Connect with Us

BE mund të mësojë në krizën e Coronas nga Robert Schumani

Blog

BE mund të mësojë në krizën e Coronas nga Robert Schumani

Publikuar

-

70 vjet më parë, ministri i Jashtëm francez krijoi me planin e tij një nga themelet e unitetit të sotëm evropian. Por pandemia e Coronës dhe pasojat e saj e kërcënojnë atë në mënyrë ekstreme, thotë Bernd Riegert.

“Paqja në botë nuk mund të ruhet pa përpjekje krijuese që përputhen me madhësinë e kërcënimit.” Me këtë fjali e nisi 70 vjet më parë ministri i Jashtëm francez Robert Schuman deklaratën e tij, e cila hodhi themelet për zhvillimin e Bashkimit Evropian të sotëm. Lindur nga katastrofa e dy luftërave botërore, Schumani hodhi vizionin e një federate evropiane, të bazuar në solidaritetin dhe barazimin e kushteve të jetesës.

70 vjet më parë, bashkëjetesa paqësore në Evropën Perëndimore ishte sfida që kërkonte përpjekje krijuese. Sot është rendi i ri që duhet të krijojnë Evropa dhe bota pas një pandemie të papritur, mbase shkatërruese. Kërcënimi për mirëqenien, jetën dhe lirinë është shumë i madh. Ku janë gratë apo burrat krijues si Robert Schuman-i, që mund të drejtojnë për daljen nga kriza?

Suksesi i Evropës nuk është i garantuar

Ish-kryeministri italian Paolo Gentiloni, i cili tani është Komisioneri i BE-së për Ekonominë, paralajmëron për rrezikun e dështimit të Eurozonës dhe kështu të BE në krizën e Coronas. Përqëndrimi i të gjitha forcave ekonomike, për t’i nxjerrë të gjitha vendet e BE-së nga kriza më e rëndë globale që nga Lufta e Dytë Botërore, mund ta mbingarkojë Bashkimin Evropian dhe ta copëtojë atë në fund. Kriza ekonomike i thellon hendeqet tashmë ekzistuese në BE.

Vendet më të pasura do të jenë në gjendje të marrin përsëri veten më shpejt, vendet e varfëra do të zhyten edhe më thellë. Thirrjet e tyre për solidaritet ka të ngjarë të bëhen më të zëshme dhe më radikale – reagimi mbrojtës i anëtarëve më të pasur po kështu.

Në pandemi, fillimisht të gjithë janë të parët. Ajo që nxiti Schumani 70 vjet më parë dhe që rezultoi në tregun e brendshëm, në bashkimin monetar dhe në bashkësinë e vlerave u flak brenda disa javësh nga 27 qeveritë nacionale. Në panik të fortë u mbyllën kufijtë, u ndërprenë zinxhirët e furnizimit, u kufizuan të drejtat themelore, ekonomia kaloi në gjendje kome. Dalja nga kjo gjendje e padurueshme me kalimin e kohës fillon e pakoordinuar. Çdo vend anëtar vepron ashtu siç dëshiron.

BE tani duhet të kujdeset për rindërtimin dhe të mbledhë sa më shumë para sa më shpejt që të jetë e mundur, por të cilat mund t’i mbledhë vetëm nga vendet anëtare dhe pastaj t’i rishpërndajë. Në këtë situatë, disa krerë shtetesh, siç është Presidenti Francez Emmanuel Macron, po bëjnë thirrje për më shumë fuqi për BE-në. Të tjerë, siç është kryeministri holandez, Mark Rutte, janë kundër kësaj.

LEXO EDHE:  “Përplasje të përgjakshme”/ Ngjela paralajmëron Metën: Ja çfarë do të ndodhë në shtator

Nacionalistët dhe populistët të kallëpit të kryeministrit hungarez Viktor Orban madje kërkojnë më pak Evropë. Konflikti midis këtyre dy kampeve është pothuajse aq i vjetër sa Deklarata e Schuman-it. Deri tani, BE ka arritur me vështirësi t’i vërë nën kontroll probleme të tilla si zgjerimi në lindje, kushtetuta e refuzuar, kriza financiare ose Brexit-i. Këtë herë, “kërcënimi” në kuptimin e Robert Schuman-it është shumë i madh. Ende mungon përpjekja e duhur krijuese nga ana e anëtarëve të BE-së. Joproduktiv është vendimi i fundit i gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese Gjermane në Karlsruhe, e cila vë në dyshim kompetencat e padiskutueshme të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe trondit kështu të gjithë sistemin ligjor në BE.

