Connect with Us

Koronavirusi kërcënon të ardhmen e Eurozonës

Blog

Koronavirusi kërcënon të ardhmen e Eurozonës

Publikuar

-

Komisioni Evropian paralajmëroi se pandemia e koronavirusit kërcënon të ardhmen e eurozonës, duke krijuar hendek të madh ekonomik midis 19 shteteve anëtare, gjatë atij që pritet të jetë recesioni më i thellë, që nga Depresioni i Madh.

Komisioneri ekonomik i BE-së, Paolo Gentiloni, tha se ekziston një nevojë urgjente për të lehtësuar përkeqësimin e pashmangshëm të ndarjeve ekzistuese sociale dhe ekonomike, pasi vendet do të dalin me shpejtësi të ndryshme nga rënia ekonomike. Prodhimi ekonomik i Eurozonës ka të ngjarë të zvogëlohet me një rekord prej 7.75% në vitin 2020 dhe të rritet me vetëm 6.25% në 2021, me papunësinë në rritje nga 7.5% në 2019, në 9.5%.

Gentiloni tha se aktiviteti ekonomik në BE kishte “rënë me rreth një të tretën brenda natës”, për shkak të bllokimeve të vendosura nga qeveritë evropiane. Më shumë se 1.1 milion njerëz janë infektuar nga virusi në të gjithë Evropën dhe më shumë se 137,000 kanë vdekur, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Gentiloni tha se ritmi i rimëkëmbjes së qeverive evropiane do të varet nga shpejtësia me të cilën mund të hiqen bllokimet, rëndësia e shërbimeve siç është turizmi në secilën ekonomi, dhe nga burimet financiare të secilit vend.

Produkti i brendshëm bruto i Greqisë parashikohet të zvogëlohet më së shumti, me 9.7%, për shkak të mbylljes së industrisë së saj turistike. Në Itali dhe Spanjë pritet të ketë rënie përkatësisht me 9.5% dhe 9.4%.

LEXO EDHE:  “Vaksina kundër koronavirusit jo vetëm për të pasurit”/ Von der Leyen: Do e çojmë në çdo cep të botës

Gjermania pritet të ketë një tkurrje shumë më pak dramatike sesa shumica, dhe të shërohet më shpejt edhe pse rënia ekonomike (6.5%) pritet të jetë më e thella e vendit, që nga lufta e dytë botërore. “Kjo divergjencë paraqet një kërcënim për tregun e përbashkët dhe eurozonën – megjithatë mund të lehtësohet përmes një veprimi të përbashkët evropian,” tha Gentiloni.

Komisioni Evropian po planifikon një paketë rimëkëmbje prej 1.5 trilion Euro, e përbërë nga kredi dhe grante, por ka debate për nivelin e ndarjes së barrës.

Komisioni tha se ekonomia në Mbretërinë e Bashkuar pritet të tkurret me 8.3% deri në fund të vitit, si rezultat i masave të bllokimit, investimet janë ulur me 14% dhe papunësia do të dyfishohet. Vetëm ekonomia e Greqisë, Italisë, Spanjës dhe Kroacisë pritet të bjerë më shumë sesa e Mbretërisë së Bashkuar.

Ekonomia franceze parashikohet të tkurret me 8.2%, një shifër e ngjashme me Mbretërinë e Bashkuar, por rimëkëmbja e ekonomisë britanike ka të ngjarë të pengohet nga pengesat shtesë për tregtinë kur të përfundojë periudha e tranzicionit të Brexit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po negocion me Brukselin mbi kushtet e tregtisë, pasi Britania të largohet nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor.

Ekonomia e 27 vendeve anëtare si bllok parashikohet të bjerë me 7.5% në vitin 2020 dhe të rritet me 6.1% në vitin 2021, por “jo aq sa të kompensojë plotësisht humbjen e këtij viti”, tha Gentiloni, ish-kryeministëri i Italisë. / BBC – Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Hanami, historia e soditjes së luleve në Japoni

Publikuar

-

Nga

Miliona turistë vizitojnë çdo vit Japoninë për të parë lulëzimin e qershive. Por tradita e soditjes së luleve aty ka një traditë shekullore.

Prej shekujsh lulëzimi i qershisë është një moment mjaft i rëndësishëm për japonezët. Në fillim ky moment konsiderohej se sillte lajmin e ardhjes së kohës për mbjelljen e orizit. Njerëzit besonin se brenda kësaj peme ekziston një “Kami” (Zot) dhe filluan t’i ofrojnë  lutje. Më vonë kjo ceremoni u shoqërua me sake (pija tradicionale japoneze e bërë nga orizi).

Nga kumbulla te qershia

Historia e soditjes së luleve në Japoni ka filluar me lulet e kumbullës, dhe në periudhën e Heianit rreth viteve 794 p.e.s. kjo  traditë u shndërrua në soditjen e luleve të qershisë. Perandori Saga ishte ai i cili  organizoi  festën e parë me ushqime, muzikë, shkrim poezish, të frymëzuar nga lulet në Oborrin e Perandorit në Kioto (Kyoto).

Gjatë Periudhës së Perandorit Edo (1603-1868) në tërë Japoninë u mbollën shumë qershi. Gjatë kësaj periudhë kjo kulturë shënoi përhapje më të madhe. Në fillim organizimi i festës për lulëzimin e qershisë bëhej për aristokracinë dhe aty mblidheshin edhe njerëzit e artit, kurse më vonë kjo traditë mori përmasa tjera dhe filloi të festohej edhe nga njerëzit e thjeshtë.

Një nga pikat më popullore për soditjen e luleve të qershisë gjatë periudhës së perandorit Edo ishte Parku Ueno. Përmasa më të gjëra kjo kulturë mori gjatë shekullit XIX. Edhe tani në kohën moderne parku Ueno është një ndër pikat kryesore për vizitorët vendas dhe të huaj. Me miliona vetë e vizitojnë këtë park çdo stinë të pranverës për të soditur lulëzimin e qershive.

Jo vetëm gjatë periudhës së perandorit Edo, por edhe sot parku Ueno është një nga pikat më popullore për soditjen e luleve të qershisë

Ndikimi i luleve të qershisë në traditë, kulturë dhe art

Motivet me lulet e qershisë hasen kudo. Lulja e qershisë zë vend të rëndësishëm në kulturë, art, letërsi, poezi, veshje tradicionale dhe moderne etj. Edhe në kohët moderne dizajnime dhe dekorime me lule qershie shihen kudo, murale në shtëpitë tradicionale japoneze, kapakët e librave, mbështjellëset e fletoreve, e lapsave, të enëve të kuzhine, shkopinjve për ngrënie Po ashtu edhe në veshjet moderne lulet e qershisë dhe ngjyrat e lules së qershisë janë të pranishme, sidomos tek veshjet e femrave.

Qershitë dhe peizazhi

Kultivimi i kulturës së soditjes së qershive ka ndikuar shumë në pasurimin dhe zbukurimin e peizazhit në Japoni. Qershitë janë të pranishme kudo, në brigjet e lumenjve, përgjatë rrugëve, rrugicave, në parqe, kopshte. Në pranverë peizazhi merr një hije me ngjyrë rozë të lehtë që nga larg i ngjan një pikture me një peizazh të përkryer.

Edhe përfundimi i lulëzimit është i mrekullueshëm sepse rënia e petaleve të luleve të qershisë të jep ndjenjën e rënies së borës. Lumenjtë, përrenjtë, ujërat dhe rrugicat nën qershi, mbushen me petalet e luleve dhe marrin një pamje marramendëse ngjyrë rozë të lehtë.

Soditja e luleve të qershisë sot

LEXO EDHE:  “Vihet re stimulim”/ Mjeku zbulon si ndikon vaksina e tuberkulozit ndaj koronavirusit

LEXO EDHE:  BE qëndron pranë Shqipërisë/ Dërgohen forca shtesë për situatën e rëndë pas tërmetit

Sot njerëzit nuk festojnë njëlloj si dikur, pra në mënyrë tradicionale, mirëpo lulet e qershisë mbeten të lidhura ngushtë me historinë kulturën dhe identitetin. Edhe sot gjatë kohës së lulëzimit të qershive  organizohen festivale, turne, apo aktivitete të tjera. Lulëzimi i qershisë i bën njerëzit të dalin jashtë dhe të mblidhen me familje e miq. Ata shtrojnë një çarçaf dhe hanë e pinë; shumë shkojnë për të bërë fotografi dhe shijuar bukurinë që ofrojnë lulet e qershisë.

Simbolika e luleve të qershisë

Lulëzimi i qershisë është i përkohshëm, nuk zgjat shumë dhe lulet e qershisë janë delikate. Prandaj tek japonezët ato simbolizojnë delikatesën, bukurinë kalimtare dhe fisnikërinë e jetës njerëzore.  Por ato simbolizojnë gjithashtu edhe miqësinë dhe aleancën.

Në vitin 1912 kryetari i Bashkisë së Tokios i dhuroi Uashingtonit 3000 fidanë qershie të cilat janë mbjellë në Uashington D.C. Tani, qershitë si pemë dekorative në parqe dhe kopshte, janë përhapur nëpër botë si në: Shtetet e Bashkuara, Kanada, Brazili, Gjermani, Turqi, Spanjë, Britani, Australi dhe më gjerë.

Edhe në Bonn në Gjermani vijnë mjaft turistë për të soditur lulet e qershive

Rëndësia e trashëgimisë kulturore dhe natyrore për zhvillimin e turizmit

Lulëzimi i qershisë zë një vend të rëndësishëm në medie, TV, rrjete sociale, madje edhe parashikohet se kur do të jetë koha e lulëzimit të qershisë sipas zonave të ndryshme në Japoni. Meqenëse koha lulëzimit të qershive ndryshon nga viti në vit, kjo prognozë u ndihmon turistëve të planifikojnë udhëtimin për të shijuar lulëzimin e qershive.

Lulet e qershive përveç se shndërrojnë pothuajse tërë vendin në një peizazh të mrekullueshëm në fillimin e stinës së pranverës, i kanë bërë vendet dhe qytetet gjithashtu më tërheqëse për vizitorët vendorë dhe Japoninë më tërheqëse për turistët e huaj. Trashëgimia dhe tradita e soditjes së luleve të qershisë dhe organizimi i festivaleve në Japoni joshin vizitorë anekënd globit.

Industria e turizmit lulëzon me lulëzimin e qershive. Vlerësohet që çdo vit Japoninë e vizitojnë rreth 63 milionë turistë për të parë lulëzimin e qershive. Shuma që këta turistë shpenzojnë, vlerësohet të shkojë rreth 2.7 miliardë dollarë amerikan. Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe shfrytëzimi i drejtë i saj është një aset shumë me rëndësi për vendet që duan të përfitojnë nga turizmi. Ndër ato vende mund të jenë dhe Shqipëria apo Kosova duke i kushtuar më tepër kujdes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, historike, shpirtërore dhe natyrës e peizazhit./ Pren Domgjoni-DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Rreziku që na vjen nga lajmet e rreme dhe diktatura dixhitale

Publikuar

-

Nga

Historiani izraelit Yuval Noah Harari, zotëron një dhunti të jashtëzakonshme për të zgjeruar fushën e tij të investigimit dhe analizës pa i mjegulluar temat e mbuluara, duke vendosur aty  ku duhet pjesët e mozaikut të përbërë nga kutiza me origjinë të ndryshme: histori, biologji, neuroshkencë, teknologji…

Po cila është tema e mozaikut këtë herë? Subjekti kryesor, njeriu: nga vjen, dhe ku është duke shkuar. Dëshmi e aftësisë së tij përhapëse, eklektike dhe marramendëse është libri bestseller “Sapiens: Një histori e shkurtër e njerëzimit” që në 500 faqe tregon, përmes fazave evolucionare dhe zbulimeve teknologjike, një aventurë miliona-vjeçare: nga shfaqja e gjinisë Homo në Tokë dhe deri më sot, duke kaluar nëpër afirmimin e Homo Sapiens, falë fuqisë së tij të imagjinatës.

Me “Homo Deusin”, ai projektoi analizën mbi atë çka pritet të ndodhë në të ardhmen, midis ëndrrave dhe anktheve të një bote teknologjikisht të përparuar, ku mund të jetohet edhe pa faktorin njerëzor.

“Tek 21 leksionet për shekullin XXI”, ai trajton problemet më të ngutshme të aktualitetit, duke i vendosur ato në një këndvështrim historik, në mënyrë që të peshojë vlerën e tyre të brendshme: manipulimin e realitetit, bio-teknologjinë, privatësinë, diktaturën dixhitale, format e reja të censurës …

Harari, lajmet e rreme nuk janë një dukuri e re. Por sot rreziku prej tyre është më i madh. Përse?

Propaganda ka prodhuar gjithnjë lajme të rreme. Por dikur nuk ishte mundur siç ndodh sot, që të përhapeshin histori të rreme tek miliarda njerëz brenda 1 ore. Pra, rreziku real i gënjeshtrës, është më i madh se më parë. Dhe kjo edhe për shkak se lajmi i rremë e ka një synim të ri: kërkimin e vëmendjes njerëzore, që është beteja aktuale më e madhe, ku shumë njerëz janë të gatshëm të shfrytëzojnë “çelësat” emocionalë më të fortë: frikën dhe urrejtjen. Rreziku është shpërbërja e sferës publike, pamundësia jonë për të pasur komunikime normale.

Lajme false dhe identitete fiktive. Me rrjetet sociale, është e mundur të ndryshojmë. apo të fshehim identitetin tonë të vërtetë…

Identiteti i secilit prej nesh, ka shumë shkallë trillimi. Ka qenë përherë kështu. Ne e ndërtojmë historinë tonë individuale mbi bazën e fakteve autobiografike, por edhe elementeve të trilluar fetare dhe kulturore; librave apo filma të djeshëm.

Sot Facebook dhe Instagram; dhe rrjetet sociale në përgjithësi, i kanë bërë për herë të parë të dukshme proceset tona mendore: zgjedhja e kësaj apo asaj fotoje për të postuar, në mesin e 1 mijë të tjerave, është diçka që më parë ndodhte vetëm në mendjen tonë.

Tani këto procese mund të shihen edhe nga aktorë të jashtëm, por edhe autoritetet shtetërore që arrijnë të mësojnë atë që nuk mund ta nxirrnim nga ne, as torturat më mizore të Mesjetës. Dhe ne e bëjnë këtë gjë me pëlqimin tonë! Është shumë e rrezikshme, kur dikush ju njeh më mirë sesa ju veten. Përveç një rasti.

Cilit?

Atij të nënës tonë. Nënat kanë një pushtet të madh mbi fëmijët e tyre, pasi duan më të mirën për ta. Deri në adoleshencë, ato na njohin më mirë, sesa njohim ne veten. Por nëse tani në vend të nënës është qeveria, apo një parti që nuk mendon për të mirën tënde, dhe që nuk i intereson të rritesh por vetëm t’i përdorësh këto platforma, atëherë rreziku është mëse i qartë.

Ne jemi thuajse shumë pranë monitorimit të lëvizjeve të një individi për 24 orë të ditë-natës. Por revolucioni i vërtetë, është monitorimi përmes të dhënave biometrike, i asaj që ndodh me tensionin e gjakut, apo aktivitetin e trurit. Nuk është një trillim shkencor, pasi ne jemi duke zhvilluar sensorë, që e dinë se çfarë ndodh me zemrën dhe trurin tonë kur shohim televizor.

Vëllai i Madh i Oruellit. Ishte një distopi e regjimeve sovjetike, por që tani po triumfon në tregun dixhital të konsumatorëve…

Mendoni pak për Netflix, ai mund t’i mbledhë këto të dhëna për të matur angazhimin tuaj dhe të tjerëve me një personazh, dhe të ndryshojë peshën e tij në histori. Dhe kjo është në rregull. Por nëse dikush ka mundësi të studiojë mënyrën se si ju reagoni ndaj një politikani, nëse ju eksiton një skenë seksi ose dhune, atëherë gjërat nuk janë mirë.

Para disa kohësh shkova në një nga dyqanet e “Guçit” në Milano, në një dhomë të dizanjuar nga H-farm (një platformë dixhitale e inovacionit), ku një video të tregon foto dhe skena të çifteve që puthen, nëna me një djalë, dhe t’i ke sensorë që regjistrojnë kënaqësinë, sikletin ose empatinë ndaj atyre imzheve.

Unë pyes: nëse shihni një puthje mes dy burrave dhe nuk ju pëlqen, a mund të etiketoheni si homofob? Dhe nëse ju pëlqen, a jeni gay? Dhe nuk jam duke folur për një instrument të qeverisë kineze, por për një kompani mode! Tani le të imagjinojmë sikur jemi në Iran apo në Arabinë Saudite, ku ka një dënim ekstrem për homoseksualitetin. Unë shkoj në një shkollë ose në një kazermë dhe them: “Ok djema, shihni këtë ekran dhe vini në kokë këtë kaskën”.

Sërish Oruelli. Do të ketë policë të mendjes: A mos po ndërtojmë një makinë të së vërtetës?

Po, dhe shumë të avancuar bile. Sepse nuk na tregon nëse gënjejmë, por është në gjendje të shohë brenda nesh, dëshirat dhe frikërat tona. Kjo është baza e diktaturës më të madhe në histori, një pushtet që nuk e pati as Stalini dhe as Hitleri. Tani diktatura dixhitale mund të flasë nga njëra anë me propagandë, dhe nga ana tjetër të shtypë çdo individ që kundërshton sistemin.

Fantashkenca na e kishte paralajmëruar. Por disa makthe të djeshme, duken si ëndrrat e sotme…

Sot fantashkenca ka një problem të madh. Ajo po e ngatërron inteligjencën artificiale me vetëdijen, po i humanizon robotët. Dhe është një gjë e dëmshme, pasi sot fantashkenca është kanali përmes të cilit shumë njerëz mësojnë të rejat e teknologjisë.

LEXO EDHE:  Shkon në 352 numri i të prekurve me koronavirus në Greqi/ Nëntë në gjendje të rëndë

LEXO EDHE:  Mjeku bën deklaratën shpresëdhënëse/ Ja kur do të zhduket Covid-19

Por është absurde të kesh frikë se robotët dhe kompjuterët do të fitojnë ndërgjegje, dhe do të rebelohen ndaj nesh, sepse problemi është i kundërt: ata do të na binden gjithnjë ne njerëzve, pa diskutuar, ndryshe nga ushtarët njerëz, që mund të demoralizohen apo dezertojnë. Rreziku i vërtetë është bindja e verbër e robotëve ndaj një partie politike apo ndaj një qeverie. Nuk ka asnjë rebelim. Do të ketë vetëm një elitë të vogël njerëzore me një pushtet të madh në duar.

Ju shkruani se algoritmet do të çojnë në një lloj vendimmarrjeje automatike, të de-humanizuar në sferën private dhe publike…

Do të kemi më pak kontroll mbi zgjedhjet që bëjmë në jetë, mbi atë që studiojmë, me njeriun që do të martohemi … ashtu siç sot një algoritëm na tregon se çfarë të shohim në televizor, apo se si

të shkojmë në një vend të caktuar në qytet.

Vendimet e mëdha financiare, mund të merren në bazë të algoritmeve që dinë të bëjnë llogari shumë më të përpunuara sesa ato njerëzore, që zakonisht menaxhojnë maksimumi 3-4 faktorë. Një algoritëm mund të llogarisë mijëra faktorë, që peshojnë qoftë edhe vetëm zero pikë disa përqind, dhe i shpëtojnë kuptimit tonë.

Për t’ju dhënë një hipotekë, bankat do të konsultohen me algoritmin, që përpunon mijëra faktorë të rrezikut. Nëse ajo ju refuzon, nuk do t’ju japë një sqarim të qartë, por një dosje me dhjetëra fletë me llogaritjet e algoritmit. Vendimet mund të merren vetë.

E aplikuar tek politika, kjo panoramë bëhet shumë shqetësuese. A munden që algoritmet të rrezikojnë demokracinë?

Ky është një rrezik i madh. Në të shkuarën, dëgjoheshin arsyetimet e një oratori si Ciceroni, ose ndikoheshin nga propaganda për të zgjedhur nëse do të mbështesnin apo jo një luftë, dhe njerëzit fokusoheshin mbi pak tema aktuale. Sot opsionet më ekstreme, mund t’i nënshtrohen sërish gjykimit të logaritmeve.

Dhe kjo është diçka që tashmë po ndodh në ushtri, ku shpesh terroristët ekzekutohen me dron. Vendimi qoftë për të vrarë apo jo, nuk merret ende nga një algoritëm, por përcaktimi i të dyshuarit si një terrorist po. Të paktën në SHBA dhe Izrael, kjo bëhet përmes algoritmeve të bazuara në modelin e sjelljes së personit, që monitorohet mbi bazën e informacioneve të shkëmbyera dhe kontakteve të tij të dyshimta. Të dhëna të shumta, që njerëzit nuk mund t’i përpunojnë.

