LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rikthimi në banka dhe provimet/ Zv.ministrja e Ekonomisë njoftim për shkollat profesionale

30 Prill 2020, 19:30, Sociale CNA
Rikthimi në banka dhe provimet/ Zv.ministrja e Ekonomisë njoftim

“35 shkollat profesionale në vend do të hapen vetëm për maturantët nga data 18 maj deri në datën 5 qershor”.

Kështu deklaroi zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, duke u bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit.

Sorensen informoi se viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020 për të gjithë nxënësit, ndërsa provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen mes datave 8 dhe 18 qershor 2020.

“Në mënyrë që provimi i maturës të jetë sa më i drejtë për maturantët dhe ata të kenë mundësinë për t?u përgatitur, është vendosur hapja e shkollave vetëm për nxënësit e klasave e 13-ta, pra për maturantët, në periudhën 18 qershor deri në 5 maj, gjatë së cilës do të punohet vetëm për lëndët e Maturës Shtetërore dhe me plan-programet e reja që nuk përmbajnë temat e zhvilluara në kushte shtëpie. Mësimi nga shtëpia do të vazhdojë për të gjithë nxënësit e klasave 10-12 deri në fund të majit, duke planifikuar të mbyllet dy javë më herët se sa parashikimet në mënyrë që të krijohet mundësia që mësuesit të shkojnë nëpër shkolla dhe të bëjnë të gjithë punën administrative të hedhjes së notave dhe kalkulimit të vlerësimeve përfundimtare”, njoftoi ajo.

Zv.ministrja tha se hapja e pjesshme e shkollave do të realizohet duke zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat e distancimit social dhe kushtet higjieno-sanitare nëpër shkolla, për 4200 maturantë në 35 shkolla.

Do të sigurohet minimumi 1.5 m largësi mes nxënësve, ashtu siç parashihet nga rregullat e institucioneve shtetërore, dhe numri i nxënësve për klasë të mos jetë më shumë se 10-12 nxënës (apo maksimumi 15 nxënës për klasë, në rastet kur klasa ofron hapësirë të mjaftueshme). Duke konsideruar situatën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, për të mbështetur proçesin e vijimit të mësimit online dhe realizimin e Provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale dhe të Provimeve të Niveleve në shkollat profesionale, udhëzimet janë si më poshtë:

Mësimi në kushtet e shtëpisë do të vazhdojë në përputhje me udhëzimet e mëparshme duke synuar një pjesemarrje sa më të madhe dhe sa më aktive të nxënësve. Nga data 4 maj, duke filluar me mësim nga shtëpia dhe pastaj në shkollë me datë 18 maj, puna me maturantët do të fokusohet në provimet e Maturës Shtetërore. Për nxënësit Maturantë, parapërgatitja, për vitin shkollor në vijim, nuk do të përfshijë temat mësimore të trajtuara gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë.

Për periudhën e mbetur deri në datat e provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të synohet përfshirja dhe mbështetja sa më e madhe e nxënësve maturantë që kanë patur vështirësi dhe pamundësi për tu angazhuar në mësimin në kushtet e shtëpisë. Modalitetet e realizimit të provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale do të jenë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë”, theksoi ajo, ndërsa foli edhe për provimet e studentëve.

“Provimi i Praktikës Profesionale të Integruar i Nivelit nuk do të zhvillohet në vitin shkollor 2019. Për të gjithë nxënësit (përfshirë dhe nxënësit maturantë), nota e këtij provimi praktik do të llogaritet si mesatare e thjeshtë, e rrumbullakosur, e notave të moduleve praktike që nxënësi ka përmbushur në nivelin përkatës. Provimi i Teorisë Profesionale të Integruar i Nivelit, për vitin shkollor në vijim, do të zhvillohet online. Përgatitja e testeve teorike, realizimi i provimit, korigjimi dhe nxjerrja e rezultateve do të kryhen nga vetë shkollat, bazuar në Programet Orientuese përkatëse dhe sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe të Agjencisë Kombëtare të AFP dhe Kualifikimeve.

Nota përfundimtare e Provimit të Teorisë Profesionale të Integruar të Nivelit për çdo nxënës do të llogaritet duke marrë në konsideratë jo vetëm rezultatet e provimit të teorisë profesionale online, por edhe mesataren e notave në lëndët profesionale të përfshira në Programin Orientues përkatës. Për nxënësit që do ta kenë të pamundur të marrin pjesë në provimin e teorisë profesionale online, në përshtatje me rrethanat dhe kushtet që do të krijohen në vijim, do të jepen udhëzime të mëtejshme për të mundësuar edhe realizimin e këtij provimi dhe nxjerrjen e notës përfundimtare përkatëse”, nënvizoi Dajna Sorensen./ CNA.al

Lajmet e fundit nga