Connect with Us

Virusi i frikës, shumë më i rrezikshëm se koronavirusi

Blog

Virusi i frikës, shumë më i rrezikshëm se koronavirusi

Publikuar

-

Nga Ian Buruma “Project Syndicate”

* Në shtatorin e vitit 1923, Tërmeti i Madh i Kantos shkatërroi pjesë të mëdha të Tokios, kryesisht për shkak të zjarreve. U përhapën zëra, të cilat përsëriteshin edhe nga gazetat kryesore, që akuzonin koreanët, një pakicë e përbuzur dhe e varfër, se kishin planifikuar të përfitonin nga katastrofa, duke nisur një rebelim të dhunshëm.

Japonezët më vigjilentë, të armatosur me shpata, shtiza bambuje, dhe madje edhe armë, nisën të eleminojnë çdo njeri që dukej si korean. U vranë gati 6.000 njerëz, ndërsa policia bënte sehir, dhe ndonjëherë merrte pjesë edhe vetë në ato masakra.

Ashtu si ndryshimi i klimës, pandemia COVID-19 është një shembull i përsosur, pse ne njerëzit kemi nevojë për multilateralizëm në një botë të globalizuar. Në vend se të përdorin një racizëm paksa të maskuar, por edhe politikat izoluese, udhëheqësit globalë – veçanërisht Shtetet e Bashkuara – duhej të kishin nisur që javë më parë organizimin e një përgjigje kolektive ndaj kësaj sëmundje.

Ai që përmenda më lart, nuk qe një dukuri unikale japoneze. Turmat që masakrojnë pakicat jopopullore, janë mjerisht tepër të zakonshme. Kur hindutë nisën të vrisnin myslimanët në Nju Delhi kohët e fundit, policia indiane ishte sa pasive, po aq edhe fajtore, sa ishin edhe autoritetet japoneze në vitin 1923.

Por nuk kemi nevojë të shkojmë aq shumë larg në kohë, në historinë evropiane apo amerikane, për të gjetur raste të ngjashme, apo edhe më keq, të linçimit dhe vrasjeve masive. Dhuna iracionale, lind shumë shpesh nga paniku. Dhe paniku, mund të lindë lehtësisht gjatë një krize shëndetësore, apo pas një fatkeqësie natyrore.

Mungesa e informacionit të vërtetë për publikun, mund të çojë në stisjen e teorive konspirative, të cilat bëhen vdekjeprurëse kur politikanët ose media, i nxisin ato me qëllim. Në Japoninë e vitit 1923, Ministria e Brendshme u kërkoi vetë policëve që të merreshin me koreanët, të cilët sipas saj dukej se po e kërkonin vetë belanë.

Në Nju Delhi, një politikan vendas i Partisë Baratija Janata në qeverisjen e vendit, Kapil Mishra, nxiti njerëzit të ushtronin dhunë, duke premtuar se do të dërgonte turmën për të prishur një protestë të qetë të myslimanëve, nëse policia nuk do të vepronte e para me ashpërsi. A mund të ketë pasoja të ngjashme paniku aktual ndaj koronavirusit të ri, COVID-19?

Fatmirësisht, deri më tani nuk ka pasur masakra. Por sjellja e disa politikanëve ka qenë më së paku shqetësuese. Në Itali, lideri i ekstremit të djathtë në opozitë, Mateo Salvini, është shprehur se emigrantët janë një kërcënim për vendin si bartës të virusit, ndërsa kritikoi qeverinë për shpëtimin në det të një numri refugjatësh afrikanë.

Ndërkaq, nacionalistët e ekstremit të djathtë në Greqi, po bëjnë thirrje për ngritjen e kampeve të përqendrimi për refugjatët, që të mbrohet popullsia vendase nga infektimi. Pastaj është presidenti amerikan Donald Trump. Shqetësimi i tij kryesor, është se paniku mbi COVID-19, do të dëmtojë tregjet e aksioneve.

