Connect with Us

Dëshmia e ish-të burgosurit që u arratis/ Pasi më kapën ushtarët, një shofer me emrin Foto, më futi një thupër metalike në plagën e plumbit

Histori

Dëshmia e ish-të burgosurit që u arratis/ Pasi më kapën ushtarët, një shofer me emrin Foto, më futi një thupër metalike në plagën e plumbit

Publikuar

-

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Haxhi Sulës nga Tirana, i cili në vitin 1975, pas një zënke me dhëndrrin e Kadri Hazbiut në mes të Tiranës, morri rrugën në drejtim të pyjeve të Krrabës me qëllim për t’u arratisur nga Shqipëria, por u kap nga ushtarët në fshatin Pëllumbas dhe u dënua me shtatë vite burg, duke u dërguar për të vuajtur dënimin në burgun e Borshit. Historia e rrallë e arratisjes së Haxhi Sulës nga burgu i Borshit, ku pasi goditi ushtarin në vënd-roje dhe i morri mitrolozin e lehtë, u largua në drejtim të rrugës nacionale ku me forcë detyroi një shofer “ZIS”-i dhe të dy morrën rrugën për në drejtim të Nivicës, ku dhe u rrethuan nga forcat ushtarake e ato vullnetare në një operacion të madh që e drejtonte nga helikopteri zv/ministri i Punëve të Brendëshme, Feçor Shehu, i cili së bashku me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së Sarandës, Jashar Menzelxhiun. Arrestimi i Haxhiut në fshatin Nivicë ku e lanë forcat dhe ra pandjenja, e përmëndja pasi një shofer me emrin, Foto, hoqi thuprën meatalike të matjes së vajit të makinës dhe ja futi në vrimën e plumbit duke i prishur shpretkën që i’a hoqën më vonë në Spitalin e Burgut. Ridënimi i Haxhiut dhe vuajtja e dënimit në burgun e Burrelit nga ku ai u lirua në vitin 1986, pas dy amnistive dhe tentative tjetër e arratisjes nga kufiri në vitin 1988 në fshatin Skënderbe të Librazhdit, ku njërin nga shokët e tij e shqeu qeni i kufirit, kurse tjetrin e bënë shoshë me  plumba…?!

Nga Dashnor Kaloçi

“Në përrua më rrethuan 14 ushtarë të kufirit me në krye oficerin e tyre, Pajtim A. Unë qëlloja pa pushim me mitrolozin e lehtë, por ushtarët nuk trembeshin nga të shëtënat e mija. Më pas më kapi një plumb tjetër, një gisht poshtë zemrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi ishte fshehur pas disa shkëmbinjëve dhe shënonte me saktësi drejt meje, pashë që po afroheshin dhe dy tanke, kurse mbi krye ishte një helikopter ku qëndronin Feçor Shehu me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit të  Sarandës, Jashar Menzelxhiu. Aty më kapën ushtarët dhe civilët e forcave vullnetare e më lidhën fort. Një shofer nga Nivica, i quajtur Foto, hoqi thuprën metalike të matjes së vajit dhe ma futi thellë te brima e plagës së plumbit, e cila më preku shpretkën dhe ma dëmtoi. Tani nuk e kam më”. Kështu i kujtonte Haxhi Sula minutat e fundit të tij në liri, pas arratisjes së nga burgu i Borshit në vitin 1975, pak kohë pasi ishte dënuar për “tentativë arratisje” dhe ishte arrestuar në pyjet e Krrabës në fshatin Pëllumbas. Po kush është Haxhi Sula, cila është e kaluara e tij, si u dënua ai herën e parë kur ishte në moshën 23 vjeçare pas një zënke me dhëndrrin e Kadri Hazbiut në mes të Tiranës, ngjarje e cila do t’i ndryshonte rrjedhën e jetës për t’u dënuar dhe ridënuar disa herë në burgjet e regjimit komunist, pas dy tentativash arratisje nga burgjet dhe një nga kufiri?! Lidhur me këto e ngjarje të tjera nga jeta e tij tragjike, Haxhi Sula (apo siç është njohur ndryshe pas viteve ’90-të edhe me emrin Ylli), i konsideruar si një nga më të tmerrshmit e burgjeve komuniste, bashkë me bashkëshorten e tij, Vjollca Giçi Sula, na i tregonin pak kohë para se Haxhiu të ndahej nga jeta në rrethana tragjike në vitin 1997.

Incidenti me dhëndrin e Kadri Hazbiut

Historia e gjatë e mundimeve të Haxhi Sulës drejt burgjeve komuniste, e ka zanafillën diku aty nga viti 1975, pas një incidenti në qëndër të Tiranës, e cila paprimtas do t’i ndryshonte krejt rrjedhën e jetës. Lidhur me këtë, Haxhiu kujtonte: “Isha vetëm 23 vjeç kur nisi odiseja ime e gjatë drejt ferrit komunist. Në pranverën e vitit 1975, teksa isha duke shetitur në Bulevardin “Qemal Stafa” në Tiranë, një vajzë e pashme që po mësonte biçikletën, erdhi dhe u përplas me mua. Unë me tepër mirësjellje e qortova, duke i thënë që ta mësonte më larg biçikletën dhe jo aty, pasi do të përplasej me ndonjë automjet. Por pas pak aty pranë më ndali dhëndrri i Kadri Hazbiut dhe më goditi. Unë nuk durova dhe i’u përgjigja me të njëjtën mënyrë, por sapo mësova se kush ishte, ika me vrap dhe dola te kodrat e liqenit, e më pas drejt pyjeve të Krrabës ku qëndrova i fshehur për katër ditë e net me rradhë. Ditën e katërt, duke menduar se do të harroej ajo punë, zbrita nga pyjet e Krrabës dhe fshehurazi erdha deri afër shtëpisë sime në Tiranë. Aty pashë se forcat e Ministrisë së Punëve të Brendëshme kishin rrethuar shtëpinë me katër makina policie, duke kujtuar se unë do të kthehesha aty. Operacioni për kapjen time e drejtonte vetë zv/ministri i Punëve të Brendëshme dhe Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, së bashku me Kadri Ismailatin, një nga shefat e Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Pas asaj që pashë aty, fillimisht u tmerrova dhe nuk po dija se çfarë të bëja, por e mblodha vetën në sekond dhe menjëherë u nisa për në drejtim të pyjeve të Elbasanit, me mendimin për t’u arratisur nga kufiri në zonën e Librazhdit. Por në fshatin Pëllumbas, më rrethuan ushtarët e një reparti të Ministrisë së Mbrojtjes që i kishin ngritur në alarm pas ngjarje sime. Ata, me disa breshëri të gjata automatiku më urdhëruan që të dorëzohesha. Nga që kisha disa ditë pa vënë gjë në gojë, fuqitë më kishin lënë dhe nuk kisha mundësi që t’ju bëja asnjë rezistencë ushtarëve, të cilët më kapën e më lidhën menjëherë. Njëri prej tyre më tha: ‘Ke rënë në fole grenzash’. Pas kësaj, më nisën për në Tiranë, ku më mbajtën tre muaj në Hetuesi, krejt të vetëm dhe me një batanije të hollë. Pas hetuesisë, më mbajtën edhe gjashtë muaj në spitalin e burgut, duke më kuruar plagët që m’i kishin shkaktuar vetë nga të rrahurat. Më pas, më nxorrën në gjyq, duke më dënuar me shtatë vite burg me akuzën për “tentativë arratisje”. Pas më mbajëtn një javë në “Kaushin” e Burgut 313 të Tiranës, më nisën për në burgun e Borshit në Sarandë”, kujtonte Haxhiu, incidentin me dhëndërrin e Ministrit të Punëve të Brendëshme të asaj kohe, që e “përpasi” së pari në burgjet e regjimit komunist.

Arratisja nga burgu i Borshit

Që ditën e parë sapo mbërriti në burgun e Borshit, Haxhi Sulës i punonte mëndja vetëm se si mund të arratisej nga ai kamp. Lidhur me këtë, Haxhiu kujtonte: “Më ishte mbushur mëndja: ose të arratisesha, ose të vdisja aty, rrugë tjetër nuk kishte. Pasi provova dhe bëra dy përpjekje, të dyja më dështuan, por nuk u pikasa nga ansjeri. Rasti i tretë më erdhi kur një nga nënoficerët më urdhëroi që të ngarkoja thesin me pleh fare pranë telave të rrethimit. Unë fshehurazi futa disa ushqime brenda në thes dhe u nisa për të zbatuar urdhërin e tij. Në ato momente në kokën time fillova të bluaja shumë gjëra, por e vetmja gjë që më mundonte, pa të cilën unë nuk mund të bëja dot asnjë hap në drejtim të telave, ishte arma. Më ishte fiksuar dhe ngulitur në kokë, se po të kisha në dorë një automatik, nuk kishte njeri që të më ndalte dot që të arratisesha nga ai kamp. Përgjova ushtarin e rojes që ishte mbi tarracë e i gjeta rastin kur ai u afrua dhe e godita në kokë që ta trullosja. Ai ra në tokë por nga që ishte shumë i fuqishëm, u ngrit prap dhe më mbërtheu në trup. Unë e qëllova me grushta dhe e hodha në një hendek aty pranë. Ai menjëherë sapo ra aty, nxorri pistoletën që kishte në brez, ndërkohë që unë më parë kisha kapur mitrlozin e tij të lehtë me zinxhirin e plumbave të futur në fole dhe dy të tjerë që i kishre rezervë në kuti. Kur i preka ato me dorë, prej gëzimit më shkuan lotë në sy. U nis pa e ditur se ku po shkoja, por vetëm e vetëm që që të largohesha sa më shumë prej aty. Mëndjen e kisha vetëm në drejtim të kufirit, rrugë tjetër për mua tashmë nuk kishte”, dëshmonte Haxhi Sula, lidhur me aventurën e rrezikshme të tij, atë të tentativës së arratisjes nga burgu i Borshit.

Ndjekja nga ushtarët dhe çetat vullnetare

Po çfarë ndodhi më pas me Haxhi Sulën pas largimit të tij nga burgu i Borshit, a arriti ai që të fitonte lirinë? Lidhur me këto, Haxhiu tregonte: “Teksa kisha kapërcyer telat e rrethimit të jashtëm të burgut dhe qëndroja me mitroloz në dorë, aty afër meje në çast se nga u gjëndën disa të dënuar, që i gjithë kampi i njihte si spiunë, apo bashkëpunëtorë të komandës, të cilët me të butë, e më të lutura, më bënin thirrje që të dorzohesha. Unë qëllova disa herë në ajër mbi kokat e tyre dhe ata u shtrinë të gjithë barkas në baltë. Nga breshëritë e mitrolozit, i gjithë ajri përreth meje mbante era barut. Nuk kishte shumë kohë për t’u menduar se në kamp u dha alarmi me sirenë dhe ushtarë e shërbimit nga kullat e rojes filluan të qëllonin me breshëri në drejtimin tim. Unë sakaq ja kisha dhënë vrapit në rrugën kryesore dhe aty pashë një makinë tip “Zis” të ndaluar, ku shoferi i saj duket që po mundohej të eliminonte ndonjë difekt. Ju afrova dhe i thashë që ta niste menjeherë makinën. Ai shtangu dhe mbeti i hutuar nga fjalët dhe paraqitja ime me mitroloz në dorë. Ja përsërita fjalët dhe ai pasi vështroi edhe njëherë nga gryka e mitrolozit, me të shpejtë u hodh për tek timoni. Makina çuditërisht u ndez në moment dhe ai më pyeti se për ku do të shkonim. Unë i’u përgjigja tre herë: drejt Konispolit. Ai vazhdoi: po ku?! Unë i thashë me zë të fortë: në drejtim të kufirit. Ai si nëpër dhëmbë foli disa fjalë që mezi i kuptova. Më duket sikur më tha se: po e merrja në qafë, pasi kishte shtatë fëmijë për të ushqyer. Unë hipa në karroceri dhe i dhashë urdhër të nisej menjëherë. Ai bëri ashtu siç i thashë unë dhe ndërsa makina fluturonte, mua se si më dukej vetja ashtu me mitroloz në dorë dhe mezi mbushesha me frymë nga ajri i pastër i detit që shtrihej poshtë rrugës autombilistike. Pas pak, përpara nesh në të dy anët e rrugës, u dukën një grup ushtarësh që siduket i kishin nxjerrë për të më ndjekur mua. Qëllova me breshëri dhe ata u fshehën poshtë rrugës. Bashkë me ushtarët kishin dalë dhe çetat vullnetare. Të gjithë qëllonin kundër makinës dhe xhamat e spondet e saja, u bënë shoshë nga plumbat e tyre. Ndërsa makina nisi të çante përpara si avion, sikur shoferi të kishte një mëndje me mua, më dukej se rruga çahej dhe nga ato të çara, dilnin ushtarë dhe vullnetarë civilë që qëllonin drejt nesh. Ndërkaq morrëm një udhë në drejtim të pyllit dhe atëhere mëndova se shoferi nuk do të më tradhëtonte, sepse dashje pa dashje, ai ishte lidhur me mua dhe nuk kishte më kthim pas. Aty në të hyrë të fshatit Nivicë, u dëgjuan krisma dhe thirrje të tjera. U futëm në pyllin majtas dhe aty na doli përpara një makinë “Gaz-51”, i mbushur me ushtarë. Qëllova me breshëri në drejtim të gomave të makinës dhe nga presioni ajo u përmbys de ushtarët fluturuan nga spondet, sikur të ishin lodra. Ne ecëm dhe pak përpara dhe pasi dëgjuam tri të shtëna pushke, të cilat ishin alarm për fshatarët, lamë makinën dhe i thashë shoferit që të më ndiqte pas nëpër përrua”, kujtonte Haxhi Sula, aventurën e tij të rrezikëshme të arratisjes nga burgu i Borshit me mendimin për të shkuar drejt Konispolit, ku ishte dhe kufiri.

