Blog
Ç’më mësoi Ebola për koronavirusin/ Paniku nuk na çon askund

Nga Jonah Lipton “The Guardian”
*Koronavirusi është bërë i pashmangshëm, me më shumë se 100.000 raste të konfirmuara, dhe thuajse 4.000 të vdekur në rang global deri më sot. Edhe ata nga ne që nuk kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta, ky virus është në vëmendjen tonë.
Ai dominon lajmet, dhe bisedat tona të përditshme. Mjetet e jetesës, kujdesit shëndetësor, udhëtimet dhe e gjithë jeta jonë sociale po ndikohen në mënyra që janë të vështira për t’u matur. Ndërsa virusi – dhe frika e lidhur me të- po përhapet, kontrollet që synojnë frenimin e përhapjes dhe pasojat e tyre, ka të ngjarë të bëhen më të rënda.
Kjo situatë është shumë e njohur për mua. Unë jam një antropolog social, që u bëra befas specialist në epideminë e Ebolës gjatë viteve 2014-2016 . Në vitin 2014, unë isha duke kryer një studim afatgjatë në terren në një lagje të zakonshme në Fritaun, kryeqyteti i Sierra Leones, kur u shfaq në fillim virusi i rrezikshëm i Ebolës.
Ashtu si me koronavirusin, edhe Ebola u shpall një emergjencë e shëndetit publik, dhe nxiti një shqetësim ndërkombëtar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Fritaun ishte në zemër të krizës. Pas disa javësh, jeta në qytet ndryshoi kur hynë në fuqi rregullat e ashpra, të cilat kufizuan lëvizjet.
Shkollat dhe universitetet u mbyllën. Udhëtimi ishte i kufizuar, dhe kishte çdo ditë orare të ndalim-qarkullimit. Linjat ajrore tregtare dhe bizneset nisën të mbyllen. Klinikat e zonës u mbyllën, duke e ndërlikuar trajtimin e sëmundjeve të zakonshme, të cilat gjithashtu mund të jenë vdekjeprurëse.
Njerëzve iu kërkuan të qëndronin në pritje, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Çuditërisht, masat paraprake kundër epidemisë u morën seriozisht. Ebola ishte vërtet e frikshme, dhe një virus i ri. Familja ku isha duke qëndruar, ndërtoi një pikë të larjes së duarve me klor në hyrje të shtëpisë së tyre.
Kontakti trupor me të panjohurit u minimizua. Në shumicën e rasteve, autoritetet u njoftuan kur kishte vdekje ose sëmundje në një komunitet të caktuar. Megjithatë, jeta vazhdoi. Ata që humbën punën e tyre, kërkuan më vonë një punë të re. Disa miq të mi, u bashkuan në reagimin ndaj Ebolas.
Mësuesit krijuan klasa të vogla në shtëpi, në mënyrë që fëmijët të mund të vazhdonin shkollimin e tyre. Aktivitetet fetare dhe shoqërore, mbetën një prioritet. Fqinjët e mi zbuluan mënyra të reja, më pak të rrezikshme për të kremtuar Pashkën dhe Bajramin, apo për të festuar gëzime të rëndësishme familjare.
Madje tifozët e futbollit, shpikën metoda për të vazhduar ndjekjen në televizor të Premier Ligës angleze dhe La Ligas spanjolle, kur u mbyllën edhe kinematë e vogla që i transmetonin këto ndeshje. Pasja e një jete normale gjatë emergjencës, kërkon caktimin e disa përparësive, përballë kufizimeve drakoniane të lëvizjes dhe socializimit.
Edhe më e rëndësishme u cilësua edhe marrja e masave paraprake të mirëfillta kundër virusit. Që të dyja bazohen tek aftësia e njerëzve, për t’u bashkuar dhe bashkëpunuar në mënyra të reja, dhe për t’ju përshtatur një periudhe pasigurie. Mbijetesa nga virusi i Ebolës, nuk ishte vetëm çështje e shmangies së infektimit apo marrjes së trajtimit, por një çështje më e gjerë sociale e të jetuarit me krizën në një mënyrë dinjitoze dhe kuptimplotë.
Në kulmin e epidemisë, Xhejmsi dhe Aisha, një çift i ri me të cilin jetoja, patën një fëmijë. Si rezultat i krizës, Xhejms e braktisi punën e tij në një lokal të zonës, dhe Aisha ndërpreu studimet në degën e menaxhim-biznesit. Ata ishin të pamartuar, dhe nuk kishin një rrjet të qëndrueshëm mbështetës për familjen e tyre të vogël.
Megjithë rregulloret mbi lëvizjet dhe tubimet, ata vendosën të kryejnë një version të përshtatur të një ceremonie tradicionale të emrit të fëmijëve. Pra e zhvilluan festën më vonë se zakonisht, duke marrë leje nga autoritetet lokale. Reagimi ndërkombëtar, kishte një fokusim të ngushtë në kontrollin me çdo kusht të përhapjes së virusit.
Ne po shohim përgjigje të ngjashme ndaj koronavirusit, të nxitura nga paniku. Fiksimi mbi virusin, e zhvendos vëmendjen nga pasojat – shpesh po aq serioze – sociale, ekonomike dhe politike të ndërhyrjeve të shëndetit publik. Ai shpërfill përparësitë e personave të prekur, si Xhejmsi dhe Aishja, të cilët duhet të shohin nga e ardhmja.
Duke zgjedhur të vazhdojnë jetën e tyre gjatë shpërthimit të Ebolës, miqtë dhe fqinjët e mi në Fritaun nuk e humbën shikimin e panoramës më të gjerë. Në vështirësi, reagimet e tyre kanë shumë kuptim, edhe nëse ato do të ishin dekurajuar në atë kohë.
Disa vite me radhë, me shërbimet shëndetësore dhe ekonominë ende të varfër në Sierra Leone , është e qartë se një përgjigje ndërkombëtare disa miliarda dollarëshe, ishte shumë e zënë më Ebolan, dhe injoroi prioritetet më të gjera të njerëzve të zakonshëm.
Nëse ka një leksion që kam mësuar nga kërkimet e mia mbi Ebolan në Sierra Leone, është kjo: kujdesuni, por mos u frikësoni deri në panik nga virusi, dhe mos harroni panoramën më të madhe të gjërave. Shpresoj që duke reaguar ndaj koronavirusit, ne si individë – dhe institucionet tona – të mund të mësojmë diçka nga ata që e kanë kaluar më parë një sfidë të ngjashme.
Shënim: Dr.Jonah Lipton, është studiues në Qendrën Firoz Lalji për Afrikën në Shkollën e Ekonomisë në Londër. / Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Si lindi teoria e pllakave tektonike, që shpjegon ndodhjen e tërmeteve
Për shekuj me radhë, shtresa më e sipërme e Tokës mendohej të ishte statike dhe e ngurtë. Por teoria e tektonikës së pllakave, e ka...

Pse reagimi i dobët ndaj Covid-19, po e bën Francën gazin e botës
Nga John Keiger “Spectator” Franca është anëtarja e vetme e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, që nuk ka zhvilluar një vaksinë të saj...