Prandaj, gjëja e parë që bëri ishte akuza ndaj rivalëve të tij politikë për “politizimin” e epidemisë. Kjo nuk është mënyra më e mirë se si duhet informuar publiku, dhe garanton një bazë solide për teoritë e konspiracionit. Djali i Trump, Donald Jr, shkoi më tej duke deklaruar se demokratët shpresojnë që sëmundja të vrasë miliona njerëz, vetëm që të mundin të atin në zgjedhjet e nëntorit.

LEXO EDHE:  U frymëzua nga romani i Zhyl Vern, kush ishte gazetarja që udhëtoi anembanë botës për 72 ditë

Senatori republikan nga Arkansasi, Tom Kotën, njëherazi një kandidat i mundshëm i ardhshëm presidencial, përsëriti spekulimet se qeveria kineze e ka prodhuar vetë COVID-19 si një armë biologjike. Absurditete të tilla, “zbuten” ndonjëherë, kur shkaktojnë shumë bujë në publik. Por dëmi tashmë është bërë. Një miku im në Nju Jork, pa javën e kaluar se si një mashkull i bardhë ndali enkas në rrugë 2 gra me pamje aziatike, për t’u thënë atyre se shpresonte që koronavirusi t’i vriste sa më parë, “ashtu si bëmë ne me njerëzit tuaj në Hiroshima”.

Shumëkush shpreson që shumica e amerikanëve, përfshirë edhe shumicën e meshkujve të bardhë, të tmerrohen nga një sjellje e tillë. Problemi është se kur senatorë të njohur, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u bëjnë jehonë teorive dashakeqe të komplotit, njerëzit të tillë ndihen të lejuar të thonë dhe të bëjnë gjëra, që në rrethana normale nuk mund t’i bënin.

Dhe nuk duhen shumë njerëz të tillë, që të formohet një turmë e dhunshme. Është kjo arsyeja, pse është e gabuar që njerëzit që kryejnë një mori vrasjesh në emër të një ideologjie racore, politike, apo fetare, të cilësohen thjesht të vetmuar apo të çmendur.

Njerëz si Anders Breivik, që vrau 77 njerëz në Norvegji në vitin 2011, si pjesë e luftës së tij për të shpëtuar Perëndimin nga marksistët, multikulturalizmat dhe myslimanët, mund të jenë në fakt sulmues të vetmuar. Por njerëzit që përhapin teori konspirative, dhe që nxisin të veprojnë vrasës të tillë, duhet të mbajnë të paktën njëfarë përgjegjësie.

E njëjta gjë vlen edhe për ekstremistët myslimanë, që bëjnë thirrje për një ‘luftë të shenjtë’ për të pafetë, apo politikanët që pretendojnë se refugjatët që bartin me vete sëmundje të tmerrshme, janë duke kërcënuar vendet e tyre. COVID-19 është vërtet një kërcënim serioz, ashtu si të gjitha sëmundjet që mund të çojnë në një pandemi.

E megjithatë Trumpi u përpoq të reduktojë buxhetin për Qendrat e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, teksa nuk ka zëvendësuar ekipet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, përgjegjëse për reagimin ndaj pandemive. Presidenti dhe mbështetësit e tij, nuk u besojnë ekspertëve dhe njeriu i caktuar prej tij për të udhëhequr luftën kundër koronavirusit, zv/presidenti Majk Pens, është skeptik në lidhje me shkencën.

Por është shkenca, dhe jo lutjet, e domodoshme për të frenuar një sëmundje që kërcënon sot botën. Ndërtimi i mureve të mëdha, ose mbyllja e njerëzve në kampe përqendrimi, përveçse janë akte çnjerëzore, nuk janë mjete efektive. Dhe shfrytëzimi i krizës për të nxitur urrejtje, mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.

Ajo që na duhet është ekspertiza, bashkëpunimi ndërkombëtar, dhe fjalët e udhëheqësve tanë politikë, që synojnë të qetësojnë frikën e njerëzve. Mjerisht në shumë pjesë të botës, po shohim të kundërtën./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

STASI kishte mijëra spiunë në Gjermaninë Perëndimore

Publikuar

-

Nga

* Jozef Frind e mori në varr sekretin e tij. Kur vdiq në moshën 81-vjeçare, pastori i qytetit Dorsten në Gjermaninë Perëndimore, la pas një kishë që vajtoi humbjen e një njeriu të devotshëm të Zotit. Por ajo që nuk dinin besimtarët, ishte se pastori i tyre kishte punuar edhe për policinë sekrete famëkeqe të Gjermanisë Lindore, STASI.

Nën emrin e koduar “Erich Neu”, pastori besohet se kishte dërguar 95 raporte informatorësh, përfshirë atë mbi një koleg që edhe në atë kohë kishte dëshmuar një potencial të madh:Jozef Racinger, i njohur më vonë si Papa Benedikti XVI.

Frind, që studioi dhe dha mësim në qytetin e Mynsterit, dha informacione mbi teologët e ardhshëm të kishës atje, përfshirë papën e ardhshëm, që në atë kohë punonte si profesor. Dy vjet pas vdekjes së Frindt, një hulumtim i kryer nga agjensia federale federale për dosjet e STASI me qendër në Berlin, hodhi dritë mbi aktivitetet e pretenduara të Frind si një agjent i Gjermanisë Lindore komuniste.

Ato çka u zbuluan, tronditën anëtarët e kishës së së tij të Zemrës së Shenjtë në Dorsten. “Shumë njerëz, e kishin thjesht të pamundur ta imagjinonin diçka të tillë. Tani ata janë në kërkim të arsyeve, pse ai mund ta ketë bërë diçka të tillë”- tha një udhëheqës i kishës.

Këto zbulime nga zona e Mynsterit, janë një “terren i panjohur” për qytetarët e ish-Gjermanisë Perëndimore, të cilët besuan për vite me radhë se trauma që kishte shkaktuar STASI-i nuk kishte asnjë lidhje me ta. “Bashkëpunëtorë jozyrtarë”, siç njiheshin informatorët nga brenda popullatës, dhe raportet që ata paraqisnin pranë STASI, konsideroheshin një problem ekskluziv vetëm i Gjermanisë Lindore.

Spiunët brenda Gjermanisë Perëndimore, si rasti i pastor Frindit, i përkasin një kapitulli të harruar të historisë gjermane. Hulumtimet e viteve të fundit, kanë zbuluar se organizata kishte 149 informatorë aktivë në Bon, ish-kryeqytetin e Gjermanisë Perëndimore, dhe 542 të tjerë në Berlinin Perëndimor.

Duket se STASI i rekrutoi shumicën e këtyre spiunëve nga sektorët e industrisë, që të vidhte informacione mbi teknologjinë perëndimore. Ai mbante gjithashtu lidhje të forta në Partinë Socialdemokratike të qendrës së majtë, ku 78 bashkëpunëtorë jozyrtarë dhe kontakte të tjera mbanin kontakte me Berlinin Lindor, dhe 13 prej tyre shërbenin si burim informacioni për aktivitetet brenda komitetit ekzekutiv të partisë.

Shërbimi sekret i Gjermanisë Lindore, ishte ndërkaq i mirë-informuar mbi çështjet e brendshme në sindikata, kisha dhe universitete. Në dhjetorin e vitit 1988, 1.929 qytetarë të Gjermanisë Perëndimore shërbenin si bashkëpunëtorë jozyrtarë ose njerëz kontakti për Republikën Demokratike Gjermane.

Në shumicën e rasteve, emrat e tyre të vërtetë si dhe raportet që ata dorëzuan kanë mbetur të panjohura, pasi kur u rrëzua sistemi i Gjermanisë Lindore, punonjësit e STASI shkatërruan pjesën më të madhe të materialeve mbi agjentët e tyre në Gjermaninë Perëndimore.