Riegert Bernd Kommentarbild App
Bernd Riegert

Krizë e pashembullt

Në negociatat e ardhshme për një fond të pashembullt rindërtimi, një Plan të ri Marshall dhe buxhetin më të madh të përbashkët ndonjëherë, vendet e BE duhet të tregojnë sa janë të aftë ata për “solidaritetin e veprimit”, të cilin e përshkroi Robert Schumani 70 vjet më parë. Ndërkohë, shtetet evropiane janë ndërthurur aq shumë sa që mund ta mbijetojnë vetëm së bashku krizën, të ruajnë mirëqënien dhe në fund paqen. Asnjë shtet nacional nuk mund të arrijë i vetëm një mëkëmbje ekonomike përballë katastrofës globale, sepse secili është i varur nga   nga funksionimi i zinxhirëve të furnizimit dhe tregjet e shitjeve në të gjithë botën.

Në këtë 9 maj, në ditën e Evropës të shpallur për nder të Schumanit dhe të planit të tij historik duhet të niste”Konferenca për Ardhmërinë e Evropës”, për të cilën BE-ja kishte menduar shumë kohë përpara krizës së Coronas. Në të vërtetë tani nuk ka kohë për konferenca të gjata me rezultate që më kthehen në pluhur në arkivin politik. Konferenca u shty, ajo që nevojitet tani është “përpjekja krijuese” në kuptimin e Robert Schuman-it: vendimmarrja e guximshme dhe veprimi i guximshëm i përbashkët.

Rëndësi qëndrore ka që – ashtu si 70 vjet më parë – të jenë Franca dhe Gjermania që të formojnë bërthamën e kësaj përtëritjeje evropiane pas pandemisë. Ata që duan të marrin pjesë, janë të mirëseardhur. Askush nuk është i detyruar, as Italia, Polonia dhe as Hungaria. BE ndodhet para provës së tij më të madhe. A do të ketë edhe vitin e ardhshëm një ditë të Evropës për ta festuar?./ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Një e ardhme pa shtrëngime duarsh?

Publikuar

-

Nga

Ndërsa disa shtete në SHBA po fillojnë të lehtësojnë masat e bllokimit, e ardhmja e shtrëngimit të duarve mbetet e pasigurt. “Unë nuk mendoj se duhet të shtrëngojmë duart përsëri, që të jem i sinqertë me ju,” tha Dr Anthony Fauci, një anëtar i spikatur i ekipit anti-koronavirus në Shtëpinë e Bardhë, në prill. “Jo vetëm që  parandalon sëmundjen e koronavirusit, por me siguri do të ulte shumë dhe rastet e gripit në këtë vend”.

Udhëzimet për distancimin social ka të ngjarë të qëndrojnë në fuqi për një kohë të gjatë, sipas udhëzimeve të qeverisë amerikane për rihapjen e vendit, veçanërisht për njerëzit në nevojë si të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera shoqëruese, si sëmundjet e mushkërive, mbipesha dhe diabeti.

Kjo mund të krijojë atë që Stuart Wolf, kryetari i asociuar për Integrimin Klinik dhe Operacionet në Dell Medical, e quan një “distopi  fantastiko-shkencore”, ku shoqëria do të ndahej në ata që mund të preken dhe ata që duhet të qëndrojnë të izoluar. Kjo mund të krijojë pasoja të rënda psikologjike, thotë Dr Wolf.

“Zakonet zor se vdesin”, thotë Elke Weber, profesor i psikologjisë dhe çështjeve publike në Universitetin Princeton. “Nga ana tjetër, zakonet dhe normat sociale mund të ndryshojnë kur konteksti social dhe ekonomik dhe, në këtë rast, konteksti shëndetësor ndryshojnë”.

Tashmë ka shumë mundësi jo-kontakti. Për shembull, përkulja është praktikuar shumë gjerësisht në të gjithë botën – dhe është marrë si arsye për më pak vdekje për shkak të koronavirusit në Tajlandë. Pastaj ka sinjale të dorës, tundja e kokës, e qeshura dhe e buzëqeshura që nuk përfshijnë kontakt fizik.

