LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Maks Velo, anti-model shoqëror i komunizmit dhe i tranzicionit

8 Maj 2020, 16:14, Opinione CNA
Maks Velo, anti-model shoqëror i komunizmit dhe i tranzicionit

Nga Agron Gjekmarkaj

Autorit të këtyre radhëve ndoshta mund t?i merret si hipokrizi apo vendosje e shpirtit në paqe ky dedikim ndaj Maks Velos, pas një shkrimi plot pezëm kundër tij vite më parë, si shenjë mosdakordësie për një deklaratë të fortë të artistit ndaj myslimanëve dhe gegëve, por nuk është kështu. Arsyet nuk janë këto.

Nuk e kisha mik, nuk kam pirë kurrë një kafe me të. Pas atij artikulli me rreptësinë ndarëse që e karakterizonte, mbase më gjykonte si armik, aq sa një herë nuk pranoi të vinte në një debat televiziv ku isha edhe unë. Më këtë kanon duhej të heshtja. Por trazimi që lajmi më shkaktoi, me nxiti të kundërtën.

Bindja e thellë se Shqipërisë dhe qytetit (Tiranës) do t?i mungojë zëri i tij kontrovers, i cili mbështetej vetëm në bindjet e veta që i respektonte si perëndi dhe kulturën po kaq të gjerë që e reflektonte në çdo bisedë, na bëjnë t?ia ndiejmë menjëherë mungesën, pavarësisht në e zemëruam apo na zëmëroi në të gjallë.

Ai zgjodhi të ikte në një ditë të trishtë, kur vëmendja e njerëzve është gozhduar te pandemia dhe frikërat derivat i saj. Ndoshta nuk e donte më vëmendjen e tyre, si protestë ndaj banalitetit që e ka mbërthyer të përditshëm tonë. Velëritja dhe zhgënjimi dukeshin si dy shokët e tij tek ecte rrugëve të qytetit, që prej dekadash po i bëhej i panjohur nga vetëshumëzimi hibrid e kaotik, nga mohimet me heshtje e pranimet në terr.

Po kaq, rënkimi dhe pauza spikasnin në ligjërimin e tij mbi çështjet urbane e kulturore, të cilat kishin rënë në duar jabrashe nastradinësh politikë. Maks Velo spikaste në çdo rast kur ndërtonte sintoni mendimi me shumicën, apo edhe atëherë kur shndërrohej menjëherë në idhull pakice me flokë të shpupuritur si gravurë e një kohe, e cila nuk e pranonte e që gjithaq ai e refuzonte.

Ai jetoi në dy epoka dhe në të dyja linte përshtypjen se ndihej viktimë e njeriut shqiptar. Në të parën e atij e atij që u ideologjizua, u shndërrua në spiun e kandërr dhe që e çoi drejt burgut të gjatë e të pamerituar, ndërsa në të dytën e atij që nuk diti t?i kërkojë kurrë falje për vuajtjet që i shkaktoi dikur e për ato të rejat me metamorfozën e shndërrimit në një tjetër, pa mea culpa, pa brerje ndërgjegjeje me hapin e shpejtë të babëzisë.

I morën shumëçka artistit, piktorit, arkitektit Maks Velo këto dy kohë zgjatime të njëra- tjetrës, duke i lënë në këmbim një individualitet e identitet intelektual të pakonfondueshëm, të pakrahasueshëm. Nuk vlen të themi më i mirë apo më i keq, ishte thjesht ndryshe, aq ndryshe sa nuk gjen një për krahasim. Nuk mund të thuash që filani i ngjet Maks Velos. Me gjasë, ai kishte ëndërruar një Shqipëri e shoqëri, shenjat e të cilave na i la në punët e tij të ndryshme, e cila ekzistoi vetëm në to si dashuria e tij franceze, ai vetëmashtrim i fisëm ndjenjash që nuk mund të bëhej kurrë realiteti tij.

Mastari i tij kur maste të kaluarën, të sotmen a të tashmen qe ciklopik, nuk përputhej me të zakonshmin, normalin, me njërin prej nesh. Pakënaqësia e rezultatit e shndërronte në vetmitar e shumë më tepër kur zbulonte në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit se kush e kishte përgjuar dje dhe i kalonte pranë sot si ironi e rastit dhe çastit.

Velo u shfaq si antimodel shoqëror, qoftë ndaj njeriut të ri të komunizmit me etikën dhe estetikën e veprave apo akteve e po kaq më pas kur shoqëria gjeti modele të tjera. Maks Velo shfaqej i ditur, sharmant e provokues në idealizëm, në ide dhe sfida. Po kaq i vërtetë në gjykimet dhe paragjykimet e veta, pa kinse që të skuqnin sytë.

Maks Velo ishte një dendi që do t?i mungojë jo shumëkujt në një qytet përtej retorikës solemne të kornizës, i cili njeh e respekton si VIP-a mjaft tatalosha, por që gjithnjë e më pak di kush ishte Eqerem Çabej e Lasgush Poradeci, Vedat Kokona e Pashko Gjeçi, Musine Kokalari e Sabiha Kasimati, Luk Kaçaj e At Zef Pllumi, Kristo Frashëri e Dritëro Agolli, i cili pat paralajmëruar se ?Nëpër udhët ku kam ecur/S?do ndihet kolla ime e thatë/ Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur / Një qiparis si murg i ngratë / si dhe shumë të tjerë të vdekur a të gjallë.

Përtej vetëdijes apo mungesës së saj, qyteti sot është më i varfër pa siluetën e Maks Velos, këtij artisti e dëshmitari që iku pa e kërkuar lamtumirën si rebelimin e tij të fundit. Kur ai (vendi, qyteti) të dalë nga amnezia, në një të ardhme do të ndihet dhe kuptohet mungesa e tij.

Lajmet e fundit nga