Shembulli më i famshëm, se deri ku kishte depërtuar STASI, ishte ai i ndihmësit të kancelarit të Gjermanisë Perëndimore Vili Brand, Gynter Gijom. Por spiunë kishte edhe brenda Bundesnachrichtendienst (BND), shërbimit gjerman të inteligjencës. Gjatë 4 dekadave të ndarjes së vendit, STASI kishte rreth 12.000 bashkëpunëtorë jozyrtarë në Berlinin Perëndimor dhe pjesën tjetër të Gjermanisë Perëndimore.

LEXO EDHE:  Trump kërkon vendosjen e Gardës Kombëtare në kufirin me Meksikën

LEXO EDHE:  Sulmi ndaj CNA.al/ Andi Përmeti kërkon interpelancë me ministren e Ekonomisë

Mynster i interesoi STASI-t për 2 arsye:Ajo ishte njëherazi një bastion i rëndësishëm për partinë politike të qendrës së djathtë, Unionin Kristian (CDU) në landin e Rin-Vestfalisë së Veriut, dhe një qytet universitar me një staf akademik kryesisht të majtë. Shefi i STASI, Erik Mielke i kërkoi agjentëve të tij të rekrutonin bashkëpunëtorë jozyrtarë brenda CDU-së.

Kështu agjentët u infiltruan në polici, forcat e armatosura, dhe në sistemin politik. Ata gjithashtu rekrutuan studentë, sidomos talentet e reja, të cilët një ditë mund të bëheshin drejtues të Gjermanisë Perëndimore, dhe për pasojë informatorë të rëndësishëm për RDGJ.

STASI kishte ndërkohë shumë njerëz brenda kishave, grupeve të krishtera dhe shtëpive botuese në Mynster, siç e tregoi edhe rasti i Frind. Sesi ky i fundit u josh të bëhej bashkëpunëtor, kjo mbetet një mister, dhe nuk dihet përmbajtja e saktë e raporteve të tij. Ka gjasa që ai shpresonte që bashkëpunimi me STASI-n, do të të përmirësonte kushtet e jetës për motrën e tij, e cila jetonte në Gjermaninë Lindore.

Ose ndoshta pastori, që për njëfarë kohe u përball me varësinë nga alkooli, ishte i ndjeshëm ndaj shantazhit. Ndërkohë, ka të ngjarë që shpërblimet monetare, të kenë luajtur një rol të rëndësishëm për shumë bashkëpunëtorë jozyrtarë në Perëndim.

Disa ish-bashkëpunëtorë të STASI në Gjermanisë Perëndimore, mbeten krenarë për punën që bënë për vëllezërit e tyre në Lindje. Peter Volter është njëri prej tyre. Si student i sociologjisë dhe filozofisë në Universitetin e Mynsterit në vitet 1970, ai iu bashkua një grupi studentësh marksistë të quajtur “Spartakus”, që u financua në fshehtësi nga Gjermania Lindore.

Ai e vizitoi shpesh Berlinin Lindor, ku ra në kontakt me agjentët e STASI. Volter pati një karrierë të suksesshme si gazetar, duke punuar për Agjencinë Gjermane të Shtypit (PDSH), dhe mbajtur një pozicion të lartë në agjensinë e lajmeve Reuters. Peter Volter dërgoi raporte në Berlinin Lindor për mbi 12 vjet.

Ai u arrestua pas ribashkimit të Gjermanië. E pranoi se kishte punuar për STASI-n, por këmbënguli se nuk kishte qenë spiun apo agjent. Përkundrazi, ai e përshkroi veten si një “skaut”.  Një gjykatë në Dyseldorf e dënoi Volter me 2 vjet burg me kusht./ Spiegel.de-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Vaji i ullirit, ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Publikuar

-

Nga

Një studim i ri, sugjeron se nëse ju pëlqen të hidhni gjithmonë pak vaj ulliri në sallatën tuaj, do të keni një përfitim domethënës nga ajo yndyrë e shijshme: një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës. Hulumtimi, i financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, zbuloi se njerëzit që konsumonin më shumë se gjysmë lugë gjelle vaj ulliri çdo ditë, kishin një rrezik 21 për qind më të ulët të sëmundjeve të zemrës.

Ndërkohë studimi, tregoi se nëse e zëvendësoni një lugë çaji gjalpë, margarinë apo majonezë me të njëjtën sasi vaj ulliri, rreziku juaj për sëmundje të zemrës dhe goditjet në tru, mund të bjerë me 5 për qind. “Mesazhi i marrë nga studimi ynë, është se rezultatet tona japin rekomandime për të zëvendësuar yndyrnat e ngopura të kafshëve (si gjalpi), me vajra bimore të pangopura për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare”- thotë autorja kryesore e studimit Marta Ferre.

Ajo është një shkencëtare kërkimore në Shkollën e Shëndetit Publik Harvard Çan në Boston.

Po si e ndihmon vaji i ullirit zemrën tonë? Ferre thotë vaji i ullirit është i pasur me acid oleik, një acid yndyror i shëndetshëm, që shoqërohet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës. Vaji i ullirit, ka gjithashtu veti të shëndetshme të lidhura me nivelin më të ulët të kolesterolit, dhe me më pak inflamacion shpjegoi ajo.

Vaji i ullirit, është një përbërës kryesor i dietës mesdhetare, që është provuar për vetitë e tij mbrojtëse të zemrës. Dieta mesdhetare, përbëhet nga shumë ushqime me bazë bimore, peshq dhe yndyrna të shëndetshme, siç është vaji i ullirit. Por studiuesit thanë se studimet nuk e kanë vëzhguar përdorimin e vajit të ullirit në një dietë tipike amerikane.

Për ta ekzaminuar këtë, ata analizuan afro 100.000 burra dhe gra, që morën pjesë në studime afatgjata nga viti 1990 deri në vitin 2014. Ferre theksoi se studiuesit mblodhën çdo 2 vjet informacione për faktorët e stilit të jetesës, dhe çdo 4 vjet informacione të hollësishme për dietën ushqimore.

Njerëzit që konsumonin më shumë se një gjysmë lugë gjelle në ditë vaj ulliri, kishin një rrezik të zvogëluar prej 15 për qind nga çdo lloj sëmundje kardiovaskulare, dhe në mënyrë specifike një rrezik prej 21 për qind më të ulët të sëmundjes koronare të zemrës.

LEXO EDHE:  Koronavirusi nuk kursen as kabinetin qeveritar/ Ministri i Kulturës rezulton pozitiv

LEXO EDHE:  Trump kërkon vendosjen e Gardës Kombëtare në kufirin me Meksikën

Ndërkohë konsumi më i madh i vajit të ullirit, e ulte edhe më shumë rrezikun, thotë Ferre. Por studiuesit nuk e dinë nëse ekziston një kufi i sipërm, ku përfitimet nga vaji i ullirit stabilizohen apo bien, vuri në dukje ajo.

Zëvendësimi i një luge çaji gjalpë, margarinë ose majonezë me vaj ulliri, ulte rrezikun e çdo lloj sëmundjeje kardiovaskulare me 5 për qind, si dhe rrezikun e sëmundjes koronare të zemrës me 7 për qind. Studiuesit vunë në dukje se në vitet 1990, margarina përmbante një sasi të konsiderueshme të acideve yndyrore jo të shëndetshme.

Këto rezultate, mund të mos vlejnë për margarina e sotme me bazë vajin vegjetarian, thanë ata. Ndërkaq, kur studiuesit analizuan vetëm rrezikun nga goditja në tru, ata nuk gjetën ndonjë ndikim në përdorimin e vajit të ullirit. Ata përdorën ndërkohë modele statistikore, për të parë nëse vajrat e tjerë bimorë – misri, lulelakra dhe soja – mund të kenë përfitime të ngjashme me vajin e ullirit, dhe ato patën.

Ferre tha që studiuesit nuk vëzhguan llojet specifike të vajit të ullirit, si të virgjër dhe ekstra të virgjëra. Por hulumtimet e mëparshme, kanë sugjeruar që vaji i ullirit ekstra i virgjër mund të sigurojë më shumë përfitime shëndetësor, pasi ka më pak përpunim./ Newsmax –Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Kryqëzatat, kuptimi i tyre dje dhe sot

Publikuar

-

Nga

Greta Tunberg, ka nisur një kryqëzatë për të shpëtuar planetin. Elizabet Uorren, po vijon kryqëzatën e saj kundër Berni Sanders. Parqet në Jorkshajër në Britani, janë në një kryqëzatë për të shpëtuar pë “Turtle” e rrezikuar nga zhdukja.

Kërkoni fjalën “kryqëzatë”, dhe do të merrni rezultate nga të gjitha fushat e interesit – nga sporti tek politika dhe gjithçka tjetër midis tyre. Kjo tregon se fjala “kryqëzatë” ka shumë kuptime, në varësi të mënyrës së zbatimit të saj. Ndërsa duket se shfaqet shpesh në të gjitha llojet e fushatave, dominojnë kryesisht kuptimet fetare.

Termi “kryqëzatë”, është bërë i zakonshëm në fjalorin e ekstremistëve. Luftërat në Lindjen e Mesme, janë etiketuar si të tilla nga fondamentalistët myslimanë, si një mënyrë për t’i denoncuar ato. Ndërsa radikalët e ekstremit të djathtë të krishterë, e përdorin shpesh atë për të përshkruar forcën lëvizëse të vrasjeve që kryejnë.

Ky lloj përdorimi, është reflektim i pikëpamjeve moderne mbi “kryqëzatat” mesjetare të udhëhequra nga të krishterët perëndimorë, për të pushtuar Jeruzalemin nga shekulli XI deri në atë të XIII-të. Perceptime të tilla, e kanë ngarkuar një fjalë të vetme me kaq shumë kuptime ideologjike shpesh të kundërta.

Gjithsesi, përdorimi i këtij termi në këtë mënyrë, nuk është diçka e re. Kërkimet historike, tregojnë se që nga paraqitja e saj e parë në Mesjetë, fjala “kryqëzatë” ka pasur gjithnjë kuptime shumë të ndryshme, dhe ka shërbyer vazhdimisht si një instrument politik.

Termi “kryqëzatë” u shfaq në vitet 1210, më shumë se një shekull pas fillimit të ekspeditës së parë në Jeruzalem në vitin 1095. Megjithë kuptimin tonë mbi atë çka ishin “kryqëzatat”, ky term nuk u përdor për t’i përshkruar këto ekspedita. Përkundrazi, ai u përdor në lidhje me luftërat e tjera të promovuara nga Papa kundër myslimanëve në Spanjë, dhe heretikëve të sektit të  Katharëve në Francën Jugore.

Ky lloj përdorimi i këtij termi, krijoi një kategori të përbashkët “kryqëzatën”, një fushatë ushtarake që zhvillohet për të mbrojtur besimin. Ky kuptim i shoqëron sot konfliktet në Lindjen e Mesme. Duke marrë parasysh shenjtërinë morale të lidhur me mbrojtjen e “Tokës së Shenjtë” në mendjet e të krishterëve, kjo fjalë mori shpejt një funksion legjitimues.

Çdo veprim i kontestuar, mund të justifikohej duke e quajtur atë një “kryqëzatë”. Kështu në Mesjetë, termi përshkruante taksat e reja të vendosura nga mbretërit e Kastiljes në Spanjë, dhe luftërat e udhëhequra nga papët ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, apo koleksionet e dhuratave për besimtarët në mbarë Evropën (të ashtuquajturat indulgjenca).

Indulgjencat, ishin motivi kryesor i kritikës protestante kundër udhëheqjes papale në shekullin XVI-të. Fjala “kryqëzatë’, u shoqërua më pas me sjelljet e tepruara të Papës, dhe në Evropën Veriore, ishte sinonim i çdo formë të fushatës së dhunshme të nxitur nga motivet fetare.

Ngjashëm, duke i dhënë një ngarkesë negative kësaj fjale, filozofët e Iluminizmit i konsideruan ekspeditat në Jeruzalem, si një shfaqje të qëndrimit të dhunshëm dhe intolerant të katolicizmit . Filozofi skocez David Hjum, në vëllimin e parë të librit “Historia e Anglisë”, shkroi ndër të tjera:”Kryqëzatat – ‘monumenti’ më i qëndrueshëm i marrëzisë njerëzore, që është shfaqur ndonjëherë në çdo epokë apo komb”.

LEXO EDHE:  Donald Trump ka një sozi në Spanjë, por nuk është mashkull

LEXO EDHE:  Një vit më vonë/ Si e ka ndryshuar jetën e francezëve lëvizja e “Jelekverdhëve”

Nga fundi i shekullit XVIII-të, “kryqëzata” u përdor gjerësisht për të kritikuar çdo lloj lëvizje të konsideruar si të prapambetur app agresive për ndonjë arsye të dukshme. Qëndrimet politike konservatore, janë cilësuar vazhdimisht si “kryqëzata”.

Interpretimi i kryqëzatave, ndryshoi sërish nga fundi të shekullit XIX:ato nisën të shihen si sipërmarrje heroike, të udhëhequra nga kalorës bujarë dhe me zemër të pastër. Ideja dhe përdorimi i fjalës, evoluan në përputhje me rrethanat, duke ua vënë këtë epitet çdo kauze të fisme.

Që të dyja luftërat botërore, u dominuan nga ideologjitë e kundërvënies së thjeshtëzuar mes mirës ndaj së keqes. Ky kuptim i ri i fjalës kryqëzatë, i përshtatej mirë këtij konceptimi. Për pasojë, kryqëzatat kundër sëmundjeve, luftës apo papunësisë, kryqëzatat në funksion të sjelljeve, lulëzuan në shoqëritë perëndimore në vitet 1940 dhe 1950, sidomos në vendet katolike dhe ato anglo-saksone.

Por në vendet gjermanike dhe ato të Evropës Lindore, kuptimi negativ i “kryqëzatës” mbeti më i fortë, dhe kjo fjalë nuk ishte dhe aq e përdorur. Ndryshimi përfundimtar ndodhi në vitet 1960. Kritika kundër kolonializmit dhe ndërhyrjeve perëndimore, i konsideroi ekspeditat mesjetare në Lindjen e Mesme si akte racizmi dhe pushtimi të dhunshëm.

Ndërkohë “kryqëzatat” në ditët tona, mund të kuptohen me një shumëllojshmëri thuajse të pafundme shqisash, sipas origjinës, kulturës, arsimit ose pozitës fetare të një personi. Kjo është arsyeja pse “kryqëzata e terrorizmit” e Xhorxh Bushit, provokoi shumë më tepër kritika sesa “kryqëzata e Herri Trumanit kundër komunizmit” në vitet 1950.

Ndërkohë, kur përdorin këtë term, ekstremistët mbështeten tek një kuptim i vetëm, që bazohet në atë të “kryqëzatave” mesjetare. Supremacistët e krishterë, i qëndrojnë besnikë vizioneve të fillimshekullit të XX-të, dhe e cilësojnë kryqëzatën si një kauzë të shenjtë.

Fundamentalistët myslimanë, janë të ndikuar nga konceptimet e mëvonshme, dhe i dënojnë kryqëzatat si një akt imperialist. Në të dyja rastet, kryqëzatat lexohen si një kundërshtim themelor midis të krishterëve dhe myslimanëve. Prandaj, ky term mund të përdoret për të promovuar një ide të thjeshtë të luftës së përjetshme midis së mirës dhe së keqes./Theconversation.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE