Connect with Us

Kina nuk po e ndihmon Italinë, ajo synon t’i ikë përgjegjësisë për përhapjen e koronavirusit

Blog

Kina nuk po e ndihmon Italinë, ajo synon t’i ikë përgjegjësisë për përhapjen e koronavirusit

Publikuar

-

Nga Mattia Ferraresi “Foreign Policy”

* Italia është një terren ideal për fushatën e gjerë propagandistike të Kinës, për të shmangur vëmendjen nga përgjegjësia e saj në përhapjen globale të koronavirusit të ri, ndërsa mundohet ta paraqesë veten si një fuqi zemërdhembshur që ndihmon vendet perëndimore në nevojë.

Qeveria komuniste po ndjek një strategji të dyanshme, që kombinon me kujdes dërgimin e ndihmave mjekësore për të pohuar rëndësinë e saj në një botë për moment pa lider – mund ta quani këtë edhe ‘diplomacia e maskave’ – ndërsa të njëjtën kohë po përhap teori konspirative për të fshehur origjinën e vërtetë të virusit.

Në këtë “betejë globale të narrativave”, siç e quajti atë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Jozep Borrell, “Kina po përhap me forcë mesazhin se në dallim nga SHBA-ja, ajo është një partnere e përgjegjshme dhe e besueshme”. Dhe Italia përbën një mjedis të përkryer, ku Pekini mund të nisë të zbatojë strategjinë e tij.

Ishte vendi i parë perëndimor që u godit nga një shpërthim i madh epidemik i koronavirusit, dhe për këtë arsye ka nevojë urgjente për furnizime mjekësore, për të mbajtur në këmbë një sistem të kujdesit shëndetësor që është në prag të kolapsit.

Por vendi drejtohet gjithashtu nga një koalicion qeveritar që përfshin Lëvizjen Pesë Yjet, një parti euroskeptike, gjithnjë e më pro-kineze, dhe që për vite me radhë ka promovuar një marrëdhënie më të fortë me Pekinin, duke e minimizuar aleancën tradicionale trans-atlantike, dhe duke nxitur dyshime mbi NATO-n.

Për pasojë, Italia ishte vitin e kaluar vendi i parë G-7, që iu bashkua zyrtarisht Nismës së Brezit dhe Rrugës, projekti ndërkombëtar kinez i infrastrukturës. Kohët e fundit, mediat shtetërore kineze, sugjeruan se koronavirusi i ri e kishte origjinën në Itali, dhe jo në Vuhan, duke shtrembëruar hapur fjalët e mjekut italian Xhuzepe Remuci, drejtori i Institutit “Mario Negri” për Kërkime Farmakologjike në Milano.

Në një intervistë për NPR më 19 Mars, Remuci tha se disa mjekë në Italinë e Veriut “kujtojnë se kishin vënë re disa pneumoni shumë të çuditshme dhe shumë të rënda, sidomos tek të moshuarit që në dhjetor, dhe madje që në nëntor 2019”, gjë që sugjeronte se potencialisht virusi që e kishte origjinën në Kinë, ishte përhapur diku tjetër më parë.

“Global Times”, e kontrolluar nga shteti kinez shkroi në Tuiter:”Italia mund të ketë pasur shumë raste të pashpjegueshme me pneumoni që në nëntor dhe dhjetor 2019, me simptoma shumë të afërta me COVID-19, thuhet në raporte”.

Një version i shtrembëruar i deklaratës së Remucit, u transmetua më pas nga mediat e tjera të aparatit të propagandës së qeverisë kineze, si televizioni shtetëror i Kinës, dhe u bë një temë e preferuar diskutimi në platformën popullore të mediave sociale në Kinë, Ueibo.