LEXO EDHE:  BE kërkon rrugë për kapërcimin e krizës

Por Prof Legare vëren se një nga ironitë e mëdha të Covid-19 është se pikërisht kur njerëzit përballen me rrethana stresuese, ata varen nga prekja. “Mendoni për mënyrat se si ne përgjigjemi kur njerëzit janë të hidhëruar pas vdekjes ose diçka të keqe që ka ndodhur, me një përqafim, ose thjesht mund të ulemi pranë një personi dhe ta prekim në shpatull”.

Ndërsa shmangia e sëmundjes është një pjesë thelbësore e mbijetesës njerëzore, po kështu është edhe të jetuarit  e jetës komplekse sociale, thotë Arthur Markman, profesor në departamentin e psikologjisë në Universitetin e Teksasit në Austin.

“Ndoshta do të fillojmë duke u përqëndruar më shumë në rutinat e larjes së duarve, sanitizimin e duarve dhe strategjitë për të mos prekur fytyrën, sesa heqjen dorë nga kontakti,” thotë ai. “Shqetësimi i vërtetë është që ne do të zhvillojmë një normalitet të ri, i cili nuk ka prekje, dhe kështu ne nuk do ta kuptojmë atë që na mungon, duke mos pasur ndonjë kontakt me njerëzit në rrethin tonë social. / Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Misteri/ Bonaparti vdiq vërtet në 1821, apo u “zëvendësua” nga dikush tjetër?

Publikuar

-

Nga

Që nga vdekja e tij në kohën kur ishte burgosur nga britanikët në ishullin e Shën Helenës në vitin 1821, pretendimet se Napoleon Bonaparti u vra ose arriti të arratisej nga ishulli, nuk janë zhdukur plotësisht. Ja cilat janë hipotezat kryesore mbi vdekjen e ish-perandorit francez.

“Vdekja ime është e parakohshme. Po vritem nga oligopoli anglez, dhe vrasësit e punësuar prej tyre”. Ishin këto fjalët e hidhura të Napoleon Bonapartit, kur ai diktoi testamentin e tij të fundit në prillin e vitit 1821. Një nga manipulatorët më të suksesshëm në histori, Napoleoni ishte një njeri që mori me vete në varr hakmarrjet e tij.

Një ditë pas vdekjes së tij në kohën që ndodhej i burgosur nga britanikët më 5 maj 1821, 16 persona morën pjesë në autopsinë që iu bë trupit të Napoleonit, mes të cilëve 7 mjekë. Ata arritën njëzëri në përfundimin e tyre:ish-perandori kishte vdekur nga kanceri në stomak.

Megjithatë, dyshimet nuk u zhdukën kurrë:A e përshpejtoi qeveria britanike vdekjen e tij? A i hodhën helm në gotën e verës rivalët e tij në Francë? A ishte vërtet Napoleoni ai që vdiq në Longud Hauz në majin e vitit 1821? Për gati dy shekuj, të gjitha këto pyetje dhe shumë të tjera janë diskutuar, debatuar, dhe ricikluar vazhdimisht.

I lindur në një familje korsikane modeste në vitin 1769, në vitin 1811 Napoleon Bonaparti sundonte mbi 70 milionë njerëz dhe dominonte Evropën. Katër vjet më vonë, ëndrrat e tij dinastike, politike, perandorake dhe ushtarake u bënë pluhur e hi, dhe ai u internua në ishullin e largët të Shën Helenës, në Atlantikun e Jugut, nën vrojtimin e britanikëve.

Atje deri në vdekjen e tij, ai dhe familja e tij jetuan në një vilë të quajtur Longud Hauz. Por vdekja e ish-perandorit francez nuk ndodhi krejt papritur. Për muaj të tërë, Napoleoni kishte vuajtur nga dhimbje të forta barku, të vjella, djersitje të shumta gjatë natës dhe ethe.

Kur nuk vuante nga kapsllëku, prekej nga diarreja. Ra shumë në peshë. Napoleoni ankohej gjithashtu për dhimbje koke, dobësi trupore. Nisi të fliste me shumë vështirësi. Mishrat e dhëmbëve, buzët dhe thonjtë e humbën ngjyrën e tyre natyrale.

Me pak fjalë, ai ishte i bindur se po helmohej.  Por më vonë, nisi të mendonte se vuante nga i njëjti kancer që i kishte marrë jetën edhe babait të tij. Prandaj  e gjithë ndihma mjekësore ishte e padobishme. Më 4 maj 1821, ai e humbi vetëdijen. Më 5 maj, u përhap lajmi se udhëheqësi i madh kishte vdekur.

Që nga ai moment lindën edhe shumë pikëpyetje dhe teori. Teoria e parë e komplotit, u artikulua nga irlandezi Berri O’Miara, që kishte qenë kirurg i anijes “HMS Bellerophon”, kur Napoleoni iu dorëzua kapitenit të saj pas Betejës së Vaterlosë. O’Miara u bë më pas mjeku personal i Napoleonit.

Mjeku irlandez i shërbeu ish-perandorit për 3 vjet, kur lëshoi akuzën bombë se guvernatori britanik i Shën Helenës, Sër Hadson Loiu, e kishte porositur atë të që “t’i shkurtonte jetën Napoleonit”. Siç mund të pritej, pas këtyre akuzave O’Miara u pushua nga puna.

Sër Hadson u etiketua si një britanik i poshtër. Ky është versioni që ka mbetur në histori, dhe jo rastësisht edhe versioni që Napoleoni dëshironte të besonte bota. Ish-perandori francez, kishte një plan dinak për t’u arratisur nga Shën Helena, me pretendimin se klima jo e shëndetshme e ishullit po e dëmtonte shumë.

Dhe për këtë qëllim ai shfrytëzoi dr.O’Miara. Ky i fundit, mbështeti pretendimet e pacientit të tij të famshëm, dhe në vitin 1818, e akuzoi guvernatorin Lui se po përpiqej të përshpejtonte vdekjen e Napoleonit. Ndërkohë në vitin 1822, ai publikoi një libër ku pretendonte se qeveria britanike ishte e vendosur të eleminonte çdo lloj mundësie për një rikthim të Napoleonit në Francë.

Shumë njerëz dyshuan se O’Miara kishte të drejtë, por askush nuk mund të provonte akuzën  tij.

Në atë kohë nuk ekzistonte ende asnjë metodë, për të vërtetuar praninë e arsenikut në një kufomë. Nëse Napoleoni ishte vrarë, u duk sikur vrasësi ishte zhdukur bashkë me të. Derikur doli në skenë teoria e një dentisti suedez rreth 100 vjet më vonë, mbi skenarin e helmimit të tij. Kur u botuan letrat private të Napoleonit në vitet 1950, që përshkruanin detajet më intime të ditëve të fundit të perandorit, dr.Sten Forshufvud besonte se ai kishte gjetur një provë të dyshimtë.

Nga 31 simptoma të helmimit nga arseniku të zbuluara nga shkencëtarët që nga viti 1821, Napoleoni kishte shfaqur 28 prej tyre. Prandaj Forshufvud, i kërkoi një universiteti skocez të bënte një provë që detektonte gjurmët e arsenikut.

LEXO EDHE:  BE jep alarmin/ 40% e ujërave lumorë dhe detarë janë të ndotur

LEXO EDHE:  “Përplasje të përgjakshme”/ Ngjela paralajmëron Metën: Ja çfarë do të ndodhë në shtator

Analiza e aktivizimit të neutroneve (NAA), që u krye mbi fijet e flokut të Napoleonit përcaktoi datat 1816, 1817 dhe 1818, dhe zbuloi nivele të larta të arsenikut në trupin e tij. O’Miara, dukej se kishte të drejtë:Napoleoni ishte vrarë, po nga kush?

Milioneri kanadez Ben Uajder, arriti në të njëjtin përfundim më vonë, me anë të një metode tjetër. I bindur se Napoleoni ishte vrarë, Uajder shfrytëzoi kujtimet e shumta të shkruara nga anëtarët e familjes Bonapart në Longud. Libri i tij i përbashkët me dr.Forshufvud me titull “Vrasje në Shën Helenë”, hedh akuza mbi një të dyshuar të ri për krimin:mikun e vjetër të Napoleonit, Sharl Tristan, markezin e Montolonit, një personazh me shumë dritëhije, gruaja e të cilit ishte joshur nga Napoleoni.

Tristan ishte i dëshpëruar për t’u larguar nga ishulli, por qëndroi për të fituar personalisht nga testamenti. Mbretërit e restauruar të dinastisë së Burbonëve (të cilët ishin po aq të interesuar sa britanikët për eleminimin e Napoleonit), kërcënuan se do të bënin publike përvetësimin e fondeve ushtarake nga ana e Montolon, nëse ai nuk do të binte dakord të helmonte pijen e Napoleonin me arsenik.

Por kjo teori nuk i bind të gjithë. Edhe nëse arseniku e vrau Napoleonin, kjo nuk do të thoshte se dikush e kishte vrarë ish-perandorin me arsenik. Në vitet 1980, debati mbi helmimin ndryshoi kurs, duke menduar se Napoleoni thjesht mund të kishte përthithur mjaftueshëm arsenik nga ambienti i tij, që në fund e vrau.

Një shtëpi tipike e shekullit XIX-të ishte e tejmbushur me arsenik:kozmetika, toniku për flokët, cigaret, dylli i vulave, enët e gatimit, preparatet kundër insekteve, helmi ndaj minjve, kremi i ngrirë i ëmbëlsirave, ishin që të gjitha ishin toksike.

Kur një kimist i Universitetit të Njukasëllit ekzaminoi një copëz letër nga muri i vilës në Longud, të vjedhur nga një turist i shekullit XIX-të, ai zbuloi gazra helmuese të mbetura në mykun që rritet pas tij, dhe që mund të kenë kontribuar në vdekjen e Napoleonit.

Më vonë, studiuesit testuan fije floku nga djali i Napoleonit; gruaja e tij e parë, perandoresha Jozefinë; dhe 10 persona të gjallë, dhe arritën në përfundimin se evropianët në fillim të shekullit XIX, kishin deri në 100 herë më shumë arsenik në trupat e tyre, sesa ka sot mesatarisht një njeri. FBI, Scotland Yard, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Strasburg, dhe laboratorët e policisë së Parisit kryen secili teste të veçanta, dhe që të gjitha konfirmuan nivele të larta të arsenikut në trupin e Napoleonit.

Por askush nuk mundi t’i përgjigjej përfundimisht pyetjes, se si kishte arritur helmi atje. Ndërkohë, në sfond u shfaq një debat i dytë:zëvendësimi i tij. Ideja e perandorit zëvendësues është përdorur në filma dhe romane, dhe sigurisht admiruesit më të zjarrtë të Napoleonit ishin (dhe janë) të sigurtë se ai jetoi shumë më gjatë. Dhe se njeriu që vdiq më 5 maj 1821, ishte dikush tjetër.

Versioni më befasues i teorive të zëvendësimit, pohon se Napoleoni nuk shkoi kurrë në Shën Helenë. Një sozi u dërgua në vendin e tij, ndërsa ish-perandori shkoi të jetojë në në Verona të Italisë, deri kur u qëllua për vdekje në përpjekje për të ngjitur muret e një pallati austriak, për të parë djalin e tij të vogël.

Mjerisht, kjo histori nuk ka asnjë lloj baze dokumentare. Teoria e dytë e zëvendësimit, sillet rreth Zhan Baptist Çiprianit, mazhordoimit të vilës në Longud deri në vdekjen e tij në shkurt 1818 gjatë një epidemie të hepatitit, dhe varrosjes së tij aty pranë.

Mbështetësit e kësaj teorie, pohojnë se britanikët e zhvarrosën fshehurazi trupin e Napoleonit në fund të viteve 1820, për arsye të pashpjeguara prej tyre. Kur u përballën me kërkesën zyrtare të Francës në vitin 1840 për të zhvarrosur Napoleonin, dhe rikthyer eshtrat e tij në Paris, britanikët nxorën nxorrën me shpejtësi eshtrat e Çiprianinit nga varri i tij, dhe i hodhën ato në varrin e zbrazët të Napoleonit.

Në vitin 1969, në 200-vjetorin e lindjes së Napoleonit, një gazetar francez botoi madje një thirrje të bujshme ndaj britanikëve:Anglais, rendez-nous Napoleon! (Anglezë, na ktheni Napoleonin!).

Pohimi i tij befasues, ishte që familja mbretërore britanike e kishte rivarossur Napoleonin në Uestminster Abej, çka përbënte poshtërimin e fundit për ish-perandorin.

E vërteta më prozaike, është se trupi i Napoleonit prehet (thuajse me siguri) nën kupolën e Les Invalides në Paris. Gjithsesi, derikur autoritetet franceze të lejojnë rihapjen e arkivolit dhe kryejen e testimeve përkatëse, teoritë konspirative do të vazhdojnë të trazojnë ujërat. / HistoryExtra – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Koronavirusi kërcënon të ardhmen e Eurozonës

Publikuar

-

Nga

Komisioni Evropian paralajmëroi se pandemia e koronavirusit kërcënon të ardhmen e eurozonës, duke krijuar hendek të madh ekonomik midis 19 shteteve anëtare, gjatë atij që pritet të jetë recesioni më i thellë, që nga Depresioni i Madh.

Komisioneri ekonomik i BE-së, Paolo Gentiloni, tha se ekziston një nevojë urgjente për të lehtësuar përkeqësimin e pashmangshëm të ndarjeve ekzistuese sociale dhe ekonomike, pasi vendet do të dalin me shpejtësi të ndryshme nga rënia ekonomike. Prodhimi ekonomik i Eurozonës ka të ngjarë të zvogëlohet me një rekord prej 7.75% në vitin 2020 dhe të rritet me vetëm 6.25% në 2021, me papunësinë në rritje nga 7.5% në 2019, në 9.5%.

Gentiloni tha se aktiviteti ekonomik në BE kishte “rënë me rreth një të tretën brenda natës”, për shkak të bllokimeve të vendosura nga qeveritë evropiane. Më shumë se 1.1 milion njerëz janë infektuar nga virusi në të gjithë Evropën dhe më shumë se 137,000 kanë vdekur, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Gentiloni tha se ritmi i rimëkëmbjes së qeverive evropiane do të varet nga shpejtësia me të cilën mund të hiqen bllokimet, rëndësia e shërbimeve siç është turizmi në secilën ekonomi, dhe nga burimet financiare të secilit vend.

Produkti i brendshëm bruto i Greqisë parashikohet të zvogëlohet më së shumti, me 9.7%, për shkak të mbylljes së industrisë së saj turistike. Në Itali dhe Spanjë pritet të ketë rënie përkatësisht me 9.5% dhe 9.4%.

LEXO EDHE:  EKSKLUZIVE/Basha urdhëroi delegacionin të votonte kundër çeljes së negociatave

LEXO EDHE:  BE t’i japë fund neglizhencës ndaj Ballkanit, përndryshe rajonin e dominon Rusia

Gjermania pritet të ketë një tkurrje shumë më pak dramatike sesa shumica, dhe të shërohet më shpejt edhe pse rënia ekonomike (6.5%) pritet të jetë më e thella e vendit, që nga lufta e dytë botërore. “Kjo divergjencë paraqet një kërcënim për tregun e përbashkët dhe eurozonën – megjithatë mund të lehtësohet përmes një veprimi të përbashkët evropian,” tha Gentiloni.

Komisioni Evropian po planifikon një paketë rimëkëmbje prej 1.5 trilion Euro, e përbërë nga kredi dhe grante, por ka debate për nivelin e ndarjes së barrës.

Komisioni tha se ekonomia në Mbretërinë e Bashkuar pritet të tkurret me 8.3% deri në fund të vitit, si rezultat i masave të bllokimit, investimet janë ulur me 14% dhe papunësia do të dyfishohet. Vetëm ekonomia e Greqisë, Italisë, Spanjës dhe Kroacisë pritet të bjerë më shumë sesa e Mbretërisë së Bashkuar.

Ekonomia franceze parashikohet të tkurret me 8.2%, një shifër e ngjashme me Mbretërinë e Bashkuar, por rimëkëmbja e ekonomisë britanike ka të ngjarë të pengohet nga pengesat shtesë për tregtinë kur të përfundojë periudha e tranzicionit të Brexit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po negocion me Brukselin mbi kushtet e tregtisë, pasi Britania të largohet nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor.

Ekonomia e 27 vendeve anëtare si bllok parashikohet të bjerë me 7.5% në vitin 2020 dhe të rritet me 6.1% në vitin 2021, por “jo aq sa të kompensojë plotësisht humbjen e këtij viti”, tha Gentiloni, ish-kryeministëri i Italisë. / BBC – Bota.al

LEXO TE PLOTE