Ndjekja me helikoter nga Feçor Shehu

Po çfar u bë më pas me Haxhi Sulën dhe shoferin që ai e detyroi që ta ndiqte nga pas në drejtim të kufirit? Lidhur me këtë Haxhiu tregonte:”Ndërsa unë e pyesja shoferin sa larg ishte kufiri nga aty, ai duke belbëzuar më thoshte se i kishte lënë fëmijët pa bukë në shtëpi. Unë mundohesha t’i jepja zemër që të shpejtonim, duke i broçkullitur ç’më vinte në gojë, por gjithmonë duke e urdhëruar. Teksa ecnim, dëgjuam zëra shumë afër. Shqferi më tha: ”Ke sjellë në kufi, si ushtarët shqiptarë dhe ata grekë. Do hapësh luftë mes tyre. Unë i thashë që të më ndiqte dhe pastaj po të donte, mund të kthehej. Ai mu përgjigj: Ku të mbytem pastaj?! ‘Atëhere nxito me mua’, ju drejtova dhe pashë një grup tjetër ushtarësh që kishin zënë pozicionet tek një parcelë aty para nesh. Ata më qëlluan dhe një plumb rikoshetë më kapi në trup dhe më dogji shumë (nga kjo plagë më pas më kanë hequr gjashtë metër zorrë). U hodha në përrua dhe nisa të mbrohem duke qëlluar me breshëri. Po më mbulonte gjaku. Shoferit i ra të fikët, apo bëri vetë kur më pa ashtu dhe unë i hodha ujë përroi e ai u përmend. “Lërmë të vdes”, mu lut ai me sy gjysëm të mbyllur. Befas pashë të na afroheshin ushtarë me komandantin e tyre oficer Pajtim A. Të pozicionuar ata qëllonin në drejtimin tim. Më kapi dhe një plumb tjetër, pak poshtë zemrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi shënonte saktë nga pozicioni i tij. Këpuca më qe mbushur me gjak dhe këmba më llapushitej aty brenda. Mezi mblodha fuqitë dhe qëllova dhe një herë më tepër për t’i trembur. Ndërkaq drejt meje po afroheshin dy tanke, kurse mbi krye fluturonte një helikopter, ku ishin Feçor Shehu dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Sarandës, Jashar Menzelxhiu. Për të shfryrë dufin, i harxhova të gjithë fishekët. Aty afër pashë një “Zetor” dhe u afrova për të hipur, por nga që kisha humbur shumë gjak, më lanë fuqitë dhe ngela aty pa ndjenja. Aty më kapën ushtarët dhe civilët e Forcave Vullnetare dhe më lidhën fort. Një shofer nga Nivica i quajtur Foto, hoqi thuprën e matjes së vajit dhe ma futi thellë tek vrima e plagës. Më preku shpretkën duke ma nxjerrë jashtë përrdorimit (tani nuk e kam më atë). Ashtu i plagosur, i pafuqishëm, i dorëzuar nga dhimbjet, rrija shtrirë në tokë brenda një rrethi ushtarësh e civilësh që më shihnin me habi, si të isha një qënie tjetër, e jo njeri. Herë pas here më hidhnin ujë dhe unë përmendesha e shihja fytyra kureshtarësh mbi mua. Pastaj më lidhën fort dhe më plasën në një “Zetor” të mbushur me pleh të lagur që m’u ngjit me gjakun në ftyrë. Tek sheshi i fshatit Bamatat, u ndodha i shtrirë nën këmbët e Feçor Shehut e Jashar Menzelxhiut. Doktori që po më mjekonte, kërkoi që të më zgjidhnin, por nuk ja plotësuan dëshirën. Pastaj më nisën për në Tiranë te Spitali i Burgut (në pavionin 7-të), ku doktorët firmosën se isha i përgjegjshëm”, kujtonte Haxhi Sula, fundin e aventurës që morri për të kaluar kufirin në pranverën e vitit 1975.

15 vite burg dhe vrasja misterioze

Pas asaj aventure të rrezikshme, Haxhi Sulën e nisën për t’i bërë gjyqin në Sarandë, ku kishte kryer dhe “krimin” e arratisjes nga vëndi i vuajtjes së dënimit. Në Qafën e Ballshit, policët e zbritën për të pirë ujë, duke ja zgjidhur duart. Ai teksa ndjehej i lirë, ju hodh një polici për t’i marrë automatikun. Gjatë përleshjes policët e tjerë e goditën nga mbrapa dhe e lidhën përsëri. Gjygji e dënoi në fillim me vdekje dhe më pas ja zbriti në 15 vite burg, pasi një i afërm i tij, ishte Kryetar i një Dege të Brendëshme, ku një pjesë të madhe të dënimit ai do ta vuante në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Por kjjo nuk ishte Aventura e vetme e Haxhiut në drejtim të kufirit. Pasi përfitoi nga dy amnistitë që u dhanë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për një pjesë të burgosurve politikë në vitet 1982 dhe 1986, Haxhi Sula u lirua nga burgu pasi kishte vuajtur për më shumë se njëmbëdhjetë vjet dënimin si i burgosur politik. Pas daljes nga burgu ai mundi që të sistemohej në punë në fonderinë e Uzinës së Autotraktorve “Enver Hoxha” në Tiranë, ku zakonisht dërgoheshin për “edukim” personat që sapo kishin dalë nga burgjet.

Tentativa e katërt e arratisjes

Por edhe pse u sistemua me punë pas daljes nga burgu dhe gjeti ngrohtësinë e familjes, Haxhi Sula e kishte mëndjen përsëri tek kufiri dhe “bota e lirë”, e çdo ditë teksa kthehej nga puna i lodhur, mendonte dhe bënte nga një plan arratisje. Gjë të cilën do ta bënte realitet pak muaj më vonë, por që fatekeqësisht ajo tentaivë arratisje do të rezultonte fatale jo vetëm për Haxhiun, por edhe për gjithë grupin e tij prej shtatë vetash që mbetën të përgjakur në telat e klonit. Haxhiu përlotej dhe e kishte të pamundur që të na e tregonte atë histori tragjike ku humbën jetën shokët e tij të ngushtë dhe atë histori na e plotësoi, bashkëshortja e tij, Vjollca Giçi Sula, e cila na tregonte: “Koha e lirimit të Yllit nga burgu në vitin 1986, shënon dhe me njohjen e martesën tonë. Që në takimet e para, Ylli më tregonte për jetën e tij të vështirë dhe plot peripecira që kishte kaluar nëpër burgje. Unë i thosha që ta harronte atë kohë, por ai nuk e kishte të lehtë për arsye se atë vazhdonte ta ndiqte dhe ta survejonte Sigurimi i Shtetit edhe pas lirimit nga burgu. Në atë kohë kudo që shkonim ne të dy, e kishim ndonjë njeri të Sigurimit që na ndiqte nga pas në çdo hap që hidhnim. Sapo uleshim në ndonjë stol në lulishtet e Lushnjes ku banoja unë, apo në Tiranë kur vija për të takuar si të fejuar që ishim, ai më thoshte të ktheja kokën prapa dhe më tregonte njeriun që na ndiqte. Ylli nervozohej shumë nga ajo gjë dhe herë-herë fliste me zë të lartë që ta dëgjonin njerzit e Sigurimit, duke sharë mbarë e mbrapsht. Duke mos pasur asnjë lloj sigurie për jetën dhe duke qenë në ankth se mos nga çasti në çast do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit, aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1989, Ylli vendosi që të arratisej nga Shqipëria. Planin për arratisje ai e kishte bërë me një shokun e tij të ngushtë që quhej Kujtim Xhaja, i cili vinte shpesh në shtëpinë tonë dhe bisedonin gjatë me Yllin nën hijen e ullinjve në oborr. Bashke me Yllin e Kujtimin, në grupin që do të arratisej bënin pjesë dhe katër persona të tjerë të cilët ishin: Agim Sula, (vëllai i vogël i Haxhiut) Bani, nipi i tyre (djali i vëllait të Haxhiut, Metit), Petro Pishtari, Ilir Serjani (student) dhe një person tjetër nga lagjia e jonë që fatkeqësisht nuk ja mbaj mënd emrin. Nga i gjithë grupi prej shtatë vetash, përveç nipit të Haxhiut, Banit, të gjithë të tjerët kishin vuajtur nëpër burgjet e regjimit komunist si të dënuar politik. Agimi kishte bërë gjashtë vite burg dhe punonte në Kombinatin e Mishit, Kujtimi nëntë vjet, Petro kishte bërë burg e internim dhe sapo ishte liruar, ndërsa të tjerët kishin bërë më pak vite burg. Plani i Haxhiut për t’u arratisur në atë kohë, u bë për arsyen se ne kishim djalin të shtruar në spital dhe Ylli mendonte se Sigurimit të Shtetit nuk do t’i shkonte mëndja se ai do të arratisej në atë kohë që kishte djalin e sëmurë”, kujtonte Vjollca, lidhur me planin e arratisjes të ish-bashkëshortit të saj Haxhi Sula dhe gjashtë tiranasve të tjerë që bënin pjesë në grupin e tij, të cilët ashtu si dhe ai, kishin vujatur nëpër burgje si të dënuar politik.

Zbulimi i grupit në klon

Po cili ishte plani i arratisjes së grupit të kryesuar nga Haxhi Sula dhe si u realizua ai? Lidhur me këtë, Vjollca Sula dëshmon: “Në atë kohë që Haxhiu me gjashtë pjestarët e tjerë të grupit vendosën përfundimisht të arratiseshin dhe caktuan edhe datën kur do niseshin në drejtim të kufirit, ata u betuan se për planin e tyre nuk do t’i tregonin as dhe njrezve më të afërt të familjeve. Por Haxhiu ishte i vetmi që më tregoi mua, duke më dhënë dhe porositë se si duhej të veproja në rast se atyre do t’u dështonte plani i arratisjes. Takimi i fundit dhe nisja për në drejtim të Librazhdit, u bë nga shtëpia jonë në një mëngjez shtatori të vitit 1988. Njoftimi për ditën e nisjes u bë vetëm një natë përpara, në mënyrë që të eleminohej çdo dyshim për secilin nga pjestarët e grupit. Ata u nisën me tren dhe siç më ka treguar Haxhiu, kur zbritën në Librazhd, u ndanë në dy grupe dhe lanë vëndin e takimit në fshatin Rrajcë, që ndodhet vetëm pak km. në lindje të qytetit të Prrenjasit. Haxhiu me shokët e tij kishin vendosur për t’u arratisur ditën e dielë, për arsye se ushtarët e kufirit ishin më të shkujdesur. Pas takimit në fshatin Rrajcë, ata u nisën në drejtim të kufirit shtetëror që ndodhet më sipër atij fshati, në sektorin e quajtur Skënderbe. Në atë sektor që ndodhet fare afër kufirit, ata mbërritën rreth orës tre e gjysëm të natës. Pasi arritën aty, Haxhiu nxorri pincat që kishte marrë me vete për të prerë telat e klonit dhe në momentin që i kishin prerë ato, Petro Pishtarit i ngeci mënga e xhaketës në telin e korentit që ishte dhe teli sinjalizues i klonit që jepte sinjalin në postën më të afërt për shkelje kufiri. Menjëherë pas dhënies së sinjalit, u bë alarm dhe nga dy postat kufitare të Rrajcë-Sutaj dhe Rrajcë-Skëndërbe, u nisën rreth 60 ushtarë të ndarë në dy grupe. Ata kryen rrethimin e plotë të tyre dhe për rreth dy orë pa pushim qëlluan me automatikë pa e ndaluar për asnjë çast zjarrin”, kujton Vjollca Sula, lidhur me zbulimin e grupit të kryesuar prej bashkëshortit të saj, Haxhiut, aty në telat e klonit në sektorin Skënderbe të fshatit Rrajcë të Librazhdit.

Vrasja e Kujtimit, Ilirjanin e shqyen qeni

Po ç’ngjau më pas me grupin e shtatë djemve tiranas aty në telat më gjëmba të klonit në kufirin shtetëror, ku ata vetëm disa hapa i ndanin nga bota e lirë që kishin ëndërruar prej vitesh? Lidhur me këtë Vjollca Sula rrëfen gjithë ngjarjen që ia ka treguar ish-bashkëshorti i saj Haxhiu. “Përreth dy orë që ata ishin nën zjarrin e automatikëve të ushtarëve të kufirit, asnjë prej tyre nuk lëvizi nga vëndi, por të gjithë shtërngoheshin sa më fort pas gurëve e shkëmbinjve. Në një moment aty rreth orës 05 e 30 kur po zbardhte dita, Ilirjan Serjani u çua në këmbë për të kaluar klonin, por ai u kap i gjallë nga rojet kufitare. Njëri nga ushtarët e lidhi me tela dhe një tjetër i vuri grykën e nxehtë të automatikut në gojë dhe i tha: “A do të vdesësh nga ky, apo nga qeni i kufirit?”. Ilirjani krejt i tmerruar iu përgjigj: Nga qeni. Pas asaj kufitarët i ndërsyen qenin e madh të kufirit, i cili i’u hodh përsipër dhe pasi e shtriu për tokë, filloi ta shqyente. Në atë kohë, Haxhiu që ishte disa hapa më larg, mbuloi sytë me duar ngaqë nuk e shikonte dot shokun e tij që klithte nga hungërimat e qenit që e kafshonte pa pushim. Teksa shikonte Ilirjanin të mbytur në gjak dhe me copra mishi e rrobash në dhëmbët e qenit, kafshoi fort buzën e tij sa i plasi gjaku. Në atë kohë nga alarmi që ishte dhënë, aty ishte grumbulluar pothuaj i gjithë fshati Rrajcë, duke u orientuar nga ulurimat e qenit. Duke parë Ilirjanin nën dhëmbët e qenit, vëllai i Haxhiut, Agimi, së bashku me Kujtim Xhajën, u ngritën dhe vendosën të dorzoheshin. Por në ato momente në drejtim të tyre u derdhën dy karikatore automatiku dhe Kujtimi mbeti i vdekur në vend, me rreth 60 plumba në trup, e gjaku i rridhte rrëke sikur ta kishin sharruar. Siç më tregonte Haxhiu, në pak minuta, trupi i vdekur i Kujtimit u bë i verdhë, i bardhë, e më pas ngjyrë mavi. Në atë çast që u vra Kujtimi, Haxhiu u ngrit në këmbë dhe me një thikë të vogël në dorë u afrua të godiste qenin që nuk e lëshonte Ilirjanin, por në atë moment disa ushtarë i’u hodhën përsipër dhe e lidhën me tel me gjëmba duke e goditur me dru ku të mundnin. Pas Haxhiut u kapën dhe të tjerët, e ashtu të lidhur me tela me gjëmba këmbë e duar, ata i hipën në një makinë ushtarake që kishte ardhur me ushtarë të tjerë për përforcim të kufirit. Pasi i sistemuan të gjithë në karrocerinë e makinës, bashkë me Ilirjanin që nuk kuptohej në ishte i gjallë apo kishte vdekur, kufomën e Kujtim Xhajës, ushtarët e lidhën me tel pas makinës dhe e tërhoqën zvarrë në një pjesë të madhe të rrugës nën vështrimin e fshatravëve. Më pas kufomën e tij e hipën në makinë dhe u vunë tek këmbët e shokëve të tij që ashtu të lidhur i mbanin të shtrirë në karroceri. Më pas ata i çuan në qelitë e Degës së Brendshme të Librazhdit, ku për më shumë se një muaj ata u torturuan mizorisht. Pas një muaji ata i nxorrën në gjyq dhe i dënuan për “tradhëti të lartë”, me dënime nga pesë vjet e poshtë”, e përfundon dëshminë e saj rrënqethëse, Vjollca Giçi Sula, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në shtatorin e vitit 1989, kur shtatë djem tiranas që kishin vuajtur më parë në burgjet e regjimit komunist, morën rrugën për në drejtim të klonit ku u përgjakën nga plumbat e ushtarëve dhe qentë e kufirit, që ruanin të paprekur “parajsën e socializmit të Enver Hoxhës”.