Nga ana e tij mjeku italian, nuk la në asnjë rast të kuptohet se koronavirusi e ka origjinën në ndonjë vend tjetër, porse ai e ka origjinën pikërisht në Kinë. “Mund të jemi të sigurt se virusi u shfaq në fillim në Vuhan, ku me siguri kishte qarkulluar për disa kohë, përpara se të bëhej publike nga autoritetet”-deklaroi Remuci për “Foreign Policy”

Ai shtoi se edhe testet gjenetike, konfirmuan se virusi ishte me origjinë nga Kina “përtej çdo dyshimi”. Ndërkohë, Italia ishte përfituesja e parë e “diplomacisë së maskave” nga ana e Kinës. Më 12 mars, një aeroplan kinez solli në Romë 9 mjekë, maska, ventilatorë dhe pajisje të tjera mjekësore.

Në to shkruhej “Rruga e miqësisë nuk njeh kufij!”, dhe u paraqit si një dhuratë për vendin që po kalon këtë situatë emergjence. Por nuk ishte aspak një dhuratë. Pasi Italia ishte duke blerë pajisje mjekësore nga Kina, por qeveria italiane përfitoi nga një donacion paralel i kryer nga Kryqi i Kuq i Kinës, për ta bërë atë të dukej si një shembull i “politikës kineze të bujarisë”.

LEXO EDHE:  Koronavirusi shënon viktimën e dytë në Shqipëri

Siç e shpjegoi gazetarja Xhulia Pompili në gazetën “Il Foglio”, ajo ishte pjesë e një marrëveshje tregtare të zyrtarizuar disa ditë më pare, gjatë një telefonatë midis ministrave të jashtëm të Kinës dhe Italisë, Luixhi di Maio dhe Uang Yi. Disa ditë më vonë, kryeministri italian Xhuzepe Konte i tha udhëheqësit kinez Xi Jinping me telefon, se ishte i gatshëm të bashkëpunonte për një “Rrugë Shenetësore të Mëndafshit” për ta luftuar pandeminë.

Di Maio, që dha kohët fundit dorëheqjen si drejtuesi i Lëvizjes Pesë Yjet, është personi i kontaktit për iniciativat kineze në Itali, dhe ka lobuar për konsolidimin e partneritetit Itali-Kinë edhe nën qeverinë e mëparshme, kur Pesë Yjet ishin në një koalicion populistësh me Legën e Mateo Salvinit.

“Shumë liderë euroskeptikë, po veprojnë si kuratorë të imazhit ndërkombëtar të Kinës”- thotë Lukrecia Poxheti, analiste në Institutin Mercator për Studimet mbi Kinën. Kryeministri hungarez Viktor Orban, përshëndeti personalisht ardhjen e një avioni nga Kina që transportonte gati 70 tonë pajisje mjekësore, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vucic, puthi në mënyrë teatrale flamurin e Kinës kur një ekip mjekësh kinezë zbarkuan në Beograd javën e kaluar.

Ndërkohë, udhëheqësi i ekstremit të djathtë të Legës, Mateo Salvini, nuk e humbi mundësinë për të kritikuar Pekinin, në mënyrë që të dëmtojë ish-aleatin e tij politik (dhe tanimë armikun e betuar) Di Maio:”Nëse qeveria kineze ka pasur më herët infomacione për koronavirusin dhe nuk e ka treguar këtë publikisht, atëherë ajo ka kryer një krim kundër njerëzimit”- tha ai gjatë një seance debatesh në Senat, vetëm disa ditë pasi rimbështeti në mediat sociale teorinë se Kina ishte e angazhuar shumë për të prodhuar viruse të reja në laboratorët e saj.

Lëvizja Pesë Yjet, ka qenë prej kohësh një vatër e nxehtë e propagandimit të teorive të komplotit dhe lajmeve të rreme. Gunter Pauli, një ekonomist i punësuar si konsulent nga kryministri Konte, sugjeroi kohët e fundit një lidhje midis teknologjisë 5G dhe koronavirusit të ri.

Në betejën e narrativave, këndvështrimet kanë shumë rëndësi. Pas disa javëve apatie dhe mungese mbështetje midis shteteve evropiane, Komisioni i BE-së po e kundërshton tani në mënyrë aktive narrativën e e Kinës, duke e theksuar solidaritetin midis vendeve anëtare.

Franca dhe Gjermania i kanë dhuruar më shumë maska Italisë sesa Kina, ndërsa Austria ka kontribuar me 1.6 milionë maska të tjera.

Spitalet gjermane po kujdesen për disa pacientë nga Italia, ndërsa Franca dhuroi 200.000 kostume mbrojtëse. Por ajo që qëndron në këtë tregim janë të ashtuquajturat “dhurata” të Kinës, një ekip mjekësh kubanë që mbërritën së fundmi në vend, dhe automjetet ushtarake ruse që qarkullojnë në Italinë e Veriut, si pjesë e një marrëveshje anti-COVID 19 me Moskën.

Është kontigjenti më i madh rus, në një shtet anëtar të NATO-s. Përpjekjet gjithnjë e më të forta të Pekinit, për të shtrirë gjithnjë e më tej strategjinë e saj më të gjerë të fuqisë së butë, janë portretizuar nga disa analistë si një tentativë për t’u pozicionuar si një udhëheqëse globale, duke përfituar nga mungesa relative e udhëheqjes amerikane, ndërsa Uashingtoni po përpiqet të vendosë nën kontroll koronavirusin.

Por, përpjekjet e fundit kineze mund të jenë më shumë rezultat i frikës nga përgjegjësia që ka Pekini për fshehjen e epidemisë, sesa si një mënyrë për të afirmuar fuqinë e saj globale në një botë pa një lider./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Koronavirusi, e bën të domosdoshme një strategji të qartë të BE drejt Ballkanit Perëndimor

Publikuar

-

Nga

Nga Alisa Muzergues “Emerging Europe”

Në kushte normale, lajmi i shumëpritur pozitiv, se vendet anëtare të Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje politike për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ishte një titull kryesor në shumicën  e mediave në Evropë.

Mjerisht, ky zhvillim mbeti në hije për shkak të pandemisë së Covid-19, që deri më tani ka shkaktuar mbi 35 mijë të vdekur në mbarë botën. Ndërsa aftësia e Bashkimit Evropian për t’iu përgjigjur krizës është e kufizuar nga Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian, i cili parashikon se shëndeti publik është kompetencë e shteteve anëtare, është e qartë se unioni duhet të përpiqet para së gjithash të zbusë ndikimin socio-ekonomik të epidemisë së koronavirusit.

Vlen të përmendet se ekspertët vlerësojnë se ndikimi i Covid-19, është potencialisht më i rëndë se sa kriza financiare e vitit 2008. Prandaj, pavarësisht ambicieve të BE-së për të luajtur një rol më të madh në skenën globale, lindin pyetjet:A do të jetë BE-ja në gjendje të përballojë krizat e brendshme, dhe të përmbushë pritshmërinë e fqinjëve të saj, duke e stabilizuar situatën në rajon? Apo do të mbingarkohet sërish nga problemet e brendshme dhe axhendat kombëtare konkurruese, duke i lënë hapësirë aktorëve të palëve të treta si Kina dhe Rusia, që të mbushin boshllëkun në kufijtë e saj?

Koha është thelbësore, dhe Ballkani Perëndimor që është më pak elastik për të përballuar krizën aktuale dhe pasojat e tij, do të kërkojë një mbështetje të fortë ndërkombëtare. Që nga 29 marsi, numri i rasteve të raportuara me Covid-19 në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor i tejkaloi 1.000, me Serbinë që regjistroi rastet më të shumta:741 raste të regjistruara, dhe 13 vdekje të raportuara. Qeveria serbe, ka vendosur masa drastike për të frenuar përhapjen e koronavirusit, duke mbyllur kufijtë e saj, përveç qarkullimit të mallrave, dhe duke vënë në zbatim një shtetrrethim që hyn në fuqi nga ora 5 pasdite deri në orën 5 të mëngjesit, dhe që është edhe më i rreptë gjatë fundjavave kur fillon në orën 3 të padites.

Imazhet mbresëlënëse të Panairit të Tregtisë në Beograd, që është shndërruar tashmë nga ushtria në një spital të improvizuar me 3.000 shtretër të gatshëm, për të pritur njerëz me simptoma të koronavirusit, kanë bërë xhiro në të gjitha mediat sociale.

Por ndërkohë, ka pasur edhe zhvillime të tjera të cilat kanë tërhequr vëmendjen dhe habinë e partnerëve perëndimorë. Më 15 mars, pasi shpalli një gjendje të jashtëzakonshme, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha në një konferencë për shtyp se i kishte kërkuar ndihmë Kinës, për të cilën ai pretendoi se ishte shpresa e vetme për Serbinë, pasi BE-ja kishte vendosur të kufizonte eksportin e disa pajisjeve mjekësore mbrojtëse.

Vuçiç, i njohur për aleancat e tij fluide në politikën e jashtme, theksoi se “solidariteti evropian nuk ekziston, ai është thjesht një përrallë në letër”. Disa ditë më vonë, në Serbi mbërritën 6 mjekët kinezë, që sollën me vete materiale mjekësore. Ata u mirëpritën në aeroport nga presidenti Vuçiç.

LEXO EDHE:  21-vjeçarja humb jetën nga koronavirusi/ Mesazhi përlotës i nënës

LEXO EDHE:  Koronavirusi shënon viktimën e dytë në Shqipëri

Ai e përshëndeti secilin prej tyre me një “përshëndetje me bërryl”, dhe madje puthi flamurin kombëtar kinez “për të shprehur mirënjohjen e tij të thellë”. Lajmi u raportua me krenari nga televizioni shtetëror kinez i lajmeve CTGN. Reagimi i Bashkimit Evropian ishte i menjëhershëm. Ambasadori i BE-së në Beograd Sem Fabrizi deklaroi në profilin e në Twitter, se BE-ja është donatorja, investitorja dhe partneri kryesore tregtar i Serbisë. Për më tepër, Fabrizi tha se ishte aprovuar një donacion prej 7.5 milion eurosh, që Brukseli jep ndaj Serbisë për të luftuar koronavirusin, ndërsa njoftoi se ndihmat mjekësore do të mbërrinin me avion javën tjetër.

Ndërkohë më 25 mars, si pjesë e mbështetjes së BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, u alokua një paketë e mëtejshme ndihme financiare prej 93 milionësh euro për Serbinë, përfshirë 15 milionë euro për blerjen e menjëhershme të pajisjeve mjekësore, dhe 78 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike.

Përkundër faktit se BE është deri tani donatorja më e madhe për Serbinë, me më shumë se 3.6 miliardë euro grante të dhëna gjatë 18 viteve të fundit, përmes fondeve të para-pranimit në union, dhe burimi i 70 për qind të investimeve, shumica e serbëve beson sipas një sondazhi qeveritar se Kina dhe Rusia janë dy investitorët kryesorë të huaj, shumë përpara Gjermanisë.

Federata Ruse, një tjetër lojtare e njohur për marrëdhëniet e saj historikisht të ngrohta me Serbinë, dhe e cila është duke u përpjekur gjithashtu për të zgjeruae ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është fajësuar nga Brukseli për përhapjen e dezinformatave mbi koronavirusin, për të mbjellë enkas panik në Perëndim.

Task-forca East StratCom, ka vërejtur praninë e shumë lajme të rreme dhe dezinformimeve në lidhje me Covid-19 në mjedisin informativ të Ballkanit Perëndimor. Rasti i Serbisë tregon se si perceptimet i kanë kapërcyer faktet, dhe që kjo gjë duhet të shërbejë si një mësim për përfshirjen e ardhshme të BE-së në rajon.

Ndikimi i Kinës, Rusisë dhe lojtarëve të tjerë në Ballkanin Perëndimor, nuk do të bjerë së shpejti, përkundrazi. Shembulli i Serbisë, mund të frymëzojë edhe liderë të tjerë politikë në vendet fqinje. Prandaj, nëse BE aspiron vërtet të jetë një fuqi gjeopolitike, ajo duhet që të fillojë ta projektojë atë, dhe të ketë një strategji të qartë dhe të parashikueshme mbi lagjen e saj të afërt, sidomos tani me krizën e shkaktuar nga Covid-19./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Nga shpikja e bujqësisë tek interneti/ Ja vitet që e ndryshuan historinë e njerëzimit

Publikuar

-

Nga

Nëse e imagjinoni për një moment gjithë historinë njerëzore si një album muzikor, cilat do të ishin vitet “hite” pra ato më të rënndësishme? Ato janë sigurisht të shumta, por disa janë shumë më të rëndësishme së të tjerat.

10.000 Para Krishtit: Revolucioni Neolitik shpiku qytetërimin

Në atë vit, njerëzimi la në plan të dytë gjuetinë, dhe filloi të merret me shumë më bujqësi. Fermat çuan gradualisht në lindjen e qyteteve, tepricave në prodhim, rritjen e popullsisë, dhe në fund tek ajo që sot e quajmë civilizim.

Rreth vitit 3.200 Para Krishtit:Llogaritarët shpikën shkrimin

Skribët, llogaritarët që punonin në qytetin e lashtë të Urukut në Irakun e sotëm, ishin të parët që nisën të mbanin shënime mbi pllaka prej guri. Sot ky lloj shkrimi njihet si kuneiform.

Viti 507 Para Krishtit:Athina i jep botës demokracinë

Uinston Çurçilli tha dikur:”Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjithë të tjerave, që janë shumë më të këqija”. Por kur Kleisteni e vuri atë në zbatim në vitin 507 Para Krishtit në Athinë, ai nuk e kishte idenë nëse ajo ishte më e mira apo më e keqja. Reformat e tij, hodhën themelet e një demokracie të drejtpërdrejtë, që zgjati për gati 200 vjet.

Viti 483 Para Krishtit:Konfuci shpalosi filozofinë e tij, që diktoi gjithë historinë e Kinës

Mësimet e filozofit kinez të shekullit V Para Krishtit, ndikuan të gjitha dinastitë perandorake kineze. Edhe sot, idetë e Konfucit ndikojnë aq shumë në kulturën kineze, saqë rreth 1.4 miliardë njerëz jetojnë në një botë që u formësua prej tij.

Viti 312: Konstandini shpall Krishtërimin fe zyrtare në Perandorinë Romake

Pasi e gozhduan Krishtin në kryq, romakët u konvertuan vetë në ndjekës të kësaj feje. Deri në vitin 312, të krishterët përndiqeshin dhe shumë shpesh vriteshin. Atë vit, këtë fe e pranoi vetë perandori Kostandin. Ai akt e ndryshoi historinë, pasi Krishterimi u bë feja e perandorisë më të fuqishme në botë.

Viti 661: Islami përçahet në sunitë dhe shiitë

Kur Profeti Muhamed vdiq në vitin 632, ai nuk la një pauses. Gjithsesi, kandidatët ishin dy. I pari ishte Aliu, i martuar me vajzën e preferuar të Muhamedit, dhe i favorizuar nga grupimi që dot njihen si shiitë. I dyti Eku Bekri, i mbështetur nga sunitët. Përplasja mes tyre u tensionua, dhe Aliu u vra në vitin 661. Ai moment shënoi një çarje të madhe në besimin Islam, që vazhdon dhe sot, në disa raste në forma të dhunshme si në Lindjen e Mesme.

LEXO EDHE:  Koronavirusi shënon viktimën e dytë në Shqipëri

LEXO EDHE:  81 viktima nga koronavirusi/ Manastirliu: Shqipëria, vend me risk të ulët, janë marrë të gjitha masat

Viti 1324: Bota njeh njeriu më të pasur të të gjitha kohërave

Asnjë nga më të pasurit sot në botë, nuk ka aq pasuri sa Musa I i Perandorisë së Malit në Afrikën Perëndimore. Ekspertët pretendojnë se sundimtari mesjetar, zotëronte gjysmën e rezervave të njohura të arit në botë.

Viti 1492: Kristofor Kolombi zbulon Amerikën

Më 12 tetor 1492, Kolombi zbarkoi në Bahamas, duke zbuluar Botën e Re për Evropianët. Ai po përpiqej në fakt të zbulonte një rrugë të re drejt Indisë dhe Kinës, që do të rriste volumin tregtar të Mbretërisë së Spanjës. Në vend të kësaj, ai zbuloi aksidentalisht Amerikën.

Viti 1543: Me sistemin heliocentrik, Koperniku i jep shkencës një rëndësi parësore

Që nga koha e Aristotelit, merrej e mirëqenë ideja se të gjitha trupat qiellorë rrotulloheshin përreth Tokës, duke u bërë madje një pjesë zyrtare e doktrinës së Kishës. Nikolla Koperniku e kuptoi Toka ishte një planet, që rrotullohej si gjithë të tjerët rreth Diellit. Por këtë e bëri publike vetëm në shtratin e vdekjes në vitin 1543.

Viti 1760: Revolucioni Industrial, transformoi jetën e njerëzve

Ky revolucioni, transformoi jetën e të gjithëve njerëze në planet. Ndërsa teknologjia u përmirësua, fitimet dhe pasuritë u rritën në përmasa të papara. Sot, jeta mesatare e një personi, është më komode se ajo e një Pape të shekullit XVI-të.

Viti 1789: Revolucioni Francez ndryshoi shoqërinë

Ai revolucioni na dha sistemin metrik; Kodin Napoleonik, që është ende baza e shumë sistemeve të sotme juridike. Në një shkallë globale, ndryshimet ishin edhe më të mëdha, dhe jo vetëm në kuptimin e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.

Viti 1957: Sputnik na tregoi kufirin e fundmë të njerëzimit, hapësirën

Më 4 tetor 1957, Bashkimi Sovjetik lëshoi në orbitën e Tokës satelitin e parë të prodhuar nga njeriu. Siç e pranon edhe vetë NASA amerikane, ajo ishte një arritje teknike që e ndryshoi rrjedhën e civilizimit. Nëse sot njeriu po studion planetët pranë nesh për shenja jete, kjo është edhe falë asaj arritje. 

Viti 1991: Faqja e parë në internet, i hap rrugën zhvillimeve të shekullit XXI

Më 6 gusht 1991, britaniku Tim Berners-Li, çeli faqen e parë në internet. Çuditërisht Li refuzoi ta patentonte shpikjen e tij. Ai këmbënguli që ajo të ishte pa pagesë, dhe e përdorshme nga të gjithë./ grunge.com –Pershtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

1 Prilli/ Ja gënjeshtrat më të mëdha që kanë ndryshuar historinë

Publikuar

-

Nga

1 Prilli njihet në Shqipëri si Dita e Gënjeshtrave, ndërsa në botë kryesisht si Dita e Budallait. Origjina e saj është e diskutueshme, por mendohet se i ka rrënjët në Mesjetë. Në këtë ditë, njerëzit mundohen të gënjejnë njëri-tjetrin, dhe të argëtohen me këtë gjë. Por disa gënjeshtra, që nuk janë thënë domosdoshmërisht më 1 prill, kanë ndryshuar historinë e botës. Ja cilat janë disa prej tyre:

Truket magjike, e mbajtën Algjerinë për shumë kohë si koloni të Francës

Në vitin 1856, Algjeria ishte në prag të rebelimit ndaj sundimit francez. Disa magjistarë algjerianë, marabutët, i kishin bindur vendasit se kishin fuqi magjike. Dhe publiku algjerian, ishte i gatshëm të dëgjonte gjithçka që thoshte një magjistar.

Kur në Paris u mësua lajmi se Algjeria donte të rebelohej, nisi të ketë një shqetësim të madh.

Për të shmangur këtë skenar, francezët duhej të bindnin popullin algjerian se të ashtuquajturit magjistarë ishin mashtrues. Prandaj, Napoleoni III dërgoi në Algjeri magjistarin më të madh të Francës dhe babin e magjisë së kohëve moderne, Zhan Robert-Hudin.

Truket e tij ishin shumë elementare, si nxjerrja e një topi nga një kapelë, por algjerianët sërish u mahnitën. Përmes një elektromagneti, ai mundësoi lëvizjen nga distance të një kutie të lehtë prej kartoni. Marabutët u dukën si budallenj, kur nuk mund ta lëviznin dot kutinë. Robert-Hudin e fiku elektromagnetin, dhe e lëvizi atë pa shumë problem.

Kur një prej algjerianëve të zemëruar e sfidoi në një duel, Robert-Hudin pranoi. Të nesërmen në mëngjes, ai supozohet se e “kapi” plumbin me dhëmbë. Ky mashtrim, vërtetoi se ai ishte magjistari më i mirë në vend, dhe marabutët u diskredituan. Rebelimi nuk filloi, dhe Algjeria do të arrinte pavarësinë vetëm pas më shumë se 1 shekulli.

Një letër e rreme e portretizoi Jezusin të bardhë

Pavarësisht se ka lindur në Lindjen e Mesme, gati çdo pikturë dhe përshkrim i përgjithshëm i Jezusit është ai i njeriut me lëkurë të bardhë. Dhe arsyeja është një letër e shkruar disa shekuj pasi Jezusi kishte vdekur.

Përshkrimet moderne të imazhit të Jezusit, janë modeluar sipas një letre që pretendohet se është shkruar nga Publir Lentuli, guvernatori i Jeruzalemit që shërbeu pas Ponc Pilatit. Letra e përshkruan Jezusin si “një burrë shtatlartë, me flokë ngjyrë kafe, me një fytyrë pa rrudha dhe me lëkurë të bardhë”.

Ky version i Jezusit, shërbeu si model për pikturat e artistëve të Rilindjes, të cilat më pas u bënë shabllon për përshkrimet perëndimore të imazhit të Krishtit. Por letra ka kaq shumë gabime, sa është e çuditshme që dikush e ka besuar atë.

Së pari, ajo nuk figuron në asnjë nga shkrimet e Shën Anselmit. Së dyti, nuk ka pasur dikur asnjë pozicion të tillë siç është guvernatori i Jeruzalemit. Së treti, Publir Lentuli nuk ekzistonte si person në realitet. Dhe së katërti, ai përdor një gjuhë që nuk ishte shpikur ende në kohën kur është shkruar letra.

Një shkencëtar nazist i rremë, rrëzoi nga pushteti presidentin e Argjentinës Huan Peron

Në vitin 1949, një ndër presidentët më të dashur të Argjentinës, Huan Peron, dëshironte që vendi i tij të bëhej një fuqi bërthamore. Për ta arritur këtë gjë, ai punësoi gjermanin Ronald Rihter. Ky pretendoi se kishte qenë dikur një shkencëtar i rangut të lartë në Gjermaninë naziste, dhe një nga ekspertët kryesorë në botë për energjinë bërthamore.

LEXO EDHE:  Koronavirusi shënon viktimën e dytë në Shqipëri

LEXO EDHE:  21-vjeçarja humb jetën nga koronavirusi/ Mesazhi përlotës i nënës

Por në realitet, ai ishte një Austriak që kishte punuar vetëm 6 gjashtë muaj si teknik i shpërthimeve në projektin gjerman për armën bërthamore. Dhe megjithë CV-në e tij modeste, Rihter e mbajti atë post për 1 vit. I shqetësuar për shpenzimet, ai e pyeste shpesh Rihterin nëse kishte ndonjë përparim.

Ky i mburrej se ishte pranë ndërtimit të bombës. Por komuniteti shkencor ndërkombëtar, ishte më shumë sesa skeptik. Për të vërtetuar se nuk gënjente, Rihter bëri një provë, por gjithçka ishte vetëm një shpërthim tritoli dhe jo armë bërthamore.

Ish-shkencëtari i njohur nazist, Verner Hajzenbeg tha se nuk kishte dëgjuar kurrë për Rihterin, dhe kjo shkaktoi nisjen e një hetimi. U zbulua se në fakt Rihteri nuk kishte arritur asgjë. Mashtrimi i tij i kushtoi miliona Argjentinës. Ushtria arrestoi e Rihterin, ndërsa e rrëzoi nga pushteti Peronin.

Mikelanxhelo e nisi karrierën si një falsifikues i veprave të artit

Në 1492, Mikelangelo ishte vetëm një artist i ri, që aspironte të bëhej i famshëm. Shumë njerëz e injoronin gjenialitetin e tij, dhe preferonin më shumë statujat klasike të vjetra. Në këto kushte, atij i lindi në kokë një ide:Nëse njerëzit donin të blinin më shumë skulptura të lashta romake, ai thjesht do të krijonte disa prej tyre.

Një nga këto falsifikime ishte Kupidi i Fjetur. Për ta bërë të dukej si një skulpturë e vjetër, ai e skaliti, e groposi në tokë, dhe më pas e goditi me çekiç nëpër cepa. I pari që u mahnit prej saj dhe e bleu menjeherë ishte Kardinal Riario. Mikelanxhelo mund t’ja kishte hedhur deri në fund, por ai ishte më tepër një artist i mirë, sesa një falsifikator i regjur.

Kur u rikthye në shtëpinë e Kardinal Riarios, i shpëtoi goja dhe i tha të vërtetën. Riaro u tërbua që ishte mashtruar. Por atij i bëri më shumë përshtypje që Mikelanxhelo, ishte i aftë të kopjonte me sukses veprat e mjeshtërve të dikurshëm. Nga ai moment, Riario u bë mentori i ri i Mikelanxhelos, dhe karriera e tij njohu vetëm ngjitje.

Dita e Gënjeshtrave, ishte fillesa e lëvizjes së Spiritualizimit

Spiritualizmi, ishte një nga sistemet më të njohura të besimeve fetare në fund të viteve 1800. Shumë njerëz besojnë ende në idetë e tij kryesore, si aftësia për të komunikuar me shpirtrat përmes mediumeve ose tabelave “Ouija”. Por fakt është njerëzit që e filluan atë lëvizje ishin mashtrues.

Në vitin 1848, Megi Foks dhe motra e saj e vogël Keti donin të trembnin nënën e tyre. Ato do të trokisnin nëpër mure, dhe do t’i thoshin asaj se shtëpia ishte e përndjekur nga fantazmat. Duke mbajtur duart e tyre mbi tryezë, ata përdorën gishtërinjtë e këmbës për të trokitur në dysheme.

Për ta bindur të ëmën se në shtëpi sillej vërdallë një fantazmë, vajzat lidhnin me tela disa kokrra mollë, që më pas i hidhnin poshtë shkallëve.

Të gjitha ato u bënë në kuadër të Ditës së Budallenjve. Dhe në fakt, nëna e tyre u habit se sa gjëra dinte fantazma mbi jetën e saj dhe të vajzave. Nëna vrapoi tek fqinjët, dhe u kërkoi atyre të vinin ta pyesnin fantazmën. Të frikësuar se do të zbulohej para kohe shakaja, 2 motrat e vazhduan më tej atë. Gjatë javëve të ardhshme, gjithnjë e më shumë fqinjë erdhën në shtëpinë e tyre, secili duke bërë pyetje të ngjashme. Brenda vitit, mediume të ngjashme u panë në mbarë SHBA-në./ listverse.com-Pershtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE