Connect with Us

Pastrimi i parave, si risk në kohën e Covid-19/ Shqipëria “legalizon” kriptomonedhat e bashkë me to, edhe riskun e pastrimit të parave

Ekonomi

Pastrimi i parave, si risk në kohën e Covid-19/ Shqipëria “legalizon” kriptomonedhat e bashkë me to, edhe riskun e pastrimit të parave

Publikuar

-

Koronavirusi, që është kthyer në epiqendër të zhvillimeve globale, ka vënë alarmin në disa aspekte. Përveç emergjencës shëndetësore dhe efekteve jashtëzakonisht negative në ekonomi, edhe rreziku i pastrimit të parave është cilësuar si fenomen ndaj të cilit duhet të shtohet vigjilenca.

Task Forca për Veprim Financiar, në një deklaratë të gjatë, u kërkoi të gjitha vendeve anëtare që të punojnë me institucionet financiare dhe bizneset për të përballuar situatën ndaj COVID-19, por edhe për të treguar kujdes maksimal ndaj rreziqeve të reja të financimit të jashtëligjshëm.

Me vende anëtare, FAFT nënkupton të gjitha vendet që janë pjesë e programeve të saj, apo Moneyval, në angazhimin për të luftuar dhe për të parandaluar fenomenin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit dhe në këtë listë, bën pjesë edhe Shqipëria. Kujtojmë që vjet, pak javë më parë, Shqipëria u rikthye në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave, për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar.

Por çfarë është lista gri dhe çfarë do të thotë monitorim i zgjeruar? Kjo do të thotë që vendet të cilat përfshihen në këtë listë do të punojnë ngushtësisht me FAFT, për të adresuar dobësitë e gjetura në regjimet e tyre sa i takon parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. “Kur FAFT vendos një vend nën monitorim të zgjeruar, do të thotë që ky vend ka marrë angazhimin që të zgjidhë me shpejtësi dobësitë strategjike të konstatuara brenda një afati të rënë dakord më parë.

Ajo që ndodh është që pranë FAFT, vendet e “listës gri” raportojnë në mënyrë periodike mbi masat e marra, ndërkohë që merret në vlerësim zbatimi korrekt i kalendarit të rënë dakord për përmbushjen e angazhimeve. Si një vend anëtar i Moneyval, që është një trupë më e zgjeruar monitorimi nën Këshillin e Europës, që fillimisht shërbente si monitoruese e punës së Task Forcës për Veprim Financiar dhe nga viti 2006, u bë një anëtare e asociuar e FAFT, edhe Shqipëria duhet të tregojë vigjilencë ndaj aspekteve që thekson FAFT në këtë kohë të koronavirusit. Më poshtë, është një deklaratë e plotë e Presidentit të Task Forcës Financiare (FATF).

COVID-19 dhe masat për të luftuar financimin e paligjshëm
Anëtarët e FATF, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, po aplikojnë çdo burim në dispozicion për të luftuar pandeminë COVID-19. Si përcaktues i standardit global për luftimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit dhe përhapjes së tij,

FATF inkurajon qeveritë që të punojnë me institucionet financiare dhe bizneset e tjera, për të përdorur fleksibilitetin e ndërtuar për të përballuar sfidat e paraqitura nga COVID-19, njëkohësisht duke pasur vëmendje dhe kujdes maksimal ndaj rreziqeve të reja të financimit të jashtëligjshëm.

FATF inkurajon përdorim sa më të plotë të ndërgjegjësimit dixhital të klientëve dhe ofrimin e shërbimeve financiare dixhitale duke respektuar çdo masë distancuese sociale. Në një kohë kur lehtësimi i kritikave si brenda vendeve ashtu edhe jashtë tyre është shumë i nevojshëm, zbatimi efektiv i Standardeve FATF nxit transparencë më të madhe në transaksionet financiare, gjë kjo që u jep donatorëve besim më të madh, se mbështetja e tyre po merret nga ata që kanë më shumë nevojë. Zbatimi i vazhdueshëm i Standardeve FATF lehtëson integritetin dhe sigurinë e sistemit global të pagesave gjatë dhe pas pandemisë përmes kanaleve legjitime dhe transparente.

Rreziqet e krimit financiar të lidhura me me COVID-19
Kriminelët janë duke përfituar nga pandemia COVID-19, për të kryer mashtrime, duke përfshirë reklamimin dhe trafikimin e ilaçeve të falsifikuara, duke ofruar mundësi investimesh, të cilat janë thjesht mashtrime dhe të angazhohen në skema mashtrimi, që kanë si subjekt kryesor frikën e shkaktuar nga virusi, me qëllim që të marrim sa më shumë informacione nga njerëzit.

Krimet kibernetike, mbledhja e fondeve për bamirësi të rreme dhe mashtrime të ndryshme mjekësore, që kanë si objektiv viktimat e pafajshme, ka shumë mundësi që të rriten, me kriminelët që përpiqen të përfitojnë nga pandemia, duke shfrytëzuar njerëzit që kanë nevojë urgjente për kujdes dhe vullnetin e mirë të publikut të gjerë dhe përhapjen e informacioneve të rreme mbi COVID -19.

Autoritetet kombëtare dhe organet ndërkombëtare janë duke paralajmëruar qytetarët dhe bizneset sa i takon këtyre keqinformacioneve, të cilat përfshijnë mashtrime, investime të rreme, si dhe tregtim të brendshëm në lidhje me COVID-19. Ashtu si kriminelët, edhe terroristët gjithashtu mund t’i shfrytëzojnë këto mundësi për të mbledhur fonde.

Mbikëqyrësit, njësitë e inteligjencës financiare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të vazhdojnë të ndajnë informacione me sektorin privat për t’u dhënë përparësi rreziqeve kryesore që lidhen me pastrimin e parave dhe rreziqet e financimit të terrorizmit të lidhura me COVID-19.

Për më tepër, kriminelët dhe terroristët mund të kërkojnë të shfrytëzojnë boshllëqet dhe dobësitë në sistemet kombëtare kundër pastrimit të parave / kundërfinancimit të terrorizmit (AML / CFT), teksa ata supozojnë se burimet janë të përqendruara diku tjetër, duke e bërë më të rëndësishme se kurrë mbikëqyrjen dhe veprimtarinë e zbatimit të bazuar në risqet e mundshme.

Institucionet financiare dhe bizneset e tjera duhet të qëndrojnë vigjilentë ndaj rreziqeve në zhvillim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe të sigurohen që ata të vazhdojnë lehtësimin, në mënyrë sa më efikase të këtyre rreziqeve dhe të jenë në gjendje të zbulojnë dhe të raportojnë aktivitetet e dyshimta.

Rëndësia e dixhitalizimit
Me njerëzit në të gjithë botën që përballen me kufizime ose masa të rrepta të distancimit social, qasja në shërbime të ndryshme financiare është e vështirë, dhe në mënyrë të panevojshme i ekspozon njerëzit ndaj rrezikut të infeksionit. Përdorimi i pagesave dixhitale dhe mbi të gjitha, pa kontakt me njeri, zvogëlojnë rrezikun e përhapjes së virusit.

Prandaj, përdorimi i teknologjisë financiare (Fintech) ofron mundësi të konsiderueshme për të menaxhuar disa nga çështjet e paraqitura nga COVID-19. Në përputhje me Standardet FATF, FATF inkurajon përdorimin e teknologjisë, përfshirë Fintech, Regtech dhe Suptech, në të gjithë potencialin e mundshëm.

FATF publikoi së fundmi udhëzuesin mbi Identitetin Dixhital, ku nënvizohen përfitimet e mundshme të qytetarëve mbi sigurinë, privatësinë dhe komoditetet e identifikimit të njerëzve nga distanca, si për kryerjen e transaksioneve, ashtu edhe për zbutjen e risqeve të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. FATF u bën thirrje vendeve të eksplorojnë përdorimin e identitetit dixhital, sipas rastit, për të ndihmuar transaksionet financiare ndërkohë që menaxhojnë më së miri rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit gjatë kësaj periudhe krize.

LEXO EDHE:  Ahmetaj: Ekonomia u rrit me 4.06%, papunësia ka pësuar rënie

Kur institucionet financiare ose bizneset e tjera identifikojnë risqe më të ulëta të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, Standardet FATF u lejojnë atyre të marrin masa të thjeshtësuara të kujdesit të duhur, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të përshtaten me situatën aktuale. FATF inkurajon vendet dhe ofruesit e shërbimeve financiare për të eksploruar përdorimin e duhur të masave të thjeshtuara, për të lehtësuar shpërndarjen e përfitimeve qeveritare në përgjigje të pandemisë.

Ndihmat përmes organizatave jofitimprurëse
Kjo emergjencë globale e shëndetit publik ka nxjerrë në pah punën shumë të rëndësishme të bamirësve dhe organizatave jofitimprurëse (OJF) për të luftuar COVID-19 dhe pasojat e saj. FATF ka njohur prej kohësh rëndësinë jetike të OJF-ve në ofrimin e shërbimeve bamirëse thelbësore në të gjithë botën, si dhe vështirësitë në ofrimin e asaj ndihme për ata në nevojë.

FATF ka punuar ngushtë me OJF-të ndër vite për të përmirësuar Standardet FATF, për të siguruar fleksibilitet dhe për të siguruar që dhurimet dhe aktivitetet bamirëse mund të vazhdojnë në mënyrë të shpejtë, përmes kanaleve legjitime dhe transparente dhe pa asnjë ndërprerje. Është e rëndësishme të pranohet që Standardet FATF nuk kërkojnë që të gjithë OJF-të të konsiderohen me rrezik të lartë dhe që shumica e tyre kanë pak, ose aspak rrezik, në drejtim të financimit të terrorizmit.

Qëllimi i Standardeve FATF nuk është të parandalojë të gjitha transaksionet financiare me juridiksione ku mund të ekzistojnë rreziqe të larta të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, por përkundrazi të sigurohen që këto të bëhen përmes kanaleve legjitime dhe transparente, si dhe paratë të arrijnë te përfituesit e ligjshëm.

Autoritetet kombëtare dhe institucionet financiare duhet të zbatojnë një qasje të bazuar te risku, për të siguruar që veprimtaria e ligjshme e OJF-ve të mos vonohet, të ndërpritet ose dekurajohet në mënyrë të panevojshme. FATF inkurajon vendet që të punojnë me OJF-të përkatëse për të siguruar që ndihma të jepet tek ata që kanë vërtet nevojë dhe mbi të gjitha, që i gjithë ky proces të bëhet në mënyrë sa më transparente.

Këshilla të nevojshme
Rregullatorët, mbikëqyrësit, njësitë e inteligjencës financiare, autoritetet e zbatimit të ligjit dhe agjencitë e tjera përkatëse mund të ofrojnë mbështetje, udhëzim dhe ndihmë për sektorin privat, se si do të zbatohen ligjet dhe rregulloret kombëtare gjatë krizës aktuale.

Një udhëzim i tillë mund t’i sigurojë institucioneve financiare dhe bizneseve të tjera që autoritetet të ndajnë, në mënyrën më të mirë të mundshme punën, sfidat dhe rreziqet e përfshira në situatën aktuale, dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura. Autoritetet, në disa vende, kanë ndërmarrë masa të tilla brenda një kohe të shpejtë dhe i kanë dhënë këto lloj udhëzimesh. Mekanizmat me të cilët viktimat, institucionet financiare dhe bizneset e tjera mund të raportojnë mashtrimet e lidhura me COVID-19 mund të jenë veçanërisht të dobishme në këtë drejtim.

Në nivelin ndërkombëtar, FATF është duke punuar me Komitetin mbi Pagesat dhe Infrastrukturat e Tregut dhe Bankën Botërore, për të ndihmuar në sigurimin e përgjigjeve të koordinuara të politikës, për ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve të pagesave më të rëndësishme, në këtë kohë krize të pandemisë së COVID-19.

FATF, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara po punojnë për të lehtësuar ndikimet e krizës COVID-19. Për më tepër, FATF po punon me anëtarët e saj dhe Organet Rajonale të FATF-së për të identifikuar dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira në përgjigje të çështjeve të zakonshme, me të cilat po përballen shumica e vendeve të prekura.

Angazhimi i FATF për të mbështetur përpjekjet në drejtim të çështjeve të COVID-19
FATF është e gatshme të sigurojë udhëzime të mëtejshme për të mbështetur përpjekjet aktuale globale, për të trajtuar krizën COVID-19 dhe efektet e saj, dhe mirëpret çdo reagim dhe këshillim të mundshëm në këtë drejtim.

Shqipëria “legalizon” kriptomonedhat e bashkë me to, edhe riskun e pastrimit të parave
Autoritetet shqiptare kanë vendosur që të rregullojnë me ligj, një fushë që deri tani ishte jashtë ndonjë kuadri rregullator. Në Kuvend ka mbërritur projektligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili legjitimon kriptomonedhat. Në relacion thuhet se synohet të bëhet rregullimi me ligj, ndalimi në rast abuzimi dhe marrja e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to, duke nënvizuar se rregullimi është variant që po përqafohet në shumë vende si alternativë për kontrollin dhe mbarëvajtjen.

Tokenët dixhitalë dhe monedhat virtuale janë një lloj aktivi virtual, thelbësisht të varur nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” – DLT), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese apo mjet utilitar, në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve, shpjegohet në relacion.

Deri tani, në Europë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Europian. Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019. Por paralelisht me këtë, relacioni pranon se siç ka përfitime ka edhe rreziqe.

“Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” thuhet në relacion.

Në relacion pranohet se pastrimi i parave është një nga rreziqet që lidhet me përdorimin e monedhave virtuale.

Sa i takon vetëm pastrimit të parave, thuhet se projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë-krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave./Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Milot-Fier, të ardhurat e koncesionarit mbi 1.7 miliardë euro/ Shteti do t’i garantojë 121 milionë

Publikuar

-

Nga

Rruga Milot-Fier një afërë korruptive me fitues të paravendosur

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi pas rreth dy javësh nga shpallja zyrtare e procedurës në një aktivitet të posaçëm garën për rrugën Milot-Fier. Në objekt të kontratës do të jetë  “Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë-Kashar- Luzi i Vogël- Fier”. Ashtu sikurse ka ndodhur edhe me kontratat të mëparshme të bëra publike(rasti më i fundit Aeroporti i Vlorës që ka mbetur pezull) shteti ka marrë përsipër të garantojë trafikun e munguar në këtë seksion rrugor.

Sipas dokumenteve qeveria është angazhuar që të garantojë maksimalisht 121 milionë euro për konceisonarin për 17 vitet e para të operimit nga vitit 2024 që parashikohet të jetë viti i parë deri në vitin 2040 teksa të ardhurat bazë përgjatë kësaj periudhe janë vlerësuar 1.7 miliardë euro. Konceisoni ka nje afat 35 vjecar por trafiku do te garantohet per me pak se gjysmen e viteve te operimit.  Kjo është garancia maksimale që ka vlerësuar qeveria në dokumentet e saj dhe si kriter përzgjedhës për operatorin do të funksionojë skema se kush do kërkojë më pak garanci nga shteti.

Sipas tabelës së dhënë nga MIE në vitin e parë të operimit të ardhurat bazë të vlerësuara nga shteti janë 60 milionë euro dhe garancia maksimale nga shteti është 4.2 milionë euro. Në vitin e dytë 2025 të ardhurat e parashikuara janë 62.6 dhe maksimumi që mund të garantojë shteti janë 4.3 milionë euro. E kështu vazhdon logjika me një garanci maksimlae prej 7 për qind të vlerës bazë të të ardhurave deri në 2040 kur parashikohet që vlera bazë e të ardhurave të jetë 1.7 miliardë euro për konceisonarin dhe maksimumi i garancisë që mund të jetë dhënë nga shteti në rast të mungesës së trafikut 121 milionë euro.

LEXO EDHE:  Nga Jorida Tabaku/E vërteta e shifrave, ç’po ndodh me ekonominë?

LEXO EDHE:  Ekspertët studiojnë sistemin imunitar për të dhëna mbi COVID-19

“Koncesionari (fituesi i procedurës se konkurimit) mund të mbështetet nga Shteti, deri në shumën (e Garancisë) përcaktuar në ofertën e tij. Koncesionari mund ta marrë këtë “shumë mbështetëse për garancinë” përgjatë periudhës se Koncesionit dhe mbulon nga viti i pare i operimit deri ne 2040 – vjetore. “Shuma totale për garancinë”’ nuk mund të tejkalojë vlerën 121.324.770 Euro” thuhet në dokumente.

Qeveria ka parashikuar që kjo pjesë pra e garancisë së shtetit të ketë edhe shumicën e pikëve kur vjen puna tek vlerësimi i ofertës financiare me plot 40 pikë.

Sa i takon elementëve të tjerë të ofertës financiare  Garancia e nivelit fillestar (nën nivelin e te ardhurave baze shteti nga viti i pare i operimit deri ne 2040)  vlerësohet me  20 (Njëzet) pike.

“Çdo Ofertues ka të drejtë të përfshijë një “shumë mbështetëse për Garancinë” nga shteti në ofertën e tij. Ofertuesi mund të përcaktojë “nivelin fillestar” në bazë të së cilit mund të kërkojë një pjesë të “shumës mbështetëse” në lidhje me të ardhurat për çdo vit. Kjo do te shprehet si përqindje % sic parapërcaktohet ne tabelën e mëposhtme si baza shtetërore e te ardhurave. Për shembull, nëse një ofertues ofron -10% te te ardhurave të raportuara do të fitojë më shumë pike se një tjetër që ofron – 5%” thuhet në sqarimin e MIE.

Shkalla e tarifës për kilometra për automjet konsiderohet elementi i tretë i ofertës financiare dhe maksimalisht është lënë në nivelin 00.75 euro/km. “Ofertuesi me tarifën më të ulët të kategorisë 2 (dy) “Automjete te lehta, do të vlerësohet me më shumë pikë, ku 0.075 eur/km është niveli maksimal. Cdo oferte mbi nivelin maksimal (0.075 eur/km) do te s’kualifikohet” vlerëson MIE./ Monitor

 

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Qeveria miraton fondin e rindërtimit/ Si do ndahen 4.85 mld lekë në 5 bashki

Publikuar

-

Nga

Qeveria miraton fondin e rindërtimit/ Si do ndahen 4.85 mld lekë në 5 bashki

Këshilli i Ministrave, ka miratuar sot vendimin (lexo ketu) për të akorduar rreth 4.85 miliardë lekë nga Fondi i Rindërtimit, për banesat e ndërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit për pesë bashki në vend, atë të Durrësit, Tiranës, Kavajës, Lezhës dhe Krujës.

Bashkia e Durrësit do të marrë pjesën më të madhe të këtij financimi, 3 220 790 743 (tre miliardë e dyqind e njëzet milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre) lekë.

LEXO EDHE:  Ekspertët studiojnë sistemin imunitar për të dhëna mbi COVID-19

LEXO EDHE:  Lajme të mira/ Numri i të shëruarve nga Covid-19, kalon atë të infektuarve

Bashkisë Tiranë i transferohet fondi prej 703 220 000 (shtatëqind e tre milionë e dyqind e njëzet mijë) lekësh.

Bashkisë Lezhë 249 450 000 (dyqind e dyzet e nëntë milionë e katërqind e pesëdhjetë mijë) lekë.

Bashkisë së Krujës 660 700 000 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë milionë e shtatëqind mijë) lekë.

Ndërsa Bashkia e Kavajës përfiton vlerën më të ulët prej rreth 18 milionë lekë. (tetëmbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

“Borxhi më i lartë se 80%”/ Malaj mesazh qeverisë: Amnistia nuk do e ndihmojë vendin të dalë nga kriza

Publikuar

-

Nga

Kërkoi më shumë pushime për administratën/ Arben Malaj i del në mbrojtje Beqjës

Ish ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar lëvizjen më të fundit të qeverisë në lidhje me amnistinë fiskale.

Në një intervistë për abcnews, Malaj ka theksuar se në kushtet që ndodhet vendi pas pandemisë dhe tërmetit, fokusi te amnistia nuk do na e ndihmojë vendin që të dalë nga kriza.

Sipas tij tashmë kemi një shifër të lartë në lidhje me rënien ekonomike në vendin tonë që e kalon dhe atë të raportit të BERZH.

“Mbi të gjitha duhet të theksoj se reduktimi i ekonomisë informale dhe asaj kriminale janë të shëndetshme për qeverisjen dhe ekonominë e atij vendi, por rruga që ndiqet duket se nuk është  e duhura. Çdo qeveri ka një fokus, ne jemi në kulmin e pandemisë dhe në kulmin e problemeve ekonomike, ku qeveria ka deklaruar se rënia ekonomike do të jetë rreth 10 % edhe më e madhe se ajo që raportoi BERZH të kesh këto probleme dhe të merresh me amnistinë është një çështje që nuk sjell asgjë të re. Ky është një ligj që synon që të marrë disa para në buxhet, nuk ndihmon në reduktimin e ekonomisë informate dhe asaj kriminale.  Qeveria dhe kryeministri kanë humbur fokusin, merret me inaugurime infrastrukture në kohë kur duhet që të merret me fokusin në investimeve në shëndetësi, pasi mund të ndodhë që pandemia dhe të rikthehet”, ka thënë ish ministri.

LEXO EDHE:  Ahmetaj: Ekonomia u rrit me 4.06%, papunësia ka pësuar rënie

LEXO EDHE:  Asambleja e PS/Zbulohen tre qytetet me shqetësimet ekonomike më të larta

Gjithashtu ish ministri ka theksuar se është hera e parë që tashmë qeveria nuk jep statistika reale në lidhje me nivelin ekonomik në të cilën ndodhet vendi.

Ndër të tjera ai e vë theksin edhe tek borxhi publik që thuhet se ka arritur në 80 %, por sipas tij pritet që në mungesë të të dhënave që kemi borxhi mund të jetë më i lartë.

“Është hera e parë në tranzicionin shqiptar që statistikat fiskale të vendit nuk japin statistika reale për të bërë një raport  të qartë, duke filluar me të dhënat për rritjen e borxhit publik. Borxhi për shkak të dy fatkeqësive natyrore tërmeti dhe nga pandemia borxhi do të rritej. Ndërkohë autoritetet Evropiane menjëherë me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për përballimin e pandemisë në shumë vende theksuar se borxhi në shumë vende mund të rritet në lidhje me shëndetësinë por ky borxh nuk do të quhet borxh i keq”, ka thënë Malaj./ CNA.al

LEXO TE PLOTE