Lirimi nga burgu më 28 mars 1991

Haxhi Sula ishte nga të fundit të burgosur politik që u liruan në 28 marsin e vitit 1991, nga burgu i Spaçit, pasi organizoi një grevë urie në taracën e njërës prej godinave të atij burgu, së bashku me David Lumën, Paulin Bërdicën e Gjin Shllakun. Pas burgut, Haxhiu u kthye në Tiranë pranë familjes, bashkëshortes, Vjollca dhe vajzës së vogël, duke e filluar ta ndërtonte jetën nga e para. Kishte shumë pasion poezinë dhe provoi të shkruante jo pa sukses, duke arritur të botonte disa libra, me poezi dhe kujtime nga burgjet e regjimit komunist ku kishte kaluar gati 15 vite të jetës së tij në moshën më të mirë. Por, në marsin e vitit 1997, teksa kishin filluar trazirat e mëdha, një dorë misterioze e qëlloi për vdekje, aty fare pranë shtëpisë së tij tek “Oxhaku”, në afërsi të Shkollës së Bashkuar.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Dëshmia e ish-nënkryetarit të Gjykatës së Lartë/ Enveri na tha “dënojeni ju gjeneral Dali Ndreun e Lirinë, se do i fali Partia” por…

Publikuar

-

Nga

Publikohet historia e panjohur e gjyqit të bujshëm të zhvilluar në vitin 1956 në Tiranë ndaj gjeneral-major Dali Ndreut, ish-Komandantit i Korparmatës së Parë gjatë Luftës dhe bashkëshortes së tij, Liri Gega, ish-anëtare e Byrosë Politike, të cilët u dënuan me vdekje, pasi akuzuan si “agjentë të Jugosllavisë së Titos” dhe u ekzekutuan. Dëshmia e rrallë e Mustafa Qilimit, ish-nënkryetari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Kolegjit Ushtarak, lidhur me makinacionet dhe intrigat që u përdorën në atë kohë për dënimin e “grupit të Dali Ndreut” nga ana e Enver Hoxhës, i cili pasi ndiqte direkt të inçizuar nga zyra e tij të gjithë procesin gjyqësor që zhvillohej me dyer të mbyllura, i jepte porosi Rita Markos për Aranit Çelën, Kryetarin e Gykatës së Lartë që pasi hezitoi në fillim për dhënien e dënimit kapital, u detyrua ta pranonte atë.

“Si rrallë ndonjëherë tjetër që nga viti 1951 kur kisha kaluar pranë asaj gjykate, që përpara gjyqit ndaj Dali Ndreut dhe të ashtuquajturit grup të tij, pati një interesim dhe preokupim të jashtëzakonshëm nga ana e Ministrisë së Brendëshme, Hetuesisë, Komitetit Qendror të PPSH-së dhe krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, duke përfshirë dhe vetë Enver Hoxhën. Një natë para gjyqit, Sigurimi i Shtetit me fshehtësi të madhe vendosi aparatin inçizues nën podiumin e sallës dhe e lidhi atë me zyrën e Enver Hoxhës. Enveri donte ta dëgjonte vetë të gjithë proçesin gjyqësor direkt dhe ajo gjë duhej të mbahej në fshehtësinë më të madhe. Kështu u montua aparati inçizues poshtë tribunës së trupit gjykues, në një mënyrë shumë të maskuar sa që nuk dukej fare, për të cilën kishim dijeni vetëm unë e Aranit Çela. Them se për këtë arsye, gjyqi u zhvillua pikërisht në atë sallë dhe jo në sallën brenda ambienteve të Gjykatës së Lartë, e cila nuk e siguronte dot vendosjen e aparatit inçizues dhe fshehtësinë e ndërlidhjes me shtëpinë e Enver Hoxhës”.

Kështu e kujtonte koloneli në pension, Mustafa Qilimi, ish-nënkryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, masat paraprake për procesin e bujshëm gjyqësor ndaj gjeneral-major dali Ndreut dhe bashkëshortes së tij Liri Gegës, ish-anëtare e Byrosë Politike, të cilët në vitin 1956, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan. Po si u zhvillua më tej ai gjyq, për çfarë akuzoheshin Daliu e Liria dhe dy pjestarët e tjerë të atij “grupi” dhe cilat ishin porositë që u kishte dhënë udhëheqja e lartë trupit gjykues me anë të Rita Markos që takohej përditë me Enver Hoxhën duke marrë dhe përcjellë porositë e tij?! Përse hezitoi në fillim trupi gjykues për dënimin me vdekje dhe përse pranoi më pas Aranit Çela pas takimeve me Rita Markon?

Duke qenë në funksionin e nënkryetarit të Gjykatës së Lartë nga 1951 deri në 1960-ën, kolonel Mustafa Qilimi në dëshmitë e tij publike na tregonte një nga faqet më të errëta të regjimit komunist me në krye Enver Hoxhën, i cili me anë të intrigave, makinacioneve e presioneve mbi Byronë Politike, Qeverinë e Gjykatën e Lartë, arriti të eliminojë disa nga kundërshtarët e tij brenda udhëheqjes së lartë, duke i akuzuar ata si “tradhtarë e armiq të Popullit”, si: gjeneral-major Dali Ndreun, anataren e Byrosë Politike, Liri Gegën, sekretarin e Komitetit Qendror dhe Ministrin e Arsimit Bedri Spahiun, sekretarin organizativ të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrin Tuk Jakova, etj. Lidhur me këto e shumë ngjarje të tjera me intriga, makinacione, kurthe, hakmarrje, spastrime, procese të montuara etj., të iniciara personalisht nga vetë Enver Hoxha, bëhet fjalë në intervistën e më poshtme.

Z.Qilimi, përse u caktuat ju në trupin gjykues që do gjykonte grupin e Dali Ndreut?
Asokohohe unë isha nënkryetar i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht Kryetar i Kolegjit Ushtarak pranë asaj Gjykate. Duke pasur këto funksione, natyrisht që caktimi im në përbërje të atij trupi që do gjykonte grupin e Dali Ndreut, ishte më se normal.

Si e mbani mend atmosferën përpara se të fillonte gjyqi?
Si rrallë ndonjëherë tjetër që nga viti 1951 kur kisha kaluar pranë asaj gjykate, që përpara gjyqit ndaj Dali Ndreut dhe të ashtuquajturit “grup” të tij, ku bënte pjesë dhe bashkëshortja Liri Gega, vëllai i saj, Astrit Gega dhe kunati i Vasil Shantos, kolonel, Petro Bullati, pati një interesim dhe preokupim të jashtëzakonshëm nga ana e Ministrisë së Brendshme, Hetuesisë, Komitetit Qendror të PPSH-së dhe krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, duke përfshirë dhe vetë Enver Hoxhën.

Kush ishin njerëzit e tjerë që përbënin grupin e Dali Ndreut dhe çfarë funksionesh kishin pasur ata?

Si kryetar i atij grupi konsiderohej Dali Ndreu, i cili ishte nga Sllova e Dibrës dhe rridhte nga fisi i Ndreve, një prej familjeve më patriotike pothuaj në të gjithë Veriun e Shqipërisë. Ajo familje mbështeti pa rezerva Luftën Antifashiste, duke dhënë shumë nga djemtë e saj partizanë, ku disa prej tyre patën funksione drejtuese deri komandantë brigadash, si Esat Ndreu dhe vetë Daliu që arriti deri komandant i Divizionit dhe Korpusit të Parë, me gradën e gjeneral-majorit që në Kongresin e Përmetit. Po kështu, si të pandehur në atë grup bënin pjesë dhe Liri Gega, gruaja e Daliut. Liria, që gjatë Luftës dhe pas saj, ishte partizania që arriti në funksionet më të larta partiake, duke qenë antare e Byrosë Politike që në Pleniumin e Beratit, e një nga bashkëpunëtorët më të afërta të Enver Hoxhës. Bashkë me Lirinë, në atë grup bënte pjesë dhe i vëllai i saj Astrit Gega, një intelektual i njohur aktivist i Luftës dhe pas saj, Sekretar i Komitetit Partisë në Gjirokastër. Më pas ai studioi në Bashkimin Sovjetik dhe u caktua si inxhinier kimist në Elbasan, ku punoi deri ditën që u arrestua. Bashkë me këtë, ishte dhe Petro Bollati, (kunati i Vasil Shantos), i cili gjatë Luftës arriti deri komandant brigade dhe në 1945-ën, u caktua komandant i Brigadës së Tretë i Divizionit të Mbrojtjes që luftoi kundër forcave antikomuniste të Malësisë së Shkodrës.

Çfarë funksionesh mbanin ata kur u arrestuan?
Dali Ndreu ndonëse ishte një nga figurat kryesore ushtarake të Luftës pas Spiro Moisiut, u shkarkua si gjeneral që në vitin 1947 dhe më pas u emërua e punoi për disa vite si zv/ministër i Ndërtimit. Në vitin 1954, ai u shkarkua dhe nga ai funksion dhe më duket se u caktua si drejtor i një ndërmarje ndërtimi në Tiranë, detyrë të cilën e mbajti deri ditën që u arrestua. Asokohe thuhej se degradimi nga gjeneral e goditja ndaj tij erdhi si pasojë e martesës që ai bëri me Liri Gegën, ish-anëtaren e Byrosë Politike, që ishte goditur që në 1947-ën prej Koçi Xoxes. Vëllai i Lirisë, Astriti siç thashë ishte inxhinier në Elbasan. Petro Bollati, pasi ishte liruar si ushtarak, priste që të shkonte në Maqedoni. Petro ishte shtetas maqedonas dhe kishte bërë kërkesën për të shkuar në vendin e tij, pasi ishte njohur ajo shtetësi nga shteti shqiptar, i ishte dhënë leja përkatëse për t’u riatdhesuar, ishte në pritje të vizës jugosllave për t’u larguar nga Shqipëria.

Thatë më lart se për gjyqin e Dali Ndreut e grupit tij, shteti pati një interesim të madh. Ku konsistonte kjo?
Dua të theksoj se që përpara fillimit të gjyqit, mua më thirrën në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe më komunikuam se unë do të isha kryetar i atj gjyqi. Nisur nga kjo, mua më sollën dhe dosjen hetimore për ta studiuar paraprakisht, siç ishin proçedurat gjyqësore. Pasi e studiova mirë atë dosje, unë ia ktheva prapë Hetuesisë për zgjerim të mëtejshëm të hetimeve, pasi aty nuk dilte dhe as faktohej asgjë nga akuza që i bëhej atij grupi.

Për çfarë akuzohej Dali Ndreu dhe grupi i tij në aktakuzën e prokurorisë?
Në aktakuzën e Prokurorisë, Dali Ndreu e Liri Gega, akuzoheshin për “tradhti të lartë ndaj atdheut”, e specifikuar kjo me anë të “spiunazhit, tentativës për arratisje jashtë shtetit dhe agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor”. Po kështu këto akuza kishin dhe Astrit Gega me Petro Bollatin. Në ndryshim nga këta të dy, Daliu me Lirinë, kishin më tepër tentativën për arratisje.

Përse nuk e drejtuat ju gjyqin, siç ju thanë në Komitetin Qëndror?
Nuk e di me saktësi këtë gjë, por mendoj se një nga arsyet kryesore që mua më spostuan nga drejtimi si kryetar i atij gjyqi, ishte se unë nuk u tregova i zellshëm për dënimin e tyre. Kjo gjë erdhi pas rikthimit për hetime që i bëra dosjes së atij gjyqi. Pasi na erdhi dosja për herën e dytë, gjoja e plotësuar sipas kërkesave tona, na erdhi orientimi dhe në Komitetin Qendror na thanë që shoku Enver mendonte, se kryetar i gjyqit të Dali Ndreut, duhet të ishte Arianit Çela. Ashtu siç na thanë dhe u vendos: Aranit Çela do të ishte kryetar i trupit gjykues, kurse unë me Hilmi Telegrafin, anëtarë të tij. Prokuror për mbrojtjen e akuzës, u caktua Siri Çarçani, që ishte Prokuror i Përgjithshëm i Republikës, ndonëse jashtë vullnetit të tij.

