Connect with Us

Fjala e shkencës/ Atak kardiak? Jo, në disa raste është virusi që godet zemrën, rasti i 53-vjeçares në Itali

Blog

Fjala e shkencës/ Atak kardiak? Jo, në disa raste është virusi që godet zemrën, rasti i 53-vjeçares në Itali

Publikuar

-

Një grua 53-vjeçare, e cila ka qenë gjithmonë në gjendje të mirë shëndetësore, pa vuajtur asnjëherë nga sëmundje kardiovaskulare, u paraqit para ASST Spedali Civili në Brescia, pasi në dy ditët e mëparshme ndjente një lodhje të madhe. Ajo pati kollë të vogël, pak ethe dhe dhimbje në gjoks. Saturimi me oksigjen ishte brenda normës: 98%. Rezultatet e radiografive të mushkërive, të cilat megjithatë kanë limite të ndjeshmërisë në krahasim me CT, ishin të parëndësishme. Covid? Infarkt?

Miokardit akut

Gruaja u transferua në kardiologji. Elektrokardiogrami tregoi shenja që sugjeronin një atak në zemër ose përndryshe një ngjarje kardiake. Jo pneumoni Covid-19, siç do të pritej këto ditë sidomos në Brescia. Pacientja gjithashtu kishte nivele të larta të një proteine, troponinës, në gjakun e saj, një shenjë se muskuli i zemrës ishte dëmtuar. Koronografia përjashtoi një problem arterie koronare: asnjë atak në zemër nuk ishte në zhvillim e sipër. Imazhi i rezonancës magnetike ishte vendimtar për diagnozën: miokardit akut, (një inflamacion i muskulit të zemrës i lidhur përgjithësisht me infeksione virale ose sëmundje autoimune) me efuzion perikardial. Në të njëjtën kohë, erdhi rezultati i tamponit: pozitive për SARS-CoV-2 përgjegjës për sëmundjen Covid-19. Asnjë atak në zemër, por fajtori për problemet e zemrës ishte koronavirusi.

Studimi i botuar në Jama

Rasti italian u tregua në Jama Cardiology, nga një ekip mjekësh të udhëhequr nga profesori Marco Metra, kardiolog i Spitalit Civil të Brescias. A mundet që koronavirusi të godasë edhe zemrën? Publikimi për rastin e Brescias nuk është i vetmi: punimet e para mbi temën janë botuar në revista shkencore ditët e fundit dhe të tjerat janë duke u rishikuar. Këtyre u shtohen raporte nga spitalet nga e gjithë bota. “Manifestimi klinik në këtë paciente ishte i ndryshëm nga zakonisht: jo pneumonia tipike intersticiale por një miokardit i ndërlikuar nga insufiçenca kardiake”, komenton Enrico Ammirati, kardiolog në Niguarda, ekspert i miokarditit, etj. që mori pjesë në studim. “Në të kaluarën pikërisht këtu në Niguarda,” shton ai, “kemi pasur edhe tre raste të miokarditit të shkaktuar nga nëntipet e tjera të koronavirusit të pranishëm në pemën respiratore, dhe së fundmi kemi shtruar në spital një djalë 38 vjeç, gjithashtu me një elektrokardiogramë anormale. Ai u diagnostikua me miokarditin e shoqëruar nga Covid-19 me një pozitivitet të zbuluar vetëm në tamponin e tretë. Potencialisht një koronavirus mund të shkaktojë miokardit, ashtu si një grip”.

Problemet kardiake janë më të shpeshtë te pacientët në gjendje më të rëndë

Një studim në Vuhan (me mbi 2000 pacientë) mbi vlerën diagnostike të troponinës është në pritje të shqyrtimit. Dëmtimet në zemër të shkaktuara nga gjendja shumë e rëndë e shkaktuar nga virusi raportohen në 10% të rasteve. Studime të tjera përmendin 27%. Ata në përgjithësi janë pacientët që janë në gjendje më të rëndë, e që vuajnë nga dëmtimi i zemrës. Në sëmundje ekziston një fazë e infeksionit e shkaktuar drejtpërdrejt nga virusi i pemës respiratore, dhe më pas lind një reagim i papërshtatshëm ose i ekzagjeruar i sistemit imunitar, që kontribuon në dëmtimin e mushkërive, ku virusi nuk është përgjegjës direkt. Në raste të rënda, megjithatë, dëmi është mbi shumë organe: ai përfshin veshkat, zemrën dhe sistemin e koagulimit. Eshtë e mundur që pacientët me koronavirus të zhvillojnë probleme të zemrës si rezultat i infeksioneve të mushkërive: nëse mushkëritë nuk funksionojnë dhe nuk ka oksigjen të mjaftueshëm, rreziku i aritmive të lidhura me ishemi kardiake rritet ose mund të shkaktohet nga një miokardit. Pastaj ka raste të rralla, siç është gruaja nga Brescia, e cila zhvilloi vetëm probleme të zemrës.

