Lajme
Konfirmohet rasti i parë me COVID-19 në një call center/ Panik mes punëtorëve

Dhjetra punonjës të një kompanie call center në Tiranë janë izoluar në shtëpi pasi një prej antarëve ka rezultuar i infektuar me koronavirus.
Lajmin e ka konfirmuar Sindikata Solidariteti me një postim në rrjetet sociale, ku thuhet se punonjësve të call-center-it u është kërkuar të vihen në karantinë.
Mes të tjerëve edhe kryetari i Sindikatës Solidariteti, Tonin Preçi, është në kushte vetëkarantinimi.
Nga ana tjetër, Sindikata Solidariteti u bën thirrje për vëmendje të shtuar në këtë sektor nga ana e shtetit dhe nga ana e kompanive.
“Në kushtet e një emergjence të tillë është i domosdoshëm sigurimi i shëndetit të punëtorëve”, theksohet në njoftimin e sindikatës.
“Pushime të paguara dhe përpjekje për të zhvendosur punën nga shtëpia për të gjithë ata që kanë mundësi, duhet të jenë masat e menjëhershme që duhet të ndërmerren. Karantinimi dhe paralizimi i punës, në vend të zhvendosjes së saj në kushtet e shtëpisë, do t’i kushtojë eventualisht më shumë edhe vetë kompanive.
Identifikimi i rasteve të para të të infektuarve me Covid-19 në sektorin e call center-it ka filluar të krijojë shqetësim dhe panik mes punëtorëve.
Denoncimet e sindikatës u dëshmua se ishin të drejta. Masat e kompanive të call center-ave nuk janë të mjaftueshme.
Shteti nuk duket askund dhe masat e marra për pjesën tjetër të qytetarëve janë krejtësisht joproporcionale me ato në sektorët e ekonomisë në të cilët punohet në grupe të mëdha dhe ambiente të mbyllura, siç janë call center-at, fasoneritë, minierat etj.
Sindikata Solidariteti bën thirrje përsëri për vëmendje të shtuar në këtë sektor nga ana e shtetit dhe nga ana e kompanive. Në kushtet e një emergjence të tillë është i domosdoshëm sigurimi i shëndetit të punëtorëve!
Përhapja e virusit masivisht në ambiente të mbyllura ku punojnë me qindra vetë, përveç rrezikut për punëtorët do të sillte edhe paralizimin e beftë të sistemit tonë shëndetësor.
Masat që kërkon Sindikata janë më të mira për të gjitha palët. Shpresojmë që masat e duhura të merren para se të identifikohen raste të tjera!”