LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Letra lutëse e motrës së Enver Hoxhës, që t’i falnin të shoqin/ Enveri: Po nuk e vrava atë, nuk vras dot të tjerët

15 Prill 2020, 10:22, Aktualitet CNA
Letra lutëse e motrës së Enver Hoxhës, që t’i

Publikohet historia e panjohur të Bahri Omarit, që nga shkollimi në Stamboll, puna si nënprefekt i Himarës, emigrimi në SHBA-së ku drejtoi gazetën ?Dielli? të Shoqatës Patriotike ?Vatra?, kthimi në Shqipëri dhe zgjedhja si deputet në parlamentin e parë shqiptar, ikja nga Shqipëria pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit dhe emigracioni i gjatë 15 vjeçar në Bari të Italisë si antizogist, kthimi në Shqipëri në vitin 1939-të ku morr pjesë në themelimin e organizatës nacionaliste, ?Balli Kombëtar?, pranimi i postit të ministrit të Punëve të Jashtëme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës në vitin 1944, raportet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, të cilin e priste dhe e strehonte tek shtëpia e Mulletëve ku ai rrinte me qera, mos pranimi i ?ofertës? së mikut të tij të ngushtë, Qazim Mulletit, në shtatorin e viitt 1943, që ai të largohej nga Shqipëria, arrestimi nga partizanët në nëntorin e atij viti, vizita në burg e Nexhmije Hoxhës pas martesës me Enverin, bisedat e Fahrijes me të vëllanë, Enverin dhe më pas me Koci Xoxen për t?i falur jetën Bahriut, lutja zyrtare që ajo bëri për atë gjë dhe dëshmitë publike të Bedri Saphiut, ish-prokurorit të Gjyqit Special, se çfarë i kishte thënë Enveri për pushkatimin e Bahriut dhe fjalët e tij të fundit para ekzekutimit në pasditen e 14 prillit të vitit 1944 te Kodra e Priftit.

Nga Dashnor Kaloçi

Mars 1945. Ende nuk kishin kaluar as katër muaj kur brigadat partizane të Enver Hoxhës kishin hyrë si triumfatorë në Tiranë dhe në të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë, kur në Kinema ?Kosova? të kryeqytetit, do të çelte siparin Gjyqi Special, ku do të gjykoheshin dhe do të dënoheshin ?armiqtë e popullit? . Ç?farë ishte ky gjyq dhe kush ishin të pandehurit që do viheshin aty në bankon e të akuzuarit?

Ende pa u çliruar mirë Tirana, sipas urdhërave që vinin nga Shtabi i Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (me Komandant të Përgjithshëm Enver Hoxhën që asokohe ishte në Berat), që ishte i vendosur diku rrëzë malit të Dajtit në fshatin Priskë, disa skuadra partizanësh u futën nëpër lagjet e Tiranës dhe sipas listave që kishin marrë nga komandat e tyre,  filluan arrestimet ndaj atyre personave, emrat e të cilëve gjendeshin në ato lista. Ish-kryeministra, ministra, deputetë, prefektë, kryetar bashkish, ushtarakë dhe funksionarë të tjerë të lartë që kishin shërbyer që nga qeveria e Ismail Qemalit, ajo e Monarkisë së Mbretit, Zog, e deri tek ajo nën pushtimin gjerman të kryesuar prej Ibrahim bej Biçakut, do të merreshin nga shtëpitë ku banonin dhe me pranga në duar do të dërgoheshin për në zyrat e ?Seksionit të Mbrojtjes së Popullit?, pasi më parë u ishte thënë ?do të vini me ne vetëm për një sqarim??!

Pas 43 ditëve senacash të pandërprera gjyqësore me dyer të hapura aty në Kinema ?Kosova? ku përveç atyre që asistonin në sallën e saj, turma të mëdha njerzish, familjarësh, të afërmish apo thjesht kureshtarësh që e ndiqnin atë në oborrin e jashtëm të saj me anë të artopolantëve që ishin instaluar aty një ditë para fillimit të atij procesi të bujshëm që ishte pasqyruar edhe në dy gazetat kryesore që dilinin asokohe, ?Bashkimi? dhe ?Zëri i Popullit?, më 13 prill, kryetari i gjyqit, gjeneral-leitnant, Koci Xoxe, do të shpallte dënimet. Ku nga 60 personat e pandehur që u gjykuan aty duke u akuzuar si ?kriminelë lufte?, 17 do të dënoheshin me vdekje, me pushkatim, dhe do të ekzekutoheshin vetëm një ditë më vonë diku në veri-lindje të kryeqytetit, në vëndin e quajtur, ?Kodra e Priftit?.

Një ndër gjërat që bëri më shumë përshtypje dhe u duk fillimisht krejt e pabesueshme për të gjithë ata që ndiqnin me mjaft interes zhvillimin e seancave gjyqësore të atij procesi të bujshëm, ishte fakti se në atë listë prej 17 personash që do pushkatoheshin, ishte dhe Bahri Omari, burri i motrës së ?Komandantit?, siç thërritej asokohe gjeneral-kolonel, Enver Hoxha, që i veshur ushtarak dhe me revolverin në brez, drejtonte edhe mbledhjet e qeverisë si kryeministër i saj!

Kush ishte Bahri Omari, ku ishte diplomuar ai, cila ishte e kaluara e tij dhe çfarë raportesh kishte pasur ai me Enverin që nga koha që ishte bërë kunat i tij dhe deri ditën që ai ishte arrestuar si ?armik i popullit në nëtnorin e vitit 1944?! Përse e pushkatoi Enver Hoxha kunatin e tij, Omarin dhe s?i iu përgjigj ai motrës së tij, Fahrijes një ditë pas dhënies së dënimit me vdekje dhe një ditë para pushkatimit, kur ajo i kërkoi të vëllait që t?i falte jetën burrit të saj?! Lidhur me këtë dhe të tjera, bën fjalë ky shkrim të cilën e kemi ndërtuar në bazë të dëshmive që na ka dhënë në vitin 1998, profesor Luan Omari, si dhe një numri të madh dokumentesh arkivore, që na i ka pas dhënë disa vite më vonë, vëllai i tij i ndjerë, Fatosi, me të cilin donim të shkruanim një monografi për të jatin e tyre, Bahri Omarin, gjë të cilën nuk e realizuam dot??!

Diplomohet në Stamboll, nënprefekt në Himarë, dhe Drejtor i ?Dielli? në Boston

I lindur më 10 shkurt të vitit 1889, Bahri Omaroi do të dërgohej për në Stamboll ku pasi mbaroi shkollën ?Rruzhdije? do të ndiqte studimet e larta universitare pranë ?Mylkije Shahanes? duke u diplomuar në vitin 1910-të në degën e ?Administratës? të atij fakulteti, në kryeqëndrën e Perandoroisë Osmane. Pas kthimit në atdhe, diku aty në vitet 1911-1912-të, ai do të emërohej për të shërbyer si nënpunës në administratën shtetërore të krahinës së Kurveleshit dhe pas disa kohësh edhe në detyrën e nënprefektit të Himarës. Pas disa vite pune në atë funksion zyrtar, diku aty nga fillimi i vitit 1914-të, kur kishte filluar edhe Lufta Ballkanike në vorbullën e së cilës ishte përfshirë dhe Shqipëria, pikërisht në periudhën kur andartët grekë hynë në territorin shqiptar duke bërë masakra çnjerzore ndaj popullsisë civile të pambrojtur, Bahriu mundi të arratisej për të mos rënë në duart e tyre, duke emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty në dhe të huaj që asokohe dhe më pas do të bëhej streha e shumë shqiptarëve që për shumë arsye ishin të detyruar ta braktisnin atdheun, Bahriu aderoi në rrethet patriotike të shqiptarëve që ishin të organizuar në Shoqërinë Panshqiptare ?Vatra?, ku drejtuesit e saj i besuan detyrën e drejtorit të  gazetës së saj, ?Dielli?, me qëndër në Boston, duke e drejtuar atë organ që u bë streha e shumë intelektualëve patriot shqiptarë, deri në vitin 1919-të.

Deputet në Parlamentin e parë dhe Asamblist

Në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, apo siç quhej në atë kohë ?Lufta e madhe?, Bahriu do të kthehej në atdhe, duke u rifutur në jetën politike-administrative të vëndit dhe në pranverën e vitit 1921, pasi kishte drejtuar për disa kohë gazetën përparimtare ?Shekulli?, duke qenë vetë një nga editorialistët kryesorë të saj, ai kandidoi si deputet i Gjirokastrës dhe fitoi në zgjedhjet e para parlamentare që u zhvilluan më 21 prill të atij viti. Po kështu dy-tre vite më vonë, më 1923-in, ai zgjidhet si anëtar i Kuvëndit Kushtetues (Asambleja parlamentare) dhe në atë parlament ai u rreshtua përkrah grupit që udhëhiqej nga Fan Noli. Nisur nga ky shkak, në fundin e vitit 1924-, me rikthimin e Zogut në pushtet, Bahri Omari me disa nga miqtë e tij, ish-deputetë, si: Sejfi Vllamasi, Kol Tromara, Sheh Karbunara, etj., u larguan nga Shqipëria dhe u vendos si emigrant politik në Bari të Italisë, ku ishte epiqendra e emigracionit antizogist të gjithë gadishullit apenin. Në atë qytet ku Bahriu ishte një ndër eksponenët kryesor antizogist, ai do të qëndronte për plot 15 vjet, gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe ai ishte një nga  njerëzit më kryesorë të organizatës nacionaliste ?Bashkimi Kombëtar? që u formua prej emigranëtve antizogistë. Në prag të pushtimit të Shqipërisë në prillin e vitit 1939-të, Bahriu ishte një nga ata emigrantë që iu përgjigj pozitivisht letrës që Mbreti Zog iu dërgoi të gjithë patriotëve dhe emigracionit politik shqiptar që ndodheshin jashtë Shqipërisë, në Europë dhe Amerikë, për t?u kthyer në atdhe dhe për t?i bërë ballë rrezikut që po i kanosej.

Kthimi në Shqipëri në ?30-ën dhe themelues i ?Ballit Kombëtar?

Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1939-të, Bahriu do të bashkohej me disa nga miqtë e tij të dikurshëm, si Mit?hat Frashëri, Hasan Dosti, Kol Tromara, Ali Këlcyra, Faik Quku, etj., të cilët do të formonin organizatën nacionalste ?Balli Kombëtar?. Ajo organizatë nacionaliste do të krijohej vetëm pak ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe do të funksiononte si një komitet i fshehtë. Më 5 dhjetor të vitit 1939-të, Bahriu u emërua në funksionin e Anëtarit të Këshillit të Lartë të Shtetit, detyrë të cilën e mbajti deri ditën që ai u caktua si ministër i Punëve të Jashtëme në qeverinë e kryesuar nga Rexhep Mitrovica në vitin 1944. Si një intelektual i formuar dhe erudit me një kulturë të gjerë, njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja (anglisht, frengjisht, italisht dhe turqisht), Bahriu shikonte më tej intersave politike të çastit dhe njohuritë e tij ai i kishte vënë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare që kur ishte në Boston si drejtor editues i gazetës ?Dielli?. Nga ky kontekst, gjatë gjithë periudhës së pushtimit të vëndit, (1939-1944), Bahriu spikati si një nga intelektualët dhe politikanët më në zë të asaj kohe dhe si një nga krerët kryesorë të organizatës nacionaliste ?Balli Kombëtar?, Bahriu ndikoi që ai formacion politik të prirej nga idetë e ideologut francez, Eduart Herjo, që ishte ideologu më i madh i Partisë Radikal-Socialiste, më e madhja parti e qëndrës së asaj kohe në Europë. Që nga viti 1939-të pas kthimit nga Italia, Bahriu nuk shkoi më në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër, por ishte vendosur në Tiranë së bashku me familjen e tij, bashkëshorten Farije Hoxha Omari (me të cilën ishin martuar që në vitin 1923) dhe dy djemtë, Luanin dhe Fatosin. Fahrije Hoxha ishte e motra e Enver Hoxhës, me të cilin Bahriu kishte marrdhënie fare normale dhe e kishte ndihmuar atë me të holla gjatë periudhës që ai ishte me studime në Francë në fillimin e viteve ?30-të, si dhe e kishte pritur disa herë në shtëpinë e tij në Bari të Italisë ku Enveri shkonte jo rrallë.

Shtëpia e Omarit te Mullet-ët, bazë e Enverit dhe ballistëve

Miqësinë me kunatin e tij, Enver Hoxhën, i cili nga nëntori i vitit 1941 ishte bërë kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Bahriu e vazhdoi krejt normalisht edhe gjatë gjithë periudhës së pushtimit deri aty nga viti 1943 dhe Enveri shkonte normalisht tek e motra dhe kunati i tij që banonin në një shtëpi me qera (fare pranë Pazarit të Ri), që Bahriu ia kishte marrë mikut të tij, Qazim Mulletit, që asokohe ishte në funksionin e Prefektit të Tiranës. Në atë shtëpi vinin të gjithë krerët e ?Ballit Kombëtar? si Mit?hat Frashëri, Hasan Dosti, Kol Tromara etj. që ishin edhe miq të ngushtë të Bahriut, si dhe Enver Hoxha që ishte si i shtëpisë aty dhe në katin përdhes, ai priste disa nga krerët kryesorë të Luftës dhe Partisë Komuniste, si Dr. Ymer Dishnicën, Nako Spiron, Ramize Gjebrenë, Masar Shehun, etj., të cilët shumë herë streoheshin në atë bazë ku priteshin si miq nga i zoti i shtëpisë. Kjo gjë, pra frekuentimi që Enveri do t?i bënte shëtpisë së motrës dhe kunatit të tij, si ilegal, do të vazhdonte deri aty nga fillimi i pranverës së vitit 1943, kur marrëdhëniet e raportet në mes krerëve kryesorë të Ballit Kombëtar dhe atyre të Partisë Komuniste Shqiptare do të ashpërsoheshin shumë dhe në atë kohë Enveri do të largohej përfundimisht duke mos shkelur më aty. Bashkë me Enverin nga ajo shtëpi do të largoheshin edhe disa nga miqtë e Bahriut, si Dr. Ymer Dishnica, Nako Spiro etj., bashkëpunëtorë të ngushtë të Enver Hoxhës të cilat ishin gjithashtu dhe në funksione drejtuese në Partinë Komuniste dhe ?Frontin Demokratik? që kryesohej prej saj. Si duket rrugët e tyre këtu do të ndaheshin njëherë e përgjithmonë, pasi ato kishin marrë ?drejtime? të tjera, për të mos u takuar kurrë më me njëri tjetrin! Kështu, aty nga korriku i vitit 1943, pas një sinjalizimi që morri Bahriu nga disa miq të tij (thuhet nga Qazim Mulleti), se ai ishte në një listë emrash që S.I.M.I. (Shërbimi Informativ Ushtarak Italian) se ai do të arrestohej prej tyre, Bahriu largohet fshehurazi nga Tirana dhe me sugjerimin e Mit?hat Frashërit, ai shkon në qytetin e Gjirokastrës ku aktivizohet me organizatën nacionaliste ?Balli Kombëtar? dhe së bashku me Ali Këlcyrën dhe Faik Qukun, vihen në drejtim të asaj organizate duke rakorduar punët dhe veprimtarinë e saj në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Në shtatorin e atij viti, pas kapitullimit të ushtrisë italiane dhe hyrjes së forcave partizane në qytetin e Gjirokastrës, të cilat bënë disa raprezalje nëpër shtëpitë dhe familjet e elementëve nacionalistë të Ballit Kombëtar, duke ekzekutuar dhe disa prej tyre, Bahriu mundi të fshihej pasi e parandjeu rrezikun që po i kanosej. Pas largimit të partizanëve nga qyteti i Gjirokastrës ku hynë forcat gjermane, Bahriu mundi që të largohej fshehurazi që andej dhe shkoj në zonën e Delvinës, nga ku më pas nëpërmjet rrugës së Bregdetit, u kthye për në Tiranë. Rrugës, në afërsi të Vunoit, ai bie në një pritë partizane që ishte organizuar me urdhër për ta vrarë, nga e cila mundi që të shpëtonte duke u plagosur jo lehtë në këmbë. Në Tiranë, Bahriu u vendos përsëri në shtëpinë e Mulletëve ku vazhdonte të ishte me qera familja e tij, bashkëshortja, Fahrija me dy djemtë, Luanin dhe Fatosin

Bahriu pranon postin e Ministrit të Jashtëm

Më datën 8 shkurt të viitt 1944, pas kërkesës së kreut të ?Ballit Kombëtar?, Mithat Frashërit, Bahri Omari pranoi që të merrte pjesë në qeverinë e kryesuar nga kryeministri, Rexhep Mitrovica, duke marrë postin e ministrit të Puneve të Jashtëme në atë kabinet. Në atë funksion, Omari qëndroi tre-katër muaj dhe gjatë gjithë asaj kohe ai nuk i shkëputi lidhjet me disa nga krerët kryesorë të ?Frontit Demokratik? që udhëhiqej nga kunati i tij, si Shefqet Beja, Muharrem Vllamasi, të cilët vinin pa gjë të keqe dhe pa asnjë lloj frike, në shtëpinë e tij, edhe pse ajo ndodhej përballë asaj të Prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit. Tre muaj pasi kishte dalë nga qeveria Mitrovica duke dhënë dorëheqjen, në shtatorin e vitit 1944, miku i ngushtë i tij, Qazim Mulleti, i cili gjithashtu kishte dhënë dorëheqjen nga funksioni i Prefektit të Tiranës, i propozoi që të dy së bashku të largoheshin nga Tirana dhe Shqipëria gjithashtu, pasi siç po shihej, triumfi i forcave partizane të Enver Hoxhës, ishte punë ditësh. Bahriu e refuzoi ofertën e mikut të tij, për disa arsye, ku, pas asaj që ai tashmë ishte i lodhur nga emigracioni i gjatë 15 vjeçar, dhe tjetra, ndoshta dhe më kryesorja, ishte ajo që partizanët që do të vinin në pushtet, do të kryesoheshin prej kunatit të tij, Enver Hoxhës, që tashmë ishte konsoliduar në krye të Partisë Komuniste dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare gjithashtu. Dhe ai nuk kishte pse të ndihej i rrezikuar prej tyre, pasi e ndjente veten krejt të pastër dhe gjatë gjithë jetës së tij, që nga koha e Shpallja e Pavarësisë në 1912-ën, në emigracion në SHBA-ës, duke drejtuar ?Dielli?-n, në emigacionin 15 vjeçar si antizogist, në krye të organizatës nacionlaiste ?Balli Kombëtar? si dhe ato tre katër muaj si anëtar kabineti i qeverisë Mitrovica, ai kishte punuar vetëm për të mirën e Shqipërisë. Por parashikimi që bënte Bahriu, nuk ishte thënë që të dilte ashtu siç ai e mendonte, pasi aty nga fillimi i muajt nëntor të atij viti, kur ende forcat gjermane nuk ishin larguar nga Tirana dhe ato partizane kontrollonin vetëm rrethinat e Tiranës dhe Shtabi i tyre që ishte caktuar për të drejtuar luftimet për çlirimin e kryeqytetit ishte vendosur në fshatin Priskë, një skuadër partizanësh trokiti në orët e vona në portën kryesore të shtëpinë ku banonte Bahriu, duke përsëritur ?refrenin? e njohur ?do të vini me ne në komandë, sa për një sqarim?. Gjë të cilën ata kishin përsëritur gjithë ato ditë, kudo ku shkonin sipas listë që u kishte ardhur nga komanda e tyre.

Enveri: Edhe Bahriu si të tjerët?!

Për disa muaj, deri nga marsi i vitit 1945-së, Bahriu u mbajt i izoluar në Burgun e Vjetër të Tiranës (te ?Mine Peza?) ku ndodheshin të arrestuar edhe shumë nga miqtë e tij, si: ish-kryeministra, ministra, deputetë, prefektë, kryetar bashkish, ushtarakë dhe funksionarë të tjerë të lartë që kishin shërbyer që nga qeveria e Ismail Qemalit, e Monarkisë së Mbretit, Zog, e deri ajo nën pushtimin gjerman të kryesuar prej Ibrahim bej Biçakut. Gjatë asaj kohe që ishte në atë burg, atë e vizitonin herë pas here dhe familja e tij, bashkëshortja, Fahrija, me djalin, Fatosin (Luani në atë kohë ishte në rradhët partizane), dhe në një nga ditët e para të janarit të vitit 1945-së, bashkë me Fahrijen shkoi për ta takuar edhe nusja e kunatit të tij,(Enverit), Nexhmije Xhunglini, e cila sipas zakonit gjirokastrit, po i dërgonte kunatit të bashkëshortit të saj, llokumet e dasmës për ta qerasur. Sipas dëshmive publike që na ka dhënë Xhemal Alimehmeti (ish-eksponent e Rinisë së Ballit Komnbëtar) që asokohe ka qenë në një qeli me Omarin dhe të tjerë miq të ngushtë të tij, Bahriu nuk donte t?i merrte llokumet që ia ofroi Nexhmija në sportelin e dhomës së takimeve, por pasi nguli këmbë miku i tij i ngushtë, Kol Tromara (që Bahriu nuk ia prishte kurrë), ai i pranoi ato. Gjyqi Special i kryesuar nga kryetari, gjeneral-leitnant, Koci Xoxe, me anëtarë: Halim Budo, Gaqo Floqi, Dr,. Medar Shtylla, Faik Shehu, Beqir Balluku, Bilbil Klosi e Gjon Banushi, dhe prokuror, Bedri Spahiun, i cili filloi në muajin mars dhe që zgjati rreth 43 ditë me senaca të pandërprera, më datën 12 prill 1945, dha vendimin, të cilin e lexoi kryetari, gjenera-letintant, Koci Xoxe. Nga 60 të pandehurr që ishin në bankon e të akuzuarit, 17 prej tyre u dënuan me vdekje, me pushkatim, (ndërsa të tjerët me burgime të rënda) dhe një ndër ta ishte dhe Bahri Omari.

Fahrija, lutje zyrtare t?i falej jeta Bahriut

Dënimi me vdekje i Bahri Omarit bëri bujë të madhe asokohe dhe aq më shumë ajo gjë ishte e papritur dhe nga motra e Enverit, e cila menjeherë pas vendimit shkoi takoi të vëllanë, (në vilën e tij) duke i kërkuar që t?ja falte jetën Bahriut dhe ai të paktën të dënohej 25 vjet burg, apo qoftë dhe me burgim të përjetshëm. Në ato pak minuta që Enveri e priti motrën e tij në këmbë, i tha asaj, që ai nuk kishte asgjë në dorë, pasi ai ishte gjykuar nga ?Gjyqi i Popullit? që kishte dhënë dënime te merituara për ?armiqtë e popullit?. Ndërsa Fahrija nuk po u besonte veshëve me ato fjalë që dëgjonte nga goja e vëllait të cilat i ranë si bombë, me lot në sy, i kërkoi të vëllait, se ku mund ?të përplasej? për atë gjë??! Dhe më shumë për ta larguar, Enveri i tha se ajo mund t?u bënte një lutje dhe atë t?ia dërgonte zyrtarisht me postë, Këshillit të Përgjithshëm Antifashit Nacional-çlirimtar, siç ishte ligji dhe të priste përgjigjie nga organet kompetente. Me një farë shprese, Fahrija, u nda nga vëllai i saj dhe menjëherë shkoi në shtëpinë e saj, duke shkruar lutjen ku thuhej:

 V.F. L.P.

   Tiranë më 13 prill 1945

 Kryesisë së Këshillit të Përgjithshën Antifashist N. Çl

                                             Tiranë

 E nënshkruara Fahrije Omari, e shoqja e të dënuarit, Bahri Omari kam nderin t?ju lutem me zëmrën e plasun të një grueje të disponu për faljen e burrit t?im Bahriut, tue e mëshirue me an këmbimi të dënimit kapital në burgim qoftë edhe të përjetshëm.

  Burri im, sikurse dihet, ka qenë kurdoherë një patriot i mirë që ka ba sakrifica dhe ka psue vuajtje për vendin t?on.

Prandaj, edhe sikur veprat e tij të mapasme të jenë shumë të randa, e kalumja e tij e ban të meritueshme për një akt mëshire.

   Po edhe sikur burri im të mos ketë asnjë meritë të kalueme, për ato ndjenja dhimbsurie që ka çdo njeri për dëshpërimin e një bashkëshortje, lutem përunjësisht për shpëtimin e jetës së burrit tim.

 Me nderime

 Fahrije Omari

Koci Xoxe: Fahrije, për mua, Bahriu nuk duhet të ishte arresuar fare?!

Ndërsa Fahrija shkroi letrën dhe e dërgoi menjëherë në postë, ajo nuk u mjaftua me aq. Pas kësaj ajo shkoi menjeherë tek shtëpia e Koci Xoxes që ishte ngjitur me Enverin dhe i lutet Kocit që të shikonte mundësinë që t?ia falte jetën Bahriut. Koci, pasi e dëgjoi deri në fund, i tha: ?Fahrije, kush të ka dërguar këtu tek unë??! Dhe Fahrija ia tregoi se atë e kishte dërguar Enveri, duke i thënë se: ?nuk kishte se ç?farë të bënte për Bahriun, prandaj ajo atë gjë mund ta bisedonte më mirë me Kocin ose Bedriun?. Koci, tepër i habitur për ato çka po i thoshte Fahirja, pa e mbaruar mirë fjalën ajo, e ndërpreu duke i thënë: ?Fahrije, po të ishte për mua dhe Bedriun, Bahriu nuk duhej të ishte arrestuar fare dhe jo më të pushkatohej, por ne kemi zbatuar urdhrat e Partisë?dhe ti je lodhur kot që ke ardhur tek unë?. (Këtë gjë, pra takimin e Fahrijes me Koci Xoxen dhe gjithë bisedën në mes tyre, na e ka konfirmuar publikisht në fillimin e viteve ?90-të, (autorit të këtij shkrimi) bashkëshortja e Koci Xoxes, Sofia, në prani të djemëve të saj, Gencit dhe Fatosit tek shtëpia e tyre afër Rrugës së Kavajës).

Dëshmia e Bedri Spahiut: Enveri më tha se po nuk vrava atë, s?vras dot të tjerët??!

Lidhur me pushkatimin e Bahri Omarit, në fillimin e viteve ?90-të, është pronocuar publikisht (në gazetën ?Republika? në vitin 1993) edhe ish-prokurori i Gjyqit Special, Bedri Spahiu, i cili nga viti 1955, kur u godit nga Enver Hoxha, e kaloi jetën në burgjet politike dhe në internim deri në vitin 1991. Lidhur me dënimin dhe pushkatimin e Bahri Omarit, në mes të tjerash ka shkruar: ?E di nga shumë vetë se unë si prokuror i atij gjyqi jam akuzuar se kam pushkatuar edhe Bahri Omarin, por e vërteta qëndron kështu. Unë e pranoj se edhe njëmijë herë të tjera po të  ngjallej Bahri Omari, po të isha prokuror, njëmijë herë do ta pushkatoja me kënaqësinë më të madhe edhe pa urdhërin e Enver Hoxhës, por për hir të së vërtetës unë i thashë Enverit se Bahriun nuk mund ta pushkatonte, pasi ai ishte burri i motrës së tij dhe se e kishte strehuar në shtëpinë e tij në kohën kur Enveri ishte në Tiranë. ?Bedri?, më tha Enveri: unë po nuk pushkatova Bahrin nuk vras do të tjerët?!

Fjalët e Bahriut para pushkatimit?

Më datën 14 prill 1945-së, vetëm një ditë pas letrës që Fahrije Omari kishte dërguar në adresë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar dhe bisedës që kishte bërë me Koci Xoxen, një makinë ushtarake e rrethuar me shumë roje partizane, në orët e pasdites morri rrugën për në drejtim të anës veri-lindore të kryeqytetit, diku në një vënd që quhet Kodra e Priftit, që ishte paracaktuar për ekzekutimin e 17 të dënuarëve me vdekje nga Gjyqi Special. Sipas ligjit, aty në ato momente duhej të ishte prezent edhe prokurori, i cili duhej të ndiqte deri në fund zbatimin e  vendimit të gjykatës. Pasi të 17 të dënuarëve iu kërkua fjala e fundit dhe komandanti i togës së pushkatimit iu kërkohej atyre që të ktheheshin me shpinë pasi do jepte komandën, zjarr, vetëm njëri prej tyre s?pranoi të kthehej. Ai ishte Bahri Omari i cili iu tha: ?Mos ktheni shpinat nga tytat e armëve, ashtu vriten vetëm armiqtë, ne s?jemi armiq dhe këtë do ta vërtetojë historia?! ?Këto ishin fjalët e fundit që tha Bahri Omari para vdekjes?, të cilat i ka shkruar në kujtimet e tij vetë ish-prokurori Bedri Spahiu, që morri pjesë në ekzekutimin e atyre 17 të dënuarëve më vdekje atë pasdite të 14 prillit 1945-së./ Memorie.al

Lajmet e fundit nga