Connect with Us

“Rekomandime mbi terapinë intensive të pacientëve me COVID-19”/ Një shkrim që nuk duhet humbur

Opinione

“Rekomandime mbi terapinë intensive të pacientëve me COVID-19”/ Një shkrim që nuk duhet humbur

Publikuar

-

Nga Dr. Ermal Xhaho

Ky rekomandim ndihmon Mjekët e Reanimacionit për tu kujdesur dhe ndihmuar pacientët me COVID 19. Duhet të theksohet se situata aktuale e shpërthimit të COVID-19 ka marrë zhvillim dinamik. Njohuritë e tanishme te mjekësisë intensive bazohen kryesisht në vëzhgimet e Kinës dhe Italisë. Informacione të gjera mbi patogjenin dhe dinamikën e tij mund të gjenden më tej tek faqja fillestare e Institutit Robert Koch (RKI, ëëë.rki.de).

Ne përgjithësisht rekomandojmë që të merreni me këtë problem në një ekip multidisiplinar në spital. Këtu përfshihen mjekë të kujdesit intensiv, infermierë, infeksiologë dhe higjenistë spitalorë. Transmetimi i infeksionit kryhet përmes personave të infektuar zakonisht përmes aerozolit dhe kontaktit të afërt. Prandaj thelbësore është higjena bazë (përfshirë higjenën e duarve) dhe masat mbrojtëse të personelit.

Diagnoza SARS-CoV-2 është verifikuar nga marrja e tamponit thellë në fyt ose duke përdorur PCR (Poymerase chain reaction) nga uji i shpëlarjes së fytit. Nëse testi rezulton negativ dhe ka Dyshim klinik urgjent duhet testuar një mostër e dytë. Për pacientët me sëmundje të avancuar (pneumoni, ARDS=Acute respiratory disstress syndrom) testi i tamponit të fytit mund të jetë përsëri negativ, ndërsa ngarkesa virale në rrugët e poshtme të frymëmarrjes është pozitive kësht që sugjerohet testi nga sekreti trakeobronkial.
Simptomat/ gjendja Klinike Sëmundja manifestohet si infeksion i traktit respirator me simptomat kryesore ethe dhe kollë. Për 81% të pacientëve manifestimi i sëmundjes është i butë, për 14% i rëndë dhe 5% te pacientëve janë të sëmurë kritikë. Kriteri për pranimin nën kujdesin intensiv është dispno, Frekuenca e lartë e frymëmarrjes (> 30 / min), këtu theksojmë se primare është hipoksemia. Shpesh shfaqen infiltrate pulmonare në imazheri. Ecuri të mundshme të sëmundjes janë ARDS dhe gjithashtu, deri tani te rralla, një koinfeksion bakterial deri në shok septik.

Komplikacione të tjera të përshkruara janë gjithashtu çrregullime të ritmit të zemrës, dëmtimi i miokardit si dhe insuficencë renale akute. Koha nga fillimi i simptomave deri në hyrjen e kujdesit intensiv është rreth 10 ditë.
Analizat e gjakut Në Analizat e gjakut shfaqet shpesh (rreth 80%) limfopeni, në një të tretën e Pacientëve leukopeni. Shumica e pacientëve kanë një nivel normal prokalcitonine, nëse nivelet e saj janë dukshëm të larta, duhet të merret parasysh një superinfeksion bakterial. PCR ( proteina c reaktive) shpesh është e lartë, duket se vlera shumë të larta të saj përputhen me një prognozë të keqe.

Trombocitopeni, rritje e LDH ( enzima laktat dehydrogenaze) ose rritja e vlerës së D-dimereve mund të gjendet tek rreth 40% e pacientëve. Sipas përvojave të deritanishme, rritja jospecifike e Vlerave (veçanërisht> 400 IU / ml) të LDH nënkupton një manifestim të rëndë të sëmundjes në vazhdim. Një pjesë e vogël e pacientëve kanë një rritje te Troponinës, rëndësia e të cilës në këtë rast është akoma e paqarte.

Imazheri
Radiografia e pacientëve me kujdes intensiv tregon infiltrate bilaterale. Në skaner duken madje në fazat e hershme të sëmundjes imponim xham akulli bilateral, subpleural dhe një konsolidim i segmenteve të mushkërise. Për shkak të rrezikut ndaj punonjësve dhe pavioneve të reanimacionit dhe emergjencës rekomandohet skaneri për pacientët në kujdesin intensiv vetëm nëse është në funksion të terapisë. Preferohen ekzaminimet me Ekografi në krevat.

Akomodimi

Masat e higjenës Akomodimi preferohet të bëhet individualisht në një dhomë izolimi, në mënyrë ideale me një paradhomë. Në rastin e një epidemie / pandemie të theksuar duhet të bëhet izolimini në grup. Qasja tek këta pacientë është e mundur vetëm nga një staf i trajnuar për kujdesin e pacientëve me COVID19, të cilët brenda mundësisë përjashtohen nga kujdesi për pacientët e tjerë. Numri i njerëzve që hyjnë në dhomë duhet të zvogëlohet në minimum (ndalimi i vizitave).Vendosja e personelit duhet përshtatur sipas nevojave. Kur kujdeseni për pacientin, thelbësor është zbatimi i vazhdueshëm i higjienës bazë (përfshirë higjenën e duarve) gjithashtu përdorimi i saktë i pajisjeve mbrojtëse të personelit. Sipas rekomandimeve të RKI, pajisjet mbrojtëse të personelit janë përparëset mbrojtëse, doreza të ngushta, maskat e mirëputhitura për mbrojtjen e frymëmarrjes (FFP2 ose FFP3 ose respirator në rastin e ekspozimit të theksuar në aerozole, p.sh. gjatë bronkoskopisë ose aktiviteteve të tjera me aerozole te larta) dhe syzet mbrojtëse. E rëndësishme është të përdorni pajisjet mbrojtëse në mënyrë korrekte. Këtu përfshihet përdorimi i kontrolluar (sidomos puthitja e maskës) dhe heqja e saktë (desinfektimi disa herë i duarve), punonjësit duhet të trajnohen për këtë. Rekomandime specifike për masat e nevojshme të higjienës (akomodimi, masat e mbrojtjes së personelit, desinfektimi, pastrimi, largimi i mbeturinave dhe transporti i pacientëve) gjenden në faqen kryesore të RKI. Përcaktimi i masave për secilin institucion mjekësor duhet të përshtatet sipas situatës nga një komitet ekspertësh.
Terapia Terapitë specifike antivirale nuk kanë ende të dhëna të mjaftueshme. Ka tentativa terapish me një numër substancash (hydroxychloroquin, lopinavir / ritonavir, camostat, remdesivir etj). Mund të konsiderohet përdorimi i tyre pas një vlerësimi përfitim-rrezik. Provat e terapisë duhet, nëse është e mundur, brenda kornizës të programeve “Përdorimi i dhembshur” ose të mbahen protokolle studimi. Universiteti i Liverpoolit ka një informacion per bashkëveprimet e mundshme studimit me terapitë eksperimentale të publikuara nga COVID-19. Steroidët nuk duhet të përdoren si rutinë në asnjë ARDS, marrja duket se vonon pastrimin viral dhe favorizon rritjen e kërpudhave. Studime mbi SARS dhe gripin e Influencës tregojnë disavantazhe. Përjashtim është terapia me dozë të ulët hidrokortizone në raste te shokut septik ne mungesë të eficencës të terapisë të volumit dhe vazopresorë për një periudhë më shumë sesa 1 orë.

LEXO EDHE:  Paniku nga koronavirusi/ Manastirliu në Kuvend: Gati planet e emergjencës për çdo situatë

