Connect with Us

Trump: Do të ketë më shumë vdekje ndërsa ekonomia rihapet

Bota

Trump: Do të ketë më shumë vdekje ndërsa ekonomia rihapet

Publikuar

-

Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se ka ardhur koha për të rihapur ekonominë e vendit, edhe nëse kjo do të thotë se më shumë njerëz do të bien viktima të koronavirusit.

“Njerëzit e vendit tonë janë luftëtarë,” u tha presidenti gazetarëve në shtetin e Arizonës. “A do të preken shumë disa njerëz? Po. Por ne duhet ta hapim vendin tonë.”

Ndërsa vizitoi një fabrikë të kompanisë Honeywell në Finiks për të nxjerrë në pah prodhimin masiv të furnizimeve për t’iu përgjigjur pandemisë COVID-19, presidenti Trump deklaroi në një intervistë për ABC News “do të ketë më shumë vdekje” dhe parashikoi se koronavirusi “do të kalojë, me ose pa një vaksinë”.
Në objektin ku prodhohen maska të tipit N95, presidenti u tha punëtorëve se ata janë pjesë e mobilizimit më të madh industrial që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kompanisë Honeywell i është dhënë një kontratë prej 27.4 milion dollarësh për 38 milion maska N95 për tu prodhuar brenda 6 muajve.

Presidenti kishte syze mbrojtëse gjatë turneut në fabrikë, por jo maskë. Vizita e tij erdhi një javë pasi Zëvendëspresidenti Mike Pence u kritikua gjerësisht për mos vendosjen e maskës gjatë një turneu në Klinikën Mayo në Minesota.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se kompania i informoi zyrtarët se nuk kërkohej mbajtja e maskave. Një shenjë në fabrikë, e parë nga gazetarët që shoqëronin presidentin, udhëzon punonjësit: “Ju lutemi vishni maskën tuaj në çdo kohë”.

Pas turneut, një ngjarje e cila i ngjan pjesërisht një tubimi politik me disa punëtorë që e lavdëruar publikisht presidentin, Trump tha: “Kjo pandemi ka nënvizuar rëndësinë jetike të rihapjes së zinxhirit tonë të furnizimit” dhe se ilaçet, furnizimet dhe pajisjet jetike duhet të prodhohen në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë turneut njëditor në Perëndim, presidenti zhvilloi gjithashtu një tryezë të rrumbullakët për çështjet e indianëve të Amerikës, duke njoftuar se territori Navajo do të merrte 600 milion dollarë fonde federale për të luftuar COVID-19.

Territori Indian, i cili ka sovranitet fisnor dhe ka një shtrirje në tre shtete Jugperëndimore, ka një shkallë infeksioni 10 herë më të lartë se ai në Arizona.

Parashikime të debatueshme

Trump bëri një vizitë një-ditore në Arizona mes polemikave mbi numrin e vdekjeve të parashikuara nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.

Një projekt-raport i qeverisë tregon se rastet e koronavirusit do të rriten në rreth 200,000 në ditë deri më 1 qershor me rreth 3,000 vdekje në ditë.

Trump ka thënë se pret që numri i vdekjeve nga pandemia të shkojë deri në 100,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë dhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve po e zhvlerësojnë dokumentin, dhe epidemiologu që krijoi modelin e quan atë një punë në zhvillim e sipër.

LEXO EDHE:  Presidenti Trump largon nga detyra sekretarin Rex Tillerson, në vend të tij vjen shefi i CIA-s

Sekretarja e Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, në një deklaratë, tha se studimi i Universitetit Johns Hopkins “duke u përshkuar nga media si faktik është i bazuar në supozime të gabuara dhe nuk është në asnjë mënyrë përfaqësues i ndonjë parashikimi të qeverisë federale dhe, siç deklaroi Johns Hopkins, duhet të mos merret si parashikim “.

Sekretarja e shtypit thotë se studimi supozon “zbutje zero, domethënë është kryer sikur të mos ishin vendosur udhëzimet federale, asnjë gjurmim kontakti, apo zgjerim të testimit, ndërsa hiqen të gjitha protokollet e izolimit të përcaktuara në udhëzimet për hapjen me faza. Media duhet të jetë më e përgjegjshme në raportimin e saj dhe t’i japë informacionin e plotë publikut amerikan”, tha zonja McEnany.

Justin Lessler i Shkollës Bloomberg të Shëndetit Publik në Universitetin John Hopkins i tha radios NPR, “është sikur dikush të merrte një fotografi në gjysmë të rrugës së punës dhe të nxirrte rezultate.”

Paralajmërimi për Distancimin Social

Zyrtarët e shëndetit publik po paralajmërojnë se hapjet e parakohshme të bizneseve dhe masat relaksuese të distancimit shoqëror mund të shkaktojnë rritje të infeksioneve, madje edhe në komunitetet që deri më tani kanë qenë relativisht të paprekura nga koronavirusi, për të cilin nuk ka vaksinë.

“Sa vdekje dhe sa vuajtje jemi të gatshëm të pranojmë për t’iu rikthyer asaj që dëshirojmë të jetë një formë e normalitetit më shpejt sesa më vonë,” tha Dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në CNN.

Megjithatë, një numër në rritje guvernatorësh po rihapin shtetet e tyre.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, po tregohet më i kujdesshëm.
“Sa më shpejt të rihapemi, aq më e ulët do të jetë kostoja ekonomike, por më e lartë do të jetë kostoja njerëzore sepse do të ketë më shumë jetë të humbura”, tha ai të martën. “Ky, miqtë e mi, është vendimi që po marrim në të vërtetë. Cili është ai ekuilibër? Cili është shkëmbimi?”

Përafërsisht 1.2 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara konfirmohet se janë infektuar nga koronavirusi me më shumë se 70,000 vdekje të raportuara.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po diskuton shpërndarjen e grupit të punës për koronavirusin, në Ditën e Përkujtimit, që është 25 maji.

I pyetur nëse dy mjekë të shquar, Anthony Fauci dhe Deborah Birx, do të përfshihen ende në udhëheqjen e fushatës së qeverisë kundër koronavirusit, Trump u përgjigj, “Ata do të jenë ashtu siç do të jenë edhe mjekët e tjerë dhe ekspertët e tjerë të fushës”, tha presidenti Trump në Arizona./VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Ishte në prag të zbulimit të madh për Covid/ Ekzekutohet brutalisht studiuesi i koronavirusit

Publikuar

-

Nga

Një studiues i mirënjohur i Universitetit të Pittsburgh Qendrës Mjekësore i cili ishte në prag të ‘gjetjeve shumë domethënëse’ të lidhura me koronavirusin, u gjet i pajetë.

Dr Bing Liu, 37 vjeç, ishte i vetëm në shtëpinë e tij në Ross Township, kur një burrë  i identifikuar si  Hao Gu dyshohet se hyri në shtëpinë e tij dhe qëlloi mbi të.

Sipas Daily Mail, Liu u qëllua me plumba në kokë, qafë dhe humbi jetën nga plagët e marra.
Liu ishte një profesor asistent kërkimesh në Departamentin e Biologjisë Informatike dhe Sistemeve të UPMC, sipas një deklarate të lëshuar nga punëdhënësi i tij që njoftoi vdekjen e tij të parakohshme

Para se të vritej ai kishte raportuar se ishte në faza të avancuara të zbulimit të Covid-19, tha universiteti.

LEXO EDHE:  Organizimi i Diasporës me paratë e Soros, kundër Trump/ Goxhaj: Askush nuk flet

LEXO EDHE:  Kush e çoi Lulzim Bashën tek Trump?/ Zbulohen detaje për turkun dhe lidhjet e mikut të Lulit me këshilltarin e dënuar të Presidentit amerikan

“Bing ishte në prag të zbulimeve serioze mbi mekanizmat e SARS -CoV-2 dhe komplikacioneve të tij. Ne do të përpiqemi të përfundojmë punën e nisur prej tij, në formë homazhi ndaj punës së tij të shkëlqyer shkencore”, tha në një deklaratë departamenti i tij.

Universiteti i Pittsburgh e përshkruante Liu si studiues të shkëlqyer, dhe ekspert në modelet kompjuterike të dinamikës së sistemeve biologjike.
“Humbja e tij do të ndihet në të gjithë komunitetin shkencor”. Hetuesit thanë se Liu dhe personi që e vrau, e njihnin njëri-tjetrin por policia nuk ka ende një motiv të saktë mbi rrethanat. Autoritetet thanë se janë ende duke hetuar./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Bota

Gjermania po provon një mënyrë të moderuar për të dalë nga kufizimet

Publikuar

-

Nga

Shumë lande federale po krijojnë fakte para diskutimit të radhës në Berlin mbi zbutjen e kufizimeve të Coronas. Në Lindje hapen hotelet, në Bavari kopshtet e birrës dhe Baden-Württemberg-u lejon sporte në natyrë.
Qeveria Federale me sa duket dëshiron ta bëjë të varur lehtësimin e mëtejshëm të masave nga zhvillimi i shifrave të infeksionit. Një takim përkatës i kryeministrave të landeve me kancelaren Angela Merkel për të diskutuar se si të procedohet është planifikuar për të mërkurën. Sidoqoftë, disa lande federale tashmë po nxitojnë me masa konkrete të veçuara, për t’u rikthyer në normalitet.

Në Bavari, qeveria e landit ka vendosur të hapë përsëri kopshtet e birrës nga data 18 maj, me kushte të caktuara. Kryeministri Markus Söder (CSU) tha pas një mbledhjeje të kabinetit se kufizimi i mëparshëm i daljes nuk do të zbatohet më nga e mërkura. Sipas qeverisë së shtetit, hotelet, apartamentet për pushime dhe sheshet e kampeve mund të përdoren përsëri nga data 30 maj. Edhe institucionet e kohës së lirë si kështjellat dhe parqet argëtuese mund të hapin portat e tyre. Koncepti bavarez gjithashtu siguron relaksim për shkollat, azilet dhe shitësit me pakicë.

Bavaria është landi me numrin më të madh të infektimeve me virusin Corona dhe me më shumë vdekje. Söder theksoi se kufizimet e javëve të kaluara kanë qenë një sukses i madh. “Corona është nën kontroll”. Kjo bën të mundur guximin për të ndërmarrë hapa të kujdesshëm drejt hapjes.

Vendime të ndryshme

Bremen vendosi të hapë sërish sheshet e lojërave dhe muzetë. Edhe kryetari i Bashkisë së Hamburgut Peter Tschentscher (SPD) tha që Hamburgu është i gatshëm nga e mërkura të ndërmarrë “hapa më të mëdhenj” sesa kohët e fundit në sektorët e shkollave, kopshteve ditore, sporteve dhe gastronomisë. Ai mendon se hapja e hoteleve në maj është “e përfytyrueshme”.
Sipas kryeministrit Winfried Kretschmann (Të Gjelbrit), restorantet në Baden-Württemberg gjithashtu mund të shpresojnë për një rihapje së shpejti. Nga java tjetër, sportet në natyrë pa kontakt si tenisi dhe golfi do të lejohen përsëri. Në Saksoni-Anhalt, turizmi duhet të rifillojë gradualisht nga 15 maji. Nga 22 maji, restorantet gjithashtu mund të hapen përsëri. Mecklenburg-Pomerania Perëndimore kishte vendosur që të hënën në mbrëmje që restorantet dhe baret mund të rihapen nga e shtuna. Nga data 18 maj, hotelet, pensionet dhe apartamentet e pushimeve duhet të jenë në gjendje të akomodojnë përsëri mysafirët vendas. Saksonia e Ulët kishte njoftuar më parë se do të rihapte restorantet që nga e hëna. Edhe apartamentet e pushimeve mund të përdoren përsëri.

LEXO EDHE:  Qeveria “shkarkon” kryebashkiakët me borxhe/ Nëse nuk paguajnë detyrimet caktohet administrator

LEXO EDHE:  Dhoma e Avokatisë padit qeverinë për vendimin mbi TVSH-në

“Mbajtja e distancës është jeta e re e përditshme”

Instituti Robert Koch (RKI) e vlerëson pozitivisht zhvillimin e numrit të infektimeve me Corona në Gjermani. “Numri i infekstimeve të raportuara vazhdon të ulet. Ky është një lajm shumë i mirë,” tha Presidenti i RKI Lothar Wieler në një konferencë shtypi në Berlin.

Në javët e kaluara, u raportuan në RKI çdo ditë midis 700 dhe 1600 raste. Të hënën ishin 685. Shkalla e riprodhimit vlerësohet aktualisht në 0,71 – kjo do të thotë se mesatarisht jo çdo pacient me Corona e kalon virusin te një person tjetër dhe se patogjeni përhapet më ngadalë. Shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm është që të respektohen edhe më tej rregullat e distancës. “Mbajtja e distancës është rutina e re e përditshme,” tha Wieler. “Kjo me siguri do të na shoqërojë edhe për disa muaj të tjerë.”/DW

LEXO TE PLOTE

Bota

Sharje, fyerje dhe kërcënime ndaj gazetarëve në Slloveni

Publikuar

-

Nga

Blaž Zgaga, fitues i çmimit Freedom of Speech Award (FOSA) nga Deutsche Welle, po përballet me fyerje dhe kërcënime, sepse ka kritikuar qeverinë për masat e krizës për Coronën.
Gazetarë sllovenë që nuk pajtohen me qeverinë e tyre po përballen këto ditë në Twitter ose Facebook me të shara, fyerje e madje edhe kërcënime me vdekje. Kjo vlen edhe për yjet e televizionit publik. Sikur të mos mjaftonin këto kërcënime edhe kryeministri u dha gazetarëve një goditje të fuqishme: “Nën patronazhin e së majtës ekstreme RTV Slovenija është bërë një nxitës qendror i urrejtjes dhe kërcënimeve”. Sipas tij radio-televizioni publik slloven RTV Slovenija, është pjesë e një “grupi ogurzi” që kërcënon “shëndetin dhe jetën” gjatë epidemisë së Coronës.

Epidemia si pretekst

Askund në Evropë lufta për masat e krizës për Coronën nuk po zhvillohet kaq e fortë sa në Slloveni. Kryeministri i ri, Janez Janša, ka vetëm gjashtë javë në detyrë dhe po përpiqet të përdorë momentin për të zgjeruar më tej pushtetin e tij. Epidemia është një mundësi unike për ta bërë këtë: armiku është virusi, dhe kushdo që kritikon qeverinë është i lidhur me virusin. Edhe emërimet dhe largimet nga detyra në televizionin publik justifikohen me gjendjen e emergjencës. Në kohë normale shanset për ndryshime të tilla do të ishin të pakta. Janša udhëheq një koalicion të dobët prej tre partish. Me qëllimet e tij nacionaliste të djathta dhe qeverisjen autoritare, 61-vjeçari nuk ka as shumicë në qeveri, e lëre më popullsi.
Sapo u bë e njohur se gazetari investigativ Blaž Zgaga u nderua me çmimin Freedom of Speech Award (FOSA) nga Deutsche Welle, ai u godit në mediat sociale me një sulm të stilit rus. “Fakti që Zgaga mori çmimin është dëshmi se askush nuk di sllovenisht në Deutsche Welle” – u shpreh p.sh. një deputet i partisë qeveritare. Qindra trollë nga llogari të rreme po shajnë këto ditë “lajmet e rreme të drejtuara nga George Soros”.

LEXO EDHE:  Presidenti Trump largon nga detyra sekretarin Rex Tillerson, në vend të tij vjen shefi i CIA-s

LEXO EDHE:  Emigranti durrsak qytetar dhe biznesmen i sukseshëm italian

Fushata qeveritare

Burimi kryesor i fushatave është radiostacioni privat Nova24, i themeluar pesë vjet më parë sipas modelit të FoxNews në SHBA për të thyer hegjemoninë e mediave liberale. Nova24 sulmon refugjatët, homoseksualët dhe romët dhe financohet nga partia e Janšas SDS, e cila është e afërt me Orbánin. Në mes të marsit shefi i Nova24 Aleš Hojs, një nga twitteristët më të etur, u bë ministër i Brendshëm në qeverinë e drejtuar nga SDS.

Sulme personale kundër Zgagas

Blaž Zgaga është figurë e urruyer për kampin e Janšas pasi zbuloi një skandal për blerjen e tankeve finlandeze më shumë se dhjetë vjet më parë. Ekspertiza e tij ishte e padiskutueshme: me një koleg të radios, ai botoi tri vëllime mbi kontrabandën e armëve në kohën e luftërave në Jugosllavi – një vepër standarde me më shumë se 1.300 faqe e hulumtuar me përpikëri. Që nga ajo kohë, ish-redaktori i gazetës së Mariborit “Večer” ka shkruar kryesisht për mediat e huaja, përfshirë “Spiegel” dhe “Guardian”. Në shkrimet e tij ai nuk është marrë vetëm me Janšan dhe kampin e tij – por edhe me ish-presidentin Milan Kuçan, i cili qe përfshirë në një tregti armësh. Kur gazetari shkruajti për korrupsionin në furnizimin me aparate frymëmarrjeje në fillim të muajit prill, kryeministri Janša e sulmoi personalisht atë – një veprim i palejueshëm për qeveritë demokratike. Zgaga “i përtyp gënjeshtrat e tij për dekada të tëra”, shkroi kryeministri në Twitter.

Në intervistë me DW, Zgaga tha se jeton në një izolim të dyfishtë: “Nga njëra anë për shkak të Coronës, nga ana tjetër për shkak të kërcënimeve që mora. Për ca kohë guxoja të dilja nga banesa vetëm natën”. Ai është i vetëdijshëm se politika nganjëherë ka si qëllim frikësimin e gazetarëve dhe shmangien e kritikave ndaj shtetit. “Ne të gjithë duhet të jetojmë të frikësuar, qëllimi është një diktaturë e frikës,” tha gazetari investigativ, fitues i çmimit Freedom of Speech Award./DW

LEXO TE PLOTE