Blog
Hapja e bisedimeve të anëtarësimit në BE/ Përparim apo gjest simbolik?

Ministrat e jashtëm të Bashkimi Evropian, çelën të martën dritën jeshile për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit më Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Zyrtarët evropianë, e cilësuan vendimin si një shenjë se BE-ja është ende në gjendje të marrë vendime strategjike, madje edhe në kohëra krizash, siç është pandemia aktuale e koronavirusit. Por a ishte ku vendim, një përparim real në procesin e integrimit të këtyre vendeve, apo një gjest simbolik? Ja se çfarë mendojnë ekspertët:
Daniel Frid, anëtar i Nismës të Këshillit Atlantik për Ardhmërinë e Evropës:
Tetorin e vitit të kaluar, kur presidenti francez Emanuel Makron (të cilit iu bashkuan edhe hollandezët) bllokoi negociatat e pranimit, kritikët e akuzuan Francën (dhe BE-në në përgjithësi) se ia përplasi derën në fytyrë vendeve që kishin besuar tek Brukseli, duke i dhënë de fakto fund zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Makron pohoi në atë kohë, se nuk po e ndalte zgjerimin e unionit, por po forconte kushtëzimet, i shqetësuar për hapat prapa të disa vendeve kandidate (apo vendeve të reja). Skeptikët e hodhën poshtë këtë arsyetim, por ai duket se e kishte parashikuar këtë. Pas disa muajve pune, ai propozoi një marrëveshje:Zgjerimi i BE-së do të bazohet në “kritere të rrepta, dhe që parashikojnë edhe kthyeshmërinë e procesit, në rastin e bërjes së hapave pas nga vendi aspirant”.
BE-ja mund të jetë disi e rrëmujshme, si çdo strukturë politike demokratike. Por ajo ende funksionon. Vendimi i fundit, e justifikon këmbënguljen e Shkupit dhe Tiranës. Zgjerimi mbetet një opsion për të ardhmen, por duhen ndërmarrë hapat e duhur për të mbërritur atje.
Dimitar Beçev, bashkëpunëtor në Qendrën Euraziatike të Këshillit Atlantik:
Vendimi i ministrave të jashtëm të BE, është një lajm i mirëpritur. Ai vjen në një kohë kur Evropa po përballet me një krizë të madhe të shëndetit publik, dhe po druhet nga pasojat e saj të rënda ekonomike. Mbajtja e gjallë e shpresës së zgjerimit, tregon aftësinë që ka unioni për të mbajtur premtimet e saj.
Por dy vendet e Ballkanit Perëndimor, janë vetëm në fillim të një rrugëtimi të gjatë. Maqedonia e Veriut, të cilën KE e konsideroi të gatshme të niste bisedimet që në vitin 2009, do të ishte me fat nëse do të bëhet pjesë e unionit, para fundit të dekadës që sapo ka nisur. Për Shqipërinë, që nuk do të ketë një datë konkrete të nisjes së bisdimeve brenda këtij viti, kjo gjë me siguri do të zgjasë edhe më shumë.
Por destinacioni për ku janë nisur Shkupi dhe Tirana, mbetet i paqartë. Këto vende, ka të ngjarë të pranohen në një rreth të jashtëm të një BE-je me disa nivele. Integrimi i tyre, do sjellë pa dyshim përfitime ekonomike, por nuk dihet nëse kjo gjë mund të sjellë ndryshime të thella politike.
Xhudi Anslei, këshilltare e Nismës së Këshillit Atlantik për Ardhmërinë e Evropës:
Ky është një vendim i vonuar, por shumë i mirëpritur nga BE-ja. Është një vendim, që njeh dhe shpërblen progresin e rëndësishëm që kanë bërë të dyja vendet në zbatimin e reformave, dhe në zgjidhjen e konflikteve, për të ecur drejt integrimit në familjen evropiane.
Dështimi i BE-së vjeshtën e kaluar, bëri që shumë njerëz në rajon – dhe më tej – të pyesin nëse kishte mbetur një rrugë reale për zgjerimin e BE-së. Vendimi i fundit i BE-së, u dërgon një mesazh të fortë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, se rruga për anëtarësim në union është e hapur, dhe se e ardhmja e tyre është në Perëndim. Tani u takon këtyre vendeve, të ndërmarrin reformat e nevojshme.
Valeska Esh, drejtore e programeve për Evropën në Institutin Aspen, Gjermani:
Me këtë vendim, BE ka dëshmuar më në fund se e merr ende seriozisht perspektivën e anëtarësimit në union të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe i shpërblen përpjekjet e tyre për reforma. Megjithatë, vendimi i kësaj jave mund të jetë vetëm hapi i parë drejt një ri-angazhimi më aktiv në rajon.
Brukseli duhet të vazhdojë mbështetjen për reformat në të gjithë rajonin, të përdorë për këtë gjë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, të monitorojë nga afër dhe vlerësojë zhvillimet në të gjitha vendet aspirante, të shpërblejë përparimin e tyre, por dhe t’i ndëshkojë në rastin e mungesës së progresit.
BE-ja duhet të angazhohet sërish në dialogun Kosovë-Serbi. Për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit dypalësh, do të kërkohet një marrëveshje e mbarë shoqërisë në të dyja vendet, si dhe një kordinim i ngushtë me shtetet anëtare të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara.
Olivier-Rémy Bel, bashkëpunëtor në Këshillin Atlantik:
Vendimi i 24 marsit, është një hap i madh përpara për të dyja vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që kanë punuar shumë për të arritur në këtë pikë. Por për të dyja, ka ende shumë punë për të bërë. KE ka miratuar së fundmi vendosjen e parakushteve të mëtejshme për Shqipërinë, sidomos në lidhje me reformën zgjedhore, sundimin e ligjit, dhe luftën ndaj korrupsionit.
Tani Komisioni Evropian, duhet të paraqesë një kornizë mbi bisedimet e para zyrtare, para se të zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare. Bisedimet ka të ngjarë të zgjasin me vite, dhe nëse do të zbatohet metodologjia e re e zgjerimin, çdo hap prapa në zbatimin e reformave, do të nënkuptojë vonimin e pranimit të mundshëm në union.
Thelbësore do të ketë mbështetja e vullnetit politik të brendshëm për reforma. Edhe pse procesi i ri, që mund të ndihmojë u reformua jo pak nga Franca. Gjithsesi, vendet kandidate do të ishin të mençura, nëse do ta shfrytëzonin këtë kohë për të ndryshuar mendimin e opinionit publik në shtetet anëtare./ Atlanticcouncil-Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Si lindi teoria e pllakave tektonike, që shpjegon ndodhjen e tërmeteve
Për shekuj me radhë, shtresa më e sipërme e Tokës mendohej të ishte statike dhe e ngurtë. Por teoria e tektonikës së pllakave, e ka...

A ndihmon vërtet vitamina D në luftimin e Covid-19?
Nëse ka një gjë të sigurt në këtë pandemi, është kjo:të paktën 1 herë në muaj do të ketë një artikull të ri në media,...