoganit, u bë aktor e protaginist për ndarjen e Kosovës.
Rama ka rënë në rrjetën e trekëndëshit Moskë- Ankara- Athinë.
Sëbashku me sivllaun e tij Vuçiç ishte krushkë i kurorëzimit të Erdoganit si Sulltan i Ri e Despot i Turqisë.
Tufa me lule e Erdoganit tek Mustafa Qemal Ataturku ishte mesazhi i fundit për Republikën Demokratike Turke dhe instalimi i pushtetit absolut të tij.
Politika antikombtare dhe antipërendimore e Ramës.
Shkatërrimi i sovranitetit të organeve kushtetuese.
Kapja e prokurorisë, shkatërrimi i sistemit gjygjsorë.
Shpallja e opozitës esadiste, kur në fakt ai dhe banda e tij të kujtojnë Haxhi Qamilin janë imitim i filozofisë sunduese të babait të tij shpirtëror Erdoganit, i cili shpalli 2000 gjeneralë dhe guljenistët armiq të popullit dhe po kthen denimin me vdekje.
Shpallja e tij vasal i binomit Putin- Erdogan tregoi se pikërisht në vitin Jubilar të Heroit Kombëtar të Gjergjit të madh, ai nuk kishte qëllim të vertetë, jo aspak nderimin e kësaj figure të ndritur por zhbërjen e veprës së tij dhe të Rilindasve.
Aq shumë e urren Atin e Kombit sa në një aktivitet benjamini i tij  Erion Velia ia mbuloi  me sofrabez të zi ( ferxhe) shtatoren  në Sheshin Skenderbej.
Ky Don Kishot i politikës me atlete Adidas dhe me pature është nxënës i  keq i historisë.
Finalizimit të endrrës së tij të çmendur, shembjen e Panteonit të Kulturës, Teatrit Kombëtar, për të ndertuar kulla duke  grabitur pronën publike duhet ti përgjigjet sovrani popull.
Rama në shenjë hakmarrje për bunkierin që e shkatërruan të përsekutuarit e opozita e bashkuar si simbol komunist shembi simbolin kombëtar, ku janë luajtur “Epoka  para gjygjit” e Kryeveprat e Dramaturgjisë Shqiptare.
Ai luajti aktin e fundit të dramës së tij përpara se të bjerë në humnerën e thellë që ka gatuar në të gjithë këto vite të pushtetit të tij.
Ende ka aktivistë të opozitës në proçese gjygjsore që shkatërruan bunkierin e ndertuar pa leje si simbol të diktaturës.
Ende ka të burgosur politikë nga Kukësi i Havzi Nelës të cilët shembën traun e ndërtuar pa leje në Rrugën e Kombit, ndërsa kmerët e Ramës shembën Koloseun tonë, Teatrin Kombëtar duke e grabitur pronën publike dhe shembur simbolin e kujtesës historike.
E quaj të udhës të sjell në vemendjen e lexuesve vargjet e disidentit Havzi Nela që u var nga familja biologjike dhe politike e Sulltan Ramës.
Po perifrazoj disa prej tyre që ai i krijoi me mend, pa patur laps dhe letër duke rimuar me anë të gishtave,  botimin e të cilave e bëri të mundur shkrimtari Petrit Palushi.
” Në qelitë e burgut pa ajër e pa dritë
Fryma po më merret m’janë terrue sytë
Po dirgjem i mjerë, mbrohem rroj me shpresë
Jeta m’u rendue deshirë nuk kam të
vdes
Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kabare
Ma sfiliten trupin, zemra s’ndihet fare
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën
Po e pres lirinë si zogu pranverën.
Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Ketu në vatrat tona futi gaz dhe shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do të vdesë.
Këto janë disa nga letrat e tij që ka nxjerrë nga burgu.
Kjo tregon sa shumë e donte poeti jetën, por më shumë donte lirinë.
 Ai shprehet solemnisht
” Vdekja për Lirinë nuk më tremb aspak”
I merzitur kur ikën nga Shqipëria shkruan në një copë letër dhe e vendos në një lis;
“Lamtumirë Atdhe i dashur
Po të lë me zemër plasun”.
Me guximin e tij sfidoi regjimin gjakatar të etërve të Edi Ramës, ndërsa sot me veprën e tij sfidon vetë Edi Ramën dhe pushtetin e tij kleptokratik.
Në përkujtim të 75 vjetorit të lindjes së tij gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare deklaron;
“Poeti Havzi Nela është kambanë që ende bie për shoqërinë shqiptare
Të mos e degjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”
Novosejanët e quanin Havziun lisin qëndrestar me rrënjët e të cilit mbrohet lëndina e luleve.
Poeti amerikan Uitman na ka lanë një postulat;
Nuk kam çfarë ti jap kombit tim përveçse fjalës.
Havzi Nela na la testament fjalën e bukur poetike për të cilën bëri sakrificën sublime.
Për fjalën e lirë u martirizua.
Dha gjënë më të shtenjtë jetën.
Diktatura komuniste e ekzekutoi pak më shume se tre dekada më parë në mënyrën më makabre.
Me fjalën e lirë sfidoi diktaturën më të egër në Europë.
Jeta e tij ishte mjaft e shkurtër se u këput nga litari i diktaturës, nga gijotina komuniste, por i mjaftoi për ta shkruar emrin në panteonin e historisë kombëtare.
Vepra e tij sot sfidon regjimin Despotik të pinjollit të diktaturës komuniste Edi Ramës.
Ajo eshtë apel i ndergjegjes kombëtare.
Eshtë aktakuza me e rëndë, verdiktin për të cilën duhet ta japë sovrani popull.
Sot sovrani duhet ta bëjë këtë gjygj për Edi Ramën, Lleshin e Zi,  Symbyl Agën, Erion Velinë, aty ku u luajt Epoka para gjygjit, në gërmadhat e krimit të tyre kushtetues.
Ka ardhë koha e Nurembergut të krimeve të diktaturës dhe neodiktaturës.
LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Agron Tufa/ Ra Teatri, por jo akti i pashembullt i rezistencës së artistëve

