LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Paketa e ndihmës duhet të jetë të paktën 1 miliard euro”/ Sherefedin Shehu leksion qeverisë: Si duhet mbështetur biznesi

18 Prill 2020, 12:23, Ekonomi CNA

Nga Sherefedin Shehu

Qeveria po servir paketë pas pakete në vend të një plani anti-krizë me skenare të mundshme dhe kostot përkatëse. Mungesa e një programi anti-krizë të diskutuar me palët e interesuara dhe harmonizuar me mundësitë financiare po e thellon krizën ekonomike dhe vështirëson jetën e qytetarëve.

Kriza po thellohet gjithashtu edhe nga masat e papërgjegjshme buxhetore të bazuara vetëm në rritjen e borxhit publik. Dy rishikimet e buxhetit 2020 nuk kanë shkurtuar apo transferuar asnjë qindarkë nga programet fillestare buxhetore tek programet antikrizë. Ato e kanë rritur buxhetin fillestar me 10 miliardë lekë (rreth 80 milion Euro) dhe borxhin me 30 miliardë lekë (rreth 250 milion Euro).

Ndërsa rritja e garancive me 26.5 miliardë lekë (rreth 212 milion Euro) synon të mashtrojë publikun sepse gjasat për marrjen e  kësaj kredie janë të vogla, por edhe nëse do të merret garancitë e lëshuara nuk do të ekzekutohen në këtë vit buxhetor.

Mbështetja e ofruar deri tani nga Qeveria është vetëm 9 miliardë lekë (rreth 70 milion Euro) përkatësisht 2.5 miliardë lekë për shërbimet shëndetësore dhe 6.5 miliardë lekë për mbështetje sociale. Kjo e fundit ofrohet në mënyrë selektive dhe me një listë të gjatë kushtesh që e bëjnë të pamundur përfitimin e saj. Kështu nga 70 mijë përfitues të propoganduar në paketën e parë deri tani mbështetjen e kanë marrë rreth 20 mijë qytetarë.

Edhe rishikimi i dytë i paketës ofron një pagesë të vetme për disa kategori te shtuara përfituesish (a thua se kriza do zgjasë vetëm 1 muaj) dhe bizneset e mesme dhe të mëdha duhet të marrin kredi me normë interesi të tregut për të paguar punonjësit e tyre pavarës9sht se biznesi është mbyllur apo nuk mund të punojë.

?Paga e luftës? siç e quan Qeveria nuk u jepet të papunëve që më parë ishin informalë. Por, raportet zyrtare të institucioneve ndërkombëtare konfirmojnë se informaliteti në Shqipëri është në kufitë 40-60 për qind. Kështu, vendimi i Qeverisë është diskriminues dhe anti-njerëzor dhe e bën të vështirë jetën e një pjese të konsiderueshme të popullsisë.

Qeveria deri tani ka injoruar mbështetjen për biznesin ndonëse vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare paralajmërojnë një krizë të thellë ekonomike. Kredia e garantuar për pagat është propogandisitike sepse shumica e bizneseve nuk mund ta marrin për shkak të ngarkesë së lartë me kredi të mëparshme ose nuk janë të interesuar ta marrin për shkak të kostos së lartë të saj. Marrjen e kredisë e bëjnë të pamundur edhe kushtet e rënda të garancisë të cilat parashikojnë shtetëzimin e biznesit në rast të pamundësisë për ta shlyer kredinë. Kështu bizneset jo vetëm që nuk lehtësohen por rëndohen me kosto shtesë të krijuara nga vendimmarrja e Qeverisë. E njëjta gjë ndodh edhe me vendimin e Qeverisë që i detyron bankat të mos arkëtojnë kreditë dhe pronarët të mos arkëtojnë qeratë.

Garancia pa kushte lehtësuese dhe shlyerja e saj qoftë edhe me shtetëzimin e biznesit nuk përbën instrumentin e duhur antikrizë. Biznesi duhet të mbështetet me linja të posaçme kredie sipas kategorive të bizneseve dhe mundësisht me periudhë mosshlyerje të paktën 1 vit dhe me interesa zero ose të subvencionuara. Kështu garancia propagandistike duhet të zëvendësohet me një program buxhetor për subvencionimin dhe kreditimin e bizneseve.

Për rimëkëmbjen e turizmit nevojiten subvencione sepse marrja e kredisë është e rrezikshme në kushtet e pasigurisë së konsumatorëve (turistëve). Mbështetja me para në dorë e hotelerisë dhe turizmit do të mundësonte gjithashtu ofrimin prej tyre të paketave të lira që mund të tërheqin turistët. Bujqësia ka nevojë për subvencionim edhe në periudha normale dhe rritja e subvencioneve në këtë periudhë do të garantonte furnizimin e rregullt të tregut dhe çmime optimale. Edhe industri të tjera dhe sidomos fasoneria kanë krijuar stoqe për shkak të rënies së konsumit dhe bllokimit të tregjeve dhe duhen mbështetur mundësisht me subvencione ose të paktën me kredi të buta dhe kushte të tjetra lehtësueses.

Mbështetja e biznesit duhet të plotësohet edhe me mekanizma të tjerë ekonomikë dhe fiskalë. Shtyrja e përkohshme e detyrimeve është e pakuptimtë për bizneset e mbyllura ose që nuk ushtrojnë veprimtari për shkak të ndërprerjes së zinxhirit ekonomik. Kështu ata duhet të konsiderohen si masa të përkohshme dhe të plotësohen me përjashtime të përkohshme të pagesës së tatimeve, kthimin e tatimeve të paguara paradhënie, uljen e përkohshme të normave tatimore, etj. Kështu paketa e stimulimit ekonomik dhe fiskal duhet të garantojë mbijetesën dhe rifillimin e punës të bizneseve.

Rritja e borxhit publik përbën koston më të lartë të krizës e cila do të rëndojë ekonominë edhe në vitet pasardhëse. Ajo është e pashmangshme por Qeveria duhet të marrë borxh pas përdorimit të të gjitha burimeve të tjera. Për të balancuar rritjen e shfrenuar të borxhit që u bë me rishikimin e parë të buxhetit nevojitet shpallja me urgjencë e ngurtësimit të programeve dhe veprimtarive buxhetore që mund të shtyhen në kohë si projektet e investimeve të patenderuara apo kontraktuara, blerjet e mallrave dhe shërbimeve të tjera publike, punësimet e reja, bonuset dhe rritjet e buxhetuara për paga dhe  përfitime të tjera të administratës publike dhe programet e tjera të kësaj natyre. Ngurtësimi duhet të vazhdojë me një rishikim tërësor të buxhetit për shkurtuar me ligj ngurtësimet e shpalluara dhe programet e tjera të identifikuara gjatë rishikimit.

Vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare tregojnë që për vende si Shqipëria ndikimi i pandemisë do të jetë në masën 8-10 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Kështu paketa e financimi të krizës duhet të jetë të paktën 1 miliardë Euro. Kjo duket e madhe por është plotësisht e mundëshme me një rishikim serioz të buxhetit. Kështu vetëm nga përgjysmimi i investimeve publike mund të çlirohen menjëherë 350 milion Euro. Ndërkohë shkurtimet e programeve të tjera buxhetore dhe rritja e arsyeshme e deficitit buxhetor do të krijojnë burime të mjaftueshme për rimëkëmbjen ekonomike dhe sigurimin e likuiditetit në ekonomi.

Lajmet e fundit nga