LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndikimi i koronavirusit në ekonomi/ BSH sqaron masat për riskedulimin e kësteve të kredisë

16 Mars 2020, 15:41, Sociale CNA
Ndikimi i koronavirusit në ekonomi/ BSH sqaron masat për riskedulimin

Banka e Shqipërisë ka sqaruar vendimin e marrë nga kjo e fundit lidhur me shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive, në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë, për shkak të koronavirusit.

Banka deklaron se pezullimi i mësimit në institucionet arsimore, masat për shmangien e grumbullimeve të njerëzve, rekomandimet për të punuar nga shtëpia, ndërprerja e një sërë aktivitetesh tregtare dhe masat e shtuara të kujdesit, padyshim që do të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe gjenerimin e të ardhurave në nivele më të ulëta se parashikimet.

Për këto arsye, BSH thekson se më 12 mars Këshilli Mbikëqyrës miratoi shtimin e një dispozite të përkohshme në rregulloret e administrimit të rrezikut të kredisë për bankat dhe të administrimit të rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka dhe të shoqërive të kursim-kreditit.

Kjo synon t?u krijojë lehtësi subjekteve, që në rastet e paaftësisë paguese e kredimarrësve gjatë periudhës tremujore, këto institucione të mos jenë subjekt i zbatimit të kërkesave të këtyre rregulloreve që lidhen me klasifikimin dhe krijimin e fondeve për provigjione.

BSH deklaron se bankat dhe institucionet e tjera financiare do të akomodojnë nevojat e klientëve për një riskedulim të kësteve të kredisë, duke mos i ngarkuar ata me penalitete apo me përkeqësim të statusit të kredimarrësit, duke qenë se mospagimi i kredisë ka ardhur si pasojë e kushteve të vështira të këtyre ditëve jashtë kontrollit të tyre.

“Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë hyjnë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjasin deri në datën 31 maj 2020. Ato parashikojnë që, gjatë kësaj periudhe, ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve përkeqësohet nga situata aktuale, mund të përfitojnë një shtyrje, deri në 3-muaj, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë: banka, jobanka dhe shoqëri kursim-krediti. Në këtë pikë, theksojmë se ky është nje proces që bën të mundur vetëm riskedulimin e detyrimeve qe këta kredimarrës kanë, por jo falje të tyre.

Për të bërë të mundur këtë nevojitet që, të gjithë ata kredimarrës, biznese dhe individë, të cilët preken ekonomikisht dhe financiarisht nga kjo situatë, dhe që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo lehtësi e ofruar, të kontaktojnë me institucionin financiar (bankë, jobankë, shoqëri kursim-krediti) me të cilin kanë marrëdhënien e kreditimit dhe të informojnë këta të fundit mbi këtë kërkesë.

Më pas, do të jetë institucioni financiar (banka, jobanka, shoqëria e kursim-kredititi) i cili, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe, bazuar në specifikat e rastit, do të ofrojë edhe zgjidhjen përkatëse.

Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me këto institucione”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e BSH-së./ CNA.al

Lajmet e fundit nga