Edhe njëherë ku konsistonte interesimi i jashtëzakonshëm për atë gjyq?

E para, siç thashë më lart, ishte interesimi direkt i Enver Hoxhës për të zgjedhur trupin gjykues për gjyqin e Daliut, gjë për të cilën ne na thirrën në Komitetin Qendror dhe na dhanë udhëzimet përkatëse. Po kështu, që përpara gjyqit, Komiteti Qendror dhe qeveria, i dhanë shumë rëndësi atij proçesi, sa që u krijua një komision qeveritar, i cili do të ndiqte të gjithë proçesin hetimor e gjyqsor që kishte lidhje me atë problem.

Kush do e kryesonte atë komision qeveritar?

Kryetari i këtij komisioni u caktua zv/kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe Niko Çeta zv/ Ministri i Brendshëm dhe kryetari i grupit hetimor për Daliun, Lirinë, Astritin e Petro Bollatin. Gjyqi u vendos që të bëhej në një sallë që ishte ngjitur me Gjykatën e Lartë dhe një ditë përpara u morën masa të rrepta sigurimi, duke e rrethuar vendin me polici të shumtë, të përforcuar me ushtarë të Gardës së Republikës. Po kështu për gjithë natën, Sigurimi i Shtetit bëri ndërlidhjen nga salla e gjyqit me zyrën e Enver Hoxhës. Enveri donte ta dëgjonte vetë të gjithë proçesin gjyqësor direkt dhe ajo gjë duhej të mbahej në fshehtësinë më të madhe.

Kështu u muntua aparati inçizues poshtë tribunës së trupit gjykues, në një mënyrë shumë të maskuar sa që nuk dukej fare, për të cilën kishim dijeni vetëm unë e Aranit Çela. Them se për këtë arsye, gjyqi u zhvillua pikërisht në atë sallë dhe jo në sallën brenda ambienteve të Gjykatës së Lartë, e cila nuk e siguronte dot vendosjen e aparatit inçizues dhe fshehtësinë e ndërlidhjes me shtëpinë e Enver Hoxhës. Disa ditë përpara hapjes së gjyqit, ndërkohë që ne po merreshim me studimin e dosjes gjyqësore, nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe Hetuesisë, na servireshin informacione sikur ishin zbuluar grupe armiqësore që kishin lidhje me Dalin Ndreun, se ai ishte: “spiun i regjur i jugosllavëve dhe se shtëpia e tij në Sllovë ishtë rezidencë e vjetër e spiunazhit serb, se grupet agjenturore që ishin zbuluar, kishin pasur si qëllim grabitjen e Daliut nga burgu i Tiranës ku mbahej për hetime etj”. Siç kam konstatuar më vonë pas atij proçesi, ato lajme ishin komplet të sajuara dhe na bëheshin ne si formë presioni, duke parë jo predispozicionin e duhur nga ana jonë si gjykatë, për dënimin e tyre me vdekje, për të cilën na ishte sugjeruar nga K.Q.

Gjyqi u bë me dyer të mbyllura?

Ditën që do të fillonte gjyqi, na erdhi orientim nga Komiteti Qendror që proçesi gjyqësor ndaj Dali Ndreut dhe grupit të tij, do të bëhej me dyer të mbyllura. Ishte hera e parë që bëhej një gjë e tillë.

Po pse po veprohej ashtu?

Kjo gjë u kamuflua me faktin që gjoja në atë proçes kishte dhe sekrete shtetërore e ushtarake, ku familja Ndreu prej kohësh ishte kthyer në rezidencë të spiunazhit jugosllav. Ne shpesh herë bënim gjyqe me dyer të mbyllura, por aty nuk mungonin të thirrur nga ne juristë dhe njerëz të Ministrisë së Brëndshme e asaj të Drejtësisë. Kurse në atë gjyq, për herë të parë merreshin masa të tilla që nuk do të lejohej në mënyrë absolute asnjë njeri brenda. Madje u ndalua që të merrte pjesë dhe Ministri i Drejtësisë, Bilbil Klosi, të cilin ne nuk e lamë brenda. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes gjeneral-leitnant Beqir Balluku, që ishte caktuar si kryetar i Komisionit Qeveritar për ndjekjen e atij proçesi së bashku me Niko Çetën, rrinin në ndërtesën që ishte ngjitur me Gjykatën e Lartë, e cila ishte Drejtoria e Zbulimit të Agjenturave (sot Shtëpia me Gjethe).

LEXO EDHE:  Zbulohet kryebashkiaku i videos me kokainë

LEXO EDHE:  Me flokë të gjata kaçurrela/ Foto kur Xhelal Mziu festonte me birra e meze

Si e kujtoni fillimin e atij gjyqi?

Mbasi u bënë formalitetet e hapjes së gjyqit, u lexua akt-akuza nga ana e Prokurorit Siri Çarçani, ku siç thashë më lart, Dali Ndreu dhe grupi i tij akuzoheshin për “tradhti të lartë, spiunazh, tentativë arratisjeje dhe agjitacion e propaganda”. Pas leximit të akt-akuzës u pyetën të pandehurit nëse e pranonin atë gjë. I pari u çua Daliu që tha se nuk e pranonte akuzën. Pas tij u çua e shoqja Liria, që i tha: ‘Përse nuk e pranon akuzën ti Dali, ti më ke shkruar letër dhe më ke thënë që t’i pranojmë të gjitha akuzat dhe nuk kemi ç’të bëjmë se këta i dinë të gjitha’. Pas fjalëve të Lirisë, Daliu u ngrit dhe tha që nuk ishte e vërtetë që i kishte shkruar letër asaj. Liria siç duket e kuptoi që kishte rënë në grackë dhe u tërhoq menjëherë. Pas tyre u çua Astriti, i cili e pranoi pjesërisht akuzën, i cili tha se në diskutime familjare, mund të kishte diskutuar ndonjë pakënaqësi të vogël lidhur me furnizimin e popullit me produkte ushqimore, por kurrë nuk i kishte shkuar ndër mend të bënte agjitacion dhe propagandë. Përsa i përket akuzës së tradhtisë së lartë dhe tentativës së arratisjes, Daliu dhe Liria, nuk e pranuan, duke thënë se ata kishin vajtur tek shtëpia e tyre në Sllovë, për të çuar për mjekim djalin e tyre Sokolin për të cilin, mjekët i kishin rekomanduar klimë malore. Daliu theksoi se nuk kishte pasur ndër mend që të arratisej, pasi ai e kishte pasur dhe më parë si mundësi këtë gjë, por që nuk kishte arsye për ta bërë. Faktikisht, kur Daliu me Lirinë, shkuan në Sllovë, ata i vunë re njerëzit e Sigurimit të Shtetit që i ndiqnin gjoja për t’i kapur në flagrancë për tentativë arratisjeje. Pas kësaj ata u kthyen në drejtim të Peshkopisë, dhe aty i arrestuan duke qenë shumë larg kufirit shtetëror.

Po Petro Bullati a e pranoi akuzën dhe cila ishte ajo?

Për Petro Bullatin akuza ishte sikur ai “kishte ndërmjetësuar duke lidhur Daliun me Lirinë me Sekretarin e Parë të ambasadës jugosllave në Tiranë, një shqiptar nga Kosova të quajtur Rexhep Xhiha, me të cilin kishin zhvilluar spiunazh në dëm të Shqipërisë”. Ata të dy pranuan se e kishin takuar Rexhepin me të cilin kishin bërë vetëm muhabete familjare dhe asgjë më shumë, dhe për këtë gjë i kishte ndërmjetësuar Petroja, i cili dhe ai e pranoi që i kishte takuar ata. Siç thashë, Petro Bullati, ato ditë para se të arrestohej, priste vizën e largimit për të ikur përgjithmonë nga Shqipëria, pasi kishet shtetësi të dyfishtë jugosllavo-shqiptare dhe priste për të ikur në Jugosllavi. Kur ai kishte kërkuar për të marrë vizën, Rexhepi do t’ia jepte për dy tre ditë vizën. Por ai i kishte kërkuar një nder, duke i thënë që donte të takonte Daliun dhe Lirinë, pasi i njihte ata. Petroja i lajmëroi ata të dy se kishin për t’u takuar me Rexhepin, tek lulishtja e Parkut Rinia, para Hotel Dajtit. Duke qënë se Rexhepit i kishte lindur nusja një vajzë, Daliu dhe Liria, shkuan të nesërmen për urim duke i çuar edhe një tortë te Hotel “Dajti” ku banonte ai. Petro Bullati tha se nuk dinte më shumë se aq, lidhur me akuzën për spiunazh që i bëhej atyre me Rexhepin, funksionarin e ambasadës jugosllave. Gjatë zhvillimit të gjyqit Petroja na u drejtua ne të trupit gjykues duke na thënë se: “Kur zihen atllarët e paguajmë ne gomarët”. Petro për atllarët nënkuptonte Enverin dhe Titon. Pas fjalëve të tij, ne të trupit gjykues u mblodhën së bashku me prokurorin dhe ramë në një konkluzion, se ai ishte agjent shumë i rrezikshëm i jugosllavëve.

Si vazhdoi më tej proçesi gjyqësor?

Çdo një orë e gjysmë bënim pushim dhe Aranit Çela, shkonte dhe raportonte tek Beqir Balluku, i cili qëndronte i fshehur tek ndërtesa e zbulimit të agjenturave, aty ngjitur me ne, duke i bërë të ditur ecurinë e gjyqit dhe merrte udhëzime. Ai, insistonte se në atë grup kishte veprimtari armiqësore dhe se ata patjetër duhet të dënoheshin me vdekje. Ne të tre të trupit gjykues, në pushimin e dytë, u mblodhëm dhe i thamë njëri-tjetrit se aty nuk kishte veprimtari armiqësore, dhe se për këtë arsye nuk kishte sesi t’i dënonim me vdekje. Të këtij mendimi ishim që të tre.

Po Aranit Çela ishte i këtij mendimi se ai grup nuk kishte veprimtari armiqësore?

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se dhe se Araniti ishte në një mëndje me mua dhe Hilmi Telegrafin. Pas kësaj ne të tre ramë dakort që Araniti të shkonte në Komitetin Qendror dhe të bisedonte atje për problemin që kishim. Ai shkoi atje dhe bisedoi me Rita Markon, sekretarin e Komitetit Qendror që mbulonte organet e “Diktaturës së proletariatit”. Ai bisedoi me të në prani të Beqir Ballukut dhe të Ll.S., shefit të administratës që mbulonte organet e “Diktaturës së proletariatit” në Komitetin Qëndror. Araniti, erdhi dhe na tha se në Komitetin Qendror të PPSH-së, Rita Marko i kishte thënë: “Shko e vazhdoni gjyqin, dhe ata duhet t’i dënoni patjetër me vdekje, se aty në sallë nuk gjykohen Daliu me Lirinë, por gjykohen e dënohen agjenturat e huaja”.

Si vepruat ju pas kësaj?

Edhe pas këtyre fjalëve të thëna Aranitit, ne e vazhduam gjyqin të bindur se aty nuk kishte veprimtari armiqësore dhe se nuk kishte fakte që ata të dënoheshin me vdekje. Duke pasur këtë problem të madh, Araniti ra ngushtë dhe shkoi prapë në Komitetin Qendror për të biseduar se çdo bënim. Gjatë atij pushimi që Araniti shkoi atje, mua më thirri Ministri i Drejtësisë, Bilbil Klosi dhe më tha që përse nuk e kishin lejuar që të merrte pjesë në gjyq. Unë i thashë se ajo gjë ishte me porosi nga lart.

A reagoi ai pas kësaj?

Bilbili më tha që me çdo kusht duhet të ngulnim këmbë që ata të mos dënoheshin me vdekje, pasi nuk kishin bërë gjë. Dhe se nuk kishte asnjë fakt për t’i fajësuar. Bilbili atë ma tha në mirëbesim se unë e kisha shumë shok. “Po e bëtë këtë gjë, do të jetë një turp i madh jo vetëm për ju, por për të gjithë historinë e Gjykatës së Lartë” më tha ai kur u ndamë. Po i këtij mendimi ishte dhe miku i ngushtë i tij Josif Pashko, etj.

Çfarë ju tha Aranit Çela kur erdhi nga Komiteti Qendror?

Kur shkoi Araniti atje, herën e dytë ata i thane: “Ju i dënoni me vdekje ata, se nuk do t’i pushkatojmë dhe do i falim jetën në Kuvendin Popullor. Këtë gjë do e bëjmë ne për të demaskuar veprimtarinë agjenturore të jugosllavëve dhe Titos”. Araniti e pranoi atë porosi. Përveç kësaj gjatë pushimeve të seancave aty vinte dhe kryetari i hetuesisë dhe shumë njerëz të tjerë nga Ministria e Brëndshme, e na sillnin lajme sikur ishin zbuluar disa grupe spiunazhi që kishin dashur të rrëmbenin Daliun dhe Lirinë, gjatë rrugës për nga hetuesia për në sallën e gjyqit. Dhe pas kësaj, ata do të na bënin atentat neve trupit gjykues, etj.

I besonit ju ato që iu thoshin?

Të jemi të sinqertë deri në fund, ne nuk i besonim por as dhe i kundërshtonim dot. Këto gjëra ata i bënin që të na bindnin në fajësinë e Daliut e grupit të tij, pasi ata shikonin se neve na mungonte motivimi i duhur për t’i dënuar ata me vdekje. Dhe për t’i bërë sa më të besueshme ato lajme, Aranitit i vunë një oficer truproje, që e shoqëronte atë ngado.

A pranuat ju që t’i dënonit ata me vdekje?

Fatkeqësisht po. Kjo gjë, erdhi pas shumë presionesh që na u bënë. Sipas porosisë, që ishte dhënë nga Komiteti Qendror dhe veçanërisht nga Rita Marko, i cili kishte transmetuar porosinë e Enver Hoxhës, Araniti formuloi vendimin për Daliun, Lirinë, dhe Petron, duke i marrë të mirëqëna të gjitha akuzat që iu bëheshin dhe në përfundim, atyre iu komunikua vendimi i dënimit me vdekje. Kurse Astritin e dënuam vetëm për agjitacion dhe propagandë. Pasi, si unë ashtu dhe Araniti e njohnim mirë atë dhe nuk u bindëm për akuzat që i bëheshin.

Si ishin trajtuar gjatë hetuesisë Daliu me Lirinë?

Nga të dhënat e sigurta që kisha atëherë, them se ndaj tyre është bërë një proçes hetimor barbar. Si Daliun ashtu dhe Lirinë, i kanë torturuar në mënyrën më çnjerëzore. Lirinë e linin pa ushqim dhe kur ia sillnin ajo detyrohej që ta hante aty ku kishte kryer nevojat personale. Sipas proçedurave hetimore, Daliun dhe Lirinë duhet t’i ballafaqonin disa herë ndërmjet tyre në hetuesi, por ajo gjë nuk u bë asnjëherë. Daliu nuk pranoi asnjë nga akuzat që i bënin dhe për ta thyer atë e nxirrnin në ajrosje, dhe e kalonin përpara qelisë së Lirisë që ai ta shikonte atë sesi ishte katandisur. Para dhënies së dënimit, unë e pyeta shefin e hetuesisë Nevzat Haznedari, se si ishte ajo puna e letrës që Liria i tha Daliut në gjyq? Ai më tregoi në kofidencë se gjatë hetuesisë që i kishin bërë Daliut, për çdo deponim i merrnin firmën në fund të letrës. Duke shfrytëzuar këtë gjë, ata kishin futur në mes të letrave të shkruara, një letër të bardhë, të cilin Daliu e firmosi duke e ditur që ishte me deponimet e tij. Siç më theksoi ai më pas, ata kishin gjetur një njeri që ia njihte mirë shkrimin Daliut dhe përgatitën letrën që gjoja ai ia dërgonte Lirisë, ku i thoshte që të pranonte çdo gjë pasi nuk kishin rrugë tjetër.

Pas gjyqit ai iu thirrën shefat tuaj që kishit më lart?

Në përfundim të atij proçesi gjyqësor, mua më thirrën në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe Ll.S. më tha se meqë atë ditë koiçidonte hapja e fushatës elektorale, për zgjedhjet në Kuvendin Popullor, unë duhet të shkoja në lagjen “8 Nëntori” tek Shtëpia e Partisë. Pasi të hapja mbledhjen e fushatës, duhet t’u komunikoja të pranishmëve në sallë vendimin e dënimit me vdekje për Daliun, Lirinë, dhe Petron, si dhe ekzekutimin e tyre që ishte bërë po ato ditë. Sipas porosisë së tij atë lajm duhet ta jepja unë meqenëse isha sekretar i organizatës bazë të Partisë për Gjykatën e Lartë.

E zbatuat ju atë porosi?

Patjetër, pasi unë dhashë lajmin në fjalë, salla heshti me përjashtim të dy-tre vetëve që duartrokitën. Kur unë shkova në Komitetin Qendror për të raportuar për këtë mbledhje, i thashë atij për heshtjen e sallës kur raportova lajmin. Ai u nxeh me mua dhe më tha se nuk e kisha ngritur problemin siç duhet. Unë i shpjegova se atë gjë e kisha bërë pikë për pikë. Po në të njëjtën ditë ajo që mu ngarkua mua i ishte ngarkuar dhe Aranit Çelës që kishte qënë i deleguar në një lagje tjetër. Ndërsa lidhur me ankesën e Bilbil Klosit që pse nuk e kishim lejuar që të merrte pjesë në atë gjyq, ankimin të cilin e mbështeta dhe unë, shkuam tek Rita Marko dhe ai më tha: “Bilbili si Ministër Drejtësie, duhet të marri pjesë në çdo gjyq, por ka dhe raste të veçanta që atij i mohohet kjo gjë”.

A është e vërtetë që Liri Gega ka qënë shtatzënë kur është pushkatuar?

Nuk di të them gjë për këtë problem, pasi kjo gjë nuk doli në gjyq atëherë. Por më pas këtë problem e ngritën jugosllavët dhe sipas mendimit tim nuk qëndron./Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Kur Byroja Politike alarmohej për Teatrin/ Raporti: Ja çfarë ndodh me regjisorët e aktorët si, Mani, Frashëri, Luca, Mima, Pitarka

Publikuar

-

Nga

Publikohen disa dokumente të panjohura të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së që i përkasin muajt mars të vitit 1974, ku bëhet fjalë për një raport-informacion që i dërgohet Komitetit Qëndror të PPSH-së nga një ekip i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës që ka marrë në analizë punën e bërë në disa prej institucioneve kryesore artistike dhe kulturore të vëndit, si: Teatri Popullor, Cirku i Tiranës, Teatri i Estradës, Teatri i Kukullave, etj.

Të gjitha çështjet kryesore që janë diskutuar dhe analizuar në mbledhjen e Teatrit Popullor të marsit të vitit 1974, ku ka marrë pjesë si i deleguar kandidati i Byrosë Politike dhe sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Xhaferr Spahiu, të cilat janë pasqyruar me detaje në atë raport-informacion, duke filluar nga: numri i shfaqjeve dhe spektatorëve që i kanë ndjekur ato, të ardhurat monetare që janë arkëtuar, seleksionimi i pjesëve teatrale, angazhimi i dramaturgëve, regjizorëve dhe aktorëve të atij teatri, si: Naim Frashëri, Pirro Mani, Sulejman Pitarka, Ndrek Luca, Prokop Mima, Gjon Karma, Anastas Kristofori, Shkëlqim Basha, Vladimir Prifti, Roland Trebicka, Bashkim Kozeli, etj., e deri tek honorarat që ata kanë përfituar duke u angazhuar në Radio-Televizionin Shqiptar.

(Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist” të gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti dhe botohet me lejen e autorit.)

Ashtu siç kemi vënë re në mjaft dokumente arkivore të pasqyruar në kapituj të këtij libri dhe jo vetëm, duket se udhëheqja e lartë e PPSh-së dhe të gjitha strukturat e tjera në varësi të saj, nga të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës dhe gjithë vendit, i kanë kushtuar një vëmendje dhe prioritet të veçantë Teatrit Popullor. Ashtu si “La Scala” e Milanos, Opera Shtetërore e Vjenës, apo “Balshoj Teatër” i Moskës etj, duket se “Meka” e kulturës në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të para viteve ’90-të, është konsideruar dhe ka qenë realisht Teatri Popullor në Tiranë. Brezi i atyre shqiptarëve që e kanë jetuar në moshë madhore periudhën e viteve 1960-’70, e mbajnë mënd shumë mirë se teatri asokohe ishte bërë pjesë e pandarë e jetës së tyre, aq sa me të drejtë mund të thuhet se “teatromania” ishte bërë “kryefjala” e propagandës së regjimit komunist në fuqi.

Aq në modë ishte teatri në atë kohë, saqë aktorëve i’u duhej të dilnin në skenë pothuaj të gjitha ditët e javës, gjatë gjithë vitit, duke pasur vetëm një ditë pushimi në javë. Ose më saktë po t’ju referohemi shifrave të dokumenteve arkivor, vetëm në vitin 1972, aktorët e Teatrit Popullor kanë dalë në skenë për të dhënë shfaqje, plot 284 ditë të atij viti. Kjo për sa i përket anës sasiore të shfaqjeve, ndërsa lidhur me përmbajtjen, cilësinë dhe gjithë problematikën që përmbante Teatri Popullor (por dhe ato të rretheve), në analizat e punës së tij merrte pjesë vazhdimisht një nga anëtarët e Byrosë Politike të PPSH-së, si p.sh., në një nga mbledhjet e zhvilluara në 27 dhjetor të vitit 1973, aty ka marrë pjesë Xhaferr Spahiu, një nga figurat tepër të njohura të udhëheqjes komuniste të asaj kohe, ish-sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe zv/kryeministër. Kjo gjë veç të tjerash si duket ka ardhur edhe për vetë impaktin e madh që kanë pasur në jetën e vendit aktorët e Teatrit, aq sa në atë kohë ata njiheshin dhe gëzonin një popullaritet më të madh edhe se vetë anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Kjo gjë, pra vëmendja dhe prioriteti i madh që i kushtonte asokohe teatrit regjimi komunist në fuqi me anë të mjeteve të saj të propagandës, veç të tjerash duket edhe nga numri i madh i dokumentesh arkivore që gjenden në Fondin 14 të Arkivit Qendror të Shtetit (Aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së), ku janë me qindra raporte, informacione, relacione, letra, analiza, mbledhje, etj. etj., ku bëhet fjalë vetëm për teatrin. Edhe dokumenti në fjalë që po publikojmë me shkurtime në këtë kapitull të këtij libri, është një raport-informacion prej 25 faqesh, me konkluzionet e një ekipi të Ministrisë së Arsim Kulturës, për disa nga institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës, (ku pjesa më e madhe i kushtohet Teatrit Popullor), i cili i dërgohet Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Raport-informacioni i Ministrisë së Kulturës, drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH-së për gjëndjen e Teatrit Popullor, Estradës, Cirkut dhe Teatrit të Kukullave

KONKLUZIONE TE EKIPIT TE MINISTRISE SE ARSIMIT DHE KULTURES MBI GJENDJEN E INSTITUCIONEVE ARTISTIKE TE TIRANES PER VITIN 1973 DHE DISA PROBLEME TE DREJTIMIT TE TYRE NGA ANA E KOMITETIT EKZEKUTIV TE KP TE TIRANES
Një ekip i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës kontrolloi veprimtarinë e vitit 1973 në Teatrin Popullor, në Teatrin e Estradës, në Cirk dhe në Teatrin e Kukllave. Paralelisht u pa edhe udhëheqja e tyre nga ana e seksionit të kulturës të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tiranës. Ekipi u njoh konkretisht me aktivitetet e këtyre institucioneve në drejtim të përmbajtjes dhe nivelit ideo-artistik të veprimtarisë së zhvilluar, të punës që është bërë për edukimin ideologjik e profesional të punonjësve, si dhe problemet e drejtimit të tyre.

Për këtë qëllim, ekipi mori takime me shokë të seksionit të kulturës të Komitetit Ekzekutiv, me drejtuesit dhe udhëheqjen artistike, këshillat artistike, kolektivat artistike dhe punonjësit e tjerë të këtyre institucioneve, asistoi në shfaqje dhe prova që u zhvilluan gjatë kësaj periudhe, studjoi dokumentacionin dhe repertorin ekzistues, organizoi konsulta dhe takime me specialist dhe forcat krijuese, ballafaqoi mendimet në reparte dhe në udhëheqjen artistike e shtetërore. Në përfundim dhe konkluzionet përkatëse për çdo institucion.

Nga e gjithë puna e zhvilluar, ekipi arriti në këto përfundime:
Trupat artistike profesioniste të Tiranës, (Teatri Popullor, Teatri i Estradës, Cirku dhe Teatri i Kukllave), të frymëzuara nga fjalimet e fundit të shokut Enver, vendimet e Pleniumit të 4-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, “Mbi luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre”, të cilat u zbërthyen në aktivet e partisë të rrethit e të rajoneve dhe të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, gjatë vitit 1973 kanë arritur një sërë rezultatesh në punë për zhvillimin e mëtejshëm të artit tonë socialist dhe në vënien e tij në shërbim të edukimit ideo-estetik të masave.’

“TEATRI POPULLOR KA VENE PIRRO MANIN TE BASHKEPUNOJE ME DRAMATURGUN BASHKIM KOZELI”
Duke bërë spastrimin e tij nga pjesët e papërshtatëshme që ishin ndikuar nga influencat e huaja, për të siguruar një repertor sa më militant dhe me frymë të shëndoshë socialiste dhe kombëtare.

Si rrjedhim, Teatri Popullor, hoqi nga repertori shtatë vepra të tilla dhe nëpërmjet rivënieve, rifresikimeve dhe dublimit të roleve në disa nga pjesët tona nacionale, brenda një kohe të shkurtër siguroi një repertor prej 10 veprash.
Ka përpjekje dhe janë shënuar rezultate në ngritjen e nivelit artistik të shfaqjeve. Teatri Popullor realizoi me një nivel shumë të lartë ideo-artistik rivëniet për dramën “Sinjali i kuq” dhe komeditë “Prefekti”. Përpjekjet për repertorin po vazhdojnë. Kështu, p.sh. pavarësisht se Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit nuk ka aprovuar akoma planin tematik dhe repertorin, Teatri Popullor po rivëjë paralelisht dramën “Familja e peshkatarit”, dhe “Toka jonë”.
Një punë e mirë po bëhet me autorët. Kështu p.sh. Teatri Popullor ka vënë shokun Pirro Mani të bashkëpunojë me dramaturgun Bashkim Kozeli për dramën “Rrufjanët”. Po kështu është ndihmuar me vërejtje bindëse dhe duke i vënë si konsulent gjatë procesit të ndreqjeve shokun Naim Frashëri, autorit Hamza Minarolli për dramën “Gjuhët e pushkës”, etj.

“TEATRI POPULLOR NE RAPORT PARA XHAFERR SPAHIUT”
Teatri Popullor dha 284 shfaqje nga 238 që realizoi në vitin 1972 dhe rriti numrin e spektatorëve në 144.000, nga 100.000 që kishte vitin e kaluar.
Hartimi, shqyrtimi dhe aprovimi i repertorit është zvarritur. Teatri Popullor ndonëse e ka paraqitur planin tematik qysh me 27 dhjetor 1973, akoma nuk ka marrë përgjigjje. Institucionet e Tiranës po ecin akoma pa një plan tematik të aprovuar e të njoftuar zyrtarisht. Kjo nuk përputhet me orientimet e Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe të Qeverisë për forcimin e kontrollit paraprak në fushën e botimeve dhe të ekzekutimeve. Përveç Ministrisë kjo detyrë iu vu në dukje shokëve të kryesisë së Komitetit Ekzekutiv nga shoku Xhaferr Spahiu me 30 nëndor 1973 kur ishte në raport Teatri Popullor.
Kur u analizua në Komitetin Ekzekutiv më datë 22.XII.1973 veprimtaria e Teatrit Popullor dhe Estradës së Tiranës, Kryetari dha porosi që menjëherë të mblidheshin dramaturgët nga Komiteti Ekzekutiv dhe kjo detyrë u zvarrit shumë, aq sa edhe kur u tentua të mblidheshin, takimi me ta nuk u realizua. Në repertorin aktiv të Teatrit Popullor mungon tema e klasës punëtore, ajo e transformimeve socialiste në Bujqësi, dhe Luftës Nacional-Çlirimtare. Për shtatë vjet me rradhë, ky teatër nuk ka dhënë asnjë shfaqje për fëmijë, që në bazë të urdhërit të Ministrit, duhet të vërë një në vit.

LEXO EDHE:  Foto-Denoncimi/ Fermerët e Korçës groposin prodhimet

“U PEZULLUAN DRAMAT E PETRO MARKOS E NDREK LUCES PER GABIME IDEORE”

Megjith kujdesin e madh që është treguar për pastërtinë ideologjike të veprave e materialeve të tjera artistike që vihen në skënë gjatë vitit 1973 në Teatrin Popullor, këshilli artistik aprovoi dhe filloi nga puna me dramën “Niku i Martin Gjinit”, një vepër me të meta të rëndësishme ideore e cila më pas u anallua nga organizata bazë, drejtoria, Komiteti Ekzekutiv dhe Komiteti i Partisë. Seksioni i kulturës këtë vepër duhet ta kishte lexuar me kohë dhe të mos lejonte fillimin e punës pa aprovimin e tij. E njëjta gjë ndodhi edhe me rivënien e dramës “Votra e huaj” të Ndrek Lucës.
Në Teatrin Popullor u punua dobët për rifresikimin e dramës “Fytyra e dytë” dhe pati rënie në krahasim me realizim in e mëparshëm. Nga katër premiera që ishin në plan, janë realizuar dy rivënie, ndërsa tri janë anulluar për gabime ideore. Janë dhënë 284 shfaqje me 144.000 spektatorë dhe me 206.037 lekë të ardhura. Kanë mbetur pa u realizuar 106.964 lekë të ardhura. Dobët ka punuar për realizimin e planit në turne e fshatra, Teatri Popullor, i cili ka shkuar vetëm në Shkodër, Durrës dhe Fier, duke mos vajtur në rrethe të vogla e qëndra punëtore si Dibra, Mati, Gjirokastra, metalurgjia etj. Në fshat kjo trupë ka dhënë vetëm 17 shfaqje.

“AKTORI PROKOP MIMA, KA MARRE PJESE VETEM NE 55 SHFAQJE DHE MERR 2.428 LEKE NE RADIO-TELVIZION”

Ne Teatrin Popullor (dhe sallën Rinia) punojnë 106 veta, nga të cilët vetëm 53 janë fuqi artistike. Teatri Popullor ka disporopocion midis aktorëve meshkuj dhe femra. Në këtë trupë ka 19 aktore femra, që për shkak se dramat kanë personazhe femrash të kufizuara, ato aktivizohen shumë pak. Në trupat profesioniste të Tiranës ka fryrje të theksuar të fuqisë punëtore e cila mund të shkurtohet. Në prapavijat e këtyre institucioneve punohet pa norma dhe sorrollatje e ditë të tëra pa punë për munngesë organizimi. Më të theksuara këto ndodhin në sektorin e rrobaqepsisë, marangozëve, skenografëve e piktorëve, mekanikëve, rrobalarësve magazinierëve, etj. Shkurtimi mund të bëhet duke koperauar sektorët prodhues të Teatrit Popullor, Estradës, Cirkut dhe Teatrit të Kukllave.

Ekipi i Ministrisë e konstatoi disa shkelje të së drejtës për të marrë amatorë në shfaqje e recital. Shpesh herë janë tërhequr në recital persona të jashtëm e të brendshëm si: këpucarë, magazinierë, pastruesja, etj, ndërsa lihen pa u angazhuar vetë aktorët që nuk kanë role. Kjo praktikë nuk i sjell asnjë dobi nivelit të shfaqjeve në Teatrin Popullor, ndërsa i jepet rrugë shpërblimit me recital të punonjësve të brendshëm të prapavijës, disa artistë profesionistë shkojnë e marrin recital në Radio e Televizion. Aktori Prokop Mima, i cili gjatë vitit 1973 ka marrë pjesë vetëm në 55 shfaqje, ka marrë 2.428 lekë recitale në Radio-Televizion. Po kështu ndodh me aktorët Vladimir Prifti, Shkëlqim Basha, Roland Trebicka, Gjon Karma, Sulejman Pitarka, Anastas Kristofori etj.

“NE TEATRIN POPULLOR KA 14 ARTISTE ME ARSIM FILLOR DHE 8-VJEÇAR”
Një problem që duhet zgjidhur është ai i vendosjes së normave për artistët dhe punonjësit e prapavijës së trupave, për të cilat Ministria ka dërguar orientimet për cdo institucion. Në Estradë dhe në Teatrin e Kukllave ky problem është marrë më seriozisht dhe po ecet në bazë të normave. Teatri Popullor këtë çështje e ka zvarritur së tepërmi. Aty u ndeshëm me koncepte intelektualiste kundër vendosjes së normave dhe u vu në lëvizje vetëm pas vajtjes së ekipit. Në Teatrin Popullor ka 14 artistë me arsim fillor dhe 8-vjeçar dhe asnjë prej tyre nuk ndjek shkollën. Nga ana jonë në bashkëpunim me drejtoritë janë përcaktuar konkretisht detyrat për arsimimin e artistëve që duhet të fillojnë në shtator të këtij viti. Këtë problem ta ndjeke dhe kontrollojë edhe sektori i Kulturës.

Ka shumë anomali në mbajtjen e dokumentacionit në të gjitha institucionet. Nga kontrolli i bërë rezulton se dokumentet kanë të meta të rëndësishme. Për vite të tëra nuk janë pasqyruar ndryshimet që kanë pësuar punonjësit. Për asnjë rast nuk janë bërë karakteristika pune. Disa kuadrove të transferuar qoftë edhe me masa ndëshkimore nuk u janë dërguar dokumentet dhe karakteristikat e përkatëse atje ku punojnë tani. P.sh. në Teatrin e Estradës, Bujar Kapexhiut nuk i është bërë asnjë karakteristikë me rastin e heqjes së tij nga ky institucion. Po në Estradë ka mbi pesë kuadro të trasnferuar që dosjet e tyre qëndrojnë akoma aty, ndërsa për dy të tjerë, të emëruar po prej disa muajsh, nuk janë marrë akoma dokumentete përkatëse. Si në Estradë, Cirk dhe në Teatrin Popullor, në flet-anketat personale të kuadrove nuk janë pasqyruar ndryshimet. Tipik ishte rasti i artistes Melpomeni Çobani, që qysh nga viti 1948 nuk i ishte pasqyruar asnjë ndryshim që e ka pasur ajo në jetën e saj.

“DRAMATIZIMI I ROMANIT “LUMI I VDEKUR”, 15 DITE PER T’U SHUMFISHUAR”

Komiteti Ekzekutiv ka marrë në analizë dy herë gjendjen e Estradës dhe njëherë Teatrin Popullor, duke ndikuar kështu për një përmirësim të mëtejshëm të gjendjes. Por, këto analiza do të ishin më të efektëshme nëse seksioni i kulturës do ta kishte evidencuar më të plotë e të qartë gjëndjen e këtyre institucioneve në raportet e paraqitur. Kështu Komitetit Ekzekutiv do t’i krijoheshin kushte për të marrë masa konkrete dhe studjuar për të mënjanuar të metat që u konstatuan. Fakti që disa nga problemet kardinale si ai i repertorit, i tematikës së tij, përbërjes së trupave, interpretimit, disa anomalive e shkeljeve etj, nuk kanë gjetur zgjidhje, dëshmon për një analizë të pathelluar.

Teatrit Popullor, sikundër dhe të gjithë trupave të tjera, akoma dhe sot nuk i është dhënë ende përgjigjie për aprovimin e planit tematik të vitit 1974, dramatizimi i romanit “Lumi i vdekur” mbahet më tepër se 15 ditë vetëm për t’u shumfishuar. E metë më me rëndësi në punën e seksionit është se ai kërkon që të shqyrtojë e zgjidhë problemet e shumta e të ndërlikuara vetëm me forcat artistike të seksionit. Ai nuk ka tërhequr në këtë punë specialistët e aftë që ka në Tiranë. Komiteti i Kulturës dhe Arteve ka funksionuar dobët, për të mos thënë se nuk ka funksionauar fare dhe nuk është vënë si duhet në rolin e vet, gjatë vitit 1973 është mbledhur vetëm dy herë, për planin dhe në tjetrën ka shqyrtuar disa problem të institucioneve.

Teatri Popullor dhe Estrada e Tiranës do të jenë në raport në Qeveri në muajin shtator të këtij viti. Eshte detyrë e vetë këtyre dy institucioneve që në këtë analizë të venë me një bilanc sa më të pasur rezultatesh. Seksioni i Kulturës dhe Komiteti Ekzekutiv të ndjekin nga afër zbatimin në kohë të gjithë detyrave që la ekipi ynë në çdo institucion dhe në të njëjtën kohë të zgjidhin ato problem që varen prej tyre.

Më pak se tre muaj kanë mbetur nga dita kur do të festohet 30 vjetori i Teatrit Popullor. Kjo është një ngjarje e shënuar e që duhet përkujtuar me dinjitet. Prandaj propozojmë që kryesia e Komitetit Ekzekutiv ta shqyrtojë në një mbledhje të shpejtë të saj punën e bërë deri tani, masat që duhen marrë për kohën e pakët që ka mbetur dhe të aprovopjë përfundimisht programin e aktiviteteve.
Tiranë, më Mars 1974
Ekipi i Ministrisë Arsim Kulturës /Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmia e korrierit/ Enveri pushkatoi dhe burgosi të gjithë shokët e Qemalit, shoqëruesin e tij dhe familjen tonë

Publikuar

-

Nga

Publikohet historia e panjohur e Qemal Stafës, i cili në vitin 1935, pas vdekjes së të atit, kolonel Hasan Stafës (ushtarak i Monarkisë së Zogut me detyrën e shefit të Zyrës së Rekrutimit të Qarkut të Shkodrës), së bashku me nënën, motrat dhe vëllezërit, u shpërngulën dhe erdhën familjarisht në Tiranë. Memorie.al shkruan se ata ishin nën kujdesin e Ramazan Xhepës, një nga miqtë e ngushtë të familjes Stafa, që kishte shërbyer si ordinancë e babait të tij, Hasanit, i cilit i’a la amanet dhe familjen.

Dëshmitë e rralla të Beqir Xhepës duke filluar nga periudha kur ai e njoh për herë të parë Qemalin në vitin 1938, kur bashkë me të jatin, Ramazanin ndiqnin gjyqin e tij në një nga sallat e Bashkisë së Tiranës, pasi më parë ishte interesuar edhe për t’i gjetur avokat, si e ngarkoi atë Qemali me detyrën e korrierit personal të tij dhe porositë që i jepte, komunistët e tjerë që streoheshin tek shtëpia e tyre., si: Enveri, Vasil Shanto, Mustafa Gjinishi, Nako Spiro, Hasan Reçi, Kajo Karafili etj., raportet e Qemalit me Enverin, Nexhmijen, Bab Myslymin etj., misteri i vrasjes së Qemalit më 5 maj ’42 ku shqëruesi i tij, Vançi Bajrakatari, me pseudonimin “Hekuri”, u dërgua me “shërbim” më datën 4 maj, dhe përse Xan Xhepa të nesërmen shkoi te dyqani “Flora” dhe i tha Enverit: “Gjakun e Qemalit ta kërkoi ty”?!, e deri tek persekutimi i familjes Xhepa gjatë periudhës së regjimit komunist me burgje dhe internime, ku vetë Beqiri, edhe pse kishte qenë i internuar në Kampin nazist të Mat’hauzen-it, u dënua katër herë me burg, dhe përse ai nuk pranonte të dorzonte reliket, veshjet, dokumentet dhe revolverin e Qemalit?!

“Miqësia jonë me familjen e Qemal Stafës, u shtua akoma dhe më tepër pas vitit 1935, kur pak kohë para vdekjes, babai i tij, kolonel Hasan Stafa, e la me amanet që baba jonë Xan Xhepa, të kujdesej për fëmijët e tij. Nisur nga kjo miqësi e madhe që ne kishim me atë familje, në 6 prillin e vitit 1939 kur pritej të zbarkonte Italia fashiste dhe u shpërthyen burgjet, Qemal Stafa i palgosur erdhi dhe u strehua në shtëpinë tonë Aty vinte vazhdimisht për ta mjekuar, daja i tij, Dr. Qemal Sejdini. Nga shtëpia jonë, Qemal Stafa u largua vetëm dhjetë ditë para se të vritej, pasi Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i cili ishte shok i babës sonë, Xanit, i dërgoi fjalë atij me anë të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit e dy oficerëve të tij, Xhelal Pezës e Gëzim Latifit, duke i thënë që ta largonte Qemalin nga shtëpia e ta niste për në Pezë, pasi shokët e tij e kishin spiunuar atë në Kuesturë dhe ai kërkohej me qiri. Pas kësaj baba mezi ia mushi menjen Qemalit, që të largohej nga shtëpia jonë dhe ai iku e u vendos në një bazë tjetër, tek shtëpia që kishte marrë me qera Beqir Minxhozi, ku dhe u rrethua e u vra më datën 5 maj 1942. Sapo mësoi për vrasjen e Qemalit, baba ynë Xani, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: ‘Gjakun e Qemalit e kërkoj vetëm tek ty”.