Ju jeni një fans i “Black Mirror”. Në një episod të serisë së parë, imagjinohet ekzistenca e robotëve të pajisur me inteligjencë artificiale, me të cilët është e mundur të kryhen marrëdhënie seksuale. Çfarë do të ndodhë me Homo sapiens, nëse njerëzit do të shkojnë vetëm me robotët?

Inteligjenca artificiale, nuk ka nevojë për forma njerëzore, siç e tregon qartë edhe filmi “Her” (Ajo). Filmat e tjerë gabojnë kur i antropomorfizojnë robotët. Makina që drejtohet vetë, nuk ka nevojë për ndihmën e shoferit. E vetmja fushë në të cilën është e rëndësishme forma njerëzore është ajo seksuale.

Por nuk do të zgjasë shumë. Pasi organi i vërtetë seksual i Homo sapiens është koka. Bioteknologjia do të lejojë një ndërveprim të thellë në nivelin e kënaqësisë me diçka që është jashtë nesh dhe që nuk ka formë njerëzore, me një lidhje bioteknologjike. Pornografia dhe industria e seksit, janë sektorët që do të përfitojnë më shumë nga ky progres, natyrisht pas sektorit ushtarak. Por kjo ka rreziqet e veta. Ka vende ku frekuentimi i faqeve pornografike monitorohet tashmë, duke prodhuar të dhëna që disa qeveri mund t’i përdorin për të shantazhuar ose ndëshkuar qytetarët.

Çfarë mjetesh kemi në dispozocion për ta shmangur këtë diktaturë dixhitale?

Progresi nuk mund të ndalet, por mund dhe duhet të ndryshojë drejtimin, në mënyrën se si e përdorim atë. Dhe kjo gjë po ndodh. Qeveritë liberale, kanë shmangur një kontroll mbi popullsinë, si ai që ekzistonte në regjimet totalitare në Bashkimin Sovjetik apo Gjermaninë naziste, që ishin rezultat i mjeteve të komunikimit masiv dhe infrastrukturave moderne, por ato nuk i shkatërruan ato mjete.

Ne duhet të punojmë në dy nivele. Si individë, duhet të zhvillojmë një vetëdije më të madhe mbi veten. Unë e bëj këtë gjë përmes meditimit:në këtë mënyrë ne zvogëlojmë hendekun midis asaj që ata dinë për ne, dhe asaj që dimë ne mbi veten.

Dhe pastaj duhet të kufizojmë fuqinë e shumëkombësheve dhe qeverive, me lëvizje dhe parti që e vendosin zhvillimin e teknologjive në krye të rendit të ditës, dhe që e ndihmojnë qytetarin të mbrohet nga depërtimet e tyre në jetën tonë. Kjo gjë nuk është fantashkencë, do të ndodhë. Dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë për një antivirus bioteknologjik.

Duke pasur parasysh dyshimet tuaja mbi mënyrën se si shoqëritë sociale dhe qeveritë mund t’i përdorin të dhënat tona, unë ju pyes:ju tremb më shumë një rikonfirmim në Shtëpinë e  Bardhë i Trumpit, apo një fitore surprizë e Mark Zukerbergut?

Për momentin Zukerberg nuk përfaqëson askënd. Nëse ai do të zgjidhej nga shumica e votuesve, kjo do të ishte një histori tjetër. Megjithatë është një problem, që dikush që nuk është zgjedhur me vota ka kaq shumë pushtet. Në lidhje me Trumpin, unë nuk jam ekspert i ekonomisë, dhe nuk e di se si po qeveris ai, por kam frikë nga veprimet e tij në skenën globale, nga tërheqja nga bashkëpunimi global.

Nëse votuesit amerikanë do ta mbështesin këtë linjë, SHBA-ja do të hiqte dorë nga të qenit gardiania e botës, dhe kur kjo e fundit të ketë nevojë për një udhëheqës, kujt do t’i drejtohet? Trump ose Zuckerberg… Do të frikësohesha nëse do të më duhej të zgjidhja midis të dyve. Shpresoj që amerikanët të gjejnë një alternativë të tretë. / La Lettura – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si u forcua nga futbolli dinastia e drogës së Pablo Escobar

Publikuar

-

Nga

Të gjithë e njohin historinë e narko-trafikantit më të madh në vitet 80-90, ai që gjunjëzoi për një farë kohe shtetin kolumbian dhe që e pa futbollin si një mundësi argëtimi. Bëhet fjalë për Pablo Escobar, baroni më i njohur i cili u përfshi në lojën më të bukur, edhe sot e kësaj dite ai ka lënë një trashëgimi në futbollin kolumbian.Është një përrallë e pastrimit të parave, suksese ndërkombëtare… dhe një gjyqtar i vrarë.

Një dokumentar i vjetër i ESPN, “The Two Escobars”, tregoi historinë e kriminelit më të pasur në histori dhe se si bota e errët e drogës përfundimisht mori përsipër dashurinë e tij për futbollin.

“Pablo gjithmonë e donte futbollin. Këpucët e tij të para ishin këpucë me taka. Ai vdiq po me këpucë futbolli, “tha motra e Escobar, Luz Maria.

Regjimi i Escobar po siguronte 80 përqind të kokainës në SHBA dhe ai grumbulloi një pasuri të raportuar 50 biliardë dollarë. Këtu filloi përfshirja e tij me botën e futbollit: thjesht duke i kthyer komunitetit, ku ai ndërtoi terrene në lagjet e varfra.Mbi të gjitha, ata që ishin më afër tij thanë se ai kishte një ndërgjegje të duhur shoqërore.

Futbollistët  e ardhshëm të përfaqësueses kolumbiane do të merrnin formën e duhur  në fushat që ndërtoi Escobar. Pretendohet se një ndër to është portieri legjendar i përfaqësueses kolumbiane Rene Higuita. I njohur edhe për atë pritje në stilin e “akrepit”.

Rene Higuita

Por së shpejti, Escobar e kuptoi se mund të përdorë futbollin si një mjet për të pastruar shuma të mëdha parash. Mbi të gjitha, një klub futbolli mund të deklarojë shuma shumë herë më të mëdha sesa ata në të vërtetë marrin. Pasi Escobar po ndërtonte perandorinë e tij në vitet 1970, ai vendosi të blinte klubin e Atletico Nacional, ekipin e tij të lindjes Medellin. Ai donte të hidhte aq shumë para sa të shndërronte klubin e tij në një nga perandoritë më të mëdha të Amerikës së Jugut.

Nacional, Deportivo Independiente Medellin

LEXO EDHE:  “Vaksina kundër koronavirusit jo vetëm për të pasurit”/ Von der Leyen: Do e çojmë në çdo cep të botës

LEXO EDHE:  “Vihet re stimulim”/ Mjeku zbulon si ndikon vaksina e tuberkulozit ndaj koronavirusit

Escobar nuk u emërua kurrë si president ose drejtor, por u bë shumë i njohur se ai ishte truri – ose të paktën paratë.E tillë ishte vlera e të pasurit një klub futbolli, Escobar mori kontrollin e rivalëve të qytetit të Nacional, Deportivo Independiente Medellin (DIM).Investimi i pamasë i Escobar çoi në fitimin e e klubit të tij në Copa Libertadores në vitin1989. Ata ishin skuadra e parë nga Kolumbia që e fituan atë.

Escobar ishte duke jetuar një ëndërr futbolli. Ai do të priste ndeshje futbolli në fermën e tij me futbollistët e Kombëtares me një bast që shkonte deri në 1 milion dollarë. Më vonë, ai do ta ftonte Diego Maradona në burgun e tij të ndërtuar privatisht për të luajtur një ndeshje dhe më pas të bashkohej në party-t që zhvillonte shoqëruar me femrat më të bukura të atyre viteve. Në një ndeshje që skuadra e tij po zhvillonte për kampionat, pretendohej se drejtuesi i një karteli rival I kishte dhënë ryshfet një gjyqtari, Escobar urdhëroi që arbitri të vritej.

Arbitri i vrarë Alvaro Ortega

“Arbitri e dënoi skuadrën. Pablo na tha ta gjejmë atë dhe ta vrisnim, “tha një prej vrasësve të Escobar, i njohur si Popeye.

Arbitri, Alvaro Ortega, u qëllua për vdekje pas ndeshjes.Escobar u vra përfundimisht vetë në 1993, një vit para se të shpresonte të shikonte Kolumbinë në Kupën e Botës. Dominimi i klubit të tij Nacional mbaroi (u desh 11 vjet që ish-klubi i tij të merrte një tjetër titull kampioni.

LEXO TE PLOTE