Connect with Us

A na duhet një “Plan Marshall” për ta rindërtuar Evropën pas COVID-19?

Blog

A na duhet një “Plan Marshall” për ta rindërtuar Evropën pas COVID-19?

Publikuar

-

Në mes të krizës të COVID-19, Bashkimi Evropian po shikon se si mund të rindërtojë ekonomitë e kontinentit në vitet pas pandemisë – dhe thotë se një plan i zbatuar si ai pas Luftës së Dytë Botërore mund të sigurojë një model për t’u ndjekur.

“Në këtë krizë, nuk mund të ketë masa gjysmake,” tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Dhe ky do të jetë rasti për vitet që vijnë ndërsa kërkojmë të largojmë ekonominë tonë nga humnera e krizës. Për ta bërë këtë, do të na duhen investime masive në formën e një Plani Marshall për Evropën. Dhe në zemër të tij duhet të qëndrojë një buxhet i ri i fuqishëm i BE-së”.

Thirrjet e Von der Leyen për një Plan të ri Marshall për të ndihmuar ekonomitë e kontinentit që janë goditur më shumë nga koronavirusi, u bëri jehonë kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i cili tha: “Nëse virusi nuk ndalet në kufij, atëherë nuk duhen të ndalen as mekanizmat e financimit”.

Vizioni i Planit Marshallit

Plani Marshall ishte një iniciativë amerikane për të ndihmuar në ringjalljen e ekonomive të Evropës pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Lufta për të mposhtur nazistët u zvarrit për gjashtë vjet dhe çoi në humbje të madhe të jetëve njerëzore. Miliona vdiqën në fushat e betejës, në kampe dhe në qytete. Rrugë, hekurudha, fabrika dhe shtëpi të panumërta u shkatërruan gjithashtu, duke lënë ekonomitë kombëtare në rrënoja.

Për ta ringritur Evropën në këmbë dhe për t’i dhënë fund çdo zgjerimi të mundshëm të Bashkimit Sovjetik, Sekretari i Shtetit i SHBA, George C. Marshall, hartoi Programin Evropian të Rimëkëmbjes. Ai dërgoi afro 13 miliardë dollarë ndihma për Evropën midis viteve 1948 dhe 1951. Kjo do të kapte vlerën e rreth 142 miliardë dollarëve sot.

Një plan i ri për një epokë të re

LEXO EDHE:  Përdorimi i plazmës së gjakut për kurimin e Covid-19?/ Çfarë thotë mjeku Pipero

Sipas Von der Leyden, përgjigja ekonomike e Evropës ndaj COVID-19 ka qenë më e forta se kudo në botë. “Ne kemi bërë rregullat tona shtetërore më fleksibile se kurrë më parë, në mënyrë që bizneset e mëdha dhe të vogla të mund të marrin mbështetjen e nevojshme”, tha ajo. “Ne i kemi reduktuar rregullat tona buxhetore më shumë se kurrë më parë për të lejuar që shpenzimet kombëtare dhe të BE të shkojnë shpejt tek ata që kanë nevojë. Kjo ka ndihmuar institucionet e BE dhe vendet anëtare të akordojnë 2.8 trilionë për të luftuar krizën”.

Ajo, dhe të tjerët që janë dakord me të, besojnë se buxheti i BE-së mund të veprojë si një “instrument solidariteti dhe modernizimi” për të ndihmuar ato vende që kanë më shumë nevojë – të tilla si Italia dhe Spanja, ku numri i të vdekurve dhe ndalesat ekonomike kanë qenë më të rënda.

“Kjo është arsyeja pse paratë në buxhetin tonë të ardhshëm duhet të investohen në një mënyrë të zgjuar dhe të qëndrueshme. Ai duhet të ndihmojë në ruajtjen e asaj që është e dashur për ne dhe rinovimin e ndjenjës së përkatësisë midis kombeve të Evropës”, tha ajo.

Por kjo strategji nuk është pa kritikë. Ekonomistë nga disa vende më të pasura të Evropës, të tilla si Gjermania dhe Hollanda, kanë shprehur shqetësime për idenë. Michael Hüther, kreu i Institutit Ekonomik Gjerman në Këln, paralajmëroi kundër lëshimit të eurozonës për detyrimin e përbashkët, për t’u përballur me borxhin sovran. Frika e tij ishte se mund të minojë politikat fiskale kombëtare dhe madje të dekurajojë planifikimin e shëndoshë ekonomik në disa vende. / World Economic Forum -Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse disa njerëz i kundërshtojnë ligjet që shpëtojnë jetë?

Publikuar

-

Nga

Nga William Park

Vënia e rripit të sigurimit në makinë apo mbajtja e maskës në fytyrë dihet se shpëton jetë. Por pse disa njerëz refuzojnë ende t’i zbatojnë këto masat, dhe madje protestojnë kundër ligjeve që i imponojnë ato? “Unë thjesht e urrej”- u shpreh një grua kur u pyet pse nuk pranon ta mbajë.

“Unë mendoj se pavarësisht nëse je burrë po grua, kjo është diçka imponuese”- përgjigjet burri pranë saj. “Jam përgjegjës për veten time, ju nuk mund të më tregoni se çfarë duhet të bëj”- shton ai. Ky është arsyetimi tipik që mund të prisni të dëgjoni nga protestuesit që refuzojnë të mbajnë maska ​​në ambiente publike gjatë pandemisë.

Kundërshtimi i tyre nuk ka të bëjë vetëm me komoditetin, apo edhe skepticizmin nëse mund të shpëtojnë jetë njerëzore. Ata zemërohen kur autoritetet i tregojnë se çfarë duhet të bëjnë. Por të intervistuarit më lart nuk ishin të mërzitur për ligjet që e kanë bërë mbajtjen e maskës të detyrueshme në hapësirat publike në shumë vende.

Ata po flisnin për rripat e sigurimit në makinë. Të intervistuarit ishin shoferë britanikë, që pranuan se nuk përdornin rripat e sigurimit në vitin 2008, pavarësisht se kjo ishte një kërkesë e imponuar nga ligji në Britani për të veshur rripin e sigurisë në sediljen e përparme të një automjeti që nga viti 1983, dhe në sediljen e pasme që nga viti 1991.

Krahasimi midis protestave kundër mbajtjes së maskave dhe rripave të sigurimit, është shumë popullor. Vip-at e kanë përdorur atë për të theksuar se kundërshtarët kanë ekzistuar gjithmonë. Media e nxjerrë në pah në një përpjekje për të shpjeguar origjinën e protestave kundër një mase që mund të ndihmojë në vënien nën kontroll të përhapjes së pandemisë. Por miratimi i ligjeve për mbajtjen e rripave të sigurisë në makinë, ishte shumë më pak i lehtë sesa kërkesa për të mbajtur maska në fytyrë. Gjithsesi mund të mësojmë shumë gjëra nga miratimi i ligjeve mbi rripat e sigurimit dhe masat e tjera të shëndetit publik.

Pse për shembull, duket se ka dallime midis vendeve të ndryshme? Dhe pse disa njerëz janë të përgatitur të sfidojnë një masë shëndetësore që me siguri do të shpëtojë jetë njerëzore?

Ndërsa faktet se rripat e sigurimit shpëtojnë jetë janë të pamohueshme, ka pasur një periudhë ngurrimi për futjen e tyre në përdorim.

Prodhuesit e makinave, kompanitë e sigurimeve, autoritetet e zbatimit të ligjit, politikanët dhe shoferët, kishin interesa legjitime për ta vonuar një ligj të tillë. Për prodhuesit e makinave, çështja ishte kostoja. Në atë kohë shpresohej që rripat e sigurimit të bëheshin të detyrueshëm, pasi ato kishin më pak kosto sesa vendosja e jastëkëve të ajrit.

Një jastëk në mesin e viteve 1980 kushtonte deri në 800 dollarë, krahasuar me disa dollarë për rripin e sigurimit. Sikur një ligj të kërkonte pajisjen e të gjithave makinat me jastëk ajri, çmimet e makinave të reja do të rriteshin duke krijuar kështu një mini-tronditje në treg.



Shoferët ishin më të interesuar për rehatinë e tyre. Një studim zbuloi se 86 për qind e amerikanëve e pranonin që vënia e rripit të sigurisë shpëton jetë, ndërsa vetëm 41 për qind e tyre i përdornin vetë. Ndërkohë rreth 65 për qind e amerikanëve ishin kundër detyrimit për mbajtjen e rripave të sigurisë, dhe kjo për arsye rehatie.

LEXO EDHE:  “Do jem i pari që do injektohem”/ Presidenti i Filipineve i beson vaksinës së Rusisë

LEXO EDHE:  Meta apel qytetarëve për Pashkë/ "Mos kini frikë, përhapni kurajo dhe shpresë"

Ndaj, kompanitë e sigurimeve preferuan jastëkët e ajrit ndaj rripave të sigurisë. Edhe jastëkët shpëtojnë jetë, por jo aq sa rripat. Ndaj Nju Jorku ishte shteti i parë amerikan që miratoi me ligj përdorimin e detyrueshëm të rripave të sigurimit në sediljet e përparme të makinave më 1 janar 1985, dy vjet pas Britanisë, Kanadasë, Francës dhe Gjermanisë.

Por këto ligje morën vite për t’u zbatuar plotësisht. Në disa vende, hendeku midis ligjit për përdorimin e detyrueshëm të rripit për shoferët e sediljeve të para dhe pasagjerëve në sediljet e pasme zgjati për dekada. Për shembull, Japonia, i bëri të detyrueshëm rripat e sigurisë në sediljen e shoferit në vitin 1971, dhe për pasagjerët në sediljen e pasme vetëm në vitin 2008.

Protestat kundër ligjeve për rripin e sigurisë, nuk nënkuptonin se amerikanët në tërësi i injoronin ato, edhe nëse i kundërshtonin ato në parim. Të dhënat zyrtare, tregojnë se në Nju Jork 70 për qind e sheferëve në ndenjësen e përparme po e respektonin ligjin 2 muaj pas miratimit të ligjit. Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo normë ishte rreth 90 për qind.

Në vendet e tjera pati më pak protesta, por respektimi i ligjit në fjalë ishte shumë më i ulët. Në fund të viteve 1980, Serbia (Jugosllavia e dikurshme) kishte një nga nivelet më të larta të vdekjeve nga aksidentet rrugore në Evropë. Ashtu si SHBA-ja, ligji mbi përdorimin e rripit të sigurisë në Jugosllavi nisi të zbatohej në vitin 1985,dhe gjoba për kundravajtje ishte 75 $. E megjithatë jugosllavët e vinin rrallë rripin e sigurisë, pasi shoferët e shmangnin gjobën përmes korruptimit të policit rrugor.

Dhe ky është ndoshta leksioni më i dobishëm nga krahasimi i ligjeve mbi rripat e sigurisë dhe mbajtjes së maskës në fytyrë:intensiteti i kundërshtimit është e parëndësishëm dhe ndoshta ndikohet nga fakti se sa njerëzit në një vend e respektojnë autoritetin dhe procesin ligjor.

Ajo që ka më shumë rëndësi, është nëse njerëzit ndjekin udhëzimet, dhe me sa efektshmëri e bëjnë këtë gjë. Duket se shumë njerëz i respektojnë udhëzimet për mbajtjen e maskës. Në SHBA, rreth 59 për qind e njerëzve i mbajnë ato, pak më shumë në Gjermani dhe pak më pak në Francë (Britania mbetet pas me 19 për qind).

Sidoqoftë, jo të gjithë i mbajnë maskat në mënyrë korrekte. Një studim me 12.000 njerëz në rajonin e Sao Paulos në Brazil, zbuloi se rreth 30 për qind e njerëzve e mbanin maskën ​​gabimisht ose duke ekspozuar hundën ose gojën.

Me gjithë ndërhyrjet e autoriteteve të shëndetit publik, mbajtja e maskës në fytyrë kërkon kohë që të zbatohet. Mesazhet dhe kornizat ligjore që lejojnë zbatimin e ligjeve të tilla duhet të jenë të drejta. Por koha do t’i detyrojë njerëzit të përshtaten.

Pavarësisht protestave të një pakice të zëshme, qëndrimet mbi maskat po ndryshojnë, teksa të dhënat po tregojnë se kjo masë do të bëjë diferencën gjatë pandemisë dhe se me kalimin e kohës përshtatja do të vazhdojë të rritet, ashtu siç ndodhi dikur me rripat e sigurisë në makina. / “BBC Future” – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Mateo Salvini, “Donald Trump” i Evropës/ Burokracia e Brukselit, e ka shkatërruar ëndrrën evropiane

Publikuar

-

Nga

Nga Adam O’Neal “The Wall Street Journal”

Nëse Italia do të mbante sot zgjedhje parlamentare, sondazhet sugjerojnë se Mateo Salvini do të bëhej kryeministri i ardhshëm i vendit. Edhe pse zgjedhjet parlamentare janë planifikuar pas 3 vitesh, ai nuk beson se do të duhet të presë aq gjatë derisa të rrëzohet qeveria aktuale. Dhe tashmë e ka një ide se të shkaktojë rënien e saj.

Rruga më e qartë e Salvinit drejt pushtetit, kalon përmes një koalicioni të qendrës së djathtë me konservatorët e Fratelli d’Italia dhe partinë pro-biznesit të Silvio Berluskonit Forza Italia. Partia e tij është përshkruar si nacionaliste, populiste, konservatore, si e të djathtës ekstreme dhe madje edhe fashiste.

“Në Itali dallimet majtas-djathtas, fashist-komunist nuk kanë shumë peshë. Unë mendoj se LEGA është përtej ideologjive”- thotë Salvini. Por ai nuk i hedh poshtë të gjitha etiketimet:

“Unë e pranoj të jem “sovranit”. Pasi kjo nënkupton identitetin, kulturën, historinë e Italisë, ligjet e saj dhe fenë tonë. Por mund ta pranoj edhe etiketimin si “populist”, të cilin disa njerëz e konsiderojnë fyerje, por që unë mendoj se është një kompliment”.

LEGA u themelua në vitin 1991 si LEGA NORD, një parti rajonale e përqendruar në kërkimin e një autonomie më të gjerë për veriun më të pasur të vendit. Salvini e ka udhëhequr partinë që nga viti 2013, duke i dhënë një vokacion kombëtar, përmes kundërshtimit të fortë ndaj emigracionit të paligjshëm dhe skepticizmit ndaj Bashkimit Evropian.

Në vitin 2018, LEGA arriti një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me Lëvizjen 5 Yjet të ekstremit të majtë, që zgjati pak më shumë se një vit. Salvini u bë zv/kryeministër dhe Ministër i Brendshëm në qershor 2018, dhe ishte i vendosur në mbylljen e brigjeve italiane ndaj anijeve plot me emigrantë.

Numri të emigrantëve ra ndjeshëm. Por menaxhimi prej tij i kësaj situatë, solli kritika të forta nga Brukseli dhe Vatikani për mungesën e humanizmit. Por ajo qasje e bëri LEGA-n partinë më popullore në vend. Si një kundërshtar i fortë i emigracionit, Salvini mund të duket si versioni i Donald Trumpit në Evropë.

“Unë isha nga të paktët politikanë italianë që besova në fitoren e tij 4 vjet më parë. Dhe vazhdoj të besoj se ai ka qenë një president i mirë, dhe shpresoj se do të rizgjidhet”- shprehet Salvini mbi Trump. Që të dy e shohin njëlloj çështjen e emigracionit, por edhe shumë çështje fiskale dhe tregtare

“Për disa çështje ndërkombëtare, të tilla si marrëdhëniet me Kinën, Iranin dhe marrëdhëniet e ngushta me Izraelin, ne kemi të njëjtën qasje. Nëse unë do të isha kryeministër, Jeruzalemi si kryeqyteti i Izraelit do të njihej nga qeveria ime, ndërsa marrëdhëniet me Kinën dhe Iranin do të pezulloheshin”- thotë Salvini, që është kundër përfshirjes së kompanive kineze në ndërtimin e rrjetit 5G në Itali.



Nga ana tjetër kreu i LEGA-s e sheh Rusinë në një dritë më pozitive. Ai mohoi akuzat se partia e tij është financuar nga Moska. Salvini thotë është thjesht në interesin e vendit të tij që të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë. “Nëse Evropa vendos sanksione ndaj Moskës, ajo e detyron Rusinë të orientohet drejt Lindjes. Unë preferoj ta kem Rusinë si një mike, sesa si një aleate të Kinës”- shton ai.

LEXO EDHE:  “Diçka po zien nën rrogoz”/ Artan Hoxha: Mos ka ndodhur gjë mor amani, ç’është kjo dashuri në kohë koronavirusi

LEXO EDHE:  Vatra e infeksionit në QSUT/ Spahia: Qeveria e la personelin mjekësor në mëshirë të fatit

Selia e BE-se

Por nga ana tjetër a dëshiron Rusia të jetë një mike apo partnere strategjik me Perëndimin? “A ka probleme në Rusi? Po. A është Rusia një vend plotësisht demokratik? Jo. A ka korrupsion atje? Po. Por shihni Turqinë, anëtare e NATO-s, dhe që teknikisht është ende një kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Ajo ka të njëjtat probleme, madje edhe më të këqija se sesa Rusia.

Prandaj, nëse është e drejtë të përpiqesh dhe të dialogosh me Turqinë, për mendimin tim është e drejtë të përpiqesh të bisedosh edhe me Rusinë. Erdogani nuk duket më paqësor dhe demokratik se sa Putini”- nënvizon Salvini.

Vitin e kaluar, ai u përpoq të organizonte një lëvizje populiste pan-evropiane përpara zgjedhjeve për në Parlamentit Evropian. Por në fund, partitë populiste dështuan të bashkohen, pjesërisht mbi përçarjet në lidhje me politikën ndaj Rusisë. Por Salvini mendon se populistët e kontinentit mund të krijojnë ende një aleancë.

“Ne duhet t’ia fillojmë nga traktatet origjinale të Evropës. Armikja e ëndrrës evropiane është burokracia e Brukselit, dhe jo Salvini. Kjo burokraci evropiane, e tradhtoi ëndrrën evropiane. Traktati themeltar i BE-së, e vendosi punësimin e plotë si përparësinë e vet. Por socialistët e harruan atë”- vijon më tej politikani italian.

Në thelb, ai dëshiron të krijojë një rrjet evropian të ndryshëm nga boshti franko-gjerman, pasi sipas tij “sot BE do të thotë Emanuel Makron dhe Angela Merkel”. Por a mund ta imagjinojë Mateo Salvini të nxjerrë vendin e tij jashtë BE-së?

“Për momentin, në projektin tonë të gjitha energjitë tona janë fokusuar në rimëkëmbjen ekonomike të vendit, sipas rregullave aktuale, me monedhën ekzistuese dhe unionin aktual. Nëse po më pyetni nëse euro e ndihmoi Italinë, përgjigjja ime është jo. Nëse BE-ja është e drejtë me të gjithë anëtarët e saj, përgjigjja ime është sërish jo”- thotë Salvini.

Megjithatë ai nuk e përjashton në të ardhmen mundësinë e një Italexit:“Britania e Madhe tregoi se mund të jetë e mundur të jetohet edhe pa euron dhe BE-në. Nëse do të detyrohesha të zgjedhja midis Italisë dhe Evropës, unë do të zgjidhja Italinë”.

Koalicioni qeverisës aktual nuk është i etur të thërrasë zgjedhjet e reja, por Salvini mendon se ato do të ndodhin gjithsesi vitin e ardhshëm. Ai argumenton se partia e tij, u dëmtua më shumë nga pandemia se të tjerët, pasi ajo e kufizoi fushatën e tij agresive.

“LEGA është e vetmja parti që jeton si parti”- thekson ai. Ai parashikon që zgjedhjet rajonale të kësaj vjeshte do t’i japin një shtysë të madhe partisë, teksa koalicioni qeverisës do të ketë probleme të përballet me “çështjet e shkollës, papunësisë dhe krizës ekonomike”./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A mundet Kina ta kthejë Evropën kundër Amerikës?

Publikuar

-

Nga

A mundet Kina ta kthejë Evropën kundër Amerikës?

Nga Andrew A.Michta “The Wall Street Journal”

Një nga hilet që përdorin vendet që konkurrojnë me fuqitë e tjera të mëdha, është që të joshin aleatët e kundërshtarit, dhe t’i kthejnë ata në shërbimin të interesave të tyre. Në vitin 1972, Riçard Nikson kreu një vizitë në Pekin, një nga lëvizjet më të guximshme dhe efektive në historinë e politikës së jashtme të SHBA-së.

Në atë kohë Pekini ishte një lojtar rajonal dhe një fuqi bërthamore, por asfare afër një rivali  të afërt të SHBA-së ose Bashkimit Sovjetik. Nikson e ktheu Kinën në një levë të ndikimit amerikan në Azi. Ne jemi tashmë gati të zbulojmë se sa mirë mund ta luajë këtë lojë strategjike vetë Pekini.

Të hënën Bashkimi Evropian dhe Kina mbajnë një samit virtual – që para pandemisë ishte planifikuar si një samit në Lajpcig të Gjermanisë – që synon nxitjen e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për Investimet BE-Kinë.

Ky pakt do të përcaktojë parametrat e tregtisë, adresimin e çështjeve të subvencioneve kineze dhe mbrojtjen e të drejtave evropiane të pronësisë intelektuale, dhe nëse kancelarja gjermane Angela Merkel do të ketë sukses, do të përcaktojë rolin e Kinës në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Deri më tani gjatë negociatave, Pekini i ka rezistuar shumë çështjeve të ngritura nga BE, sidomos për subvencionet. Por ka shenja se kinezët mund të bëhen më tolerantë. Takimi i nivelit të lartë ndodhi vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, dhe u pa nga kinezët si mundësia më e mirë e Xi Jinping për të krijuar një pykë midis SHBA-së dhe Evropës në lidhje me tregtinë.

Selia e BE-se

Për komunitetin evropian të biznesit, qasja në tregun aziatik shihet si thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike të BE-së. Pasja e një traktati me Pekinin do të ndihmonte – të paktën në teori – në mbrojtjen e pronës intelektuale evropiane, dhe parandalimin e blerjes së plotë nga kinezët të kompanive të brishta evropiane.

Evropa ka qenë prej vitesh një element qendror në strategjinë globale të Pekinit. Rreth 75 për qind e importeve evropiane vijnë nga deti, me rrugën e sipërme të Atlantikut të Veriut që është thelbësore. Ndërkohë Kina ka qenë agresive në blerjet e aksioneve në portet kryesore Evropiane.

Më e rëndësishmja, përmes Nismës së Brezit dhe Rrugës, dhe investimeve të saj, Kina ka synuar krijimin e një zinxhiri alternativ furnizimi të vendeve në të gjithë Evropën dhe Azinë.

Lojë përfundimtare e Pekinit, është ajo që unë e quaj “përmbysja globale” e flukseve tregtare të vendosura, të cilat aktualisht favorizojnë rrugët detare, një strukturë që mbështetet tek fuqia detare e SHBA-së.



Nëse Kina mund të zhvillojë një zinxhir furnizimi ndër-euroaziatik dhe ta mbrojë atë, ajo nuk do të ketë nevojë më të përputhet me Amerikën në fushën detare. Dhe ky do të ishte një ndryshim themelor në tregtinë globale dhe shpërndarjen e fuqisë globale.

LEXO EDHE:  Vatra e infeksionit në QSUT/ Spahia: Qeveria e la personelin mjekësor në mëshirë të fatit

LEXO EDHE:  Përdorimi i plazmës së gjakut për kurimin e Covid-19?/ Çfarë thotë mjeku Pipero

Kina mund ta bëjë këtë pasi deri më tani Uashingtoni – që e sheh Kinën si një sfidë ekonomike dhe ushtarake të rendit të parë – nuk ka qenë në gjendje të bindë evropianët që ta shohin Pekinin si diçka më të rrezikshme sesa thjesht një problem ekonomik.

Udhëheqësit evropianë po shqetësohen gjithnjë e më shumë për presionet e kinezëve, por ata nuk duan të hyjnë në një aleancë me SHBA-në kundër Pekinit. Nëse vijojnë të ekzistojnë kushtet aktuale, dhe Kina do ketë mundësi të krijojë një pykë midis SHBA-së dhe Evropës, marrëdhëniet normale trans-atlantike do të jenë diçka që do i përkasë së kaluarës.

Një ndryshim i tillë do ta shndërronte Evropën nga porta trans-atlantike drejt Euroazisë në fundin e një zinxhiri furnizimi euroaziatik të kontrolluar nga kinezët, duke i dhënë mundësi Pekinit që të dominojë përfundimisht Evropën dhe të synojë hegjemoninë globale.

Strategjia e Kinës ndaj Evropës e ka edhe një përbërës ushtarak. Flota e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, ka ndjekur aktivisht synimin e depërtimit në portet evropiane, veçanërisht në Mesdhe dhe Detin e Zi. Ajo ka kryer stërvitje të përbashkëta me Marinën Ruse dhe BE-në, duke filluar nga viti 2018, kur përfundoi stërvitjen e saj të parë detare me Forcën Detare të BE-së në Gjirin e Adenit.

Kina zotëron aksione në shumë porte në Mesdhe, përfshirë Greqinë, Spanjën, Egjiptin, Italinë dhe Marokun, ndërsa marina kineze ka një bazë mbështetëse në Xhibuti, duke u pozicionuar si duhet për të projektuar më thellë në Afrikë fuqinë e vet.

Marina kineze ka depërtuar edhe në Baltik, teksa po investon në Arktik, përmes një tenderi për një anije akullthyese që furnizohet me energji bërthamore 33.000-tonëshe, dhe ka në plan të ndërtojë 4 aeroplanmbajtëse me energji bërthamore deri në vitin 2035.

Kina e sheh Evropën si një rajon, pasuria dhe teknologjia e të cilës mund të shfrytëzohen për të pasur avantazh ndaj SHBA-së. Evropa është një objektiv tërheqës:Kontinenti është i dëshpëruar për qasje në tregje dhe para të gatshme, teksa ekonomia po përpiqet të rimëkëmbet nga pandemia aktuale.

Me Rusinë si një kërcënim për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në krahun e NATO-s, Pekini ka gjithashtu mundësinë të shfrytëzojë përçarjet brenda Evropës. Rritja e antiamerikanizmit në disa vende, do ta bëjë të vështirë arritjen e një konsensusi për kërcënimet, ndërsa rreshtimi midis Pekinit dhe Moskës mund të thellojë copëtimet në Evropë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me SHBA.

Gjendja e dobët e marrëdhënieve SHBA-Evropë, sidomos marrëdhëniet gjithnjë e më të diskutueshme midis Uashingtonit dhe Berlinit, i jep Xi Jingping mundësinë për të bërë “Niksonin” në mënyrën e tij. Uashingtoni duhet t’i kushtojë vëmendje pasojave të samitit BE-Kinë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE