Connect with Us

Nga Astrit Patozi/ Luftën do ta fitojmë me këto që na ndodhen

Opinione

Nga Astrit Patozi/ Luftën do ta fitojmë me këto që na ndodhen

Publikuar

-

Meqë tani qenkemi në luftë, dikush mendon se duhet patjetër të sillemi si gjermanët, francezët, anglezët dhe kështu me radhë e me radhë. (Me italianët nuk para kemi qejf të krahasohemi këto ditë, sepse ata po e vuajnë shumë më tepër se të tjerët betejën me sëmundjen). Me argumentin se edhe ata po kalojnë të njëjtën gjëndje, ndaj edhe nuk kemi pse të jemi të ndryshëm.

Jo more! Pse kaq e thjeshtë qenka? Të kishte qenë tamam ashtu, ne na takonte të organizonim manifestime për mirëseardhjen e virusit në të gjitha pikat kufitare. Sepse ku ta gjenim të vinte ajo ditë.

Mos kujtoni se ka mbërritur komunizmi në botë, por është thjesht një gjëndje e përkohshme pandemie. E cila do të kalojë shpejt a vonë dhe gjithkush do të ndjekë fatin e vet, aty ku e gjeti apo e la koronavirusi, por jo duke e filluar nga e para. Se mos pretendojë ndonjëri që kur të shpëtojmë nga epidemia nuk do të ketë më të pasur dhe të varfër, shtete të fuqishme dhe të dobëta, por do të bëhemi të gjithë njësoj.

Ndaj edhe injorojini këto moralizime bajate, por vijoni të jetoni si shqiptarë, me të gjitha të mirat dhe të këqijat tona, vetëm mos dilni nga shtëpia! Dhe për këtë arsye, lexoni dhe dëgjoni më shumë se çfarë bëjnë të tjerët, i cili është edhe përfitimi më i madh që na vjen nga karantina.

Mos u shqetësoni fare nga kryqëzimi i zjarrit politik, si në kohë ditësh të zakonshme, sepse sot ata, që po kacafyten janë edhe më pak të parrezikshëm për njëri-tjetrin, për vendin, po se po. Ngaqë edhe ata janë të mbyllur si të gjithë. Është e thjeshtë, nëse në paqe nuk kemi qenë si të tjerët, mos prit që këtë çështje ta zgjidhë lufta.

Ndaj edhe mos kini asnjë merak për polemikat e ashpra dhe për debatet e pakuptimta për çdo vend tjetër në këtë kohë qameti për planetin.

Shani sa të mundeni qeverinë, madje edhe për gjërat, që mund t’i ketë bërë mirë, vetëm mos dilni nga shtëpia! Trajtojeni si Nastradini, që e rrihte gruan paradhënie, sapo zgjohej në mëngjes, se ishte i sigurt që ajo do ta meritonte më vonë drurin. Edhe në mos bëftë ndonjë paudhësi në të ardhmen, ngaqë është kjo frika e virusit nëpër këmbë, ka kryer plot gabime në të shkuarën, për të cilat nuk është ndëshkuar.

Ankohuni dhe talluni me çdo propozim që vjen nga opozita, edhe kur ato i miratoni vetë pas disa orësh, vetëm mos dilni nga shtëpia! Quajeni si bekim nga perëndia fatin që na goditi ky kryeministër dhe drejtojini tytat nga kundërshtari, që nuk po ju lë të qetë të punoni siç duhet, vetëm mos dilni nga shtëpia! Të mos harrojmë se shqiptarët kanë përballuar epidemi shumë të rënda edhe kur nuk kanë pasur shtet dhe qeveri fare, por kjo është temë tjetër.

Kërkoni të kthehemi në një regjim monist si Kina, që mbylli me darë të hekurt provinca të tëra disafish sa Shqipëria, apo të bëhemi si Anglia, që e ka ndarë mendjen ta lërë të lirë virusin të livadhisë mbi grinjën e vet, vetëm mos dilni nga shtëpia! Tek e fundit, çfarë po humbni që e kërkoni?

LEXO EDHE:  Video - Ambasadori i Shqipërisë i dorëzon letrat kredenciale/ Erdogan nuk i jep dorën

Vini kushte të forta për qeverinë se duhet të kompensohemi si gjermanë për çdo humbje, që mund të na shkaktohet pas 30 vjetësh nga rënia e ekonomisë, qysh në ditën e tretë të karantinës, vetëm mos dilni nga shtëpia! Sepse, megjithëse nuk janë shqiptarë, edhe vetë gjermanët po mbyllen në shtëpitë e tyre.
Ankohuni për mushkëritë tuaja që nuk janë mësuar me ajër kaq të pastër, që vjen nga mungesa e makinave, qahuni sa të doni nga monotonia apo monogamia e jetës së mbyllur në një dhomë, vetëm mos dilni nga shtëpia!

Zemërohuni me gazetarët apo mediat, ngaqë mendoni se iu shtojnë panikun, dhe revoltohuni po ashtu nga masat e qeverisë për kufizimin e tyre, sepse gjykoni se ju pengojnë të informoheni, vetëm mos dilni nga shtëpia!
Bëni gjithë ditën humor me batuta, meme, anekdota dhe me video komike të huaja apo shqiptare, madje vini kujën për mungesën e pajisjeve mjekësore në spitale, megjithëse e keni biznes privat importimin e tyre, vetëm mos dilni nga shtëpia! Sepse nuk nuk është shaka, por luftë. Mund të bësh humor, por nuk mund të tallesh.

Dhe po nuk dolëm nga shtëpia, ndoshta nuk do të na vijë dita kurrë që të paraqitemi në spitale me kollë të thatë e me temperaturë, që pastaj dikush prej nesh të mashtrojë mjekët, si askund tjetër, për shkak të keqkuptimit se sëmundja është turp. Më kujtohet Spartak Ngjela që thonte dikur se “ne shqiptarët, jemi populli më i mirë në botë, por kemi një të keqe, se gënjejmë avokatin dhe pastaj duam të fitojmë gjyqin”.

Ajo që kemi në dorë sot është vetëm të ruhemi sa të mundemi dhe të presim ditën e çlirimit, e cila nuk do të na vijë, as nga fuqia dhe as nga sakrifica jonë, por nga të tjerët më të fortë e më të përgatitur, që po e vuajnë njësoj si ne këtë flamë.

Në këtë luftë të madhe botërore, për shkak se jemi më të dobët dhe për rrjedhojë më të pambrojtur, na është caktuar detyra më e lehtë, thjesht të mbijetojmë, duke mos u sëmurur të gjithë njëherësh.

Nuk është aspak një fjalë goje, por nuk di të ketë gjë më thjeshtë për të bërë në një luftë, se sa të mos dalësh nga shtëpia. Kam shumë besim se do t’ia dalim, ndoshta sepse është e vetmja mundësi. Sigurisht, me këto që kemi.

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Ditmir Bushati/ Një sqarim pse nuk duhet të biem pre e keqkuptimeve me BE-në

Publikuar

-

Nga

Lajmi i komunikuar nga Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, mbi marrjen e masave për eksportin e pajisjeve mjekësore, për shkak të Pandemisë, u interpretua gabimisht si përjashtim apriori i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Madje, Presidenti i Serbisë shkoi edhe më tej, duke e akuzuar BE-në me tone melodramatike për “mungesë solidariteti”. Dhe në të njëjtën kohë, duke vlerësuar me tone patetike Kinën dhe Presidentin Xi Jinpig, si vëllain dhe shpëtimtarin e popullit serb.
Nuk është assesi qëllimi i këtyre radhëve për të analizuar strategjinë dhe taktikën që Presidenti i Serbisë ndjek me Rusinë, Kinën, BE-në dhe SHBA-në, e njohur gjërësisht si “politika e lisharësit”. As oshilacionet flirtuese! Nga njëra anë, si pjesë e Bashkimit Euro-Aziatik, që krijoi zonën e tregtisë së lirë së bashku me Rusinë, Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Kirgistanin dhe nga ana tjetër, si ngjizës i “Shengenit rajonal”, por destabilizues në Kosovë, Mal të Zi e Bosnje Hercegovinë. Gjykimi për këtë sjellje i përket veç popullit serb.
Por, në këtë situatë të paprecedentë që po përjetojmë, informimi korrekt, bashkëpunimi mes popujve, shteteve dhe organizatave ndërkombëtare është më i domosdoshëm se kurrë.
Së pari, duhet sqaruar se nuk kemi të bëjmë me “ndalim eksporti”, por me “eksport të autorizuar”. Regjim, i cili i jep përparësi vendeve anëtare të BE-së përkundrejt vendeve të treta, i imponuar nga emergjenca e shkaktuar nga Pandemia.
Së dyti, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një regjim tregtar preferencial më BE-në, për shkak të Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit në fuqi, të cilat konsiderohen nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë si: “marëveshje më shumë sesa tregtare dhe më pak sesa marrëveshje anëtarësimi”.
Duke u nisur nga sa më lart, vetë Presidentja e Komisionit Europian, vuri theksin tek rëndësia e bashkërendimit të këtij regjimi të përkohshëm me vendet kufitare me BE-në, siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sepse jo vetëm në planin tregtar dhe ekonomik, por edhe në fushën e sigurisë, Ballkani Perëndimor është në paradhomën e BE-së.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme. Ne shqiptarët jemi dëshmitarë dhe përfitues të solidaritetit europian në ditët më të vështira të goditjes që morëm për shkak të termetit, vitin e kaluar. Ndaj, le mos të errësojmë logjikën e të arsyetuarit e as të shtojmë panikun. Por të fuqizojmë bashkëpunimin me BE-në, sepse aksesi në tregun europian për pajisjet mjekësore gjatë luftës me virusin nuk do të mungojë. As mbështetja për të reduktuar pasojat socio-ekonomike të Pandemisë përmes programeve të ndryshme financiare të BE-së.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Artan Fuga/ Uria për para pa punë po rritet!

Publikuar

-

Nga

artan fuga shuplake opozites

T’i mbaj njerëzit në shtëpi që të mos përhapet epidemia? Mirë do të ishte!

Mirë do t’i mbaj në shtëpi, por çfarë do të bëj sepse ata duhet të kenë lekë në duar? Ku do t’i gjejnë paratë sidomos ata me pak të ardhura? Por, jo vetëm ata. Sepse edhe ata që kanë më shumë të ardhura çfarë do të bëjnë pas dy muajsh nëse kjo gjendje zgjat?

Ja edhe shpërndava parà sikurse më kërkohet, njerëzit do të kenë parà, por cfarë do blejnë me ato para sepse poqese askush nuk punon ku do t’i gjej mallrat që qytetari do të blejë?

Cfarë duhen paratë kur nuk ka mall, pra duhet të ketë miell, ujë, korrent, kripë, maja, yndyrë, presh, lakra, qumësh, djath që të ketë të paktën byrekë të shuajë mileti urinë.

Pra, njerëzit duhet të punojnë. Por, po punuan a nuk u duhet të dalin? Por poqese dalin a nuk infektohen? Por poqese se infektohen, a nuk do të mbushet spitali me të sëmurë? Ku i përballon spitali im qindra të sëmurë largqoftë?

Të blejë aparatura? Por, më duhen lekë? Por thamë që lekët më duhen që të paguaj paga njerëzve pa punuar!!!

Ja edhe mora borxh jashtë? Përsëri nuk më vlen sepse më duhen mallra. Mallrat, shumica më vijnë nga importi. Kështu që më duhet të funksionojnë sektorë që eksportojnë, përndryshe me çfarë do të ble në tregun e jashtëm?

LEXO EDHE:  NGA ASTRIT PATOZI/ MESAZHET QË VIJNË NGA KUKËSI

LEXO EDHE:  Lajm i mirë nga Infektivi/ Tre nga pacientët përmirësime të dukshme, si paraqitet gjendja e të tjerëve

Do të punojnë shumë sektorë por si do të menaxhoj qarkullimin rrugor sepse njerëzit do të shkojnë në punë? Poqese njerëzit shkojnë në punë me vetura, furgona, autobuza, çfarë do të më bëjnë policat me maska? Si do të bëjnë ata që njerëzit nëpër autobuza të mos infektohen?

Të marr kredi bankare nga jashtë? Kush të jep kredi që ta bësh rrush e kumbulla pra ta përdorësh për të paguar paga punonjësish pa punuar?

Vetëvrasje afatgjatë.

Ja nuk punuan! Si të bëj që nga njera anë të mos vjel taksa dhe nga ana tjetër të jap paga pa punuar? Aq më shumë paga për sektorin privat? T’u paguaj pagat e puntorëve që nuk do punojnë dhe të mos u vjel taksa? Me çfarë do paguaj?

Lekë pa punuar? Mirë ja i mori pensioni lekët, po çfarë do të blejë, sepse lekët nuk hahen?

Afatgjatë të shpërndash parà pa pasur mall është të shpërndash ëndërra! Kujdes!

Hajde vërdallë dhe hajde vërdallë dhe koha po afron me shpejtësi kur gjithë këtyre dilemave u duhet dhënë fund. Por kjo kërkon një logjikë që nuk është vetëm e mjekut, ose vetëm e financierit, ose vetëm e policit, ose vetëm e punonjësit, ose vetëm e biznesmenit.

Uria po rritet. Uria për parà pa punë pra e kam fjalën!

Duhet një arsyetim dhe metodë tjetër që mungon!

Po pyet o i uruar pyet!

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Andi BUSHATI/Nuk fitohet lufta me gjuhën e dhunës

Publikuar

-

Nga

Sot nuk ka budallallëk më të madh sesa të kritikosh masat represive të Edi Ramës për të përballuar betejën kundër pandemisë. Çfarëdo « dhunimi i lirive demokratike të lëvizjes», do të qe pak, në kushtet në të cilat ndodhemi, ku në farmaci nuk gjenden dot më maska dhe doreza, ku mungon mundësia për testimin e të dyshuarve me covid -19, ku shtretërit në spitale dhe aparatet respiratore janë me pakicë, ku kompetenca dhe numri i personelit mjeksor është i kufizuar.

Pra, sa më të forta të jenë kufizimet, aq më shumë ato na mbrojnë nga dështimi shumëvjeçar i politikave qeveritare në shëndetësi. Në këtë kuptim, nëse doni me ç’do kusht ta shani Edi Ramën, kujtojni ato që ka bërë keq dje dhe jo aktet që po firmos sot.

Rreth asaj që po kërkon qeveria duhet të ketë një konsensus kombëtar.

E vetmja gjë e cila shtrohet për diskutim është dilema se si arrihet më mirë ndikimi i popullsisë, përmes ndërgjegjësimit, apo në të kundërt, përmes masave represive.

Në të gjitha daljet e tij të fundit publike Edi Rama ka zgjedhur rrugën e dytë. Ai shpall përmes videoregjistrimeve nga bunkeri i vet në Surrel gjoba marramendëse, heqje shumëvjeçare patentash, shoqërime në rajon. Pra ai përdor një gjuhë, e cila, së pari vjen nga mendësia totalitare se « ky popull kupton vetëm me dru » dhe së dyti nga kompleksi i një qeverie pakice, që e ndjen se nuk është më e besueshme për t’u ndjekur nga subjektet e saj.

LEXO EDHE:  OBSH merr vendimin/ Koronavirusi shpallet pandemi

LEXO EDHE:  “Ndikon edhe vapa”/ Patozi sugjeron test mendor për politikanët

Në të kundërtën, po të shikoje mbrëmë fjalimin e presidentit francez Makron, thelbi i mesazhit të tij nuk ishte terrorizimi, por ndërgjegjësimi. Vërtet ai i shpalli qytetarëve të vet masa po aq represive sa edhe tek ne, vërtet ai përdori të njëjtat shprehje se jemi në luftë, por ai nuk foli as edhe njëherë të vetme për penalizim, gjobitje burgosje.

Kjo pra është diferenca mes një lideri që shpreson ta ketë besimin e qytetarëve të vet dhe një tjetri që dyshon se e ka humbur atë.

Deri tani, Edi Rama po sillet me versionin e dytë (video poshte). Në fjalorin e tij po mbizotëron frikësimi dhe jo bindja.

/

Dhe kjo, mbi të gjitha, po i bën dëm strategjisë së përbashkët, për të zbatuar në maksimum kufizimet e vendosura nga qeveria. Sepse sa më shumë të kriset mardhënia e besimit mes autoriteteve dhe qytetarëve, aq më pak efikase do të jetë zbatimi i masave që kërkohen.

Kryeministri na thotë shpesh se jemi në luftë, por ai harron se për fitimin e një beteje nuk mjafton të vrasësh dezertorët, por të frymëzosh ushtarët.

Duke u përqëndruar tek e para ai vetëm po injekoton mungesë besimi tek trupat e tij. Ndaj ai duhet të ndryshojë qasje sa më shpejt. Edi Rama duhet të na besojë që ta ndihmojmë./Lapsi.al

LEXO TE PLOTE