Connect with Us

Koronavirusi/ Historiani i ekonomisë: Ndodhemi ende në fillim të krizës

Blog

Koronavirusi/ Historiani i ekonomisë: Ndodhemi ende në fillim të krizës

Publikuar

-

Kriza Corona ka ngjashmëri me ekonomitë e luftës, thotë historiani Albrecht Ritschl në intervistë për DW. Ajo mund të arrijë përmasat e krizës ekonomike botërore.

DW: Ju jeni historian dhe studioni krizat ekonomike. Në pak javë – cilat janë tiparet qendrore të një krize ekonomike?

Albrecht Ritschl: Rënia e kërkesës, rënia e prodhimit, papunësia masive, kriza financiare dhe më pas shpesh pason një krizë e borxheve të shtetit.

Vërtetë e shpjeguar me pak fjalë. Por në ç’fazë jemi ne në krizën aktuale ekonomike?

Ne ndodhemi në fillim të krizës Ajo mund të jetë po aq e fortë sa kriza ekonomike botërore e fillimit të viteve tridhjetë të shekullit të 20-të. As një rënie e produktit bruto në vend me rreth 20% nuk mund të përjashtohet. Premisat janë të errëta dhe kjo varet se sa do të zgjasin masat e karantinës.

Veranstaltung über eine Lösung der Reparationsfrage zwischen Deutschland und Griechenland (DW/P. Kouparanis)
Albrecht Ritschl është historian i ekonomisë. Që nga viti 2007 ai jep mësim në London School of Economics.

Ekonomia është paralizuar thuajse tërësisht – të gjitha aktivitetet janë bllokuar. A ka pasur herë tjetër situatë të tillë?

Krahasime është e vështirë të bëhen. I vetmi krahasim i saktë mund të jetë me ekonomitë e luftës. Gjatë luftërave botërore kudo u mbyllën lokalet, dyqanet e vogla dhe ndërmarrjet e zejtarisë. Arësyeja ishte natyrisht, që të liroheshin burime për ekonominë e luftës. Tani nuk e kemi këtë situatë. Megjithatë qysh tani mund ta thuash, se disa sektorë mund të tkurren ngjashëm si në kohë lufte. Gjatë luftrave në sektorë të tillë ekonomia ka rënë deri në 70 përqind.

Sa kohë mund të përballohet një stopim i tillë ekonomik?

Natyrisht që të gjithë hamendësojmë, se kur mund të shkaktohen ngushtica furnizimi apo trazira sociale. Kjo duket se si për rrjedhojë poltikanë ndërkombëtarë janë në panik. Më qartë e shohim tek presidenti i SHBA-së: ai përpiqet të shpëtojë lëkurën e vet, duke premtuar, që pas Pashkëve të rivihet në funksionim ekonomia. Askush nuk e di, se si ai arrin në këtë përfundim. Por shpesh ndodh që kalkulimi politik funksionon ndryshe nga ai i ekspertëve.

A ka shteti fuqi konceptimi në aspektin e politikës ekonomike në situata të tilla?

Ajo që shohim tani në nivel ndërkombëtar janë ndihmat e shtetit. P.sh. në SHBA. Edhe në Gjermani ndodh e njëjta gjë në parim. Të tilla masa i njohim edhe nga luftrat botërore. Në thelb kjo është përpjekja e zjarrëfikësit financiar. Eshtë një veprim reaktiv, por jo një pushtet në thelb konceptues. E panjohura e madhe ka të bëjë me masat kufizuese dhe efektin e tyre. A është masa e izolimit më keq se sa sëmundja? Ndërkohë kjo po diskutohet intensivisht.

Shtetet ndërkohë po japin shumë para, madje mund të thuash, se ato po hedhin kartëmonedha të reja në treg. A është inflacioni një rrjedhojë e pashmangshme?

Nuk e dimë nëse është vërtetë kështu. Ekonomistët e kanë parathënë këtë për periudhën pas krizës financiare më 2008. Por ne të gjithë atëherë nuk patëm të drejtë, përfshi edhe mua. Ajo qe dua të them, është se ne vërtetë nuk e dimë. Po unë them, që megjithatë rreziku ekziston.

LEXO EDHE:  Koronavirusi shënon viktimën e dytë në Shqipëri

Si e ndryshojnë krizat ekonominë?

Efekti kryesor janë spostimet industriale dhe sektoriale në mënyrën e punës. Shembulli tipik është, që ajo çfarë bëjmë ne tani: Home-Office. Mund ta përfytyroj fare mirë, që një pjesë e madhe do të vazhdojë t’i përmbahet kësaj mënyre të punuari. Të gjitha krizat e mëdha kanë çuar në ndryshimin e mënyrës së prodhimit.

Një shembull për këtë?

Lufta e Parë Botërore: forcimi i aftësisë së gruas për punë, njohja e sindikatave, pranimi i punës tetë orëshe, realizimi i së drejtës së përgjithshme të votës. Në vitet 1930 ka pasur përpjekje të dhunshme për ta ndryshuar këtë kurs. Pas Luftës së Dytë Botërore pamë se si u realizua prodhimi industrial në masë, fuqizimi i shoqërisë së konsumit, aksesi masiv në një arsimim më të mirë. Këto si shembuj tregojnë për ndryshimet pas krizave ekonomike.

A ka faktorë, që ndihmojnë në ripërtëritjen pas një krize?

Forca e mirëfilltë nxitëse për ripërtëritjen pas një krize janë borxhet e shtetit. Nëse një vend para krizës ka pasur relativisht borxhe të ulëta shtetërore – e kësisoj hapësira veprimi në politikat fiskale, – atëherë ai mund të dalë më lehtë nga kkriza. Vendet që nuk e kanë këtë situatë, në mënyrë simptomatike pas krizës përballen me borxhet e ekzagjeruara shtetërore. Europa Jugore është shembulli klasik i krizës më 2008, e sërish ky rajon do të ketë situatë të ngjashme.

Pra ju mendoni, që Gjermania është e konsoliduar në këtë drejtim?

Gjermania duke ndjekur politikën e diskutueshme të zero borxheve ka potencial, që ta përballojë në masë të madhe këtë krizë. Pra Gjermania ka një situatë të mirë. Por në Gjermani kemi problemin, se ajo është e ndërlidhur fuqishëm ndërkombëtarisht shumë më tepër, se shumica e ekonomive të mëdha botërore. Kjo do të thotë, që ne më shumë se të tjerët jemi të varur prej fqinjëve tanë e ata duhet të jenë në gjendje të mirë.

Albrecht Ritschl është historian i ekonomisë. Që nga viti 2007 ai jep mësim në London School of Economics./ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

 Si vdiq Hitleri?/ Historia e vërtetë e ditëve të tij të fundit, dhe vetëvrasja në bunker

Publikuar

-

Nga

Vdekja e Adolf Hitlerit përmes vetëvrasjes më 30 prill 1945, ishte një pikë kthese në një nga momentet më të errëta të historisë njerëzore. Hitleri u ngjit në pushtet si kancelar i Gjermanisë në vitin 1933, dhe vendosi shumë shpejt një diktatorë absolute.

Pak muaj më vonë, nazistët nxorën jashtë ligjit partitë e tjera politike, dhe shtypën çdo lloj kundërshtimi politik. Hitleri e pa veten si një shpëtimtar të Gjermanisë, pas humbjes poshtëruese të vendit në Luftën e Parë Botërore, që e detyroi t’u paguajë shuma të mëdha parash shteteve fituese.

Depresioni i Madh ekonomik, që e goditi shumë Gjermaninë, krijoi një terren pjellor që Hitleri të mbillte “farën e urrejtjes”. Sipas “Mein Kampf”, manifestit që Hitleri e shkroi në burg në vitin 1924, problemet e Gjermanisë kishin përgjegjës 2 grupe armike:vendet përreth si Franca që i vendosën masa tepër ndëshkuese pas Luftës së Parë Botërore, dhe hebrenjtë, që sipas tij e “ndotën” racën ariane.

Më 1 shtator 1939, Gjermania pushtoi Poloninë. Në vitin 1940, Hitleri pushtoi Francën, Norvegjinë, Danimarkën, Hollandën dhe Belgjikën. Vitin tjetër, pushtoi Bashkimin Sovjetik.

Por në prillin e vitit 1945, Gjermania ishte vetëm disa javë larg humbjes, dhe Hitleri ishte zhdukur nga skena, Kursi i luftës ndryshoi që në vitin 1943, kur Bashkimi Sovjetik shkatërroi divizionet më të mira gjermane në Betejën e Stalingradit. Vitin që pasoi, forcat aleate zbarkuan në Normandi, dhe nisën t’i shtyjnë nazistët të tërhiqen drejt Berlinit.

Në korrikun e 1944-ës, një grusht komandantësh të lartë ushtarakë gjermanë komplotuan për ta rrëzuar Hitlerin, por atentati ndaj Fyhrerit dështoi. Në shenjë hakmarrje, ai ekzekutoi 4.000 njerëz që besonte se ishin të përfshirë më komplot.

Në fillim ushtria amerikane, besonte se Hitleri fshihej në Alpet e Bavarisë, në resortin  tij malor të njohur si “Foleja e Shqiponjës”. Por Propaganda naziste, e fshehu vendndodhjen e vërtetë të Fyhrerit. Ministri i Propagandës, Jozef Gëbels, deklaroi në radio se ushtria do e mbronte deri në vdekje liderin nazist.

Në fakt, Hitleri nuk u largua në asnjë rast nga Berlini, duke u strehuar në një bunker nëntokësor në pjesën më të madhe të fillimvitit 1945. Kur forcat aleate kapën rob oficerin e Vehrmahtit, Kurt Ditmar, ai zbuloi se Hitleri ishte ende në Berlin, dhe parashikoi se ai ose do të vritej në luftë ose do të kryente vetëvrasje.

Me forcat aleate që po afroheshin drejt Berlinit nga perëndimi, dhe Ushtrinë e Kuqe që po përparonte nga lindja, Hitleri e dinte se po e humbte luftën. Më 16 Janar 1945, Hitleri u tërhoq në bunkerin e tij nëntokësor, i njohur si Führerbunker, më shumë se 20 metra nën godinën e kancelarisë.

Bunkeri kishte një sipërfaqe 2.700 metra katrorë, kishte një pus për të siguruar ujë të freskët, dhe gjeneratorë për të garantuar furnizimin me energji elektrike. I rrethuar nga mobilje luksoze dhe piktura të shtrenjta, Hitleri e drejtoi luftën nga nëntoka. Bunkeri i fortë prej betony, i rezistoi bombardimeve të ashpra të aleatëve.

Hitleri e dinte se situata ishte e pashpresë. E megjithatë, ai i urdhëroi trupat gjermane të luftonin deri në vdekje, duke kërkuar dënimin me vdekje të çdo komandanti që tërhiqej nga luftimet. Më 22 prill, Hitleri thirri në zyrën e tij 2 sekretaret e tij Krista Shrëder dhe Johana Volf.

LEXO EDHE:  Pakti për zgjidhjen e krizës/ Patozi i “nxjerr bojën” Bashës

LEXO EDHE:  “Mos u mburr me urdhëra, por me përgjegjësi”/ Sherefedin Shehu leksion Ramës: Mbro biznesin, këshillat i japin mjekët

Ai u tha:”Gjatë 4 ditëve të fundit situata ka ndryshuar aq shumë, saqë jam i detyruar të shpërndaj stafin tim. Ju që keni shërbyer më gjatë pranë meje, do të niseni të parat. Pas një ore, 1 makinë niset për në Mynih”. Më 29 Prill 1945, një ditë para vdekjes, diktatori u martua me Eva Braun, të dashurën e tij prej 16 vjetësh.

Para dasmës së tyre, Hitleri e urdhëroi Braunin të largohej nga bunkeri, por ajo nuk pranoi, duke i premtuar besnikëri deri në fund. Atë ditë Adolf Hitleri mësoi për ekzekutimin e ish aleatit të tij të Boshtit, Benito Musolini. Duke u zotuar të shmangte të njëjtin fat, Hitleri vendosi të kryente vetëvrasje.

Ai urdhëroi truprojet e tij të digjnin letrat e tij personale. Ndëkohë testoi tek qeni i tij Blondi një kapsulë me cianid. Ushtria e Kuqe ishte gati në hyrje të bunkerit, kur Hitleri hëngri vaktin e tij të fundit: makarona me salcë domatesh. Gëbelsi u përpoq deri në fund ta bindte Fyhrerin të mos vriste veten.

“Doktor, ju e dini vendimin tim. Nuk ka asnjë ndryshim! Ju sigurisht që mund të largoheni nga Berlini me familjen tuaj”- iu përgjigj Hitleri. Sigurisht, që Gëbelsi nuk e bëri, dhe as familja e tij. Pak më vonë, Gëbelsi dhe gruaja e tij Magda do të helmonin fëmijët e tyre, dhe më pas do të vrisnin veten.

Hitleri mblodhi stafin e tij personal, dhe i takoi që të gjithë. Me një zë të qetë, Hitleri i tha shërbëtorit të tij, oficerit SS, Hajnc Linge:”Tani do të qëlloj veten time. Ti e di se çfarë duhet të bësh pastaj”. Para se të largohej, Hitleri bëri përshëndetjen naziste dhe shtoi:”Gjithçka ka marrë fund, mirupafshim!”

Hitleri dhe Braun u mbyllën në dhomën e tyre private. Ishte pasditja e 30 prillit 1945. Eva piu një kapsul me cianid, dhe priti që ajo të jepte efektin e saj. Edhe Hitleri gëlltiti një pilulë cianidi. Më pas e qëlloi veten në kokë me pistoletë. Jashtë dhomës, besnikët e Hitlerit prisnin të shtënat e armës.

Menjëherë pas vdekjes së Hitlerit, besnikët e tij i nxorrën 2 trupat në një kopsht të vogël jashtë bunkerit. Gëbels dhe Borman i lyen kufomat me benzinë, dhe u vunë flakën. Që nga ajo kohë ka pasur shumë teori konspirative, që pretendojnë se Hitleri nuk u vetëvra, por u arratis në Amerikën e Jugut.

Por në vitin 2018, disa ekspertë francezë vërtetuan se vdekja e Hitlerit ndodhi pikërisht në vitin 1945. Ata arritën në këtë përfundim, duke analizuar mbetjet e dhëmbëve dhe kafkës së diktatorit, të ruajtura nga rusët, të cilat shkencëtarët i identifikuan si autentike./ Allthatsinteresting–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Shansi i humbur i Europës në mbrojtjen nga koronavirusi

Publikuar

-

Nga

Europianët po e paguajnë reagimin e vonuar të qeverive europiane ndaj pandemisë së Coronës me kufizimin e lirisë personale dhe recesion të thellë. Europa mund të kishte mësuar nga Singapori, kritikon Christina zur Nedde.

Përhapja e virusit Corona e ka kthyer botën përmbys: Vendet demokratike e “të lira” si Austria izolojnë qytetarët e tyre duke menduar madje edhe përgjimin e tyre. Kundrejt kësaj qytetarët në vendet aziatike “autoritare”, si Singapori në javët e shkuara gëzuan më shumë liri se europianoperëndimorët. Megjithë lidhjet e ngushta ekonomike e të transportit me Kinën, Singapori ia doli të mbajë të ulët numrin e rasteve të Coronës dhe të mos e prekë shumë jetën publike. Europa mund të kishte mësuar prej tij.

Sekreti i Singaporit

Megjithë cënueshmërinë si një nyje globale e shumëpopulluar, Singapori ka pasur deri të premten 422 raste akute të Coronës dhe 2 raste vdekjeje. Virusi i ri u shfaq aty pak pas festës kineze të Vitit të Ri dhe do të kishte pasoja katastrofale për qytetin-shtet. Por megjithë rrezikun e dëmtimit të marrëdhënieve ekonomike me partnerin e tretë më të madh tregtar, Singapori vendosin kufizimin e udhëtimit në vend për pasagjerë nga Kina. Madje kundër këshillës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, se ndalimet e udhëtimit në këtë moment nuk janë të nevojshme.

Singapori kishte deri në mes të shkurtit më shumë se 80 raste Covid, numrin më të lartë jashtë Kinës. Ky vend veproi shpejt, duke izoluar të sëmurët dhe testuar secilin person me simptoma gripi dhe pneumonie. Personat që kishin pasur kontakt u gjetën përmes ndihmës së “contact tracking” dhe u futën në karantinë. Metoda e zhvilluar gjatë epidemisë SARS në vitin 2003 pati sukses. Në bazë të saj regjistroheshin me hollësi të gjitha të dhënat e kontaktit të personave që kishin hyrë në ndërtesa, të infektuarit mund të pyeteshin me saktësi, se ku kishin qëndruar më parë personat e sëmurë me cilin kishin pasur kontakt.

Përmbledhtazi mund të thuhet, se suksesi i Singaporit në mbajtjen nën kontroll të virusit Corona lidhet me katër faktorë: mbylljen e hershme të kufijve, ndjekjen rigoroze të kontaktimit, shumë teste dhe SARS-in si provë e përgjithshme gjenerale. Falë këtyre masave mund të vazhdonte jeta publike normalisht. Restorantet, qendrat tregtare, shkollat, zyrat janë deri më sot të hapura. Hong-Kongu dhe Tajvani megjithë afërsinë gjeografike me Kinën kanë pak a shumë një sukses të tillë.

I mungon Europës përvoja e SARS?

Megjithëse tingëllojnë të tmerrshme, këto masa do mund të kishin ndihmuar. Që Europa nuk reagoi shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj pandemisë që po përhapej, kjo ishte pasojë e një arrogance eurocentriste dhe përpjekjeve të pakoordinuara për të mbrojtur firmat lokale. Megjithëse krerët e shteteve dhe qeverive kishin dijeni për virusin që në fund të dhjetorit, ai u injorua për një kohë të gjatë si „një problem aziatik”. Gjithçka që Singapori e bëri ashtu si duhet – mbylljen e hershme të kufijve, teste të zgjeruara dhe ndjekjen e kontakteve për izolim -vendet europiane e bënë gabim. Le të marrim si shembull Austrinë. Fluturimet nga Kina, Irani dhe Italia u ndaluan vetëm më 9 mars. Frika se do të dëmtohet ekonomia lokale për shkak të ndalimit të udhëtimit bëri që qeveria të merrte vonë masa rigoroze.

Një nga qendrat e shpërthimit të pandemisë në Europë, Iscgl në Austri kishte nevojë për 8 ditë gjithsej për të reaguar ndaj rasteve të konfirmuara të turistëve me Corona nga Islanda dhe të mbyllte baret, liftet e skive e hotelet. Pastaj me nxitim dhe pa i testuar më parë të gjithë turistët u nisën në shtëpi, duke e shpërndarë virusin në të gjithë Europën. Kapacitetet e testimit të europianëve janë të pakta, megjithëse qeveritë kishin jo pak kohë për t’u përgatitur. Madje as personeli mjekësor nuk ka qasje të mjaftueshme në teste, dhe kjo shkakton një tjetër mungesë, atë të mungesës së mjekëve dhe infermierëve, që duhet të futen në karantinë, e të presin me ditë rezultatet e testeve të tyre.

LEXO EDHE:  Koronavirusi hyn dhe në parlamentin italian

LEXO EDHE:  “Mos u mburr me urdhëra, por me përgjegjësi”/ Sherefedin Shehu leksion Ramës: Mbro biznesin, këshillat i japin mjekët

Christina zur Nedden

Liria personale bie viktimë

Një ndjekje e kontakteve si në Singapor është e papërfytyrueshme në Europë. Shansi për të zhvilluar diçka të përfafërt nuk u përdor. Në vend të kësaj qeveritë kanë marrë masat më të rrepta për lirinë personale që nga Lufta e Dytë Botërore. Në vend të identifikojnë kush është i infektuar, dhe të izolojnë këta persona në mënyrë efektive, qytetarët janë futur në një gjysmë izolim të paefektshëm. Sepse ende ka shumë pika kontakti që mundësojnë transmentimin e virusit, e nuk ke mundësi të identifikosh kush është i infektuar. Në të njëjtën kohë liria personale reduktohet në një minimum, ekonomia është paralizuar, operatorët e celularëve i japin të dhënat e lëvizjeve tek autoritetet, ndryshe nga sa u premtua në rregulloren bazë të të dhënave të BE.

E ardhmja

Kjo krizë nuk është vetëm krizë shëndetësore, por edhe e mënyrës se si veprojmë ne me të, që nga reagimi i vonuar deri tek efektet personale. Pritshmëria jonë ndaj krerëve politikë është që ata të sigurojnë si shëndetin ashtu edhe lirinë tonë. Kur kjo krizë të kalojë duhet të analizojmë, se pse shkoi puna kaq larg dhe çfarë mund të mësojmë nga Singapori.

Christina zur Nedden është gazetare me profesion të lirë. Në shkurt ajo ka qenë në Singapor, e tani ndodhet në Vjenë./ DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Shkëlqimi dhe rënia e jeniçerëve, trupat ushtarake elitë të Perandorisë Osmane

Publikuar

-

Nga

Gjatë Mesjetës së vonë, jeniçerët ishin forca më e fuqishme ushtarake në botë. Në kulmin e tyre, ata ishin një trupë prej 200 mijë ushtarësh, dhe ishin luftëtarët më të stërvitur që kishte parë Evropa dhe Lindja e Mesme që nga koha e Perandorisë Romake.

Shumë prej tyre ishin stërvitur që në moshë të re, për të mbrojtur interesat politike në rritje
të Perandorisë Osmane. Por ndikimi politik i jeniçerëve, do të paraqiste një kërcënim të vazhdueshëm për pushtetin e vetë sulltanit, çka edhe çoi në fund në shpërbërjen e kësaj force elitare, pas një rebelimi të madh të tyre në fund të shekullit XVII-të.

Historia e kësaj njësie ushtarake elitare daton që në shekullin XIV, kur Perandoria Osmane nisi të sundojë hapësira të mëdha të Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut dhe pjesëve të Evropës. Vetë Perandoria Islame u themelua rreth vitit 1299, nga një udhëheqës fisnor turk nga Anadolli – Turqia e sotme – i quajtur Osmani I.
Nën udhëheqjen e pasardhësve të tij, territoret e Perandorisë Osmane u zgjeruan nga Azia e Vogëlderi në Afrikën e Veriut. Ndër pasardhësit e Osmanit ishte edhe Sulltan Muradi I, që sundoi midis viteve 1362-1389. Nën mbretërimin e tij, mbi territoret e krishtera u vendos një sistem taksash i njohur si “devşirme”.

Jeniçerët ishin një njësi ushtarake elitare. Anëtarët e saj i nënshtroheshin një stërvitje intensive që në moshë të re, dhe ata detyroheshin të betoheshin se do të ishin besnikë ndaj sulltanit. Taksa parashikonte që autoritetet osmane të merrnin djemtë e vegjël të krishterë 8-vjeçarë nga prindërit e tyre, veçanërisht nga familjet në Ballkan, për të punuar si skllevër.
Ka shumë tregime historike të familjeve të krishtera, që përpiqeshin me çdo mënyrë të mos i dorëzonin fëmijet e tyre tek osmanët. Jeniçerët, nuk ishin vetëm një degë e veçantë e ushtrisë. Ata kishin gjithashtu edhe pushtet politik. Prandaj, anëtarët e kësaj njësie gëzonin disa privilegje, kishin rroga më të larta, merrnin dhurata nga sulltani, dhe ushtronin madje ndikim politik.

Në fakt, ndryshe nga shtresat e tjera të skllevërve të mbledhur përmes sistemit “devşirme”, jeniçerët gëzonin statusin e njerëzve “të lirë”, dhe konsideroheshin si “bijtë e sulltanit”. Luftëtarët më të mirë, shpërbleheshin me ngritje në përgjegjësi në radhët e ushtrisë, dhe ndonjëherë merrnin pozicione politike në perandori.
Në këmbim të këtyre privilegjeve, jeniçerët konvertoheshin në fenë islame, nuk martoheshin asnjëherë, dhe ishin tërësisht besnikë ndaj sulltanit. Kur sulltan Mehmedi II pushtoi Kostandinopojën (Stambolli i sotëm) në vitin 1453, jeniçerët luajtën një rol të rëndësishëm në
atë luftë.

LEXO EDHE:  Koronavirusi hyn dhe në parlamentin italian

LEXO EDHE:  Ahmetaj nxjerr shifrat/ Sa është rritur ekonomia shqiptare

“Ata ishin një ushtri moderne, shumë kohë para se Evropa të ngrinte njësi të tilla”- thotë Virginia H.Aksan, profesore e historisë në Universitetin Mekmaster në Kanada. “Ushtritë evropiane, përdornin ende kalorësit e veshur me armaturat e rënda, nën të cilat mezi lëviznin”- shton ajo.
Jeniçerët ishin veçanërisht të njohur për harqet e tyre. Por ata ishin gjithashtu të aftë për të luftuar me shpata. Uniformat e tyre të lehta, i jepnin mundësi të manovronin me shkathtësi përballë kundërshtarëve të tyre perëndimorë, të cilët mbanin zakonisht armaturat e rënda, shpata më të trasha dhe më të rënda.

Kreu i tyre ishte ‘jeniçeri agası’, ose “agai i jeniçerëve”. Kur jeniçerët nuk luftonin në front, ata mblidheshin në kafenetë e qyteteve, ose rreth enës së madhe të gatimit të kampit të tyre, që quhej kazan. Ushqimi nga kazani, ishte një mënyrë për të kultivuar solidaritetin midis ushtarëve.
Ata furnizoheshin me ushqime të bollshme nga pallati i sulltanit, si pilaf me mish, supë, dhe puding me shafran. Pranimi i ushqimit të sulltanit, simbolizonte harmoninë e jeniçerëve me udhëheqësin. Nëse ata e refuzonin ushqimin, kjo ishin një shenjë shqetësuese, pasi mund të sinjalizonte fillimin e një rebelimi.
Dhe përgjatë historisë së Perandorisë Osmane pati disa rebelime jeniçerësh. Në vitin 1622, sulltani Osmani II, që planifikoi të zhdukte jeniçerët, mbylli kafenetë që ata frekuentonin, dhe vrau disa nga liderët e tyre më të njohur. Por Selimi III, u rrëzua nga froni pikërisht nga jeniçerët. Në një farë mënyre, ata ishin një forcë e rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit të perandorisë, por njëherazi një kërcënim për pushtetin e vetë sulltanit .

Ndikimi politik i jeniçerëve, nisi të zbehej në fillim të shekullit XVII-të. Ligji “devşirme” u shfuqizua në vitin 1638, dhe anëtarësimi në këtë njësi elitare u diversifikua përmes reformave, që lejonin hyrjen në të edhe të myslimanëve turq. U anulua edhe rregulli i të qenit beqar.
Në fund të atij shekulli, numri i tyre ishte vetëm 20.000. Rënia përfundimtare e jeniçerëve ndodhi në vitin 1826, nën sundimin e Sulltan Mahmudit II. Sulltani donte të ndërmerrte disa reforma në forcat e tij ushtarake, të cilat u refuzuan nga ushtarët e jeniçerëve. Sulltani përdori artilerinë për të bombarduar kazermat e tyre. Të mbijetuarit e asaj masakre, u internuan ose u ekzekutuan, duke shënuar kësisoj fundin e kësaj njësie dikur të lavdishme./CNA.al

LEXO TE PLOTE