LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Nini Dede/ Më mirë t'ju qeshin sot, sesa t'ju qajnë nesër!

11 Mars 2020, 20:46, Opinione CNA
Nga Nini Dede/ Më mirë t'ju qeshin sot, sesa t'ju

Jemi gati 72 orë nga publikimi i rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri dhe secili nga ne mendon se është akoma duke parë një film “fiction” nga ata të ngjashmit që jepen çdo ditë.

Disa të tjerë mendojnë se ështeë thjesht një “lojë” e cila po u jep mundëi argëtimi, kohë të lirë takimi e shëtitjesh me miq dhe të afërm, apo duke shkuar me larg si mundësi zhvillimi biznesi apo të bërit politikë.

Në këndvështrimin tim si mjek, me keqardhje më lejoni t’ju them se nuk është koha për asnjërën nga këto më lart. Nuk është koha as  për të nxjerrë rolin e mjekut si hero, kur në fakt i tillë, ka qenë dhe do të mbetet gjithmone.

Nëqoftëse do të rishkruaja udhëzimet e OBSH në lidhje me masat e rrepta higjeno-sanitare dhe domosdoshmërine e izolimit e të ndenjurit në shtëpi, të cilat në fakt po bëjnë xhiron e botës, askush nuk do të lexonte më poshtë dhe ky shkrim do të përfundonte këtu.

Por e vërteta është se në kushte të tilla, më të rëndësishme se gjithçka janë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi.

Duke marrë parasysh që ne si popull ndahemi në 2 kategori : “paniksjellësit” dhe “rehatndjellësit”, nuk është e nevojshme as të përhapim panik por as të jemi të shkujdesur e mosbesues se asgjë nuk do të ndodhë.

Më e nevojshme është të thyejmë mitet se është vetëm një lloj gripi ku rrezikohen vetëm të moshuarit dhe ata me sëmundje shoqëruese.

Ky virus është ende në studim të vazhdueshëm mjekësor e shkencor dhe ka ende pikat e erreëta edhe në lidhje me mënyrën e transmetimit e aq më tepër të mjekimit.

Të mos harrojme se para vitit 1928 kur Alexandër Fleming zbuloi penicilinen, askush nuk e kuptonte se si mund të vriteshin disa mikro-organizma të vogla që nuk shiheshin  me sy, të quajtura BAKTERE, por që merrnin jetë njerëzish edhe mbi një plage të rëndomtë të infektuar.

Sot ne erën e antibiotikëve, çdokush ka parë se në sallën e operacioneve, mjekët dhe personeli mjekësor mbajnë maska, kapuç e doreza sterile dhe zbatojnë rregulla të forta asepsie për të parandaluar infeksionin postoperator, edhe pse janë të sigurt se kanë një larmishmëri antibiotikësh dhe jo vetëm penicilinën e Flemingut.

Në rastin e një VIRUSI në përgjithesi  i cili është  gati 1000 herë më i vogël në përmasa sesa BAKTERI, dhe  që përveç njeriut mund të infektojë edhe vetë bakterin, çdokush duhet të gjykojë që ai është akoma më i rrezikshëm.

Dhe kur specifikisht bëhet fjalë për COVID-19 , një virus të ri, akoma të “paeksploruar” totalisht, kujdesi dhe rrezikshmëria (të cilat ecin paralel), shumëfishohen për të kuptuar të vërtetën.

Por nëse rrezikshmëria ekziston si faktor konstant, kujdesi ngelet një variabël i ndryshueshëm të cilin e kemi neve në dorë.

JU LUTEM : me kujdesin tuaj jepini kohë studiuesve, mjekëve, virologëve apo shkencëtarëve duke mos e shpërdoruar kohën tuaj në dëm të tyre dhe të jetes suaj ; duke mos lejuar fëmijët tuaj të luajnë grumbull pranë lagjes edhe pse shkollat u mbyllën, ndërkohe që vetë jeni në kafene duke ironizuar e qeshur me kalimtarin e rradhës që ecën me nxitim drejt shtëpisë me maskën apo dorezat e tij veshur.

Edhe në qofshi ju ai kalimtari, mos keni frikë dhe turp të merrni pjesë në mospërhapjen e kësaj epidemie se askush nuk do t’ju qeshë.

POR… edhe sikur të ndodhë kjo : MË MIRË T’JU QESHIN SOT SESA T’JU QAJNË NESËR!

Lajmet e fundit nga