Connect with Us

Mashtrimi me “videon spanjolle”/ Ne jemi në luftë, por komandanti na ka lënë

Opinione

Mashtrimi me “videon spanjolle”/ Ne jemi në luftë, por komandanti na ka lënë

Publikuar

-

andi bushati opinion

Nga Andi Bushati

Opozita dhe mediat kanë denoncuar sot një mashtrim skandaloz të Edi Ramës. i izoluar në bunkerin e Surrelit, kryeministri ka publikuar në Facebook një video të frikshme, e cila sipas tij zhvillohet në Spanjë, ku policia shpërndan me shkopa gome « tradhëtarët » që nuk i binden shtetrrethimit.

Në fakt, sekuencat e ripublikuara nga Rama janë një mashtrim, sepse ato i përkasin protestave të Algjerisë kundër ish presidentit Buteflika, falangat e të cilit i shpërndajnë me dhunë.

Në shënimin që Rama ka bërë për të shoqëruar gënjeshtrën me këto pamje të rënda aludohet qartë se të njëjtat masa do të ndëshkojnë edhe në Shqipëri « tadhëtarët » që nuk i binden videomesazheve që ai lëshon nga izolimi.

Ky spekullim sa fëmijënor aq edhe banal, i bashkëngjitur edhe me deklarata për përdorimin e gazit lotësjellës dhe daljen e blindave të armatosur me mitrolozë, sikur do asgjesonin me plumba koronën, i ka bërë shumë opozitarë të bërtasin për një devijim tiranik të panevojshëm.

Më të dalë videoja e publikuar nga kryeministri, opozita denoncoi këtë rëshkitje diktatoriale dhe theksoi se asnjë rregjim demokratik nuk mëton ti friksojë qytetarët e tij në një situatë të tillë.

Në fakt, po aq sa është një gafë amatoreske ajo që ka bërë kryeministri i izoluar, po aq e tillë është edhe qasja e PD-së për t’a politizuar atë.

Jo, Edi Rama nuk ka asnjë synim sot të thellojë autokracinë e tij. Ai nuk i ka nxjerrë ato sekuenca idiote për të na shtypur dhe tredhur ne të tjerëve.

Unë besoj vërtetë se në këtë situatë, me aq mundësi që ka, ai kërkon vërtet të bëjë më të mirën, të shpëtojë popullin e vet nga kjo pandemi.

Dhe në këtë konkluzion nuk kam arritur sepse besoj në ndonjë vlerë të Edi Ramës, por sepse kam bindjen se edhe tirani më gjakatar i rruzullit, do të sillej po njësoj në një situatë si kjo.

Pra çdo aluzion se Rama po e shfrtytëzon këtë gjendje të jashtëzakonshme për të na shtypur edhe më shumë, nuk qëndron.

Por me të halli është tjetër.

Edhe gafa me videon edhe të tjera të ngjashme që ka bërë këto ditë, të bëjnë të mendosh se problemi fshihet gjetkë.

Sa e sa vetë janë ata që kanë pyetur këto ditë se si i merr vendimet kryeministrit? Sa e sa të tjerë, nuk kanë arritur t’a kuptojnë se në ç’mënyrë të çakërdisur i ndryshon ai oraret dhe afatet e shtetrrerthimit, pa u konsultuar me kërkënd ?

Janë pikërisht këto masa të marra nga izolimi, pa kolegjialitet dhe pa mendimin e specialistëve, që sollën këtë të shtunë ankthin dhe frikën e qytetarëve të cilët duke mos qenë të qartë se si do të jetë e nesërmja e tyre, u dynndën si sardele drejt tregjeve, supermarketeve, dyqaneve të bukës dhe farmacive.

Pikërisht ky panik që rrjedh nga shkatërrimi i rutinës ditore të popullatës, si pasojë e vendimeve unilaterale që komunikohen nga Surreli, është thjeshtë i barabartë me më shumë të vdekur.

LEXO EDHE:  Dokumentet-Zbulohet skandali/ Rama dhe Agaçi vënë gjoba kompanisë private, për interesa mafioze

Po përse po ndodh kjo ?

Natyrisht jo për arsyet që thotë opozita.

Por, për të tjera që guxojnë ti thonë nën zë njerëz të niveleve të para dhe të dyta të qeverisë, që flasin për një kryeministër të trembur, të ankthosur, të panikuar.

Ata të tregojnë se prej ditësh Edi Rama i ka ndërprerë të gjitha marëdhëniet fizike me stafin dhe vartësit e vet. Se ai komunikon me ta vetëm përmes celularit dhe Whatsapp-it.

Dhe nga ana njerëzore për këtë ka plotësisht të drejtë. Sëmundja kronike nga e cila ai vuan, është në listën e atyre që shndërrohen në tragjedi, nëse preken nga covid – 19. Pra si qytetar, kryeministri ynë është plotësisht në të drejtën e tij, madje e ka për obligim, të qëndrojë i izoluar dhe larg njerëzve.

Por për pozicionin që ka, kjo përbën një problem. Pasi ai duhet të jetë në kontaktë të vazhdueshëm, të organizojë konsultime, të tërheqi sa më shumë mendime, në mënyrë që të marrë vendimet e duhura në këtë situatë.

Kështu janë të detyruar të veprojnë edhe Conte, Macron, apo Merkel, që kanë pas vetes një administratë shumë më pak të varur nga pushteti i njëshit.

Por, për hir të rrethanave shëndetësore kryeministri që na thotë se jemi në luftë, nuk e bën dot të njëjtën gjë. Ai ka mbetur peng i rrethit vicioz që mund të na marrë në qafe të gjithëve: në këtë betejë, ai as a mund të jetë komandanti që i qëndron pranë gjeneralëve të vet, as nga ana tjetër, nuk do ti lëshojë nga duart frenat e drejtimit.

Për këtë na ndodh që nga selia e komandës në Surrel dalin fermane të çartura, të pa konsultuara dhe ankthioze.

Pikërisht se është kështu, pikërisht se për arsye shëndetësore që e obligojnë të kujdeset më shumë për veten sesa për të tjerët, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen nga kryesimi i kësaj lufte. Ai duhet ti’a kalojë stafetën e komandimit, mundësisht një mjeku me personalitet dhe reputacion të padiskutueshëm, i cili ti komunikojë popullësisë vendime të ekuilibruara dhe të marra në mënyrë kolegjiale pas një debati të vërtetë ekspertësh.

Natyrisht, kjo thirrje, nuk duhet keqkuptuar si një mënyrë e ndryshme për të vënë në zbatim sloganin “Rama Ik”.

Jo, jo, kërkesa, si një klithmë në emër të interest të përbashkët, është që të dorëzojë rolin e gjeneralit të kësaj beteje. Kryeministër le të vazhdojë të rrijë, bashkë me kabinetin e tij. Lë të vazhdojë të shkojë po të dojë, në zyrën që e ka disifektuar pa pushim dhe që e ka zbrazuar nga çdo njeri. Le ta gëzojë postin qoftë edhe duke qëndruar në Surrel. Por, ama, nga kryesimi i betejës së pamundur me koronavirusin, të cilën nuk e përballon dot për arsye objektive, duhet të heqë dorë. Kjo do të jetë mirë për shëndetin e tij fizik dhe mendor.

Por mbi të gjitha do të jetë më mirë për shëndetin e gati 3 milionë shqiptarëve.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
1 Koment

1 Koment

  1. Klea

    22 Mars, 2020 at 9:24 am

    Bravo Andit

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Artan Fuga/ Lajme të mira brenda tragjedisë të epidemisë të covid19!

Publikuar

-

Nga

Jo! Ne nuk jemi vetëm!

I gjithë Planeti po dridhet. Nga ankthet, frikërat, si edhe nga dhimbja e mijra të vdekurve. Kamionë ushtarakë në Itali që çojnë në banesën e fundit ata që kanë humbur jetën. Qindra të vdekur çdo ditë në Europë. Epidemia e mallkuar trondit vendet e mëdha të Planetit. Ekonomia bllokuar ose funksionon shumë ngadalë. Shqipëria e papërgatitur dhe me mjete shumë të varfëra të infrastrukturës mjeksore hospitalore krahasuar me vendet e fuqishme europiane e zhytur në një karantinë të detyruar. Zija ushqimore kërcënon gjithandej!

Brezat e sotëm nuk kishin njohur këtë shkundje, këtë tmerr, këtë ëndër të keqe!

Gjithsesi njerëzimi lufton kundër virusit. Nuk është vetëm organizmi biologjik i njeriut individual që reagon, sepse përderisa ai ka mbijetuar miliona vite, sigurisht që statistikisht mbijeton, më shumë sesa nuk mbijeton, por reagon në radhë të parë njerëzimi si shpirt, si zemër, si mendje, si organizëm social.

Zërat e zinj që bërtasin se Shqipëria është vetëm janë zëra të tmerruar, plot ankth e panik, si duket nuk kuptojnë se në kohën e sotme sidomos asnjë vend nuk është vetëm, asnjë njeri nuk është vetëm. Madje nuk ka qenë kurrë i vetmuar.

Vetmuar – cfarë fjalë e keqe! E papranueshme! E pavërtetë. Që nga kohët e lashta ne gjemë mesazhet humanizuese që vërtiten e çajnë barrierat mes botës hindu dhe botës aziatike, mes botës aziatike dhe botës greko-romake, mes feve abrahamike, mesazhi, shkenca, humaniteti është një i tërë, ndonëse shpesh secili duhet të mbajë transhenë e vet në supet e tij, pa u bërë qaraman, pa thënë se do të lyp e do të shtrihem në tokë. Popujt luftojnë!

Përndryshe prodhojmë halucinacione, shohim algjerianë që i rreh policia spanjolle në Londër!

Dhe mbi të gjitha shkenca është universale, higjena e Planetit ka prirje të shpërhapet, ekonomia kërkon një botë solidare, të padrejtë shpesh, por solidare gjithsesi, me hir a me pahir.

Përtej qytetërimeve, vendeve, shteteve është njeriu!

Kënga e vetmisë ishte vajtimi i frikës!

Pa qenë aspak mjek, apo epidemiolog, thjesht si njeri i informacionit dhe i filozofisë të komunikimit ndjek si një lloj reporteri çka shkencëtarët sot bëjnë dhe deklarojnë në vende të ndryshme të botës!

Duhet ta bënte Akademia e Shkencave për të raportuar çdo ditë e orë për kërkimin shkencor në botë sot, por ajo si duket fle, harxhon fonde e parà e zhytur në mykjen e saj dhjetravjeçare!

Midis tragjedisë dhe rrezikut që vazhdon të jetë shumë shumë i lartë, mes politikave të domosdoshme të mbylljes në shtëpi dhe të ngritjes të një ekonomie të sigurisë kombëtare – që te ne nuk po duket – popujt, gjenia njerëzore, përpiqen të gjejnë mjetin shpëtimtar!

Shkenca!

Institutet shkencore janë edhe në një farë konkurrence me njeri tjetrin, çka i pengon por edhe i nxit të ecin shpejt. Njeriu po lëngon!

Mjekë në spitale të ndryshme të Europës, por edhe në ShBA po testojnë chloroquine-n që përdoret kundër gjendjeve inflamatore në organizëm. Eshtë duke u provuar sot me së paku 3000 pacientë në vende të ndryshme europiane, në mënyrë të organizuar. Edhe në ShBA ka shpresa atje dhe mjekë të njohur që ecin fuqishëm në këtë drejtim.

Aktualisht ka edhe rradhë para ndonjë spitali europian ku njerëzit kërkojnë medikamentin. Ai nuk vepron drejtpërdrejt kundër virusit – deklarojnë mjekë të njohur infeksionistë, shkencëtarë të njohur në këtë fushë, por ndihmon qelizat e trupit të njeriut që ta përballojnë gjendjen virale.

LEXO EDHE:  Nga Lenini te Rama

LEXO EDHE:  Kreu i PS-së Kavajë, i dënuar për trafik droge/ Organizon tubim për të mbështetur përdhunuesin Roshi

Problemi është se ende testet bëhen në numur të kufizuar pacientësh, ende nuk ka siguri në efektet e dëmshme anësore te individë me sëmundje të ndryshme ta zemë kardiake, si edhe nuk matet ende saktë se mos suksesi në trajtimin e tanishëm lidhet më shumë me efektete placebo të medikamentit.

Industria e madhe farmaceutike e Europës ka marrë angazhimin ta prodhojë falas në sasi shumë të mëdha, sepse nuk kushton shumë relativisht, por pret dritën jeshile nga institutet dhe laboratorët shkencorë. Edhe për ne shqiptarët! Si për çdo medikament tjetër!

Kërkohet me ngulm dhe si në cdo epokë ne më pas do të shohim se laboratore, vende, shkencëtarë të ndryshëm do të vetëlavdërohen se kush ishte i pari që e zbuloi mjekimin kundër Covid19, por çfarë rëndësie ka për ne, veç faktit që nesër historianët e shkencës do të grinden për atë se kush ishte i pari!

Ndërkohë me frenezi bëhen teste duke pëdorur vaksinën kundër rugeolës sepse supozohet se edhe ajo ka dhënë dikur rezultat për të prodhuar makromolekulat antigjene që njihen nga antikorpet, të cilat prodhojnë reaksionin imunologjik të adaptuar të organizmit kundër virusit të Covid19. Gjithë lufta bëhet që qelizat njerëzore të mbrohen duke prodhuar ky organizmën antikorpet imunitare.

Por, instituii Pasteur dhe të tjerë ë Europë dhe në Botë kërkojnë edhe për të gjetur se çfarë antikorpesh prodhon virusi i Covid 19 në trupat njerëzorë. Për t’i izoluar këta antikorpe që I njohin epitopet e antigjenit në fjalë dhe prodhuar vaksinën specifike.

Njerëzia vepron. Njeriu është në këmbë! Pushteti publik, shkencëtarët, njerëzit, cdo kush që ndodhet në vijë të parë, që nga urgjentisti, mjeku në spital, reanimatori, shitësi, polici, mbledhësi i plehrave, të gjithë ata që nuk janë deputetë që fshihen skutave duke marrë gjysmën e rrogës, apo nëpunës që rrinë në shtëpi, apo politikanë të trembur që nuk i dalin zot kombit në ditë të vështira, luftojnë!

Si duket jemi akoma larg, unë vetëm raportoj shkurt dhe pa hollësira, por njerëzimi nuk qendron duarlidhur!

Ne nuk jemi vetëm. Ne duhet të bëjmë luftën tonë pa menduar asnjë çast se bota mund të përmbyset, se njerëzit si zgjidhje kanë të dalin me çanak në dorë nëpër botë për të lypur bukë te njeri tjetri, ne nuk jemi vetëm. Njeriu nuk është vetëm.

Kush kujtoi se bashkimi i shqiptarëve me popujt e Europës dhe të botës ishte i fallcët, ishte për festë dhe jo për ditë të keqe, ka gabuar rëndë në mesazhet që i ka dhënë miqve, shoqërisë, kombit!

Si duket ky tip njeriu jo vetëm ka deformime në vlerat humaniste, nuk e njeh historinë, por edhe mbetet rob i politikave izoluese të Shqipërisë piramidale diktatoriale të dikurshme!

Shqiptarët e përbuzin vetminë!

Ndërkaq asnjë iluzion. Beteja do të jetë e gjatë, por duket që ajo do të fitohet! Sado sakrifica që do të na kërkojë. Ne do t’i bëjmë ato!

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Fatos Lubonja/ Një reflektim mbi videon algjeriane të Kryeministrit

Publikuar

-

Nga

Publikimi nga Edi Rama i një videoje protestash në Algjeri, ku pamjet e një tufe policësh të egërsuar që godasin njerëzit nëpër rrugë me shkopinj gome, na i shiti sikur ishin pamje ku policia spanjolle po largonte nga rruga qytetarët, për shkak të rrezikut të korona virusit, nuk është gafë. Kush e mendon kështu nuk është thelluar fare në kuptimin e këtij akti të kryeministrit tonë. Kjo “gafë” flet shumë më tepër se një gafë, nëse me këtë fjalë kuptojmë një lapsus, një rrëshqitje pa dashje në një gabim. Ai flet për rrezikun ku mund të na çojë patologjia antidemokratike e kryeministrit tonë në kushtet ekstreme ku ndodhemi.

Nuk ka dyshim se një njeri dhe politikan normal i një vendi demokratik, sikur t’i dërgonin këtë video duke i thënë: “shiko se ç’po bëjnë spanjollët për shkak të korona virusit” së pari do të çuditej, së dyti do të kërkonte të sigurohej se si ka mundësi që policia e një vendi si Spanja mund t’i mësyjë  kësisoj njerëzit paqësorë, vetëm pse kanë dalë në rrugë apo shkuar në dyqan jashtë orarit të përcaktuar dhe, më në fund, edhe sikur t’i konfirmonin se  është e vërtetë, do të thoshte se kjo është një çmenduri që nuk do të ndodhë kurrë në vendin tim dhe do ta hidhte videon në koshin e plehrave të celularit.

Fakti që Kryeministri ynë e nxori këtë video në publik, për tu thënë qytetarëve shikoni se çfarë ju pret po nuk respektuat urdhrat e mia, jo  vetëm tregon se Edi Rama nuk hyn në këtë kategori njerëzish e politikanësh, por tregon edhe se është shumë, po shumë i rrezikshëm në gjendjen e jashtëzakonshme që jemi të detyruar të jetojmë.

Ne po përjetojmë një situatë që ka prodhuar një gjendje të veçantë psikologjike: atë ku tjetrin nuk e shikojmë më si më parë: d.m.th. si njeriun e afërm, mikun, komshiun e mirë, mësuesin e fëmijëve, shitësin e sjellshëm, por si një rrezik për jetën tonë, të cilit duhet t’i rrimë larg. Pyetja që ngrihet është: sa larg mund ta çojmë këtë qëndrim larg ndaj njëri tjetrit pa humbur humanizmin? Është e qartë se me njerëzit e afërt, megjithëse rrimë larg, arrijmë të shkëmbejmë afeksionin dhe kujdesin, shpresën se kjo ndarje do të jetë e shkurtër, madje se nuk është një ndarje, por një solidaritet ndryshe, thuaj po deshe përgjegjësi.

Por bashkëqytetarëve me të cilët ndeshemi në rrugë apo në radhën e dyqanit e kemi më të vështirë t’ua komunikojmë këto ndjenja solidariteti ndryshe, me ta jemi shumë më të gatshëm të nervozohemi kur dikush nuk ruan distancën apo kur shikojmë të rinj që nuk e çajnë kokën dhe rrinë bashkë sikur asgjë nuk ka ndodhur. E pra, është kollaj në këtë situatë që tjetrin që sillet kështu ta shohim si armik. Aq më tepër kur dëgjon Kryeministrin tonë të thotë një dy se jemi në luftë, e se ata që sillen kështu janë tradhtarë.

Ka një problem të madh në këtë metaforë që e bën sipas meje të papërshtatshme në situatën që po përjetojmë. Në luftë ushtarët e armikut ne i presim të na vijnë nga jashtë të na bombardojnë me aeroplanë e topa apo të na vrasin me pushkë e mitraloza dhe i luftojmë po me këta mjete. Nuk është ky krahasimi i duhur për gjendjen ku ndodhemi. Nuk është krahasimi i duhur edhe sikur të themi se jemi si në gjendjen e atyre hebrenjve gjatë Luftës së Dytë që rrinin të fshehur nëpër strehime të ndryshme me tensionin se mund të vinin t’i gjenin e me veshët tek radioja për të kuptuar se kur do të mbaronte Lufta – siç më ka ardhur të bëj krahasimin duke komunikuar me një mike.

LEXO EDHE:  “Kam nevojë për armiq të rinj”/ Ilda Bejleri ka një mesazh për të gjithë ata që e urrejnë

LEXO EDHE:  Nga Lenini te Rama

Nuk i shkon as krahasimi, ndoshta më i përafërt, sikur virusin ta krahasojmë me atë terroristin kamikaz, që futet tinëz midis nesh me eksploziv në brez që të shpërthejnë papritur e të na vrasë.  Nuk janë këta krahasimet e duhura sepse në rastin tonë “ushtarët” e armikut, agjenti i Gestapos, terroristi, jemi ne vetë për njëri-tjetrin. Ne na duhet t’i qëndrojmë larg njëri tjetrit duke ruajtur distancën, por duke ruajtur edhe dashurinë, miqësinë, mirëkuptimin dhe jo duke e parë njëri tjetrin si armik. Nëse mund të quhet luftë kjo është një luftë me ankthin brenda nesh i gjeneruar nga një armik i padukshëm e i kudondoshëm.

Rrezikun më i madh që paraqet ky ankth nga e padukshmja është që, për tu çliruar prej tij, ta kthejmë në frikë ndaj një armiku të dukshëm me iluzionin se po ta eliminojmë atë, do të shpëtojmë. Dhe kjo rrezikon të na kthejë shumë lehtë në bisha të gatshëm për të goditur njëri-tjetrin. Videoja që na ofroi Kryeministri ishte ilustrimi më i mirë i kësaj. Kryeministri ynë tregoi se është në këtë gjendje ankthi që kërkon një armik për t’u çliruar, aq më tepër duke pasur parasysh se edhe pa korona virusin gjysmën e shqiptarëve i konsideronte si armiq e tradhtarë.

Nuk është vështirë të imagjinosh se, në situata që mund të vijnë duke u rënduar, bashkëqytetarët tanë policët, që janë edhe ata nën trysninë e ankthit nga armiku i padukshëm, të humbasin ekuilibrin e, me një urdhër të kryeministrit nga Surreli, të kthehen në bisha ndaj sivëllezërve të tyre. Dhe ky është një rrezik i madh sepse në kushtet e deprimimit e izolimit ku ndodhemi, që rrit ankthin, e që parashikohet të zgjasë duke u rritur, dhuna mund t’i çojë edhe në agresivitet të dëshpëruar me pasoja të paparashikueshme. Që të mos ndodhë kjo, njerëzit kanë dëshpërimisht nevojë për sa më shumë dhënie shprese, kuraje, dashurie, solidariteti, sakrifice, kujdesi, mbështetjeje, inkurajimi, durimi dhe për sa më pak ndjenja negative siç janë ato që ngjallin kërcënimet e dhuna ndaj njëri tjetrit.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Frrok Çupi/ Çfarë jemi s’jemi!

Publikuar

-

Nga

Në fakt nuk po jetojmë bashkë me Virusin e Vdekjes por ndaras, ne prandaj jemi mbyllur brenda pse ai është atje jashtë. Kështu do të jetë përjetë, po u bashkuan të dy armiqtë (ne dhe virus), atëherë as ai ekziston, as ne.

Por edhe nëse do të ekzistojmë (çfarë janë gjasat më të padisuktueshme), prapë, që atë ditë, nuk do të jemi këta që jemi.

Do të na jetë kthyer vetja si toka e punuar nga plugu: E parmja mbrapsht dhe e kundërta; askush nuk mund të thotë nëse për mirë apo për keq, por ndryshuar.

Do të na jetë thyer besimi:

Në radhë të parë besimi mes nesh që kishim thënë se njeriu është më i forti i natyrës; edhe fëmijët do të na shikojnë si dikë tjetër pse ‘i gënjyem’. Pastaj besimi ndaj shtetit; nuk do të jetë më e njëjta marrëdhënie mes qytetarëve dhe shtetit, kësaj here qytetarët nuk do ta pranojnë kontratën e shtetit. Arsyeja është thuajse fëmijërore, por kjo: Shteti nuk mundi t’i mbrojë qytetarët e vet në kohë të kolerës dhe prandaj humb legjitimitet. Mund të kthehemi në epokën e mungesës ose panevojës së shtetit… Qeveria do të ketë humbur krejt besimin; të gjitha qeveritë e botës (njësoj si qeveria jonë) e shpallën veten ‘qeveri e kohës së luftës’. Por vetë qeveria di shumë pak, ose në minimum, rreth armikut tonë. Deri më sot secili është kundër secilit rreth njohurive mbi Virusin. Po kur ka një mister!… Misteri është se qeveria nuk thotë një fjalë rreth thelbit: rreth fëmijëve që janë në bark të nënave, ose për ata që do të lindin më vonë… Si do të jenë ata? Sepse ata ndajnë kufirin e ndryshimit, të asaj që ‘çfarë jemi nuk jemi’, dhe ne nuk dimë asgjë.

A do të kemi shtet apo jo?

Shenjat e para të rrëzimit të shtetit janë dhënë. Në radhë të parë, që në këtë moment, është rrëzuar demokracia- pilari kryesor i shtetit. Nuk ka më demokraci, dhe me sa duket, nuk është e nevojshme të ketë më; të paktën këtë lloj demokracie. Nuk i shikoni çfarë bëjnë ‘demokratët’, dmth ata që gënjejnë se ishin demokratë? Këta vajtojnë me zë të gëzuar se po vdesin shqiptarët, po mbaron njerëzimi. Përhapin lajme të rreme dhe gëzohen me vdekjen. Asnjë doktor ‘demokrat’ nuk ka veshur qoftë edhe një bluzë të bardhë që të shërbejë kundër vdekjes në spitale a diku tjetër. Kur ishte ‘Demokracia’ në pushtet nuk kishte nevojë për koronavirus, sepse në tre muaj (mars-qershor 1997) dheu hëngri 3000 vetë mes ne shqiptarëve. Atëherë pra nuk ka nevojë për të dyja: Edhe Virus edhe ‘Demokraci’.

Tanimë nuk vlen as pasuria që krijuan liderët politik të Demokraci. Ja ta themi, banja speciale për macen në shtëpinë e presidentit të Republikës, kujt i nevojitet sot? Asnjë i sëmurë nuk e pranon. As pasuria tjetër e grabitur që nga skemat piramidale… As mëkatet nuk do të numërohen më… Ndoshta edhe Reforma në Drejtësi nuk do të nevojitet më.

LEXO EDHE:  Foto-Dhunoi protestuesit/ Kush është polici, ish-badigard i Ramës

LEXO EDHE:  Dashamir Shehi akuza Ramës dhe Bashës/ Paralajmëron kreun e PD-së

Shteti ka mundësi: o të mos jetë, o të kthehet pas në epokat fillestare, ku predominanca ishte mbi Heroizmin dhe Stoicizmin.

Do të kenë ndryshuar thellësisht strukturat e shoqërisë.

Parullat politike e ‘popullore’ që po hidhen në popull gjatë luftës kundër sëmundjes më të egër që ka parë bota, janë paralajmërimi se këtu po ndryshojnë strukturat e shoqërisë sonë:

Ndërsa heronjtë e shoqërisë janë të tjerë, përfituesit janë të tjerë, njësoj si në luftën e Trockit nga ku buron edhe natyra e politikës sonë. Mjekët tani janë në krye, por këta janë vetëm ‘dhënës’ dhe aspak ‘marrës’ në shoqëri. Qeveria iu akordoi nga 1000 euro bonus në muaj, dhe kjo i tronditi ata që kanë përfituar vilat, floririn, embargon, OSHE, tenderë, piramidat… Nesër, o këta mjekë e ushtarakë që ‘i dhanë’ shoqërisë, do të ngrihen lart e ata të tjerët të bien poshtë, o të gjithë vdesin nga virusi. Kjo njëra.

Tjetra nga strukturat:

Po lëshohen parullat se ‘ luftojmë së bashku’ dhe ‘ fitojmë së bashku’. Po shpallen situata emergjence si mjet për të ‘ luftuar virusin’. Po deklarohet ‘ fitore’ në disa shtete… Po a nuk na çon edhe kjo në epokat e vjetra, që nga Kanali i Korfuzit e deri në Traktatin e Varshavës apo Luftën e Vietnamit? Lufta ‘së bashku’ është vetëm guackë. Edhe thirrjet për ‘shpresë’ janë fatalitet; shpresa dhe varfëria ushqejnë njër tjetrën… Kjo gjeneratë e tanishme nuk do të mund krijojë asnjë pikë lidhjeje me çfarë ishte deri tani. Por as gjenerata që ka hyrë në panikun e mos-ekzistencës.

LEXO TE PLOTE