Kështu e kujtonte një nga historitë më të përfolura që nga periudha e Luftës e deri në shëmbjen e regjimit komunist, por edhe më pas, Beqir Ramazan Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës, i cili na rrëfente të gjithë misteret e asaj ngjarje të bujshme të ndodhur në 5 majin e largët të vitit 1942, ngjarje që tronditi jo vetëm komunistët shqiptarë, por dhe mbarë qytetin e Tiranës. Po kush është Beqir Xhepa, cila është e kaluara e tij, çfarë lidhjesh kishte ai me Qemal Stafën dhe çfarë detyrash iu ngarkuan në atë kohë kur ai shërbente si korrier i tij personal? Përse Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i kishte thënë Ramazan Xhepës, për Enver Hoxhën: “Ky është i yni”?

Kush i’a shtyu Qemal Stafës udhëtimin e tij për në Vlorë me datat 4 e 5 maj të vitit 1942, dhe në çfarë rrethanash u rrethua dhe u vra Qemali në shtëpinë që beqir Minxhozi kishte marrë me qera? Përse shoqëruesi personal i Qemalit, Vançi Bajraktari, apo siç njihej ndryshe me pseudonimin “Hekuri”, më datën 4 maj u nis me “shërbim” për në qytetin e Shkodrës, cili ishte debati i ashpër që ai bëri me Enver Hoxhën në dyqanin “Flora” të nesërmen e vrasjes së Qemalit dhe përse që nga ajo ditë ai u tërhoq nga Lufta e nga Partia? Kush ishte Jani Kristo, personi që spiunonte Qemalin në Kuesturë dhe si e vrau atë me atentat, Kajo Karafili, pasi ia nxorri në vëndin e caktuar, Shefi i Policisë së Tiranës, Man Kukaleshi? Përse në mbrëmjen e asaj dite që u vra Qemali, Ramazan Xhepa, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: “Gjakun e Qemalit e kërkoj tek ty”? Si u shfajësua Enveri pas akuzave të Xan Xhepës e Vançi Bajraktarit dhe cilin nga komunistët akuzoi ai si spiunin e Qemal Stafës dhe si urdhëroi ekzekutimin e tij pas daljes nga burgu i Tiranës? Cilat ishin marrëdhëniet e familjes së Qemal Stafës me Enver Hoxhën pas Luftës dhe përse nëna e motrat e tija refuzuan ta prisnin Enver Hoxhën në shtëpinë e tyre me rastin e 5 majit? Si i eleminoi Enver Hoxha, duke i ekzekutuar të katër personat që e akuzuan atë për vrasjen e Qemalit dhe si i burgosi, internoi apo ekzekutoi edhe të gjithë ata persona që u rrethuan në shtëpinë ku u vra Qemali ditën e 5 majit 1942?

Përse e masakroi Enver Hoxha të gjithë familjen e Xhepa-ve, duke i burgosur, torturuar dhe ekzekutuar e përse vetë Beqir Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës i cili kishte vuajtur në kampin nazist të Mat’hauzen-it, u burgos katër herë duke vuajtur vite të tëra në burgjet dhe spitalet psiqiatrike të regjimit komunist, prej nga doli vetëm në vitin 1988? Përse ngjarja e vrasjes së Qemal Stafës bashkë me atë të Këshilltarëve të Hekalit, ishin dy ngjarjet e vetme të periudhës së Luftës që regjimi komunist i vazhdoi hetimet deri në mesin e viteve ’70-të dhe kush ishin personat që u dënuan për to? Për të gjitha këto mistere dhe plot fakte të tjera rreth një prej historive më të përfolura që nga periudha e Luftës, na njeh dëshmia ekskluzive e Beqir Xhepës, i cili gjithashtu na vuri në dispozicion edhe shumë, letra, foto, dokumenta dhe sende personale të heroit të famshëm, Qemal Stafa (që po i publikojmë në këtë shkrim), ku ditëvdekja e të cilit u përdor nga regjimi komunist si dita simbol për përkujtimin e të gjithë dëshmorëve të Shqipërisë.

                                      Vijon nga numri i kaluar

Zoti Beqir, kush ishte Zef Ndoja dhe pse u akuzua ai nga Enver Hoxha si personi që kishte spiunuar Qemalin. Si qëndron e vërteta rreth kësaj?

Zef Ndoja ishte një i ri komunist i Grupit të Shkodrës dhe në atë kohë që u vra Qemali, ai kishte rreth katër muaj që ishte arrestuar dhe mbahej në qelitë e burgut. Por ajo akuzë që hodhi Enveri për Zef Ndojën, nuk qëndronte aspak dhe kjo gjë ka disa shpjegime. Po më kryesorja është se Zefi duke qenë i arrestuar, ai nuk kishte asnjë lloj dijenie se ku fshihej Qemal Stafa dhe atë gjë s’kish nga ta dinte.

Ç’u bë më pas me Zef Ndojën dhe si rrodhi fati i tij?

Zef Ndoja qëndroi në burg deri aty nga pranvera e vitit 1943 dhe ai arriti që të arratisej nga burgu i Tiranës, së bashku me Koci Xoxen e shumë komunistë të tjerë në aksionin e famshëm që dihet nga të gjithë, për të cilin është bërë dhe filmi “Njësiti Gueril”. Pas kësaj, me urdhër nga Partia, ai u caktua që të shkonte si partizan i thjeshtë në Çetën Krujë-Ishëm, por pa të drejtë mbajtje arme. Në atë kohë që e dërguan Zefin në atë çetë, e pata njohur dhe unë personalisht nga afër, pasi unë në atë kohë shërbeja si korrier dhe qëndrova disa kohë pranë asaj çete. Zefi mbante një palë zyze me numër të madh dhe natën nuk shikonte fare, sa detyrohesha unë dhe e mbaja për krahësh për të lëvizur nga një vënd në tjetrin. Ashtu pa armë, në gjysëm arresti, Zef Ndoja qëndroi pranë asaj çete deri aty nga shtatori i vitit 1943, kur erdhi urdhëri nga Partia që ai të ekzekutohej. Pas atij urdhëri një skuadër partizanësh e mori dhe e ekzekutoi diku në një përrua në fshatin Priskë, rrëzë Malit të Dajtit.

Kush e dha urdhërin për ekzekutimin e Zefit dhe me çfarë motivacioni u ekzekutua ai?

Kuptohet se urdhëri për ekzekutimin e Zef Ndojës, mund të jepej vetëm nga Enver Hoxha, sepse në atë kohë, askush tjetër nuk kishte të drejtë të jepte urdhër për ekzekutimin e partizanit më të thjeshtë dhe jo më një komunisti të njohur siç ishte Zef Ndoja. Ekzekutimi i tij u bë me motivacionin se “kishte spiunuar Qemal Stafën”. Kjo ishte akuza që e çoi atë në plumb.

Po njeri tjetër a u bë përgjegjës për vrasjen e Qemalit dhe a pati ekzekutime të tjera?

Sipas të dhënave që kishin marrë prej Qazim Mulletit dhe Man Kukaleshit, pra që Qemal Stafa ishte gjurmuar prej agjentit të Kuesturës, Jani Kristo me origjinë nga Përmeti, Partia Komuniste vendosi ekzekutimin e tij dhe atë gjë ia ngarkoi Kajo Karafilit. Aty nga viti 1944, Jani Kristos i’u bë një atentat nga Kajo Karafili, por ai mundi të shpëtonte për mrekulli pa e kapur plumbat. Komunistët u irrituan shumë për dështimin e atij aksioni dhe u kërkua që me çdo kusht ai të vritej me një atentat tjetër. Në mbrëmjen e asaj dite, ndërsa Jani Kristo ishte duke pirë në një lokal me Man Kukaleshin dhe Qazim Mulletin, (për shyqyr që kishte shpëtuar nga atentati i paradites) aty hyri Kajo Karafili dhe e qëlloi disa herë me revolver, duke e lënë të vdekur në vënd”.

Si është e mundur që në atë tavolinë ku ishin dhe Qazim Mulleti me Man Kukaleshin u vra vetëm Jani Kristo?!

Kajo Karafili nuk mund të qëllonte kurrë mbi Qazim Mulletin dhe Man Kukaleshin, pasi ata jo vetëm që ishin dy miqtë më të ngushtë të Shyqëri Pezës, vajzën e të cilit, Kajo e kishte të fejuar, por Qazimi me Manin, kishin bërë shumë ndere, duke nxjerrë me dhjetra komunistë nga burgjet fashiste. Madje thuhet se edhe agjentin e Kuesturës, Jani Kriston, Qazimi me Manin i’a nxorrën Kajos në shteg për ta vrarë.

Po me komunistin Beqir Minxhozi, në shtëpinë e të cilit u rrethua dhe u vra Qemal Stafa, çfarë u bë me të dhe si rrodhi fati i tij?

Pas mbarimit të Luftës, Beqiri pati punuar si Drejtor i NTLUS-it në Tiranë dhe më duket se aty punoi deri sa doli në pension. Por ai u përjashtua dy herë nga Partia, për atë gjë që i tregoj Kuesturës, shtëpinë ku fshihej Qemali me shokët e tjerë.

Por lidhur me atë që thuhet, se Kuestura i gjeti në xhep kontratën e shtëpisë së marrë me qera, dhe në bazë të adresës që ishte shkruar aty, ajo bëri rrethimin e shtëpisë?

Këtë gjë e kam dëgjuar edhe unë, mundet të jetë edhe ashtu.

Po të fejuarën e Qemalit, Drita Kosturin a e patët njohur ju në atë kohë?

Qemali e pati sjellë Drita Kosturin edhe në shtëpinë tonë ku strehoej ai në atë kohë dhe kur e pyeti baba, se kush ishte ajo vajzë, ai e prezantoi duke i thënë se ishte e fejuara e tij. Baba i tha: “Mirë mor Qemal, po shikoni kokën njëherë dhe pastaj merruni me këto gjëra”. Pas këtyre fjalëve të Xanit, Qemali i tha se ajo ishte një vajzë shumë e mirë dhe ai njihej me të që nga koha kur ishin të dy me studime në Itali.

Po përpara vitit 1964, si kanë qenë mardhëniet e familjes së Qemal Stafës me Enver Hoxhën dhe si u trajtuan nëna, motrat dhe vëllai i Qemalit nga regjimi komunist?

Siç thashë dhe pak më lart, që nga periudha e Luftës, familja e Qemal Stafës e kishte fare të qartë se kush ishte përgjegjësi kryesor për vrasjen e djalit të tyre, mirpo siç rrodhën ngjarjet më pas, ato ishin të detyruar që të heshtnin dhe të mos shpreheshin publikisht për mllefet e tyre që kishin ndaj Enverit. Mirëpo hera-herës, nëna dy motrat e Qemalit si dhe i vëllai, Alajdini, detyroheshin dhe shfrynin dufin e tyre. Kjo gjë duhet të ketë qenë edhe arsyeja kryesore që Enveri nuk i’a dha për një kohë të gjatë atyre, pensionin e “Heroit të Popullit” që i takonte Qemalit. Ajo gjë u rregullua vetëm pas shumë kërkesave të motrave të Qemalit dhe u desh ndërhyrja e Gogo Nushit, pranë Enverit që atyre t’u jepej pensioni i vëllait. Po kështu desha të them se familjes së Qemal Stafës, jo vetëm që i’u mohua pensioni, por atyre nuk iu bë asnjë lloj privilegji, si shumë familjeve të tjera të dëshmorëve, që përfituan vila, bursa për jashtë shtetit, punë të mira dhe lehtësira të tjera.

Ku banoi familja e Qemal Stafës pas mbarimit të Luftës?

Familja e Qemal Stafës banoi për një kohë të gjatë aty tek, Llagamët, ku i pati rregulluar baba im, Xani, që në vitin 1935 dhe më pas, vetëm dy motrat e tij dolën në shtëpi më vete. Po kështu edhe Alajdini, ndonëse ishte me universitet, nuk gëzoi asnjë privilegj të veçantë, por u la të punonte në një punë të zakonshme dhe vetëm aty nga viti 1952, atë mezi e pranuan në Parti. Alajdini ka qenë në një gjendje ekonomike shumë të keqe dhe për të rritur tre fëmijët e tij, ai kishte blerë një lopë të cilën e kulloste pasi kthehej nga puna. Më pas ai bleu dhe një lopë tjetër dhe ngrihej që në 5 të mëngjezit dhe dilte fushave të Laprakës me thes në krah për të mbledhur bar për lopët, e pasi e mbushte thesin, vinte dhe e linte në shtëpinë tonë dhe ikte në punë. Kur kthehej nga puna, vinte e merrte thesin e barit dhe e çonte në shtëpi në mënyrë që të mos e shikonte njeri.

LEXO EDHE:  FOTO/ Tasmania duhet të jetë destinacioni juaj i ardhshëm

LEXO EDHE:  Foto ekskluzive/ Eksploziv në një biznes në Tiranë

Si e lejonin Alajdinin që të mbante lopë në mes të Tiranës?

Për problemin e lopës që mbante Alajdini në shtëpi, u bë problem i madh dhe puna shkoi deri tek kryeministri Mehmet Shehu, i cili në një rast i shkoi Alajdinit në shtëpi dhe i tha që nuk po vepronte mirë që mbante lopën, pasi Partia po mundohej që t’jua hiqte dhe fshatarëve lopët e t’ua tufëzonte ato. Por Alajdini, i’u përgjigj Mehmetit, duke i thënë se: ai nuk e hiqte lopën, pasi nuk mund ta mbante dot familjen me 7 mijë lekë që merrte në muaj. Kur iku Mehmet Shehu, disa nga partiakët që mbetën aty, i thanë që nuk bëre mirë që iu përgjigje ashtu shokut Mehmet dhe Alajdini ua ktheu atyre duke u thënë: “Jo Mehmet Shehu të japi urdhër që unë të heq lopën, por edhe babai i Mehmetit, unë nuk e heq lopën nga shtëpia, pasi nuk i lë fëmijët të më vdesin nga uria”.

Po me ju dhe familjen tuaj si u soll Enver Hoxha pas Luftës?

Familja jonë u godit rëndë nga Enver Hoxha. Kështu, pasi i kishin arrestuar që më 2 majin e vitit 1945, Xanin, me xhajën, Ademin, i mbajtën për 40 muaj në hetuesi tek “Shtëpia me gjethe” duke i torturuar barbarisht. Pas arrestimit të tyre, Sigurimi na bënte presione të ndryshme dhe na kontrollonte shtëpinë herë pas here. Unë në atë kohë isha në shkollë dhe u detyrova ta ndërpres e ta vazhdoja natën dhe u futa në punë në Shoqërinë Shqiptaro-Jugosllave, me qëllim për të mbajtur familjen me bukë. Xanin me xhajën tonë, Dem Xhepën, i akuzuan sikur ishin të lidhur me Grupin e Deputetëve. Xani doli në gjyq në shtator 1948 dhe u dënua vetëm me ato 40 muaj që kishte bërë hetuesi, ndërsa Demi u dënua me 10 vjet, por u lirua më pas me një gjyq tjetër. Në qershorin e vitit 1952, Xani me Demën u arrestuan përsëri, por këtë rradhë akuza ishte për probleme floriri. Ajo ishte vetëm një sebep për arrestimin e tyre dhe pas asaj akuze, atyre u konfiskuan 400 napolona floriri dhe 2000 franga ari. Në atë kohë ato u mbajtën për tre-katër muaj në tortura dhe Dema, nga që nuk duroi dot, u hodh nga kati i tretë i Degës së Brendshme, për të vrarë veten. Pas kësaj atë e nxorrën nga burgu dhe Dema vdiq pas tre muajsh në një hotel, pasi ia kishin shtetëzuar dhe vilën e dyqanin, me paratë e të cilit ai kishte ndihmuar Enverin dhe Luftën.

Po njeri tjetër nga familja Xhepa, a është dënuar atëhere?

Pas arrestimit të Xanit dhe Demës, në vitin 1951, u arrestua dhe djali i xhajës së tyre, Qazim Xhepa, i akuzuar për incidentin e bombës në ambasadën sovjetike. Arrestimi i tij erdhi pasi ai kishte qenë student i Fultz-it dhe u akuzua sikur kishte marrë pjesë me Regjencën e Lartë në kohën e pushtimit. Po kështu në atë kohë që ishte Xani në burg, u arrestua dhe vëllai im, Petriti. Nga torturat që iu bënë, Petriti kaloi në një depresion të thellë dhe ashtu jetoi deri sa vdiq në vitin 1972, duke qëndruar, sa në shtëpi dhe sa në spitalin psiqiatrik. Por nga familja jonë, persekucionin më të rëndë prej regjimit komunist e pësova unë, dukë u arrestuar dhe dënuar katër herë dhe të gjitha arrestimet e dënimet e mia, u bënë direkt me porosi të Enver Hoxhës.

Po si e shpjegoni, përse ndodhnin të gjitha këto, si ndaj familjes suaj ashtu dhe ndaj jush personalisht?!

I gjithë ai persekucion i egër që u bë ndaj familjes sonë, erdhi si pasojë e hakmarrjes që bëri Enveri ndaj të gjithë atyre që e akuzuan si përgjegjës për vrasjen e Qemalit.

Përveç familjes suaj, kush e vuajti tjetër dhe kush u persekutua për atë ngjarje të 5 majit 1942?

Të gjithë ata që e akuzuan Enverin që kishte gisht në vrasjen e Qemalit, u ekzekutuan apo eliminuan prej tij në periudha kohe të ndryshme. Po kështu dhe të gjithë ata komunista që ishin atë ditë në shtëpinë ku u vra Qemal Stafa, pa përjashtim, përfunduan burgjeve dhe internimeve. Të gjitha këto Enveri i bëri për të fshehur gjurmët e krimit që kishte bërë me vrasjen e shokut të tij, Qemal Stafës, të cilin ai e shihte si pretendentin kryesor që mund t’i zinte vëndin në krye të Partisë.

Më konkretisht, si u hakmorr Enveri ndaj këtyre personave që thoni ju?

I pari që ra viktimë e intrigave dhe kurtheve që ngriti Enveri për të bërë të besueshme alibinë e tij që nuk kishte gisht në vrasjen e Qemalit, ishte komunisti i Grupit të Shkodrës, Zef Ndoja, të cilin siç ju kam thënë më lart, Enveri e ekzekutoi që në vitin 1944 në fshatin Priskë. Pas tij, me urdhër të Enverit, Liri Gega vrau pas shpine, Mustafa Gjinishin, mikun më të ngushtë të Qemalit dhe njëkohësisht të babës sim. Pas vrasjes së Gjinishit, baba im, i’a pat thënë copë Enverit, që atë e kishin vrarë shokët e tij me urdhër, por Enveri i’u përgjigj se nuk ishte e vërtetë ajo gjë. Më pas, serinë e eliminimeve, Enveri e vazhdoi me Hasan Reçin, të cilin e ekzekutuan në vitin 1946, kur ai punonte në Ministrinë e Arsimit, ku merrej me bursat e studentëve. Pak kohë para se të hynte baba në burg, aty nga fillimi i vitit 1945 kur unë akoma nuk isha kthyer në Shqipëri nga kampi i internimit të Mat’hauzen-it, Hasan Reçi kishte ardhur në shtëpinë tonë dhe i kishte folur Xanit për ato që po bënte Enveri.

Ç’farë i tha babai juaj?

Baba i kishte thënë: “Mos fol shumë se s’ta bën të gjatë ai”. Sikur ta dinte baba që edhe Hasan Reçi do shkonte në plumb. Pas këtyre dhe babës sim, Xanit, të cilët e kishin akuzuar direkt Enverin për vrasjen e Qemalit, Enveri e vazhdoi hakmarrjen me Kristo Themelkon, Gjystina Satën, Marije Lezhjen e deri tek ish e fejura e Qemalit, Drita Kosturi, të cilët përfunduan burgjeve dhe internimve. Të gjithë këta Enveri i dënoi që të mbyllnin gojën për ngjarjen e Qemal Stafës, gjë e cila si duket e mundoi atë për gjithë jetën, si një fantazmë e keqe. Kjo gjë shpjegohet edhe me faktin se Enveri në vitin e fundit të jetës së tij, kur po e shihte se po ikte nga kjo dynja, u kujtua që të botonte kujtimet ku bënte fjalë për vrasjen e Qemalit dhe aty ai përsëri nuk thotë të vërtetën.

Përse konkretisht?

Enveri aty thotë se: me Qemalin është takuar në datën 4 maj, një ditë para vrasjes, në një bazë në Rrugën e Shëngjergjit. Në fakt nuk është kështu, se Qemali nuk ka dalë fare nga ajo shtëpi që disa ditë më përpara. Për këtë po të doni shkoni dhe pyeteni Gjystina Satën (ose Flora Dishnica) një nga ato komunistet që jeton akoma dhe ka qenë atë ditë me Qemalin e dy shoqet e saj në atë shtëpi.

Po ndaj jush, si u hakmor Enver Hoxha?

Persekucioni ndaj meje filloi që në vitin 1951, kur unë punoja në Zyrën Konsullore të Ministrisë së Jashtëme. Aty më provokuan për bombën në ambasadën sovjetike dhe unë u thashë se ajo ishte bërë vetëm për të hequr qafe disa njerëz. Pas kësaj unë fillova punë në Ministrinë e Komunikacioneve dhe në vitin 1952, pa bërë fare lutje, Gogo Nushi më futi në Parti. Në vitin 1952, më propozuan të më fusnin në një zyrë sekrete në Ministrinë e Brendshme, por unë nuk pranova, se e dija që ishte kurth për të më dënuar. Pas 7 muajsh, më 22 korrik 1953, më arrestun duke dalë nga stadium “Qemal Stafa”. Kjo erdhi pas provokimit që më bëri koloneli F. S. (Shef i Sigurimit Fizi dhe Ruajtjes së Udhëheqjes), me të cilin u konfliktuam dhe fizikisht. Pasi më torturuan për 24 orë, më liruan se u ankua organizata ime e Partisë ku punoja. Pas kësaj unë u ankova me letra tek Enveri, Mehmeti, Fiqretja dhe Prokurori i Përgjithshëm. Mehmeti më dha të drejtë dhe e transferoi F.S. në Kukës për dy vjet dhe H.XH. që më rrahu bashkë me të, u dërgua në Gjirokastër.

Po Enveri i’u ktheu përgjigjie?

Pas shumë letrash, ai më priti në zyrë ku unë i tregova gjoksin e gjakosur, duke i thënë se atë nuk ma kishin bërë as në Mat’hauzen. Ai më tha: “Lere, lere se edhe ti e ke hapur gojën pak si tepër…”! Pas asaj unë i thashë: “Është e kotë që po ankohem tek Partia, se kjo qënka porosi….” dhe ika pa i dhënë dorën.

Po arrestimet e tjera si ndodhën?

Pasi mbarova Fakultetin në Universitetin e Tiranës për Histori, unë punova në Kinostudion “Shqipëria e Re” nga viti 1962 deri në 13 nëntor 1970, kur dhe u arrestova duke u akuzuar për “agjitacion e propaganda” dhe pas 17 muajsh hetuesi, u dënova me 8 vjet burg.

Si ndodhi kjo?

E gjitha kjo erdhi pas takimi të rastësishëm që pata me Enverin kur ai bëri një vizitë në Kinostudio dhe më më pyeti: “Hë… ç’thotë Xani”? (Ja ku i kam këto dy fotografitë që jam unë duke biseduar me Enverin). Unë i thashë se ai kishte vërejtje nga që i vinin katunarët dhe i kërkonin me ju ble bukë. Pas kësaj, ai më tha që ato t’ja shkruja me një letër. Në letrën që i bëra, unë i’a shkrujata të gjitha, duke i thënë se ishte fatkeqësi e madhe që fshatarët vinin për të kërkuar bukë në qytet. Atë letër që ia nisa me postë, ma quajtën anonime dhe më dënuan si përfundim me 6 vjet burg. Ndërsa kisha dy muajt e fundit të burgut në Ballsh, më 15 korrik 1976, më arrestuan përsëri me të njëjtën akuzë dhe gjykta e Fierit më solli për ekzaminim në Psiqiatrinë e Tiranës.

Po përse ju sollën në atë spital…?!

E gjitha ajo bëhej për të më nxjerrë mua të papërgjegjshëm, kjo ishte skemë e njohur. Por me gjithë insistimin tim për të mos ma dhënë atë diagnozë, Dr. Afrim Dangëllia ma firmosi atë, duke më thënë që më mirë ashtu, se të haja 10 vjet burg. Pas tetë muaj hetuesie më liruan në 25 nëntor 1977.

Pasi dolët nga burgu, ku punuat?

Për disa vjet ma lanë me shit cigare në Rrugën e Kavajës dhe për herë të katërt më arrestaun më 28 nëntor 1986, me akuzën e agjitacion e propagandës dhe pas 6 muaj hetuesie, gjykata vendosi të më çonte përsëri në Psiqiatri, nga ku unë u lirova më 16 tetor 1987.

Me çfarë akuze u arrestuan?

Ky arrestim i imi erdhi pasi Sigurimi Shtetit kishte futur në shtëpinë tonë të vjetër një person për të kontrolluar në se kisha letra anonime dhe për disa relike të Qemal Stafës që m’i kishte kërkuar Muzeu Historik dhe unë nuk i jepja. Gjatë kontrollit nga Sigurimi, mua më gjetën një album dhe bust të Zogut, si dhe disa antikuare të vjetra e ikona. Po kështu, mua më gjetën dhe 40 kg sheqer që m’i kishin sjellë njerzit për vdekjen e babës. Ato m’i quajtën të vjedhura dhe mezi shpëtova nga ajo akuzë.

Po reliket e Qemalit, t’i morën?

Jo ato nuk i gjetën, sepse i kisha futur në tokë. Unë e dija se për ato më arrestonte Sigurimi Shtetit, për t’ë m’i marrë, se ato ishin dokument i gjallë që unë kisha pasur lidhje me Qemal Stafën. Opingat e Qemalit që i pat punuar Ramazan Balluku, dy stilografët dhe revolverin e tij, si dhe hirin vëllait të Gogos, Kozma Nushit, me të cilin kam qenë i internuar në Mat’hauzen, unë i ruaj edhe sot si pasurinë më të madhe të jetës sime. Ja shikojini, këto janë.

Dëshmia e Enverit në kujtimet e tij për vrasjen e Qemalit

“Dita e fundit e pjekjes sime me Qemalin, ishte më katër maj. U poqëm në bazën numër 66 në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Plaku na solli të hanim. Unë po përgatisja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se të nesërmen, që në mëngjez duke gdhirë 5 Maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njeri-tjetrit, në një minder të mbulura me batanije. Në mëngjez u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokët. Sido që ne bartnim çdo herë, si thotë populli, “me qefin në kokë”, me kobure në brez dhe me bomba në xhepa, as nuk mendonim për vdekjen që na priste në çdo qoshe rruge. Si mund të mendoja unë se e putha dhe e shtërngova për herë të fundit në kraharorin tim, shokun nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin tim të dashur, Qemal Stafën?! Në bazën ku isha, erdhi një shok dhe, duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën! Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë? I thashë. Në Tiranë, më tha shoku, në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë, Qemali që në mëngjez u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurtë, mos e besoni se armiku hap parrulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan. Ai harxhoi të gjithë municionin që kishte. Dhe më tregoi tërë historinë e ngjarjes që ka përshkuar historia”.

(Kjo pjesë është shkëputur nga kujtimet e Enver Hoxhës, të botuara në librin “Për shokët e mij pionerë”, Tiranë, 1985)

Memorie.al

LEXO TE PLOTE