Publikuar

-

Nga

Teatri i shembur nga barbarët, më saktë, vendi ku ishte godina, do të kujtohet pandaraz me Rezistencën shembullore 27-mujore të Artistëve. Pati gjithmonë një grusht intelektualësh që qëndruan me artistët protestues. Por duhet theksuar, se ishte Qëndresa dhe Protesta më e gjatë në historinë e kauzave tona publike.
Plehërat që kanë nisur ta ironizojnë nëpër rrjete këtë Rezistencë të pashoqe, janë skuthët e mirëpaguar nga propaganda e Diktaturës. Diktatura mëton, që tok me Teatrin të likuidojë dhe historinë qytetare e dramatike të mbrojtjes së tij.
Nëse ka ndonjë gjë të turpshme në gjithë këtë kauzë fisnike të mbrojtjes së vlerave
qytetare të artit dhe trashëgimisë, atëherë turpi i turpit e lulja e marres janë:

1. firmëtatët e shkatërrimit, që janë bash sivëllezërit e tyre kainianë. Ata zgjodhën në vend të artistit me ndërgjegje, të jenë bufonë të qeverisë (lolo/palaço). Për ata le të mbeten buka e turpi, parja e marrja!

2. Autoritetet morale të shoqërisë, shkrimtarë, politikanë, klerikë, etj., nuk u dëgjuan asnjëherë. Dmth, autoritete u përmbajtën aq shumë, që të mos flisnin, sa humbën çdo potencë mashkullore:))

3. Opozita duhej të kishte vijuar mbështetjen e kësaj kauze, pa ua zbehur apolitizmin e tyre, por duke e mbajtur konkretisht betimin patetik, thuajse proverbial: “Vetëm mbi trupat tanë!”

LEXO EDHE:  Aktore në një teatër në New York! Ky dedikim i Aurela Gaçes për të motrën do iu zbukurojë ditën

4.Mbështetja e qytetarëve të mos mbetej sporadike dhe tejet e vakët. Tipike kjo për natyrën e ngordhur të reagimeve qytetare, qëkurse Diktatura e etërve u prishi tempujt (1967) dhe tash njëlloj, kur Diktatura e bijve dhe nipave u prish tempujt e artit.

5. Studentët duhet t’i bashkangjiteshin kësaj kauze, por edhe këtu ata dëshmuan se janë një stihi e papjekur dhe e paprganizuar për protesta të vendosura.

6. Ambasadat e vendeve kryesore – të SHBA/BE, me peshë në jetën e opinionin publik, janë diskretituar gjatë gjithë këtyre viteve, duke folur si zëdhënësa të Diktaturës. Heshtën për Teatrin.

Teatri ra. Ra dhe një kauzë parimore publike, e pambështetur Godina s’është më! Por të gjithë do ta dinë e duhet ta dinë, se ky tempull arti ra pas 27 muajsh qëndresë permanente të Artistëve të vërtetë qytetarë. Mbrojtësit e Trojës janë më të lavdishëm se rënia e saj.

Më tej, Diktatura e Re e Bijve dhe Nipave,
do të ketë dorë të lirë, për ta bërë këtë popull të panerv, skllav e dordolec të tekave të veta.

LEXO TE PLOTE