Antibiotikët

Parimisht që në fillim të trajtimit në njësinë e kujdesit intensiv dhe me përkeqësimin e gjendjes së pacientit duhen kryer të paktën 2 hemokultura (aerobe dhe anaerobe). Në rast se dyshohet një koinfeksion duhet filluar terapia e llogaritur me antibiotikë sipas antibiogramit. Një terapi profilaktike me antibiotikë nuk rekomandohet.
Masat për insuficiencë respiratore hipoksemike akute Terapia e hidratimit me volum intravenoz duhet të jetë e rezervuar, veçanërisht në mungesë të shokut hipovolemik ose pa dobësim të perfuzionit. Në rast mbingarkim të volumit ka një përkeqësim të oksigjenimit në gjak. Qëllimi është të sigurohet oksigjenimi adekuat, rekomandohet SpO2 ≥90%. Duhet të konsiderohet që aplikimi i fluksit të lartë të oksigjenit si dhe ventilimi jo invaziv ndikon në formimin e aerozolit. Kushtet absolutisht të nevojshme për këto forma terapie tek ky grup pacientësh është përshtatja adekuate e maskës jo-invazive ose kanuloksigjeni nazal me rrjedhë të lartë si dhe përdorimi i saktë i pajisjeve mbrojtëse të personelit (veçanërisht puthitja korrekte e Maskës FFP2). Sipas përvojës preferohet ventilimi joinvaziv me helmetën e ventilimit. Në përgjithësi, indikacioni për ventilimin jo-invaziv në insuficencën respiratore akute në kuadrin e COVID-19 duhet te jete i rezervuar. Tek pacientët me hipoksemi te rëndë (PaO2 / FIO2 ≤200 mm Hg) preferohet mundësisht ventilimi invaziv. Në secilin rast duhet siguruar monitorimi i vazhdueshëm dhe gatishmëria për ti intubuar. Prognoza përkeqësohet në rastin e vonesës të intubacionit në mungese të eficences te ventilimit jo-invaziv, një intubacion urgjent duhet shmangur absolutisht për shkak të rrezikut të transmetimit.

Intubacioni

Procedurat në traktin respirator (intubacion, bronkoskopi, thithja e hapur e sekretit bronkial, ventilimi manual, trakeotomia), për shkak të formimit të aerozolit, duhet kryer vetëm nëse është absolutisht e nevojshme dhe sigurisht me masat mbrojtëse perkatese (përfshirë maskat FFP2 / FFP3 dhe syzet e sigurisë). Në rastin e frymëmarrjes invazive duhet kryer një thithje e mbyllur. Intubacioni duhet të bëhet vetëm nga një doktor me eksperiencë te madhe intubimi. Nëse është e mundur duhet kryer një induksion me sekuencë te shpejtë pa ventilim të ndërmjetëm për të minimizuar formimin e aerozolit. Përdorimi i një video-laringoskopi mundëson zmadhimin e distancës midis mjekut dhe pacientit gjatë procedurës. Përdorimi i stetoskopit për kontrollin e pozicionimit të tubit duhet rezervuar. Nëse nevojitet reanimimi, duhen pasur parasysh masat mbrojtëse të personelit, sigurimi i rrugëve të frymëmarrjes duhet bërë shpejt dhe me një numër personeli sa më të vogël.

Ventilimi invaziv dhe masat ndihmëse

Për pacientët me ARDS rekomandohet një ventilim me volum ≤6ml / kg, EKG standarte dhe trysni end-inspiratore të rrugëve të frymëmarrjes ≤30 cm H2O. Vendosja e PEEP (positive endexpiratory pressure) orientohet në tabelën e rrjetit të ARDS (tabela FIO2-PEEP). Në rastin e ARDS moderate dhe të rëndë PEEP duhet të jetë mjaftueshëm e lartë, e cila orientohet tek e ashtuquajtura tabela e PEEP të lartë. Me ARDS dhe një PaO2 / FIO2 <150 mm Hg pacienti duhet pozicionuar me shtrirje në bark për të paktën 16 orë. Në raste individuale, për të kaluar një hipoksi të rëndë, merret në konsideratë dhe aplikimi i NO (Oksidnitrogjeni), miorelaksansë dhe manovra rekrutimi pulmonal. Për pacientët me ARDS të rënda dhe refrakteritet të terapisë të hipoksemisë (PaO2/FIO2 <80 ose 60 mm Hg) një opsion terapie për stabilizimin e shkëmbimit të gazeve është përdorimi i ECMO veno-venoze. Gjithsesi përpara vendosjes të sistemit ECMO duhet të jenë sosur opsionet e tjera. Gjithashtu duhen përjashtuar kontraindikacionet dhe duhet vlerësuar vullneti i pacienti
#mjeketshqiptarnegjermani

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Artan Fuga/ Lajme të mira brenda tragjedisë të epidemisë të covid19!

Publikuar

-

Nga

Jo! Ne nuk jemi vetëm!

I gjithë Planeti po dridhet. Nga ankthet, frikërat, si edhe nga dhimbja e mijra të vdekurve. Kamionë ushtarakë në Itali që çojnë në banesën e fundit ata që kanë humbur jetën. Qindra të vdekur çdo ditë në Europë. Epidemia e mallkuar trondit vendet e mëdha të Planetit. Ekonomia bllokuar ose funksionon shumë ngadalë. Shqipëria e papërgatitur dhe me mjete shumë të varfëra të infrastrukturës mjeksore hospitalore krahasuar me vendet e fuqishme europiane e zhytur në një karantinë të detyruar. Zija ushqimore kërcënon gjithandej!

Brezat e sotëm nuk kishin njohur këtë shkundje, këtë tmerr, këtë ëndër të keqe!

Gjithsesi njerëzimi lufton kundër virusit. Nuk është vetëm organizmi biologjik i njeriut individual që reagon, sepse përderisa ai ka mbijetuar miliona vite, sigurisht që statistikisht mbijeton, më shumë sesa nuk mbijeton, por reagon në radhë të parë njerëzimi si shpirt, si zemër, si mendje, si organizëm social.

Zërat e zinj që bërtasin se Shqipëria është vetëm janë zëra të tmerruar, plot ankth e panik, si duket nuk kuptojnë se në kohën e sotme sidomos asnjë vend nuk është vetëm, asnjë njeri nuk është vetëm. Madje nuk ka qenë kurrë i vetmuar.

Vetmuar – cfarë fjalë e keqe! E papranueshme! E pavërtetë. Që nga kohët e lashta ne gjemë mesazhet humanizuese që vërtiten e çajnë barrierat mes botës hindu dhe botës aziatike, mes botës aziatike dhe botës greko-romake, mes feve abrahamike, mesazhi, shkenca, humaniteti është një i tërë, ndonëse shpesh secili duhet të mbajë transhenë e vet në supet e tij, pa u bërë qaraman, pa thënë se do të lyp e do të shtrihem në tokë. Popujt luftojnë!

Përndryshe prodhojmë halucinacione, shohim algjerianë që i rreh policia spanjolle në Londër!

Dhe mbi të gjitha shkenca është universale, higjena e Planetit ka prirje të shpërhapet, ekonomia kërkon një botë solidare, të padrejtë shpesh, por solidare gjithsesi, me hir a me pahir.

Përtej qytetërimeve, vendeve, shteteve është njeriu!

Kënga e vetmisë ishte vajtimi i frikës!

Pa qenë aspak mjek, apo epidemiolog, thjesht si njeri i informacionit dhe i filozofisë të komunikimit ndjek si një lloj reporteri çka shkencëtarët sot bëjnë dhe deklarojnë në vende të ndryshme të botës!

Duhet ta bënte Akademia e Shkencave për të raportuar çdo ditë e orë për kërkimin shkencor në botë sot, por ajo si duket fle, harxhon fonde e parà e zhytur në mykjen e saj dhjetravjeçare!

Midis tragjedisë dhe rrezikut që vazhdon të jetë shumë shumë i lartë, mes politikave të domosdoshme të mbylljes në shtëpi dhe të ngritjes të një ekonomie të sigurisë kombëtare – që te ne nuk po duket – popujt, gjenia njerëzore, përpiqen të gjejnë mjetin shpëtimtar!

Shkenca!

Institutet shkencore janë edhe në një farë konkurrence me njeri tjetrin, çka i pengon por edhe i nxit të ecin shpejt. Njeriu po lëngon!

Mjekë në spitale të ndryshme të Europës, por edhe në ShBA po testojnë chloroquine-n që përdoret kundër gjendjeve inflamatore në organizëm. Eshtë duke u provuar sot me së paku 3000 pacientë në vende të ndryshme europiane, në mënyrë të organizuar. Edhe në ShBA ka shpresa atje dhe mjekë të njohur që ecin fuqishëm në këtë drejtim.

Aktualisht ka edhe rradhë para ndonjë spitali europian ku njerëzit kërkojnë medikamentin. Ai nuk vepron drejtpërdrejt kundër virusit – deklarojnë mjekë të njohur infeksionistë, shkencëtarë të njohur në këtë fushë, por ndihmon qelizat e trupit të njeriut që ta përballojnë gjendjen virale.

LEXO EDHE:  Infektohet me koronavirus shefja e repartit në spitalin e Shkupit

LEXO EDHE:  Shqiptarët ende pa shpresë nga tërmeti i 26 nëntorit/ Leksioni turk nga Ezalig

Problemi është se ende testet bëhen në numur të kufizuar pacientësh, ende nuk ka siguri në efektet e dëmshme anësore te individë me sëmundje të ndryshme ta zemë kardiake, si edhe nuk matet ende saktë se mos suksesi në trajtimin e tanishëm lidhet më shumë me efektete placebo të medikamentit.

Industria e madhe farmaceutike e Europës ka marrë angazhimin ta prodhojë falas në sasi shumë të mëdha, sepse nuk kushton shumë relativisht, por pret dritën jeshile nga institutet dhe laboratorët shkencorë. Edhe për ne shqiptarët! Si për çdo medikament tjetër!

Kërkohet me ngulm dhe si në cdo epokë ne më pas do të shohim se laboratore, vende, shkencëtarë të ndryshëm do të vetëlavdërohen se kush ishte i pari që e zbuloi mjekimin kundër Covid19, por çfarë rëndësie ka për ne, veç faktit që nesër historianët e shkencës do të grinden për atë se kush ishte i pari!

Ndërkohë me frenezi bëhen teste duke pëdorur vaksinën kundër rugeolës sepse supozohet se edhe ajo ka dhënë dikur rezultat për të prodhuar makromolekulat antigjene që njihen nga antikorpet, të cilat prodhojnë reaksionin imunologjik të adaptuar të organizmit kundër virusit të Covid19. Gjithë lufta bëhet që qelizat njerëzore të mbrohen duke prodhuar ky organizmën antikorpet imunitare.

Por, instituii Pasteur dhe të tjerë ë Europë dhe në Botë kërkojnë edhe për të gjetur se çfarë antikorpesh prodhon virusi i Covid 19 në trupat njerëzorë. Për t’i izoluar këta antikorpe që I njohin epitopet e antigjenit në fjalë dhe prodhuar vaksinën specifike.

Njerëzia vepron. Njeriu është në këmbë! Pushteti publik, shkencëtarët, njerëzit, cdo kush që ndodhet në vijë të parë, që nga urgjentisti, mjeku në spital, reanimatori, shitësi, polici, mbledhësi i plehrave, të gjithë ata që nuk janë deputetë që fshihen skutave duke marrë gjysmën e rrogës, apo nëpunës që rrinë në shtëpi, apo politikanë të trembur që nuk i dalin zot kombit në ditë të vështira, luftojnë!

Si duket jemi akoma larg, unë vetëm raportoj shkurt dhe pa hollësira, por njerëzimi nuk qendron duarlidhur!

Ne nuk jemi vetëm. Ne duhet të bëjmë luftën tonë pa menduar asnjë çast se bota mund të përmbyset, se njerëzit si zgjidhje kanë të dalin me çanak në dorë nëpër botë për të lypur bukë te njeri tjetri, ne nuk jemi vetëm. Njeriu nuk është vetëm.

Kush kujtoi se bashkimi i shqiptarëve me popujt e Europës dhe të botës ishte i fallcët, ishte për festë dhe jo për ditë të keqe, ka gabuar rëndë në mesazhet që i ka dhënë miqve, shoqërisë, kombit!

Si duket ky tip njeriu jo vetëm ka deformime në vlerat humaniste, nuk e njeh historinë, por edhe mbetet rob i politikave izoluese të Shqipërisë piramidale diktatoriale të dikurshme!

Shqiptarët e përbuzin vetminë!

Ndërkaq asnjë iluzion. Beteja do të jetë e gjatë, por duket që ajo do të fitohet! Sado sakrifica që do të na kërkojë. Ne do t’i bëjmë ato!

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Fatos Lubonja/ Një reflektim mbi videon algjeriane të Kryeministrit

Publikuar

-

Nga

Publikimi nga Edi Rama i një videoje protestash në Algjeri, ku pamjet e një tufe policësh të egërsuar që godasin njerëzit nëpër rrugë me shkopinj gome, na i shiti sikur ishin pamje ku policia spanjolle po largonte nga rruga qytetarët, për shkak të rrezikut të korona virusit, nuk është gafë. Kush e mendon kështu nuk është thelluar fare në kuptimin e këtij akti të kryeministrit tonë. Kjo “gafë” flet shumë më tepër se një gafë, nëse me këtë fjalë kuptojmë një lapsus, një rrëshqitje pa dashje në një gabim. Ai flet për rrezikun ku mund të na çojë patologjia antidemokratike e kryeministrit tonë në kushtet ekstreme ku ndodhemi.

Nuk ka dyshim se një njeri dhe politikan normal i një vendi demokratik, sikur t’i dërgonin këtë video duke i thënë: “shiko se ç’po bëjnë spanjollët për shkak të korona virusit” së pari do të çuditej, së dyti do të kërkonte të sigurohej se si ka mundësi që policia e një vendi si Spanja mund t’i mësyjë  kësisoj njerëzit paqësorë, vetëm pse kanë dalë në rrugë apo shkuar në dyqan jashtë orarit të përcaktuar dhe, më në fund, edhe sikur t’i konfirmonin se  është e vërtetë, do të thoshte se kjo është një çmenduri që nuk do të ndodhë kurrë në vendin tim dhe do ta hidhte videon në koshin e plehrave të celularit.

Fakti që Kryeministri ynë e nxori këtë video në publik, për tu thënë qytetarëve shikoni se çfarë ju pret po nuk respektuat urdhrat e mia, jo  vetëm tregon se Edi Rama nuk hyn në këtë kategori njerëzish e politikanësh, por tregon edhe se është shumë, po shumë i rrezikshëm në gjendjen e jashtëzakonshme që jemi të detyruar të jetojmë.

Ne po përjetojmë një situatë që ka prodhuar një gjendje të veçantë psikologjike: atë ku tjetrin nuk e shikojmë më si më parë: d.m.th. si njeriun e afërm, mikun, komshiun e mirë, mësuesin e fëmijëve, shitësin e sjellshëm, por si një rrezik për jetën tonë, të cilit duhet t’i rrimë larg. Pyetja që ngrihet është: sa larg mund ta çojmë këtë qëndrim larg ndaj njëri tjetrit pa humbur humanizmin? Është e qartë se me njerëzit e afërt, megjithëse rrimë larg, arrijmë të shkëmbejmë afeksionin dhe kujdesin, shpresën se kjo ndarje do të jetë e shkurtër, madje se nuk është një ndarje, por një solidaritet ndryshe, thuaj po deshe përgjegjësi.

Por bashkëqytetarëve me të cilët ndeshemi në rrugë apo në radhën e dyqanit e kemi më të vështirë t’ua komunikojmë këto ndjenja solidariteti ndryshe, me ta jemi shumë më të gatshëm të nervozohemi kur dikush nuk ruan distancën apo kur shikojmë të rinj që nuk e çajnë kokën dhe rrinë bashkë sikur asgjë nuk ka ndodhur. E pra, është kollaj në këtë situatë që tjetrin që sillet kështu ta shohim si armik. Aq më tepër kur dëgjon Kryeministrin tonë të thotë një dy se jemi në luftë, e se ata që sillen kështu janë tradhtarë.

Ka një problem të madh në këtë metaforë që e bën sipas meje të papërshtatshme në situatën që po përjetojmë. Në luftë ushtarët e armikut ne i presim të na vijnë nga jashtë të na bombardojnë me aeroplanë e topa apo të na vrasin me pushkë e mitraloza dhe i luftojmë po me këta mjete. Nuk është ky krahasimi i duhur për gjendjen ku ndodhemi. Nuk është krahasimi i duhur edhe sikur të themi se jemi si në gjendjen e atyre hebrenjve gjatë Luftës së Dytë që rrinin të fshehur nëpër strehime të ndryshme me tensionin se mund të vinin t’i gjenin e me veshët tek radioja për të kuptuar se kur do të mbaronte Lufta – siç më ka ardhur të bëj krahasimin duke komunikuar me një mike.

LEXO EDHE:  Koronavirusi!/ Thirrja për një shtet që përkujdeset për të gjitha

LEXO EDHE:  Infektohet me koronavirus shefja e repartit në spitalin e Shkupit

Nuk i shkon as krahasimi, ndoshta më i përafërt, sikur virusin ta krahasojmë me atë terroristin kamikaz, që futet tinëz midis nesh me eksploziv në brez që të shpërthejnë papritur e të na vrasë.  Nuk janë këta krahasimet e duhura sepse në rastin tonë “ushtarët” e armikut, agjenti i Gestapos, terroristi, jemi ne vetë për njëri-tjetrin. Ne na duhet t’i qëndrojmë larg njëri tjetrit duke ruajtur distancën, por duke ruajtur edhe dashurinë, miqësinë, mirëkuptimin dhe jo duke e parë njëri tjetrin si armik. Nëse mund të quhet luftë kjo është një luftë me ankthin brenda nesh i gjeneruar nga një armik i padukshëm e i kudondoshëm.

Rrezikun më i madh që paraqet ky ankth nga e padukshmja është që, për tu çliruar prej tij, ta kthejmë në frikë ndaj një armiku të dukshëm me iluzionin se po ta eliminojmë atë, do të shpëtojmë. Dhe kjo rrezikon të na kthejë shumë lehtë në bisha të gatshëm për të goditur njëri-tjetrin. Videoja që na ofroi Kryeministri ishte ilustrimi më i mirë i kësaj. Kryeministri ynë tregoi se është në këtë gjendje ankthi që kërkon një armik për t’u çliruar, aq më tepër duke pasur parasysh se edhe pa korona virusin gjysmën e shqiptarëve i konsideronte si armiq e tradhtarë.

Nuk është vështirë të imagjinosh se, në situata që mund të vijnë duke u rënduar, bashkëqytetarët tanë policët, që janë edhe ata nën trysninë e ankthit nga armiku i padukshëm, të humbasin ekuilibrin e, me një urdhër të kryeministrit nga Surreli, të kthehen në bisha ndaj sivëllezërve të tyre. Dhe ky është një rrezik i madh sepse në kushtet e deprimimit e izolimit ku ndodhemi, që rrit ankthin, e që parashikohet të zgjasë duke u rritur, dhuna mund t’i çojë edhe në agresivitet të dëshpëruar me pasoja të paparashikueshme. Që të mos ndodhë kjo, njerëzit kanë dëshpërimisht nevojë për sa më shumë dhënie shprese, kuraje, dashurie, solidariteti, sakrifice, kujdesi, mbështetjeje, inkurajimi, durimi dhe për sa më pak ndjenja negative siç janë ato që ngjallin kërcënimet e dhuna ndaj njëri tjetrit.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Frrok Çupi/ Çfarë jemi s’jemi!

Publikuar

-

Nga

Në fakt nuk po jetojmë bashkë me Virusin e Vdekjes por ndaras, ne prandaj jemi mbyllur brenda pse ai është atje jashtë. Kështu do të jetë përjetë, po u bashkuan të dy armiqtë (ne dhe virus), atëherë as ai ekziston, as ne.

Por edhe nëse do të ekzistojmë (çfarë janë gjasat më të padisuktueshme), prapë, që atë ditë, nuk do të jemi këta që jemi.

Do të na jetë kthyer vetja si toka e punuar nga plugu: E parmja mbrapsht dhe e kundërta; askush nuk mund të thotë nëse për mirë apo për keq, por ndryshuar.

Do të na jetë thyer besimi:

Në radhë të parë besimi mes nesh që kishim thënë se njeriu është më i forti i natyrës; edhe fëmijët do të na shikojnë si dikë tjetër pse ‘i gënjyem’. Pastaj besimi ndaj shtetit; nuk do të jetë më e njëjta marrëdhënie mes qytetarëve dhe shtetit, kësaj here qytetarët nuk do ta pranojnë kontratën e shtetit. Arsyeja është thuajse fëmijërore, por kjo: Shteti nuk mundi t’i mbrojë qytetarët e vet në kohë të kolerës dhe prandaj humb legjitimitet. Mund të kthehemi në epokën e mungesës ose panevojës së shtetit… Qeveria do të ketë humbur krejt besimin; të gjitha qeveritë e botës (njësoj si qeveria jonë) e shpallën veten ‘qeveri e kohës së luftës’. Por vetë qeveria di shumë pak, ose në minimum, rreth armikut tonë. Deri më sot secili është kundër secilit rreth njohurive mbi Virusin. Po kur ka një mister!… Misteri është se qeveria nuk thotë një fjalë rreth thelbit: rreth fëmijëve që janë në bark të nënave, ose për ata që do të lindin më vonë… Si do të jenë ata? Sepse ata ndajnë kufirin e ndryshimit, të asaj që ‘çfarë jemi nuk jemi’, dhe ne nuk dimë asgjë.

A do të kemi shtet apo jo?

Shenjat e para të rrëzimit të shtetit janë dhënë. Në radhë të parë, që në këtë moment, është rrëzuar demokracia- pilari kryesor i shtetit. Nuk ka më demokraci, dhe me sa duket, nuk është e nevojshme të ketë më; të paktën këtë lloj demokracie. Nuk i shikoni çfarë bëjnë ‘demokratët’, dmth ata që gënjejnë se ishin demokratë? Këta vajtojnë me zë të gëzuar se po vdesin shqiptarët, po mbaron njerëzimi. Përhapin lajme të rreme dhe gëzohen me vdekjen. Asnjë doktor ‘demokrat’ nuk ka veshur qoftë edhe një bluzë të bardhë që të shërbejë kundër vdekjes në spitale a diku tjetër. Kur ishte ‘Demokracia’ në pushtet nuk kishte nevojë për koronavirus, sepse në tre muaj (mars-qershor 1997) dheu hëngri 3000 vetë mes ne shqiptarëve. Atëherë pra nuk ka nevojë për të dyja: Edhe Virus edhe ‘Demokraci’.

Tanimë nuk vlen as pasuria që krijuan liderët politik të Demokraci. Ja ta themi, banja speciale për macen në shtëpinë e presidentit të Republikës, kujt i nevojitet sot? Asnjë i sëmurë nuk e pranon. As pasuria tjetër e grabitur që nga skemat piramidale… As mëkatet nuk do të numërohen më… Ndoshta edhe Reforma në Drejtësi nuk do të nevojitet më.

LEXO EDHE:  Rreziku nga koronavirusi/ Ish deputeti ngre alarmin: Herët a vonë do ketë të infektuar në Shqipëri

LEXO EDHE:  Përfaqësuesi i OBSH tregon kur duhen mbajtur maskat/ Çfarë masash duhet të marrin qytetarët

Shteti ka mundësi: o të mos jetë, o të kthehet pas në epokat fillestare, ku predominanca ishte mbi Heroizmin dhe Stoicizmin.

Do të kenë ndryshuar thellësisht strukturat e shoqërisë.

Parullat politike e ‘popullore’ që po hidhen në popull gjatë luftës kundër sëmundjes më të egër që ka parë bota, janë paralajmërimi se këtu po ndryshojnë strukturat e shoqërisë sonë:

Ndërsa heronjtë e shoqërisë janë të tjerë, përfituesit janë të tjerë, njësoj si në luftën e Trockit nga ku buron edhe natyra e politikës sonë. Mjekët tani janë në krye, por këta janë vetëm ‘dhënës’ dhe aspak ‘marrës’ në shoqëri. Qeveria iu akordoi nga 1000 euro bonus në muaj, dhe kjo i tronditi ata që kanë përfituar vilat, floririn, embargon, OSHE, tenderë, piramidat… Nesër, o këta mjekë e ushtarakë që ‘i dhanë’ shoqërisë, do të ngrihen lart e ata të tjerët të bien poshtë, o të gjithë vdesin nga virusi. Kjo njëra.

Tjetra nga strukturat:

Po lëshohen parullat se ‘ luftojmë së bashku’ dhe ‘ fitojmë së bashku’. Po shpallen situata emergjence si mjet për të ‘ luftuar virusin’. Po deklarohet ‘ fitore’ në disa shtete… Po a nuk na çon edhe kjo në epokat e vjetra, që nga Kanali i Korfuzit e deri në Traktatin e Varshavës apo Luftën e Vietnamit? Lufta ‘së bashku’ është vetëm guackë. Edhe thirrjet për ‘shpresë’ janë fatalitet; shpresa dhe varfëria ushqejnë njër tjetrën… Kjo gjeneratë e tanishme nuk do të mund krijojë asnjë pikë lidhjeje me çfarë ishte deri tani. Por as gjenerata që ka hyrë në panikun e mos-ekzistencës.

LEXO TE PLOTE