Connect with Us

A do të sjellë COVID-19, shembjen e regjimit komunist në Kinë?

Blog

A do të sjellë COVID-19, shembjen e regjimit komunist në Kinë?

Publikuar

-

Nga Liubomir K.Topaloff  “The Diplomat”

“Aksidenti bërthamor në Çernobil” – shkroi ish-udhëheqësi sovjetik Mikail Gorbaçov, në prag të 20 vjetorit të katastrofës – “më shumë sesa fillimi i Perestrojkës time, ishte ndoshta shkaku kryesor i rënies së Bashkimit Sovjetik 5 vjet më vonë”.

Ndërsa pasoja nga epidemia e koronavirusit COVID-19 është ende e paqartë, si për Kinën ashtu edhe për pjesën tjetër të botës, s’ka dyshime se madhësia e ndikimit nga ky virus, paraqet një pikë kthese historike për udhëheqjen kineze, si dhe për aftësinë e saj për të ruajtur legjitimitetin  e vet politik.

Padyshim, në historinë e autoritarizmit kinez të shekullit XX-të, do të ketë një “epokë para katastrofës” dhe një “epokë shumë të ndryshme që e ka pasuar atë”. Por, sa larg mund të shkojmë me analogjinë historike të Çernobilit? Analogjitë historike, janë të dobishme për të mbrojtur aftësinë e kufizuar njohëse të njeriut, për të grumbulluar një sasi të madhe informacioni, dhe për të analizuar një marrëdhënie komplekse.

Ato tregojnë histori në të cilat audienca pritet të njohë kushte dhe modele të sjelljes me tipare të ngjashme, dhe t’i përdorë ato si një guidë për ngjarje të tjera. Por nëse merren shumë lehtë ose çohen shumë larg, analogjitë historike mund të jenë të rrezikshme dhe mashtruese, sidomos nëse krahasimet bëhen fjalë për fjalë.

Kjo është arsyeja se përse Henri Kisinger, dikur u shpreh:”Historia na mëson përmes analogjive, duke hedhur dritë mbi pasojat e mundshme të situatave të krahasueshme. Por secili brez, duhet të përcaktojë vetë, se cilat rrethana janë në të vërtetë të krahasueshme”.

Dhe nga pikëpamja strukturore, analogjia e koronavirusit dhe Çernobilit, të paktën në pamje të parë mund të jetë joshës, por nuk është intuitiv. Në vitet 1980, Bashkimi Sovjetik, ishte një perandori në agoni, me një ekonomi që mbahej me zor me një kosto të jashtëzakonshme për qytetarët e saj, dhe me një sistem politik tek i cili nuk besonte më askush, madje as vetë udhëheqja e Partisë Komuniste dhe nomenklatura e saj.

Ndërkohë Kina e vitit 2020, nuk mund të jetë më ndryshe se sa Bashkimi Sovjetik i 1986-ës. Sipas Bankës Botërore rritja e PBB-së së Kinës në vitin 2018 ishte 6.6 për qind. Shumë larg nga niveli 14.2 për qind vetëm një dekadë më parë, por ende një normë shumë mbresëlënëse, duke marrë parasysh madhësinë e ekonomisë së saj.

Edhe pas efektit dërrmues të tarifave të vendosura nga SHBA mbi ekonominë kineze, vlerësohet se në vitin 2019 rritja e PBB-së ra vetëm në 6.1 përqind. Më e rëndësishmja, në dallim nga Bashkimi Sovjetik, që pësoi goditjen më të fortë nga globalizimi i shpejtë ekonomik, teksa u përpoq ta luftonte atë, Kina e ka shfrytëzuar globalizmin në çdo aspekt.

Dhe në dallim nga prodhimi me teknologjinë primitive gjatë epokës sovjetike, Kina konkurron sot për pozitat e teknologjisë së lartë, duke e nxitur për shembull kompaninë Huauei të jetë lidere në teknologjinë 5G. Në dalim nga trenat sovjetikë të viteve 1980, që ishin kryesisht të njëjtët që nga Lufta e Dytë Botërore, Kina e 2020-ës ka disa nga trenat më të shpejtë, dhe infrastrukturën më të madhe hekurudhore në botë.

Prosperiteti ekonomik kinez, ka krijuar një legjitimitet që nuk mbështetet dhe aq tek forca represive që do të ishte e pritshme për një regjim autoritar, por që është i ngjashëm me modelin liberal-demokratik, të bazuar në garantimin e një sigurie më të madhe, zhvillimi ekonomik, dhe rritjen e cilësisë së përgjithshme të jetës për qytetarët e saj.

Prandaj, nuk është për t’u habitur, pse legjitimiteti politik i sistemit kinez mbrohet dhe promovohet në mënyrë aktive nga politogë seriozë, si një model i zbatueshëm alternativ i demokracisë liberale.

LEXO EDHE:  Kongresi i 116-të i SHBA-ve nis punimet

Duke pasur parasysh popullsisë e madhe të këtij vendi, si dhe diversitetin e tij kulturor, është shumë e çuditshme që udhëheqja autoritare kineze, nuk ka dashur të mbështetet më shumë tek dhuna dhe imponimi për të ruajtur legjitimitetin e vet, megjithë kritikat e shprehura në Perëndim mbi shkeljet e të drejtave të njeriut.

Ishte një marrëveshje “faustiane”, ajo që karakterizoi kontratën e re sociale në Kinë:qeveria siguron pasurim dhe prosperitet ekonomik për qytetarët e saj, ndërsa këta të fundit pranojnë shkeljen e disa prej të drejtave të tyre civile dhe politike. Deri më sot, kjo ”kontratë” ka funksionuar mjaft mirë për të dyja palët.

Por shpërthimi i epidemisë së COVID-19, ka zbuluar se sa e brishtë dhe e paqëndrueshme është kjo marrëveshje “faustiane”. Ashtu si Çernobili, emergjenca e koronavirusit ishte një krizë e paparashikueshme. Por situata në Kinë, ngjan edhe në aspekte të tjera, me atë të mesit të viteve 1980 në Bashkimin Sovjetik.

Së pari, gara ekonomike me Shtetet e Bashkuara, ka nisur të dëmtojë seriozisht ekonominë e vendit, dhe vazhdon të ketë ndikimin e saj në të gjitha nivelet e shoqërisë. Në vitet 1980, ishte gara e armatimeve, ajo që e detyroi Bashkimin Sovjetik të ndante burime të mëdha në fushën ushtarake, për të mbetur në garë me SHBA-në.

Për më tepër, nga mesi i viteve 1980 legjitimiteti i regjimit sovjetik ishte zbehur shumë pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të shtypjes së egër ndaj kërkesave për më shumë liri nga shtetet e saj satelite.

Ngjashëm, trajtimi që i bën sot Kina pakicave etnike, dhe internimi i një numri të madh të tyre në kampe përqendrimi, e ka dëmtuar shumë legjitimitetin e regjimit jashtë vendit, ashtu si edhe protestat e Hong Kongut, që nisën që në fillim të verës së vitit 2019.

Më së fundmi, gabimet e udhëheqjes kineze në fillim të epidemisë, mungesa e transparencës, dhe gënjeshtrat e vazhdueshme jo vetëm ndaj botës, por edhe ndaj qyttarëve të saj, hodhën shumë dyshime mbi vetë konceptin konfucian të autoritarizmit konfucian, por edhe mbi aftësinë e udhëheqjes kineze për të qeverisur në mënyrë efektive në kohë krizash.

Prosperiteti ekonomik mbi të cilin krenohet regjimi kinez do të zbehet shpejt, siç duket po ndodh tashmë. Modeli kinez i regjimit autoritar, duket se është më pak i pajisur për t’u përballur me pasojat e paqëllimta të një katastrofe të tillë.

Demokracitë duket se janë të më të mirë-pajisura për të trajtuar fatkeqësi të tilla, sepse natyra e regjimit lejon dhe kërkon hapje dhe një transparencë më të madhe. Kësisoj, edhe nëse qeveria rezulton të mos jetë mjaft e sinqertë me qytetarët e saj, legjitimiteti i vetë regjimit vihet në dyshim. Dhe ka gjasa që COVID-19, të hyjë në histori si “Çernobili” për Xi Jinping dhe regjimin e tij që ai drejton./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

 A do të sinjalizojë virusi i ri korona fundin e globalizimit?

Publikuar

-

Nga

A do të përshpejtojë virusi korona tendencën e shkëputjes prej globalizmit të preferuar nga Donald Trump? Henrik Böhme, beson se të paktën mund të pritet një rivlerësim për ndarjen globale të punës. 

Thjesht shikoni një makinë që del nga linjat e montimit në Sindelfingen ose Wolfsburg të Gjermanisë: Qoftë një Mercedes i klasit E ose një Golf VW – “Made in Germany” nuk është më me të vërtetë e prodhuar po në këtë vend. Vetëm rreth një e katërta e të gjitha pjesëve të këmbimit vazhdojnë të jenë nga vetë prodhuesit e makinave, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga furnizuesit e shumtë. Pjesët e këmbimit vijnë nga të gjitha skajet e botës.

Kjo është një sfidë e madhe logjistike. Menaxhimi i zinxhirit të furnizimit nuk është një sipërmarrje e thjeshtë. Dhe, nëse themi, që një kontejer me pjesë këmbimi të prodhuara në Kinë nuk mbërrin në portin e Hamburgut, Sindelfingen dhe Wolfsburgu mund të ketë shumë shpejt një problem të madh.

Skenarë të tillë aktualisht janë duke u analizuar nga shumë kompani në Gjermani dhe më gjerë. Prodhuesit e automjeteve merren me këtë çështje, dhe po kështu edhe prodhuesit e makinave, bizneset e vogla dhe të mesme dhe firmat e regjistruara në DAX (Indeksi gjerman i Aksioneve në Bursë). Tema është bërë virale edhe në sistemin e kujdesit shëndetësor në Gjermani, ku virusi i ri Korona ka bërë që të ndjehen më fort edhe mungesat në furnizimet me ilaçe.

Shumë njerëz po pyesin nëse po përjetojmë ndërkohë fillimin e fundit të globalizmit. A duhet të rivlerësojmë ndarjen globale të punës? A duhet që kombet ta rikthejnë prodhimin në vend? A ka ndonjë alternativë pune për fabrikën globale të konceptuar gjatë tri dekadave të fundit?

Riatdhesimi i prodhimit

Është zhgënjimi i parë ky për të gjithë ata që besojnë, se të gjitha problemet aktuale në botë janë shkaktuar nga globalizimi: Nuk ka zgjidhje të lehtë. Sepse globalizimi ka çuar në një rritje të madhe të pasurisë dhe mirëqenies, dhe jo vetëm në kombet e industrializuara.

Disa kombe ia kanë dalë të shkëputen nga statusi si vende në zhvillim dhe duke u zhvilluar si ekonomi në ekspansion, kanë arritur të nxjerrin me miliona e miliona njerëz nga varfëria ekstreme.

Henrik Böhme

Sigurisht që nuk duhet të injorohen problemet që lidhen me kushtet e punës, ose standardet sociale dhe mjedisore. Por nëse dikush në Perëndim kërkon që prodhimi të riatdhesohet, nëse kjo do të ndodhte do të humbisnin shumë vende pune diku tjetër.

Dhe ju lutem jo standarde të dyfishta! Shumë njerëz indinjohen kur Presidenti i SHBA Donald Trump flet për “America first” dhe kthimin e vendeve të punës në Amerikë. Por kur ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier ose homologu i tij francez, Bruno Le Maire, flasin për krijimin e më shumë lehtësive prodhuese në Europë dhe kthimin e kapaciteteve kryesore të prodhimit, njerëzit këtu janë shumë më pak të shqetësuar, ose aspak.

LEXO EDHE:  Intervista/ Junker: Brexit ishte i pritshëm, britanikët nuk janë ndjerë asnjëherë pjesë e Evropës

LEXO EDHE:  Lufta e titanëve/ Raundi i ri

Por kjo nuk do të thotë se nuk kërkohen ndryshime. Marrim shembull industrinë farmaceutike. Nëse Gjermania, ashtu si Franca, merr rreth 80% të të gjithë përbërësve të nevojshëm aktiv për ilaçe nga jashtë (40% vetëm nga Kina), atëherë duhet ndryshuar diçk në sistem.

Por, të mos harrojmë se si u krijua kjo varërsi. Prodhimi i brendshëm u rrit shumë, por edhe kostot e tij dhe industria u vu nën presionin e jashtëzakonshëm të shpenzimeve për sigurimet shëndetësore. Megjithatë është e gabuar të besosh, se Gjermania është plotësisht në duart e lojtarëve kinezë në shumë degë të industrisë. Ekonomia gjermane si pjesë integrale dhe përfituese nga ndarja globale e punës nuk varet nga ndonjë vend i veçantë. Asnjë prej partnerëve të saj tregtar nuk përbën më shumë se 10% të importeve dhe eksporteve të përgjithshme të vendit përkatësisht, sipas Shoqatës së Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë Gjermane (DIHK).

Kthim në shekullin XIX?

Sigurisht, COVID-19 po i nxit kompanitë të rivlerësojnë hallkat e tyre të furnizimit me qëllim të zvogëlimit të mëtejshëm të varësisë nga aktorët e zgjedhur në treg. Mund të ketë gjithashtu një debat mbi atë se sa i mirë është me të vërtetë koncepti “just in time” apo nëse do të ishte më i mençur kthimi në një politikë të blerjeve në avancë.

Unë nuk jam dakord me kreun e Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Evropian në Kinë, Jörg Wuttke, i cili beson se kanë marrë fund kohët që kompanitë të prodhojnë atje ku kjo mund të bëhet në mënyrën më efikase. Veçanërsht kjo mund të ndikonte negativisht në Gjermani si një komb i orientuar nga eksporti.

Prodhimi ekonomik i Gjermanisë ra me 5% në vitin 2009 në kulmin e krizës globale financiare. Humbja do të ishte shumë më e madhe nëse globalizimi do të sprapsej. Kthim tek prodhimi vendas? Kthim në shekullin XIX? E duam këtë vërtetë? Koniunkturë e lartë për proteksionizëm?

Kush e dëshiron vërtetë një gjë të tillë duhet të parashtrojë disa argumenta të forta, për t’u bërë të qartë njerëzve humbjet e mëdha në mirëqenie, që do të ishin të pritshme./ DW

LEXO TE PLOTE

Blog

Studimi/ Ndotja e ajrit, vret më shumë sesa pirja e duhanit, luftërat dhe SIDA

Publikuar

-

Nga

* Ndotja e ajrit, shkakton më shumë vdekje sesa luftërat, pirja e duhanit, dhe sëmundje të tilla të rënda si malarja dhe SIDA. Sipas shumë studimeve, ndotja e ajrit është një vrasëse vërtet e heshtur, që na e shkurton secilit mesatarisht me 3 vjet jetën. Vetëm në vitin 2015, ajo shkaktoi të paktën 8.8 milionë vdekje të parakohshme.

Sa për krahasim, pirja e duhanit shkaktoi “vetëm” 7.2 milionë të vdekur, SIDA 1 milionë, sëmundjet e bartura nga insektet si malarja 600 mijë, ndërsa nga dhuna, përfshirë luftërat, 530 mijë. Alarmi u ngrit nga autorët e një studimi, të botuar në revistën “Studime Kardiovaskulare”, të cilët janë të bindur se ndotja e ajrit është përgjegjëse për një pandemi të vërtetë globale.

Vdekjet nga ndotja, sëmundjet që “peshojnë” më shumë

Shkencëtarët përdorën një model të veçantë, për të vlerësuar se sa “peshon” ndotja mbi numrin vjetor të të vdekurve, dhe në humbjen e viteve të jetës, duke përdorur sa informacionet që kanë lidhje me ekspozimin ndaj ndotësve, po aq edhe të dhëna të tilla si dendësia e popullsisë, rajoni, mosha, dhe faktorët e rrezikut për sëmundje të ndryshme.

Në veçanti, studiuesit u përqëndruan tek pasojat që sjell ndotja e ajrit në 6 kategori të ndryshme sëmundjesh:infeksione akute të frymëmarrjes (si për shembull pneumonia), sëmundje kronike obstruktive pulmonare, kanceri i mushkërive, sëmundje të zemrës , sëmundje cerebrovaskulare, dhe ç’rregullime të tjera të tilla si presioni i lartë dhe diabeti.

Rezultatet treguan se sëmundjet e zemrës dhe ato cerebrovaskulare, janë përgjegjëse për numrin më të madh të vdekjeve, që i atribuohen ndotjes së ajrit. Siç mund ta imagjinoni, ndotja e ajrit prek më shumë njerëzit e moshuar (75 për qind e vdekjeve, prekin njerëzit që janë mbi 60 vjeç) dhe fëmijët nën moshën 5-vjeç në vendet me të ardhura të ulëta.

Ndotja natyrore, përkundrejt ndotjes nga aktiviteti i njeriut

LEXO EDHE:  SHBA / Kur ndërrimi i pushtetit kthehet në telash

LEXO EDHE:  Kongresi i 116-të i SHBA-ve nis punimet

Ndërkohë, studimi u fokusua edhe tek shkaqet e ndryshme të ndotjes, duke i ndarë ato në shkaqe natyrore që nuk mund të shmangen, siç është për shmbull rëra e shkretëtirës apo tymi i shkaktuar nga zjarret në pyje, me ato të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore.

Rezultatet treguan se rreth 2/3 e vdekjeve të parakohshme, shkaktohen nga ndotja e shkaktuar nga njeriu, kryesisht ajo për shkak të përdorimit të karburanteve fosile. Nëse hiqet dorë nga këto të fundit, mund të shpëtohen çdo vit 5 milionë e gjysmë jetë njerëzore.

Ndotja si një pandemic globale

Studimi nuk u ndal këtu. Ai u ndal edhe tek efektet e ndotjes së ajrit në rajone të ndryshme të planetit. Pjesa lindore e Azisë, ka rënien më të madhe të jetëgjatësisë, mesatarisht 4 vjet. Në Evropë kjo shifër është 2.2 vjet, ndërsa në SHBA 1.4 vjet. Ndalimi i përdorimit të karburanteve fosile, do të çonte në një rritje prej 1 vit të jetëgjatësisë mesatare.

“Ndikimi i ndotjes së ajrit në shëndetin publik, është shumë më serioz nga sa pritej, dhe ka një ndikim të madh në nivel global. Rezultatet tona, zbulojnë praninë e një pandemie të vërtetë”- thotë Tomas Munzel, autori kryesor i studimit. “Qeveritë dhe komuniteti mjekësor, duhet t’i kushtojnë shumë më tepër vëmendje këtyre të dhënave”- përfundoi ai./ Galileonet.it –Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Marrëveshja Kosovë-Serbi, test për politikën e jashtme të Donald Trumpit

Publikuar

-

Nga

Nga Dimitar Bechev “Al Jazeera”

* Në vitin 2016, Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, me premtimin se do të arrinte marrëveshjet më të mira në dobi të vendit në arenën ndërkombëtare. Megjithatë kur po mbushen 4 vjet si president, shumë nga premtimet nuk janë mbajtur.

As “faza e parë” e marrëveshjes mbi tregtinë, që ai nënshkroi me Kinën pak kohë më parë, dhe as marrëveshja e sapoarritur e paqes me talebanët në Afganistan, nuk janë arritje shumë domethënëse në politikën e tij të jashtme. Por ai mund të shënojë një fitore të madhe në Evropë. Dhe kjo është ajo për të cilën po punon.

Të hënën e shkuar, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, ishin që të dy në Shtëpinë e Bardhë për një takim me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brajen, dhe ambasadorin amerikan në Gjermani, Riçard Grenëll, që është gjithashtu i dërguari special i Trump për Serbinë dhe Kosovën që nga tetori i vitit të shkuar

Shumë analistë të Ballkanit, e panë atë takim si një shenjë të qartë se presidenti amerikan e ka shprehur pikëpamjen e tij, se Beogradi duhet të normalizojë lidhjet me Prishtinën. Raportet midis Serbisë dhe Kosovës, janë të tensionuara që nga lufta e vitit 1999, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 10 mijë njerëzve.

Forcat e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja ndërhynë për t’i dhënë fund konfliktit. Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, nuk është njohur nga Beogradi, Rusia dhe 5 vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, ai akt është njohur nga SHBA-ja, dhe më shumë se 100 vende të tjera të botës.

Bindja e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, në këmbim të lëshimeve nga Prishtina, do të zgjeronte ndikimin e SHBA-së në rajon, dhe siç spekulojnë, disa mund t’i sigurojë Trumpit fitimin e Çmimit Nobel për Paqe. Zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje, do të nxirrrte BE-në në një dritë negative, duke nënvizuar dështimin e unionit për të zgjidhur tensionet në oborrin e saj të pasmë.

Dhe Grenëll, ka arritur tashmë një lloj përparimi në këtë drejtim. Më 14 shkurt, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ai mbikëqyri nënshkrimin e një marrëveshje për rinisjen e funksionimit të linjës hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërtimit të një autostrade të re midis 2 kryeqyteteve.

Një muaj më herët, po Grenëll ndërmjetësoi një marrëveshje që parashikon rinisjen e fluturimeve për qëllime tregtare midis dy fqinjëve ballkanikë. Pastaj, i dërguari i Trump u mor me zgjidhjen e një çështje edhe më delikate: tarifat ndëshkuese që Kosova ka vendosur mbi importet serbe, në kundërpërgjigje të fushatës që Beogradi ka ndërmarrë për anulimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Si pasojë e kësaj fushatë që nga viti 2017, 15 vende kryesisht në Afrikë, e kanë tërhequr njohjen. SHBA-ja dëshiron që Kosova të heqë këto tarifa ndaj Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me CEFTA-n, një marrëveshje rajonale e tregtisë së lirë.

Dhe Prishtina duket se është gati që ta dëgjojë këtë apel. Të hënën e shkuar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i dërgoi një letër presidentit Trump, ku e informonte se vendi i tij do të heqë gradualisht tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, si një gjest të vullnetit të mirë.

Nuk është ndonjë habi pse funksionon diplomacia amerikane në Kosovë. Uashingtoni ka ende  shumë popullaritet tek shumica shqiptare në Kosovë, ashtu si edhe tek shqiptarët e tjerë që jetojnë në Ballkan, për shkak të ndërhyrjes së vitit 1999. Edhe pse shumë njerëz në Kosovë, janë kundër heqjes së sanksioneve tregtare ndaj Serbisë, ata e shohin Uashingtonin si aleatin e tyre kryesor në arenën ndërkombëtare, ndaj nuk duan që ta mërzisin.

LEXO EDHE:  Studimi/ Lyerja e flokëve me bojë, mund të rrisë rrezikun e kancerit të gjirit tek gratë

LEXO EDHE:  SHBA / Kur ndërrimi i pushtetit kthehet në telash

Nga ana tjetër, besueshmëria e BE-së në Kosovë ka pësuar një rënie të madhe. Ngurrimi i Brukselit për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës, megjithë plotësimin e të gjitha kritereve teknike, i ka mërzitur shumë kosovarët. Edhe pse shumë gjëra po gatuhen në prapaskenë, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ka ende shumë sfida përpara.

Hashim Thaçi, që po lobon shumë për një marrëveshje përfundimtare, përfshirë idenë e një shkëmbimi territoresh, ndodhet në një pozitë gjithnjë e më të vështirë. Që nga zgjedhjet e tetorit 2019, Partia Demokratike e Kosovës e Thaçit është në opozitë.

Kryeministri i ri, njëherazi udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, synon të ndjekë një linjë të ashpër ndaj Serbisë. Ai është shprehur hapur kundër planeve të Thaçit dhe Vuçiçit, për shkëmbime territoresh. Kurti ka qenë ndërkohë kritik, edhe ndaj alternativës së ofruar nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, për t’i dhënë një autonomi të gjerë komunitetit serb në Kosovë.

Kurti është i prirur t’i heqë Thaçit primatin e politikës së jashtme të Kosovës. Ministri i tij i Jashtëm, Glauk Konjufca, shkarkoi kohët e fundit ambasadorët e Kosovës në disa nga kryeqytetet kryesore të botës, përfshirë edhe atë në Uashington. Kurti mund t’i bindet herë pas here kërkesave të SHBA, por ai nuk do të nxitojë që të nënshkruajë një marrëveshje me Aleksandër Vuçiçin.

Dhe në fund, “topi” mund të jetë sërish në “fushën” e BE-së. Vëmendja e kufizuar e Trumpit nga tani e tutje, për shkak të afrimit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, do ta shtyjë Kosovën shumë poshtë përparësive të administratës së tij në muajt në vijim.

I dërguari i Trumpit për Kosovën dhe Serbinë, Riçard Grenell, është emëruar së fundmi drejtor i përkohshëm i të gjitha agjensive të inteligjencës amerikane. Detyrat e tij të reja, ka të ngjarë që të shmangin vëmendjen e tij nga Ballkani. Ndërkohë BE-ja, do të vazhdojë që të merret ngushtësisht me tensionet që rriten në oborrin e saj të pasmë.

Në maj, presidenca kroate e Bashkimit Evropian, do të organizojë në Zagreb samitin vjetor BE-Ballkani Perëndimor. S’ka dyshime se Kroacia, do ta vendosë në axhendën e samitin kërkesën e Kosovës për liberalizimin e vizave. Duke marrë një vendim të shpejtë mbi këtë çështje, BE mund të rifitojë besimin e Prishtinës, dhe të jetë sërish ndërmjetësja kryesore në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit pozitive, një pazar i madhe trumpian mbi Kosovën, nuk duket se ka gjasa që të ndodhë. Por, siç e tregon edhe suksesi i përpjekjeve të fundit diplomatike, mund të bëhen shumë gjëra për të ringjallur bisedimet e ngrira për normalizimin e raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës. Meqë administrata Trump nuk ka gjasa të mbetet e fokusuar me të njëjtin intensitet dhe t’i përfundojë negociatat, BE-ja duhet që të rritë përpjekjet e saj për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE