Blog
Si vdiq Hitleri?/ Historia e vërtetë e ditëve të tij të fundit, dhe vetëvrasja në bunker

Vdekja e Adolf Hitlerit përmes vetëvrasjes më 30 prill 1945, ishte një pikë kthese në një nga momentet më të errëta të historisë njerëzore. Hitleri u ngjit në pushtet si kancelar i Gjermanisë në vitin 1933, dhe vendosi shumë shpejt një diktatorë absolute.
Pak muaj më vonë, nazistët nxorën jashtë ligjit partitë e tjera politike, dhe shtypën çdo lloj kundërshtimi politik. Hitleri e pa veten si një shpëtimtar të Gjermanisë, pas humbjes poshtëruese të vendit në Luftën e Parë Botërore, që e detyroi t’u paguajë shuma të mëdha parash shteteve fituese.
Depresioni i Madh ekonomik, që e goditi shumë Gjermaninë, krijoi një terren pjellor që Hitleri të mbillte “farën e urrejtjes”. Sipas “Mein Kampf”, manifestit që Hitleri e shkroi në burg në vitin 1924, problemet e Gjermanisë kishin përgjegjës 2 grupe armike:vendet përreth si Franca që i vendosën masa tepër ndëshkuese pas Luftës së Parë Botërore, dhe hebrenjtë, që sipas tij e “ndotën” racën ariane.
Më 1 shtator 1939, Gjermania pushtoi Poloninë. Në vitin 1940, Hitleri pushtoi Francën, Norvegjinë, Danimarkën, Hollandën dhe Belgjikën. Vitin tjetër, pushtoi Bashkimin Sovjetik.
Por në prillin e vitit 1945, Gjermania ishte vetëm disa javë larg humbjes, dhe Hitleri ishte zhdukur nga skena, Kursi i luftës ndryshoi që në vitin 1943, kur Bashkimi Sovjetik shkatërroi divizionet më të mira gjermane në Betejën e Stalingradit. Vitin që pasoi, forcat aleate zbarkuan në Normandi, dhe nisën t’i shtyjnë nazistët të tërhiqen drejt Berlinit.
Në korrikun e 1944-ës, një grusht komandantësh të lartë ushtarakë gjermanë komplotuan për ta rrëzuar Hitlerin, por atentati ndaj Fyhrerit dështoi. Në shenjë hakmarrje, ai ekzekutoi 4.000 njerëz që besonte se ishin të përfshirë më komplot.
Në fillim ushtria amerikane, besonte se Hitleri fshihej në Alpet e Bavarisë, në resortin tij malor të njohur si “Foleja e Shqiponjës”. Por Propaganda naziste, e fshehu vendndodhjen e vërtetë të Fyhrerit. Ministri i Propagandës, Jozef Gëbels, deklaroi në radio se ushtria do e mbronte deri në vdekje liderin nazist.
Në fakt, Hitleri nuk u largua në asnjë rast nga Berlini, duke u strehuar në një bunker nëntokësor në pjesën më të madhe të fillimvitit 1945. Kur forcat aleate kapën rob oficerin e Vehrmahtit, Kurt Ditmar, ai zbuloi se Hitleri ishte ende në Berlin, dhe parashikoi se ai ose do të vritej në luftë ose do të kryente vetëvrasje.
Me forcat aleate që po afroheshin drejt Berlinit nga perëndimi, dhe Ushtrinë e Kuqe që po përparonte nga lindja, Hitleri e dinte se po e humbte luftën. Më 16 Janar 1945, Hitleri u tërhoq në bunkerin e tij nëntokësor, i njohur si Führerbunker, më shumë se 20 metra nën godinën e kancelarisë.
Bunkeri kishte një sipërfaqe 2.700 metra katrorë, kishte një pus për të siguruar ujë të freskët, dhe gjeneratorë për të garantuar furnizimin me energji elektrike. I rrethuar nga mobilje luksoze dhe piktura të shtrenjta, Hitleri e drejtoi luftën nga nëntoka. Bunkeri i fortë prej betony, i rezistoi bombardimeve të ashpra të aleatëve.
Hitleri e dinte se situata ishte e pashpresë. E megjithatë, ai i urdhëroi trupat gjermane të luftonin deri në vdekje, duke kërkuar dënimin me vdekje të çdo komandanti që tërhiqej nga luftimet. Më 22 prill, Hitleri thirri në zyrën e tij 2 sekretaret e tij Krista Shrëder dhe Johana Volf.
Ai u tha:”Gjatë 4 ditëve të fundit situata ka ndryshuar aq shumë, saqë jam i detyruar të shpërndaj stafin tim. Ju që keni shërbyer më gjatë pranë meje, do të niseni të parat. Pas një ore, 1 makinë niset për në Mynih”. Më 29 Prill 1945, një ditë para vdekjes, diktatori u martua me Eva Braun, të dashurën e tij prej 16 vjetësh.
Para dasmës së tyre, Hitleri e urdhëroi Braunin të largohej nga bunkeri, por ajo nuk pranoi, duke i premtuar besnikëri deri në fund. Atë ditë Adolf Hitleri mësoi për ekzekutimin e ish aleatit të tij të Boshtit, Benito Musolini. Duke u zotuar të shmangte të njëjtin fat, Hitleri vendosi të kryente vetëvrasje.
Ai urdhëroi truprojet e tij të digjnin letrat e tij personale. Ndëkohë testoi tek qeni i tij Blondi një kapsulë me cianid. Ushtria e Kuqe ishte gati në hyrje të bunkerit, kur Hitleri hëngri vaktin e tij të fundit: makarona me salcë domatesh. Gëbelsi u përpoq deri në fund ta bindte Fyhrerin të mos vriste veten.
“Doktor, ju e dini vendimin tim. Nuk ka asnjë ndryshim! Ju sigurisht që mund të largoheni nga Berlini me familjen tuaj”- iu përgjigj Hitleri. Sigurisht, që Gëbelsi nuk e bëri, dhe as familja e tij. Pak më vonë, Gëbelsi dhe gruaja e tij Magda do të helmonin fëmijët e tyre, dhe më pas do të vrisnin veten.
Hitleri mblodhi stafin e tij personal, dhe i takoi që të gjithë. Me një zë të qetë, Hitleri i tha shërbëtorit të tij, oficerit SS, Hajnc Linge:”Tani do të qëlloj veten time. Ti e di se çfarë duhet të bësh pastaj”. Para se të largohej, Hitleri bëri përshëndetjen naziste dhe shtoi:”Gjithçka ka marrë fund, mirupafshim!”
Hitleri dhe Braun u mbyllën në dhomën e tyre private. Ishte pasditja e 30 prillit 1945. Eva piu një kapsul me cianid, dhe priti që ajo të jepte efektin e saj. Edhe Hitleri gëlltiti një pilulë cianidi. Më pas e qëlloi veten në kokë me pistoletë. Jashtë dhomës, besnikët e Hitlerit prisnin të shtënat e armës.
Menjëherë pas vdekjes së Hitlerit, besnikët e tij i nxorrën 2 trupat në një kopsht të vogël jashtë bunkerit. Gëbels dhe Borman i lyen kufomat me benzinë, dhe u vunë flakën. Që nga ajo kohë ka pasur shumë teori konspirative, që pretendojnë se Hitleri nuk u vetëvra, por u arratis në Amerikën e Jugut.
Por në vitin 2018, disa ekspertë francezë vërtetuan se vdekja e Hitlerit ndodhi pikërisht në vitin 1945. Ata arritën në këtë përfundim, duke analizuar mbetjet e dhëmbëve dhe kafkës së diktatorit, të ruajtura nga rusët, të cilat shkencëtarët i identifikuan si autentike./ Allthatsinteresting–Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Dhjetëra të vdekur pas marrjes së vaksinës së Pfizer, çfarë po ndodh?
Nga Nathan Bartlett “The Conversation” Raportet për rreth 30 vdekje midis të moshuarve në një azil që morën vaksinën Pfizer, kanë bërë xhiron e mediave...

Pse reagimi i dobët ndaj Covid-19, po e bën Francën gazin e botës
Nga John Keiger “Spectator” Franca është anëtarja e vetme e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, që nuk ka zhvilluar një vaksinë të saj...