Lajme
Rrëfehet pacienti zero në Shqipëri/ Tregon shqetësimet dhe betejën me koronavirusin

Mbrëmjen e sotme kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu konfirmuan se pacienti zero i konfirmuar me koronavirus në Shqipëri ka bërë testimin pas mjekimit dhe ka rezultuar negativ.
Lidhur me infektimin dhe betejën me koronavirusin e ri ka folur vetë pacienti , i cili tregon se temperatura i ka filluar ditën e tretë, ndërsa probleme me frymëmarrjen rrëfen se ka pasur ditën e pestë.
“Ditën e parë kisha vetëm djersë dhe asnjë lloj shqetësimi tjetër. Ditën e tretë filloi temperatura, 38.2 apo 38. 3. Ditën e pestë ka vazhduar mungesa e frymëmarrjes, por jo e papërmbajtshme. Pak e zorshme, por jo e pamundur. Jam ndihmuar nga mjekët me anë të telefonit ku kam folur me doktorët dhe urgjencën. Jo se kam trajtime me antibiotik. Jam ushqyer si ditë të tjera. Kam pirë paracetomol kur kam pasur temperaturë. Kam pirë lëngje. Është çështje paniku më shumë, nuk është një gjë e pamenaxhueshme. Është pak më shumë se gripi normal. Jam në ditën e tetë. Javën tjetër bëhet tamponi i parë dhe kuptoj nëse kam koronavirus.
Sot jam shumë mirë. Kam vetëm pak kollë. Është një kollë e thatë por jo e bezdisshme. Është një grip shumë i menaxhueshëm. Nuk ka nevojë për t’u shqetësuar njerëzit. As për frymëmarrjen, as për temperaturën e lartë. Familjarët e mi janë në karantinë por nuk janë të infektuar. Unë mund të dal para të hënës me rezultat negativ ndaj koronavirusit. Unë mendoj se e gjithë është vetëm paniku. Po qe se njerëzit do ta kuptojnë kalon shumë më lehtë. Një çikë frikë ishte në fillim. Nuk është se të bllokon menjëherë. Ushqehu mirë, hap dritaret dhe dil në ballkon. Më ka ndihmuar familja”, tha ai për “Open”.
Më tej ai tregon se virusin mund ta ketë marrë gjatë një darke me shumë njerëz ku janë infektuar vetëm tre persona, ndërsa theksoi se jo gjithkush që ka kontakt me një të prekur mund të infektohet./ CNA.al