LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Do e kalojmë të keqen së bashku"/ Basha i drejtohet qytetarëve, apeli për qeverinë

23 Mars 2020, 19:13, Politikë CNA

Kryetari i opozitës vijon të përsërisë apelin që të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin, të mbyllen bizneset me shumë punëtorë, të ndërpriten shpenzimet dhe paratë të shkojnë për shëndetësinë dhe paketën e ndihmës

Ndërkohë në një thirrje drejtuar qytetarëve, Basha thotë se është koha që të gjithë së bashku të bëjmë gjithçka mundemi për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e çdo shqiptari.

Kreu i demokratëve i kërkon atyre të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet mbi distancimin social dhe higjenën, me qëllim ngadalësimin e përhapjes së virusit dhe të efekteve të tij shkatërruese mbi shëndetin tonë e të të dashurve tanë.

“I bëj thirrje qeverisë:

Të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjjthë territorin e Republikës.

Të urdhërojë mbylljen e të gjitha bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call-centers etj.

Të mos vonojë detajimin e paketës së shpallur të ndihmës dhe të bëjë gati një paketë tjetër, sepse e para është e pamjaftueshme.

Të gjithë ata që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi dhe që janë në pamundësi për të punuar, duhet të marrin pagë të mjaftueshme për të garantuar minimumin jetik në shtëpitë e tyre.

Të ndërpritet menjëherë çdo shpenzim tjetër dhe çdo transferim tjetër nga thesari dhe të gjitha paratë e taksapaguesve të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve dhe nevojat akute ekonomike me të cilat po përballen një numër në rritje familjesh”, shkruan lideri i demokratëve në rrjetet sociale, ndërsa i thotë qytetarëve se pas kësaj të keqe na presin ditë më të mira.

“Me forcën që na ka karakterizuar gjatë gjithë historisë tonë, me besimin në Zot dhe me mbështetjen tek njëri-tjetri, do ta kalojmë këtë të keqe të gjithë së bashku”, nënvizon Basha./ CNA.al

Lajmet e fundit nga