Studimi kinez

Të premten, një studim i ri u botua në Jama Cardiology mbi problemet e zemrës midis pacientëve me koronavirus në Vuhan, Kinë. Studimi, i kryer nga Dr. Zhibing Lu në spitalin Zhongnan të Universitetit Vuhan, zbuloi se 20% e pacientëve të pranuar në Covid-19 vuanin nga dëmtimi i zemrës. Shumë prej tyre, ashtu si pacientja nga Brescia, nuk kishin ndonjë patologji kardiologjike të mëparshme, por elektrokardiogramet e këtyre pacientëve ishin jonormale dhe rreziku i vdekjes për ta ishte katër herë më i madh se ata që nuk kishin komplikime kardiake. Një studim tjetër raportoi inflamacion të miokardit tek pacientët, mbi të cilët u krye autopsia. Studimet nga Universiteti i Teksasit raportojnë se Sars-CoV-2 mund të shkaktojë dëmtim të përhershëm të zemrës: pacientët me sëmundje kardiovaskulare të mëparshme janë më të rrezikuar, por edhe njerëzit me një zemër të shëndetshme mund të rrezikojnë komplikime serioze.

LEXO EDHE:  Shkatërrohet banda në Itali, arrestohen 13 shqiptarë

Shkaqet e mundshme

“Miokarditi ndoshta mund të shkaktohet nga vetë virusi ose nga reagimi imun dhe inflamator i trupit ndaj virusit dhe pacientët e infektuar që vuajnë nga miokarditi nuk kanë domosdoshmërisht një ngarkesë virale më të lartë, se ata që nuk e zhvillojnë këtë problem”, shpjegoi për Nju Jork Tajms Dr Scott Solomon, kardiolog nga Shkolla Mjekësore e Harvardit. “Eshtë e mundur, megjithëse është vetëm një hipotezë – shtoi ai – që miokarditi rrjedh nga një sistem imunitar jashtë kontrollit kur përpiqet të luftojë koronavirusin me citokina, të cilat mund të ndezin dhe dëmtojnë si zemrën, ashtu edhe mushkëritë”.

Citokinat janë proteina të vogla që lidhen me receptorë specifikë në membranë dhe i komunikojnë qelizës një udhëzim specifik. Në veçanti, ato të prodhuara nga qelizat e sistemit imunitar, të tilla si interleukinat dhe kimokinat, luajnë një rol themelor në rregullimin dhe aktivizimin e mekanizmave tanë mbrojtës dhe proceseve inflamatore, duke luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e koagulimit të gjakut, që si pasojë mund të çojnë në probleme trombotike. “Stuhia e citokinave”, një reaksion imunitar potencialisht fatal është përgjithësisht më e rëndë tek pacientët e moshuar ose me patologji të mëparshme.

Pse është e rëndësishme të matet troponina

“Ne kemi vërejtur se në disa pacientë Covid pozitivë ka probleme kardiake – përfundon Enrico Ammirati. Në përgjithësi, ky virus shkakton një sëmundje sistemike ku preket kryesisht organi i mushkërive, por nuk është i vetmi. Në raste të rënda ka një përfshirje të shumë organeve, prandaj duhet parë menjëherë nëse ka një rritje të këtij shënuesi, troponinës. Kjo mund të jetë e dobishme që të kuptohet nëse ka probleme kardiake dhe jo vetëm pulmonare dhe të ndërhyhet në përputhje me rrethanat. Ne nuk e dimë pse në disa raste, reagimi inflamator i trupit përfundon në nivel kardiak dhe jo në mushkëri. Eshtë e mundur që karakteristikat e personit dhe jo të virusit të hyjnë në lojë”. / Corriere della Sera – Bota.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Evropa duhet të njohë kontributet e emigrantëve që bëjnë punët më të vështira

Publikuar

-

Nga

Nga Simone Baglioni “Open Democracy”

Në pranverën e vitit 2020, ndërsa Evropa po goditej nga vala e parë e pandemisë së Covid-19, opinioni publik dhe qeveritë duket se u ndërgjegjësuan mbi rëndësinë që kanë disa punëtorë në nevojat tona të përditshme dhe më në përgjithësi për mirëqenien e shoqërive tona.

Njerëzit që duartrokisnin dhe këndonin të izoluar në shtëpitë e tyre, lavdëruan sakrificën e atyre që luftonin me virusin në vijën e parë të frontit, në spitale dhe shtëpitë e të moshuarve, por edhe për ata që garantonin vijimësinë e zinxhirit të furnizimeve ushqimore, duke punuar për të vjelë frutat, perimet, drithërat, duke punuar në supermarkete dhe dyqane ushqimore, dhe duke i dërguar në dyert tona ato parcela “magjike” që konsiderohen aq të rëndësishme për të ruajtur gjendjen tonë shpirtërore (dhe ekonominë tonë).

Në disa vende evropiane, shumë njerëz e kuptuan papritur rëndësinë e personave që kujdesen për të tjerët, profesionistët e shëndetësisë, punëtorët në bujqësi dhe ata në sektorin e transportit, mbledhësve sezonalë të frutave etj, së bashku me kuptimin se një pjesë e madhe e atyre që përfshihen në sektorë të tillë janë të huaj (njerëz të lindur jashtë Evropës apo që nuk kanë shtetësinë e një vendit të BE-së). Prandaj, për të zbutur frikën e qytetarëve se nuk do të gjenin ushqime të mjaftueshme në raftet e supermarketeve, apo një staf të mjaftueshëm në qendrat e kujdesit shëndetësor në azile dhe spitale, autoritetet publike, si qeveria italiane, ose e kanë lehtësuar dhënien e lejeve për punëtorët e huaj sezonalë, ose janë përpjekur t’u sigurojë një leje pune atyre që ndodheshin tashmë në Itali dhe që punonin në të zezë.

Disa vende të BE-së si Franca, Gjermania ose Spanja, ofruan më shumë mundësi për të sapoardhurit që punojnë në sektorin e shëndetësisë, duke qenë qartazi në kontrast të plotë me politikat evropiane të emigracionit, që janë në tërësi të karakterizuara nga politikat kufizuese. Por kjo qasje liberale përfundoi sapo mbaroi vala e parë e pandemisë. Në fakt, pati pak shqetësim, në mos fare, si nga qeveritë ashtu edhe nga publiku i gjerë, mbi pasojat e pandemisë në jetën e përditshme të atyre emigrantëve që kishin mbajtur plot frigoriferët tanë, që kishin përmbushur dëshirat tona dhe kishin garantuar funksionimin e spitaleve tona.

Në hulumtimet tona si organizata “Sirius” ne kemi investiguar se çfarë ndodhi me ta – dhe çfarë po u ndodh ende- dhe kjo është ajo që gjetëm. Le t’ia fillojmë me emigrantët që kanë ardhur në Evropë për të gjetur punë dhe e gjetën një të tillë para se të shfaqej koronavirusi. Këta janë të ndarë midis atyre që e kanë humbur dhe atyre që kanë mbajtur punën e tyre gjatë pandemisë. Të parët ishin të punësuar në sektorët e ekonomisë që u goditën më shumë nga bllokimi dhe izolimet e detyruara, pra ata që punonin në sektorin e hotelerisë dhe turizmit, në restorante dhe aktivitetet e kohës së lirë:ata e humbën punën, por ndryshe nga shtetasit e BE-së, ata nuk ishin të gjithë (dhe jo të gjithë në mënyrë të barabartë) të pranueshëm për të përfituar nga masat e mbështetjes sociale, që ndërmorën menjëherë qeveritë për të ndihmuar fuqinë e tyre punëtore në sektorët më të goditur të ekonomisë.

Në fakt, qasja tek përfitimet e papunësisë është e kushtëzuar nga kritere specifike, disa prej të cilave (kohëzgjatja e qëndrimit, kohëzgjatja e kohës së punës, lloji i kontratës së punës), nuk plotësohen tërësisht nga emigrantët (të cilët janë gjithashtu më të ekspozuar sesa shtetasit e tjerë ndaj kushteve të pasigurta të punës apo punësimit të parregullt, që i largon ata nga çdo formë e mbështetjes së të ardhurave të vendosura nga qeveritë tona).

Ndaj ata emigrantë që humbën vendet e tyre të punës, hynë në një situatë të cënueshmërisë dhe madje të varfërisë e cila është zbutur ndonjëherë, vetëm nga ndërhyrja e autoriteteve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile. Ata emigrantë që kanë arritur t`a mbajnë vendin e tyre të punës, “punëtorët në sektorët thelbësorë”, e gjetën veten në një lloj tjetër cënueshmërie, në të cilën në rrezik ishte shëndeti i tyre:distancimi social, puna në shtëpi apo masat mbrojtëse të sigurisë, ose nuk ishin të mundura ose ishin të vështira për t’u zbatuar në një mënyrë të sigurt. Prandaj, për shkak të tregjeve tona shumë të segmentuara të punës, ata ishin më të ekspozuar ndaj infeksioneve të Covid-19 sesa shtetasit e BE-së.

LEXO EDHE:  Video- Përgjaket mbrëmja me muzikë/ Plagosen dy persona, njëri shqiptar

LEXO EDHE:  Reuters artikull për pandeminë/ Corona u përhap në Itali e Europë që në shtator 2019

Perceptimi, i përforcuar ndonjëherë nga media, se emigrantët janë një rrezik më i madh për përhapjen e virusit për shkak të punës së tyre, ndihmoi gjithashtu në stigmatizimin e tyre, gjë që nga ana tjetër rrezikoi shëndetin e tyre psikologjik. Së fundmi, të sapoardhurit në Evropë në kërkim të një strehe, si refugjatët dhe azilkërkuesit, u gjendën nënjë kurth të rrezikshëm. Për ata që jetojnë në kampe, siç janë azilkërkuesit në Greqi, pandemia çoi në izolimin e tyre të plotë nga pjesa tjetër e shoqërisë, teksa kampet tashmë të mbipopulluara u shndërruan në një “bombë” sociale për ata të veçuar që nuk kishin asnjë mundësi për të punuar, ose për të provuar ndonjë formë të integrimit, dhe as që ishin në gjendje të bashkoheshin me të afërmit e vendosur në kampet të tjera në Evropë.

Revolta në kampin Moria në Greqi, është emblema e kësaj situate. Për të tjerët, të gjitha rrugët e integrimit (nga mësimi i gjuhës tek vullnetarizmi ose përvoja e punës) ose u zhdukën ose u zhvendosën në internet, ndërsa shumë prej emigrantëve nuk ishin në gjendje të përfitonin nga këto për shkak të analfabetizmit dixhital, mungesës së pajisjeve dixhitale apo lidhjes me internetin. Edhe kur këto rrugë të integrimit në internet ishin në dispozicion, punonjësit socialë vunë re një rënie të angazhimit të përdoruesve të tyre. Në raste të tjera, mungesa e politikave fleksibile krijoi vorbulla të mëtejshme të cenueshmërisë.
Për shembull, pikërisht në kohën kur u shfaq pandemia, disa refugjatë u gjendën të dëbuar nga strehimi i subvencionuar publik, pasi nuk u njoh kërkesa e tyre për azil (pasi akomodimi i subvencionuar është në dispozicion vetëm për azilkërkuesit në shumë vende të BE-së).

Pa asnjë mundësi për të gjetur një punë, dhe të paaftë për të paguar qiranë mujore, ata përfundojnë të ekspozuar ndaj skamjes ose shfrytëzimit. Për më tepër, me mbylljen e programeve të zhvendosjes, të gjithë ata refugjatë që prisnin bashkimin me të afërmit e tyre, mbetën vetëm.
Në rastin e grave me fëmijë të mitur, çdo përfitim i mundshëm u parandalua nga situata e tyre personale. Një skenar i tillë, sugjeron se tani është koha që Evropa të përfundojë procesin e njohjes së plotë të kontributeve që japin punëtorët dhe shtetasit e huaj në ekonomitë dhe shoqëritë tona, duke u siguruar atyre statuse të qëndrueshme dhe të fuqishme ligjore.

Ka ardhur koha që qeveritë tona t’u sigurojnë të drejtat atyre që punojnë dhe jetojnë me ne, dhe që përpiqen për ne. Ne i bëjmë thirrje presidencën portugeze të BE-së të sapo nisur, që të shfrytëzuar mundësinë e saj për të hedhur hapa konkretë në këtë drejtim. Në rast se thirren, aktorët e shoqërisë civile, operatorët e biznesit, qytetarët e zakonshëm dhe studiuesit janë të gatshëm të bëjnë pjesën e tyre./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.opendemocracy.net/en/pandemic-border/europe-must-recognise-vital-contributions-vulnerable-migrants/

LEXO TE PLOTE

Blog

Dhjetëra të vdekur pas marrjes së vaksinës së Pfizer, çfarë po ndodh?

Publikuar

-

Nga

Negociatat konfidenciale për vaksinën

Nga Nathan Bartlett “The Conversation”

Raportet për rreth 30 vdekje midis të moshuarve në një azil që morën vaksinën Pfizer, kanë bërë xhiron e mediave të botës. Ky zhvillim mund të duket si shkak për t`u shqetësuar rreth sigurisë së vaksinës. Por ka disa arsye pse nuk duhet të jetë kështu. Norvegjia ka raportuar se deri tani ka vaksinuar rreth 45.000 njerëz kundër Covid-19. Programi i tyre i vaksinimit është fokusuar kryesisht tek ata që jetojnë në azile. Në vendet e tjera, mund të ketë një fokus më të madh tek mjeket dhe infermierët.

Pra, nëse ka ndonjë lidhje midis vdekjeve të të moshuarve dhe kësaj vaksine, ajo mund të mos jetë ende e dukshme. Por kjo varet gjithashtu nga mbikëqyrja. Norvegjia mund të ketë një sistem të mbikëqyrjes dhe raportimit veçanërisht të shpejtë, që ndjek me efikasitet të gjithë ata që janë vaksinuar dhe raporton me shpejtësi çdo rezultat të pafavorshëm.

Raportet e Norvegjisë, do të sensibilizojnë me siguri vendet e tjera për të monitoruar nga afër marrësit e vaksinave, sidomos ata që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, pasi janë më të moshuar dhe për pasojë më të brishtë. Ne kemi për momentin informacione të kufizuara në lidhje me këto raste në Norvegji.
Raportohet se ata që kanë vdekur ishin të moshuar dhe shumë të dobët. Shumë prej tyre vuanin nga disa sëmundje kronike, dhe ishin në një moshë aq shumë të thyer sa mund të kenë qenë afër fundit të jetës së tyre, pavarësisht vaksinës që morën.

Megjithëse ato vdekje janë nën hetim, është e rëndësishme të theksohet se ato nuk kanë gjetur ndonjë lidhje direkte me vaksinën. Në historinë e fundit të vaksinave, ne nuk kemi parë ndonjë tendencë që tregon vdekjen e të moshuarve pas vaksinimit.

Për shembull, nuk ka asnjë provë se vaksina vjetore e gripit është shoqëruar me vdekjen e kësaj grupmoshe, apo njerëz të çdo lloj moshe. Por është e rëndësishme të theksohet se, duke bërë një krahasim me gripin apo ndonjë vaksinë tjetër dhe vaksinën e Pfizer kundër Covid-19, se ne jemi duke krahasuar mollën me portokallin. Vaksina e Pfizer bazohet në teknologjinë mARN, e cila është plotësisht e re në një vaksinë njerëzore.

Kjo teknologji përmban një pjesë të materialit gjenetik të virusit SARS-CoV-2 në formën e ARN-së dërguese (mARN). Dhe i udhëzon qelizat tuaja të marrin një pjesë të virusit, gjë që stimulon një përgjigje imune që pengon infeksionin dhe mbron nga sëmundja. Të gjitha vaksinat janë krijuar për të gjeneruar një përgjigje imune – megjithëse në mënyra të ndryshme – për t’i përgatitur trupat tanë të luftojnë kur e hasim virusin.

LEXO EDHE:  Shkatërrohet banda në Itali, arrestohen 13 shqiptarë

LEXO EDHE:  Lëvizja “5 Yjet” dhe Lega Nord, “surpriza” e zgjedhjeve në Itali/ Rënie e PD-së së Renzit

Por krijimi i një përgjigje imune çon në inflamacion. Disa njerëz nuk do të përjetojnë ndonjë efekt anësor nga një vaksinë, por inflamacioni mund të shfaqet në mënyra të ndryshme në njerëz të ndryshëm dhe midis vaksinave të ndryshme. Kjo mund të nënkuptojë një reagim në vendin e injeksionit, lodhje fizike, ose të ndjerit keq. Vdekjet në Norvegji raportohet se ishin të shoqëruara me ethe, të përziera dhe diarre, të cilat si rregull do të ishin të tolerueshme për shumicën dërrmuese të njerëzve. Se sa njerëz të ndryshëm do t’i përgjigjen ARNi, është ajo që sapo kemi filluar t`a kuptojmë. Ka të ngjarë që kjo vaksinë të ketë efekte më serioze tek njerëzit e moshuar, me të brishtë nga ana shëndetësore, ku përgjigja fillestare inflamatore mund të jetë dominuese. Por është ende herët për të nxjerrë ndonjë përfundim. Vaksinat duhet të gjenerojnë një përgjigje imune në mënyrë që të funksionojë, dhe efektet anësore janë një nënprodukt i trupave tanë që përgatisin një përgjigje imune.

Ndërsa vdekjet janë ngjarje të trishtueshme, ato nuk duhet të jenë shkak për ndonjë alarm. Madje ato na tregojnë se vaksina po stimulon një përgjigje imune. Për shumicën e njerëzve, ajo përgjigje do të jetë plotësisht e tolerueshme dhe do të çojë në zhvillimin e kujtesës imune që ju mbron nga forma e rëndë e Covid-19.
Sfida e madhe për çdo vaksinë, është gjenerimi i mjaftueshëm i një përgjigjeje imune, në mënyrë që të jeni të mbrojtur nga sëmundja në fjalë, por jo aq shumë sa të përjetoni efekte serioze anësore. Aty ku ekziston, ky efekt do të ndryshojë nga njëri tek tjetri, por marrësit më të moshuar dhe më të brishtë të vaksinave, ka të ngjarë të jenë më të rrezikuar nga reagime të forta, që janë potencialisht të rrezikshme për jetën. Pra, për ata që mund të jenë më të ndjeshëm, ne mund të jemi pak më të kujdesshëm./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://theconversation.com/the-pfizer-vaccine-may-not-be-the-best-choice-for-frail-people-but-its-too-early-to-make-firm-conclusions-153445

LEXO TE PLOTE

Blog

Kontrolli i Covid-19, do përcaktojë suksesin apo dështimin e presidencës Biden

Publikuar

-

Nga

Kongresi amerikan certifikon presidentin Joe Biden

Nga William A.Galston “The Wall Street Journal”

Duke prezantuar planin e tij për të vënë nën kontroll pandeminë e Covid-19 në SHBA, Joe Bieden ishte i prerë kur tha javën e kaluar:”Ju keni fjalën time. Ne do të menaxhojmë si duhet këtë operacion”. Ai premtoi atë që na duhet.

Çdo gjë më pak do të ishte një goditje e fortë për administratën e tij dhe vendin tonë. Kur ka një marrëveshje të gjerë mbi një mënyrë veprimi, udhëheqësit vlerësohen se sa mirë e kryejnë atë. Në librin e saj të vitit 2016, ”Pse dështojnë presidentët”, kolegia ime e Institutit Brukings Elen Kamark, tregon se si dështimet në menaxhim, përcaktojnë dështimin ose suksesin e një presidence.

Xhimi Karter nuk e mori veten kurrë nga misioni i tij i dështuar për të shpëtuar pengjet amerikane në Iran, dhe as Xhorxh W.Bush pas reagimit të dobët pas Uraganit Katrina. Defektet e shumta në faqen në internet të Aktit të Kujdesit të Përballueshëm, e dobësuan ndjeshëm presidencën e Obamës.
Kjo gjë është edhe më e rëndësishme kur politikat prekin direkt individët, pasi këto politika tregojnë sesi shoqëria e percepton kompetencën e institucioneve dhe drejtuesve të saj. Politikanët e zgjuar e kuptojnë se qëndrimet e tyre ndaj qeverisë, formësohen nga departamentet e automjeteve motorike apo edhe spitalet që u shërbejnë veteranëve.

Anëtarët e Kongresit e mësojnë shumë shpejt se shërbimet në zyrat e tyre lokale, kanë po aq rëndësi aq edhe sa të votat që marrin.
Ndihma ndaj zgjedhësve për të shmangur burokracitë komplekse ndikon jo vetëm tek ata, por edhe tek historitë që u tregojnë miqve dhe fqinjëve të tyre. Një politikan nuk ka kurrë një shans të dytë për të bërë një përshtypje të parë të mirë, dhe menaxhimi i pandemisë do të jetë përshtypja e parë që do t’u japë amerikanëve presidenti Biden.

Nëse ai e kupton mirë këtë rol, do të forcojë pozitat e tij përballë një Kongresi të ndarë, dhe do të nisë detyrën e gjatë të rindërtimit të besimit të publikut dhe besimit tek qeveria. Por nëse ekipi i tij dështon, ai do të mbajë barrën e zhgënjimit publik të amerikanëve. Biden trashëgon sot një sfidë monumentale. Operacioni ”Warp Speed” i administratës Trump inkurajoi zhvillimin e vaksinave në një kohë rekord, por më pas hasi në shumë vështirësi logjistike. Kompanitë i kanë dorëzuar vaksina më ngadalë se sa pritej.

Shumë shtete nuk janë përgatitur si duhet për të shpërndarë vaksinat që marrin. Disa amerikanë, përfshirë shumë punonjës të kujdesit shëndetësor, hezitojnë të vaksinohen. Ata që e duan vaksinën, e kanë pasur shumë të vështirë të kenë qasje në të, pasi faqet e internetit ku mund të lihet takimi me mjekun janë të ngatërruara për disa, sidomos për amerikanët e moshuar.

LEXO EDHE:  Admirali Giroir i përgjigjet Trump/ Ne nuk gënjejmë për koronavirusin

LEXO EDHE:  Reuters artikull për pandeminë/ Corona u përhap në Itali e Europë që në shtator 2019

Nga ana tjetër, Biden ka një themel mbi të cilin mund të ndërtohet diçka. Shumica e amerikanëve bien dakord se një rikthim i plotë në jetën normale ekonomike dhe shoqërore është i pamundur, derisa ata të jenë të sigurt se janë të mbrojtur nga Covid-19. Përkundër frikës së kuptueshme, por ndonjëherë të tepruar të disave, në lidhje me sigurinë e vaksinave të sapo-autorizuara, ka një mbështetje të gjerë publike për fushatën e vaksinimit masiv. Republikanët dhe demokratët mund të mos bien dakord mbi shumën e parave që duhet shpenzuar, por kërkesat serioze për më shumë ndihmë nga ana e shteteve dhe agjencive të shëndetit publik, ka të ngjarë të pranohen pa shumë debate.

Biden përballet me 3 detyra thelbësore të menaxhimit. Së pari, ai duhet të krijojë një zinxhir të qartë komandues brenda administratës së tij. Ekipi i tij, duhet të dijë se kush është i autorizuar të flasë dhe të veprojë në emër të presidentit. Ai duhet të organizojë një ekip të tërë qeveritar, duke i dhënë secilit anëtar përgjegjësi specifike, dhe të monitorojë vazhdimisht progresin e bërë.

Së dyti, Biden duhet të vendosë synime realiste, dhe t’i realizojë ato. Për shembull, ai ka premtuar publikisht shpërndarjen e 100 milion vaksinave në 100 ditët e tij të para. Pavarësisht nëse ky premtim ishte i mençur apo jo, tani është tepër vonë për t’u tërhequr. Dhe ekipi i tij duhet që ta realizojë atë.
Së treti, ai duhet të rindërtojë marrëdhëniet e punës midis qeverisë federale dhe shteteve. Duhet të ketë një linjë të veçantë që ta lidhë Shtëpinë e Bardhë me guvernatorët e kombit. Presidenti Biden duhet të komunikojë çdo ditë me udhëheqësit e Shoqatës së Guvernatorëve Kombëtarë, dhe t’u kërkojë atyre të shërbejnë si kanale komunikimi ndërmjet shteteve dhe Shtëpisë së Bardhë për kërkesa veçanërisht urgjente nga guvernatorët e veçantë.

Biden ose ekipi i tij duhet të ngrenë një panel publik që të bëjë llogaritjen e prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave, dhe t’i komunikojnë rregullisht publikut informacionet specifike. Nëse ka probleme në linjën e prodhimit të vaksinave, na e thoni. Nëse një korporatë ose agjenci qeveritare nuk po bën punën e saj, na e thoni, dhe merrni përgjegjësi për rregullimin e situatës. Nëse një shtet nuk po bën sa duhet punën e tij, thirrini dhe kërkojuni llogari drejtuesve. Pra trajtojini amerikanët si të rritur, që kanë të drejtën ta dinë si është e vërteta./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.wsj.com/articles/covid-control-will-make-or-break-biden-11611078059?mod=opinion_lead_pos9

LEXO TE PLOTE