LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Banka e Shqipërisë analizon ndikimin e COVID-19/ Do prekë të gjithë, veç sektorëve jetikë

15 Prill 2020, 12:27, Ekonomi CNA
Banka e Shqipërisë analizon ndikimin e COVID-19/ Do prekë të

Në raportin e radhës të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar efektet që pandemia aktuale e koronavirusit mund të ketë mbi ekonominë dhe stabilitetin e sistemit financiar.

Kjo pandemi dhe masat e marra nga Qeveria për mbrojtjen e jetës së shtetasve dhe eliminimin në një kohë sa më të shkurtër të emergjencës së koronavirusit, shoqërohen pashmangshmërisht me ndryshime të aktiviteteve që kryejmë në jetën e përditshme. Këto ndryshime përfshijnë edhe aktivitetet ekonomike ku ndikimi, ndonëse i përkohshëm, do të jetë i ndjeshëm. Më konkretisht, ndërmarrjet private dhe publike (me përjashtim ndoshta të atyre që ofrojnë shërbime jetike bazë), në varësi të aftësisë së tyre për t?u përshtatur qoftë edhe pjesërisht, mund të pësojnë dëmtim të zinxhirit të marrëdhënieve tregtare dhe do të ndjejnë mesatarisht një rënie të theksuar të shitjeve të mallrave e të shërbimeve. Kjo do të sjellë rënie të të ardhurave dhe vështirësi për të përballuar detyrimet financiare të veprimtarisë që lidhen me shpenzimet fikse dhe ato variabël.

Kjo situatë do të ndikojë edhe mbi punëmarrësit dhe në tërësi mbi të ardhurat e familjeve, pasi rënia e aktivitetit të ndërmarrjeve mund të sjellë reduktim të të ardhurave apo ndërprerje të pagës. Në një efekt zinxhir dhe për aq sa nuk kompensohet nga kursimet e familjeve dhe masat shtetërore mbrojtëse, kjo edhe më tej mund të ndikojë në dobësimin e konsumit të tyre dhe në vijim, edhe në vështirësi për të përmbushur detyrimet financiare. Këto të fundit, mund të përfshijnë edhe vështirësi në shlyerjen e kredive të marra në institucionet financiare, duke sjellë rënie të cilësisë së kredisë në këto institucione dhe ndikim negativ në rezultatin financiar.

Është e nevojshme që, për aq sa është e mundur, autoritetet publike të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të rëndësishme për të ndërprerë rrjedhën e lirë të skenarëve të mësipërm dhe për të mbështetur ndërmarrjet, familjet dhe sistemin financiar në zbutjen dhe përballimin e efekteve negative që i shoqërojnë këta skenarë.

Ky është edhe qëndrimi i institucioneve financiare ndërkombëtare dhe strukturave të Bashkimit Evropian, ndaj një situate që vlerësohet e paprecedentë. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë vendosur në dispozicion fonde financiare dhe instrumente të posaçme për shfrytëzimin e tyre, me qëllim humarrjen e shpejtë të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Komisioni Evropian shpalli paketën e posaçme financiare prej 37 miliardë eurosh për përballimin e efekteve ekonomike dhe financiare, që shoqërojnë shpërthimin e epidemisë në vendet anëtare. Fokusi është tek familjet dhe bizneset e vogla e të mesme, të cilat mund të përballen me nevoja të ngutshme për likuiditet. Së fundi, Komisioni Evropian deklaroi se do të mbështesë pezullimin e kërkesave të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes për përgjegjësinë fiskale, duke u mundësuar qeverive të vendeve anëtare të rrisin shpenzimet e nevojshme për përballimin e situatës. Në sferën monetare, Banka Qendrore Evropiane, në mbledhjen e datës 12 mars, ruajti kushtet monetare akomoduese dhe rriti në 120 miliardë euro paketën mujore të injektimit të likuiditetit përmes blerjes së titujve, duke synuar edhe zbutjen e luhatshmërisë së normave të interesit. Pak ditë më vonë, kjo u pasua nga një paketë e dytë në vlerën 750 miliardë euro. Më parë, edhe simotrat e saj në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar kishin marrë masa të ngjashme. Këto veprime të shpejta, ofruan shpresë dhe ndihmuan në ndalimin dhe korrektimin e pjesshëm të humbjeve të thella që kishin pësuar tregjet më të rëndësishme financiare. Nga këndvështrimi i mbikëqyrjes bankare në Bashkimin Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Autoriteti Bankar Evropian kanë mbështetur nevojën për fleksibilitet në trajtimin rregullativ nga ana e autoriteteve mbikëqyrëse, për të bërë të mundur që bankat të shndërrohen në një kanal më efektiv të përcjelljes së likuiditetit në ekonomi në situatën aktuale.

Në Shqipëri, autoritetet publike kanë ndërmarrë disa masa që synojnë zbutjen e ndikimit të pandemisë në ekonomi, duke shprehur nevojën për një qasje proporcionale dhe dinamike ndaj zhvillimeve të situatës dhe të panjohurave që e shoqërojnë atë.

Paketa fillestare financiare e prezantuar nga Qeveria, synon që krahas mbështetjes financiare për fuqizimin e kapaciteteve të strukturave të shëndetësisë, të zbusë pasojat financiare që kjo situatë mund të sjellë për agjentët realë të ekonomisë, pra edhe për rritjen ekonomike të vendit. Paketa ofron mbështetje për shtresat e popullsisë në nevojë dhe sigurimin e të ardhurave bazë për punëmarrësit në bizneset e vogla dhe ata të vetëpunësuar, në rastet kur veprimtaria ekonomike e tyre është ndërprerë për shkak të vendimeve të Qeverisë. Paralelisht, Qeveria ka ofruar garanci shtetërore për huamarrjen e re të bizneseve nga sektori bankar me qëllim plotësimin e nevojave të tyre afatshkurtra për likuiditet. Kjo e fundit, ofron mundësi për sipërmarrësit që të ruajnë fuqinë punëtore në afat të shkurtër, por edhe të përgatiten paraprakisht për një rifillim të veprimtarisë në mënyrën më të përshtatshme kur situata ta mundësojë. Më tej, janë bërë publike edhe disa lehtësime në përmbushjen e afateve të raportimeve tatimore. Së fundi, shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga ana e Qeverisë e kthen trajtimin e situatës së pandemisë në një përparësi absolute për strukturat e shtetit, përshpejton zgjerimin, detajimin dhe fokusimin e politikave ndihmuese dhe ofron mekanizmat që sigurojnë një sinergji më të madhe mes entiteteve publike e private, e nevojshme për përballimin e situatës.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë veprimet e saja në drejtimet e administrimit institucional, komunikimit me subjektet e mbikëqyrura e posaçërisht me bankat, dhe në kuadër të politikave që zbaton.

Si institucion, Banka e Shqipërisë ka aktivizuar planin e saj të emergjencës nga strukturat e përcaktuara, ku në qendër janë vendosur siguria shëndetësore e personelit dhe vijimi pa ndërprerje i funksioneve kritike të bankës qendrore. Për të parën, është vepruar në përputhje me udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe të Qeverisë, duke kufizuar ndërveprimin me personat e jashtëm, duke ndërtuar kuadrin e identifikimit dhe trajtimit të personelit potencialisht të infektuar, duke kërkuar zbatimin maksimal të kushteve të higjienës dhe të distancimit fizik, si edhe duke përmirësuar kapacitetet e higjienizimit dhe të dezinfektimit në mjediset e institucionit. Për të përmirësuar kushtet e distancimit fizik dhe ulur mundësinë e infektimit, një pjesë e personelit është autorizuar të punojë nga shtëpia. Paralelisht, është siguruar vijimi i funksioneve kritike të institucionit, për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kontraktuale. Në qendër të vëmendjes kanë qenë veprimet e bankës qendrore në tregun e hapur, transaksionet e furnizimit të bankave tregtare me para fizike, mirëfunksionimi i sistemeve të pagesave dhe marrëdhëniet me kontraktorët

Edhe në drejtim të komunikimit me bankat, fokusi fillestar ka qenë i njëjtë: aktivizimi i planeve të emergjencës me qëllim mbrojtjen shëndetësore të personelit dhe vijimin e veprimeve kritike të institucioneve financiare.

Duke qenë se situata e pandemisë është e paprecedentë, Banka e Shqipërisë ndau me bankat një Udhëzim të posaçëm lidhur me veprimet e një organizate në këtë rast. Paralelisht, komunikimi me bankat ka vijuar për të detajuar mënyrën e organizimit të punës prej tyre dhe dakorduar mënyrën e bashkëpunimit në dhënien nga Banka e Shqipërisë të funksioneve mbështetëse. Deri në momentin e hartimit dhe miratimit të këtij raporti, vëllimet e punës i janë përshtatur orareve më të kufizuara të veprimtarisë dhe, brenda këtyre kushteve, proceset janë zhvilluar normalisht.

Në kuadër të politikave të saj, veprimet e Bankës së Shqipërisë mund të ndahen në dy grupe: 1) në lëmin e politikës monetare, dhe 2) në atë të mbikëqyrjes bankare e të stabilitetit financiar. Grupi i parë i veprimeve synon mbështetjen e gjendjes së likuiditetit të sistemit financiar dhe mirëfunksionimin e tregjeve të parasë. Grupi i dytë i masave synon që në këtë periudhë të ndalimit të një pjese të konsiderueshme të veprimtarisë ekonomike në vend, të zbutet ndikimi i situatës mbi cilësinë e portofolit të kredisë, të lirohen burimet e bankave nga veprimtari që mund të shtyhen në kohë dhe të ruhet gjendja e mirë e likuiditetit dhe e kapitalizimit të bankave, në mënyrë që baza për një rigjallërim të aktivitetit në përfundim të pandemisë të jetë solide.

Mbetet e panjohur se kur dhe me ç?ritëm do të dalë ekonomia

Ndonëse pandemia do të jetë e përkohshme, mbetet e panjohur se kur dhe me ç?ritëm do të dalë ekonomia nga efektet e saj. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, në konsultim me bankat dhe subjektet e tjera të mbikëqyrura, do të punojë për të konceptuar veprime të tjera të natyrës rregullative që do t?i përgjigjen zhvillimeve. Duhet theksuar se të gjitha veprimet që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren, do të orientohen gjithmonë nga objektivi kryesor, ai i ruajtjes së qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Në këtë proces, kapacitetet e sektorit bankar do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe për këtë qëllim do të përdoren edhe ushtrimet e provës së rezistencës.

Për fundin e vitit 2019 dhe në raport me rreziqet konvencionale, rezultatet e ushtrimeve të provës së rezistencës për gjendjen e kapitalizimit dhe të likuiditetit, tregonin gjendjen mjaft të mirë të këtyre kapaciteteve. Por situata e pandemisë, për efektet dinamike që po sjell në ekonominë e vendit, duket se përfaqëson një natyrë rreziku jokonvencional. Përballja me një situatë të tillë përmban të panjohura, të cilat kanë nevojë të kapen në mënyrë të përshtatshme nga modelet aktuale të vlerësimit të kapaciteteve të sistemit financiar dhe të sektorit bankar. Për këto arsye, është e nevojshme që bankat:

? të rrisin përparësinë dhe frekuencën e realizimit të këtyre ushtrimeve, duke përshtatur natyrën, ashpërsinë dhe kompleksitetin e skenarëve;

? të vlerësojnë përshtatshmërinë e kapaciteteve që zotërojnë, për të përballuar goditjet eventuale që prodhojnë ata skenarë, jo vetëm në afatin e shkurtër por edhe në një afat më të gjatë;

? të sigurojnë një proces vendimmarrjeje sa më të shpejtë dhe efektiv, për t?i fuqizuar këto kapacitete. Fokusi duhet të jetë tek ndërmarrja e veprimeve që jo vetëm ruajnë por edhe përmirësojnë më tej gjendjen e rezervave të kapitalit dhe të likuiditetit;

? të forcojnë komunikimin me Bankën e Shqipërisë, për analizimin e zhvillimeve dhe të rezultateve./Monitor

Lajmet e fundit nga